Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 20, 2018 Zani i Nalte Studime 0
nga Msc. Artan S. Mehmeti
Qëllimi i këtij punimi është analizimi i procesit të pavarësisë së Kosovës, sfidat nëpër të cilat ka kaluar si dhe roli i pavarësisë si proces i domosdoshëm për stabilitetin politik të Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.
Abstrakt
Republika e Kosovës me sipërfaqe prej 10.907 km2, dhe rreth 2.2 milion banorë, është shteti më i ri në Botë. Procesi i pavarësisë së Kosovës ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë dhe të vështirë, nga e cila mbetën shumë të vrarë dhe të zhdukur. Shteti më i ri në Botë është njohur nga 108 shtete. Shpallja e pavarësisë ka prodhuar stabilitet vendor dhe rajonal, këtë e ka vërtetuar edhe mendimi këshill-dhënës i GjND-së, duke e konstatuar edhe shumë politikanë dhe analistë të njohur ndërkombëtarë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë Republika e Kosovës po përballet me vështirësi të shumta si në aspektin ekonomik – social ashtu edhe atë politik. Institucioneve të Kosovës ju mbetet edhe shumë punë për të punuar, që Kosova të ecë drejt rrugëtimit për të aderuar në BE dhe NATO. Pavarësia e Kosovës është vetëm një përmirësim i padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar në Konferencën e ambasadorëve në Londër, nga e cila, Kosova dhe pjesë të tjera shqiptare, iu shkëputën shtetit shqiptar dhe iu dhanë shteteve fqinje.
Pozita gjeopolitike e Republikës së Kosovës
Republika e Kosovës shtrihet në Gadishullin Ballkanik. Kufiri i Kosovës, nga aspekti politik, është kufi artificial i imponuar për arsye se në tre anët e kufirit Kosova kufizohet me troje shqiptare, ndërsa për sa i përket aspektit fiziko – gjeografik, kufiri i Kosovës është kufi natyror sepse kufirin e përcaktojnë malet, luginat dhe qafat. Kosova me të gjithë elementët gjeografikë është një hapësirë e individualizuar dhe specifike. Nëpër territorin e saj kalojnë rrugë të rëndësishme të cilat lidhin Evropën e Qendrore me Detin Mesdhe dhe me brendësinë e Gadishullit Ballkanik. Si e tillë ajo ka një pozitë të rëndësishme strategjike në këtë pjesë të Evropës.[1]
Republika e Kosovës (historikisht Dardania) është vend i pavarur në Evropën Juglindore, ka një sipërfaqe prej 10.907 km2,[2] me popullsi rreth 1,8 milion banorë (Këtë regjistrim komuniteti serb e bojkotoi. Numri i banorëve të komunitetit serb vlerësohet të jetë rreth 200 mijë), prej të cilëve rreth 200 mijë banojnë në Prishtinë, që është kryeqyteti dhe qendra më e rëndësishme e vendit.[3] Shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët me rreth 90 %, ndërsa komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë janë: serbët, turqit, goranët, boshnjakët, romët, ashkalinjët, egjiptianët (këto 3 komunitete, romët, ashkalinjët dhe egjiptianët para vitit 1999 kanë qenë një i vetëm dhe njiheshin vetëm si romë).
Kosova, që nga kohët e lashta deri te pushtimi nga Mbretëria Serbo – Kroate – Sllovene
Që nga kohët e lashta Kosova ka qenë vatër e qytetërimit ilir, të cilët janë paraardhësit e popullit shqiptar. Në shek. e IV p.e.s., u themelua mbretëria Dardane e cila përfshinte edhe hapësirën e Kosovës së tanishme. Me pushtimin e Ballkanit nga perandoria Romake edhe Mbretëria Dardane (Kosova) në shek. I p.e.s bëhet pjesë e Perandorisë Romake. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë në vitin 395, trojet shqiptare në përgjithësi dhe Kosova në veçanti u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine apo Perandorisë Romake të Lindjes. Pas dobësimit të Perandorisë Bizantine, në Ballkan, në fillim të shek. XIII, krijohet shteti i fuqishëm serb; ndërsa Dardania ra tërësisht nën sundimin serb, në kohën e mbretit serb Stefan Dushani (1331 – 1355). Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Në këto vite Kosova pushtohet nga perandoria Osmane. Pas shumë përpjekjeve dhe luftërave për autonomi dhe pavarësi nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë. Por fatkeqësisht, në Konferencën e Londrës, që është mbajtur në dhjetor 1912, nga Fuqitë e Mëdha (Britania, Gjermania, Rusia, Austro – Hungaria, Franca dhe Italia) u vendos copëtimi i trojeve shqiptare, ku Kosova dhe disa pjesë të tjera shqiptare ju dhanë Serbisë. Territori i sotëm i Kosovës, i pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi, iu aneksua këtyre dy vendeve të cilat ndoqën fushatë për asimilimin e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të tyre. Edhe pse populli shqiptar luftoi përkrah forcave Aleate gjatë Luftës së Parë Botërore duke arritur të fitojnë përkrahjen e presidentit paqedashës të SHBA-ve Woodrow Wilson, vendimet e Kongresit të Paqes së Versajës, të mbajtur nga 18 janari deri më 28 qershor 1919, e mundësuan ripushtimin e Kosovës nga Mbretëria Serbo – Kroate – Sllovene, e quajtur më vonë Jugosllavi.[4]
Kosova si pjesë e RSF të Jugosllavisë
Në vitin 1941 Mbretëria Jugosllave pushtohet nga forcat e Boshtit, ndërsa territori i Kosovës u nda midis forcave italiane, bullgare dhe gjermane. Pjesa më e madhe e Kosovës, në këtë kohë, ishte nën sundimin italian, të cilët këtë pjesë ja bashkuan Shqipërisë. Nga 31 dhjetori i vitit 1943 e deri më 3 Janar të vitit 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit, si përpjekje e popullsisë shqiptare për vetëvendosje. Kjo konferencë hartoi një rezolutë ku, pas mbarimit të luftës, shqiptarët kishin të drejtë për vetëvendosje, në mënyrë që të bashkohen me Shqipërinë, ndërsa gjatë luftës forcat shqiptare të Kosovës duhet të luftonin përkrah Forcave Komuniste Jugosllave. Pas mbarimit të luftës kërkesat e shqiptarëve nuk u morën parasysh nga Qeveria Komuniste Jugosllave.[5]
Më 1945 Forcat Komuniste Shqiptare hynë në Kosovë për t’ju ndihmuar Forcave Komuniste Jugosllave për të larguar pushtuesin nazist nga këto troje. Këto forca nuk i kushtuan fare vëmendje çështjes shqiptare në Kosovë, duke lejuar rianeksimin e Kosovës nga Serbia, që në këtë kohë ishte shpallur republikë anëtare e Jugosllavisë. Më këtë aneksim, tashmë nga Republika Socialiste e Jugosllavisë (RSFJ), qëndresa shqiptare e Kosovës u tradhtua nga dy anët, si nga Forcat Komuniste Shqiptare, ashtu dhe nga Forcat Komuniste Jugosllave, të cilët shkatërruan shumë fshatra duke vrarë e masakruar shumë civilë, njëlloj si paraardhësit e tyre nga Mbretëria Jugosllave. Këto shtypje nga ana e nacionalistëve serbo – jugosllavë, e rënduan tej mase jetesën normale të popullsisë shqiptare në trojet e tyre, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi edhe të trojeve shqiptare që mbetën nën Jugosllavi. Të nisur nga këto arsye, lëvizjet studentore së bashku me udhëheqësit politik të Kosovës, u munduan që të ushtrojnë trysni tek autoritet qendrore jugosllave, që ti ndalojnë vrasjet, përndjekjet, persekutimet, burgimet, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së popullsisë shqiptare. Kërkesat nuk u realizuan dhe nuk u morën parasysh. Si pasojë e kësaj, më 28 nëntor të vitit 1968, shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë të cilët kërkonin të drejtat e tyre kombëtare, përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.[6]
Si rezultat i demonstratave të vitit 1968, Kosovës i lejohet të këtë Kushtetutën e saj. Në vitin 1969 hartohen ligjet e para të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Kurse në vitin 1974 u hartua Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, së bashku me Kushtetutën e re të RSFJ-së, Kosovën e lanë si pjesë të Republikës Socialiste të Serbisë, mirëpo duke e ngritur ndjeshëm në aspektin politik, ekonomik, social, arsimor, si dhe duke i dhënë të drejtë vote në organet qendrore federative. Gjatë viteve 70 shqiptarët gëzuan edhe shumë të drejta të tjera. Në vitin 1970 u themeluan: Universiteti i Kosovës, Akademia e Arteve dhe Shkencave, si dhe Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP). Këto të drejta, si dhe shumë të drejta të tjera, u mundësuan shqiptarëve të krahinës ngritjen e nivelit arsimor, intelektual, kulturor, si dhe një zhvillim të mëtejshëm.[7]
Për dallim nga vitet 70, në vitet 80, Kosova, në të shumtën e rasteve, ndodhej në shtetrrethim. Qeveria e Serbisë e përkrahur nga nacionalistët serbë që jetonin në Kosovë, filluan një fushatë të egër kundër popullsisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve shqiptarët u burgosën, u vranë, u zhdukën, u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Si pasojë e lodhjes nga kjo gjendje, më 11 dhe 26 mars të vitit 1981 shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Kosovës. Më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vendet publike. Kjo qeveri ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme, si dhe në universitete. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Demonstratat vazhduan përgjatë viteve ‘80, nga të cilat shumë veprimtarë shqiptarë u burgosën dhe të tjerë u detyruan të lënë vendin.[8] Edhe pas shtetrrethimit që u vu menjëherë pas fillimit të demonstratave, si dhe shtypjeve të egra që i bëheshin popullsisë shqiptare nga forcat serbo-jugosllave, Qeveria Jugosllave me udhëheqësin e ri Sllobodan Millosheviç nuk u mjaftuan me kaq, por së bashku me nacionalistët serbë, në vitin 1987, organizuan në Fushë Kosovë një komplot kundër autonomisë së Kosovës dhe popullsisë shqiptare. Agjentët serbë fajësuan shqiptarët për “jetën e vështirë të serbëve në Kosovë dhe sulme të vazhdueshme ndaj pranisë së tyre në këtë trevë, akuza ishte se shqiptarët po tentonin të kryenin spastrim etnik”.[9]
Regjimi i Sllobodan Millosheviçit edhe pas komplotit kundër autonomisë së Kosovës, vazhdoi me burgosjen e udhëheqësve, intelektualëve, mësuesve, si dhe mbarë popullsisë shqiptare. Duke mos u mjaftuar me kaq, ky regjim, më 23 mars të vitit 1989, me ndihmën e forcave policore dhe ushtarake, duke ia u imponuar votën deputetëve shqiptarë, si dhe me një numërim të votave në mënyrë jo demokratike dhe jo transparente, i heq Kosovës autonominë e cila i garantonte popullsisë së Kosovës disa të drejta, duke e kthyer Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët, të cilët po trajtoheshin jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb. Në të njëjtin vit forcat e armatosura serbe hynë në Kosovë duke e mbajtur atë të pushtuar për dhjetë vite më radhë.[10]
Kosova gjatë periudhës 1990 – 2008
Në kushtet e okupimit serb, më 2 korrik 1990 deputetët e KSA të Kosovës, të ndaluar të hynë në godinën zyrtare, e lexuan deklaratën e pavarësisë, duke e shpallur kështu Kosovën Republikë, anëtare të federatës Jugosllave. Shpallja e pavarësisë u pasua edhe me miratimin e Kushtetutës më 7 shtator të po atij viti. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.[11] Në këto procese rol kyç luajtën forcat politike të Kosovës, që sapo ishin themeluar, në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Në tetor të vitit 1991, u zhvillua referendumi mbarë popullor, i cili zyrtarisht e shpalli Kosovën shtetet të pavarur dhe sovran. Presidenti i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa qeveria ishte në mërgim, e me kryeministrin Bujar Bukoshi. Më 24 Maj 1992 u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, ku president u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova, i cili ishte gjithashtu edhe kryetar i LDK-së. Rugova zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore për të arritur deri te pavarësia e shtetit të Kosovës.
Prej shpalljes së pavarësisë e deri në fillimin e luftës së viteve 1997-99, në të gjithë Kosovën u organizuan demonstrata popullore. Kjo kohë për popullsinë shqiptare ishte shumë e vështirë, për arsye se çdo ditë arrestoheshin, torturoheshin, burgoseshin, dhe vriteshin, në mënyrën më çnjerëzore me dhjetëra civilë shqiptarë të pafajshëm. Në këtë kohë u mbyllën shkollat, u larguan punëtorët shqiptarë nga administrata shtetërore dhe publike, si dhe nga fabrikat, duke e vështirësuar tej mase jetën e popullsisë shqiptare. Kjo politikë synonte largimin e shqiptarëve nga Kosova. Në Gusht të vitit 1997, UÇK-ja merr mbi vete përgjegjësinë kundër sulmeve serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ndërsa më 28 nëntor të po këtij viti, në fshatin Llaush të Skënderajt, për herë të parë del publikisht UÇK-ja. Më 28 shkurt të vitit 1998, ushtria dhe paramilitarët serbë organizuan sulmin në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Kjo datë njihet edhe si fillimi i Luftës në Kosovë. Në vitet 1998 – 1999, ushtria serbe kreu gjenocid të tmerrshëm, duke vrarë dhe masakruar rreth 15 mijë civilë shqiptarë, shumica gra e fëmijë, e duke dëbuar me dhunë rreth 1 milion civilë. Gjatë kësaj kohe janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur mirëpo ekzistojnë akoma shumë të tjerë që nuk dihen. Për të ndaluar këtë luftë të përgjakshme, jo të drejtë, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë, afër kryeqendrës franceze, Parisit. Pas përfundimit pa sukses të këtyre bisedimeve, si dhe refuzimit të presidentit të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviç, që të pranonte marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare, më 24 mars të vitit 1999, forcat e NATO-s fillojnë bombardimet kundër trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. Po në këtë vit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, që juridikisht Kosovën e mban si pjesë të Jugosllavisë, mirëpo nën protektoratin ndërkombëtar. Sipas kësaj rezolute OKB ka përgjegjësinë për administratën civile, ndërsa NATO për sigurinë në Kosovë. Që prej vitit 1999 e dreri më 2008 Kosova u drejtua nga Qeveria Vetëqeverise e Kosovës, por nën protektoratin ndërkombëtar UNMIK (Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë).[12]
Shpallja e pavarësisë, sfidat dhe roli i saj në stabilitetin politik të Ballkanit dhe më gjerë në Evropë
Më 2 shkurt 2007, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës në Prishtinë dhe Beograd. Si nga pala kosovare, ashtu edhe analistët e huaj ishin të mendimit se ky propozim e bën Kosovën shtet të pavarur. Pas pranimit të propozimit nga pala kosovare dhe refuzimit nga pala serbe, Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare si SHBA-ve, shteteve të Bashkimit Evropian (BE), dhe Turqisë, më 17 shkurt 2008, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kosova u bë shteti më i ri në botë i njohur ndërkombëtarisht. Afganistani dhe Kostarika ishin vendet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës, të përcjella nga Shqipëria, SHBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, Turqia, etj. Republika e Kosovës deri më tani është njohur nga 112 etnitete sovrane, nga të cilat 108 shtete janë anëtare të OKB-së, nga 193 që ka gjithsej OKB-ja, si dhe nga shumica e shteteve të BE-së, dhe NATO-s. Njohjet e fituara deri më tani e tregojnë dhe e vërtetojnë se pavarësia e Republikës së Kosovës është një proces i domosdoshëm dhe i pa kthyeshëm, për botën demokratike, si proces që nuk kishte rrugë tjetër përpos pavarësisë.[13]
Për Serbinë shpallja e Pavarësisë ishte e pa pranueshme dhe përbënte shkelje ndërkombëtare, duke shkelur Rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK-ut. Të bindur për këto shkelje, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, më 15 gusht 2008, i dërgoi një kërkesë OKB-së, për të kërkuar mendimin e GjND-së (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë) rreth aktit të pavarësisë së Kosovës. Më 22 korrik 2010 GjND-ja me 10 vota pro, si dhe 4 vota kundër konstaton se: “… shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK-ut”. Pro pavarësisë kanë votuar edhe shtete që në atë kohë, por edhe tani akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, siç ishte rasti i Brazilit dhe Meksikës. Kishte shtete që janë tërhequr nga votimi. Kërkesën e dërguar nga ana e Serbisë, analistët ndërkombëtarë e kanë konsideruar “autogol” për Serbinë, e në favor të Kosovës duke e vërtetuar ligjshmërinë e pavarësisë, si proces në përputhshmëri me të drejtat ndërkombëtare, e i domosdoshëm për stabilitetin ballkanik.[14]
Pavarësinë e Kosovës, si një vendim i drejtë dhe i pa kthyeshëm e vërteton anëtarësimi i saj në shumë organizata ndërkombëtare. Kosova sot është pjesë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, e Marrëveshjes së CEFTA-s, dhe shumë organizatave të tjera. Kosova është pranuar në shumë federata sportive, ku rëndësi të veçantë ka pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Republika e Kosovës sot ka institucionet e veta demokratike të dala nga vota e lirë e popullit. Ka parlamentin që ka 120 deputetë. Kosova ka të vendosura marrëdhënie diplomatike me të gjitha shtetet që e kanë njohur si shtet të pa varur.
Kosova sot përballet më vështirësi të shumta, ndër të cilat mund të veçojmë ato më të rëndësishmet, të cilat edhe kërkojnë zgjidhje urgjente:
Një raport i Grupit Ndërkombëtar të krizave lidhur me veriun e Kosovës, rekomandon: “autonomi të pjesës veriore të Kosovës, në kontekst të kësaj Lugina e Preshevës patjetër duhet të bëhet pjesë e Kosovës, përkatësisht pjesë e Shqipërisë”. Ky raport nga Qeveria e Kosovës është i papranueshëm duke theksuar se statusi politik i Kosovës është zgjidhur më 17 shkurt 2008, si dhe territori i Kosovës është i pa diskutueshëm. Këtë raport e kanë kundërshtuar edhe shtetet me të fuqishme që e kanë njohur Kosovën si ShBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Turqia, si dhe vendet fqinje të Kosovës përveç Serbisë. Këto shtete e konsiderojnë si shumë të rrezikshme ndarjen e Kosovës, duke nxitur ndryshimin e gjithë kufijve të shteteve ballkanike. Këto ndryshime do të çonin deri te shpërthimi i një lufte të gjerë mes popujve ballkanikë, kur dihet se kufijtë e shteteve ballkanike janë kufij artificialë dhe nuk përputhen me kufijtë e shtetit Komb. Qeveria e Kosovës bëri një veprim të mençur, që nuk e pranoi, dhe e kundërshtoi, sepse nga ky propozim Kosova do duhej të bënte shkëmbime të territoreve të veta.[15]
Në mos stabilitetin politik të Ballkanit, që nga Lufta e Parë Botërore, rol të rëndësishëm nuk ka luajtur vetëm Kosova, por mund të përmendim tre faktorë të cilët pothuajse çdo dhjetë vite kanë shkaktuar luftëra në Ballkan. Këta 3 faktorë kryesorë janë:
Përfundim
Si përfundim mund të konstatojmë, se Republika e Kosovës me sipërfaqe prej 10.907 km2, dhe rreth 2.2 milion banorë, është shteti më i ri në Botë. Procesi i pavarësisë së Kosovës ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë dhe të vështirë, nga e cila mbetën shumë të vrarë dhe të zhdukur. Shteti më i ri në Botë është njohur nga 108 shtete. Shpallja e pavarësisë ka prodhuar stabilitet vendor dhe rajonal, këtë e ka vërtetuar edhe mendimi këshill-dhënës i GjND-së, duke e konstatuar edhe shumë politikanë dhe analistë të njohur ndërkombëtarë. Edhe pas shpalljes së pavarësisë Republika e Kosovës po përballet me vështirësi të shumta si në aspektin ekonomik – social ashtu edhe atë politik. Institucioneve të Kosovës ju mbetet edhe shumë punë për të punuar, që Kosova të ecë drejt rrugëtimit për të aderuar në BE dhe NATO. Pavarësia e Kosovës është vetëm një përmirësim i padrejtësive që i janë bërë popullit shqiptar në Konferencën e ambasadorëve në Londër, nga e cila, Kosova dhe pjesë të tjera shqiptare, iu shkëputën shtetit shqiptar dhe iu dhanë shteteve fqinje.
[1]. Dr. Riza I. Çavolli, GJEOGRAFIA REGJIONALE E KOSOVËS, Prishtinë 1997, f. 5.
[2]. Dr. sc. Florim Isufi & Dr. Gani Gashi, Krijimi i Gjeo Bazës së të dhënave në Kosovë, KËRKIME GJEOGRAFIKE 14, Prishtinë 2008, f. 131.
[3]. Sipas regjistrimeve të vitit 2011, http://ask.rks-gov.net/ shikuar më 19.12.2015.
[4]. E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, “8 Nëndori”, Tiranë: 1990, f. 49.
[5]. Po aty, f. 74.
[6]. Eva Hyskaj Tafili, Ballkani përgjatë periudhës moderne, “Progresi”, Tiranë: 2006, f. 27.
[7]. E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët…, f. 62.
[8]. http://shenja.mk/index.php/kulture/histori/4448-demonstratat-studentore-te-vitit-1981.html (Sabile Keçmezi-Basha) shikuar më 25.01.2015.
[9]. http://kosova-app.weebly.com/, shikuar më 25.01.2015.
[10]. Eva Hyskaj Tafili, Tranzicioni politik në Evropën Qendrore dhe Lindore, PEGI, Tiranë: 2008, f. 51.
[11]. ISAK SHERIFI, Zhvillimet politiko – diplomatike në ish – Jugosllavi me theks të veçantë Kosova dhe Maqedonia 1981 – 2008, f. 42, Temë e Doktoratës, Universiteti i Tiranës, Instituti i Studimeve Evropiane Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, Tiranë 2013, (http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2014/02/Doktoratura-Isak-Sherifi-Instituti-Studimeve-Europiane1.pdf) shikuar më 28.12.2015.
[12]. Eva Hyskaj Tafili, Ballkani përgjatë periudhës moderne…, f. 32.
[13]. Eva Hyskaj Tafili, Tranzicioni politik në Evropën Qendrore dhe Lindore…, f. 63.
[14]. http://www.shqiperia.com/lajme/lajm/nr/8361/Kush-jane-vendet-qe-votuan-pro-dhe-kunder-ne-GJND, shikuar më 29.12.2015.
[15]. http://www.rtvpresheva.com/?p=4222, shikuar më 29.12.2015.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...