Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 12, 2013 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi 0
nga Dok. BRIKENA SMAJLI
Një vështrim në krijimtarinë apo veprimtarinë shkrimore të drejtuesve fetarë, në përgjithësi dhe atyre islamë, në veçanti, gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe më tej, na zbulon disa të dhëna dhe veçori, të cilat kanë të bëjnë me shkrimin si proces, krijimtarinë si koncept edhe marrëdhënien që, këto të fundit, kanë me përkushtimin fetar, vlerën e misionit dhe përjetimin e tyre, në cilësinë e njeriut të përkushtuar ndaj besimit, besimtarëve dhe atdheut.
Nëse Said Najdeni ose Hoxhë Voka (Vogli) thotë: “Nuk vuaj për para e për grada, por për komb e atdhe. Unë dua të fitoj liri me i mësua këtij populli gjuhën shqipe, që ta njeh veten e tij e të përpiqet për vetvete.”[1] kjo, në njëfarë mënyre është vlera e misioni i pjesës më të madhe të prijësve fetarë, të cilët priren drejt përmbushjes së këtij qëllimi, duke e konceptuar veten pjesë e së tërës, pjesë e atdheut dhe, që e tëra të jetë, e atdheu të bëhet, lipset që secili, sidomos ata, të plotësojë më së miri pjesën që i takon, me përkushtim. Pikërisht, është kjo marrëdhënie me përkushtimin fetar dhe vlerën e misionit, që përcakton edhe natyrën e letërsisë së shkruar në aspektin fetar, e cila, dallohet në më të mirën e saj, për cilësinë edhe vizionare.
Ndërkohë, ndërsa ndalemi tek krijimtaria e drejtuesve fetarë islamë, i rëndësishëm mbetet fakti se kjo krijimtari u zhvillua dhe u shkrua, në vetëdije dhe përkrah asaj letërsie që shkruan gjithë klerikët shqiptarë, të cilëve, pikërisht besimi fetar përkatës u prin drejt një atdhedashurie, si binom i pandashëm i besimit që kultivojnë edhe shpallin.
Nëse priremi të hedhim vështrimin më gjerë, në ngjarjen e rëndësishme të Pavarësisë së Shqipërisë dhe, për rrjedhojë, edhe të formimit e vazhdimësisë së shtetit shqiptar, vërejmë, që pikërisht mendësia që kultivon thënia “për fe e atdhe”, “për fe e atme” sipas thënies “pro aris et focis (për altarët tanë e zemrat tona)” për tek “pro patria et fede” apo “pro fede et patria” apo thënia e Profetit Muhamed (s.a.s) se: «Dashuria ndaj atdheut është prej besimit», është një motiv i përgjithshëm i formimit dhe i ekzistencës së Shtetit Shqiptar dhe Pavarësisë, pikënisja e të cilës janë pikërisht prijësit fetarë.
Nga vetë organizimi dhe tubimi i shoqërisë shqiptare prijësit fetarë janë të tillë, jo vetëm kundrejt besimit që përhapin e për të cilin janë prijës, por ata janë pika e qëndrueshme e referimit edhe në jetën shoqërore e politike. Prej nga, vokacioni mbi shkrimin është veçse një pjesë e një personaliteti të përkushtuar ndaj shoqërisë, por më e ngulitur, më e qëndrueshme dhe më jetëgjatë, në cilësitë që vetë letërsia a krijimtaria shkrimore kultivon.
Pikërisht në këto cilësi, kundrejt besimit dhe atdheut, letërsia që shkruhet, ka karakter shoqëror dhe fetar dhe vetë letërsia apo literariteti, nuk është cilësi e shkëputur nga të parat. Në veçoritë kryesore të saj, ajo paraprihet nga koncepti i ndryshëm i shkruesit, kundrejt individit krijues, si cilësim për shkrimtarin a poetin, prej këndej edhe për një mendësi të të perceptuarit të botës dhe të vetes, e cila nuk nënkupton domosdoshmërisht poetin si krijues, formësues e të përveçuar. Kjo vjen nga fakti se në letërsinë e cila ka lidhje të ngushtë me besimin fetar, nuk ekziston një koncept i individit krijues, për sa kohë që prijësi fetar edhe shkrues, e koncepton edhe shkrimin poetik edhe veten pjesë të misionit dhe të përkushtimit, njëjtësimit, por jo të përveçimit. Për këtë arsye, nëse poezinë dhe poetin e kemi lidhur, sipas kuptimit origjinar të termit, me krijimin dhe formësimin dhe poetin, si krijues e formësues të diçkaje të re, madje e kemi parë edhe si një individ të ndryshëm nga të tjerët, të dallueshëm; koncepti që bart drejtuesi fetar për vetveten dhe shkrimin, që transmeton, është kryekëput i ndryshëm nga kjo veçori.
Kështu, nëse flasim për Sheh Ahmet Shkodrën dhe 22 librat e tij, apo ato që kanë mbërritur prej tyre, krahas tematikës ngushtësisht fetare, të cilat kanë vlerë edhe sociologjike, duhet të dallojmë veprën “Këshilli i atdheut” e cila, shpreh vetëdijen kundrejt atdheut dhe përparimit të tij.
Nuk e du kush asht tradhtar,
Unë nji here kam ba be,
Për besim e për Atdhe.
Për çfarë vetë kjo vepër dëfton, nuk është cilësia veçanërisht letrare-artistike, por vlera e misionit kundrejt tjetrit, të tjerëve, atdheut, sidomos përjetimi i brendshëm i këtij misioni, i shprehur në vargje.
Kultura fetare dhe vlera e misionit e lidh drejtuesin fetar (jo vetëm drejtuesit myslimanë, por të gjithë drejtuesit fetarë, në përgjithësi) me konceptin semit të poetit dhe të poezisë, të cilit nuk i njihen cilësitë krijuese dhe e përjeton procesin e shkrimit si këngë-vaj[2] dhe vetë përjetimin shkrimor në vargje, si ndjenjë të vërtetë dhe që i drejtohet vetes dhe Zotit. Për këtë arsye, ndërsa vendoset në rolin e ndërmjetësit të fjalës së Zotit edhe aktin e shkrimit përjeton si pjesë e përfytyrimit hyjnor, prej nga, i frymëzuar kësisoj, shkruesi e ndien veten impersonal, jo individ të përveçuar. Shkrimi dhe krijimtaria, letërsia që zhvillohet është përjetim i përkushtimit në vlerën e misionit dhe me thelbin e vet, në besimin.
Cilësia dhe veçoria e kësaj letërsie nuk qëndron në individin, por në vlerën e përjetimit të brendshëm dhe të vërtetë. Pikërisht nga kjo mendësi mbi shkrimin dhe lidhja e këtij të fundit medoemos me përkushtimin fetar, përjetohet barazueshëm kundrejt dheut, tokës, besimtarëve, atdheut. Ky vokacion e bën dashurinë dhe përkushtimin ndaj njerëzve dhe atdheut, një detyrë të qëndrueshme dhe jetëgjatë. Një cilësi të tillë kundrejt misionit merr vepra letrare e publicistike e Hafiz Ali Korçës, i cili përveçse shquhet për shërbimin e tij të paçmuar kundrejt çështjes së zgjimit dhe bashkimit kombëtar, çështjes së tërësisë dhe pavarësisë së atdheut, çështjes së fesë e përparimit të kombit,[3] me veprën e tij publicistike dhe pjesëmarrjen aktive në jetën shoqërore e politike të vendit, realizon kundrejt shoqërisë shqiptare të kohës atë që Dean Keith Simonton në përkufizimin e individualitetit krijues e quan dobishmëri kundrejt komunitetit,[4] por i cili nuk i mohon shkruesit cilësitë krijuese, por këto i përgjigjen vlerës së misionit dhe jo të përveçimit individual.
…“Vullneti i përbashkët i vazhdueshëm, bashkimi vëllazëror, ideali i vërtetë kombëtar, – vëren Hafiz Ali Korça, – në pak kohë shtetin e bënë lulishte diturie e trëndafilishtë qytetërimi”…[5]
I dhënë gjithashtu ndaj përparimit të atdheut dhe të shoqërisë shqiptare, ai shkroi “Shtat ëndrrat e Shqipërisë” (1944), një vepër në vargje, ku me anë të alegorisë vë në dukje veset që mund të “shqyejnë” Shqipërinë. Shfaqja e ëndrrave dhe paraqitja vizionare e Kuçedrës, si shëmbëlltyrë e politikanit, që kërkon të kthehet në diktator e të dëgjohet veç zëri i tij, që largon, vret, mbyt njerëzit e ditur; pasohet nga Nepërka që del nga kasaforta dhe nënkupton të huajt që përpiqen të zhvatin Shqipërinë – bankat e huaja që kërkojnë të përpijnë pasurinë e shqiptarëve. Ariu i madh me gojë të stërmadhe është një sundimtar i huaj, që do t’i vijë Shqipërisë, për sa kohë që shqiptarët nuk bëjnë dot pa të huajt. Sa herë grinden, zihen e vriten, kërkojnë një të huaj që t’u vijë nga jashtë e t’i pajtojë. Krijesat e frikshme, të ëndrrës së katërt, nënkuptojnë përsëri politikanët që përpiqen si e si të pasurohen më shumë dhe në garë me njëri-tjetrin: kush e kush të vjedhë më shumë, e ndiejnë veten të pangopur. Shfaqja, në ëndrrën e pestë e një bukurosheje, nënkupton Shqipërinë, por ajo është prapë pre e politikanëve lakmitarë. Në ëndrrën e gjashtë, nënkuptohen shqiptarët, të cilët pajtohen vetëm atëherë kur i kanë punët pisk, vetëm atëherë kur u rrezikohet jeta, kur kuptojnë se askush nuk i do, atëherë kërkojnë t’u vijë në ndihmë një udhëheqës nga jashtë e t’u rregullojë punët që kanë katranosur. Përfundimisht, ëndrra e fundit nënkupton prapë politikanët shqiptarë që gjithnjë kanë jetuar duke ngrënë kokën e njëri-tjetrit…
Alegoria e fundit godet bolshevizmin e komunizmin, që janë në prag, por e parë në syrin e këndvështrimit të sotëm, dallohet për cilësinë vizionare dhe vetëdijen, për sa kohë nxjerr në pah të këqijat e përgjithmonshme të vendit të vet e shqiptarëve, kundrejt Shqipërisë, pra, kundrejt vetes. Shkrimi i ngjan natyrës satirizuese të Konicës, i cili si Hafiz Ali Korça nuk idealizon shoqërinë shqiptare dhe të metat e saj, dhe pikërisht prej dashurisë e përkushtimit atdhetar zgjedh të vërë gishtin në plagë, duke qenë i vërtetë.
Kuptimplotë është fakti se pas shkrimit të saj autori pati pasojat e pritshme, të çdokujt që thotë të vërtetën. Megjithëse botohet më 1944, vepra u shkrua më 1924 dhe, një vit më vonë, u pasua nga pamfleti “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Veprat ndjekin njëra tjetrën në cilësinë e vizionit që i përbën. Çfarëdo rrethanash ta kenë detyruar të shkruajë autorin vargjet e mëposhtme:
“Shih pra, nuk mbetën fare ndërtesa
Ndër këmbë’ u muar e shenjta besa,
Xhami e kish s’lan’, i rrënuan
E kësi punësh djajt i shënuan,
Priftërinjt e hoxhët si kec i grinë,
Inteligjentët në dhet i shtrinë…”,[6] vërtetësia që ato përcjellin edhe në ditët tona, që vitet e diktaturës i kemi kaluar, në mënyrë poetike e të zhdërvjellët të shprehjes, nuk mund të vlerësohet ndryshe, veç si cilësi vizionare. Ndërsa vepra e këtij prijësi fetar nuk përmbyllet këtu, por vazhdon edhe me një tërësi tjetër të krijimtarisë poetike, si edhe me përkthimet e veprave nga letërsia perse: me Rubairat e Omar Khajamit, Gjylistani dhe bostani dhe Jusufi me Zelihanë, të Saadiut, të cilat shquhen për cilësinë e përkthimit, rezultat i njohjes, dijes së thelluar mbi gjuhët, të njohjes së kulturës, traditës filozofike e shkrimore perse dhe për më tepër; vetë akti i përkthimit priret drejt vërtetësisë dhe vlerës së misionit, më tepër se sa kundrejt një poetizimi individual.
Në një plan tjetër, megjithëse nuk mund të flitet për vlera të spikatura letrare, as për lëvrimin e një gjinie të caktuar të letërsisë, qoftë kjo edhe në natyrën e vargjeve fetare, vepra e Hafiz Ali Krajës, vlen të përmendet për mendësinë vizionare dhe të pakompromis, me thelbin e vet në të vërtetën dhe besimin, që transmeton, në shkrimin publicistik.
Ndërsa fjalimi i mbajtur mbi varrin e poetit Patër Gjergj Fishta, nënvizon cilësitë e mendësisë, që po trajtojmë: përkushtimin ndaj idealit kombëtar dhe përparimit të vendit dhe vëmendjen ndaj trashëgimisë shqiptare, për më tepër i thënë mbi varrin e Poetit kombëtar, një misionari dhe atdhetari si ai, një prifti françeskan, në të njëjtën natyrë vijnë edhe predikimet fetare, të cilat paraqesin vizionin e qartë, të angazhuar edhe qytetar, në vlerën e misionit. Autori kishte shkruar më 1934 veprën “A duhet feja? A e pengon ajo bashkimin kombëtar?” duke i dhënë përgjigje një kohe jo fort të përshtatshme kundrejt besimit dhe besimeve edhe në Evropë dhe duke nënvizuar: Ashtu siç është e pamundur të bëhet fjalë për moral dhe virtyt të lartë atje ku s’ka fe, është mjaft vështirë gjithashtu, të bësh fjalë për lumturi. Sepse burimi i moralit dhe i virtytit është ndërgjegjja, ndërsa i vetmi element që e urdhëron ndërgjegjen është feja-lidhja me Zotin. Ata që s’e pranojnë fenë, me kohë nisin të sillen pa respekt edhe ndaj koncepteve të larta si nderi, kombi, atdheu… [7]
Në shtator 1943 ai iu drejtua besimtarëve me hytben: “Çfarë është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar.” Cilësimi në veçanti i kësaj hytbeje, predikimi, e cila më fort ka vlerë të qartë sociale dhe politike, është prapë i rëndësishëm edhe kundrejt një ideje mbi shkrimin artistik dhe cilësinë bazë të një letërsie, e cila përgjithësisht kultivon dhe promovon cilësi morale e fetare dhe prej këndej as nuk priret ta përfillë veten si më e mira dhe as më e larta, qysh se prej këtu, synon tjetër qenësi dhe bukuri. Ajo thekson cilësi të individit, i cili, nuk pushon së qeni pjesë e përgjegjshme e shoqërisë ku jeton dhe predikon, prej nga, cilësitë e tij edhe letrare, i përkthen në një qenësi të angazhuar kundrejt besimtarëve, në vlerën e misionit ndaj tjetrit dhe atdheut, që ka përqafuar, që në fillim.
Kleriku islam, dhe këtu përmendim Hafiz Bajram Aganin, Hafiz Halit Bushatin, Haxhi Ymer Lutfi Paçarizin, Hafiz Ibrahim Dalliun, Hafiz Ali Tarin etj… në punën e tij, si shkrues dhe hartues tekstesh, nuk i përgjigjen nocionit të poetit, si krijues, ashtu siç shpjegohet në termin grek, [poezi (poesis) – me krijue me formësue], meqenëse shkrimi është i bashkëlidhur me përkushtimin fetar, ai i përgjigjet të vërtetës, të vërtetës dhe ndjeshmërisë së vërtetë dhe të përkushtuar të besimtarit kundrejt Zotit, por jo të bukurës, të veçantës, fantastikes, të përveçuarës.
Kuptohet, në konceptin estetik-filozofik, poezia fetare (qoftë edhe vetëm ajo) ka si kategori qendrore të vërtetën dhe besimin, rrjedhimisht, moralin, etikën. Qenësia a saj si kategori etike është edhe kategori estetike, qysh se sjellja e mirë është edhe sjellje e bukur. Pyetjes se si e realizon bukurinë artistike, arti dhe letërsia e lidhur ngushtë me besimin fetar, i përgjigjemi me një pyetje tjetër: a ka arti ndërgjegje, vetëdije, moral? A është e vërteta vetëm kategori etike? Përjetimi dhe ngazëllimi në vepra i drejtuesve fetarë islamë, shqiptarë, apo edhe më gjerë i njerëzve të besimit në Shqipëri, përfshi këtu katolikët dhe ortodoksët, a nuk është tregues i një momenti të rëndësishëm të qenësisë si komb, a duhet vlerësuar si përkushtim mirëfilli fetar, për sa kohë, që ai i kapërcen caqet e predikimit të thjeshtë në xhami apo kishë? Pohimi i Profetit Isa (a.s.), për dashurinë edhe për tjetrin, a nuk duhet kuptuar si vlerë e qenësishme njerëzore dhe e bukur? Nuk do mend, se në këtë drejtim teologu do të na ofronte shembuj të mjaftueshëm se besimi, madje edhe falja e besimtarit të thjeshtë, kundrejt artit si vargëzim, në qenësinë e tij të njëmendtë është e sinqertë dhe e bukur, përderisa ajo i përgjigjet me zemër të vërtetës, duke e vërtetuar këtë qenësi në të qenët i vetëdijshëm dhe i sinqertë në besim. Atëherë, cila është vetëdija krijuese e gjeniut krijues që e sheh veten të përkushtuar në punë të tilla që kanë në themel dobishmërinë ndaj komunitetit a kombit? Nëse ndjekim jetën dhe veprën e gjithsecilit nga të përmendurit më sipër si edhe e lidhim atë vepër, në thelb modeste, me dobishmërinë kundrejt komunitetit dhe kombit, do të shohim se vetë konceptit tonë mbi të shkruarit letërsi, diçka i shpëton.
Hartimi dhe përimtimi i fondit të veprave orientale, skedimi dhe certifikimi; përkthimi i parë i mevludit në shqip, apo edhe çdo poezi a shkrim (Hafiz Ali Ulqinaku) përbën në radhë të parë punën misionare dhe të përkushtuar të një individi krijues, i cili vlerën e tij e sheh në marrëdhënie tërësie dhe misioni.
Nëse në krijimin e një identiteti kombëtar, shqiptar, si edhe në platformën e Rilindësve motoja për “fe dhe atdhe” pati një trajtim po aq të veçantë sa edhe vetë kushtet specifike që formimi i shtetit shqiptar përballte, letërsia dhe kultura, cilës natyrë i përgjigjej?
Në vendet e rajonit dhe më gjerë, periudha e pavarësimit a krijimit të vetëdijes kombëtare, përkon apo bashkëshoqërohet me shkrimtarë e poetë, që bëhen zëdhënës të vetëdijes kombëtare, ashtu si edhe me vizionin e ndërtimin e një historie kombëtare, qoftë kjo edhe me kërkimin e rrënjëve mitologjike të kombit. Shekulli i XIX-të përkon jo thjesht me letërsitë, por edhe me studimin sistematik të mitologjisë, mbijetojave të trashëgimisë popullore, si edhe një rikërkim në rrënjë të religjionit. Kështu mund të përligjet për kulturën gjermane vetëdija mbi rrëfenjat popullore, si edhe rivlerësimi i religjionit a njohja e religjioneve, prej këndej edhe vështrimi vizionar mbi kulturën e vëllezërve Grim, pikënisja që i sjell simbolizmit në letërsi Vagneri, apo fillesat e letërsisë së krahasuar të nisur nga Gëte, vështrimet dhe arritjet kulturore të këtyre ndërsa përcjellin në këndvështrimin tonë një përvojë të formimit të vetëdijes dhe traditës, na sugjerojnë vështrimin e shkrimtarisë si proces që nuk i drejtohet kryekëput përveçimit autorial, por vlerës dhe përgjigjes në rrënjë të misionit dhe përkushtimit atdhetar edhe fetar. Pa një përkushtim të tillë misionar të klerikut, Shqipëria nuk do të bëhej. Kështu vlera e misionarit, prijësit fetar, në kulturën shqiptare, përkon edhe me një veçori religjionare, e cila në zgjidhjen e këndvështrimin, në vend që të bëhej pengesë, u bë faktor kryesor bashkimi dhe njësimi për atdheun. Ashtu si pa përkushtimin fetar deri në flijim atdhedashuria nuk do të kishte jetëgjatësi dhe të ardhme, ashtu siç ajo do të ishte sporadike dhe e paqëndrueshme në vlerën e misionit.
Pikërisht vokacioni fetar i ideologëve dhe ideuesve të shtetit shqiptar është një faktor i rëndësishëm për jetëgjatësinë dhe suksesin e idesë kombëtare. Motoja e mësipërme, për “fe dhe atdhe” është e rëndësishme për të tre besimet fetare, si dhe e qenësishme në qëndresën e klerikëve gjatë regjimit të kaluar.
Vështrimi i letërsisë (poezisë), që i shërben artit të së bukurës, shënon këtu një pikënisje, jo vetëm të letërsisë kombëtare, por edhe të formimit qenësor të vetë natyrës së poezisë-letërsisë që kjo kulturë, kultura shqiptare përmban.
Në natyrën e vështrimit të individit krijues (poetit), si edhe veprës artistike, kryesisht poezisë dallohen këto veçori:
1. Marrëdhënia e religjionit dhe e atdheut.
2. Vështrimi i poetit si misionar, kundrejt atdheut dhe kombit.
3. Cilësia vizionare e shkrimit artistik.
Pohimi i mësipërm, karakterizues i Letërsisë Shqipe, në refleksion të 100-vjetorit të themelimit të Shtetit Shqiptar, vë para pyetjen e dykahshme: kërkimin e një letërsie-poezie që përuron rolin parësor të Krijuesit dhe individit ekzistencial në të, nga njëra anë…. dhe shpjegimin e kësaj qasjeje, drejt etnocentrizmit dhe atdheut, si vlerë e qenësishme e shkrimit letrar.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 03, 2020 0
Oct 26, 2020 0
Jul 10, 2020 0
Nov 21, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...