Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 11, 2013 Zani I Nalte Abstraktet 0
Me rastin e 90 vjetorit të revistës “ZANI I NALTË”
1. Tematika e revistës “Zani i Naltë” – 1923-1939
nga Ali Musa Basha
Abstrakt
Shekulli i XX-të konsiderohet si fillimi i rregullt i periodikut islam shqiptar. Atë e gjejmë të gjallojë që me krijimin e shtetit shqiptar dhe mund të konsiderohet se mori fizionominë e u institucionalizua me formimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Këtij komuniteti qysh me themelimin e tij, duke vënë nën vartësi institucione arsimore e fetare, nga njëra anë, dhe duke u gjendur para kërkesave të grupeve të intelektualëve, si dhe të teologëve myslimanë nga ana tjetër, krahas botimit të literaturës fetare, që shërbente për kualifikimin e kuadrit fetar, iu bë domosdoshmëri botimi i një organi të mirëfilltë fetar, që do të bëhej tribuna e mendimit islam shqiptar dhe epiqendra e shtypit mysliman jo vetëm në Shqipëri, por sidomos për vitet e para, edhe në vende të tjera ku gjendeshin myslimanë shqiptarë. Kjo domosdoshmëri u kthye në detyrë imediate me vendimet e Kongresit të Parë Mysliman, të mbajtur në shkurtin e vitit 1923 dhe kështu, në tetor të po atij viti doli nr. 1 i revistës “Zani i Naltë”, e cila vazhdoi deri në fillim të vitit 1939, pra rreth 16 vjet.
2. “Zani i Naltë” për problemet e edukimit
Prof. Dr. Vehbi Hoti
Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Abstrakt
“Zani i Naltë” duke qenë edhe revistë fetare që merrej edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare dhe sociologji ajo e tëra, si të thuash këmbë e krye, i përkushtohej problemeve të edukimit.
Fillimisht, e pakët në faqe, e ngushtë në tematikë dhe e ngushtë në trajtimin e problemeve, gradualisht, sidomos në vitet ’30, revista konsolidohet, përvijon disa rubrika të qëndrueshme duke trajtuar problemet më themelore të besimit islam, të filozofisë së kohës dhe të edukimit e të formimit të njeriut.
Në mjaft artikuj e rubrika si në ato: “Ç’urdhëron Kur’ani” dhe “Thelbi i Kur’anit”, “Mesazhet e Hazreti Muhametit”, dhe “Si lindi muslimanizmi”, “Drita e Perëndisë dhe filozofia” dhe “Idealizmi e materializmi” etj., trajtohen problemet themelore të edukimit fetar dhe parimet e përgjithshme të edukimit e të formimit të njeriut.
3. Feja në syrin e një intelektuali
Prof. Dr. Bedri Bylyku
Abstrakt
Njeriu intelektual nuk është përcaktuar për të qenë vetëm specialist ose master në punën e tij, por është krijuar i përsosur dhe me udhëheqje për të zgjidhur problemet e kësaj bote kaotike, kryesisht në vendin e tij, duke filluar nga familja, fisi, krahina dhe atdheu ku është lindur dhe do shuhet.
Por njeriu, në kohën e sotme, aktualisht, në shumicën dërrmuese është i okupuar me vetveten dhe për të ardhmen e tij. Për këtë qëllim ai i nënshtrohet obligimeve shoqërore në kuadër të solidaritetit të bashkësisë. Eksperienca konfirmon se me kalimin e kohës ky njeri transformohet në narcis të vetmuar.
Njeriu modern përjetoi dy parime liberaliste, si individualizmin dhe pluralizmin, që u përfshinë natyrshëm në ndërtimin e idesë religjioze. Secili që dëshiron të analizojë ndodhitë ose ngjarjet fetare do të përplaset me një katrahurë të autoritarizmit dhe individualizmit brenda pluralitetit si religjioz, ashtu dhe fraksioneve dhe grupimeve. Sot, për këtë arsye, religjioni në shumë raste është bërë maska e qëndrimeve dhe lëvizjeve jo religjioze. Lëvizjet jo religjioze janë të larmishme. Po ashtu të dhënat shkencore dhe teknologjia nga njëra anë, ato mitologjike tradicionale nga ana tjetër, ja humbën ndjesinë dhe aktualitetin kohor dhe hapësinor, sepse religjioni mund të kuptohet vetëm nëpërmjet religjiozes dhe religjionit, pra subjekti dhe objekti duhet të jenë religjioze, që do të thotë se subjekti duhet ta përjetojë fetaren. Subjekti që nuk është fetar e vret ose e mbyt objektin religjioz të cilin e hulumton.
Diskutimet apologjetike dhe juridike të fesë, janë bërë disiplina që përjetohen sot si përkujtime. Atëherë a duhet njohur esenca e religjionit dhe pse, a, kemi nevojë?
4. Roli i ulemasë në rrjedhat shoqërore politike të periudhës së shpalljes së pavarësisë
Prof. Dr. Assc. Fahrush Rexhepi
Fakulteti i Studimeve Islame – Prishtinë
Abstrakt
Historia e kombit shqiptar nuk spikat vetëm lashtësinë e tij, por ajo paraqet edhe jetën dhe zhvillimin e tij, peripecitë e tij nëpërmjet të cilave ai është detyruar të kalojë gjatë shekujve. Janë rreziqet që është dashur t`i kapërcejë populli shqiptar në luftë për të mbrojtur veten dhe për të përparuar në rrugën e zhvillimit, janë veprat e mëdha materiale dhe kulturore, që kanë krijuar bijtë e tij më të mirë dhe ua kanë lënë trashëgim pasardhësve të tyre.
Kontributi i fesë dhe i ulemasë shqiptare në proceset historike, kulturore dhe politike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar do të kuptohet më mirë dhe më drejt vetëm pasi të kemi një pasqyrë sa më të qartë të realitetit shoqëror, politik, fetar, arsimor e kulturor në trojet gjithëshqiptare, në periudha të caktuara të pushtimit të truallit të tyre.
5. Me e nda mendjen, o atlet i Krishtit, o hero kombetar!
M.S. Fatos Kopliku – Universiteti i Michiganit, Ann Arbor, SHBA
Abstrakt
Provincialja nuk ka të drejtë e nuk mund të përmbushë rolin e universales, dhe as universalja nuk mund të burgoset në rajonalizëm pa u vulgarizuar; ideologjitë nacionaliste, e çfarëdo qofshin, nuk mund të zëvendësojnë religjionin, e as kjo e fundit nuk duhet të instrumentalizohetpër çikërrimainteresash provinciale në kafazin hapësirë-kohë.
6. Adhurimi në jetën e Profetit Muhamed (a.s.)
M.A. Elton Karaj – Universiteti BEDËR, Tiranë
Abstrakt
Nëse marrim për bazë kuptimin e parë të fjalës ibadet atëherë mund të themi që e gjithë jeta e Hz. Muhammed (a.s.) ishte e përqendruar në arritjen e këtij synimi….. Duhet të themi që Hz. Muhamed (a.s.) ishte tejet i përkushtuar në adhurimet që bënte. Kur shihte përkushtimin e Profetit (a.s.) në adhurim, njeriu mendonte se gjatë gjithë jetës së tij, ai nuk kishte bërë asgjë tjetër, veç adhurimit. Askush, në asnjë aspekt, nuk mund të krahasohet me të. Në namaz ai përjetonte më të thellin e adhurimeve dhe aq të plotë e ndjente dhe e shfaqte atë, sa thua se nuk kishte namaz që nuk rrëqethej e nuk derdhte lot.
7. ISLAMI SI FE E MËSHIRËS UNIVERSALE
Muhammed Fet’hullah Gylen
Abstrakt
Disa ndodhi “natyrore” ose tronditje shoqërore mund të vështrohen si të pakëndshme në fillim, por ne nuk duhet t’i gjykojmë ato si ngjarje që nuk përputhen me mëshirën. Ata janë si re të zeza ose vetëtima dhe bubullima që, ndonëse janë të frikshme, na sjellin sihariqin për shiun. Në këtë mënyrë i tërë universi i thur lavde të Gjithëmëshirshmit.
8. Dhuna në familje: Një fenomen paralizues për familjen dhe shoqërinë shqiptare
Dok. Ana Uka (Bulku)
Universiteti BEDËR, Tiranë
Abstrakt
Dhuna në familje është një nga fenomenet më të përhapura dhe një nga krimet më të paraportuara në shoqërinë shqiptare dhe kjo e bën të pamundur matjen me saktësi të përmasave të një fenomeni të tillë. Dhuna në familje është trajtuar më shumë si një problem individual, i cili i përket vetëm anëtarëve të familjes dhe jo shoqërisë. Kjo është përgjegjësi e shtetit dhe individëve për të marrë hapa efektivë për të mbrojtur gratë dhe fëmijët dhe për të ndaluar dhunën. Statistikat tregojnë se vetëm 5 % e grave të dhunuara raportojnë dhunën. Studimet tregojnë se dhuna në familje, veçanërisht kundër grave dhe vajzave, është rritur gjatë periudhës së tranzicionit. Ky problem i komplikuar me rrënjët e tij në marrëdhëniet bashkëshortore, ka një ndikim negativ edhe në prindërim. Gratë që janë viktima të dhunës në familje kanë zakonisht vështirësi të përqendrohen dhe në mënyrë efikase të punojnë me fëmijët e tyre, janë më të prirura për shmangie apo mohim të situatës dhe e neglizhojnë ndikimin e dhunës mbi veten dhe fëmijët e tyre. Një strategji kombëtare është e nevojshme për të siguruar që të gjitha format e dhunës në familje të identifikohen, shkaktarët e dhunës të përcaktohen, ndikimet e saj të adresohen dhe politikat sociale dhe programe të ndryshme ndërhyrjeje të implementohen për të parandaluar çdo lloj pasoje që mund të dëmtojë familjen dhe mbarë shoqërinë shqiptare.
Fjalët kyçe: Dhuna, familja, gratë, prindërimi, fëmijët, ligji, shoqëria
10. …vizitoni të sëmurët,…
Ilir Akshija, M.D., M.Sc.
Spitali Univ. “Nënë Tereza”, Tiranë
Abstrakt
I sëmuri, cilido nga ne, mbetet i vendosur midis frikës si do të përfundojë sëmundja dhe shpresës për përmirësim dhe shërim. Në një situatë të tillë të vështirë pagesa për të përfituar shërbimin më të mirë shëndetësor mbetet një nga shtyllat që kontribuojnë në rezultatin përfundimtar të situatës. Detyrimet dhe të drejtat në raport me sistemin shëndetësor janë tashmë të konsoliduara dhe pavarësisht që ndryshojnë vazhdmisht, ndryshimi bëhet mbi një bazë të mëparshme. Financimet e shëndetit në rang sistemi janë një koncept i ri, ndërkohë që besimet fetare, e në rastin konkret islami, kanë pozicionin e tyre për këto çështje madhore. Detyrë e jona mbetet analizimi, nxjerrja e konkluzioneve dhe zbatimi i drejtë i asaj çfarë Kur’ani dhe Sunneti tashmë na kanë ofruar si zgjidhje. Në kohë të ndryshme jetojnë njerëz të ndryshëm dhe së bashku me to edhe këndvështrime të ndryshme dhe pikërisht në këtë kuadër shprehja profetike mbi “vizitën e të sëmurit” duhet shikuar përveç këndvështrimit tradicional edhe sipas këndvështrimit të situatës bashkëkohore. Artikulli merr përsipër të vendosë të sëmurin mysliman dhe shoqërinë e myslimanëve në kontekstin e situatës kontraktuale që kanë me shtetin në lidhje me shëndetin dhe mundësitë e ofruara nga përkatësia e tyre në fenë Islame.
11. Gjuha shqipe dhe shtetformimi në veprat e dijetarëve islam
Doc. Dr. Ismet Osmani – Universiteti “Shën Çirili dhe Metodi”, Shkup
Abstrakt
Kontributi i dijetarëve islam për gjuhën shqipe dhe shtetformimin përbëjnë një fushë studimi me interes, që kanë tërhequr vëmendjen dhe janë bërë objekt kërkimesh e hulumtimesh nga shumë studiues gjatë viteve. Një përpjekje e tillë e dijetarëve islam shënon fillimin e një reforme të madhe në ngritjen e kulturës kombëtare dhe përhapjen e kulturës islame në gjuhën amtare. Përveç kësaj, dijetarët islam, në planin politik gjithnjë punojnë në mbarëvajtjen e kombit e të atdheut.
12. Institucionet fetare gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut: Një vështrim të legjislacionit të kohës ( 1928-1939)
Prof. Dr. Valentina Duka – Universiteti i Tiranës
Abstrakt
Arritja më e prekshme e Zogut mbret, që ne historianët shqiptarë nuk guxuam t’ia vëmë në dukje asnjëherë gjatë sundimit komunist, ishte sigurimi i stabilitetit politik në vend. Ai ishte aq i mençur sa ta kuptonte që për ndërtimin e shtetit të tij, nuk mjaftonte thjesht të kopjonte modele shtetesh që mund të qenë aplikuar tjetër kund pa marrë në konsideratë realitetin politik në vend. Zogu krijoi eventualisht një sistem politik duke kombinuar idetë lindore me ato perëndimore sepse ky tip shteti i siguroi atij centralizmin e nevojshëm për të qeverisur elitën e vështirë politike shqiptare.
13. Mbi rishkrimin dhe rishikimin e historisë së Shqipërisë
Nuredin Nazarko
Abstrakt
Risjellja në vëmendje të shqiptarëve për një interpretim dhe vlerësim ndryshe të historisë së Shqipërisë duhet të realizohet mbi bashkëpunimin e ngushtë të rishkrimit dhe rishikimit jo vetëm për periudha të caktuara historike, por një rishikim për rishkrim të të gjithë strukturës së zhvillimeve historike deri në detaje, larg influencës së interpretimit materialist dialektik dhe i nënshtruar përfundimisht me ndershmëri ndaj së vërtetës dhe qëllimit për të hulumtuar deri në gjetjen e saj, apo dhe të pranimit të mosarritjes së saj në qoftë së nuk mundet të arrijë deri tek ajo. Ky proces nuk duhet të shërbejë si instrument fshirës dhe groposës i shtrembërimeve, deformimeve qëllimore të interpretimit njëdimensional, përndryshe do të groposte të vërtetën e mashtrimit që përjetuam dhe përjetojmë, përmes paprekshmërisë së ekskluzivitetit të frymës ideologjike njëdimensionale në hartimin dhe publikimin e historisë së standardizuar…
14. Hafëz Ibrahim Dalliu dhe kontributi i tij në fushën e jurisprudencës islame
(Me vështrim të veçantë në veprën: “LIBRI I SË FALMES”)
H. Resul Rexhepi
Abstrakt
Të shkruash për hafëz Ibrahim ef. Dalliun dhe kontributin e tij në fushën e jurisprudencës islame dhe në fushat tjera shkencore, është një punë sa e privilegjuar po aq edhe komplekse dhe e vështirë. Kjo për faktin sepse hafëz Ibrahim Dalliu është një personalitet i shquar i kulturës sonë, që me veprimtarinë e gjerë e të gjithanshme i solli shërbime të mëdha ngritjes së kulturës dhe mendimit shkencor shqiptar. Kjo i siguroi atij përgjithmonë vendin e merituar në historinë e kulturës sonë.
15. H. Ibrahim Dalliu një nga 100 personalitetet shqiptare të kulturës islame
Abstrakt
Hafiz Ibrahim Dalliu, lindi më 1878 në një familje fetare, ku u edukua në frymën fetare të familjes dhe duke ndjekur këtë rrugë vendosi të studionte në Stamboll. Gjatë studimeve, Ibrahimi në frymën islame u aktivizua për çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe aktivist shqiptar.
Në këtë drejtim Dalliu, mendonte se funksionarët e Xhamisë dhe të gjithë besimtarët myslimanë kishin nevojë të menjëhershme për literaturë fetare në gjuhën shqipe, prandaj sapo u kthye në atdhe, mori përsipër detyrën e mësuesit në një nga shkollat e para të Tiranës (1901), së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin, me gjithë vështirësitë e shumta e pa u shkëputur nga detyra e imamit në faltoret e qytetit.
Më 1908 ai hapi shkollën e vajzave në Tiranë, ku u përgatitën mësueset e para vajza myslimane, si Servete Maçi etj.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...