Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 03, 2013 Zani i Nalte 90 vjet “ZANI I NALTË”, Aktivitete, Editoriale 0
Revista “Zani i Naltë” është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923, deri më 1939, kur Shqipëria hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore. Në ketë revistë, gjatë gjithë periodikut të saj vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve, të cilët lanë gjurmë të pashlyera me anë të shënimeve dhe shkrimeve të tyre.
Numri i parë i kësaj reviste ka dalë në muajin tetor të vitit 1923 dhe drejtori i parë i revistës ka qenë Ismail Maçi. Drejtorë të tjerë pasardhës kanë qenë Shyqyri Myftiu, Isa Domni, Haki Sharofi, personalitete këto të shquara të kohës, të cilët me përgatitje të lartë të kulturës dhe shkencave islame, por edhe të shkencave të tjera sociale, i dhanë një dimension shumë të gjerë revistës “Zani i naltë”, e cila ashtu siç kishte dhe emrin, bëri një jehonë të madhe në të gjitha shtresat intelektuale të kohës, dhe jo vetëm.
Gjatë 16 viteve të jetës se saj, ajo botoi një sërë artikujsh, që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet dhe niveli i mendimit teologjik shqiptar, gjatë periudhës së postpavarësisë. Paralelisht me trajtimet e temave fetare, në këtë revistë filluan të botohen edhe tema të fushave me karakter laik, por gjithnjë brenda kuadrit të botëkuptimit islam. Për shkak të kohës relativisht të gjatë të daljes së kësaj reviste, mund të thuhet se ajo pati një rëndësi shumë të madhe për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare, por ajo zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar. Ajo çfarë të bën përshtypje, është se që në numrin e parë të saj, në kopertinë shkruhej: “Zani i Naltë”, revistë fetare, merret edhe me filosofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji, gjë që tregon për nivelin e lartë të përmbajtjes së saj në shumë fusha studimi.
Në revistën “Zani i Naltë” bashkëpunuan personalitete të shquara si H. Vehbi Dibra, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Korça, Jonuz Bulej, Haki Sharofi, Verit Vokopola, e të tjerë, duke përfshirë këtu edhe emra të njohur të letërsisë shqiptare si Mit’hat Frashëri, apo Lumo Skëndo. Më pas kanë dalë në shtyp revista “Kultura Islame” dhe “Njeriu”, organe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Këto botime me standarde shumë të larta, kanë qenë një pasqyrë e vërtetë e vlerave të inteligjencës myslimane të asaj kohe krizash mendimesh e ideologjish.
Duke paraqitur përmbajtjen e revistës është e nevojshme të theksohet se ajo ka pasur rubrika të shumta, të përhershme e të rastit, që janë tregues i një materiali të pasur, i një tematike të larmishme, i një informacioni të gjerë për të ndriçuar drejtimet e revistës jo vetëm si aspekt fetar, por edhe në ata filozofike, morale, letrare e sociologjike. Në tematikën e trajtuar meriton të nënvizohen problemet shoqërore e arsimore. Në numra të ndryshëm kanë qenë objekt parashtrimi, analize, diskutimi, debati e detyrash problemet e marrëdhënieve shoqërore e familjare, emancipimi i gruas myslimane, qëndrimi ndaj hallallit e haramit të mirës e të keqes, kuptimi i drejtë i civilizimit dhe progresit, lufta kundër veseve shoqërore, zhvillimi i tolerancës ndërfetare, në përputhje me normat e etikën islame e kombëtare. Një vend të duhur ka zënë tema e arsimimit të fëmijëve e të rinisë. Gjatë botimit të saj revista ka pasur edhe shumë rubrika të tjera në përmasa më të vogla, që kanë dhënë të reja të ndryshme me karakter informacioni, që kanë vlerë burimore për veprimtarinë e gjithanshme të Komunitetit Mysliman, që janë studiuar e mund të studiohen si të dhëna të dobishme për studime të ndryshme.
Gjithë përmbajtja e revistës është një pasuri e çmueshme kulturore, është një traditë e bukur fetaro-atdhetare, është një ndihmesë e vyer në publicistikën shqiptare.
Studiues të ndryshëm, shqiptarë e të huaj të besimit islam e të besimeve të tjera, me monografi e përmbledhje historike e kulturore, me studime e artikuj të shumtë në organe shtypi kanë bërë përshkrime, kanë paraqitur analiza, kanë nxjerrë konkluzione, kanë dhënë gjykime e kanë shprehur vlerësime për kontributin e gjithanshëm, që revista “Zani i Naltë” ka arritur gjatë ekzistencës së saj.
Roberto Maroco della Roca, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë, në veprën e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944”, ka vënë në dukje se “Zani i Naltë” është një rrjedhojë për realizmin faktik të pavarësisë së shpallur më 1912, e organizimit të kryer në Kongresin e marsit të shkuar. Revista ka tone të spikatura patriotike. “Zani i Naltë”, thekson, jo pa një frymë triumfalizmi të vërtetë të fesë islame, duke nënvizuar përhapjen e saj në tërë botën. Është për t’u shënuar këmbëngulja e revistës për sa i përket përhapjes së Islamit që po ndodhte në Perëndim, në Evropën që “ka humbur Perëndinë”.
Prof. Dr. Shefik Osmani në studimin e tij “Reformat e viteve ’30”, nënvizon se, “kjo lëvizje mendore u zhvillua në një atmosferë lufte të ashpër në mes teoricienëve shqiptarë dhe të atyre që ishin të cekët në dituri dhe jashtë kohe. Revista “Zani i Naltë” shërbeu si tribunë e shfaqjeve të këtyre mendimeve e pikëpamjeve antagoniste. Për të përballuar luftën e paditurisë, teoricienët islamë përkthyen në gjuhën shqipe Kur’anin, Hadithet dhe interpretuan tezat themelore të besimit islam, në pajtim të plotë me arritjet shkencore. Ata e kuptuan drejt se pa një bazë teorike fondamentale, nuk mund t’u bënin ballë mentaliteteve që u kishte kaluar koha.” Po ky autor në veprën e tij “Panteoni Iranian dhe iranologët shqiptarë” vë në dukje se, “revista mujore “Zani i Naltë” u bë një tribunë e fuqishme e kulturës, e artit dhe e filozofisë islame”.
Historiani prof. Viron Koka, në një kumtesë të tij të titulluar “Kontributi i klerit mysliman në Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar (1912-1939)”, ndër të tjera ka theksuar, “Në faqet e revistës “Zani i Naltë” dhe në botime të tjera myslimane u zhvillua një, propagandë e gjallë kombëtare dhe u shpalosën idetë themelore patriotike, u propagandua bashkimi kombëtar”. I njëjti studiues në studimin e tij “Kultura islame shqiptare në vitet ’20-’30” ka nënvizuar këto konkluzione: “Kjo revistë u dha besimtarëve një dije të mirë për kohën, përveç postulateve të doktrinës islame, ajo shërbeu edhe si shkollë. Deri sa edhe të huajt e vunë re se myslimanët shqiptarë ishin të etur për kulturë, të cilën e donin të ishte kombëtare. Ata ndoqën me interes jo vetëm reformimin në sferën e tyre shpirtërore, por edhe në sferat politiko-juridike e sociale.
Prof. Dr. Gazmend Shpuza në referatin e tij: “Kongresi i parë mysliman shqiptar-sanksionim i mëvetësisë së Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe themel i zhvillimit kombëtar dhe bashkëkohor”, mbasi vlerësonte orientimet, bashkëpunëtorët dhe përmbajtjen e shkrimeve të tyre në këtë revistë, vinte në pah se “Në dritën e këtyre vendimeve në revistën “Zani i Naltë” e më gjerë në shtyp shtrohej me forcë që myslimanizmi të zhvillohej më tej në luftë me fanatizmin, të ecte përkrah qytetërimit bashkëkohor, çka përbënte, sipas autorëve të këtyre shkrimeve, një kërkesë të vetë fesë myslimane të konsakruar dhe në librin e shenjtë, Kur’anin”.
Kritiku letrar Dr. Rinush Idrizi në një kumtesë të tijën me titull “Islami në letërsinë shqipe dhe ndikimi ne jetën shqiptare”, pasi bën një analizë të thellë për këtë problem, evidenton kontributin e kësaj letërsie dhe nxjerr këtë konkluzion: “Në këtë hapësirë, mjedisi intelektual shqiptar i besimit islam, që prekte gjeografikisht Shqipërinë, do të kulmohet me hoxhë Tahsinin, në rrafshin iluminist shkencor dhe Sami Frashërin, ndërsa do të kulmohet në diplomaci me Abdyl Frashërin dhe Ismail Qemalin. Po kështu fizionomia e afërt e moralit shqiptar, ku besimi ndaj Zotit është njësoj për të gjithë besimet, do të kulmohet me Naim Frashërin, i cili jetoi në gji të asaj lëvizjeje kulturore shqiptare, ku renditen Konica dhe Fishta, Mjeda dhe Poradeci, Noli dhe Kuteli. Vijnë kështu në rrjedhë të këtyre kulmeve Shahin Kolonja e Ibrahim Temo, Lumo Skëndo e Dervish Hima, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Hafiz Ali Korça e pranë tij krejt ata që nxorën revistën “Zani i Naltë”. E, pra, kështu qëndron edhe Haki Sharofi e deri tek Branko Merxhani, të cilët krijojnë përfytyrimin e Islamit shqiptar në kohët moderne si përfytyrim kulturor dhe si shpëtim të njeriut, ku i ulti të ngrihet në shkallën e më të lartit, që do të thotë të zhvillojë vazhdimisht vetveten dhe të rrisë vazhdimisht kulturën e tij për të prekur dijen e vërtetë”.
Revista “Zani i Naltë” u bë boshti kryesor i përhapjes së dijeve dhe të mendimeve islame. Diapazoni që trajtoi kjo revistë ishte relativisht i gjerë; çështje doktrinare, kulturore, politike, sociale, ekonomike etj.”
Revista “Zani i Naltë” pezulloi botimin e saj në maj 1939, ndërsa më pas veprimtarinë e saj e vazhdoi revista “Kultura Islame”, si revistë mujore fetare, letrare, diturore e artistike. Kontributi i kësaj reviste përfundoi me 1945, si rrjedhim i politikës ateiste të regjimit.
Me zhvillimin e proceseve demokratike u krijuan rrethanat për fillimin e botimit të shtypit islam. Më 10.01.1992 doli numri i parë i gazetës “Drita Islame”, organ i përdyjavshëm i Bashkësisë Islame të Shqipërisë me kryeredaktor z. Ismail Muçen.
Pas disa dekadave shkëputje, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka rithemeluar revistën “Zani i Naltë”, një revistë shkencore-kulturore, periodike, tremujore, duke nxjerrë kështu edhe numrin e parë të saj Tetor-Nëntor-Dhjetor 2012. Rikthimi i revistës “Zani i Naltë” erdhi në 100 vjetor të shtetit shqiptar, në konsolidimin e të cilit, ka kontribuuar shumë me shkrimet dhe artikujt e saj patriotikë.
Për shkak të kohës relativisht të gjatë të daljes së kësaj reviste, mund të thuhet se ajo pati një rëndësi shumë të madhe për edukimin fetar islam të popullatës shqiptare, por ajo zgjoi edhe ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore të popullit shqiptar. Ajo çfarë të bën përshtypje, është se që në numrin e parë të saj, në kopertinë shkruhej: “Zani i Naltë”, revistë fetare, merret edhe me filosofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji, gjë që tregon për nivelin e lartë të përmbajtjes së saj në shumë fusha studimi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me rithemelimin dhe vazhdimin e botimit të revistës “Zani i Naltë”, si një revistë shkencore, kulturore, islame, tregon edhe një herë se është në ndjekje të gjurmëve të personaliteteve të shquara islame shqiptare. Revista “Zani i Naltë” në pesë numrat e parë, përmban artikuj të mirëfilltë shkencore me trajtime akademike në fushat e shkencave të ndryshme islame, por edhe në fushat e tjera sociale, duke u bërë kështu një trashëguese e denjë e emrit të vet, ashtu siç ishte që në themelimin e vet, në vitin 1923.
Revista “ZANI I NALTË”, do të jetë tribuna, ku do të shpalosen njohuritë e personaliteteve akademike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, viset e tjera shqiptare, si dhe nga bota, në fushën e teologjisë islame, si në legjislacionin islam, fikh, tefsir, hadith, si dhe në shkencat shoqërore, si sociologji, filozofi, psikologji, histori, etj.
Me rastin e këtij përvjetori të 90-të të botimit të revistës “Zani i Naltë” ne shprehim nderimin, vlerësimin e mirënjohjen për drejtuesit e bashkëpunëtoret, për të gjithë ata që kanë kontribuar për krijimin, përhapjen e zhvillimin e publicistikës islame, si dhe urojmë që organet e tanishme në gjuhën shqipe kudo që botohen, të ndjekin traditën e krijuar e ta pasurojnë atë me arritje të reja për të mirën e kulturës islame, të Shqipërisë e të kombit shqiptar.
Zani i Naltë
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...