Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Sociologji, Studime 0
Dok. Matilda Shaqiri (Likaj)
Universiteti Bedër – Tiranë
Në sociologji, qytetet nuk janë dispozuar të studiohen vetëm si vendbanime të mëdha dhe shumë të populluara. Qyteti ka gjithmonë një situatë tërheqëse, sepse ai është i pasur prej strukturës e cila përmban shtresa të ndryshme sociale, ekonomike dhe kulturore që formojnë një larmishmëri diferencash të aktorëve socialë. Gjithashtu përmban aktivitetet e shërbimeve të ndryshme kulturore, ekonomike dhe sociale. Qyteti ka një strukturë të bazuar në industri, tregti, transport dhe rrjete komunikimi. Të gjitha këto kanë krijuar faktorët tërheqës drejt qytetit. ‘Qyteti’ si term dhe si vendbanim duhet të përcaktohet në dimensione të ndryshme sepse ka një strukturë dhe funksione kompleksive. Numri i banuesve të qytetit rritet ndjeshëm edhe sipas numrit të imigrantëve nga zonat e ndryshme të një vendi. ‘Qyteti është një vend banimi i cili, nuk merret me bujqësi, ku prodhimi industrial dhe fabrikues zë vendin kryesor, shpërndarja është e koordinuar, përdoret një teknologji e përcaktuar, popullsia ka arritur një numër të konsiderueshëm si dhe ka përbërje heterogjene.
Urbanizimi është një proces shumë i rëndësishëm në të gjitha shoqëritë. Ashtu siç diversiteti i qyteteve është i larmishëm, ashtu edhe procesi i urbanizimit zhvillohet në mënyra të ndryshme.
Në strukturën shoqërore janë shumë të rëndësishëm lidhja ndërmjet shoqërisë, individit dhe vendbanimit. Këta tre elemente janë kryesorë në paraqitjen e formës së jashtme të një strukture shoqërore, sepse shprehin drejtpërsëdrejti identitetin e një grupi shoqëror me vendin ku ata banojnë. Në shumë prej shoqërive perëndimore dhe lindore, vendbanimi lidhet direkt me identitetin dhe statusin social, por në shoqërinë shqiptare kjo situatë është krejt e kundërta. Pas viteve 1990, qytetet shqiptare kanë formuar një strukturë të re sociale dhe arkitekturore. Ky ristrukturim, megjithëse dallohet në zhvillimin e qytetit, nuk ka mundësuar formimin e një identiteti të ‘etiketuar’. Lëvizjet e popullsisë nga fshati drejt qytetit, nga qytetet e vogla drejt qyteteve pak më të mëdha ishte faktori kryesor për ndryshimin e strukturës sociale (siç janë lidhje të vakëta sociale; kontroll i dobët social; njohje të tepërta, por lidhje sociale shumë të dobëta; anomia që shoqëria akoma po jeton prej largimit nga tradicionalja drejt modernes etj.) në shoqërinë shqiptare pas viteve 1990.
Procesi i urbanizimit në shoqërinë tonë gjendet në formë dinamike, për arsye se jo vetëm që nuk ka përfunduar, por akoma është tepër anomik për të gjitha grupet dhe stratifikimet sociale, si për grupet e imigruara ashtu edhe për banuesit e hershëm të qytetit. Paralel me këto ndryshime drastike sociale gjenden edhe ndryshimet e infrastrukturave të qyteteve. Në ditët e sotme, tranzicioni social, politik, kulturor dhe ekonomik pasqyrohet edhe te vetë infrastruktura e qytetit. Vendbanimet janë objekte të formuara, por që përbëjnë ngjarje sociale që vërtetojnë vetë jetën sociale dhe kulturore. Pra vendbanimet janë vende të lidhura ngushtë me kulturën dhe vlerat e një shoqërie sepse shoqëria i formon vetë ato. Duke ndërtuar infrastrukturën del në pah edhe identiteti i tyre. Për këtë arsye mund të themi se vendbanimet kthehen në simbol social.
Në vijim do të trajtohet urbanizimi i shoqërisë shqiptare duke u fokusuar te rikonstruktimi i qytetit dhe marrëdhënieve sociale. Gjithashtu do të analizohet imigrimi dhe efektet e tij gjatë procesit të urbanizimit. Duke u bazuar te këto çështje duhet të theksojmë se do trajtohet identiteti urban i shoqërisë shqiptare i formuar në periudhën post komuniste deri në ditët e sotme.
URBANIZIMI DHE MIGRIMI
Procesi i urbanizimit në shoqërinë shqiptare pas viteve 1990 deri në ditët e sotme po zhvillohet në formë shumë dinamike dhe ky proces jo vetëm që nuk ka përfunduar plotësisht, por vazhdon akoma shumë vrullshëm. Kjo dinamikë formon anomitë për të gjitha grupet sociale si ato imigrante, por edhe për banuesit e vjetër të qytetit. Përpara se të fokusohemi te analizimi i urbanizimit në Shqipëri, është e rëndësishme të shpjegojmë shkurtimisht çfarë është procesi i urbanizimit në perspektivën sociologjike.
Duke u influencuar edhe prej rritjes së popullsisë vendase dhe të imigruar, mund të themi se urbanizimi është një proces social, ekonomik, politik dhe kulturor, që zhvillohet në një segment kohor të caktuar. Procesi i urbanizimit ndryshon nga një vend në tjetrin, i ndikuar prej kushteve të ndryshme sociale, politike, ekonomike dhe kulturore të asaj shoqërie. Duke u bazuar në historinë e qyteteve më të zhvilluara në botë, do të na duhet të themi se në vendet perëndimore, industrializimi, zhvillimet ekonomike (ndarja e punës, profesionalizmi, ndryshimi i veprimeve sociale, ndryshimi i strukturës sociale) dhe rritja e popullsisë kanë qenë elementet kryesore, që kanë zhvilluar urbanizimin perëndimor. Ndërsa në vendet lindore kanë qenë zhvillimet dhe efektet e ekonomisë, arsimit si dhe të civilizimit që kanë ndikuar në zhvillimin e këtyre qyteteve.
Sipas R. Erkan, urbanizimi është një proces i cili përmban ndryshimet sociale, procesin e ambientimit dhe bashkimit ose unifikimin e imigrantëve me masën qytetare. Me fjalë të tjera mund të themi se një pjesë e popullsisë së imigruar formojnë lidhje sociale sipas kushteve të jetës sociale të një qyteti, por që janë krejtësisht të reja dhe të përshtatura për mënyrën e tyre të jetesës.[1] Megjithatë, mund të diskutojmë se këto lidhje sjellin shumë probleme dhe formojnë anomitë sociale. Pikërisht janë këto probleme dhe anomi sociale të cilat e kanë influencuar urbanizimin shqiptar që të zhvillohet sa dinamik, po aq edhe të ngadalshëm. Kjo formon një paradoks në literaturën e shkencave sociale, por në kompleksitetin social është krejt e aplikueshme. Sipas Durkheimit dhe Merton këto kompleksitete sociale formojnë urbanizimin anomik. Urbanizimi anomik formohet si pasojë e humbjes së normave (Durkheim humbjen e normave e përcakton si normless) dhe si pasojë e parregullsisë (sipas Merton). Struktura sociale pëson një transformim të dukshëm ne vetvete. Gjendja anomike e formuar prej ndryshimeve të strukturës sociale dhe kulturore të jetës së qytetit, si dhe mos përputhja e këtyre dy strukturave formon atë që Merton e quan parregullsi në strukturën e qytetit, e cila reflekton edhe në procesin e urbanizimit. Por cilët janë ata elemente që e bëjnë të mundur procesin e urbanizimit? Për atë që quhet ‘urbanizim normal’ duhet të plotësojë këto kushte:
1- Faktorët demografikë (Dendësia e popullsisë)
2- Faktorët ekonomikë (Zhvillimi i prodhimit)
3- Faktorët e punësimit (Auditimi i prodhimit)
4- Faktorët shoqërorë (Jeta sociale, kulturore, ekonomike dhe politike).
Është e rëndësishme të përmendim se ka edhe disa faktorë të tjerë që duhet të studiohen për të analizuar procesin e urbanizimit të cilët janë: arsyet ekonomike, teknologjike, politike, psikologjike dhe socio-kulturore.
Sipas literaturës sociologjike janë disa klasifikime të urbanizimeve si: urbanizimet natyrale, urbanizimet jonatyrale, si dhe urbanizimet e përshpejtuara. Por në cilin prej këtyre kategorizimeve mund të futet urbanizimi i Shqipërisë? Është e vështirë të përcaktohet saktësisht procesi i urbanizimit në Shqipëri, por mund të themi se që prej përmbysjes së regjimit politik komunist deri në ditët e sotme është realizuar një urbanizim i përshpejtuar dhe me shumë ndryshime në strukturën sociale. Ka një ndryshim drastik jo vetëm prej kushteve politike, por gjithashtu edhe prej kushteve ekonomike, sociale, kulturore dhe psikologjike të cilat kanë influencuar edhe procesin e urbanizimit në shoqërinë tonë. Rënia e sistemit politik komunist i ka mundësuar lirinë e lëvizjes të gjitha grupeve dhe shtresave të ndryshme shoqërore në Shqipëri. Gjithashtu, decentralizimi i ekonomisë ishte një faktor kryesor shtytës për të realizuar migrimin e brendshëm (imigrimi) edhe atë të jashtëm (emigrimin). Imigrimet prej zonave rurale dhe prej qyteteve të vogla drejt qyteteve më të mëdha kishin si faktor kryesor punësimin, një shtëpi më të mirë, një ambient social dhe kulturor më të mirë, arsimim më të mirë, por edhe për t’u larguar nga kontrolli i vlerave sociale. Në Shqipëri imigrimi ishte një valë e lëvizjes së njerëzve nga fshati në qytete të vogla apo të mëdha, si dhe nga qytetet e vogla në qytetet e mëdha etj. Imigrimi është një nga faktorët që punon për realizimin e mekanizmit të shpejtë apo ngadaltë të strukturës social-kulturore.
Vala e re e imigrimit nga zonat rurale në qytete, qëndron nën tendencën e kërkimit të një stili të re jetese, një mjedisi të ri social-kulturore, për një ekonomi më të mirë, për një vend të ri pune ose me fjalë të tjera për një të ardhme më të mirë sociale, ekonomike dhe kulturore.
Struktura e qytetit ku imigrantët fillojnë të banojnë është i ndryshëm nga vendi prej nga kanë imigruar. Ata përballen me vështirësitë për t’u integruar në grupin shoqëror që gjejnë. Një strukturë sociale e një zone urbane përmban vlera dhe norma të ndryshme nga struktura sociale e zonave rurale. Kjo situatë e re bëhet ndonjëherë dhe tepër e çuditshme për banorët e rinj të qyteteve dhe shpeshherë shkakton anomi të identitetit personal dhe social të imigrantëve. Vetëm pas kalimit të kësaj periudhe anomike aktorët social mund të integrohen në shoqërinë e qyteteve dhe mund të përshtaten me jetën e qytetit, rregullat, normat dhe vlerat e tij.
Ndryshimet e mëdha në politikë, në Shqipërinë post komuniste, prishën balancat në shoqëri, ekonomi dhe kulturë. Kryesisht këto ndryshime krijojnë kriza në të gjitha institucionet sociale, si familja, arsimi, feja etj. Imigracioni i individëve nga fshati në qytete, themeloi një kulturë të re dhe të ndryshme duke u bazuar në vlerat e vetë qytetit. Shpeshherë kjo kulturë mund të përcaktohej edhe si kundër kulturë ose subkulturë. Aktorët socialë që imigruan përpiqen që të integrohen në jetën sociale dhe kulturore të shoqërisë së qytetit. Integrimi është formuar nga procesi i transformimit të vlerave të tyre në vlerat që ata gjetën në kulturën e kësaj shoqërie të re. Kjo mundëson procesin e integrimit ose përshtatjen në këto shoqëri duke përjetuar anomi identiteti. Gjithashtu integrimi është një proces i gjatë dhe ndërmerr ndryshime kaq shumë në këtë shoqëri dhe gjithashtu në zonat urbane. Individët që imigruan në qytete të mëdha shpeshherë nuk ishin të mirëpritur nga shoqëria vendase, sepse pas një kohe shumë të gjatë homogjeniteti social dhe kulturor është tepër e vështirë të pranohen diversitetet sociale dhe kulturore. Një tjetër faktor është se këta aktorë socialë kishin formuar identitetin e tyre shoqëror, të cilët nuk ishin të përgatitur për ta ndarë atë me të tjerë aktorë socialë.
Imigrantët kanë qenë të interesuar për njohjen e vlerave kulturore dhe normat e strukturës socio-kulturore të qytetit. Për t’u integruar në këtë shoqëri ndonjëherë ata kanë qenë të detyruar të adoptojnë vlera kulturore të qytetit urban. Ndonjëherë ata dëshirojnë të largohen nga vlerat dhe normat që kontrollojnë sjelljet, jetesën si dhe moralin e tyre. Ata dëshirojnë të jenë të lirë nga kontrollet sociale, duke zgjedhur vlerat e reja të kulturës së qytetit urban.
Një tjetër faktor i ndryshimit të vlerave në strukturat sociale gjatë procesit të urbanizimit është evropianizimi dhe modernizimi. Këto vlera janë krejt të reja për shoqërinë shqiptare të huazuara prej kulturës urbane të shoqërive perëndimore. Vlerat e reja janë të ndryshme nga vlerat e kulturës shqiptare dhe shpesh herë formojnë një situatë të re që mund të quhet si një krizë identiteti. Këto probleme janë të reja për të gjithë aktorët socialë në shoqërinë shqiptare. Sipas Fugës, modernizimi i shoqërisë mund të prodhojë pasoja shoqërore, të cilat kanë rrezik ta përçudnojnë apo ta devijojnë kuptimin shoqëror dhe natyrën historike të ndryshimeve fillestare.[2]
Si konkluzion mund të themi se forcat imigratore ishin një ndër faktorët kryesorë të urbanizimit të shoqërisë shqiptare. Kjo lëvizje imigrante ndërmori ndryshime drastike në strukturën shoqërore shqiptare, aq sa mund të themi se akoma ndodhet në procesin e realizimit të një rinovimi dhe një riorientimi të strukturës shoqërore.
QYTETI DHE RISTRUKTURIMI MATERIAL DHE SOCIAL I TIJ
Në sociologji, qytetet nuk janë dispozuar të studiohen vetëm si vendbanime të mëdha dhe shumë të populluara. Qyteti ka gjithmonë një situatë tërheqëse, sepse ai është i pasur prej strukturës e cila përmban shtresa të ndryshme sociale, ekonomike dhe kulturore që formojnë një larmishmëri diferencash të aktorëve socialë. Gjithashtu përmban aktivitetet e shërbimeve të ndryshme kulturore, ekonomike dhe sociale. Qyteti ka një strukturë të bazuar në industri, tregti, transport dhe rrjete komunikimi. Të gjitha këto kanë krijuar faktorët tërheqës drejt qytetit. ‘Qyteti’ si term dhe si vendbanim duhet të përcaktohet në dimensione të ndryshme sepse ka një strukturë dhe funksione kompleksive. Numri i banuesve të qytetit rritet ndjeshëm edhe sipas numrit të imigrantëve nga zonat e ndryshme të një vendi. ‘Qyteti është një vend banimi i cili, nuk merret me bujqësi, ku prodhimi industrial dhe fabrikues zë vendin kryesor, shpërndarja është e koordinuar, përdoret një teknologji e përcaktuar, popullsia ka arritur një numër të konsiderueshëm si dhe ka përbërje heterogjene.[3] Për të realizuar një këndvështrim sociologjik rreth qytetit duhet të përmendim disa veçori ose variabla kryesore, siç mund t’i radhisim më poshtë:
1- Madhësia dhe dendësia e popullsisë,
2- Kalimi prej prodhimit bujqësor në prodhimin industrial si dhe zhvillimi i sektorit të shërbimeve,
3- Zhvillimi i infrastrukturës,
4- Shkrirja e strukturës së familjes tradicionale dhe kalimi në strukturën bërthamë të familjes,
5- Profesionalizimi i grupeve të ndryshme shoqërore,
6- Zëvendësimi i vlerave tradicionale me vlerat universale,
7- Zbehtësia e lidhjeve tradicionale shoqërore (tipi i shoqërisë tradicionale) dhe formimi i rëndësisë së vlerave individualiste,
8- Rritja e numrit të arsimuarve si dhe edukimi i fëmijëve që zhvillohet jo brenda familjes,
9- Vendin e normave sociale (informale) e zënë normat formale,
10- Statuset nuk fitohen më prej familjes, por prej përpjekjeve që individët bëjnë për të arritur statusin social që dëshirojnë.[4]
Në një strukturë shoqërore janë shumë të rëndësishëm lidhja ndërmjet shoqërisë, individit dhe vendbanimit. Këta janë tre elemente kryesore që paraqesin formën e jashtme të një strukture shoqërore, sepse shprehin drejtpërsëdrejti identitetin e një grupi shoqëror me vendin ku ata banojnë. Në shumë prej shoqërive perëndimore dhe lindore, vendbanimi lidhet direkt me identitetin dhe statusin social kurse në shoqërinë shqiptare kjo situatë është e kundërta.
Pas viteve 1990, qytetet shqiptare kanë marrë një strukturë të re sociale dhe arkitekturore. Në ditët e sotme, tranzicioni social, politik, kulturor dhe ekonomik pasqyrohet edhe te vetë infrastruktura e qytetit. Vendbanimet janë objekte të formuara, por që përbëjnë ngjarje sociale, që vërtetojnë jetën shoqërore dhe kulturore. Pra vendbanimet janë ngjarje të lidhura ngushtë me kulturën dhe vlerat e një shoqërie, sepse shoqëria i formon vetë vendbanimet. Duke i ndërtuar ato shfaq edhe identitetin e tyre. Për këtë arsye mund të themi se vendbanimet kthehen në simbol social. Pallatet e larta dhe lagjet e reja janë formuar si përfitim ekonomik për të përballuar interesat e ndërtuesve, por edhe të imigrantëve. Pallatet e reja dhe lagjet e mëdha të formuara vitet e fundit kanë bërë të mundur një rritje të popullsisë si dhe ulje të komunikimit dhe kontrollit social. Hapësira e krijuar për mundësitë dhe oportunitetet e imigrantëve shpeshherë ecën paralelisht me izolimin social. Sipas Wirth, mënyra e jetesës së qytetit ka disa të veçanta shoqërore, siç janë zëvendësimi i lidhjeve të ngushta sociale me lidhjet dytësore, venitja e lidhjeve të forta të fisit, venitja e rëndësisë së familjes në kontekstin shoqëror, humbja e ndjesisë së formimit të lidhjeve të ngushta me komshinjtë, venitja e solidaritetit tradicional shoqëror.[5] Ky ristrukturim është paraqitur në zhvillim e qytetit, por nuk ka mundësuar formimin e një identiteti të ‘etiketuar’. Arsyeja është sepse akoma nuk është arritur të etiketohen lagjet elitare, lagjet e individëve me status ekonomik të lartë dhe lagjet e formuara si nevoja për vendbanim.
IDENTITETI URBAN PAS VITEVE 1990 NË SHOQËRINË SHQIPTARE
Pas viteve 1990, identiteti urban në shoqërinë shqiptare ka pësuar ndryshime të mëdha. Shtresa të gjera të popullsisë mund të gjenden në situata çrregullimi për sa i përket lidhjeve të ndryshme shoqërore të dikurshme, përballë dukurish sociale të dhimbshme siç janë çrrënjosja kulturore dhe distancimi i individit prej opinioneve të grupit të tij parësorë të përkatësisë shoqërore, përballë gjendjesh vetmie të karakterizuar nga ekzistenca e individëve të izoluar në vetvete dhe të pazotë për ta konsideruar veten e tyre si anëtarë solidarë të një grupi tjetër shoqëror.[6]
Rënia e sistemit politik komunist, jo vetëm që ofroi ndërtimin e një sistemi të ri politik, por mundësoi ndryshimin në strukturën sociale, kulturore dhe ekonomike. Ky ndryshim mundësoi shembjen e disa vlerave, por edhe riformimin e tyre. Këto ndryshime që formuan strukturë të re sociale, mundësuan nxjerrjen në pah të vlerave të reja në shoqëri. Vendet evropiane ishin një model për shoqërinë shqiptare. Ky model përmbante formë utopike jo vetëm në strukturën kulturore (moderne), por edhe në një çështje politike. Norbert Elias mendon se utopia e bën shoqërinë të jetë e orientuar në një mënyrë krejt të re dhe duke e marrë në konsideratë si idealen. Pikërisht ky mentalitet u pasqyrua nga aktorët socialë të shoqërisë shqiptare dhe solli ndryshime drastike në shoqërinë tonë. Këtu nuk duhet të harrojmë se edhe lëvizjet nga zonat rurale, ose ndaj qyteteve të vogla drejt qendrave të mëdha të banimit ishin kristalizimi i utopisë brenda shoqërisë shqiptare. Shumica e vlerave që u formuan gjatë sistemit komunist u vlerësuan si të prapambetura dhe të parëndësishme. Ndonjëherë ky mendim u konsiderua si ndërgjegje ideale.
Kjo ndërgjegje ideale sjell luhatje të re dhe një situatë kaotike në strukturat social-kulturore, sepse vlerat që kanë ekzistuar për një dekadë janë nënvlerësuar brenda një afati të shkurtër kohor. Gjithashtu vlerat e reja në shoqëri formojnë një situatë të re, që ishte tepër e vështirë për shqiptarët që të pranonin dhe adoptonin në një periudhë të shkurtër kohe. Pikërisht këta elementë ishin faktorët kryesorë në formimin e një situatë anomie në strukturën e shoqërisë shqiptare.
Me rënien e sistemit politik komunist kultura shqiptare u ndikua nga shumë elementë të kulturave perëndimore. Këto kultura influencuan të gjitha institucionet sociale, marrëdhëniet midis njerëzve, mënyrën e jetesës, mentalitetin e njerëzve etj. Gjithashtu u krijua një situatë e kundërshtueshme dhe kontradiktore në strukturën sociale të saj. Sipas Z. Dervishit, ndikimi kaq i fortë i kulturave të huaja tregon mungesën e filtrave kulluese të kulturës.
Urbanizimi i shpejtë dhe imigrimi prej zonave rurale drejt zonave urbane ndryshoi strukturën sociale. Para së gjithash urbanizimi i shpejtë ndërmerr ndryshime ekonomike, sociale dhe kulturore. Gjithashtu njerëzit që vijnë nga zonat rurale pësojnë ndryshime shoqërore, ndryshime në strukturën ekonomike dhe kulturore që shpeshherë krijojnë një lloj shkelje rregullash sociale në shoqërinë urbane. Për t’u integruar në shoqërinë urbane, ky grup i shumicës së njerëzve, përpiqet të jetë larg nga vlerat e tyre kulturore. Kjo krijon një anomi në identitetin e tyre dhe vështirësi që të integrohen në shoqërinë urbane.
PËRFUNDIM
Si përfundim mund të themi se urbanizimi në shoqërinë shqiptare është një proces në zhvillim si nga ana sociale ashtu edhe nga ana infrastrukturore. Pas viteve 1990, qytetet shqiptare kanë fituar një strukturë të re sociale dhe arkitekturore. Në ditët e sotme, post tranzicioni social, politik, kulturor dhe ekonomik pasqyrohet edhe te vetë infrastruktura e qytetit. Në shoqërinë tonë pallatet e larta, dhe lagjet e reja janë formuar si përfitim ekonomik dhe për të përballuar interesat e ndërtuesve, por edhe të imigrantëve. Pallatet e reja dhe lagjet e mëdha të formuara këto vitet e fundit kanë bërë të mundur një rritje të popullsisë, si dhe ulje të komunikimit dhe kontrollit social. Hapësira e krijuar për mundësitë dhe oportunitetet e të ardhurve që ecin paralelisht me izolimin social dhe rindërtimin e identitetit personal dhe social. Wirth thekson se mënyra e jetesës së qytetit ka disa veçori shoqërore siç janë zëvendësimi i lidhjeve të ngushta sociale me lidhjet dytësore, venitja e lidhjeve të forta të fisit, venitja e rëndësisë së familjes në kontekstin shoqëror, humbja e ndjesisë së formimit lidhje të ngushta me komshinjtë, venitja e solidaritetit tradicional shoqëror.[7] Ky ristrukturim është paraqitur në zhvillimin e qytetit, por nuk ka mundësuar formimin e një identiteti të ‘etiketuar’, sepse akoma nuk është arritur të etiketohen lagjet elitare, lagjet e individëve me status të lartë ekonomik dhe lagjet e formuara si nevoja për vendbanim. Pra ky proces i urbanizimit është ende i pakompletuar në shoqërinë tonë.
Tushi, G., Probleme Dhe Dilema Sociale, Shtëpia Botuese Dudaj, Tiranë, 2006.
Dervishi, Z., Sociologji Kulture 1; Shtëpia Bot. Jeruzalem; Tiranë, 2006.
Erkan, R., Kentleşme ve Sosyal Değişme; Bilim Adam Yayınları, Ankara, 2002.
Fuga, A., Shoqëria Periferike; Sociologji e Ndryshimit; Shtëp. Bot. Ora; Tiranë, 2004.
Alver, K., Siteril Hayatlar, Hece Yayinlari, Ankara, 2007.
[1] Erkan, R., Kentleşme ve Sosyal Değişme; Bilim adam Yayınları, 2002:20.
[2] Fuga, Artan, Shoqëria Periferike; Sociologji e ndryshimit; Shtëp. bot. Ora, 2004:34.
[3] Erkan, R., Kentleşme ve Sosyal Değişme; Bilim adam Yayınları, 2002:19.
[4] Po aty, 18.
[5] Alver, K., Siteril Hayatlar, Hece yayinlari, 2007:47.
[6] Fuga, Artan, Shoqëria Periferike; Sociologji e ndryshimit; Shtëp. bot. Ora, 2004:35.
[7] Alver, K., Siteril Hayatlar, Hece yayinlari, 2007:47.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...