Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte Personalitete 0
Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Studimin tim do ta nis me lutjen e dijetarit të shquar shkodran, Hafiz Ali Kraja (1900-1973), botuar në librin e tij: “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, në të cilin shkruan: “I lutem të Madhit Perëndi që ta ruajë popullin shqiptar prej afetarizmit, që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe! Amin.”[1]
Duke lexuar me vëmendje në ecejaket e historisë sonë kombëtare, mendoj se kjo është një ndër lutjet më të rëndësishme, me të cilat duhet të ishin pajisur shqiptarët në të shkuarën e tyre, e sidomos në të sotmen, për të shpëtuar nga “humnerat e rrezikshme”, në të cilat shpesh kanë rënë duke dëshmuar momente aspak të këndshme, shpesh edhe tragjike, sidomos në 100 vitet e fundit të kësaj historie.
Gjatë shekujve, kontributi i imamëve dhe hoxhallarëve të shquar të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë në drejtim të edukimit të brezave me besimin në Një Zot të Vetëm, me dije të gjithanshme, me përkushtim në jetë, me harmoni dhe tolerancë ndërfetare dhe vullnetin për të shërbyer për të mirën e atdheut të përbashkët, ka qenë jetik dhe me shumë vlerë.
Shfletimi i dokumenteve të botuara dhe të pabotuara, i dorëshkrimeve të vjetra dhe gjurmëve arkivore të lëna prej tyre na bën të besojmë dhe të themi me gojën plot se kontributi i hoxhallarëve tanë të ditur, qëndron në themelet e formimit të një shoqërie shqiptare të qytetëruar, të ditur dhe thellësisht besimtare.
Më lejoni që këtë studim ta zhvilloj nëpërmjet shembujve konkretë nga jeta dhe vepra e zotërinjve tanë, Hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës.
Në vitin 1869, dijetari i shquar shkodran Daut Boriçizade (1825-1896), në librin e tij: “Abetare shqip”, shkruante se: “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet”![2]
Në vitin 1875 ai shkroi një tjetër: “Abetare e gjuhës shqipe me shkronja arabe”[3]. Studiuesit e abetareve shqipe, na bëjnë me dije se: “Daut Boriçi hyri në rolin e korifeut si didakt, si tekstolog dhe si organizator i arsimit popullor. Ai zuri në Veri këndin e trinomit që kishin plotësuar më parë Naumi në Jug dhe Kristoforidhi në kërthizë të Shqipërisë”.[4]
Alfabeti shqip me shkronja arabe, natyrshëm përkthen orientimin e natyrshëm fetar islam të këtij dijetari të shquar, që në të vërtetë ishte orientimi i pjesës më të madhe të popullatës shqiptare dhe trendi i kohës. “Nëse mbështetësit e alfabetit latin vinin në dukje një identitet evropian, një identitet shqiptar dhe një dallim kundrejt turqve, cili ishte pozicioni i partizanëve të alfabetit arab? Ajo që konstatohet menjëherë është se identiteti i parë që ata vinin në dukje ishte identiteti fetar mysliman. Në fakt, alfabeti arab ishte pazgjidhshmërisht i lidhur me frymën e Kur’anit…”.[5]
Në abetaren e tij të vitit 1869, (për të cilën kam kontribuar personalisht në transkriptimin e disa fjalive, në shërbim të punës së dy studiuesve të saj, Shefik Osmani dhe Njazi Kazazi), Daut Boriçi jep disa këshilla me vlerë, në formën e mesazheve, si: “Mos rri pa punë, Shko n’shkollë, Mos prito, Ndigjo këshillat e mira, Kur t’flasësh, mendo; Mos rrej etj”[6], sikurse porosit: “në mënyrë urdhërore: Xen me shkrue shqip”![7]
Gjatë hulumtimeve, kam gjetur të shkruar me dorën e këtij njeriu të ditur edhe urtësi të shumta, që vlejnë në jetën e shqiptarëve, si: “Shkrimi ngelet në libër, ndërsa autori shkrihet në dhé”, “Mëso o bir, se injoranca është turp. Atë s’e pranon veçse gomari”, “Thotë Resulull-llahi (s.a.v.s): Ai që vdes në rrugën e kërkimit të dijes, vdes shehid”[8] etj.
Ky njeri i ditur, shembullin e tij të modestisë e dëshmon edhe në shënimet personale në librat e bibliotekës së tij, në të cilët kam gjetur edhe këtë shënim: “U rreshtua në rrjetin e posedimeve të mia, ndërsa unë jam i varfëri për të Vetmin, shkodrani, Boriçizade Daudi, i biri i Haxhi Mustafasë. I faltë të dy! Viti 260 h.” Vula.
Akoma sot, nuk dimë se ndonjë shkollë a institucion arsimor në Shkodër, a përtej saj, të ketë emrin e nderuar të këtij dijetari dhe edukatori të nderuar, gjurmët e të cilit na bëjnë të ndjehemi edhe ne krenarë.
Rrugën e Daut Boriçit, në shkrimin e shqipes me shkronja arabe, në kohën kur ato ishin shkronjat me të cilat shkruhej gjuha e perandorisë më të fuqishme të botës, e kanë ndjekur edhe hoxhallarë të tjerë të nderuar të Shkodrës dhe përtej saj.
Në mesin e tyre dua të përmend Hafiz Jusuf Këlmendin (1876-1943), që la pas një libërth me “Ilahina shqip”, në brendësinë e të cilave shpjegohet se janë: “Rreshtue prej Haxhi Hafiz Jusuf Këlmendit, Imami xhamis Perashit poshtëm, n’ Shkodër”.
32 faqe, pa vit e vend botimi. Ajo përbëhet nga pesë ilahi në gjuhën shqipe me shkrim arab dhe përmban 343 vargje, të ndara në 171 strofa dhe një varg.
Në disa prej ilahive të tij, ai porosit për pastërti nga gabimet duke nxitur moralin e pastër islam: “Tâ- Tahir banu ej rob – pej gjynahesh po shpëton / Ke me dék me hí në grôp – zban aty dobi pendim”.[9] Ai lutet për shpëtimin tonë nga krejt armiqtë, duke thënë: “Ja rabbi mi ne ban rahmet – për hurmet alejhi selamit / Me na dhanun selamete – bytyn ne ehli islamit / Un i mjeri nji garíb[10] – emni im Haxhi Jusuf / Anmiq’ tôn bani rezíl[11] – gjithmôn leni n’teesuf”.[12]
Kontributi i hoxhallarëve tanë në ndërtim të një shoqërie plot virtyte besimi, dije dhe thellimi në shkencat e ndryshme janë të shumtë. Mjafton që kur përmenden hoxhallarët e Shkodrës, mendja të shkon menjëherë te bibliotekat e shumta me libra të panumërt, në shkenca të ndryshme e dije pafund.
Kur flitet për Medresenë e Pazarit në Shkodër, thuhet se ajo ishte: “një qendër e vjetër ku mësohej feja, kultura islame dhe atdhedashuria… Kjo medrese ka pasur një bibliotekë të pasur me vepra fetare, letrare dhe shkencore…”.[13]
Theodor Ippen (1861-1935), konsull i përgjithshëm i monarkisë austro-hungareze në Shkodër në vitet 1897-1904, në studimet e tij kujton se: “Në Pazar ndodhet një shkollë teologjike, medrese, e cila përbëhet nga një ndërtesë kryesore, nga disa kioska të hijshme por të lëna pas dore dhe nga një ndërtesë e veçantë për bibliotekën”.[14]
Studiuesit shkruajnë: “Dihet se ktu në Shkodër ka ma se 25.000 (njëzetepesëmijë volume vetëm në gjuhët klasike orientale)“.[15]
Kujtojmë Jusuf Tabakun (1797-1904), biblioteka e të cilit thuhet se “kishte rreth 2000 libra të inventarizuar e të vulosur me etiketë përkatëse”[16]. Në lidhje me madhështinë e kësaj biblioteke dëshmojnë studime dhe botime, ku vlerësohet pasurimi i saj me libra të ndryshëm nga shkenca e lëmi të ndryshme, në gjuhë të ndryshme.
“Bibliothekat t’ona para disa kohëve nuk qenë ato të sodmet. Ato se kan pasë rregullin e këtyne të sodmeve, dhe s’kan muejt me vieft sa vlejn këto të sodit … Na po rreshtojmë këtu posht bibliothekat Muhamedane që gjenden në Shkodër… si mbas randsis që kanë: 1. Bibliotheka “Kllyçi”… 2. Bibliotheka e “Vakftit”… 3. Bibliotheka “Myftija”… 4. Tjera bibliotheka private…”… Bibliotheka private qe sot për sot tërhjek admirimin ma të madh prej të vjetërve, prej klerikve, studjozave e shum turistave që merren me çmime objektesh orjentale asht ajo që u ndërtu këtu e 200 vjet ma parë, instalue për të parën herë pran kalas, e sot pran xhamis Plumbit në Qafë: e thirrun bibliotheka Kllyçi si mbas mbiemnit të atij që e themeloj (Hasan eff. Kllyçi)… Hasan eff. Kllyçi qe kadi në Shkodër dhe nji ndër të parë hafiza t’onë… Sot bibliotheka Kllyçi kalon shumën 2000 (dy mi) volumesh të mdhaj në nji gjendje të mirë…”[17]
Një pjesë e mirë e këtyre librave dëshmohet të jenë shkruar me dorë, të kopjuar nga origjinalet. Për këtë kam gjetur disa shënime me shkrimin e dorës së tij, ku shënohet: “Posedues me anë të shkrimit, Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i qytetit Shkodër. E faltë (Zoti)”. Ky shënim shoqërohet edhe me vulën e tij personale.
Në njërin prej këtyre librave, të kopjuar me shkrimin e dorës së Hirësisë së Tij, shkruhet: “E shkroi Jusufi Siddik, Myderrizi dhe Myftiu i Shkodrës. All-llahu e faltë atë dhe prindët e tij. 26 Shevval 1286, nata e shtunë, pas akshamit”.
Fatkeqësisht, gjaku mesjetar në venat e njerëzve-hije, bëri që në fundvitin 1998, shtëpia ku këta libra pushonin, pas lëngatës së gjatë nën hirtësitë e sistemit komunist, të digjet e tëra, duke u djegur kështu një ndër thesaret më të çmuar të kulturës dhe të diturive të lashta në Shkodër, biblioteka e Jusuf ef. Tabakut… Sepse është në natyrën e njerëzve-hije të vjedhin, të djegin, të shkatërrojnë librin e bibliotekën, ata nuk mund të bashkëjetojnë asnjëherë më njëri-tjetrin!
Këtu më vjen ndër mend rrëfimi i hidhur i Hoxhës plak Hafiz Musa Hoxha (1926 – jeton), që teksa tregon për momentin e dhimbshëm të konfiskimit të librave që kishte në posedim, thotë: “Katër kintal qitabe m’i kanë marrë, megjithëse jam mundu me i fshehë disa… Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa… U thoja njerëzve: Më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi..!”[18]
Nuk ka dyshim se kush ka lexuar sadopak për hoxhallarët e Shkodrës, ka vërtetuar lidhjen e tyre pas librit dhe dijes, saqë në shënimet e Hasan ef. Podgoricës, prej të cilit ka marrë ixhazet Hafiz Halid Bushati, që ishte muxhizi i Hafiz Jusuf Këlmendit, kam gjetur këtë shënim anësor, në gjuhën arabe: I tha Es-Sejjid Esh-Sherif El-Xherxhani, Imam Teftazanit, në vargje:
“Mos e ndalo librin që hua të kërkohet,
Kopracia për njeriun turp është!
A s’e ke dëgjuar hadithin që transmetohet,
Shpërblimi i kopracisë tek All-llahu, zjarr është!?”
Edhe Imam Teftazani ia ktheu në vargje:
“O ti kërkues i librave, lermë,
Se huazimi i të dashurit, turp është!
I dashuri im në këtë botë, libri është,
A ke parë që i dashuri hua jepet!?”
Kujtojmë Hafiz Ibrahim Repishtin (1882-1943), për bibliotekën e të cilit shkruhet se: “ka numëruar rreth 2000 vëllime ku ka pasur kopje unikale librash…“.[19]
“Le të kujtojmë se ai i takonte breznisë së luftës për mbrojtjen e Shkodrës (1912-13) dhe se ishte pjesë e kompaktësisë shkodrane të atyne viteve. (Ai ka kalue shtatë muej në llogoret e frontit të Shtojit, dhe familja Repishti ka furnizue me ushqim e armatim 17 vullnetarë të kompanisë që ai komandonte gjatë të gjithë luftës). Ma vonë, me 1916, kur Austro-Hungaria filloi keqtrajtimin e qytetarëve shkodranë, ai ka marrë pjesë në demonstratat anti-austriake, dhe ashtë burgosë me nji grup qytetarësh. Ka luejtë nji rol aktiv në mobilizimin dhe organizimin e Luftës se Koplikut (1920), për gjashtë muej. Në ato vite, ka ndihmue aktivisht Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës (Hoxha Kadriu dhe shokët kanë ba disa nga mbledhjet e Komitetit në shtëpinë e babës), ka marrë pjesë aktive në politikën e forcimit të vendit, dhe në dhetor 1923 asht zgjedhë deputet i Shkodrës (grupi i Opozitës kundër Ahmet Zogut).”[20]
Ai ishte nxënës i devotshëm i dijetarit të shquar Hafiz Halid Bushati (vd. 27 dhjetor 1916), prej nxënësve të cilit u diplomuan edhe dijetarë që më pas dhanë një kontribut të vyer në organizimin e shqiptarëve në mërgatë, si Hafiz Sulejman Gavoçi (20.1.1883-1958), që emigroi në Damask të Sirisë.
Kur flasim për mërgatën, nuk mund të lëmë pa përmendur rolin e madh të Kryemyftiut të shqiptarëve në botën e lirë, Salih ef. Myftija (1891-1978), gjurmët e të cilit janë të arkivuara edhe në gazetën e famshme amerikane “The New York Times”, që “në numrin e 13 nëntorit 1972, të ditës së hënë, njofton se në rrugën Albermarle 1325, në zonën Flatbush të Brooklyn-it u ngrit xhamia e re e komunitetit Mysliman të Shqiptarëve të Amerikës me inisiativën e Kryemyftisë Salih Efendi Myftija, mbi 80 vjeç”[21]
Kujtojmë poliglotin e shquar Hafiz Abaz Golemi (1870-1925), i cili “që në vitin 1895 emërohet mësues i persishtes dhe i besimit në shkollën qytetëse”[22]. Studiuesit e jetës së tij dëshmojnë se ai: “Përveç persishtes zotëronte edhe arabishten, turqishten, frëngjishten, italishten e serbokroatishten”.[23] Nuk duhet të harrojmë se: “Në vitin 1913 Komisioni Arsimor i Bashkisë, i kryesuar nga Xhemal Naipi, kadi i Shkodrës në atë kohë, hapi tri shkolla shtetërore: Shkolla Popullore me drejtor Gaspër Mikeli, e Rusit me drejtor Molla Medo Sukniqi dhe e Parrucës me drejtor Haxhi Hafiz Abaz Golemi”.[24]
Nëse në vitin 1913, lënda e besimit fetar ishte pjesë programit në shkollat shtetërore shqiptare, sot në vitin 2012, kur shumë vende të Evropës e kanë aplikuar lëndën e edukatës fetare në shkollat e tyre, paradoksalisht në Shqipëri ky fakt vazhdon të shihet me utopi…
Në raportet e inspektorit të arsimit Shkodër drejtuar Ministrisë së Arsimit, më 6.2.1925, në lidhje me personalitetin e H. Abaz Golemi shkruhet se: “në kohën e 12 vjetëve mund të vërtetojmë se ai përherë qe drejtori i shkollës së Parrucës dhe përherë gëzoi dhe gëzon gjithnjë një famë të mirë në popull, sa që fëmijët prej të tana lagjeve e marrin mbrapa dhe mund të themi se shkolla e Parrucës asht sot nji fryt i tij.”[25]
Megjithatë, Hafiz Abaz Golemi ishte njeri modest, i frikësohej Zotit të botëve dhe këtë e dëshmonte në shënimet personale mbi faqet e brendshme të librave të tij, ku kam gjetur edhe këto shënime: “Prej librave të të varfërit, të përulurit, Haxhi Hafiz Abaz, i biri i Haxhi Aliut. I faltë të dy, Falësi, Krijues. Amin!”. Shumë interesante është edhe përmbajtja e vulës së Hirësisë së Tij, ku shkruhet: “Më i dobëti i njerëzve, robi, Hafiz Abaz. 1307”.
Kujtojmë hoxhallarët e shumtë që ranë a u plagosën në betejat e tyre në luftë për mbrojtjen e Shkodrës dhe trojeve shqiptare nga serbo-malazezët, si rasti i dy hoxhallarëve të nderuar, H. Halil Gavoçi dhe H. Sulejman Gavoçi, babë e bir, të cilët “në vitin 1913, kur Shkodra u rrethua nga forcat serbe e malazeze… rrokën armët e dolën vullnetarë për mbrojtjen e qytetit nën komandën e Hasan Riza Pashës”[26]
Poashtu Sheh Ali Kruja (1884-1976), që doli dy herë në frontet për mbrojtjen e Shkodrës nga serbo-malazezët. Në betejën e tij të dytë, në vitin 1920, në frontin e Koplikut, “nga plaga e rëndë humbi syrin e majtë”.[27]
Kujtojmë shumë dijetarë, hoxhallarë të nderuar, që me veprën e tyre i bëjnë nder këtij kombi dhe na bëjnë të ndjehemi krenar për ta dhe gjurmët e tyre të ndritshme e fisnike. Kush nuk i njeh në botën arabe dhe islame dijetarët shkodranë Muhammed Nasiruddin El-Albani, Shejkh Shuajb El-Arnaut dhe Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, librat e të cilëve kanë mbushur bibliotekat islame bashkëkohore.
Fatkeqësisht, dekadat e kaluara nën regjimin ateist të imponuar nga Partia e Punës e Shqipërisë, bënë që shqiptarët të ndahen nga ky shpirt dhe kjo frymë, madje edhe të dëshmoheshin publikisht plot krenari dhe mburrje kundër saj.
Edhe këtu, nuk mund të harrojmë thirrjen e ez’heristit të ditur Hafiz Ali Kraja, që në vitin 1934 shkruante: “… lus vllaznit musliman të mos gënjehen me fjalët e bukra t’asaj pjesë pseudo-intelektualsh, pse qellimi i këtyne âsht me dobsue konvikcjonin dogmatik në shpirtin e fetarve, e nuk janë fjalë të bazueme… mbi shkencë e filosofí”[28] duke sinjalizuar errësirën komuniste dhe një frymë faraoneske që po vërshonte drejt Shqipërisë për ta rrënuar e poshtëruar para mbarë botës…
Nuk duhet të harrojmë shkrimet e panumërta në gazetën “Jeta e re”, e simotrat e saj, ku shkruhej se: “Në vendin tonë rinia dhe mbarë populli, të edukuar nga partia me qartësi politike dhe ideologjike, u çuan në këmbë, po fshijnë nga jeta dhe ndërgjegjja mbeturinat e botës së vjetër dhe rreziku i fesë dhe paragjykimeve të saj është pakësuar…”[29]
Nuk duhet harruar zëri i kobshëm, që shëmtueshëm, thërriste se: “Për vazhdimin e luftës kundër ideologjisë fetare, shumë i vlefshëm do të ishte krijimi i një muzeu ateisto-shkencor në qytetin tonë. Hapja e një muzeu të tillë, për të cilin janë krijuar mundësitë, do t’i vlente jo vetëm qytetit dhe rrethit tonë, por edhe rretheve të tjera”.[30]
Nuk duhet harruar dhuna dhe persekutimi ndaj hoxhallarëve tanë të nderuar, të cilët qëndruan me burrëri dhe plot besim para tundimeve femohuese. Janë të shumtë në numër, në shembuj konkretë e vuajtje.
Nuk duhet harruar se: “Me akuzën “dijeni për Lëvizjen e Postribës”, ishte arrestue edhe i forti Hafiz Musa Dërguti, për të cilin do t’u fliste, se kur kishte qenë në nji dhomë paraburgimi me Gjon Serreqin dhe i lidhun dorë për dorë me te, ishin pasë çue e ulë sëbashku si të kishin qenë nji trup i vetëm, sa herë që gjatë ditës e natës t’i vinte vakti hafizit për me iu falë Zotit, si musliman e si hoxhë që ishte”[31], ose: [Po ashtu i mbështjellë nofullash me shami për mungesë mjekre edhe plaku tjetër Hafiz Musa Dërguti, që do kohë ma parë ia kishte la në gjak fytyrën nji polici, kur ai i kishte pasë derdhë ujtë e “abdesit” aty te truma, e që kur kishte kenë në Sigurim, i kishte pasë thanë nji shoku të dhomës: “Më kërkojnë me folë për priftën, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurr”].[32]
“Në vitet 1943-1944, kur idetë komuniste u propaganduan në mënyrë më të organizuar, në qytetin e Shkodrës Hafiz Musai ishte ndër kundërshtarët më të vendosur. Ai në tubime të ndryshme, spontane apo dhe në xhami fliste për rrezikun e madh që do të sillte triumfi i komunizmit në Shqipëri”.[33]
Kujtoj nga fëmijëria, se kur gjyshi im, Haki Hoxha (Sytari), fliste për mjerimin që kishte sjellë komunizmi për vendin dhe shqiptarët, kujtonte “mikun e shpís”, Hafiz Musa Dërgutin, që në një prej ndenjave u kishte thënë se: “Enver Hoxha asht qafiri biddín![34]”.
Nuk duhet harruar dhimbja e hoxhallarëve të mëdhenj shqiptarë në mërgatë si Hoxha i jonë Vehbi S. Gavoçi, i cili dëshmon se: “Ndër artikujt e parë që kam shkruar është edhe “Asal- xhenneh” – (Shkopi i xhennetit), ku kam shkruar për Shqipërinë, vuajtjet që keni pësuar ju, vëllezërit e mi, pas vitit 1944.
I pari artikull i imi ka qenë për ju, për vendin tim. Pastaj, shumë kam shkruar për Shqipërinë nëpër revista, gazeta apo libra dhe jam munduar që të mos e harroj vendin tim, që më ka bërë nder të madh. Këtë e kam bërë që t’ia kthej atë nder të madh vendit tim me plot respekt.”[35]
Kujtojmë me nderim të thellë prijësin e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Imam Vehbi Ismaili (1919-2008). Kontributi i tij atje është i gjithanshëm. Ai, jo vetëm që dha një kontribut të madh në organizimin fetar të myslimanëve shqiptar, por ishte edhe një prijës shqiptar që thërriste për harmoni e mirëkuptim në shërbim të interesave kombëtare. Shkruan: “Kur erdha në Amerikë, kjo shoqëri nuk kishte lokal. Morëm me qira një sallë në Institutin Internacional dhe menjëherë hapëm klasë, ku për çdo të diele nxënësit nga dy orë mësonin gjuhën shqipe, kurse një orë ndiqnin mësimin fetar. Këto paralele ekzistojnë edhe sot. Të gjithë fëmijët e lindur këtu mësuan të shkrujnë e lexojnë shqip”.[36]
Imami i nderuar ishte modeli i prijësit që bashkonte shqiptarët dhe nxiste frymën e harmonisë. Shkruan: “Nuk ka rast të organizohet ndonjë drekë apo darkë e të mos ketë në mesin e besimtarëve myslimanë dhe besimtarë të fesë katolike dhe anasjelltas. Kjo bëhet për shkak se të gjithë klerikët janë të një niveli të lartë fetar e kombëtar. Të gjithë predikojnë dashuri e vëllazërim”.[37]
Në këto ditë, kur sapo kemi përkujtuar 100 vjetorin e shtetit shqiptar, është e pamundur të mos qëndrojmë me respekt para kujtimit të elitës së dijetarëve myslimanë shqiptarë që u sprovuan në burgjet komuniste a në lirinë e tyre intelektuale, si:
Në përfundim, unë jam i bindur se ajo çfarë kam paraqitur para jush është më e pakta e mundshme, për të vërtetuar e dëshmuar madhështinë e hoxhallarëve tanë të nderuar, që ia falën jetën misionit të shenjtë të edukimit të njerëzve me besimin e patundur në Zotin Një, si dhe u bënë shembulli më i mirë i praktikimit të këtij besimi në jetë, me dije, durim, përkushtim, harmoni e tolerancë.
Në kujtim dhe vlerësim të veprës dhe shembullit të tyre, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka botuar para pak kohësh vëllimin e parë të enciklopedisë: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”. Jam i bindur se sa më shumë që lexojmë dhe hulumtojmë rreth gjurmëve të hoxhallarëve tanë të nderuar, aq më tepër bindemi për madhështinë e misionit të tyre dhe amanetin e shenjtë që lanë pas. Ai amanet nuk mund të mbetet vetmitar në krahët e kohës… Është amanet i pastër që e trashëgojnë sërish zemra të pastra e të përkushtuara për t’i shërbyer misionit më të lashtë e më të shenjtë të njerëzimit…
Rahmete mbi shpirtrat e hoxhallarëve të Shkodrës, të mbarë kombit shqiptar!
Shkodër, më 27 nëntor 2012
[1] Hafiz Ali Kraja, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, botimet KMSH, Tiranë, 2010: 9.
[2] Prof. Dr. Shefik Osmani, Prof. Dr. Njazi Kazazi, “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, Tiranë, 2000: 85.
[3] Palok Lulash Daka, Prof. Dr. Tomor Osmani, Maks Gjinaj, “Bibliografi për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe 1844-2008”, Tiranë, 2008: 9.
[4] Prof. Dr. Shefik Osmani, Njazi Kazazi, “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, Tiranë, 2000: 85.
[5] Nathalie Clayer, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, Tiranë, 2009: 579.
[6] Po aty, fq. 92.
[7] Po aty, fq. 92.
[8] Nuk e kam verifikuar.
[9] Ilahija I, vargjet nr. 31-32.
[10] GARÍB-I m. mb. vjet. Shkodër, Elbasan: i vorfën, dorëhollë, që jeton me vështirësi e nuk shtrinë dorën. … Në tur. garip<ar. garíb غريب “i huej që jeton në mërgim, i panjeri, i vorfën, i ngratë, i çuditshëm”…Etj. – Tahir N. Dizdari, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë 2005, fq. 291-292.
[11] REZIL-E mb. ndf. dhe em. I marruem, i shnjerzuem, fytyrëplasë, faqezi, i poshtër, rruspaq, i dalun bojet, remall; it. Mascalzone, screditato, disonesto. U shamatuen e u bânë rezil! … Pvb. “Vjedhja e rezilit ka më lezet se rixhaja e nikoqirit”- Jugë. “Aksham vezir, sabah rezil” (për kumarxhiun)- Shkodër. Etj. – Tahir N. Dizdari, “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, Tiranë 2005: 840.
[12] Ilahija I, vargjet nr. 71-74.
[13] Ali M. Basha, “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri”, Tiranë, 2011: 126.
[14] Theodor Ippen, “Shqipëria e vjetër”, Tiranë, 2002: 127.
[15] Xhafer Shkodra: “Bibliothekat t’ona”, në revistën “Kultura islame”, viti III, nr. 2, tetor 1941, fq. 63.
[16] Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 21.
[17] Të dhëna të marra nga Xhafer Shkodra në shkrimin me titull: “Bibliothekat t’ona”, të numrit 2, v. i 3- të i revistës “Kultura Islame”, tetor 1941.
[18] Muhamed Sytari, “Hafiz Musa Hoxha- Vaizi besnik I qitabeve të vjetra”, në të prvitshmin “Takvim”, nr. 38, Prishtinë, 2007: 266-267.
[19] Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, vëllimi II, 1998: 234-236.
[20] Sami Repishti, “Nga kujtimet e prof. Sami Repishti për të atin Hafiz Ibrahim Repishti”, në gazetën “Udha Islame”, viti X, nr. 1 (107), janar 2012: 12-13.
[21] Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 391-392.
[22] Po aty, fq. 206.
[23] Po aty, fq. 206.
[24] Po aty, fq. 208.
[25] Po aty, fq. 213-214.
[26] Po aty, fq. 650.
[27] Po aty, fq. 462.
[28] Hafis Ali Kraja, “A duhet feja- A e pengon bashkimin kombtár?”, Shkodër, 1934, fq. VI.
[29] Dr. Zyhdi Çoba, “Për t’i zhgulur me rrënjë, duhen njohur me rrënjë”, në gazetën “Jeta e re”, viti I, nr. 75, e shtunë, 30 dhjetor 1967: 3.
[30] Luigj Frania, “Përdorimi i emrave me origjinë fetare është i dëmshëm”, në gazetën “Jeta e re”, viti II, nr. 59 (134), e mërkure, 24 korrik 1968: 3.
[31] Ahmet Bushati, “Në gjurmët e nji ditari”, Shkodër, 2007: 172.
[32] Po aty, fq. 428.
[33] Faik Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 158.
[34] D.m.th. femohues.
[35] Muhamed Sytari, “Vehbi Sulejman Gavoçi- dijetar prej dijetarëve të ymmetit”, Prishtinë, 2005: 22.
[36] Imam Vehbi Ismaili, Vepra, 1, Shkup, 2009: 119.
[37] Po aty, fq. 125.
[38] Lista me emrat e hoxhallarëve dhe shehlerëve të persekutuar nga sistemi komunist është marrë nga autorët Nasuf Dizdari e Faik Kasollja, në gazetën “Drita Islame”, viti I i botimit, e premte, 6.3.1992, nr. 5.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...