Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2013 Zani i Nalte 90 vjet “ZANI I NALTË”, Aktivitete, Retrospektivë 0
Dr. Honouris Causa Faik Luli & Prof. Islam Dizdari
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë dhe krijimi i shtetit kombëtar ishin ngjarjet më me rëndësi të historisë së popullit shqiptar.
Kushtet e krijuara politike mundësuan organizimin e jetës së brendshme të vendit dhe zhvillimin me të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të tij.
Krahas vendimeve shumë të rëndësishme nga qeveria e Vlorës; ndër hapat e parë qe emërimi i H. Vehbi Dibrës, kryemyfti i Shqipërisë. Hapa të tjerë qenë krijimi i Gjyqit të Lartë të Sheriatit dhe Drejtoria e Vakfeve nga vetë drejtuesit fetarë e besimtarët islamë shqiptarë.
Me kalimin e viteve rritej opinioni shoqëror për krijimin e një organizmi drejtues fetar kombëtar. Në mbështetje të dëshirave e të kërkesave të shtresave të ndryshme shoqërore me nismën e klerit të lartë mysliman, me lejen e autoriteteve qeveritare, me punën përgatitore, me zgjedhjen e rregullt e demokratike të 36 delegatëve nga krahinat e ndryshme të vendit që plotësonin kushtet “të ishte shqiptar e besimtar i ditur” dhe “të dijë me shkrue me këndue shqip”, mbasi u morën të gjitha masat organizative, më 24 shkurt 1923 u zhvillua Kongresi Mysliman Shqiptar për vendosjen e pavarësisë dhe të mëvetësisë së xhamisë myslimane shqiptare, si një akt i madh patriotizmi, si një harmonizim i kërkesave për të siguruar dëshirat kombëtare me ato fetare.
Ndër delegatët bënin pjesë personalitete të njohura dhe me autoritet kombëtar e fetar si H. Vehbi Dibra, H. Ali Korça, Salih Vuçiterni, Qamil Bala, Muharrem Mullahi, Reshat Kokalari, Sheh Ibrahim Karabunara, Ibrahim Xhindi, Qerim Fuga, Mehmet Pengili, Mytesim Këlliçi e të tjerë. Nga prefektura e Shkodrës morën pjesë Halit Rroji, Xhemal Naipi, H. Sabri Bushati dhe Mehmet Maçi.
Kongresi i zhvilloi punimet nga 24 shkurt deri më 12 mars 1923. Zhvillimi i këtij Kongresi të parë islam shqiptar, pas raportit të thellë e të qartë të H. Vehbi Dibrës e diskutimeve të shumta të delegatëve, miratoi nga de facto në de jure krijimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të mëvetësuar, zgjodhi organet drejtuese, vendosi dokumentet përkatëse, përcaktoi rrugën e përparimit, të emancipimit e të edukimit, në përputhje me parimet fetare islame.
Kongresi i parë mysliman qe ngjarje e shënuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar, ai zgjodhi organet drejtuese, si Këshillin e Lartë të Sheriatit, me kryetar H. Vehbi Dibrën dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Vakfeve, Salih Vuçiternin dhe miratoi projekt statutin e Komunitetit Mysliman dhe Rregulloren mbi organizimin e Vakfeve në Shqipëri.
Në këto dokumente u hodhën themelet e funksionimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë mbi baza fetare, kombëtare e bashkëkohore për zhvillimin e kulturës islame në Shqipëri që do të përfshinte të gjitha strukturat dhe përmbajtjen e saj, duke pasur parasysh karakterin universal të fesë islame, kuadrin kombëtar e evropian, orientimin ndaj perëndimit, natyrën përparimtare, liberale e demokratike të saj, aspirimin e besimtarëve drejt diturisë e progresit.
Në vargun e detyrave të shumta organizative, ekonomiko-financiare, të përgatitjes e të kualifikimit të kuadrit, të mirëmbajtjes së objekteve të kultit e të ndërtimit të xhamiave të reja, të predikimeve në gjuhën amtare, të përkthimit të Kur’anit e të botimit të librave fetare në gjuhën shqipe, të hapjes e të modernizimit të medreseve, të mësimit e të edukimit fetar të fëmijëve, të të rinjve e të popullsisë, që dilnin para Komunitetit Mysliman bënte pjesë edhe botimi i një reviste, si një problem i rëndësishëm i propagandës e i kulturës islame.
Në këto kushte e rrethana politiko-shoqërore, në tetor të vitit 1923 doli numri i parë i revistës “Zani i Naltë”, si revistë fetare një mujore që merrej edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare e sociologji, si organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, me drejtor Ismail Maçi, shtypur në shtypshkronjën “Mbrothësia” nga Kristo Luarasi në Tiranë e më vonë nga shtypshkronja “Ora e Shkodrës” në Shkodër nga vëllezërit Djepaxhia.
Drejtimi i revistës vë në dukje se, “Barra qi i kemi ngarkuem vehtes asht përnjëmend e rëndë. Duhet vullnet, energji, guxim e flije për me i arrijtun qëllimit te shejtnuem”.
Në vazhdim të parathënies së numrit të parë, e të këtij qëllimi, paraqitet progresi që përmblidhet kështu: “Na nuk do t’i dalim para popullit Mysliman shqiptar me nji program të hijeshuem, me fjalë të bukra qi s’munden m’u realizuem. Qe pikat kryesore të programit tonë:
1) Me bashkue me një trup të fortë e të qëndrueshëm popullin Mysliman shqiptar.
2) Me përmirësuem gjendjen e vakufeve, të xhamijave, të mesxhideve, të medreseve, të teqeve e të tjera institucioneve muslimane kësi sojit.
3) Me ia zbulue popullit Mysliman shqiptar të vërtetat e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikueme, tue ia ngrofun këtij zemrën në dashni për këto të vërteta.
4) Simbas statutit me plotësue vllaznim ndërmjet të gjithë elementëve në Shqipni.
5) Me këto nijete, mandej me forcue edhe themelet e politikës së shëndoshë e thjesht kombëtare në shtetin tonë.
Në mbyllje shprehet besimi se revista do të gëzonte përkrahje lëndore e morale për këtë ndërmarrje të vështirë dhe shpresohej se besimtarët do të gëzoheshin për hapin që po hidhej dhe do të bashkëpunonin për të arritur synimet që kishin për qëllim “me e naltsue myslimanizmën në atë kulm lumnije që pat qenë dikur, për të cilën madhështore na flet historija”.
Është kuptimplotë përmbajtja e numrit të parë. Pas një vjershe të bukur të titulluar “Lindja e diellit të njerëzimit” jepet një ceremoni e paharruar në faltoren qendrore të Tiranës me një pjesëmarrje masive të besimtarëve, të autoriteteve të larta fetare e zyrtare e të vëllezërve të krishterë. Në vazhdim botohet materiali “Hutbeja e parë” – një ligjëratë me përmbajtje sa fetare aq atdhetare, me një stil prekës dhe tërheqës, nga myftiu i përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, i cili zbërtheu para dëgjuesve disa këshilla fetare, qëllimin e ardhjes në këtë jetë, detyrat që kanë njerëzit për atdhedashurinë, për fitimin e diturisë, për punën, për vëllazërimin fetar e kombëtar.
Lënda e këtij numri pasohet me pikla morali e filozofie, me artikujt “Me çfarë mënyre mundet të rrojë muslimani i sotëm” dhe “Lindja, jeta dhe veprat e të madhit Muhamed (a.s.)” dhe mbyllet me bilancin e vakfeve të Shkodrës për vitin 1923.
Jehona e revistës qe e shpejtë. Që në numrin e dytë filloi bashkëpunimi i intelektualëve, u treguan përshtypjet, u shfaqën vlerësimet, u shpreh optimizmi për të ardhmen e saj. Intelektuali i ri, A. Vasfi në artikullin e tij theksonte: “Zanin e Naltë të Sheriatit e kënduem dhe përgjithësisht na u duk shumë e dobishme dhe interesante. Unë mund të them se ajo fletë asht një fletë e artë e cila me gjithë mend popullit shqiptar musliman ka me i ba një shërbim mjaft të mbrothçim, analizuam them se artikllat që fshillte ishin krejt serioze”.
Po në këtë numër një tjetër intelektual, “Shkodrani” (pseudonim i Sheuqet Mukës) në artikullin “Një hap përparimit” vinte në dukje gjerësisht rolin që do të luajë kjo revistë, duke nënvizuar edhe këto: “…Randësia e revistës asht e madhe, sidomos per ne që s’kemi të botueme libra feje në gjuhën tonë. Revista “Zani i Naltë” qi ka m’u prit me duer hapur prej çdo muslimani, veç qi do të na çpallë veprimet me randësi qi kryhen apo qi do të kryhen, me artikuj të bukur qi ka me botue, ka me qenë edhe nji ushqim moral e matrial për shpirt e mende të çdo muslimani, pse në të do të gjejmë sende që i vijnë për vehte, do të mësojnë gjana të reja qi s’i ka dëgjue asnjiherë e do të shohë se si feja e ynë i ka dhënë shkasin e hovin ma të madhin qytetnimit e përparimit ndjerzuer. Me anë të kësaj reviste, do të kemi rastin e bukur të njohim njerëzit e mëdhenj të Muslimanve që kanë ardhë e të shohim veprat e shkëlqyeshme qi na kanë lënë… Mue nji detyrë fetare për nji heri dhe kombëtare më nxit të shpejtoj me falënderue Këshillin e Nalt të Xhemaati Islamijes qi pati mirësin të nisi me nxjerrë në dritë “Zanin e Naltë” tuej i uruem qi dita me ditë t’arrijë me kryem me fitim të madh detyrën qi ka marrë përsipri, qi kështu edhe myslimanët të ngratë në Shqipnin e lirë, përgjithsisht t’i hapet orizonti i pamjes, ashtu si patën qenë dikur myslimantë në botë”.
Revista nga numri në numër është përmirësuar nga zgjerimi i tematikës, nga shtimi i bashkëpunëtorëve, nga ngritja e cilësisë së materialeve, nga rritja e vëllimit e nga paraqitja teknike e estetike.
Meritë kryesore për këtë kanë pasur drejtuesit e saj: Ismail Maçi, Shyqyri Myftia, Isa Domni e Haki Sharofi.
Përmbajtja kryesore ka qenë ajo fetare, duke pasur si bosht komentin e librit të shenjtë Kur’anin, jetën e Profetit Muhamed (a.s.) dhe historinë islame. Për këto ka pasur hytbe, studime origjinale dhe përkthime.
Angazhimi i bashkëpunëtorëve ka qenë i dukshëm. Ata kanë qenë autoritete fetare, pedagogë në medrese, intelektualë laikë, studentë të medresesë, studentë universitarë nga Kajro, Lahorë etj.
Ndër drejtuesit fetarë janë shquar Haxhi Vehbi Dibra me rubrikën “Ç’urdhëron Kur’ani”, Hafiz Ismet Dibra me rubrikën “A ka dyshim në qenien e Zotit”, Hafiz Ali Korça me rubrikën “Përmbi profesinë e përgjithshme e të përjetshme të Hazreti Muhamed Mustafasë, (a.s.)”, Hafiz Ali Kraja me rubrikën “Çka asht besimi islam”, sheh Qazim Hoxha me rubrikën e përhershme “Ç’urdhëron Kur’ani” etj.
Ndër teologët më i shquari ka qenë Hafiz Ali Korça, një nga nismëtarët e krijimit të revistës. Mjafton të vëmë në dukje se vetëm në periudhën 1923-1929 ka botuar 54 tituj, shpeshherë edhe nga 2-3 shkrime, duke arritur deri në 5 shkrime, si “Tefsiri për suren e Kur’anit”, “Hytbe e Kurban Bajramit”, poezia “Ndryshimi i shpejtë kombëtar”, studimi “Muslimanizma dhe orientalizma” dhe materiali historik “Haxh’xhi është ma e madhja pasqyrë për demokracinë muslimane”.
Për tema të veçanta është botuar edhe numër special. Kështu është nxjerrë një përmbledhje me titull “Ç’asht Kur’ani si dhanti e muajit të ramazanit”, ku janë përfshirë tema për lartësinë e Kur’anit, shkruar nga Haxhi Vehbi Dibra, Salih Vuçiterni, Hafiz Ismet Dibra, Sheh Qazim Hoxha, Imam Qazim Ismaili dhe Haki Sharofi.
Një numër i posaçëm i është kushtuar lartësisë së Hz. Muhamedit (a.s.) me titull “Kush ka lindur sot?” me tema të punuara nga H. Vehbi Dibra, Dr. Behexhed Shapati, Hafiz Ismeti, Hafiz Ali Korça, Qazim Hoxha, H. Xhaferri, Haki Sharofi, Ferit Vokopola, Sherif Putra, Hysni Bushati etj.
Për probleme fetare kanë shkruar edhe intelektualë të tjerë fetarë si Haki Sharofi, Jonuz Bulej, Hasan Tahsini, Hafiz Xhaferri etj. Për një tematikë të gjerë problemesh, si kryeartikuj, komentim hadithesh, përkthime për personalitete nga historia e kulturës islame.
Vargut të këtyre bashkëpunëtorëve të fushave të teologjisë u bashkohen intelektualë të shquar laikë si Salih Vuçiterni, Mehdi Frashëri, Lumo Skëndo, Ferit Vokopola, Sheuqet Muka, Ihsan Qereshniku etj, që kanë qenë autorë shkrimesh me vlerë për reforma, për modernizim të medreseve, për një zhvillim kulturor islam shqiptar bashkëkohor, për interpretime të shkencave natyrore e shoqërore në bazë të parimeve filozofike, morale e etike të Kur’anit famëlartë etj.
Këta intelektualë fetarë e laikë qenë në ballë të polemikave, debateve e replikave me organe shtypi, individë e grupe njerëzish që shpifnin, intrigonin e keqinterpretonin për bazat e fesë islame, për karakterin universal të islamizmit, për rolin e nivelin e shtypit Islam, për arritjet fetare, kulturore e shkencore të tij,
Në mbështetje të vendimeve të Kongresit III Mysliman, sipas Statutit të Komunitetit Mysliman, lënda e revistës do t’u plotësonte nga trupi mësimor i Medresesë së përgjithshme.
Ky orientim ndikoi që në faqet e revistës të vërehen penda të reja, mësues të Medresesë e sidomos studentë të cilët shfaqnin formimin, ndjenjat e aftësitë e tyre për përkushtim ndaj fesë islame.
Këta të rinj mund të grupohen në tri grupe: studentë të Medresesë, studentë universitarë në Universitetet e famshme në Kajro e në Lahorë e në fund si mësues të Medresesë e si drejtues të rinj të revistës “Zani i Naltë” e më vonë të revistës “Kultura Islame”.
Të tillë kanë qenë Vexhi Demiraj, Vexhi Buharaja, Vehbi Hoxha (Ismaili), Sadik Bega, Shaban Demiraj, Sherif Putra, Hysni Bushati, Salih Ferhati, Shaqir Uruçi, Hasan Selami, Ejup Kraja, Fehmi Sinella, Hamdi Gjonaj, Adem Alikaj, Hysni Hoxha, Abaz e Fehmi Xhepa, Ismail Muça, Naim Sako, Ibrahim Hima, Sabri Dardha, Demir Majko, Adem Salihi, Hamdi Xhafa, Munir Selfo e të tjerë, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.
Është me interes të shënohet se mjaft prej bashkëpunëtorëve të revistës kanë arritur të bëhen personalitete të shquara, si kryetarë të Komunitetit Mysliman brenda vendit e në diasporë, akademikë, orientologë, studiues, shkrimtarë, përkthyes, autorë tekstesh, drejtues institucionesh, gazetarë, kuadro të sektorëve të ndryshëm etj.
Duke paraqitur përmbajtjen e revistës është e nevojshme të theksohet se ajo ka pasur rubrika të shumta, të përhershme e të rastit, që janë tregues i një materiali të pasur, i një tematike të larmishme, i një informacioni të gjerë për të ndriçuar drejtimet e revistës jo vetëm si aspekt fetar, por edhe në ata filozofike, morale, letrare e sociologjike. Pa u ndalur në analiza të veçanta të tyre, nënvizojmë se përveç rubrikave të veçante “Tefsiri”, “Hutbe”, “Fjalë të urta të profetit tonë”, ose “Fjalë profetike”, “Edukata morale”, “Edukata mentare”, “Sociale”, “Fe e shkencë”, “Përkthime”, “Myslimanët në botë”, ka pasur artikuj e studime të vazhdueshme me karakter filozofik, shkencor, historik, shoqëror, arsimor e kulturor, të cilët, duke u mbështetur në versetet kur’anore e në hadithet e profetit Muhamed (a.s.) kanë sqaruar pozicionin islam ndaj tyre, kanë formuar koncepte e bindje islame për to, kanë ndihmuar për mësimin e historisë islame e të qytetërimit islam, kanë shërbyer për ngritjen e horizontit fetar, kulturor e qytetar të besimtarëve, i kanë nxitur ata për t’iu përgjigjur detyrave reformuese, emancipuese e progresive, shoqërore, arsimore e kulturore në përputhje me kërkesat e kohës, me objektivat aktuale e të perspektivës.
Në tematikën e trajtuar meriton të nënvizohen problemet shoqërore e arsimore. Në numra të ndryshëm kanë qenë objekt parashtrimi, analize, diskutimi, debati e detyrash problemet e marrëdhënieve shoqërore e familjare, emancipimi i gruas myslimane, qëndrimi ndaj hallallit e haramit të mirës e të keqes, kuptimi i drejtë i civilizimit dhe progresit, lufta kundër veseve shoqërore, zhvillimi i tolerancës ndërfetare, në përputhje me normat e etikën islame e kombëtare.
Një vend të duhur ka zënë tema e arsimimit të fëmijëve e të rinisë. Në faqet e revistës ka pasur shkrime me karakter politik, analizues, përgjithësues e shkëmbim përvoje për organizimin e medreseve e për rezultatet e tyre, për zhvillimin e mësimit të besimit në shkollat shtetërore, për rëndësinë e edukimit të gjithanshëm të rinisë në aspektin fetar, shkencor, atdhetar, moral e kulturor.
Në disa numra janë pasqyruar vlerësimet që u janë bërë Medresesë së Tiranës si dhe përshtypjet e të huajve për nivelin e përgatitjes së studentëve. Meriton të përmendet përshëndetja vlerësuese e gjithanshme dhe frymëzuese e Ministrit të Arsimit, poet, publicist, patriot e demokrat me rastin e shpërndarjes së dëftesave maturantëve te parë në vitin 1934: “… Sot ju maturantët e parë të këtij instituti jeni edukue prej një trupi profesorësh shqiptarë të udhëhequn prej drejtorit patriot të mirënjoftun, jeni pajisë me ndjenja kombëtare e morale”.
Po kështu meritojnë të kujtohen konsideratat e larta të Baronit Omer Rolf Ehrafels, të botuar në revistën “The light” të Lahorës në Indi në vitin 1935, ku shprehej: “… vura re se në medrese ekzistonte një ndjenjë e flaktë përparimtare dhe një interes i gjallë në të gjitha problemet njerëzore, ndjenjë që shkaktohej me anë të fesë, të dijes e të paqes, d.m.th. islamizmës …mësimet që jepen në klasa mbi fetë e ndryshme dhe mbi shkencat e shumta shekullore, gjuha inglishte, matematika, kimia, botanika, gjeografia dhe historia na sugjerojnë që të rinjtë që po rriten në këtë medrese do të jenë të aftë një ditë të shpjegojnë mësimet e islamizmës në një mënyrë moderne. Përshtypja më e madhe na u bë nga atmosfera e shëndetshme dhe gjeniale që ekziston midis profesorëve e studentëve. U habita pa masë nga dija e tyne e saktë dhe e shumanshme. Do shumë vend përshkrimi i plotë i përfundimeve fare të mira të këtij arsimi”.
Pjesa letrare e revistës ka qenë një tribunë mikpritëse për krijuesit e ndryshëm, të vjetër e të rinj të njohur e fillestarë, me krijimtarinë e tyre origjinale e në përkthime, në të dy rastet në prozë e në poezi. Janë të paharrueshme poezitë e Hafiz Ali Korçës si: “Mirë se erdhe han’e uruar”, “Njëtimi”, “Shpirt i dëshmorit”, “Vajtimet e atdheut” (për bombardimin e Drenicës nga ana e serbëve ditën e Kurban Bajramit), që ka aktualitet atdhetar e kombëtar, që është botuar e po ribotohet në organe të ndryshme të shtypit në Shqipëri e në trojet shqiptare e në diasporë.
Në këtë fushë janë bërë të përmendura poezitë e shumta të Ferit Vokopolës nën titullin përmbledhës “Fluturimet e shpirtit” dhe poezi të veçanta si “Hana e Ramazanit”, poezi kushtuar personaliteteve fetare etj.
Lidhur me krijimet vlejnë të theksohen për nivelin e tyre “Mos të rrimë” të Haki Sharofit, “Kujtime dhe psherëtime” të Muhamed Camit, poezitë kushtuar ditëlindjes së Profetit nga Shaban Demiraj e Hysni Bushati, poezia “Rebiul’ Evvel” e Vexhi Buharasë, poezitë me temë atdhetare të H. Ismet Dibrës e H. Haki Ismailit, poezia “Vegimi”, kushtuar një dervishi nga Teufik Gjyli etj.
Në pjesën letrare janë përfshirë edhe përkthimet si “Përkthime hyjnore” të Ferit Vokopolës, novela “Mos guxo” të Sabri Dardhës, proza “Arapi e kali i tij” të La Martinit, përkthyer nga Jonuz Bulej etj.
Në këtë rubrikë përfshihen edhe ilahi për lavdinë e Profetit Muhamed (a.s.), “Mevludi” i Ismail Floqit, “Divani” i Nezimit, ilahi të Hasan Zyko Kamberit etj.
Pjesës letrare i bashkëngjiten edhe rubrikat “Botime të reja”, “Botime të veçanta” e “Bibliografi”.
Gjatë botimit të saj revista ka pasur edhe shumë rubrika të tjera në përmasa më të vogla, që kanë dhënë të reja të ndryshme me karakter informacioni, që kanë vlerë burimore për veprimtarinë e gjithanshme të Komunitetit Mysliman, që janë studiuar e mund të studiohen si të dhëna të dobishme për studime të ndryshme. Të tilla kanë qenë rubrikat e përhershme ose të rastit, si “Kronika”, “Reportazhe për këndimin e mevludit”, për inaugurime xhamiash, për veprimtari të medreseve, për festime festash fetare, përmbledhje të ndryshme, për veprimtari kulturore e bamirëse.
Në këtë kuadër nuk duhen lënë jashtë edhe rubrika të tjera, si “Falënderime”, “Urime”, “Posta jonë”, “Lajme të shkurtra”, “Nekrologji”, “Qarkore”, “Rregullore”, “Shënime zyrtare”, “Vendime”, “Emërime, pushime, ndëshkime”, “Llogaritje e Vakufeve”, “Imsaqe për muajin e Ramazanit”, “Të ndryshme” etj.
Gjithë përmbajtja e revistës është një pasuri e çmueshme kulturore, është një traditë e bukur fetaro-atdhetare, është një ndihmesë e vyer në publicistikën shqiptare.
Studiues të ndryshëm, shqiptarë e të huaj të besimit islam e të besimeve të tjera, me monografi e përmbledhje historike e kulturore, me studime e artikuj të shumtë në organe shtypi kanë bërë përshkrime, kanë paraqitur analiza, kanë nxjerrë konkluzione, kanë dhënë gjykime e kanë shprehur vlerësime për kontributin e gjithanshëm, që revista “Zani i Naltë” ka arritur gjatë ekzistencës së saj.
Dr. Ramiz Zekaj në monografinë e tij “Zhvillimi i kulturës islame tek shqiptarët gjatë shekullit XX” u ka lënë shumë vend meritave të kësaj reviste dhe ndër të tjera nënvizon: “Gjatë kësaj kohe ajo u drejtua nga personalitete të shquara, me përgatitje të lartë të kulturës e të shkencave islame… Gjatë 15 vjetëve të jetës së saj ajo botoi një sërë të tërë artikujsh që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet edhe niveli i mendimit teologjik shqiptar gjatë periudhës së pavarësisë”.
Profesori Roberto Maroco della Roca, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë, në veprën e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944”, ka vënë në dukje se “Zani i Naltë” është një rrjedhojë për realizmin faktik të pavarësisë së shpallur më 1912, e organizimit të kryer në Kongresin e marsit të shkuar. Revista ka tone të spikatura patriotike. “Zani i Naltë”, thekson, jo pa një frymë triumfalizmi të vërtetë të fesë islame, duke nënvizuar përhapjen e saj në tërë botën. Është për t’u shënuar këmbëngulja e revistës për sa i përket përhapjes së Islamit që po ndodhte në Perëndim, në Evropën që “ka humbur Perëndinë”.
Prof. Dr. Shefik Osmani në studimin e tij “Reformat e viteve ’30”, nënvizon se, “kjo lëvizje mendore u zhvillua në një atmosferë lufte të ashpër në mes teoricienëve shqiptarë dhe të atyre që ishin të cekët në dituri dhe jashtë kohe. Revista “Zani i Naltë” shërbeu si tribunë e shfaqjeve të këtyre mendimeve e pikëpamjeve antagoniste. Për të përballuar luftën e paditurisë, teoricienët islamë përkthyen në gjuhën shqipe Kur’anin, Hadithet dhe interpretuan tezat themelore të besimit islam, në pajtim të plotë me arritjet shkencore. Ata e kuptuan drejt se pa një bazë teorike fondamentale, nuk mund t’u bënin ballë mentaliteteve që u kishte kaluar koha.”
Po ky autor në veprën e tij “Panteoni Iranian dhe iranologët shqiptarë” vë në dukje se, “revista mujore “Zani i Naltë” u bë një tribunë e fuqishme e kulturës, e artit dhe e filozofisë islame”.
Historiani prof. Viron Koka, në një kumtesë të tij të titulluar “Kontributi i klerit mysliman në Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar (1912-1939)”, ndër të tjera ka theksuar, “Në faqet e revistës “Zani i Naltë” dhe në botime të tjera myslimane u zhvillua një, propagandë e gjallë kombëtare dhe u shpalosën idetë themelore patriotike, u propagandua bashkimi kombëtar”.
I njëjti studiues në studimin e tij “Kultura islame shqiptare në vitet ’20-’30” ka nënvizuar këto konkluzione: “Kjo revistë u dha besimtarëve një dije të mirë për kohën, përveç postulateve të doktrinës islame, ajo shërbeu edhe si shkollë. Deri sa edhe të huajt e vunë re se myslimanët shqiptarë ishin të etur për kulturë, të cilën e donin të ishte kombëtare. Ata ndoqën me interes jo vetëm reformimin në sferën e tyre shpirtërore, por edhe në sferat politiko-juridike e sociale.
Revista “Zani i Naltë” u bë boshti kryesor i përhapjes së dijeve dhe të mendimeve islame. Diapazoni që trajtoi kjo revistë ishte relativisht i gjerë; çështje doktrinare, kulturore, politike, sociale, ekonomike etj.”
Prof. Dr. Gazmend Shpuza në referatin e tij: “Kongresi i parë mysliman shqiptar-sanksionim i mëvetësisë së Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe themel i zhvillimit kombëtar dhe bashkëkohor”, mbasi vlerësonte orientimet, bashkëpunëtorët dhe përmbajtjen e shkrimeve të tyre në këtë revistë, vinte në pah se “Në dritën e këtyre vendimeve në revistën “Zani i Naltë” e më gjerë në shtyp shtrohej me forcë që myslimanizmi të zhvillohej më tej në luftë me fanatizmin, të ecte përkrah qytetërimit bashkëkohor, çka përbënte, sipas autorëve të këtyre shkrimeve, një kërkesë të vetë fesë myslimane të konsakruar dhe në librin e shenjtë, Kur’anin”.
Kritiku letrar Dr. Rinush Idrizi në një kumtesë të tijën me titull “Islami në letërsinë shqipe dhe ndikimi ne jetën shqiptare”, pasi bën një analizë të thellë për këtë problem, evidenton kontributin e kësaj letërsie dhe nxjerr këtë konkluzion: “Në këtë hapësirë, mjedisi intelektual shqiptar i besimit islam, që prekte gjeografikisht Shqipërinë, do të kulmohet me hoxhë Tahsinin, në rrafshin iluminist shkencor dhe Sami Frashërin, ndërsa do të kulmohet në diplomaci me Abdyl Frashërin dhe Ismail Qemalin. Po kështu fizionomia e afërt e moralit shqiptar, ku besimi ndaj Zotit është njësoj për të gjithë besimet, do të kulmohet me Naim Frashërin, i cili jetoi në gji të asaj lëvizjeje kulturore shqiptare, ku renditen Konica dhe Fishta, Mjeda dhe Poradeci, Noli dhe Kuteli. Vijnë kështu në rrjedhë të këtyre kulmeve Shahin Kolonja e Ibrahim Temo, Lumo Skëndo e Dervish Hima, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Hafiz Ali Korça e pranë tij krejt ata që nxorën revistën “Zani i Naltë”. E, pra, kështu qëndron edhe Haki Sharofi e deri tek Branko Merxhani, të cilët krijojnë përfytyrimin e Islamit shqiptar në kohët moderne si përfytyrim kulturor dhe si shpëtim të njeriut, ku i ulti të ngrihet në shkallën e më të lartit, që do të thotë të zhvillojë vazhdimisht vetveten dhe të rrisë vazhdimisht kulturën e tij për të prekur dijen e vërtetë”.
Një meritë të veçantë për paraqitjen e vlerave të revistës “Zani i Naltë” ka intelektuali i shquar erudit, atdhetar e poliglot islam Imam Vehbi Ismaili, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë[1]. Ai ka kujdesin e përkushtimin e tij karakteristik që ka qenë nismëtar për ribotimin e botimin e mjaft librave kushtuar personaliteteve fetare shqiptare si përmbledhjen “Disa fetarë patriotë musliman shqiptarë” me artikuj të ndryshëm, librin “Hafiz Ali Korça – poet, atdhetar” të Faik Ali Hoxhës (Kasollja), librin “Njeriu islam dhe studime te tjera” të Jonuz Bulejt, librin “A duhet feja? A e pengon bashkimin kombëtar” të Hafiz Ali Krajës, librin “A ka dyshim në ekzistencën e Zotit” të Hafiz Ismet Dibrës, librin “Edukata fetare” të Haki Sharofit, librin “Shpjegimit të disa sureve të Kur’anit të shenjtë” të Hafiz Ali Korçës, si dhe përgatitja e disa librave të rinj si “Ç’urdhëron KurJani” të sheh Qazim Hoxhës.
Kontributi i Imam Vehbiut nuk është kufizuar vetëm për ribotimet e botimet e reja, ai është shtrirë më gjerë, me vlera të tjera të rëndësishme si në “Shënimet e botuesit”, në “Paraqitje” në të cilat ka treguar kujtime interesante, ka dhënë mendime e gjykime të dobishme, ka bërë vlerësime objektive prej intelektuali, studiuesi e specialisti. P.sh. në librin “Njeriu islam dhe studime të tjera” të Jonuz Bulejt jep këtë vlerësim: “… pothuaj të gjitha shkrimet, përkthime e origjinale, megjithëse janë botuar para më tepër se gjysmë shekulli, e kanë vlerën e tyre të njëllojtë dhe në kohën e sotme”.
Vlerësime të përgjithshme pozitive, për nivelin, kontributin dhe ndikimin edukimin të revistës “Zani i Naltë” kanë dhëne studiuesit specialistë për problemet teologjike e të kulturës islame Ismail Ahmedi e Sherafedin Hoxha.
Në studimin serioz e të thelluar “Mbi historikun dhe gjendjen e publicistikës shqiptare”, Ismail Ahmeti ka dhënë këto konkluzione: “Përgatitja teknike dhe grafike e revistës ka qenë në nivelin e revistave moderne të shtypit evropian. Revista doli në dialektin gegë. Në artikujt janë trajtuar çështje islame kryesisht nga lëmia e sheriatit apo është bërë komentimi tematik i Kur’anit, krahas tekstit shqip botohej edhe teksti arabisht. Revista ishte përqendruar në drejtim të formimit të njeriut intelektual mysliman”.
Mr. Sherafedin Hoxha në studimin e tij të gjatë shkencor “gazetat dhe revistat myslimane fetare në gjuhën shqipe”, duke u ndalur në rolin e “Zanit të Naltë” jep këtë përfundim vlerësues: “Kjo revistë është nga më të përparuarat organe fetare që dolën në gjuhën shqipe… Ajo me të vërtetë zë vend të merituar jo vetëm në historinë e gazetarisë shqiptare, por edhe në historinë kulturore të popullit shqiptar”.
Edhe kur është folur e shkruar për personalitete fetare, për jetën, veprimtarinë e kontributin e tyre, është theksuar bashkëpunimi i tyre me revistën “Zani i Naltë”, është nënvizuar rëndësia e saj për edukimin shpirtëror të besimtareve dhe të përgjithshëm të rinisë e të popullit.
Kështu në referatin e Faik Lulit e Islam Dizdarit “Nderim për dijetarët, edukatorët dhe hoxhallarët e shquar shkodranë” me rastin e dekorimit të tyre me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I, është vënë në dukje se, “Sheh Qazim Hoxha është shquar për artikuj, kryeartikuj e studime të botuara në organe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”, në revistat “Zani i Naltë” e “Kultura Islame” me përmbajtje moralo-fetare, për thellësi mendimi, argumentim idesh, analizë problemesh, nxjerrje konkluzionesh e detyrash të dobishme për jetën e përditshme të besimtarëve”.
Po me këtë rast është evidentuar: “Edhe Hafiz Sheuqet Boriçi ka shkruar ligjërata të mbajtura me besimtarët në revistën “Zani i Naltë”, për të cilat ky, së bashku me Hafiz Mehmet Bekteshin e sheh Qazim Hoxhën janë falënderuar me shkresa të veçanta me shtyp nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, “… u dërgoj lëvdatat e meritueshme për kryerjen e misionit tuaj… Teksti i mbajtun na ka ba përshtypjen ma të kandshme e ma të thellë për shkak se këto predikime janë bazë e një programi me të cilat do të ndriçohet populli”.
Edhe në raste të tjera, në botime librash e në sesione shkencore si dhe në organe të ndryshme shtypi, është vënë në dukje bashkëpunimi i figurave të shquara me revistën “Zani i Naltë” e “Kultura Islame”, kontributi i tyre në këto organe si studentë, myderrizë, intelektualë e drejtues të institucioneve fetare e arsimore.
Kështu ka ndodhur në librin e Faik Lulit e Islam Dizdarit me titull “Një jetë në shërbim të fesë”, kushtuar jetës e veprimtarisë së Haxhi Hafiz Sabri Koçit, me librin e Faik Lulit, Islam Dizdarit e Nexhmi Bushatit me titull “Në kujtim të brezave” kushtuar 40 personaliteteve të shquara fetare, atdhetare, kulturore, arsimore e humanitare të Shkodrës si dhe në librin “Sheuqet Muka – Mësues i popullit figurë e shquar atdhetare, arsimore dhe kulturore”.
Revista “Zani i Naltë” pezulloi botimin e saj në maj 1939, ndërsa më pas veprimtarinë e saj e vazhdoi revista “Kultura Islame”, si revistë mujore fetare, letrare, diturore e artistike. Studimet dhe temat e paraqitura kanë pasur cilësi të lartë. Mbizotërojnë ata origjinale ndaj përkthimeve, materiali është më i vëllimshëm. Në faqet e saj ka pasur shumë studime me vlerë shkencore në vartësi të rolit qytetërues e përparimtar të kulturës islame shqiptare. Revista u drejtua nga Sadik Bega me redaktor Sherif Putrën, të cilët afruan si bashkëpunëtorë penda të njohura të studiuesve islame shqiptare të kohës e të rinj studentë universitarë nga vendet islame e nga Perëndimi që ndikuan për ngritjen e efikasitetit të saj formues e edukativ, filozofik e moral të lexuesve shqiptare.
Kontributi i kësaj reviste përfundoi me 1945, si rrjedhim i politikës ateiste të regjimit.
Paralelisht me “Zanin e Naltë” në tetor të vitit 1923 filloi botimin edhe revista fetare myslimane “Udha e s’vërtetës”, që u botua nga një grup i zgjedhur i elitës fetare të Shkodrës nën drejtimin e atdhetarit të njohur Hoxha Kadri Prishtinës, që ishte njëkohësisht kryetar i Komitetit të Kosovës. Ajo pati jetë të shkurtër, vetëm disa muaj.
Pas revistës “Kultura Islame, në vitet 1942-1944 në Tiranë dolën edhe dy revista të tjera: “Drita Hyjnore” që qarkulloi vetëm në vitin 1942, ndërsa revista “Njeriu” nga viti 1942-1944. Të dyja këto revista i drejtoi publicisti i njohur islam Sherif Putra. Ata patën një rëndësi e vlerë të veçantë për kohën, për nivelin cilësor të tematikes e të brendisë së materialeve të larmishme shkencore, fetare e kulturore.
Me zhvillimin e proceseve demokratike u krijuan rrethanat për fillimin e botimit të shtypit islam. Më 10.01.1992 doli numri i parë i gazetës “Drita Islame”, organ i përdyjavshëm i Bashkësisë Islame të Shqipërisë me kryeredaktor z. Ismail Muçen.
Haxhi Hafiz Sabri Koçi, duke përshëndetur fillimin e botimit të këtij organi, vlerësoi ndihmësen e revistës “Zani i Naltë” e “Kulura Islame” dhe uroi që gazeta “Drita Islame” të ecë në gjurmët e tyre: “Mirë se na erdhe, o gazetë e mitur që paraprin revistën “Kultura Islame” që së bashku me “Zanin e Naltë”, që nga viti 1923 e këtej për 20 vjet u mësuan besimtarëve myslimanë mësimet e fesë e të moralit. Uroj që edhe ti ta kryesh detyrën tënde si pararendëset tuaja…”.
Cilësia dhe brendia e gazetës vazhdimisht është përmirësuar. Është shtuar numri i bashkëpunëtorëve. Ajo është bërë një tribunë e edukimit shpirtëror, e pasqyrimit të veprimtarive fetare islame në vendin tonë dhe në botë. Në faqet e saj është pasqyruar ideja e tolerancës dhe e mirëkuptimit, interesat kombëtare janë vënë gjithnjë në plan të parë dhe janë lidhur ngushtë me luftën për gjuhën, kulturën, traditat e identitetin kombëtar. Në numrat e gazetës ka pasur shkrime origjinale, përkthime e përshtatje, studime e artikuj të karakterit fetar, filozofik, moral, shoqëror, kulturor e historik, portrete personalitetesh, përkujtime ngjarjesh, kronika veprimtarish dhe nuk kanë munguar replikat e polemikat ndaj individëve, organeve e segmenteve dashakeqëse, antiislame e antikombëtare.
Gjatë këtyre viteve, në mënyrë josistematike, kanë dalë edhe disa gazeta të tjera si “Shkëlqimi Islam”, organ i Rinisë Islame të Shqipërisë, gazeta “Shpresë”, organ i Shoqatës së intelektualëve islamë, gazeta “Triumfi Islam” e tani “Rinia Islame”- organe të Rinisë Islame – dega Shkodër, revista “Njeriu” fetare-arsimore e tarikateve islame.
Duke folur për 75-vjetorin[2] e botimit të revistës “Zani i Naltë”, si fillim i publicistikës Islame si dhe për shtypin fetar në Shqipëri deri në ditët tona, është e drejtë të paraqesim sipas parimit kronologjik një panoramë të përmbledhur edhe të organeve të kësaj natyre në trojet shqiptare, në diasporë e në vendet e tjera.
Për disa muaj, nga janari i vitit 1936, vetëm në 8 numra, në Lahorë të Indisë doli në gjuhën shqipe revista fetare islame “Drita” me botues e kryeredaktor Sherif Putrën, student universitar. Është për t’u shënuar se materiale të kësaj reviste u botuan në “Zanin e Naltë”.
Periodiku islam shqiptar ka pasur me tepër përhapje jashtë kufijve shtetërore. Ai ka filluar në SHBA dhe pastaj ka vazhduar në Prishtinë, Shkup, Podgoricë etj. Ka ardhur duke u shtuar e gjallëruar me zigzaget, me popullimin e tyre e me krijimin e organeve të reja.
Këto organe kanë qenë të larmishme si gazeta, revista, vjetarë (takvime), buletinë, fletë etj. Me studimin e saj janë marrë studiuesit mr. Ismail Ahmeti, dr. Feti Mediu, mr. Sherafudin Hoxha, dr. Ramiz Zekaj etj.
Në diasporë hapin e parë e bën revista “Jeta myslimane shqiptare” organ katërmujor në gjuhën shqip, anglisht, me profil fetaro-kulturor, botuar në Detroit të SHBA nga viti 1949-1960.
Në Prishtinë viteve 1960 u botua “Buletini Informativ” nga shoqata e Ilmisë në shqip e serbo-kroatisht me të dhëna për veprimtari të ndryshme.
Nga viti 1968 kanë filluar të botohen “Vjetarët” ose “Takvimet” në të cilët përveç pjesës kalendarike për kohët e faljeve të namazit, të agjërimit e të festave fetare, gjenden edhe tema islame, informative e kulturore. Te tillë kanë dalë rregullisht në Prishtinë dhe në Shkup nga Bashkësitë Islame, sipas përvojës së mëparshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe në Gjermani nga Shoqata e imamëve. Në Shkup këto janë botuar në tri gjuhë shqip, serbo-kroatisht e turqisht
Më pas ka parë dritën e botimit “Edukata Islame” në Prishtinë në vitet ’70, që vazhdon edhe sot të dalë si revistë fetare tremujore.
Po në këtë vit në New York, New Jersey Albanian Islamic Center filloi botimin e revistës “Përpjekja jonë”, si e përkohshme fetare dhe kulturore.
Në këtë lëmë publicistike nga viti 1975 bën pjesë edhe fleta “Nur’ul-Kur’an” si organ i medresesë “Alaudin” të Prishtinës, që ka dalë në mënyrë jo periodike.
Kronologjinë e botimeve e ka ndjekur nga viti 1986 revista “Dituria Islame” në Prishtinë, si periodik tremujor kulturoro-informativ.
Nga viti 1987 në Shkup doli gazeta “El Hilal”, si gazetë dyjavore kulturore informative islame. Ne fillim ajo u botua në tri gjuhë shqip, maqedonisht e turqisht, tani ajo në gjuhën shqipe del me emrin “Hëna e re”.
Në shtator 1990 për herë të parë në Mal të Zi doli për disa numra periodiku “Elif” si gazetë dymujore në gjuhën shqipe dhe serbo-kroate.
Në vargun e këtyre organeve është edhe botimi i dy revistave “Hu” për një periudhë 10-vjeçare e nga 1987 “Dervish”, si organe të Bashkësisë së Dervishëve të Kosovës.
Në vitin 1993 Komuniteti Mysliman Shqiptar për Amerikën e Kanadanë filloi botimin e revistës “Thirrja Islame”, si organ tremujor me drejtim fetar, kulturor e shkencor.
Po në këtë vit nxënësit e Medresesë “Isa Beu” të Shkupit kanë botuar organin e tyre “Ikre” në tri gjuhë: shqip, maqedonisht e turqisht.
Në vitin 1997 po në Shkup iu shtua publicistikës fetare revista shkencore kulturore islame “Ftesa”, si botim periodik.
Përveç këtyre organeve me drejtim të mirëfilltë fetar, kanë qarkulluar e qarkullojnë edhe gazeta e revista të tjera me drejtim shkencor, letrar, kulturor. Edukative e informative që kanë trajtuar edhe probleme të kulturës e të historisë islame për të rritur, të rinj e fëmijë. Të tilla kanë qenë revistat “Nuri” e “Vepra” në Shkup (1994), revista “Burimit” në Tiranë (1995), gazeta “Gjylistani” në Tiranë, revista “Dritarja” në Tetovë e revista “Kalorësi i vogël” ne tiranë në vitin 1996 e revista “Drita e dijes” në Shkodër në 1998, të botuara nga shoqata e fondacione e klube kulturore.
Nuk përjashtohet mundësia që komunitetet myslimane shqiptare në botë të kenë bërë botime të kësaj natyre në gjuhën shqipe e në gjuhë të vendeve të tjera ku ata punojnë e jetojnë.
Kontributi i kësaj publicistike islame ka qenë dhe është i dukshëm. Në materiale të botuara, origjinale e të përkthyera, me tematikën e larmishme e me informacionin e gjerë kanë shërbyer për të pasqyruar kulturën islame dhe për të edukuar besimtarët me bazat e fesë e të historisë islame, paralelisht me edukimin atdhetar, dashurinë për kulturën e historinë kombëtare.
Me rastin e këtij përvjetori të botimit të revistës “Zani i Naltë” në shprehim nderimin, vlerësimin e mirënjohjen për drejtuesit e bashkëpunëtoret, për të gjithë ata që kanë kontribuar për krijimin, përhapjen e zhvillimin e publicistikës islame, si dhe urojmë që organet e tanishme në gjuhën shqipe kudo që botohen të ndjekin traditën e krijuar e ta pasurojnë atë me arritje të reja për të mirën e kulturës islame, të Shqipërisë e të kombit shqiptar.[3]
[1] Vehbi Ismaili (1919-2008), kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në SHBA.
[2] Sot 89 vjetori (shën. i redaksisë).
[3] Artikulli ribotohet në këtë numër të parë të revistës “Zani i Naltë” me disa shkurtime të vogla. Ai është botuar në gazetën “Drita Islame” me titullin 75-vjetori i botimit të revistës “Zani i Naltë”, nga autorët e nderuar i ndjeri Prof. Faik Luli dhe Prof. Islam Dizdari në numrin 23 (154), viti 1998, fq. 2-3, Tiranë.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...