Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 07, 2024 Zani i Nalte Editoriale 0
Msc. Andrin Rasha
“Zani i Naltë”, tribunë e mendimit dhe opinionit mysliman shqiptar e më gjerë, e cila iu drejtua dashamirësve të leximit, studiuesve e hulumtuesve në gjuhën amtare, mbush 100 vjet që nga dita e parë e botimit.
“Zani i Naltë” është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar, e themeluar nga elita myslimane e kohës pas Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar, menjëherë pas themelimit dhe ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman.
Duke pasur parasysh ngjarjet e fillimit të shekullit XX, si dhe gjendjen e kombit dhe popullit shqiptar, duhet vlerësuar lart pozicionimi dhe përpjekja e elitës myslimane shqiptare për bashkimit e popullit, pa ndasi, me qëllimin e lartë të mbrojtjes së lirisë, identitetit dhe trojeve të këtij populli të lashtë autokton.
Kjo elitë myslimane, e shoqëruar edhe nga elita fetare përfaqësuese e feve të tjera, punoi fort që të mbante zgjuar e ta shtonte atë frymë të dashurisë kombëtare e të vëllazërisë ndër shqiptarët, me synimin e lartë të mbrojtjes së të drejtave të popullsisë shqiptare, kudo që ndodhej, brenda trojeve shqiptare, dhe, mbi të gjitha, për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e mbarëvajtjen e një shteti të ri të konsoliduar dhe me vizion të qartë për të ardhmen.
Ishin këta hoxhallarëve të urtë, të ditur e të mençur, me në krye Haxhi Vehbi Dibrën, që morën mbi supet e tyre fatet e kombit shqiptar.
“…Nëse gjatë historisë në flamurin tonë është pranuar figura e njohur (shqiponja) dhe duke marrë parasysh se tash heqja e kësaj figure prish bashkimin dhe shkakton përçarje dhe fesat (çrregullim) dhe nga kjo ka shumë mundësi, që edhe vendi të pësojë disa rreziqe; pra, me qëllim për të ruajtur bashkimin e popullit dhe për të ndaluar mosmarrveshjet dhe inatet dhe me qëllim që të sigurohet qetësia e përgjithshme, figura e përmendur (shqiponja) a duhet lënë siç është? Duhet.
Kjo fetva është dhënë në bazë të Sheriatit dhe sipas nevojës së kohës dhe vendit… Të veprojmë sipas fetvasë së sipërme dhe të druhemi se mos e hedhim vendin në ndonjë greminë shkatërronjëse…
Nga ju që jeni personalitetet e rralla, të pajisur me dituri, priten shërbime dhe çdo lloj përpjekje, që të bashkuar në mendime dhe veprime me njëri tjetrin dhe të bashkuar e nën udhëheqjen e qeverisë së re, e cila është një dhuratë e Perendisë, të shfaqemi … para botës politike dhe kësisoj të rrisim dhe të sigurojmë opinionin politik në favorin tonë.”[1]
Në këtë aspekt, vendimmarrja për themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar ishte, njëkohësisht, kërkesë e besimtarëve për mbrojtjen e identitetit të tyre, përmbushje e realitetit shpirtëror e moral të kësaj popullate, si dhe ishte përmbushje e një ëndrre dhe një element shtesë i shtetësisë së myslimanëve shqiptarë.
Pra, në ato momente kthesash të mëdha historike për vendin dhe kombin tonë, këta burra vizionarë gjetën kurajën për të udhëhequr e organizuar jetën e besimtarëve myslimanë shqiptarë, në momente tepër delikate, si ai i shkëputjes e pavarësimit të jetës islame shqiptare nga Shejhul-Islami i Stambollit. Kjo u pasua edhe me ngritjen e institucioneve mbikëqyrëse të përditshmërisë së myslimanëve shqiptarë, si Këshilli i Naltë i Sheriatit, Medreseja e Tiranës, revista “Zani i Naltë”, etj.
Komuniteti Mysliman Shqiptar mori përsipër mbikëqyrjen dhe shtimin e botimit të literaturës së domosdoshme në gjuhën shqipe, duke i mëshuar fort konceptit të mësimit dhe shpjegimit të fesë në shqip, gjë që ndikoi gjerësisht në kultivimin dhe praktikimin e jetës fetare në përditshmërinë e besimtarëve shqiptarë, marrëdhënien e tyre me Zotin e adhurimin ndaj Tij, si dhe bashkëjetesën e harmoninë mes myslimanëve e po ashtu edhe me vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë me përkatësi tjetër fetare.
Komuniteti Mysliman, me H. Vehbi Dibrën në krye, ka luajtur një rol të rëndësishëm në vetëdijesimin kombëtar shqiptar. Për të feja dhe kombi kanë qenë dhe janë të pandashëm, prandaj një besimtar mysliman nuk mund të jetë i tillë nëse nuk është atdhetar i mirë.
“…Kemi vllazën edhe nji vllazni kombtare të gjithë elementevet q’i gjinden në atdhenë të dashtun t’onën qi këjo vllazni jo se asht vetëm me fjalë, po i madhi Zot në “Kur-ani Qerim” këtë vllazni e vërteton e thotë: ‘…qi këto profet të naltë jo se ishin në kombin e vet me nji fe, po ishin vllazën atdheje…’ Këjo vllazni asht nji vllazni atdhetare e kështu dhe ne si tham sipri këtë vllazni lypset t’a forcojm e t’a sigurojm.”[2]
Guximi i treguar nga elita udhëheqëse e Komunitetit Mysliman për themelimin dhe botimin e një reviste të nivelit të “Zani i Naltë” ishte argument i qartë i përgatitjes së tyre fetare e didaktike, si dhe largpamësisë e vizionit që shpalosnin për përballimin e misionit të lartë të shpalljes dhe lartësimit të Fjalës së Zotit, e gjithashtu shërbimit të vendit e popullit shqiptar.
Duhet vënë theksi se që në numrin e parë të “Zani i Naltë”, në kopertinë, shkruhej: “Zani i Naltë”, revistë fetare, merret edhe me filosofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji, një tregues i qartë i misionit që do të merrte përsipër kjo revistë, e gjithashtu edhe përkufizues i larmishmërisë së përmbajtjes dhe pasurisë së tematikave të saj në shumë fusha studimi.
Pra “Zani i Naltë”, nëpërmjet programit të saj, synon: “…Me i a zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetat e besimit në nji mënyrë të thjeshtë e të panerlikume…, si dhe me plotsue vllaznin ndërmjet të gjith elementeve në Shqipëni”. E gjitha kjo me qëllimin kuptimplotë për “Me forcue themelet e nji politikës së shëndoshtë e thjesht kombëtare në Shtetin t’onë”.[3]
Revista “Zani i Naltë” ka pasur një jetëgjatësi relativisht të gjatë, pasi botimi i saj ka zgjatur nga viti 1923 deri më 1939, periudhë në të cilën Shqipëria, ashtu sikurse edhe e gjithë bota, hyri në një fazë tjetër historike, atë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë revistë, gjatë gjithë viteve të botimit të saj vërehen tonet patriotike, vëllazëruese dhe atdhetare të bashkëpunëtorëve të saj, të cilët lanë gjurmë të pashlyera me anë të hulumtimeve dhe shkrimeve të tyre. Pikërisht për arsyet e sipërpërmendura, mund të themi me plot gojën se “Zani i Naltë” ishte një burim i garantuar për edukimin fetar islam të kombit shqiptar, pa lënë mënjanë edhe të ushqyerit e tij me ndjenjat e patriotizmit dhe të ngritjes kulturore e arsimore.
Në muajin tetor të vitit 1923, doli nga shtypi numri i parë i kësaj reviste, nën drejtimin e Ismail Maçit, i cili u pasua nga figura të tjera si, Shyqyri Myftiu, Isa Domni, Haki Sharofi, të njohur si përfaqësues të elitës së kohës së tyre, të pajisur me kulturë të gjerë, si në shkencat islame, po ashtu të edhe në ato sociale, të cilët, së bashku me elitën e artikullshkruesve, mundësuan që revista “Zani i Naltë” të pozicionohej në qendrën e vëmendjes së të gjitha shtresave intelektuale të kohës, e të mbetej edhe sot e kësaj dite një burim i çmuar informacioni.
Përgjatë 16 viteve të aktivitetit të saj, ajo përfshiu në gjirin e saj një shumëllojshmëri artikujsh, që sot janë dëshmi e qartë jo vetëm e trashëgimisë së pasur kulturore që ajo la pas, por, gjithashtu, edhe e nivelit të lartë të mendimit teologjik e social shqiptar të asaj periudhe.
Për elitën e shquar të asaj kohe, penat e “Zani i Naltë”, lumturia e vendit dhe e kombit arrihet nëpërmjet pavarësisë dhe qytetërimit, vëllazërisë dhe zhvillimit; dhe këto mund të arrihen me anë të dashurisë dhe përkushtimit ndaj atdheut, si dhe me dashurinë e respektin ndaj njëri-tjetrit, myslimanë, të krishterë, ortodoksë apo edhe të tjerë qofshim.
“Zani i Naltë”, nëpërmjet artikujve të saj, nuk i drejtohet vetëm besimtarëve myslimanë, por, në realitet, i drejtohet të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, për të dhënë kontributin e tyre në shërbim të dashurisë dhe paqes, për të dhënë mesazhet e forcimit të dashurisë ndaj vendit dhe kombit shqiptar.
Duhet pasur parasysh se kjo revistë, pavarësisht se në pamje të parë shfaqet si një revistë me tematikë fetare, në të u shkruan e botuan tema nga fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe ato me karakter laik, me synimin e vetëm që mesazhi që ato përçonin t’i shërbente popullatës shqiptare islame në veçanti, por edhe ngritjes dhe lartësimit të të gjithë kombit shqiptar në përgjithësi.
Në artikujt e revistës janë trajtuar tema të rëndësishme që pasqyrojnë realitetin dhe problematikat kryesore shoqërore e arsimore. “Zani i Naltë” analizoi e diskutoi rreth problematikave më të rëndësishme të kohës si, marrëdhëniet shoqërore e familjare, emancipimi i gruas myslimane, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve, qëndrimi ndaj së mirës e së keqes, përzgjedhja dhe adoptimi i të mirave të qytetërimit të kohës, kundërshtimi e braktisja e veseve shoqërore, forcimi i vëllazërimit fetar dhe atij kombëtar, të gjitha këto në përputhje me normat, etikën dhe kulturën islame e kombëtare.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke pasur parasysh vlerën e madhe dhe pozitën e lartë që “Zani i Naltë” gëzon, vendosi të rifillojë botimin e saj në tetor të vitit 2012, ku si kryeredaktor i saj u emërua z. Genti Kruja, dhe së bashku me bashkëpunëtorët e revistës mundësoi ringjalljen e kësaj tribune të mendimit islam shqiptar dhe jo vetëm. Revista “Zani i Naltë” përfshin artikuj të shumëllojshëm, në të cilët bëhen trajtime akademike të temave të ndryshme të shkencave islame, por edhe ato të fushave të tjera shkencore, duke e bërë atë pasardhëse plot dinjitet të revistës me të njëjtin titull të botuar në vitin 1923.
“Revista ‘Zani i Naltë’, është tribuna, ku shpalosen njohuritë e personaliteteve akademike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, viset e tjera shqiptare dhe bota, në fushën e teologjisë islame, si në jurisprudencë islame, fikh, tefsir, hadith, ashtu edhe në shkencat shoqërore, si sociologji, filozofi, psikologji, histori, etj. Në çdo numër të saj, ajo boton nga një personalitet shqiptar të kulturës islame, i cili ka lënë gjurmë në historinë e vendit tonë për kontributet e vyera në shumë fusha të jetës, në shërbim të Islamit dhe Atdheut, në të njëjtën kohë, ajo sjell para lexuesit shqiptar ribotimin e një artikulli të zgjedhur nga numrat e vjetër të revistës “Zani i Naltë”.[4]
Vlen të theksohet se në vitin 2015, nën mbikëqyrjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe me bashkëpunimin e tri bashkësive islame, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, u bë e mundur që, për herë të parë, të grumbulloheshin në një botim të vetëm të gjithë numrat e revistës “Zani i Naltë” (1923-1939), në 10 vëllime, që përfshijnë 150 numra të revistës “Zani i Naltë” të përmbledhur në rreth 5000 faqe, të ruajtura në origjinalitetin e tyre.
Revistës “Zani i Naltë”, me rastin e 95-vjetorit të themelimit të saj, më 28 mars 2018, iu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta, titulli “Naim Frashëri” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të saj të gjithanshëm në promovimin e dijes, historisë dhe besimit, duke u ofruar gjithë besimtarëve, krahas dijeve fetare, edhe mesazhe atdhedashurie, paqeje e mirëkuptimi në dobi të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare mes shqiptarëve.”.
Me shpresë dhe mbështetje te Zoti i Madhërishëm, i urojmë revistës “Zani i Naltë” jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të lartë që mbart mbi supet e saj.
[1]. AQSH., Rsh., Fondi, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, Dosja III, 5/2, fleta nr. 632, kopja e fetvasë mbajtur në Vlorë nga Kryemyftiu, H. Vehbi Dibra, viti 1912. H. Vehbi Dibra (1867-1937)-Kryetari i parë i Parlamentit (Pleqësisë) më 1912, si dhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1923-1929).
[2]. Revista “Zani i naltë”, nr. 1, V. I, Tetor 1923, Hytbeja e parë, f. 10-13. (Bëhet fjalë për hytben e Myftiut të përgjithshëm, H. Vehbi Dibra.)
[3]. Revista “Zani i naltë”, nr. 1, V. I, Tetor 1923, Parathanë e qellim, f. 5-6.
[4]. Faik Luli – Islam Dizdari, 75-vjetori i botimit të revistës “Zani i Naltë”, gazeta “Drita Islame”, nr. 23 (154), viti i VII i botimit, dhjetor 1998, f. 6.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...