Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 19, 2023 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Në vend të lamtumirës dhe në prag të 100 vjetorit të themelimit të revistës shkencore “Zani i Naltë”
Dr. Genti Kruja, Kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (2012-2022)
2. Sistemi gjyqësor në Islam
Prof dr. Qazim Qazimi
Abstrakt
Zoti i Madhërishëm e ka krijuar njeriun si qenie shoqërore e cila nuk mund të jetojë plotësisht e pavarur dhe e izoluar nga të tjerët. Krijesa njeri, në rrethin ku jeton, si e tillë, jeton në një ndërvarësi e cila shpeshherë shkakton grindje dhe përçarje, atëherë kur ndeshen interesat personale. Kjo gjë manifestohet edhe me konflikte, shkaku i të cilëve është privimi ose shkelja e të drejtave të individëve apo grupeve të ndryshëm.
Sundimi i ligjit, si parim, është i pranuar në gjithë botën e qytetëruar. Por, nëse bëhen krahasime mes interpretimeve dhe implementimeve të ndryshme rreth sundimit të ligjit, mund të vërehen dallime të konsiderueshme juridike-ligjore mes shteteve të ndryshme. As Kur’ani Fisnik dhe as Tradita Profetike nuk përkufizojnë ndonjë një formë të caktuar të qeverisjes. Përveç faktit që kërkohet, që forma e zgjedhur nga njerëzit të bazohet në punën e saj te drejtësia ose edhe më mirë te Ligjet e Allahut (xh.sh.).
Ekspertët e ligjvënies në qeveritë bashkëkohore kujdesen që të shkruajnë dhe përmbledhin shënime shpjeguese për të sqaruar qëllimin e përgjithshëm të ligjit dhe qëllimet e secilit nen në veçanti. Pikërisht këto shënime shpjeguese, bashkë me të gjitha hulumtimet dhe debatet të cilat shënohen me rastin e propozimit dhe miratimit të një ligji, shërbejnë si ndihmesë për juristët dhe gjykatësit për të kuptuar ligjin përkatës dhe për ta zbatuar atë. Nga këto, mund të shohim se interesat e Sheriatit nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektet personale të fesë ose riteve të adhurimit, por merren me të gjitha aspektet e jetës. Shteti që pretendon të jetë shtet islam e ka detyrim të mbështesë të drejtën dhe t’i kundërvihet të padrejtës. Shteti islam është përgjegjës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të tij, myslimanë qofshin apo jomyslimanë. Ai duhet t’u sigurojë atyre nevojat bazë të jetës. Sot nuk ka ndonjë shtet islam ideal, por ka disa modele që në vazhdimësi po bëhen përpjekje sistematike që të ndërtohen sisteme islame adekuate, por, tani pёr tani, nё horizont nuk shihet ndonjë dritë shpresëdhënëse nё kёtё drejtim.
3. Ndikimi i Kur’anit Fisnik në Gjuhën Arabe
Prof. dr. hfz. Hajredin Hoxha
Abstrakt
Çdo gjuhë, siç thonë hulumtuesit, vazhdon në varësi të folësve të saj; ajo ngrihet me ngritjen e tyre dhe dobësohet me dobësimin e tyre. Ky imazh shoqëror i nënshtrohet ligjit të evolucionit. Historia na raporton për shumë gjuhë dhe kultura të cilat shijuan fatin e hidhur të humbjes dhe zhdukjes, gjë që nuk i ndodhi kulturës islame dhe gjuhës arabe, të cilën e ruajti Kur’ani Fisnik. Kështu, gjuha arabe mbeti gjuha më e fortë në qëndrueshmërinë ndaj sfidave dhe vështirësive, në kohën kur arabët u përzien me të huajt, falë elementeve kulturore dhe civilizuese që ka fituar në sajë të të qenët gjuhë e Kur’anit.
Kështu mund të konstatohet se vlera e Kur’anit dhe ndikimi i tij i madh nuk ka qenë vetëm në gjuhën arabe dhe në ruajtjen e pasurimin e saj, por në çdo gjë: kozmos, krijesa dhe botë.
4. Komentimi i sures Fatiha nga dijetarët shqiptarë H. Vehbi Dibra – H. Ibrahim Dalliu – H. Ali Korça
Xhemal Balla
Abstrakt
Të shpjegosh fjalën e Allahut është një punë jashtë fuqisë sonë. Do të përpiqem, – thotë Haxhi Vehbi Dibra, – që ta zhvilloj e ta shkoqis atë që do të jetë e mundur mbi kuptimin e lartë të kësaj sureje. Pas nesh do të vijnë edhe të tjerë e do të flasin brez pas brezi; jeta do të marrë fund e tefsiri i Kur’anit nuk ka për të marrë fund, sepse është fjala e lartë e Zotit, e meqenëse Zoti nuk ka fund, edhe fjala e lartë e Tij pra nuk ka fund. Kjo tregon për kapacitetin që nevojitet për të interpretuar e komentuar Kur’anin.
Hafiz Ali Korça në komentin e tij thotë: “Kjo sure nga fjalët është fort e shkurtër por nga përmbajtja e saj është fort e thellë. Zoti në këtë sure tregon sundimtarin e lumturuesin e të dy jetëve. Ai me madhështinë e vet na mëson si duhet ta lëvdojmë; na urdhëron të themi: Të mirat që na ke falur s’kanë fund, nuk mund të numërohen. Lavdërimet e përhershme e mirënjohjet e përgjithshme Ty të kanë hije. Ti i shikon pa kursim dhe kujdesesh për çdo gjë të gjallë.
Në tefsirin e tij, Hafiz Ibrahim Dalliu, bën një koment më të gjatë për mënyrën se si mund të shoqërojmë një punë apo veprim. Kjo është fjala “Bismil-lah …. – …. بسم الله” që do të thotë: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit po lexojmë…
5. Bediuzzaman Said Nursi – Mrekullia e kohës – II –
Dorian Demetja, Drejtoria e Kulturës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Bediuzzaman Said Nursi ishte dijetar i një kalibri të lartë me origjinë kurde, lindur më 1878 në Turqinë Lindore. Ai jetoi në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane, përjetoi rrëzimin dhe copëtimin e saj pas Luftës së Parë Botërore, si dhe jetoi edhe 37 vjet pas formimit të Republikës Turke më 1923. Të qenët gjatë gjithë jetës dhe misionit të tij si një person me gradë të lartë shpirtërore, ishte rezultat i të vepruarit në përputhje me Kur’anin e Sunetin, si dhe të respektimit të arsyes e logjikës. Ai i qëndroi besnik kauzës së tij me aq fisnikëri, saqë nuk kërkonte asgjë tjetër, përveç mundësisë për të plotësuar nevojat minimale për mbijetesë. Shumë botime dhe konferenca i janë kushtuar cilësive të dallueshme të Bediuzzamanit, si devotshmëria ndaj idealeve të larta, perceptimi i tij i thellë për botën e sotme, thjeshtësia, humanizmi gjithëpërfshirës, besnikëria ndaj shokëve të tij, dëlirësia, modestia, përulësia dhe mjaftueshmëria me pak.
Bediuzzaman Said Nursi gjatë gjithë jetës është ndeshur me sprova nga më të vështirat, kjo për arsye se ai u ballafaqua dhe u përpoq të ndeshej me anarkinë, e cila bazohej në mosbesim dhe ateizëm, duke e përkufizuar atë si problemin më domethënës që kishte nevojë të zgjidhej urgjentisht. Ai jetoi në një kohë, kur një pjesë e mirë e njerëzimit ishte zhytur në ateizëm, për shkak të abuzimit me shkencën e filozofinë, dhe kur truri shpëlahej me komunizëm. Ai urrente mosbesimin, tiraninë dhe largimin nga feja, ndaj edhe luftoi fort kundër despotizmit. Ai thotë: “Para meje është një zjarr i madh. Flakët e tij po arrijnë në kupë të qiellit. Në atë zjarr po më digjet fëmija im, besimi më ka marrë flakë. Po vrapoj që ta shuaj atë zjarr dhe të shpëtoj besimin. Dikush ma pengon këmbën në rrugë, ç’rëndeësi ka? Përballë këtij zjarri të madh, a ka vlerë kjo ngjarje e vogël?! Mendime të cunguara! Pikëpamje të ngushta!…”
Bediuzzamani analizoi tre faktorë madhorë që kishin të bënin me thelbin e problemeve të atëhershme, por që mbetën të tillë edhe në kohën tonë: Injoranca në sensin e indiferencës ndaj Zotit dhe Profetit, varfëria dhe përçarja shoqërore. Bediuzzaman ia kushtoi jetën luftës ndaj këtij virusi fatal. Në syrin e tij, shpresa e shpëtimit për umetin do të ishte e kotë, përderisa ideologjitë e rreme e të devijuara do të mbizotëronin dhe derisa shoqëria të mos ndriçohej me dritën e të mësuarit, dijes dhe mendimit sistematik. Ai i frymëzoi brezat e rinj me sihariqin e rilindjes dhe i udhëhoqi ata drejt shtigjeve që të shpinin te mendimi islam. Ai gjithmonë i referohej dijes dhe aktivizimit të mendjes, punonte shumë për lindjen e një shoqërie të përsosur e të shëndoshë. Për arritjen e një ideali të tillë, Bediuzzamani mendonte se edukimi përbënte udhërrëfyesin kryesor, tek i cili do të përfshiheshin xhamitë, shkollat, garnizonet, rrugët, këndet e lojërave, madje edhe burgjet.
Bediuzzamani shkroi shumë libra, por në fokus ishin veprat e titulluara “Risale-i Nur” (Mesazhet e Dritës). Ato janë fryt i përpjekjeve serioze, të cilat shpjegojnë dhe i paraqesin njeriut të sotëm parimet bazë të besimit dhe të vërtetat e Kur’anit. Vetë Bediuzzamani në një ligjëratë u shpreh: “Tani unë e shoh qartë se pjesa më e madhe e jetës sime është komanduar e drejtuar jashtë aftësisë së perceptimit tim, që do të nxirrte këto mesazhe për t’i shërbyer çështjes së Kur’anit, thua se e gjithë jeta ime si studiues, të kishte kaluar në parapërgatitjen për këto shkrime, të cilat demonstrojnë mrekullinë e Kur’anit.”
Në shekujt e XIX-të dhe XX-të, sulmet ndaj themeleve të besimit të ndërmarra nga materialistët, ateistët e të tjerët, në emër të shkencës e progresit, e bënë Bediuzzamanin që të kuptonte nevojën urgjente e themelore, e cila konsistonte në ruajtjen dhe forcimin e besimit. Metoda e tij analizon besimin e mosbesimin dhe demonstron përmes argumenteve të qarta logjike se, duke ndjekur metodën e Kur’anit, jo vetëm që është e mundur t’i provosh në mënyrë të arsyeshme të gjitha të vërtetat e besimit, por demonstron gjithashtu, se këto të vërteta kanë të vetmin shpjegim racional për ekzistencën, njeriun dhe universin. Me këtë metodë që zhvilloi, Bediuzzamani i shpjegoi të vërtetat e besimit me një gjuhë që mund të kuptohet nga njerëzit e të gjitha shtresave, duke paraqitur unitetin e mendjes, zemrës dhe ndjenjave. Kështu, duke ndërthurur teologjinë, misticizmin dhe shkencat pozitive, ai paraqiti një perspektivë krejt të re dhe synoi të eliminonte ndarjen e shkollës, medresesë dhe teqesë. Veprat e tij janë lexuar vazhdimisht me mjaft kujdes, me ndjenja të sinqerta vlerësimi dhe do të vazhdojnë të jenë të një rëndësie të veçantë sa më shumë që kalon koha.
Bediuzzamani besoi se burimi, shkaku i problemeve të njeriut në kohën e sotme me të cilat përballej bota islame, do të mund të kurohej, në mënyrë të veçantë, vetëm nëpërmjet përtëritjes së besimit. Kështu, Bediuzzamani u ktheu shpinën politikave të kohës dhe ia kushtoi të gjithë përpjekjen e tij këtij qëllimi. Me njohjen e thellë të shkencave fetare dhe moderne, rruga e re për tek e vërteta, që Bediuzzamani hapi me veprat e “Risale-i Nurit”, ishte aq e suksesshme në ruajtjen dhe forcimin e besimit, saqë ai u pranua nga shumë personalitete të ishte ripërtëritësi i fesë, premtuar nga Profeti Muhamed (a.s.) se do të vinte në çdo shekull në hadithin e mirënjohur: “Pa dyshim që Allahu do t’i dërgojë këtij umeti në çdo fillim shekulli një muxheddid, i cili do të ripërtërijë çështjet e fesë.”
6. Një perspektivë islame mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale
Abdullah Bulku
Abstrakt
Trashëgimia kulturore materiale është një ekzistencë që përbën një dimension të rëndësishëm të qenies së njeriut dhe të shoqërisë njerëzore përgjatë gjithë historisë. Në anën tjetër, njeriu, si krijesa më e lartë në këtë botë, që orientohet nga feja si dritë hyjnore, është një qenie me shumë dimensione dhe me aftësinë për të perceptuar dhe krijuar marrëdhënie me të gjitha ekzistencat e tjera. Kështu ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale si një subjekt i rëndësishëm për perceptimin e njeriut dhe dimension i shoqërisë njerëzore përbën një problem thelbësor dhe të përbotshëm për qenien e njeriut.
Përpjekjet për të krijuar njeriun e ri, nën regjimin totalitar, gjatë shekullit të kaluar dhe konfuzioni, kriza e vlerave, e probleme të tjera të botës moderne, që kanë karakterizuar periudhën e tranzicionit, e kanë dëmtuar jo pak trashëgiminë kulturore materiale ashtu sikurse kanë ndikuar në zbehjen e aftësisë sonë perceptuese dhe njohëse në lidhje me këtë ekzistencë. Nëse përsiatja dhe reflektimi është pararendës i veprimit, atëherë lind nevoja për të përkufizuar kuptimin dhe rëndësinë që kjo ekzistencë ka për ne, në bazë të botëkuptimit që gjithsecili e percepton dhe e ndërton jetën e tij.
Në këtë punim jemi munduar të japim një qasje të përgjithshme për të kuptuar rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore materiale në këndvështrimin islam. Fillimisht trajtohet koncepti i fesë, kulturës dhe marrëdhënia midis tyre. Në vijim trajtohen disa aspekte dhe dimensione që shpalosen nëpërmjet trashëgimisë kulturore materiale, të cilat janë: Njohja e historisë, shumëllojshmëria kulturore, identiteti kulturor dhe kujtesa kolektive. Këtë parime përbëjnë dimensione të rëndësishme të njeriut dhe shoqërisë si ekzistencë dhe ruajtja e tyre lidhet ngushtë me vetë-njohjen dhe emancipimin shpirtëror, intelektual dhe material të shoqërive në harmoni të plotë me natyrën e tyre dhe ekzistencat e tjera. Në pjesën tjetër jemi përpjekur të japim një qasje etike mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale. Fillimisht është bërë një hyrje në lidhje me rrënjët etike të këtij problemi. Në vijim është prezantuar një qasje etike në këndvështrimin islam, duke iu referuar konceptit të përgjegjësisë së njeriut si mëkëmbës i Zotit në tokë.
7. Jeta e Ebu Mensur El-Maturidiut dhe konteksti socio-politik e teologjik në Azinë Qendrore në shekullin X
Dr. Aref Chaker
Abstrakt
Ebu Mensur El-Maturidiu është një nga teologët më me influencë në botën islame. Ai u shfaq në shekullin e dhjetë në Azinë Qendrore dhe themeloi shkollën e tij teologjike, el-Maturidijje; një shkollë që luajti dhe vazhdon të luajë një rol qendror në formimin e lëvizjes teologjike sintetike sunite në botën myslimane. Duke parë studimet e deritanishme që janë marr me Maturidiun ato nuk e kanë shqyrtuar dhe analizuar ndikimin e kontekstit socio-politik dhe teologjik të Azinë Qendrore mbi Maturidiun. Ky punim fokusohet në studimin e këtij aspekti të anashkaluar në teologjinë sunite. Ai vlerëson ekzistencën e çdo ndikimi të faktorëve socialë, politikë, kulturorë dhe fetarë në veprat e Maturidiut dhe identitetin e tij akademik. Ai shqyrton natyrën e këtyre ndikimeve, pozitive apo negative, duke ndërmarrë një analizë cilësore të përmbajtjes së të gjithë literaturës biografike, historike dhe gjeografike të rëndësishme për Maturidiun dhe Azinë Qendrore. Studimi zbuloi ndikimin e fortë që këta faktorë kishin tek ai. Këto ndikime ishin të gjitha pozitive në shumë prej shkrimeve të tij. Më e rëndësishmja, këta faktorë ndihmuan në formësimin e paradigmës teologjike sintetike që Maturidiu adaptoi në pjesën më të madhe të punimeve të tij.
8. Veprimtaria botuese e teologut boshnjak Enes Kariq e përkthyer në gjuhën shqipe
Azmir & Behrim Jusufi, Prizren
Abstrakt
Atë që Zoti i Plotfuqishëm e nderoi me urtësi, e nderoi me mirësi të madhe. Njeriun, në përgjithësi, gjatë jetës së tij e përcjell ndonjë ideal, pavarësisht nëse ai është feja, shkenca, apo diçka tjetër. Është e rëndësishme që ajo lidhje e njeriut me idealin e tij jetësor, është e padukshme, jo materiale dhe e fortë – e pamatshme, nga vetë fakti se ajo është lidhja me realitetin e tij të brendshëm, udhëtimin shpirtëror dhe përpjekjen dhe endjen për ta arritur…
Vepra e shkruar është një prej gjurmëve që mbeten edhe pas kalimit të njeriut në botën e Amshueshme, kurse ndikimi i saj, është i gdhendur thellë në mbresën dhe qëllimin e të shkruarit të veprës. Në qoftë se një vepër shtrihet dhe dëgjohet larg, është një prej shenjave se qëllimi i të shkruarit të saj ishte në drejtimin e duhur. Nuk ka mirësi më të madhe sesa ajo që të mundëson që idealin e shpirtit, ndjenjat shpirtërore, të arrish t’i shkrish në letër dhe që pena në të njëjtën kohë të jetë një nga shokët më të dashur.
9. Haxhi Hafiz Mahmud Dashi (1873-1961)
I dekoruar për veprimtari patriotike
Abstrakt
Veprimtaria e Haxhi Hafiz Mahmut Dashit ishte shumë e gjerë. Në rrafshin pedagogjik ai la gjurmë të thella te shumë nxënës, mjaft prej të cilëve punuan e u afirmuan si personalitete të shquara kombëtare e fetare, arsimore e kulturore, në mes të cilëve shquhen studiues të shquar orientalistë si Vexhi Buharaja, teologë e studiues si Hasan Selami, Ejub Faslia, Haki Repishti, studiues si Shaban Demiraj në fushën filologjike, etj.
Veprimtaria atdhetare e Mahmud Dashit është vlerësuar me dekoratën “për veprimtari patriotike”, për një aktivitet të pandërprerë në dobi të kulturës kombëtare.
Kështu, teologu dhe pedagogu i shquar ka hyrë me dinjitet në historinë e kulturës shqiptare e të arsimit në veçanti, duke mbetur një shembull i madhërishëm i edukatës dhe i kulturës shqiptare.
10. Njeriu dhe Gjithsia – I –
Abstrakt
Njeriu ka kapazitet me gjykue e me arsyetue; pra âsht i lirë me zgjedhë e me veprue e për ketë shkak âsht përgjegjës për veprën e tij.
Fisnikërín e nji krijese nuk e shkaktojnë cilsít e përbashkëta qi e shoqërojnë me inferiorët e saja, por cilësija karakteristike qi e dallon nga këta inferiorë. Njeriu pra me fuqín e arsyetimit e të vullnetit të lirë ka nji jetë të mbrendëshme, nji jetë tejshqisore qi quhet “jeta njerzore”.
Në ka nji të vërtetë të provueme edhe ajo âsht qi “as gjâ në botë s’âsht kot më kot, por ka nji qëllim” âsht destinue për nji qellim të parapamë mbas nji projektit eternel.
Të gjith dijetarët kanë pranue nji të vërtetë, por janë ndà më dysh: disa pretendojnë se “e vërteta âsht dhe njeriu vetëm e zbulon” e disa të tjerë thonë se “e vërteta s’âsht por e krijon njeriu me mendjen e tij”.
E kuptojnë lexuesit e ndershëm vetvetiut se sa të drejtë ka pjesa e parë e sa gabim ka pjesa e dytë, sepse në qoftë se nuk ka nji të vërtetë atëherë edhe njeriu vetë âsht nji gënjeshtër, nji rrenë, nji e pa vërtetë. E si bâhet pra, qi nji i pavërtetë, nji rrenë, nji gënjeshtër të mundet me krijue nji të vërtetë. Këjo gjâ âsht absurd dhe ato qi janë në ketë mejtim kanë gabim.
Prandaj dalim në përfundim e themi se “e vërteta âsht dhe njeriu vetëm e zbulon”. Misjoni i njeriut pra âsht vetëm “me zbulue të vërtetën qi âsht e qi ka qenë para se të dalë në shesh njeriu”.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Sep 18, 2022 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...