Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 19, 2023 Zani i Nalte Recensë 0
Azmir & Behrim Jusufi
Abstrakt
Atë që Zoti i Plotfuqishëm e nderoi me urtësi, e nderoi me mirësi të madhe. Njeriun, në përgjithësi, gjatë jetës së tij e përcjell ndonjë ideal, pavarësisht nëse ai është feja, shkenca, apo diçka tjetër. Është e rëndësishme që ajo lidhje e njeriut me idealin e tij jetësor, është e padukshme, jo materiale dhe e fortë – e pamatshme, nga vetë fakti se ajo është lidhja me realitetin e tij të brendshëm, udhëtimin shpirtëror dhe përpjekjen dhe endjen për ta arritur…
Vepra e shkruar është një prej gjurmëve që mbeten edhe pas kalimit të njeriut në botën e Amshueshme, kurse ndikimi i saj, është i gdhendur thellë në mbresën dhe qëllimin e të shkruarit të veprës. Në qoftë se një vepër shtrihet dhe dëgjohet larg, është një prej shenjave se qëllimi i të shkruarit të saj ishte në drejtimin e duhur. Nuk ka mirësi më të madhe sesa ajo që të mundëson që idealin e shpirtit, ndjenjat shpirtërore, të arrish t’i shkrish në letër dhe që pena në të njëjtën kohë të jetë një nga shokët më të dashur.
Hyrje
Ne të gjithë jemi e njëjta gjë, i njëjti umet, i njëjti realitet, e që myslimanët i lidh një fije e padukshme e fuqisë së pafundme të Zotit Fuqiplotë. Ne jemi, siç thotë Profeti ynë i dashur, sikurse një ndërtesë, nëse hiqet (bie) një pjesë e saj, rrënohet e tëra. Prandaj, na ndjek apo gjithmonë duhet të na ndjekë një ideal, ideali i devotshmërisë, finesës dhe aspiratave të animit drejt mëshirës së pafundme të të Gjithëmëshirshmit në piedestale të pafundme kah Mëshira, Bujaria, dhe Dashuria e Tij.
Atë që Zoti i Plotfuqishëm e nderoi me urtësi, e nderoi me mirësi të madhe. Njeriun, në përgjithësi, gjatë jetës së tij e përcjell ndonjë ideal, pavarësisht nëse ai është feja, shkenca, apo diçka tjetër. Është e rëndësishme që ajo lidhje e njeriut me idealin e tij jetësor, është e padukshme, jo materiale dhe e fortë – e pamatshme, nga vetë fakti se ajo është lidhja me realitetin e tij të brendshëm, udhëtimin shpirtëror dhe përpjekjen dhe endjen për ta arritur…
Vepra e shkruar është një prej gjurmëve që mbeten edhe pas kalimit të njeriut në botën e Amshueshme, kurse ndikimi i saj, është i gdhendur thellë në mbresën dhe qëllimin e të shkruarit të veprës. Në qoftë se një vepër shtrihet dhe dëgjohet larg, është një prej shenjave se qëllimi i të shkruarit të saj ishte në drejtimin e duhur. Nuk ka mirësi më të madhe sesa ajo që të mundëson që idealin e shpirtit, ndjenjat shpirtërore, të arrish t’i shkrish në letër dhe që pena në të njëjtën kohë të jetë një nga shokët më të dashur.
Në vazhdim, do të paraqitet prezantimi i librave, romaneve dhe përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, në bazë të kronologjisë kohore të përkthimit të tyre:
Që ndonjë person të fillojë me interpretimin e Kur’anit, është e nevojshme të dijë Ulumu’l-Kur’an (Shkencat e Kur’anit), të cilat autori i këtij libri, dr. Enes Karić, i rendit shkëlqyeshëm në këtë libër. Një kategori shumë e rëndësishme, që profesionalisht dëshiron të ballafaqohet me shkencën e Kur’anit, janë studentët e Fakultetit të Studimeve Islame. Në këtë institucion arsimor islam të përmendur, bën pjesë edhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë.
Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, ka filluar veprimtarinë në vitin 1991, kështu që ishte e nevojshme që të sigurojë literaturën e domosdoshme për lëndën e Tefsirit (interpretimit të Kur’anit). Duke marrë parasysh se kurrikula në lëndën e Tefsirit është e ngjashme me atë në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë, dhe se mënyra më e lehtë për të siguruar literaturën e nevojshme është duke e përkthyer nga gjuhët e tjera, në këtë rast, mënyra më e lehtë ishte që të përkthehet nga gjuha boshnjake. Përkthyesi i librit të dr. Enes Karić, Rrustem Spahiu, mori përsipër këtë përgjegjësi dhe e përfundoi me sukses përkthimin e tij, i cili është një përpjekje dhe iniciativë që paraqitej si një nevojë jetike e studentëve të FSI-së në Prishtinë.
Ky libër e pa dritën e botimit në vitin 1996 dhe e gjithë kjo më së shumti i gëzoi studentët e FSI-së në Prishtinë. Kur e them këtë, e kam parasysh vetë përmbajtjen e këtij libri, e që mund të përkufizohet edhe nga fjalët e autorit të këtij libri, prof. dr. Enes Karić, i cili në hyrjen e këtij libri thotë: ”…Ky doracak është bërë enkas si propedeutik (instruksion) dhe fillimisht është i bazuar në detajet e një natyre të tillë. Ky lloj doracaku është absolutisht i nevojshëm që të shkruhet më shpesh, sepse literatura rreth Kur’anit dhe pranimet moderne të Kur’anit janë çdo ditë e më të shumta…”. Megjithatë, si çdo doracak dhe libër mësimor, edhe ky mund t’u shërbejë edhe lexuesve të tjerë të cilët kanë dëshirë për të mësuar më shumë në lidhje me shkencën e Kur’anit.
Së fundmi, është e rëndësishme të theksohet se para përkthimit të këtij libri në gjuhën shqipe, për këtë tematikë, nuk është publikuar diçka e tillë.
Kur’ani, Fjalimi më fisnik, Fjala e gjallë dhe e pa krijuar e Zotit të Madhërishëm, e shprehur në stilin e paimitueshëm të poezisë, ka tërhequr gjithmonë vëmendje të mendimtarëve islamë, elitës shkencore ndërkombëtare, si dhe gjithë popullsisë së këtij planeti. Në zinxhirin e atyre që janë të zhytur në thellësitë e bukurisë së të folurit Hyjnor bën pjesë edhe mendimtari i famshëm islam i trevave tona ballkanike, akademiku dr. Enes Karić. Mistikët islamë mendonin se janë në një botë të veçantë të Kur’anit të Shenjtë, e krahasuar me lulishten aromatike përplot me lule të ndryshme, me ajër të pastër e rreze të buta dielli, gjelbërimin e natyrës, etj.
S’ka dyshim se gjithë këtë urtësi, mirësi, dhembshuri, harmoni, ofron Fjalimi i mrekullueshëm i këtij Libri Hyjnor. Megjithatë, pavarësisht nga fakti se nga shpallja e Kur’anit e deri më sot, mesazhet e fjalëve të tij mbeten mister i pa zbuluar, paragrafët e frazat, dhe duket se kjo do të mbetet kështu.
Libri “Si të komentohet Kur’ani (Hyrje në teoritë e komentimit të periudhës klasike)”, Enes Karić, është përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2008, në të njëjtin format si në origjinal. Ai në edicionin shqip, është botuar nga FSI në Prishtinë, për botuesin dr. Rexhep Boja. Nga gjuha boshnjake në gjuhën shqipe e përktheu dr. Abdullah Hamiti, ndërsa krahasimin me origjinalin e bëri dr. Imer Musliu.
Me siguri që dikush do të parashtronte pyetjen: ”Përse libri ‘Si të komentohet Kur’ani’ në gjuhën shqipe?” Për këtë mund të nxjerrim disa vrojtime:
Libri “Si të komentohet Kur’ani/Kako tumačiti Kur’an” është një libër i një rëndësie të madhe në fushën e tij kërkimore, siç qëndron edhe në kopertinat e pasme të përkthimit të tij në gjuhën shqipe: ”Libri ‘Si të komentohet Kur’ani’, i autorit shumë të famshëm, akademikut Enes Karić, është një vepër e rrallë e ekzegjezës Kur’anore, e mbështetur në detaje dhe shkencërisht, jep informacione për dhe rreth Librit hyjnor – Kur’anit.”
Nuk ka dyshim se kjo vepër e autorit me famë botërore dr. Enes Karić është me rëndësi të madhe për lexuesit shqiptarë, studiuesit, profesorët në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, studentët, dhe masën e gjerë, e cila është e interesuar që të njihet me këto problematika.
Çfarë është saktësisht fundamentalizmi, dhe a ka ndërthurje me Islamin? Imazhet e botës së sotme rreth nesh, a janë të mishëruara me fundamentalizëm, dhe nëse po, çfarë lloj fundamentalizmi portretizojnë? Për të vazhduar edhe më tej me një fakt shumë të dhimbshëm: A ishim në gjendje që të parandalojmë atë që ndodhi me ne në ish-Jugosllavi? Në qoftë se mundëm, pse nuk e bëmë atë? A është koncepti i fundamentalizmit i shpikur qëllimisht? Këto dhe shumë pyetje të tjera mbeten enigma si të pazgjidhura që herë – herë do të paraqiten në mendjet tona dhe me pikëllim të madh, për shkak të zhurmës së përditshme dhe tërbimit.
Ajo çka mund të vërehet në këtë libër është ndërlikimi i katër fakteve kryesore dhe atë ekskluzivisht të ndërlidhura me situatën e atëhershme, apo preokupimin social:
Janë shkruar romane voluminoze, koleksione, vëllime të librave…, penat janë tharë, zemrat u mpinë, sulltanët u nënshtruan, armiqtë u bënë miq, e gjithë kjo për shkak të asaj që e quajmë “dashuria”, shkëlqimi dhe tërheqja e gjinive të kundërta. Mënyra më bindëse për të dëshmuar atë janë vargjet delikate të fuqishme dhe prekëse të shtrydhura nga thellësia e zemrës, shkalla më e lartë e dashurisë është ajo në mos praninë, kurse prova më e dukshme e dëshmisë praktike është aderimi fizik në intimitet.
Shkencëtarët, poetët kanë qenë të magjepsur me manifestimin e saj, të gjithë janë përballur me të, në vetvete, përreth dhe jashtë vetes, kurse me mendjet e tyre të zemrës arritën të kuptojnë edhe atëherë kur ato u ndalën së menduari. Ajo është mrekullia e lidhjeve universale të vendosura në natyrë. Çdo gjë është në harmoni dhe përsosmëri hyjnore. Në lidhje me këtë flasin shumë ajete të Kur’anit Fisnik. Rreth vlerës dhe rëndësisë, të lejuarës dhe të ndaluarës, mënyrës së paraqitjes dhe mirësisë së përgjithshme, në mënyra të ndryshme, por koherente për të cilat flasin vetë ajetet kur’anore.
Sa i përket vetë titullit, mund të themi se përkthyesi i këtij libri në gjuhën shqipe bëri gabim që nuk e titulloi me “Kopshti i përkëdheljes”, siç është edhe titulli i librit të përkthyer në gjuhën boshnjake nga ajo angleze, edhe pse titulli origjinal i librit në gjuhën angleze është “Sexuality in Islam”. Në të janë të gërshetuara tema që janë unike për seksualitetin në Islam, duke filluar me: Kur’ani dhe çështja e seksualitetit; ndalesat seksuale në Islam, femra e përjetshme dhe islame… deri te shkaqet e mirësisë dhe në perandorinë e nënave, ndërsa në fund: Përfundimi rreth krizës së seksualitetit dhe kriza e besimit në botën e sotme arabe-myslimane.
Libri Seksualiteti në islam, bart në vete një stil të larmishëm, ku është evidente qasja tradicionale dhe korpusi modern i nocioneve erotike, prandaj libri, përveç përshkrimit të përgjithshëm të koncepteve fetare të seksualitetit, thur edhe anën e kundërt e cila është ekskluzivisht e lidhur me ekstazën dhe orgazmën e pafundme.
Trashëgimia intelektuale e Ibn Haldunit është unike në mesin e veprave të mendimtarëve myslimanë, e cila, pa marrë parasysh kalimin e shekujve, mban ende vlerën e saj edhe në mesin e mendimit bashkëkohor islam, kështu që ajo zë vend të veçantë në trashëgiminë intelektuale botërore. Por Ibn Halduni, veprën artistike dhe intelektuale të të cilit Perëndimi e zbuloi dhe analizoi, nuk është i vlerësuar plotësisht në Lindje, kujtimi dhe trashëgimia e tij është harruar dhe deri në kohët e fundit ishte e mbuluar me pluhurin e harresës. Në Perëndim janë shkruar libra të ndryshëm dhe studime kritike rreth tij dhe punës së tij shkencore, ndërsa në vendlindjen e tij dhe ambientin në të cilin dha kontributin intelektual e shkencor, pothuajse nuk është bërë asgjë. Ky, me të vërtetë, është një fakt i trishtueshëm dhe i dhimbshëm, ndërkohë që perëndimorët i njohën dhe përfituan prej margaritarëve të mendimit islam në veprat e Ibn Haldunit, myslimanët kanë fjetur në një gjumë të thellë mbi to.
Studimi i dr. Enes Kariq-it rreth ‘jetës dhe veprës së Ibn Haldunit’ në gjuhën boshnjake, shfaqet me edicionin e parë të plotë të Al-Muqaddimes, i botuar në dy vëllime të mëdha, që doli nga shtypi në fund të vitit 2007 nga shtëpia botuese “El-Kalem”, në përkthimin e dr. Teufik Muftić-it me rastin e festimit të 600 vjetorit të vdekjes së dijetarit dhe teoricienit më të madh të historisë, shoqërisë dhe shtetit në botën myslimane, me një gjerësi të ndërhyrjeve kritike, dituri enciklopedike dhe talentin entuziast kërkimor, historian, politikan dhe filozof social.
Prof. Nexhat Ibrahimi është një ndër personat me më shumë meritë për punën përkthyese të literaturës islame boshnjake në gjuhën shqipe (nga viti 1990, deri më sot), i cili ishte shumë kureshtar dhe entuziast për përkthimin e veprave të autorëve boshnjakë (shumica shokë të tij nga ditët studentore në Fakultetin Teologjik Islam në Sarajevë) në gjuhën shqipe, me theks të veçantë në veprën profesionale e letrare të akademikut Enes Kariq.
Nga zanafilla e njeriut, mendja e tij ishte e preokupuar me pyetjet thelbësore: në lidhje me origjinën e racës njerëzore, prej nga ekziston, qëllimit në këtë botë; pastaj: çfarë është e vërteta dhe realiteti, ku e çojnë suazat e jetës, dhe, në fund të fundit, cili është thelbi i jetës… Në këto dhe shumë çështje të tjera, “njeriu natyror” u përpoq të jepte përgjigje rreth mrekullisë së natyrës së gjelbër, kaltërsisë qiellore, rrezeve të ngrohta të diellit, etj. Është e pamundur të mos ndjejmë ngrohtësinë, harmoninë, magjepsjen dhe bukurinë që arrijmë në thellësinë tonë me anë të shqisave tona. Ne ndjejmë ngrohtësinë, marrim ajër të këndshëm në mjedisin aromatik, shikojmë në bukurinë e cila na magjeps, këpusim trëndafilin e butë dhe e ndjejmë butësinë e tij, shijojmë ujin e pastër dhe të ftohtë të natyrës me të cilin shuajmë etjen tonë në ditët me vapë dhe bëhemi të vetëdijshëm duke medituar se si e gjithë kjo është në harmoni hyjnore.
E si mos të jetë ashtu, kur syri nuk mund ta kthejë shikimin para ndriçimit të yjeve përpëlitës në qiellin e kaltër natën kur e gjithë bota bie në gjumë, dhe duke admiruar hënën e cila, lehtë e zbehtë, pasqyrohet në sytë e njeriut që vështron në të. E gjithë kjo e shpie njerëzimin të ngutet në përgjigjet e kërkuara për shumë pyetje që shpesh e çojnë në një gjendje të ekstazës dhe transcendencës së ndërgjegjes së tij.
Libri: Në kërkim të thellësisë së kaltërsisë qiellore (ese mbi fenë në shekullin XXI), është një kombinim mjeshtëror me faktin se në të ndërthuren delikatesa dhe materialja, shfaqjet metafizike dhe fizike të kësaj bote – të lidhura veçanërisht me çështjet e fesë dhe besimit të njeriut në shek. XXI.
Në rreshtat e mëposhtëm, shkurtimisht, do të përmendim vëzhgimet tona në lidhje me preokupimet që autori përmend në këtë vepër:
Ky përkthim i Kur’anit i akademikut Enes Kariq, është përkthyer nga gjuha boshnjake në gjuhën shqipe, siç u potencua më sipër, nga dr. Selim Sylejmani, me emërtimin Kur’ani – përkthim i kuptimeve. Doli nga shtypi në vitin 2011 në Prishtinë. Është botuar në formatin A-5, në 1000 kopje, me kapak të fortë.
Teksti i përkthimit bashkë me tekstin origjinal të Kur’anit në gjuhën arabe, fillon nga ana e djathtë në të majtë. Gjithsej ka 607 faqe të përkthimit dhe 607 faqe të tekstit origjinal të Kur’anit në arabisht. Në fillim të këtij përkthimi të Kur’anit pason: Fjala e botuesit, ku ndër të tjera thuhet se: “…synimi i stafit përkthyes ishte që veprimtaria kulturore islame të kurorëzohet me Librin e shenjtë Islam – Kur’anin Fisnik, duke iu bashkuar karvanit të përkthimeve të mëparshëm të Kur’anit në gjuhën shqipe, duke u përpjekur që ky përkthim të ketë një stil të lehtë dhe të përshtatet me gjuhën moderne shqipe, të ruhet sa është e mundur, kuptimi origjinal i Kur’anit, megjithatë, se sa është arritur suksesi në këtë drejtim, u mbetet lexuesve që ta vlerësojnë vetë…”.
Sa i përket përkthimit të Kur’anit të dr. Enes Karić në gjuhën shqipe, besoj se me këtë gjest është bërë një përpjekje e mirë, duke nxjerrë në pah nevojën që kishte lexuesi shqiptar, për këtë arsye, e lus Zotin Fuqiplotë që ta shpërblejë mundin e përkthyesit dhe stafit të tij. Mirëpo, mendoj se ky përkthim i Kur’anit në gjuhën shqipe ka disa gabime të qarta, duke marrë parasysh edhe faktin se është një përkthim i përkthimit të Kur’anit.
Romani “Këngët e zogjve të egër” i akademikut Enes Kariq, në gjuhën shqipe është përkthyer dhe botuar dy herë. Siç u përmend, për herë të parë u botua në vitin 2010 në Gjilan nga: O.J.Q. “Drita” – Gjilan, dhe e përkthyen në gjuhën shqipe: dr. Xhabir Hamiti dhe Musli Imeri. Ndërsa herën e dytë u botua në vitin 2015 në Tiranë nga “POETEKA”, përkthyer nga: Don Andoni.
Shkrimtari bashkëkohor boshnjak, Enes Kariq, është një nga emrat më të njohur në hapësirën letrare të Ballkanit. Më në fund ai i shtohet gjerdanit të botimeve në Shqipëri me prozë bashkëkohore nga Ballkani.
Ndodhi të izoluara, pa peshë në shoqërinë me rrënjë të forta mirëkuptimi – të paktën në rrafshin religjioz – apo tregues që vënë në pikëpyetje themele dhe të bëjnë të kuptosh se historia na qenka njëmend ciklike, ku papajtueshmëritë rikthehen në mënyrë identike, duke prodhuar më pas konflikte? Kjo bën t’i kthehesh së shkuarës e ta gjesh veten aty, në kërkim të një përgjigjeje të urtë, siç vjen edhe romani i shkrimtarit boshnjak Enes Karić “Këngët e zogjve të egër”.
Një fakt i rëndësishëm, që duam ta përmendim, i cili e lidh fijen e pa këputur të një tradite të njëjtë, multikulturore dhe multifetare, është bashkëjetesa mes feve dhe adhuruesve të tyre, e cila paraqet përditshmëri brenda komunitetit. Pra, një atmosferë e ngjashme me atë të përmendur në romanin e dr. Enes Kariq, mbretëronte, dhe ende mbretëron, në Shqipëri dhe në Kosovë. Një qytet si Sarajeva dhe Mostari në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe bashkëjetesa ndërfetare në to, mund t’i ngjajë Beratit në Shqipëri apo Prishtinës e Prizrenit në Kosovë, kështu që ka ngjashmëri thelbësore mes tyre; e që e gjithë kjo kishte rëndësi të veçantë që romani “Këngët e zogjve të egër” të përkthehet dhe të botohet në Kosovë dhe Shqipëri.
Panorama me sfond politik, kulturor, me pranim dhe përplasje mes dy qytetërimeve, që përplas fort mes tyre edhe njerëzit, e ku linja dashurie vetëtijnë, rrëfehet përmes një fëmije (Skender Humo) që rritet dhe vëzhgon se si përballë syve të tij gjithçka ndryshon me vrull. Pasi ka studiuar dhjetë vjet në medresetë e Stambollit (1570-1580) dhe pesë të tjera në Firence (1580-1585), duke mësuar shkencën e astronomisë, ai kthehet në Sarajevë. Çfarë identiteti ka ky njeri i ushqyer prej dy burimeve të dijes? A ndihet i huaj, përballë kulturave? Si e perceptojnë atë njerëzit e tij pas kthimit nga Perëndimi? Ku fshihet dhe ku qëndron dallimi esencial mes dy dashurive: dashurisë për njeriun dhe dashurisë së pafundme për Zotin? A do të kishte mundësi që ky njeri të hidhte tulla dhe gurë ndaj kundërshtarëve? A do të jetë më i aftë të bjerë sërish në dashuri me kulturën, vendlindjen, njerëzit e tij?
Nga pyetjet e parashtruara, vërejmë dhe nxjerrim konkluzionin se këto çështje janë ende aktuale në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri. Në fakt, ekzistojnë dy diagonale të nënvizuara brenda këtyre shoqërive: E para është se myslimanët (boshnjakët dhe shqiptarët), kanë identitet Lindor (të lidhur me Perandorinë Osmane), ndërsa e dyta është se myslimanët e Ballkanit kanë identitet Perëndimor (të lidhur me Evropën). Për mendimin tim, të dy këto justifikime janë të gabuar. Myslimanët e këtij rajoni kanë një lidhje të pandarë me Osmanlinjtë, në fund të fundit, Islami si fe është përhapur në këtë rajon në përmasa të mëdha me ardhjen e Osmanlinjve, por, megjithatë, myslimanët e Ballkanit, kanë dhe duhet të kultivojnë të njëjtën lidhje edhe me Evropën, në fakt, ata edhe jetojnë në Evropë.
Në fillim, të sqarojmë vetë titullin e romanit “Varreza çifute”, – këtu nuk bëhet fjalë për vuajtjet e çifutëve, por vuajtjet e tyre historike sigurisht që kuptohen si një metaforë, si një paradigmë për rrethimin e Sarajevës, për të cilën edhe bëhet fjalë në këtë roman. Toponimi i varrezave të vjetra çifute të Sarajevës, gjatë rrethimit të Sarajevës, ishte një vend ku qyteti është bombarduar nga forcat e Radovan Karadžić-it, por, në roman, kjo nuk është temë kryesore. Në varrezat çifute, në fillim të luftës, në qytet hyjnë personazhet kryesore të romanit, katërmbëdhjetëvjeçari Sadik Dobrača dhe motra e tij Suada, të cilët u kapën nga forcat serbe në fshatin Vragollovi afër Rogaticës, me qëllim që të shkëmbehen me snajperin serb – kriminelin e madh çetnik e vrasës, i cili është kapur nga ushtria mbrojtëse e Sarajevës në një nga aksionet e saj. Dhe ngjitur me varrezat hebraike, në një bodrum, Sadiku dhe motra e tij Suada gjetën strehim.
Romani zhvillohet në dy plane kryesore – i pari është një luftë për mbijetesë e dy të zënëve rob, në ferrin e Sarajevës, ku në çdo hap është reflektuar kafshëria e shtazëria, por edhe humanizmi i vetë popullit; plani i dytë është një spektakël i çështjeve politike, teologjike dhe filozofike të mbijetesës së boshnjakëve dhe vetë Bosnjës, pyetjet që i kishte hedhur lufta shfarosëse, pyetje të cilave edhe sot e kësaj dite nuk është dhënë ndonjë përgjigje.
Tregimi i përgjithshëm i romanit është i vendosur në Leiden të Holandës, në kafe-librarinë “Erasmus Roterdamus Bookstore”; ku flasin refugjatët boshnjakë Sadik Dobrača dhe shoku i tij, ish oficer i Unproforit, me emrin Kristijan. Bashkëbisedimi kthehet në një monolog të Sadikut, tregimit rreth fëmijërisë së tij dhe ditëve të mitura në fshatin e tij të lindjes në afërsi të Rogaticës, në lidhje me shkëmbimin e tij të pazakontë me snajperin serb, arsye kjo për të cilën edhe është “futur” në Sarajevën e përgjakur, për jetën në Sarajevën e gjatë luftës, mërgimin e tij për në Holandë…
Nga kjo mënyrë, autori dëshiron që pamjen e vetë mjedisit të tij amë – rrymës dominuese të tij intelektuale dhe politike – ta zhvendosë në kufijtë e shoqërisë, pra, në atë hapësirë që (duhet) të natyralizohet vizioni i besueshëm tregimtar, si një vëzhgues neutral, dhe me këtë të japë një garanci të besueshme të verifikimit të idesë së mundur sakrocentrike të pajtimit social që promovon romani. Por që, duke pasur parasysh karakterin e vet por edhe vetë përmbajtjes, shtylla e plotë kurrizore e romanit paraqet një lloj kronike të ngjarjeve kyçe politike dhe historike, të zhvilluara kryesisht në qarkun e elitës intelektuale dhe të asaj politike sarajevase, në një nga hotelet e njohur të Sarajevës “Hollyday Inn”…, e gjithë kjo në verën e vitit 1993, ku u zhvillua takimi i rëndësishëm rreth fatit të vendit dhe popullit, përcaktohet strategjia ushtarake dhe e luftës politike, e vendoset rreth ndërrimit të emërtimit Myslimanë në Boshnjakë, etj.
Romani “Varrezat çifute” i akademikut të mirënjohur boshnjak, Enes Kariq, mund të karakterizohet si një sintezë e parë e madhe e therjes “vëllavrasëse”. Me paraqitjen brilante letrare, gjuhës së rafinuar, urtësisë së qetë dhe lirizmit të rastit, na paraqitet njëra nga pjesët më të përgjakshme të historisë së popullit boshnjak.
Në vend të përfundimit:
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, një ndër të paktët, prej bashkëkohësve është edhe akademiku Enes Kariq, puna shkencore e të cilit përkthehet, mes të tjerash, edhe në gjuhën shqipe, dhe atë me interes dhe kënaqësi të madhe. Me siguri dikë do ta stimulonte pyetja se: Përse përkthehen veprat e akademikut Kariq në gjuhën shqipe? Ka disa arsye, ndër të cilat do veçonim vetëm tri:
E para, dhe sigurisht më e rëndësishmja, është se në qoftë se vepra është e shkruar në frymën e kohës dhe i përmbush nevojat e myslimanëve në një kohë të caktuar, ajo përhapet me shpejtësi dhe shfaqet nevoja e përshpejtuar e përkthimit të saj në gjuhë të tjera. Këto kushte sigurisht që i plotësojnë veprat e dr. Kariq. Një korpus i gjerë, cilësi, analiza e thellë dhe paraqitja e thukët tërheq vëmendjen e lexuesve që ndjejnë kënaqësi me përmbajtjen, shprehjet dhe stilin e pasur. Kjo vlen edhe për lexuesit e popullatës shqiptare, kudo që ata jetojnë dhe veprojnë. Sa i përket nevojës së përkthimit të veprave të akademikut Kariq në mesin e popullatës shqiptare sigurisht që zë një pozitë të rëndësishme, pa marrë parasysh për çfarë shtrese bëhet fjalë.
E dyta, pavarësisht nëse një mysliman jeton në Pakistan, Kazakistan, Bangladesh, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri e Kosovë, të gjithë ata i lidh i njëjti ideal i lidhjes shpirtërore. Deri në vitet 80 – 90 të shek. XX, Sarajeva ishte qendra islame në Ballkan dhe lidhja shpirtërore e myslimanëve të rajonit, dhe për këtë arsye lidhja mes myslimanëve të rajonit gjithmonë ka qenë e palëkundur dhe e fortë, e cila herë-herë ftohej, sidomos pas viteve 90 – të shekullit të kaluar.
Dhe e treta, ajo që është më e rëndësishme për çdo individ ose shoqëri, të kuptuarit e asaj çfarë lexojnë, efekti më i fortë dhe më i thellë për këtë arrihet kur një person e lexon në gjuhën e tij amtare. Prandaj, ky është një prej qëllimeve të përkthimit të veprave të Enes Kariq-it në gjuhën shqipe.
[1]. Titulli i origjinalit Uvod u tefsirske znanosti, Hyrje në shkencat e tefsirit, dr. Enes Kariq/dr. Enes Karić; [Përktheu nga gjuha boshnjake Rrustem Spahiu] – Prishtinë, 1996 – 296 faqe; 21. cm., kapak i butë.
[2]. Titulli i origjinalit Kako tumačiti Kur’an, Si të komentohet Kur’ani (Hyrje në teoritë e komentimit të periudhës klasike), Enes Kariç/Enes Karić; [Përktheu nga gjuha boshnjake Abdullah Hamiti – Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, 2008 – 389 faqe; 21 cm, kapak i fortë.
[3]. Fundamentalizmi islam – ç’është ky?/ Islamski fundamentalizam – šta je to?, Enes Kariq – Nusret Çançar/Enes Karić – Nusret Čančar; [Përktheu nga boshnjakishtja: Nexhat Ibrahimi] – Shkup: LOGOS-A, 2011 – 295 faqe; formati A – 5, 21 cm, kapak i butë.
[4]. Seksualiteti në islam/Vrt milovanja, Abd al-Wahab Bouhdiba; [Përktheu nga boshnjakishtja: dr. Selim Sylejmani] – Gjilan: “Drita e jetës” Gjilan, 2011- 320 faqe.
[5]. Ibn Halduni: Jeta dhe vepra (Hyrje në leximin e Al-Muqaddimes)/Ibn Haldun: Život i djelo (Uvod u čitanje Al-Muqaddime), Enes Kariq/Enes Karić; [Përktheu nga boshnjakishtja: Nexhat Ibrahimi] – Shkup: LOGOS-A, 2012 – 186 faqe; formati A-5, 21 cm, kapak i butë.
[6]. Në kërkim të thellësisë së kaltërsisë qiellore/U potrazi za dubinama nebeskog plavetnila), Enes Kariq/Enes Karić; [Përktheu nga boshnjakishtja: Nexhat Ibrahimi] – Prishtinë: Instituti për shkencat humane “Ibni Sina”, 2014 – 224 faqe; formati A-5, 20 cm, kapak i butë.
[7]. Kur’ani – përkthimi i kuptimeve/Prijevod Kur’ana, Enes Kariq/Enes Karić; [Përktheu nga gjuha boshnjake dr. Selim Sylejmani] – Gjilan: K.O. “KUR’ANI”, 2011 – 607+607 (teksti origjinal i Kur’anit në arabisht) faqe; formati A-5, kapak i fortë.
[8]. Romani Këngët e zogjve të egër/Pjesme divljih ptica, Enes Kariq /Enes Karić; [Përkthyen nga boshnjakishtja: dr. Xhabir Hamiti dhe Musli Imeri] – Gjilan: O.J.Q. “Drita” Gjilan, 2010 – 348 faqe; formati A – 5, 21 cm, kapak i butë.
[9]. Varreza çifute/Jevrejsko groblje, akad. Enes Kariq/akad. Enes Karić; [Përktheu nga boshnjakishtja: Agim Leka] – Shkup: Shtëpia botuese LOGOS-A, 2016 – 623 faqe; formati A- 5, 20 cm, kapak i fortë.
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...