Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 02, 2022 Zani i Nalte Editoriale 0
Editorial nga Dr. Genti Kruja*
Teksa gjendemi në prag të 100 vjetorit të themelimit të revistës “Zani i Naltë” dhe 10 vjetorit të rithemelimit të saj, kam vendosur, që tashmë ka ardhur koha që ta dorëzoj stafetën e drejtimit të revistës si kryeredaktor the rithemelues i saj, duke shpresuar dhe uruar për suksese pa fund për këtë “zâ të naltë” të mendimit dhe qytetërimit islam në gjuhën shqipe.
***
U njoha me “Zanin e Naltë”, që fëmijë tek sa ruheshin në fshehtësi gjatë regjimit komunist disa kopje të vjetra të botimit të saj në familjen tonë, së bashku me një libërth lutjesh e një abetareje Kur’ani me autor Hasan Tahsinin (mësuesin dhe kaligrafin shkodran të viteve 30-40 të shekullit të kaluar).
I rritur me dashurinë e gjysheve dhe bisedave të tyre për besimin, pata fatin që me familjen time të merrja pjesë në ceremoninë e parë të faljes së xhumasë pas dekadash ndalimi më 16 nëntor 1990 në xhaminë e Plumbit. Më pas në 1992 u themelua gazeta “Drita Islame”, të cilën e blija te gazetashitësit me plot zell e përmallim. Pas një farë kohe u abonova dhe numrin e radhës, atëmot të përdyjavshëm e merrja nga imami i xhamisë së Bardhë, Perash, mësues dhe komshi me ne, i ndjeri Nazim Bërdica. Një ditë më tha, “a vjen me mua t’i shpërndajmë abonetë”? Ishte një gëzim i madh për mua. Edhe pse më pas u largova për studime jashtë Shqipërisë, vazhdova të isha i abonuar edhe në vitet në vijim. Ndoshta kjo dashuri për “Dritën Islame”, m’u kthye në një dhuratë nga Zoti, që kur u ktheva nga studimet në vitin 2003 të filloja punë si redaktor i gazetës për dy vite, për t’u rikthyer si drejtor i saj nga viti 2013 deri në 2017, kohë kur tashmë ishte kthyer në revistë me kontributin e kryeredaktorit dhe drejtorit të saj Agron Hoxha (2003-2013).
Gjatë viteve kur shërbeja si drejtor i Kulturës në Komunitetin Mysliman nga viti 2010 deri në 2017, krahas botimit dhe ribotimit të disa librave origjinalë të dijetarëve myslimanë shqiptarë, e shihja të nevojshme ringjalljen e traditës së botimeve me autorë shqiptarë, pas botimit të përkthimeve të shumta, që kishin plotësuar një nevojë gjatë viteve ’90. Në ato vite kishim filluar të gjenim me vështirësi ndonjë botim të vjetër të revistës “Zani i Naltë”, ku së bashku me kolegët i fotografonim e më vonë skanonim për t’i patur për ndonjë studim, apo ribotim të ndonjë artikulli. Kjo na e shtoi edhe më shumë dëshirën për t’i poseduar të plota të gjithë numrat, botuar në vitet 1923-1939. Kështu pas disa kërkimeve arritëm t’i gjenim shumicën e tyre në Bibliotekën e qytetit Shkodër, ku falë mbështetjes së drejtorit të atëhershëm Prof. Gjovalin Çunit dhe punës së znj. Sidita Hallunit, arritëm të dixhitalizonim shumicën e numrave të revistës “Zani i Naltë”. Pas kësaj pune, numrat që mungonin u siguruan në Bibliotekën Kombëtare nëpërmjet mbështetjes së Prof. Aurel Plasarit dhe pjesa tjetër nga Prof. Hasan Bello, Prof. Persida Asllani dhe z. Ferit Hafizi, ndaj të cilëve mbetem mirënjohës për këtë kontribut të vyer për trashëgiminë tonë kombëtare. Më pas filloi puna për pastrimin dixhital të tyre falë punës së Bledar Xamës, Indrit Isufit dhe Hysen Voglit. Kështu u bënë gati për botim të gjithë numrat të ndara në 10 vëllime me rreth 5.000 faqe gjithsej, ku pas botimit të vëllimit të parë në 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë në 2013 doli nga botimi kolana e plotë “Zani i Naltë”, si një botim i përbashkët i tre bashkësive islame shqiptare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë. Sot kjo kolanë ka zënë vend në biblioteka të shumta, universitete dhe institucione të ndryshme akademike dhe jo vetëm për t’u studiuar e hulumtuar jo vetëm nga studiues të fushës, por edhe nga ata të fushave të ndryshme të hulumtimit.
“Zani i Naltë” ishte revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar në vitin 1923, menjëherë pas ngritjes së institucionit të KMSH-së, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Periudha e parë e botimit të saj zgjati nga tetori i vitit 1923, deri në maj 1939, duke u bërë kështu një prej revistave më jetëgjatë në shqip (16 vite me 153 numra gjithsej), si dhe revista e parë e këtij lloji për nga fushat që mbulonte.
Pas nxjerrjes nga hiri i botimeve të vjetra të revistës “Zani i Naltë” në tetor të vitit 2012 me rastin edhe të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit vendosëm rithemelimin e kësaj reviste gati shekullore, duke përfshirë në redaksi personalitete dhe akademikë nga të gjitha trevat shqiptare. Me daljen e numrit të parë, u zhvilluar dhe një ceremoni promovimi, duke ndezur edhe një herë të dashamirët e saj dëshirën për të kontribuuar me botime artikujsh dhe shpërndarje në të gjithë Shqipërinë dhe përtej saj nëpërmjet abonimeve të përvitshme.
Periudha e dytë e revistës “Zani i Naltë”, që nga rithemelimi e deri më tani (2012-2022), përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë me trajtime akademike në fushat e shkencave të ndryshme islame, por edhe në fushat e tjera sociale, duke u bërë kështu një trashëguese e denjë e emrit të vet, ashtu siç ishte që në themelimin e saj, më 1923.
Kështu tashmë prej dhjetë vitesh, revista shkencore “Zani i Naltë” është tribuna, ku shpalosen njohuritë e personaliteteve akademike nga Shqipëria dhe trojet kombëtare, Kosovë, Maqedoni dhe viset e tjera shqiptare, si dhe nga bota Islame, Evropa, SHBA, etj., në fushën e shkencave islame (legjislacioni islam, fikh, tefsir, hadith, etj.), si dhe në shkencat shoqërore (sociologji, filozofi, psikologji, histori, gjuhë-letërsi etj.), e pajisur gjithashtu dhe me ISSN.
Krahas këtyre, në çdo numër revista ka botuar të paktën nga një personalitet shqiptar të kulturës islame, i cili ka lënë gjurmë në historinë e vendit tonë dhe jashtë tij për kontributet e vyera në shumë fusha të jetës, në shërbim të Islamit dhe Atdheut, si dhe gjithashtu ka sjellë para lexuesit shqiptar ribotimin e një artikulli të zgjedhur nga numrat e vjetër të revistës “Zani i Naltë” (1923-1939) dhe revistës “Kultura Islame” (1939-1945) në rubrikën “Retrospektivë”.
Në këtë dekadë, pas rithemelimit më 2012, si një organ i përtremuajshëm dhe prej tre vitesh i përgjashtëmuajshëm kanë dalë gjithsej 34 numra me rreth 4.000 faqe artikuj shkencorë, të ndara në më shumë se 30 rubrika të ndryshme, si dhe kanë shkruar dhe janë botuar 323 artikuj nga rreth 200 autorë të ndryshëm, si akademikë, profesorë e personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare.
Rubrikat më me shumë artikuj janë, Shkenca Islame, Histori, Studime të ndryshme, Personalitete, Retrospektivë, Gjuhë-Letërsi, Shkenca Komunikimi, Sociologji, si dhe rubrika të tjera si, Filozofi, Gjeografi, Jurisprudencë Islame, Mjekësi, Pedagogji, Përkthime, Psikologji, Shkenca dhe Besimi, Shkenca Ekzakte, Shkenca Politike, etj.
Bordi editorial i kësaj reviste shkencore përbëhet gjithashtu nga personalitete të njohura të botës akademike, edukative dhe kulturore nga të gjitha trevat shqiptare, por jo vetëm, duke e bërë këtë revistë si një “zâ i naltë” (zë i lartë) i studimeve dhe shkencave islame të gërshetuara dhe renditura së bashku me ato shoqërore.
Artikujt e saj dhe të gjitha numrat dixhitalë në pdf gjenden online në faqen www.zaninalte.al ku krahas saj revista është e pranishme edhe në rrjetet sociale, Twitter, Facebook dhe kanalin Youtube.
Sot pas 10 vitesh kontribut si drejtor i revistës “Zani i Naltë” (2012-2017) dhe kryeredaktor i saj (2017-2022), duke shpresuar dhe uruar për një zhvillim të mëtejshëm të saj, i jap lamtumirën, duke e dorëzuar stafetën si drejtues i saj, por duke vazhduar të jem një nga anëtarët e Bordit Editorial të revistës “Zani i Naltë”.
Në këto 10 vite, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë bashkëpunëtorët ndër vite, autorët dhe dashamirësit e tij të shumtë, anëtarët e Bordit Editorial dhe Bordit Shkencor. Mirënjohje për tre kryetarët të cilët mbështetën rithemelimin dhe vazhdimësinë e saj H. Selim Muça (Zoti e mëshiroftë), Dr. Skender Bruçaj dhe H. Bujar Spahiu, drejtorin e Kulturës z. Dorian Demetja dhe pa dyshim redaktorin dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të këtij rrugëtimi z. Andrin Rasha. Falënderime të gjithë kolegëve të tjerë dhe sidomos lexuesve, që na mbështesin dhe përkrahin ndër vite.
Jetë të gjatë e rrugëtim të hajrit “Zani i Naltë”!
Tiranë, tetor 2022
* Kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (2012-2022)
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...