Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 09, 2022 Zani i Nalte Shkenca Islame, Studime 0
nga Msc. Valdrin Mera, Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti Bedër
Abstrakt
Si bashkësia e parë sociologjike, familja është njësia më e vogël ndërtuese dhe elementi themelor i shoqërisë, dhe si e tillë, ka arritur t’i mbijetojë çdo lloj rreziku pavarsisht ndryshimeve që ka pësuar gjatë historisë. Rol kryesor mbrojtës, në këtë rrugëtim të familjes, kanë feja dhe tradita si insititucione që organizojnë jetën shoqërore.
Sipas të dhënave historike dhe antropologjike, gratë kanë qenë gjithmonë në qendër të “institucionit të familjes”. Në këndvështrimin e fesë islame, gruaja ka një pozicion që formon familjen dhe është bartësi kryesor i strukturës aktuale shoqërore. Shumica e kapitujve rreth grave në veprat klasike Islame përqendrohen në rëndësinë vendimtare të familjes në islam dhe në rolin qëndror të gruas në mbajtjen e njësisë familjare. Bazuar në funksionet e ndryshme që i obligon shoqëria, gruaja shfaqet si “nënë”, si “bijë”, si “motër” etj.
Zhvillimet e shumta kulturore dhe ndryshimi i rolit të gruas në shekullin 21, ka bërë të detyrueshme një qasje më globale në lidhje me çështjen e grave në universin Islam të referencës. Ky artikull përtej përsëritjes së normave, detyrave dhe të drejtave, në mënyrë literaliste hedh një vështrim në gjetjen e një mënyre për tu përballur me sfidat bashkëkohore në koherencë me mesazhin hyjnor duke qëndruar besnik ndaj parimeve dhe qëllimeve themelore.
Fjalë kyçe: Feja, familja, institucioni, gruaja në Islam
Hyrje
Në mesin e institucioneve sociale, si bazë ontologjike e një jete të shëndetshme shoqërore, familja ka rëndësinë kryesore në çdo shoqëri. Familja është bashkësia e parë sociologjike, është ambienti i parë shoqëror në të cilin njerëzit kalojnë jetën e tyre dhe ura që mundëson kalimin e individit në shoqëri dhe në jetën shoqërore.
Në shumë kërkime dhe hulumtime antropologjike vihet re se në jetesën familjare të shoqërive primitive kishte një rregull dhe një sistematikë të caktuar. Nëse është e mundur të flasim për një pikë të përbashkët, për të cilën bien dakord të gjithë sociologët dhe historianët, është se të gjitha shoqëritë kanë evoluar në aspektin e historisë së qytetërimit dhe se jeta shoqërore ka qenë gjithmonë në një përparim të pandërprerë. Besimi në evolucionin dhe përparimin e shoqërisë pranohet nga të gjithë, nga Durkheim’i te Marx’i, nga Comte te Ferguson’i.[1] Në klanin e Durkheim’it, të cilin ai e shikon si shoqërinë e parë dhe si familjen e parë, kishte kode të caktuara të cilat respektoheshin rregullisht nga anëtarët e klanit. Për shembull, një anëtar i një klani nuk mund të martohej me një anëtare tjetër të klanit të tij. Ata kishin të njëjtin besim, të njëjtat bindje dhe për pasojë quheshin vëlla e motër. Në shumë shoqëri primitive, mungesa e dëlirësisë dhe nderit ishte e mbrapshtë dhe konsiderohej krim. Në favor ose jo të saj, gruaja ishte pothuajse në çdo shoqëri, faktori më i rëndësishëm i saj. Duhet theksuar se në këtë faktorizim të gruas në shoqëri, rol të rëndësishëm kishte dhe lidhja e fortë që fëmija ka me nënën e saj, në krahasim me babanë.[2]
Gruaja ka qenë gjithmonë në qendër të “institucionit të familjes”. Në fetë hyjnorenë përgjithësi,dhe në fenë islame në veçanti, gruaja ka një pozicion që formon familjen dhe është bartësi kryesor i strukturës aktuale shoqërore. Gruaja është faktori kryesor që ndikon në familje dhe ka rolin më të rëndësishëm në kalimin e trashëgimisë kulturore dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.
Në këtë punim, do të hedhim një vështrim modest mbi rolin e gruas në Islam. Duke qenë të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me subjektin më të diskutueshëm të feve, kulturave dhe strukturave politike dhe për shkak të natyrës së këtij punimi, vështrimi ynë do të jetë i shkurtër, sepse për të shteruar një temë kaq të ndjeshme nuk do të mjaftonin as librat më voluminozë. Sidoqoftë, mënyra më e mirë për të kuptuar pikëpamjen e Islamit rreth pozitës së gruas është kthimi në burime. Një përgjigje e thelluar ndaj kësaj pyetjeje, ndoshta në një punim tjetër, kërkon kthimin në shoqëritë e hershme dhe në kulturat e tjera. Kina, India, Roma e Vjetër, bisedat e Budës me Anandën, Dhiata e Vjetër, Greqia e Lashtë dhe filozofët e saj na tregojnë shumë gjëra mbi shoqërinë patriarkale dhe mbi statusin e nënçmuar që kishte gruaja në këto shoqëri. Ndërsa studimi dhe hulumtimi i rolit dhe statusit që kishte gruaja në shoqërinë para-islame, në zonën ku zbriti shpallja dhe përreth saj, është thelbësor për të parë kontrastin dhe për të kuptuar më qartë pozicionin e gruas në periudhën e parë të shoqërisë islame.
Gruaja në shoqërinë para-Islame
Për të kuptuar mirë rolin e gruas në fenë Islame është e nevojshme të studiohet dhe të kuptohet statusi që ka pasur ajo, në periudhën e “injorancës”(para-islame), veçanërisht në zonën ku zbriti shpallja. Për arsyen se shkrimi dihej dhe përdorej shumë pak, shpesh përballemi me vështirësitë e gjetjes së burimeve të besueshme. Për pasojë, ekzistojnë disa vështirësi në studimet që bëhen në lidhje me atë kohë. Veprat e poezisë dhe letërsisë, që arabët përdornin në një nivel të përparuar, na sjellin disa informacione. Sidoqoftë, duhet theksuar se burimi më i besueshëm që hedh dritë mbi atë kohë, është Kur’ani.
Në shoqërinë para-islame arabe, mbizotëronte struktura e familjes patriarkale, familja përbëhej nga burrat dhe të afërmit e tyre. Të afërmit e gruas nuk konsideroheshin si pjesë e familjes. Gruaja vlerësohej vetëm si konsumatore dhe për këtë arsye nuk gëzonte respekt. Një transmetim i Omerit (r.a.) e pasqyron qartë situatën kur thotë: “Ne nuk i vlerësonim gratë në kohën e injorancës, kur Islami erdhi dhe pamë që Allahu po fliste për ta, ne pamë se ata kishin të drejta mbi ne.”[3]
Kur hedhim një vështrim të shkurtër në problematikat e rëndësishme që përcaktonin vendin e grave në shoqërinë arabe para-islame, ajo që bie në sy fillimisht është flijimi i vajzave. Edhe pse flijimi i fëmijëve ishte një ritual fetar që datonte nga koha e Ibrahimit (a.s.), vrasja e vajzave te fiset arabe ishte një traditë e përhapur dhe kjo ndodhte për shkak se vajza perceptohej si një barrë dhe shkak turpi për familjen.
Kjo sjellje e epokës para-islame, shihet qartë dhe kritikohet ashpër në Kur’an: “S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar. Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim.”[4]
Arabët i flijonin vajzat e tyre për një numër arsyesh. Një nga këto arsye ishte vështirësia ekonomike. Kur’ani hedh dritë mbi këtë fakt: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”[5]
Një arsye tjetër janë besimet fetare të arabëve. Arabët, të cilët i konsideronin engjëjt si bijat e Zotit, i varrosnin bijat e tyre për t’u bashkuar me engjëjt. Ata mendonin se perënditë e aprovonin këtë dhe se ishte një detyrë fetare.[6] Një pjesë e studiuesve mendojnë se tradita e flijimit të vajzave të vogla nga arabët nuk ishte e përhapur në masë, dhe se aplikohej më shumë ndër arabët nomadë. Sido që të ishte gjendja e kësaj tradite makabre, kuptohet qartë se në dritën e dispozitave kur’anore, ky zakon i shoqërisë para-islame u hodh poshtë dhe u shfuqizua nga Islami.
Edhe në strukturën komunitare para-islame të arabëve, duket qartë se kishte një këndvështrim negativ ndaj gruas: gruaja ishte thjesht një konsumatore që konsumonte dhe nuk kontribuonte në jetën fisnore. Ajo mund të kapej peng në luftëra dhe si rezultat mund të shitej si robëreshë ose si skllave. Sidomos mes arabëve nomadë, martesa shihej si një tregti. Mehrin, shumën e parave që i jepej gruas në bazë të kontratës së martesës, e merrte familja e gruas dhe si rezultat, burri mund të ndahej nga gruaja e tij në çdo kohë dhe e dërgonte përsëri në familjen e saj pa divorc. Për sa kohë që burrit ia përballonte gjendja e tij financiare, ai mund të martohej me aq gra sa donte. Në rast të vdekjes së burrit të saj, gruaja nuk mund të ishte trashëgimtare. Trashëgimia kalonte në familjen e burrit dhe gruaja kthehej në shtëpinë e babait të saj.[7]
Kishte shumë lloje martesash në shoqërinë arabe para-islame. Burri mund të martohej duke shkëmbyer motrën ose vajzën e tij me një grua tjetër për të mos dhënë para. Burri mund të martohej me njerkën e tij pasi babai i tij vdiste. E përhapur ishte dhe martesa e një burri me një grua për një kohë të pacaktuar pa pëlqimin e prindërve të saj. Dy motra mund të martoheshin me të njëjtin person në të njëjtën kohë. Pavarësisht se dhe në çështjen e martesës kishte ndryshime te fiset arabe, është fakt se me ardhjen e Islamit, të gjitha këto lloje martesash u shfuqizuan nga shpallja hyjnore.[8]
Islami i ndaloi të gjitha mendimet dhe sjelljet negative, keqkuptimet dhe tepricat e arabëve për gratë dhe i vuri ato nën kontroll. Islami e trajtoi burrin dhe gruan në pikën e të qenët njerëzorë dhe veproi në mënyrë të barabartë për sa i përket të gjitha detyrimeve dhe shpërblimeve të tyre. Islami nuk u përpoq t’i largonte gratë nga jeta shoqërore, por përcaktoi vetëm dimensionet, parimet dhe kufijtë e marrëdhënies mes burrave dhe grave.[9]
Roli i gruas në Islam në shekullin e shpalljes
Ndërkohë që hedhim një vështrim se si referencat islame i qasen çështjes së grave, përballemi me disa pyetje: Ku qëndron gruaja në periudhën e parë në shoqërinë islame? Çfarë roli luajti gruaja në strukturimin e ri shoqëror të përqendruar rreth Profetit Muhamed? A përbën një model jete për besimtarët jeta e grave të Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të)? A mund të flasim për një rregullim shoqëror në favor të grave gjatë periudhës së Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të)? A është zona private e organizuar për gratë në traditën islame një zonë e strehuar apo një mjet përjashtimi nga shoqëria?
Roli i gruas në strukturën shoqërore të sapo marrë përsipër nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), kuptohet me transmetimin e Omerit(r.a.) kur thotë: “Në periudhën e injorancës, gratë nuk i konsideronim as në statusin e njeriut. Ne e kuptuam se ato kanë të drejta mbi ne vetëm atëherë kur erdhi Islami dhe kur na urdhëroi të silleshim mirë me to.”[10]Gjurmët e para të ndryshimit shoqëror që filluan me Profetin së shpejti shfaqen me fjalët e vetë grave ensare ku thoshin: “I Dërguari i Allahut ndaj nesh ishte më tolerant dhe i dhembshur se ne vetë.”
Fillimisht, ajetet kur’anore, për shkak edhe të strukturës etimologjike e gramatikore të gjuhës arabe, përdornin vetëm shumësin mashkullor për t’iu referuar besimtarëve. Botëkuptimi i periudhës së “injorancës”, që e shtynte gruan në prapavijën e shoqërisë, i kishte përshkuar aq shumë gratë, saqë ato mendonin se nuk kishin asnjë vlerë para Allahut. Ato e ndjenë nevojën për të konfirmuar ekzistencën e tyre duke pyetur Profetin Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të):O i Dërguari i Zotit, pse gratë nuk përmenden në mënyrë të drejtpërdrejtë në mesazhin e shpallur?[11]
Pas këtij manifestimi të grave besimtare për të kuptuar pozicionet e tyre, ajetet filluan duke përmendur gratë dhe burrat në mënyrë të dallueshme. Si në ajetin: “Nuk ka dyshim se për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”[12]
Ky ishte një zhvillim thelbësor dhe tepër i rëndësishëm, sepse gratë tashmë ishin shkak i zbritjes së mesazhit dhe tani ato adresoheshin bashkë me burrat në tërë thirrjen hyjnore të Kur’anit. Ky evolucion i mesazhit është pjesë e pedagogjisë hyjnore në procesin e shpalljes që zgjati mbi 23 vjet. Statusi i grave dhe vajzave që u vranë për shkak të turpit që mund të sillnin duhej të formohej në faza, me shpalljen e ajeteve kur’anore. Kështu u bë gjithnjë e më e qartë se mesazhi i Kur’anit dhe qëndrimi i Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) ishin të prirë për të liruar gratë nga prangat kulturore të fiseve dhe klaneve arabe si dhe nga praktikat e kohës.[13]
Mërgimi nga Mekanë Medine gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në evolucionin e mendimeve midis myslimanëve. Gratë në Medine ishin më të dukshme, më të përfshira në jetën sociale, më të zëshme dhe më të sigurta. Ato habitën edhe gruan e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), Aishen (r.a.),e cila ishte nga Mekka, kur tha: “Qofshin të bekuara gratë ensare(medinase), të cilat modestia nuk i pengoi për të kërkuar dituri.”[14]
Faza e jetës profetike të Profetit Muhamed përqendrohej në rrafshin njerëzor në vend të ndasisë gjinore. Në këtë qasje të re që e nxjerr individin në pah mes shoqërisë fisnore, gratë ishin gjithashtu bashkëbiseduese të drejtpërdrejta të të Dërguarit të Allahut. Ashtu si burrat, ata kishin të drejtë dhe liri të besonin, adhuronin, kontraktonin dhe i shërbenin shoqërisë. Të gjitha shpalljet hyjnore që kumtoheshin nga Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) iu referoheshin grave dhe burrave. Fokusi i jetës shoqërore gjatë epokës së Muhamedit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) ishte “Mesxhidi i Profetit”. Të ishe larg nga mesxhidi do të thotë të ishe larg rendit të ditës së Medinës, i cili formësohej rreth shpalljes hyjnore. Në këtë kuptim, gratë kujdeseshin për të qenë në mesxhid; madje duke kundërshtuar strukturën e mbizotëruar nga meshkujt, ato siguruan një ditë të veçantë nga Profeti Muhamed për t’iu referuar dhe për t’iu mësuar atyre shpalljen hyjnore.
Gruaja e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), Aisheja (r.a.) ishte një nismëtare shumë e rëndësishme e ndryshimit të grave në shoqëri. Ajo ishte një studiuese dhe një dijetare. Sipas fjalëve të të Dërguarit të Allahut, ishte gjysma e fesë. Sahabët do të thoshin për të se: “Ne nuk kemi parë askënd që e di jurisprudencën më mirë se Aisheja (r.a.).” Pas vdekjes së Profetit Muhamed për 47 vjet me radhë Aisheja (r.a.) u kthye në “autoritetin e fetvave” dhe në udhërrëfyesen e besimtarëve.[15]
Si Aishja, ishin dhe Umu Seleme, Umu Uereka dhe gra të tjera që në një kohë të shkurtër u bënë pjesë e një reforme shumë të rëndësishme edukative. Nga ana tjetër, Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) inkurajonte edukimin dhe mirëqenien e vajzave dhe i këshillonte ato të merreshin me artin, tregtinë, përpunimin e lëkurës, endjen, poezinë, mësimin e shkrim-leximit dhe prodhimin e ilaçeve.
Këshillimi i Profetit Muhamed me bashkëshorten e tij Umu Selemen në një situatë kritike siç ishte traktati i Hudejbijes është një tregues shumë i rëndësishëm i përparimit të rolit dhe statusit të gruas në shoqërinë Islame. Pikat e marrëveshjes së Hudejbijes ishin të rënda dhe të papranueshme për shokët e Profetit. Ata nuk kishin dëshirë të ndiqnin urdhrat e Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) në lidhje me kryerjen e Umres. Profeti Muhamed erdhi tek Umu Seleme dhe i tregoi për situatën e vështirë që po haste me shokët e tij. Umu Seleme i tha Profetit (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) që të shkonte pranë shokëve të Tij për të therë kurbanin e tij pa folur me askënd. Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) bëri pikërisht atë që i tha gruaja e Tij, Umu Seleme. Sahabët, kur panë Profetin filluan të thernin kurbanet e tyre.[16] Siç shihet në këtë shembull, ishte gruaja e Tij, që e ndihmoi Profetin Muhamed në zgjidhjen e kësaj situate. Me këtë veprim Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të), si drejtues që ishte, iu tregonte të gjithëve rëndësinë që kishte mendimi i një gruaje qoftë edhe për çështje kaq kritike.[17]
Duket se në shekullin e parë të Islamit, gratë besimtare, ashtu si burrat, ishin shumë të përfshira në mësimin dhe kuptimin të Kur’anit. Aishja, Hafsa, Umu Seleme, Umu Uereka ishin mes grave që e dinin Kur’anin përmendësh. Ndërkohë një numër i konsiderueshëm i grave i përkushtoheshin transmetimit të hadithit. Në këtë periudhë, kur parimet formësoheshin nga rrjedha e shpalljes hyjnore dhe rendi i ditës përcaktohej nga ajetet kur’anore, rolet sociale që gratë ndërmerrnin ishin themelore. Fakti që Mus’haf-i Sherif, i cili u mblodh gjatë periudhës së Ebu Bekrit(r.a.), pas Omerit(r.a.) i kaloi Hafsës(r.a.) në vend të Osmanit(r.a.), është një tregues i rëndësishëm i statusit që kishte arritur gruaja në atë kohë.
Sfidat e ditëve të sotme
Duhet të theksohet se statusi i gruas, e cila u ngrit në një pozitë të privilegjuar në periudhën e parë islame, me kalimin e kohës u venit dhe degradoi. Shkak për këtë, përveç interpretimeve fetare ishin dhe arsyet politike, gjeografike dhe kulturore. Megjithëse këto përcaktime nuk mund të përgjithësohen njësoj për tërë gjeografinë islame, rruga që shoqëria e parë islame hapi në favor të grave; me kalimin e kohës u ngushtua dhe kjo ngushticë deri diku e privoi gruan nga arritjet e pasura të fesë.
Gjatë periudhës së kalifatit Emevit, myslimanët zotëronin një hapësirë gjeografike që shtrihej nga Oqeani Atlantik deri në brigjet kineze dhe Afganistan, nga Azia e Vogël deri në Spanjë. Gjatë pushtimeve të shumta ata hasën kultura dhe zakone të reja nga të cilat u ndikuan. Gratë morën gjithashtu pjesën e tyre nga ky ndryshim. Me ndikimin e mirëqenies, që vinte me plaçkat e luftërave, gratë tërhiqeshin në zonat e tyre të rehatisë. Me rrjedhën serioze të skllevërve dhe robëreshave, barra e nevojave të grave brenda dhe jashtë u transferua tek ato. Për gratë e lira, ecja në rrugë jashtë distancave të shkurtra konsiderohej turp; ata nuk ishin më të mirëpritura për të shkuar në xhami. Ndërsa ky ndryshim nuk ndikoi në pozitën e grave që i përkisnin klasës elitare, ishte fillimi i një tradite të rëndësishme për gratë e zakonshme. Në këtë periudhë të pushtetit, ku administrata ishte rregulluar sipas interesave të shtetit, dhe jo parimit të pajtueshmërisë me Kur’anin dhe Sunetin, pati një kthim në zakonet e injorancës.
Një ndër sfidat më të mëdha të botës Islame sot, është rifitimi i koherencës së mesazhit dhe gjetja e një mënyre për t’u përballur me sfidat e kohëve bashkëkohore, duke qëndruar besnik ndaj parimeve dhe qëllimeve themelore. Ballafaqimet intensive që vijnë nga Perëndimi kanë hapur debate të shumta në lidhje me çështjen e gruas myslimane, autonominë e saj, rolin e saj në familje dhe shoqëri, statusin e saj ekonomik dhe politik. Kjo në fakt është një çështje tejet delikate dhe e vështirë; janë të përfshira çështje të ndërlikuara e të ndërvarura dhe përqendrimi vetëm në një dimension të problemit shtrembëron tërë thelbin e debatit.
Bota islame është përballur me problemin e civilizimit për më shumë se tre shekuj. Për ta thënë më qartë, myslimanët në këtë periudhë kaq të gjatë kanë diskutuar çështjen se si të marrin një qëndrim kundër civilizimit perëndimor dhe për fat të keq ata akoma nuk kanë qenë në gjendje ta zgjidhin problemin. Studiuesit, të cilët përfshijnë në studimet e tyre civilizimin perëndimor dhe pikëpamjet e perëndimorëve, janë kryesisht sipërfaqësorë në këtë drejtim. Madje, edhe në tezat e masterit dhe të doktoratës, në të cilat duhet t’i analizojnë shumë mirë çështjet, t’i shmangin vështirësitë dhe t’i ekzaminojnë në një bazë shumë objektive, ata mbeten sipërfaqësorë në këtë drejtim. Studimet islame, të cilat shqyrtojnë çdo çështje në krahasim me civilizimin perëndimor, shpesh mbizotërohen nga tangjencialiteti dhe gjykimet e përgjithshme.[18]
Një studiues që studion rëndësinë e familjes dhe rolin e gruas në Islam, për shembull, ndërsa bën krahasime, përfshin situata të caktuara dhe subjektive në lidhje me mendimin e Perëndimit për familjen. Në fakt, ajo që kërkohet nga ai, është të jetë objektiv dhe i përpiktë. Perëndimi në vetvete është shumë kompleks dhe nuk ka një pikëpamje të vetme perëndimore, por ka shumë ide që diskutohen dhe vihen vazhdimisht në lupën e kritikës. Për këtë arsye, shkencëtarët perëndimorë nuk mund të binden kur lexojnë studime të tilla dhe ata i nënvlerësojnë këto libra. Madje edhe intelektualët myslimanë, që janë rritur me kulturën perëndimore, nuk i marrin seriozisht këto studime. Shumica e shkrimtarëve dhe studiuesve myslimanë duhet të rishqyrtojnë civilizimin perëndimor dhe të përcaktojnë me kujdes se si ta trajtojnë atë. Nuk ka dyshim se mënyra ideale e trajtimit të kësaj çështje ka qenë një ndër problemet më të mëdha me të cilin janë përballur myslimanët.
Në vitet e fundit, debati në perëndim, dhe sipas kësaj në vendet me shumicë myslimane, është fokusuar në aspektet më të dukshme të “statusit të gruas në Islam”. Kjo, pavarësisht se është një çështje thelbësore, ka shmangur zemrën e problemit, duke e zvogëluar atë në një debat të thjeshtuar në lidhje me “praktikat problematike”. Çështja e “grave myslimane” sot është një pjesë e debatit që karakterizon deri diku marrëdhënien e papajtueshme mes Islamit dhe Perëndimit.[19]
Kontrasti mes traditave patriarkale dhe modernizmit perëndimor, nxjerr në pah deri diku diskriminimet në lidhje me veshjen, poligaminë, dhunën, trashëgiminë, mungesën e edukimit, etj. Ndërkohë që edukimi në fenë Islame është detyrë: “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo burrë dhe grua myslimane.”, realiteti është diçka më ndryshe. Sipas raporteve të UNICEF, dy të tretat e 200 milion fëmijëve të pashkolluar janë vajza (kjo shpesh ndodh në vendet me shumicë myslimane). Dy të tretat e pothuajse një miliard të rriturve analfabetë janë gra dhe një pjesë e madhe e tyre janë në vendet aziatike dhe afrikane me popullsi myslimane. Kjo është një pasqyrë që tradhton objektivat më të larta të etikës islame.[20]
Përfundim
Shumë studiues myslimanë dhe myslimane, ditët e sotme po bëjnë një punë thelbësore në lidhje me përmbajtjen e burimeve të shenjta, mënyrën se si duhen lexuar dhe interpretuar ato, dhe se si ato lidhen me kulturat dhe strukturat shoqërore. Në këtë proces të vështirë dalin edhe problematika të shumta, të cilat duhen tejkaluar: Duhet të studiohet marrëdhënia mes tekstit dhe kontekstit në mënyrë që kjo të mundësojë nxjerrjen e parimeve dhe objektivave. Tekstet nuk flasin vetë dhe mësimet janë si sinkronike ashtu dhe diakronike; lidhja me kohën është vendimtare, lidhja me kontekstin është e domosdoshme. Një lexim i fjalëpërfjalshëm nuk i qartëson dinamikat e përparimit të shoqërisë, të statusit të gruas në shoqëri dhe lidhjen e tyre të theksuar me mjediset.
Leximi i tekstit, pa marrë parasysh kronologjinë dhe kontekstin, e bën të pamundur për studiuesit të flasin për faktin se mbajtja e grave analfabete dhe ndalimi i tyre për të punuar, mungesa e autonomisë financiare dhe roli social-ekonomik i tyre, martesat e detyruara, mohimi i divorcit, lejimi i dhunës në familje janë absolutisht në kundërshtim me mesazhin e Islamit.
Bibliografi
Akyüz, Vecdi. Bütün Yönleriyle Asr-ı Saadet’te İslâm. Vol. 2. Istanbul: Beyan Yayınları, 2006.
Bulaç, Ali. Tarih, Toplum ve Gelenek. istanbul: Yeni akademi yayınları, 2007.
Canan, Ibrahim. Hadis Ansiklopedisi. Vol. 9. Ankara: Akçağ- Zaman Gazetesi, 1988.
Demircan, Adnan. Kızlann Gömülerek Öldürülmesi ve Çok Kadınla Evlilik. Istanbul: Beyan Yayınları, 2008.
El-BUHÂRÎ, Ebu Abdillah Muhammed b. İsmail. el-Câmiu’s-Sahîh. Egypt: Dar al-Ghadd al-Gadeed, 1423.
Haylamaz, Reşit. Gönül Tahtımızın Eşsiz Sultanı Efendimiz, Muhtasar. İstanbul: Muştu yayınları, 2008.
Mü’minlerin en Mümtaz Annesi Hazreti Aişe. İstanbul: Işık Yayınları, 2010.
Kurt, Abdurrahman. “Din ve Aile.” In Ana Başlıklarıyla Din Sosyolojisi, 319-334. Ankara: Grafiker Yayınları, 2012.
MUSLIM, Ebu’l-Huseyn Ibn Haccâc el-Kuşeyrî en-Neysâbûrî. Sahîhu Müslim. Egypt: Dar al-Ghadd al-Gadeed, 1428.
Ramadan, Tarik. Reforma Rrënjësore, Etika Islame dhe Emancipimi. Shkup: Furkan ISM, 2017.
Et-TİRMİZİ, Ebu İsa Muhammed b. İsa (v. 279/892), es-Sünen, I-IV, Çağrı Yayınları, İstanbul, 1992.
Yıldırım, Suat. Oryantalistlerin Yanılgıları. Istanbul: Işık Akademi Yayınları, 2012.
[1]. Bulaç, 2007: 40.
[2]. Kurt, 2012: 321.
[3]. Canan, 1988: 322.
[4]. En’am, 6/140.
[5]. Isra’, 17/31.
[6]. Demircan, 2008: 22.
[7]. Demircan, 2008: 46.
[8]. Demircan, 2008: 58.
[9]. Akyüz, 2006: 246.
[10]. Buhari,Libas, 1423: 31.
[11] Tirmizi, Kitabu’t-Tefsir, Nisa Suresi, 8.
[12]. Ahzab, 33/35.
[13]. Ramadan, 2017: 306.
[14]. Muslim, 1428: 332.
[15]. Haylamaz, Mü’minlerin en Mümtaz Annesi Hazreti Aişe 2010, 337.
[16]. Buhari, 1423.
[17]. Haylamaz, Gönül Tahtımızın Eşsiz Sultanı Efendimiz, Muhtasar 2008, 473-85.
[18]. Yıldırım, 2012: 287.
[19]. Ramadan, 2017: 302.
[20]. Ramadan, 2017: 338.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...