Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 29, 2021 Zani i Nalte Studime 0
Nëse doni lavdinë e Shqipërisë, kërkoni në çdo bibliotekë të botës
nga Vepror Hasani
Abstrakt
Mit’hat Frashëri (1880-1949), biri i Abdylit, nipi i Naimit dhe Shemsedin Sami Frashërit, ishte zgjedhur kryetar i Kongresit të Manastirit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte at Gjergj Fishta. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Botores, në qeverinë e Princ Vidit ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme; kreu detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë nga 1923-1925. Në vitin 1927 botoi sërish në Tiranë, revistën “Diturija”, themeluar në Selanik më 1909 e më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit të tij atje. Mbeti kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në nëntor 1944 u largua nga Shqipëria. Pas 5 vjetësh në Itali, shkoi në SHBA. Në vitin 1949, disa muaj pas mbërritjes atje gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, ora 9.25 minuta, në hotelin “Winthrop” ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak(?). 25 kurora iu dërguan nga njerëzit që e vlerësonin. Në orën 14.00 nisi ceremonia e varrimit. Lutjet u bënë nga Imam Vehbi Ismaili, ardhur nga Detroiti. Kishte qenë amanet i vetë frashëlliut të shquar. Arkivoli i tij u mbulua me flamurin kombëtar. Sot prehet në atdhe, deri para pak kohe ndodhej në varrezat Ferncliff të Nju Jorkut, mes figurave të shquara si Nikola Tesla, etj. Eshtrat e tij u kthyen në javën përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, me vendim të qeverisë shqiptare.
Kur lindi ideja te Mit’hat Frashëri, i mbiquajtur “Lumo Skendo”, për themelimin e Institutit Albanologjik, askush nuk di ta thotë me saktësi. Gjithçka u mësua vetëm kur ai e tha me zë të lartë. Ishte 4 marsi i vitit 1929, kur la me testament gjithë pasurinë e vet të tundshme dhe të patundshme për ngritjen e një Instituti Albanologjik, që do t’i bënte nder Shqipërisë. Dhe këtë gjë e bëri në heshtje, pa zhurmë e bujë. Ndoshta kjo dëshirë zuri fill që nga fëmijëria e tij. Ai lindi më 25 mars 1880, në qytetin e bukur të Janinës. Që i vogël e pa veten mes librash të shumtë e të mrekullueshëm, dhe ndërsa rritej, shtonte gjithnjë e më tepër numrin e tyre. Biblioteka e tij u bë e madhe, nga më të pasurat ndër bibliotekat e familjeve shqiptare; quhej “Biblioteka e Frashërllinjve”. Kur mbërriti në Shqipëri numri i librave ishte disa mijëra; në vitin 1938 biblioteka e Lumo Skendos numëronte rreth 20.000 volume të shkruara në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht, turqisht, shqip, etj. Kishte dhe shumë libra që dikur kishin qenë pjesë e bibliotekave të arqidukës Ferdinand të Austrisë, të mbretit Kostandin të Greqisë, të Napoleon Bonapartit, të sulltanëve, të Mahmut pashë Shkodrës, etj. Zotëronte edhe 200 dorëshkrime, disa prej tyre të albanologëve, pa llogaritur koleksionet e gazetave e të revistave në gjuhë të huaj dhe shqip, dokumente të tjera të ruajtura me kujdes, zëdhënie, lajmërime, afishe, etj., të shtypura ose të shkruara me dorë. Gjithçka që ekzistonte në bibliotekën e tij madhështore kishte të bënte kryesisht me albanologjinë, ballkanologjinë dhe kombin shqiptar. Kur mbërriti në Tiranë biblioteka mori emrin e tij “Lumo Skendo”.
Testamenti i Lumo Skendos
Në testamentin e Lumo Skendos, 4 mars të vitit 1929, thuhej: “Çë kam pasur pasuri të tundshme ose të patundshme, libra mobilla, karta, plaçka etj., i lë për krijimin e një “Instituti Albanologjie” që të jetë një qendër e studimevet shqiptare, të mprojë, të zhvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqë Shqipëtarët.”
Lënien e testamentit të tij, Lumo Skendo e bëri të njohur edhe te fletorja “Demokratia”, nr. 4624, dt. 4-XII-1938: “Ditën 4 mars 1929 me numër 163 kam depozituar në noterin e Gjykatës, këtu në Tiranë (sot noter publik z. Jonus Tafaj), testamentin tim për ngrehjen e një Instituti Albanologjik, konsakruar (kushtuar) studimeve shqiptare, histori, gjuhë, folklor, literaturë… Që nga ajo ditë po përpiqem të plotësoj dhe të pasuroj mjetet e punimit s’asaj qendre t’asaj foleje.”
Ky lajm i madh u pasqyrua edhe në të përmuajshmet: “Gjithë Shqypnia e njef z. Lumo Skendo, si një ndër atdhetarët ma të rrallë, si një ndër punëtorët ma të palodhun, si një ndër shqiptarët më të pastër. Në heshtje i fali vendit tonë sa përpjekje, sa fuqi; pa mburrje bani me bind revistën fort të vlershme Diturija: pa shpërblim i kushtoi tokës së vet sa mundime.
Kush mendoi se Lumo Skendo u tërhoq mënjanë e u ligshtue prej rrymave jo të kullueta qi u përshkruen nëpër vendin t’onë, pat rasë me e përgënjeshtrue vedin, tuj këndue sa kushtrime trimnare nëpër të përkohshme t’ona e në fund muejt me ndie se Lumo Skendo po bahej gati me i fal Shqypnisë nji çerdhe, një tempull, kushtue kultit të Shqiptarizmës.” (“Hylli i Dritës” 1938, nr. 12, f. 713).
Bibliotekë me pasuri të rralla
Në bibliotekën e Lumo Skendos gjendeshin edhe libra që flisnin për Gjergj Kastriotin, për Ali Pashë Tepelenën e shqiptarë të tjerë me emër të madh. Biblioteka e tij ishte më e madhja në Shqipëri, më e pasura dhe me vlera të mëdha. Ndër të tjera mund të përmendim koleksionin e pikturave të kohës së Ali Pashë Tepelenës, frerin e kalit të Ali Pashait, dy sahate bakri me kapakë me stemën e satrapit, edhe këto të Ali Pashës, sahatin e motrës së Aliut që ishte martuar në Libohovë dhe dy sahate të tjerë të ministrit të oborrit të Ali Pashë Tepelenës. Gjendeshin aty ikona bizantine, një koleksion monedhash të moçme, gjetur në vise të ndryshme të Shqipërisë e shumë të tjera. Pjesë e bibliotekës ishin edhe reliktet e rralla të familjes Frashëri: të Naimit, të Samiut dhe të Abdylit. Për të gjitha këto dëshironte të ngrinte një Institut Albanologjik dhe t’ia linte si pasuri mëmëdheut që e deshi aq shumë, por i duhej edhe ndihma e dikujt që të ngrinte ndërtesën, një bibliotekë me emrin “Frashëri”, në shenjë nderimi për këtë familje të madhe atdhetare. Nëse kjo gjë realizohej, kryeqyteti do të kishte si pasuri të vetën një thesar të paçmuar, por deri atëherë ai do të vijonte të mblidhte libra që flisnin për Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe origjinën e shqiptarëve. Ende nuk e kishte gjetur librin e ëndërruar, më të bukurin që mund të ishte shkruar për atdheun e tij.
Shqipëria pa bibliografi
Për Shqipërinë ende nuk kishte një bibliografi të plotë, dhe kjo i dhembte shumë Lumo Skendos. Pa atë bibliografi edhe veten e shihte si të gjymtuar, por dinte që për Shqipërinë ishte hartuar një bibliografi nga profesor Emil Legrand. Pas vdekjes se tij, libri u vazhdua prej dy studentëve, u shtyp në Paris më 1912. Në këtë libër u kataloguan 724 vepra, 125 prej tyre ishin të shkruara shqip, pjesa tjetër ishin studime të të huajve mbi gjuhët, libra historie dhe udhëtimi mbi vendin tonë. (Por sipas katalogut nr. 611 të librarit Joseph Baer dhe Co., në Frankfurt, Legrand-it i mungonin 9 vepra); pra për Shqipërinë mund të gjendeshin edhe libra të tjerë. Para Legrand-it, albanologu i mirënjohur Gustav Majer, në fund të librit të tij “Fjalori etimologjik shqip” (Strazburg 1881), kishte vënë 193 vepra mbi shqiptarët ose të shkruara në gjuhën shqipe; 80 prej të cilave ishin shkruar shqip prej vetë shqiptarëve. Lumo Skendo besonte gjithashtu se edhe në qytetet shqiptare dhe të huaja: Shkodër, Bukuresht, Sofje, Korçë, Selanik, Stamboll, Bruksel, Paris, Athinë, Vjenë, Hali, Misir, Amerikë e gjetkë mund të ishin shtypur deri atëherë (viti 1926, shënimi im V.H.), rreth 400 libra dhe broshura shqip, pa llogaritur gazetat, numri i të cilave shkonte rreth 100. Dukej se edhe Shqipëria kishte nisur ta nxirrte historinë e saj nga errësira. Për Lumo Skendon shkrimi i gjuhës shqipe duhej të ishte shumë më i hershëm nga sa njihej deri atëherë. Të gjitha këto e shumë të tjera do të bëheshin të njohura nga Instituti Albanologjik që ai dëshironte ta ngrinte një orë e më parë.
Të gjithë për historinë e Shqipërisë
Lumo Skendos nganjëherë i dukej sikur përballë kësaj sfide të madhe ishte i vetëm, ndaj sa herë gjente rastin u drejtohej të gjithëve. Përmbledhtas po e sjellim kështu: Gjurmë të historisë tonë janë monumentet, rrënojat arkeologjike, monedhat, sendet e mbetura mbi dhe nën tokë, shkrimet e murgjve të manastireve, aktet e gjykatave, të zyrave qeveritare, të noterëve, të kishave, shkrimet e të huajve, rrëfimet gojore, etj., të cilat duhen mbledhur. Në arkivat e prefekturave nuk ka mbetur asgjë. Lufta Ballkanike i shndërroi të gjitha në hi. Kështu ndodhi në Elbasan, në Shkodër, në Durrës, në Korçë, etj. Në Gjirokastër arkivat qeveritare u rrëmbyen nga grekët dhe i çuan në Janinë; kur u dogj pallati i qeverisë u dogjën edhe arkivat e grabitura. Në Shkodër qenë ruajtur Sixhiqatet e Mehqemesë, me akte të vjetra që nga ardhja e turqve, por serbët i dogjën; prej tyre shpëtoi vetëm një volum (defter i madh), ndaj çdo gjë e mbetur, edhe shkrimi më i vogël, ishte me vlerë të madhe. Dokumente mund të gjenden në Venedik e në Stamboll, në arkivat e Frarit dhe në Hazine-i-evrak; dy burime ku mund të punohet me vite pa shteruar materiali. Mes të tjerash, Lumo Skendo shkruante: “…në Vatikan janë 70.000 dorëshkrime (veç arkivave), në Ambrosiana 35.000, në Laurentiana 10.129, në bibliotekën Casanatense 5.460, në Marclana 13.319, në bibliotekë të Museo Civico (Venedik) 9.745 libra dorëshkrime”, ndaj kudo duhet kërkuar.” (“Përpjekja shqiptare” 1936, nr. 1, f. 9-10.)
Ia kemi borxh Shqipërisë
Por Lumo Skendo nuk mjaftohej me kaq, dëshironte t’i rrëfente me imtësi ku mund të gjendeshin dokumente për Shqipërinë. Në arkivat e Stambollit, thoshte ai, mund të gjejmë lëndën e ngjarjeve të 5 shekujve; në të Italisë, nga Sicilia në Alpe, mund të gjejmë informacion për dhjetë shekuj; mund të gjejmë në Jugosllavinë e sotme, në zallet e Adriatikut dhe në arkivat e Greqisë (të Korfuzit dhe të Athinës), së paku për njëqind vitet e fundit. S’ka dyshim, vendin e nderit të libravet e zënë historianët bizantinë (se mjerisht s’bëhet dot fjalë për arkiva të Bizantit) dhe kroniktarët e Tyrqisë. Corpus-i i të parëve s’bëhet me tepër se prej shtatdhjet volume, dhe Babingeri numuron 376 autorë që nga koha e Orhanit e gjer më sot. Me interes janë arkivat e kancelarive në ministritë e punëve të jashtme të shteteve që kanë qenë në marrëdhënie me Turqinë: Në Austri, Francë, Spanjë, Angli, Prusi, Itali dhe Greqi. Po kështu edhe aktet e kancelarive të moçme të depozituara për studiuesit si ato të Venedikut, të Milanos, Genova-s, Pisa-s, dhe të mbretërisë aragono-napoletane në Barcelonë, nga të cilat Marinesco nxori lëndën e librit Alphonse V. roi d’ Aragone et de Naples et l’ Albanie de Scanderbeg. Për kohën e Ali Pashës së Janinës rëndësi kanë arkivat e kancelarive të Francës dhe të Anglisë, por edhe të Rusisë, të cilat fillojnë me ngjarjet e Moresë dhe Suliotëve në kohën e Katerinës.
Shkrimet më të vjetra të gjuhës shqipe
Lumo Skendos i pëlqente të fliste edhe për shkrimet më të vjetra të gjuhës shqipe që ishin zbuluar deri atëherë. I tillë ishte fjalori i vogël latinisht-shqip i Frëngut të Bardhë (Dectionarium Latino Epiroticum, për R. D. Franciscum Blanchum), shtypur në Romë më 1635. Por së fundi ishte zbuluar edhe një libër tjetër i vogël: “Il Catechisimo Albanese”, di Luca Matranga; një fletore me 53 faqe format i madh, prej të cilave 11 faqe parathënie. Katekisma shqipe e Luca Matrangë-s, ishte shkruar më 1592, ose 43 vjet më parë nga libri i Frang Bardhit. Libri u shtyp më 1912 në shtypshkronjën e Manastirit Grottaferrata, afër Romës, nxjerrë nga tri dorëshkrime të bibliotekës së Vatikanit. Por ndërkohë ishte zbuluar edhe një libër tjetër, 42 vjet më i vjetër nga ai i Matrangës; imzot Schiro (Skiro) kishte bërë të ditur ekzistencën e një dorëshkrimi, shkruar më 1555 nga një shqiptar i quajtur Gjon Bozuku; kurse Dhimitër Berati në një artikull të tij “Shënime mi gjuhët shqipe”, sillte në kujtesë të lexuesit dy gjurmë edhe më të vjetra të gjuhës shqipe; njëra e vitit 1462, tjetra e vitit 1496 ose 1497. Ndërsa më e hershmja shenjë e gjuhës shqipe, vijonte të mbetej një frazë e gjetur në një dorëshkrim latinisht të bibliotekës Laurentiane në Firencë, botuar prej profesorit N. Jorga në veprat e tij: Notes et extraits pour servir a l’ histoire des Croisades au XV siecle, quatrieme serie, Bucarest 1915, faqe 194-95. Fraza shqip gjendej te shkrimi i Paul Angjelo, arqipeshkv i Durrësit, botuar në “Eçlesia Sancta Trinitatis de Emathia” më 8 nantor 1462; fraza është kjo: “Unte paghesont premenit atit et birit et spertit semnt.”, që do të thotë: “Unë të pagëzoj për emën t’atit e t’birit e t’shpirtit shënt”. Gjurma e dytë është e një udhëtari gjerman i quajtur Arnold von Harf, që kishte vajtur në Jeruzalem duke shkuar nga Italia dhe nga Durrësi (1496 -1499). Kur ishte në Durrës, në fillim të udhëtimit, (1496-97), kishte shkruar një listë fjalësh shqip, të cilat u shtypën më 1860. Kjo listë u botua edhe nga Gustav Mayer në volumin e dytë Albanesische Studien, Wien, 1884.
Dëshmi, edhe atje ku s’e presim
Megjithatë, Lumo Skendo shpresonte edhe në gjetjen e librave të tjerë. Frëngu i Bardhë, në parathënien e fjalorit latinisht-shqip, shkruante “gjuha jonë po vdiret dhe po bastardohet”. “Kjo frazë na duket si një klithje kundër shkrimit me lajthim të shqipes, – shkruante Lumo Skendo, – dhe jo si një qortim për foljen me gojë. Eshtë pra për të besuar se shqipja përdorej si gjuhë e gjallë dhe praktike, në kohët në të cilët shkruante Frëngu i Bardhë”. (Dituria v. 1909, nr. 1, f. 2.) Ndërsa më tej, Skendo shpjegonte se Bogdani në parathënien e veprës së tij shqipe “Cuneus Prophetarum” shtypur më 1685, dëften se kishte pasur edhe libra të tjerë të shkruara shqip prej tij, por në udhëtimet dhe prej prapësisë së fatit, i ishin tretur si kripa në ujë. Dëshmi mund të gjenden edhe atje ku nuk e presim, – thoshte Skendo, – profesori Jorga zbuloi në Laurentiana të Firencës gjurmën me të moçme të gjuhës s’ënë, – formulën e pagëzimit, – kurse monumentin e gjuhës tonë, Gjon Buzuku e gjeti në Vatikan, ndërmjet librave të hedhura mënjanë si të pakëndueshme.
Fjalët “albanolog” dhe “albanologji”
Edhe Shqipëria po bëhej e njohur. Nga vitet 1870 nisën të përdoren fjalët “albanolog” dhe “albanologji”, flitej për shqiptarët, për gjuhën shqipe, për origjinën dhe racën e tyre; historia i kishte përmendur me emrat: pellazgë, ilyrianë, epirotë, maqedhonas, thrakë, mbase dhe frigë, nga Adriatiku në zall të Detit të Zi; pra si vendas dhe jo si të huaj. Të gjitha këto ishin krenari për Lumo Skendon. I pari që shkroi për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, (më shumë se një shekull e gjysmë më parë), ishte Johann Thumanne, profesor në universitetin e qytetit Halle, në veprën e tij mbi historinë e popujve të Evropës Lindore (Untersuchungen uber die Geschichte der ostlichen europaischen Volker, von Johann Thumann, Erster Theil, Leipzig 1774.) Ai i konsideron shqiptarët pasardhës të ilyrianëvet. Më pas erdhi libri i oficerit bavarez Xylender (Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren, Frankfurt 1835), i mjekut gjerman, Karl Reinhold (Noctes pelasgicae, Athine 1855), të cilët tërhoqën vëmendjen e dijetarëve mbi gjuhën shqipe. Po atë vit, albanologu dr. Johann Georg von Hahn, konsull i Austrisë në Shqipëri, i dha botës një libër të madh, me lëndë të gjerë, (Albanesische Studien, Wien 1853 dhe Jena 1854). Në këtë periudhë kemi edhe studimet e Franz Boppit (Uber die albanezesische in seinen verëandtschaftlichen Beziehungen, Berlin), shkrimet e August Pott, botimet e de Radës, Kamaradës dhe të Gustav Meyerit, i cili në pesëmbëdhjetë vjet (1880-1896) solli studimet: Albanesische Studien, Alban. Grammatik, Etymologisches Worterbuch der Albanesischen Sprache. Gjuha shqipe dhe origjina e saj kishin dalë ne dritë. Të gjitha këto, Lumo Skendo, i shkruante në gazeta dhe revista që botoheshin në Shqipëri dhe jashtë saj.
Katedrat e gjuhës shqipe nëpër botë
Edhe vende të ndryshme të botës po ngrinin katedra të gjuhës shqipe. Të parët që u morën me studimin e gjuhës shqipe ishin gjermanët. Mësimet më të hershme nisën në Institutin Oriental të Napolit në vitin 1900, me titullar katedre Giusepe Schiro. Më 1904 u çel në Vjenë Instituti i Gjuhëve të Lindjes; kursi i shqipes u drejtua nga Gjergj Pekmezi deri më 1914, dhe më pas nga Kol Rota prej Shkodre deri më 1923. Gjuha shqipe u bë e rëndësishme për Austrinë, Vjena na dha Hahn-in, Gustav Meyerin dhe Norbert Joklin, i cili jepte kurset e albanologjisë; para tij ishin dhënë nga profesori Kretschmer Kretschmer. Më 1921, në Paris, profesori Mario Roques, mësues në Sorbonë dhe në shkollën e Gjuhëve të Lindjes (Ecoles des Langues Orientales Vivantes), çeli kursin e gjuhës shqipe dy herë në javë. Më 1921 u çel Qendra e Studimeve Shqiptare (Centre d’ Etudes Albanais) në Paris, e cila duhej të mbahej nga vetë studentët shqiptarë të Parisit. Më 1923 u çelën dy kurse: njëri në Romë me mësues Hamdi Kavajën (Istituto delle lingue slavi e oriental), tjetri në Beligrad, Universitet, në seminar të gjuhësisë shqipe, (Seminar za arbanasku filologjiju) ku botohej një përmbledhje studimesh (Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologjiju), nga profesor Bariçi. Më 1925, pranë Universitetit në Leipzig, prof. dr. Gustav Weigand, themeloi seminarin shqiptar (Albanische Seminar), bashkë me një bibliotekë për studimet filologjike, historike dhe etnologjike të Shqipërisë, të drejtuara nga vetë ai, i cili botonte njëherë në vit Balkan-Archiv-ën. Interesi për shqipen ishte rritur. G. Weigandi shkruante: “Gjer më sot është besuarë se shqipja rrjedh nga ilyrishtja, dhe barra e këtij besimi i ngarkohet Gustav Meyer-it, kurse shumë prova na bëjnë të konsiderojmë Thrakët si paraardhës të Shqiptarëve…” (Dituria mars 1927, nr. 5, f. 165).
Blejmë çdo libër të vjetër
Lumo Skendo ëndërronte të gjendet edhe librin e fundit që fliste për Shqipërinë, pavarësisht në ç’cep të botës ndodhej dhe kush e zotëronte. Për këtë arsye, herë pas here dilte me lajmërime të tilla, drejtuar kujtdo: “Dëshirojmë të blemë çdo libër të vjetër që i përket Shqipërisë: Salname të vilajeteve Janinë, Manastir, Shkodër, Ysqyp. Librin e Naum Veqilharxhit. Çdo librë të shtypurë në Voskopojë. Abetare e shtypur më 1879 në Stamboll, si edhe numra të revistës “Diturija” dhe “Drita”. L’Albanie et les Albanais të Vaso Pashës, shtypur në Stamboll. Le Montenegro d’apres les chants populaires albanais, të Vaso Pashës, shtypurë në Stamboll. La Bosnie et l’Herzegovine pendant la mission de Djevdet Pacha, t’Vaso Pashës, shtypur në Stamboll. Gazeta shqipe të vjetra, si Albanija (Beligrad), Shkupi (Ysqyp), lntibah dhe Zgjimi (Janinë), dhe çdo farë gazete tjatër. U lutemi atyreve që kanë të na shkrojnë dhe të na thonë çë çmim kërkojnë. Diturija, Tiranë.” (“Diturija” 1 shkurt 1927, nr. 4, f. 161).
Në një rast tjetër, te “Zani i Naltë”, nr. 4, nandor 1926, z. Lumo Skendo shkruante: “Nji lutje këndonjësvet për të mbledhurë shkrime të vjetrë fetare në gjuhet shqipe (mevlud, ilahi, gazel… ) dhe të kujdesenë t’i çojnë, ose në zyrë të Zanit të Naltë (zyra e Myftiut të Përgjithshim) duke shënuarë se janë për Lumo Skendo, ose drejt për drejt në adresë të këti të fundit, në Tiranë. Këtë lutje nuk mundim të mos e përtëritim edhe ketu: dihetë se ato shkrime sa po vete humbasin dhe bëhenë fort të rrallë, dhe kështu mbase çduket, a mbetet e panjohurë, një veprë që munt të ketë vleftë literare ose historike. Këndonjësit e Diturisë janë të luturë të kujdesen për këto gjurmë të inteligjencës dhe të shpirtit të paranikëvet t’anë. Duke pasurë të tillë shkrime në dorë, kemi në mënt t’i botojmë ca nga ca dhe t’i shpëtojmë nga çdukja.” (Diturija 1 mars 1927, nr. 5, f. 195).
Një jetë në kërkim të librit
Edhe vetë kudo që shkonte, së pari, interesohej për librin. Në Berat më 1913, te shtëpia e z. Sulo Resulit kishte parë një dorëshkrim të vjershëtorit të dëgjuar beratas, Sylejman Ramazani (shkruar me shkronja turke), të njohura 120 vjet më parë, të cilat mund të shërbenin edhe si vlera dokumentare për ngjarjet e kohës. Në Berat kishte parë edhe disa dorëshkrime të vjershëtorëve Hasan Zyko Kamberi dhe të Nezim-it. Edhe vetë Lumo Skëndo kishte pasur dy dorëshkrime të vjershave të Hasan Zyko Kamberit (me shkronja turke), njëri prej të cilëve ishte shkruar 100 vjet më parë; dy libra fetarë me vjersha të shkruara në Frashër nga Dalip dhe Shahin bej, të cilat vijonin të këndoheshin në teqenë e bektashinjve. Gjithashtu kishte dëgjuar se Hafëz Ali Ylqini kishte lënë një fjalor shqip-turqisht, një tjetër turqisht-shqip si dhe dy libra të tjera në dorëshkrim. Prej tij ishte shkruar edhe një abetare shqip (me germa arabisht); një libër të imituar prej Tuhfe-i-Vehbije, në vjershë, me fraza dhe fjalë turqisht-shqip. Fjalori shqip-turqisht ishte 133 faqe, me 41 ose 42 fjalë në çdo faqe (total 5.500 fjalë). Fjalori tjetër turqisht-shqip kishte 435 faqe, në secilën 41 ose 42 fjalë, gjithsej rreth 18,000 fjalë.
Libra dhe dorëshkrime të humbura
Lumo Skendo kujtonte me dhimbje edhe librat dhe dorëshkrimet e humbura, të cilat i kërkoi deri ditën e fundit të jetës së tij. Më 1913 dërgoi nga Stambolli në Vlorë në shtëpinë e Q.Ç., plaçkat e shtëpisë së tij, mes të cilave edhe 24 arka me libra. Vitin e dytë i çuan në Fier te shtëpia e Ymer pashë Vrionit për më shumë siguri, por pas disa luftërave të ndodhura atje, shtëpia e Ymer pashë Vrionit u gjet e zbrazët. Ato që i dhimbnin më shumë ishin: “…një koleksion i krijuar nga vetë Abdyl Frashëri: mazbata (shkresa kolektive), gazeta të periudhës 1878- 1882, shënime, letra private … të gjitha relative me Lidhjen e Prizrenit, si edhe tre dorëshkrime prej dorësë vet’ t’ Abdyl Frashërit:
1° Një manuskript greqisht, afro 150 faqe, (ose 200), format gadi 25X16 santimetra;
2° tyrqisht, afro 350-400 faqe format 20X13 santimetra;
3° shqip, një tefter i gjatë pak’ a shumë 40 faqesh, format si no 30X13 santimetra. Këto’ kanë qënë, të trija, broshura me flet të qepura, por pa kapakë.
Dorëshkrimi N. 1. ishte një histori e Frashërit dhe e fëmijëvet të ati vendi, shkruarë sidomos mbas rrëfimevet të Zonjës Tato, një plakë që ishte emtë (hallo dhe teze) e gjithë Frashërllinjvet… D.shkr. N. 2 ishte i tërë relatif me Lidhjen e Prizrendit. S’ishte një biografi, ose një histori biografike, por një përshkrim i plotë i ngarjevet, që në fillim, në gjitha fazat e aktivitetit. Në Janinë, Gjinokastrë dhe Frashër, në Dibrë dhe Prizren, në Stamboll ose në vizitën e të pesë kabinetevet t’ Europës.
D.shkr. N. 3 ishte vetëm një tefter gjenealogjije me shenime jetë-shkrimi mbi çdo mis të familjes…” (“Leka” 1938, nr. 10-12, f. 491-492).
Lumo Skendo dhe lexuesit e tij
Biblioteka ishte përkushtim i veçantë i Lumo Skendos. Dëshironte që numri i lexuesve të rritej vazhdimisht; të ishin të shumtë ata që lexonin për Shqipërinë. Çdo porosi, për çfarëdo lloj libri, plotësohej në kohë. Kjo gjë shihet edhe te reklamat e bibliotekës, ku shkruhej: “Në librarinë “Lumo Skendo”, Tiranë, do të gjeni gjithë libratë shqip, frëngjisht, ose në gjuhë të tjera; libra shkolle dhe literaturë; libra historie, si edhe libra për djemtë. Nuk botojmë katalog për vëprat në gjuhë të huaja, me qenë se, ato libra që mungojnë në depozito, porositen dhe sillen në pak kohë. Porosive u jepet një kujdes i veçantë, sado të vogëla që të jenë.” (Diturija 1 janar 1927, nr. 3, f. 122). Në një reklamë tjetër shkruante: “Librarija Lumo Skendo mban gjithënjë në depozitë libratë shqip të botuara gjer më sot në Tiranë, në Shkodrë, në Korçë, në Sofje, në Bukuresht, n’ Amerikë, etj. Atje do të gjeni vepra për të nxënë gjuhët e huaja: gramatika, këndime, fjalorë… Stok i math librash literare dhe kulturore, në gjuhët frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht, tyrqisht. Porositë që na bëhenë dhe, kur mungon vepra në librarit, mbarohen me kujdes.” (“Diturija”, v. 1929, nr. 2. f. 40). Gjithçka që blinte për bibliotekën e tij ishin përpjekje që Shqipëria të kishte një Institut Albanologjik sa më të plotë, nga ku mund të niste udhëtimin çdo studiues dhe kërkues i historisë shqiptare. Shqipëria gjithnjë e më shumë po tërhiqte vëmendjen e gjuhëtarëve të botës. Vetë Lumo Skendo njihej personalisht me albanologët e huaj, prof. Norbert Jokl ishte një nga miqtë e tij më të mirë. Fal ndikimit të Lumo Skendos, ata erdhën në Shqipëri.
Vijnë albanologët e huaj
Me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, më 28 nëntor 1937, mbërritën në Shqipëri një grup albanologësh të huaj. Në bisedimet e tyre doli në plan të parë themelimi i një Shoqërie Studimesh Shqiptare në Tiranë. U propozua edhe krijimi i një komiteti të përhershëm, i cili do të kujdesej për krijimin e shoqërisë. Anëtarë të tij ishin lëvrues të studimeve shqiptare. Për t’ia mbërritur këtij qëllimi, mes albanologëve të huaj dhe shqiptarë u nënshkrua një marrëveshje. Komitetit iu la për detyrë:
kordinuar aktivitetet e ndryshme në këtë fushë studimi;
antike;
historinë e shtetit Shqiptar;
qytetërimin, gjuhën, literaturën dhe folklorin Shqiptar’
Me qëllim që t’a vënë në veprim në votat e epërme të nënshkruarit mejtojnë të mbajnë në Tiranë më 1 shtator 1938 me rastin e X-vjetorit të hypjes në fron të N.M.Tij Zog I të parën mbledhje të Albanologjisë.
Dr. H. Bariç, Prof i Universitetit të Beogradit.
Carlo Tagliavini, Prof. i Universitetit të Padovës.
Dr. Eqerem Çabej, Prof. i Gjuhësisë në Gjymnazin e Gjirokastrës.
Gaetano Petrotta, i ngarkuar për gjuhën dhe leteraturën Shqiptare në Universitetin e Palermos.
(“Përpjekje shqiptare” 1938, nr. 14, f. 149-150).
Ëndrra e Lumo Skendos
Dy muaj pas propozimit të albanologëve të huaj dhe Shqiptarë për themelimin e një shoqërie studimesh shqiptare, Lumo Skendo kishte menduar serish për ngritjen e Institutit Albanologjik: “Shkuan afro dhjetë vjetë kur në fillim të këtij moti mejtova: – Sa të pres vdekjen, e cila s’di edhe unë vetë kur do të vijë, më mirë ta ngrehi çerdhen sa jam gjallë. – Dhe kështu me nji fruer (shkurt) të këtij moti i paraqita Ministrisë së Financave nji kërkesë për të m’u dhënë nji copë tokë, midis Bankës që u ngreh e re dhe klinikës së Dr. Bashos – tokë e cila – si edhe shoqët e saj – janë caktuar për godina të dobisë publike,. Këtë tokë e kërkonj si një send simbolik për të siguruar se nga ana e qeverisë nuk ka ndonjë ndalim. Të kuptohet që themelimi i nji vatre të tillë nuk do të këqyret me sy të keq nga ana e auktoriteteve. Nga tjetra anë edhe çdo ekonomi që të bëhet në këtë lëmë shërben për të shtuar kapitalin e Institutit,” (Hylli i Dritës 1938, nr.12,f.714).
Kërkesën ia paraqiti Qeverisë Mbretërore nëpërmjet Ministrisë së Financave, ku thuhej:
Zoti Ministër,
Kam nderin të njoftonj Ekselencën t’Uaj se kam vendosur të realizoni qëllimin t’im të themeloni një Institut Albanologjik të konsakruar studimit të historisë, gjuhës, folklorit dhe literaturës shqiptare. Dëshira ime ka qënë të ngreh godinë për Institutin dhe t’i siguroj një sasi t’ardhurash për rrojtjen e tij si vatër studimi të çelur atyre që kanë nevojë për kërkime. Sot dispononj për këtë qëllim afro 20.000 broshura dhe volume që përpiqem t’i shtonj çdo ditë, të gjitha të siguruar Institutit me testament të depozituar te Noteri. Për të ngrehur këtë godinë kam zgjedhur copën e tokës që figuron me numërin VI në planin këtu ngjitur të sistematizimit të Sheshit të Ministrivet, dhe do t’i jem fort mirënjohës Ekselencës s’Uaj n’urdhërofshi lëshimin e asaj cope toke në dispozitën t’ime, si mbas ligjit përkatës t’atyre copave”
Tiranë, 1 shkurt 1938
Me nderime të thella
Lumo Skendo
(Përpjekja shqiptare shkurt-mars 1938, nr. 14-15 f. 149)
Lumo Skendo shkëlqen
Nëpërmjet kërkesës së tij, Lumo Skendo i kërkoi qeverisë një parcelë toke me qëllim ngritjen e Institutit Albanologjik. Në dt. 18 shkurt, Ministria e Financave kërkesën ia përcolli Kryesisë së Këshillit Ministror, duke shprehur me shumë fisnikëri përkrahjen ndaj Lumo Skendos. E para që bëri të njohur këtë lajm të shumëpritur për Shqipërinë ishte revista e përmuajshme kulturale “Përpjekja Shqiptare”. Sipas saj, gëzimi i lexuesve ishte i madh. Në redaksi mbërrinin letra të shumta falënderimi. Revista në fjalë shkruante: “Kemi marrë qysh atëherë një tok letra nga të katër anët e vendit, por sidomos nga Shkodra, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, dërgonjësit e të cilave i shprehin përgëzimet dhe urimet e tyre iniciatorit të ndritur të kësaj vepre (Lumo Skendos) dhe kërkojnë shpjegime më të hollësishme rreth zhvillimit që mori puna tani që ndodhet në duar të autoriteteve.” (“Përpjekja Shqiptare” 1938, nr. 17, f. 293). Letra dhe falënderime mori edhe vetë Lumo Skendo. Letra e parë i mbërriti nga arsimtarët e Shkodrës: “Arsimtaret e arsimtarët e Shkodrës muerrën vesht mendimin e juej bujar me i falë vendit t’onë të varfën nji kulture shqiptare. Edukatorët e kësaj krahine, të cillët ju kanë çmue gjatë punës, Ju kanë kujtue gjatë heshtjes, Ju falenderojnë me zemër për të mirën e madhe qi po i bani kombit. Breznit që po rriten, kanë me numurue një ditë veprën t’uej si monument ma të dejë për kohën e pavarësisë.” Shkodër 2-IV-1938, f .714. Po kaq e ndjerë ishte edhe përgjigjja e Lumo Skenos:
“Pesdhjet e katër Zonjave Arsimtare dhe miqve të mij arsimtarë falenderimet ma të thella por edhe ma tepë gëzimin t’im ma të madh. Letra e juaj më preku shpirtin. Që nëntë vjetë, kur kam bërë testamentin për institutin Albanologjik – testamentin depozituar ke noter i atëhershëm Jonus Tafaj – mejtonjë se kjo fondatë s’ka për të qenë as nji depozitë librash, as edhe nji shkollë por nji tempull i ngrehur kultit të Shqipërisë…” Mirëpo pati edhe nga ata që heshtën, patën frikë, mos pas realizimit të kësaj vepre madhore albanologjike, shkëlqimi do të kalonte tërësisht në anën e Lumo Skendos.
Lumo Skendo personalitet i adhuruar
Gjithashtu mes njerëzve dhe intelektualve kishte filluar të flitej se Lumo Skendo duhej të zgjidhej ministër i parë i kulturës shqiptare: “Nuk e ka lanë ende atë mendim të vetin, me ngrehë nji qander kulture albanologjike; edhe shtypi mbarë e përkrah. A thue guxojmë për së tepri, a thue ka për të na u idhnue aj qi ka m’u zgjedhë Ministër i parë i Kulturës Komtare, në kje se e këshillojmë, në dashtë me ia nisë punës me kambë të mbarë, t’i japë fund çashtjes së njaj inisjative kaq të bukur! Nuk asht vetem nji bibliothekë ajo qi do me i falë Lumo Skendo publikut shqiptar; se sa për kaq kishte mujtë me i falë visarin e vet Bibliothekës Komtare e mbaro punë. Por asht nji noter culture.” (Leka 1939, nr. 1-2, f. 47). Po në këtë artikull, vlerësimet për Lumo Skendon ishin maksimale. E shihnin si njeri praktik, largpamës, organizator, e mbi të gjitha atdhetar të vërtetë. Që Instituti Albanologjik të kishte jetë të gjallë e të frytshme duhej të ishte ai në krye të tij, sepse ishte drejtuesi që duhej. Nëse në krye të institutit nuk do të ishte një njeri si Lumo Skendo, atëherë shpenzimet do të rezultonin shterpë. Megjithatë, edhe pse kishin kaluar më shumë se katër muaj nga depozitimi i kërkesës, përgjigjja nuk po vinte. Dikush pengonte.
Kërkesa e dytë e Lumo Skendos
Mirëpo “Z. Lumo Skendo, iniciatori bujar, që nuk dëshiron t’u lihet vend keqkuptimeve, ose siç na tha vetë, fjalëve keqdashëse, i paraqiti më datën 26 maj Kryesisë së Këshillit ministror një kërkesë të dytë duke shtuar edhe sa vijon:
Siç mësojmë nga burime gjysmë zyrtare, shkruante “Përpjekja Shqiptare”, kjo kërkesë e dytë e z. Lumo Skendo u pranua me nderim të duhur dhe do të përkrahet pa asnjë përjashtim nga gjithë anëtarët e kabinetit. Shpresojmë që në numrin e ardhshëm do të jemi në gjendje t’u japim këndonjësve tanë të interesuar sihariqin e pranimit definitive të kërkesës së Z. Lumo Skendo. Ndërkaq ju rekomandojmë që të presim me bindje dhe besim vendimet e Qeverisë.” (“Përpjekja Shqiptare” 1938, nr. 17, f. 293-294.)
Ndërsa gazeta Leka shkruante: “LUMO SKENDO i cilli gjith jetën e vet ka harxhue kursimet e vorfënis së vet të ndershme në libra e botime, zotnon nji bibliothekë të vërtetë, e n’ atë bibliothekë nji koleksjon të randsishëm albanologjik. Na qi e duem plakun idealist e qi njofim e nderojmë veprën e tij kulturale qi ndoshta s’e ka shoqen në Shqipni si veper individuale, kemi dashtë gjithmonë mos po shpërdahet gjithë aj visar. Por jo; aj tash ka da me e ngrehë “vakf” bibliotekën e vet e me e ba themel të njij Instituti Albanoloqjik, Për këtë qëllim i ka lypë Qeverrisë nji tokë e ka vendue me ngrehë vetë ndërtesën e Institutit. Mjerisht gja tjetër nuk diejmë për programë qi ka ndër mend, as për përkrahjen qi ka me i dhanë Qeverija Mbretnore.” (“Leka” nr. 6-7, v. 1938, f. 248.)
Jepet trualli për Institutin
Përpjeka shqiptare solli sërish një lajm që gëzoi gjithë shqiptarët: “…“U nënëshkrua midis Zz. Ministrave të Arësimit e të Financave nga njëra anë, dhe të z. Lumo Skëndo nga ana tjetër, një akt noterial, me të cilin i jepet z. Lumo Skëndos toka e kërkuar në sheshin e Shallvarit me qëllim që të ngrehë godinën dhe zotëri e tij merr përsipër detyrimin që, brënda një afat kohe të caktuar, të plotësojë Institutin, të vendosë atje Bibliothekën e tij dhe të bashkëpunojë, sa për organizimin shkencor të Institutit, me z. Prof. Norbert Jokl. Ëndrra e bukur e Lumo Skëndos, për hir të përpjekjes së tij të vazhduar, po hyn në fazën e saj të realizimit. Me anën e kësajë vepre nuk shpëtohen vetëm afro 20.000 volume libra, por ngrihet edhe një Institut i shkencës shqiptare, i cili do të na shërbejë si guri themeltar për të organizuar jetën t’onë mendore mbi një bazë thjesht akademike. Jemi të sigurt se të gjithë njerzit e mësuar të vendit, sidomos Rinia, do ta çmojnë ashtu siç duhet rëndësinë e kësaj vepre dhe nuk do ta kursejnë ndihmën dhe përkrahjen e tyre morale e materiale për realizimin e saj më të shpejtë dhe më të mbaruar.” (Përpjekja Shqiptare 1939, nr. 25-27, f. 70.)
Mungonte plaku fisnik
Mirëpo tashmë ishte vonë, shumë vonë, ushtria italiane zaptoi Shqipërinë. Çuditërisht edhe ata për të parën gjë që u interesuan ishte Instituti Albanologjik i Lumo Skendos, e dinin që kjo ëndërr kishte rrëmbyer zemrat e shqiptarëve. Një vit më pas nga 9 deri më 12 prill organizuan kongresin e studiuesve shqiptare për albanologjinë, mbërritën edhe albanologët italianë, por asgjë nuk ishte si më parë; mungonte plaku fisnik, Lumo Skendo. Ai edhe më parë nuk dukej nëpër rrugë dhe kafene, ishte gjithnjë duke studiuar për albanologjinë, por shqiptarëve u dukej sikur e kishin atë pranë kudo që ndodheshin ata. Plaku Lumo Skendo, sa fisnik aq dhe idealist, kishte marrë bekimin e atit të tij, Abdyl Frashërit. Kur xhonturqit deshën ta pushkatonin dhe i kërkuan fjalën e fundit, ai tha: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij, në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë.” Ky djal’ i vogël ishte Mit’hat Frashëri. Fatmirësisht pushkatimi nuk ndodhi, por Lumo Skendo e dinte tashmë çfarë kërkonte i ati prej tij, ndaj çdo minutë e kalonte në bibliotekën e vet. Sipas vendimeve të kongresit, organizuar nga italianët, do të ngrihej një komision gjuhësor që t’u jepte zgjidhje çështjeve të tilla, si: drejtshkrimi, gramatika, fjalëformimi, etj.; do të botohej një revistë tremujore enkas për gjuhën shqipe; veprat më të mira të shkruara për shqipen dhe shqiptarët; gramatika shqip dhe një fjalor i madh i gjuhës shqipe me të gjitha dialektet, etj., por sërish nuk pati entuziazëm, sepse tek ata nuk gjenin dot ngjashmëri me sinqeritetin dhe përpjekjet e Lumo Skendos, që ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për gjuhën shqipe dhe Shqipërinë.
Çmimi “Bibliofili Lumo Skendo”
Dhe si për të mos përfunduar këtu, me çlirimin e Shqipërisë, pasuria e Lumo Skendos u sekuestrua, bashkë më të edhe biblioteka që deri atë ditë kishte shërbyer realisht si Institut Albanologjik. Vetëm në vitin 2006, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”. Ky çmim ndahet çdo vit në ditën botërore të librit dhe jepet prej dy institucioneve të përmendura më sipër. Për herë të parë çmimi u dha më 23 prill 2006. Në shtator të vitit 2016 mes një pjesëmarrjeje të madhe intelektualësh, studiuesish dhe personalitet u përurua Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” në Tiranë. Sipas faqes se këtij institucioni: “Z. Tomor Dosti i dhuroi institutit portretin e Mit’hat Frashërit, që mbahej nga ati i tij, Hasan Dosti, në selinë e “Komitetit Shqipëria e Lirë” në New York. Botuesi i mirënjohur Bujar Hudhri i dhuroi institutit veprën e plotë të shkrimtarit Ismail Kadare në 20 vëllime, po ashtu edhe botuesi Ndriçim Kulla kolanën e Mendimit Shqiptar. Ndërsa studiuesi Bardhyl Adem Selimi dhuroi botimin “Adem Gllavica” njëri nga luftëtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare të Kosovës. Drejtori i Institutit Uran Butka lexoi mesazhin e urimit të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare: “I uroj institutit “Lumo Skëndo” mbarësi dhe jetëgjatësi, për të përmbushur testamentin e Lumo Skëndos dhe për të ndriçuar të vërtetën historike të përçudnuar. Fshehja e së vërtetës është një katastrofë morale që mund të kthehet në një katastrofë të mirëfilltë për një popull, që përpiqet të dalë nga errësira në dritë.”
Jeta e lumo Skendos (1880-1949)
Mit’hat Frashëri (1880-1949), biri i Abdylit, nipi i Naimit dhe Shemsedin Sami Frashërit, ishte zgjedhur kryetar i Kongresit të Manastirit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte at Gjergj Fishta. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Botores, në qeverinë e Princ Vidit ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme; kreu detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë nga 1923-1925. Në vitin 1927 botoi sërish në Tiranë, revistën “Diturija”, themeluar në Selanik më 1909 e më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit të tij atje. Mbeti kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në nëntor 1944 u largua nga Shqipëria. Pas 5 vjetësh në Itali, shkoi në SHBA. Në vitin 1949, disa muaj pas mbërritjes atje gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, ora 9.25 minuta, në hotelin “Winthrop” ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak(?). 25 kurora iu dërguan nga njerëzit që e vlerësonin. Në orën 14.00 nisi ceremonia e varrimit. Lutjet u bënë nga Imam Vehbi Ismaili, ardhur nga Detroiti. Kishte qenë amanet i vetë frashëlliut të shquar. Arkivoli i tij u mbulua me flamurin kombëtar. Sot prehet në atdhe, deri para pak kohe ndodhej në varrezat Ferncliff të Nju Jorkut, mes figurave të shquara si Nikola Tesla, etj. Eshtrat e tij u kthyen në javën përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, me vendim të qeverisë shqiptare.
Veprat e Lumo Skendos
Zoti Lumo Skëndo eshtë nji nga shkrimtarët e gjuhës Shqipe dhe gjer më sot ay ka botuare nji tok libra që më pëlqen ti shënojë këtu për ata që nuk i dinë.
1) Bashke me të ndyerin Kristo Luarasin kanë botuare 22 vollume Kalandarin Kombijar, në Sofje – Selanik – Sofje – Tirane 1898 – 1928. 2) Gazetën Lirija në Selanik, 1908 – 1909.
3) Revistën “Diturija” në Selanik, pastaj në Romani dhe më në fund në Tiranë, 1909-1916-1926-1929.
Nga librat që ka botuar më të shënuarat janë këto që shënojmë më poshtë:
4) Flamuri i Marko Boçarit. 1928
5) Hi dhe Shpuzë, Sofje 1915
6) Letra nga Svicra, Sofje 1915
7) Robinsoni e Daniel De Foe, Selanik 1909
8) Gjyjom Teli, e Lamartin-it Sofje 1898
9) Plagët t’ona, Tiranë 1924
10) Naim Frashëri, Sofje 1901, Tiranë 1923
11) E pritmja e Shqipërisë, Sofje 1915
12) Methodha e Gjuhës Frëngjishte, Bukuresht 1902
13) Methodha e gjuhës Engleze, Sofje 1908
14) Bëj të mirën pa hidhe në det – prej Gjermanishtes Sofje 1910.
15) Këndime për reshtat filtare – Selanik 1910
16) Dhetregonja, Sofje 1902
17) Këndime për shkollat e para Selanik 1910
18) Këndime – Stamboll 1910
19) Këndime diturije dhe bujqësije, Stamboll 1910
20) Dheshkronja – Stamboll 1912
21) Historija e Turqisë Stamboll 1912
22) Shkurtabiqi i verdhë – miu i Vogël – Sorkadhja e bardhë prralla në Sofje 1914
23) grueja – libër për gratë dhe për burrat Tiranë 1929
Për të bërë të njohur çështjen Shqiptare në kohërat e rrezikshme për Shqipërinë ky burrë botoj në fletore të ndryshme dhe pastaj si broshurë të veçantë në gjuhën frëngjishte këto libra:
24) L’indipendence Albanese flet pesmbëdhjetditëshe në Sofje më 1914 dhe në Bukuresht 1915
25) L’Affair de l’Epire – Sofje 1915
26) La population de l’Epire 0 Sofje 1915
27) Unë ere nouvelle pour l’Albanie – losanna 1918
28) Les Revendications albanaises id. 1919
29 La Renaissance albanaise id. 1919
30) Pour l’albanaise id. 1919
31) Les Albanais chez eux et a l’Etranger – Losanna 1919
32) Albanais et Slaves – Losanna 1919
33) Les Albanais – Paris 1920
Si dhe disa libra të tjera të cilat në nuk i kemi që t’i përshkruajmë këtu, me gjithë këtë ky veteran gjithnjë është duke punuar për të mirën e letërsisë dhe të çështjes shqiptare. Nga botimet e tij shihet kjartas sa shërbime të mëdha i ka sjellë letërsisë dhe çështjes s’onë dhe jemi të bindur se ka edhe për të punuar si gjer më sot. Librat e z. Lumo Skendo janë popullore dhe për këtë këndohen me ëndje në të gjithë viset e atdheut t’onë. I lumtë këtij burri të palodhur
(Hylli i Dritës, kallënduer-fruer 1940, nr. 1-2, f. 61-63)
Për hartimin e këtij shkrimi u shfrytëzuan këto materiale:
Lumo Skendo: “Histori e shkrimit shqip”, “Diturija” v. 1909, nr. 1, f.1-6.
Pa autor, “Më të vjetrët shkrime shqip”, v. 1916, nr. 1. f .4-5
Pa autor, “Shkrime të harruar e të pa-ditur”, “Diturija” v. 1916, nr. 2, f. 20-23.
Pa autor, “Shkrime të harruar e të pa-ditur”, “Diturija” v. 1926, nr. 1, f. 1-6.
Pa autor, “Dëshirojmë të blejmë çdo libër…”, “Diturija” v. 1927, nr. 3, f. 122 (fundi i revistës).
Pa autor, “Katedrat e Gjuhës shqipe në vende të huaja dhe…”, “Diturija 1927, nr. 5, f.161-166.
“Bibliografi”, “Diturija” v. 1927, nr. 5, f.195.
Lumo Skendo, “Një Institut Albanologjie…”, “Përpjekja Shqiptare” v. 1938, nr. 14-15, f. 149.
Lumo Skendo, “Për historinë e Shqipërisë”, “Përpjekja Shqiptare” v. 1936, nr. 1., f. 9-14.
Pa autor, “Instituti i Albanologjisë”, “Përpjekja Shqiptare” v. 1938, nr. 17, f. 293-294.
Pa autor, “Instituti i Albanologjisë”, “Përpjekja Shqiptare” v. 1939, nr. 25-27, f. 70.
Pa autor, “Kujtime të njizetepesëvjetorit”, “Leka” v. 1938, nr. 6-7, f. 248.
Pa autor, “Lumo Skendo”, “Leka” v. 1939, nr. 1-2, f. 47-48.
“Instituti Albanologjik i z. Lumo Skendo”, “Hylli i Dritës” v. 1938, nr. 12, f. 713-715.
Bardhyli, “Biblioteka Frashëri”, “Hylli i Dritës”, kallënduer-fruer 1940, nr. 1-2, f. 60-63.
Pa autor, “Për nji Atlant Gjuhësor të shqypes”, Hyll i Dritës v. 1940, nr. 3-4, f. 110.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...