Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 27, 2021 Zani i Nalte Editoriale 0
nga Prof. Asoc. Dr. Alban Dobruna, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Kosovë
Abstrakt
Në periudhën e zhvillimeve të Krizës Lindore (1875-1881) në Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha arritën të kryejnë ndryshime në hartën politike të Gadishullit Ballkanik, veçanërisht në hartën e trevave shqiptare. Pasojat e këtyre ndryshimeve ishin të lidhura me Luftën Ruso-Osmane (1877-1878) dhe nënshkrimin e paqes së saj në Shën Stefan, më 3 mars 1878. Qëllimi kryesor i këtij punimi është të pasqyrojmë pasojat e politikës pan-sllaviste, ekspansioniste e hegjemoniste që ndoqi Rusia cariste në atë kohë në dëm të tokave shqiptare. Në këtë punim do të pasqyrojmë situatën e krijuar në Ballkan, të cilën e shfrytëzuan shtetet ballkanike, si: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e më vonë edhe Greqia, qarqet sunduese të të cilave synonin zgjerimin tyre nëpërmjet pushtimit të tokave shqiptare. Meqenëse ky traktat i nëpërkëmbi interesat e popullit shqiptar, hasi në rezistencën e tij, ku u organizua një qëndresë e fuqishme kundër zbatimit të tij. Shqiptarët bënë lëvizje të ngritura mbi një bazë të shëndoshë, të mbështetur nga një mendim i formuar politik, siç e tregojnë memorandumet e shqiptarëve drejtuar Fuqive të Mëdha, apo edhe mendimet e shprehura nga ideologët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ishin këta ideologë dhe patriotë të popullit shqiptar që themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një organizatë bashkuese dhe udhëheqëse gjithëkombëtare, e cila u bë faktor i organizimit dhe i zhvillimit politik, ushtarak dhe kulturor të shqiptarëve.
Fjalët kyçe: Perandoria Osmane, Rusia, Kriza Lindore, Traktati i Shën Stefanit, Shqiptarët.
Hyrje
Rusia, për të vendosur ndikimin e saj në Ballkan, për të ngritur prestigjin e vet në arenën ndërkombëtare, për të “qetësuar” gjendjen e tendosur politike të brendshme, si dhe për t’i dhënë fund shtetit osman e për të shtënë në dorë Stambollin[1], vendosi t’i shpallë luftë Perandorisë Osmane me parullën tashmë të njohur “të mbrojtjes së vëllezërve sllavë”[2], duke e përdorur ortodoksinë si themelin e parë ideologjik të politikës së Rusisë në Ballkan[3]. Për këtë u gjet si shkak hedhja poshtë e projektit të autonomisë së Bosnjë Hercegovinës dhe Bullgarisë, të hartuar nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha. Rusia, pa humbur kohë, filloi planet e saja. Ndërsa në njërën anë ajo mobilizoi të gjitha forcat e saja ushtarake, në anën tjetër kërkonte një marrëveshje diplomatike me Fuqitë e Mëdha të Evropës, të cilat duhej më pas ta lejonin të kishte dorë të lirë për të hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane, pasi Qeveria Ruse nuk mund ta fillonte luftën pa neutralizuar Austro-Hungarinë. Në marrëveshjen e Budapestit (janar 1877), ajo i njohu të drejtën Austro-Hungarisë të pushtonte, pas luftës, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe të vendoste ndikimin e saj të plotë në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik[4]. Për të realizuar këto qëllime, Rusia ushtroi një aktivitet të madh diplomatik, sidomos në viset shqiptare, ku hapi përfaqësitë e saja diplomatike nëpër qendrat administrative të vilajeteve shqiptare, si: Shkodra, Manastiri, Janina, Shkupi, Prizreni, etj. Ajo, në këto qytete dërgoi diplomatë të aftë, të cilët shënonin të gjitha aktivitetet dhe përshkruanin gjendjen ekonomike, shoqërore dhe kulturore të këtyre viseve[5]. Kjo erdhi si rrjedhojë e barrës fiskale të shtetit osman, të cilën shqiptarët nuk po e duronin dot më, andaj po vinin në lëvizje popujt e Ballkanit, të cilët kishin një gatishmëri luftarake në masat popullore. Mirëpo, këtë gatishmëri të popujve ballkanikë, të cilët dëshironin të realizonin kërkesat e tyre, mundoheshin ta shfrytëzonin Fuqitë e Mëdha për qëllime të veta. Këtu duhet kërkuar edhe shkaku i angazhimit të Rusisë cariste, e cila, ishte e njohur me gatishmëri të popujve të Ballkanit nën Perandorinë Osmane, u preokupua të organizojë kryengritjen e përbashkët të tyre[6]. Mirëpo qëndrimi rus, i cili, pavarësisht se ishte thuajse në të njëjtën linjë me Fuqitë të tjera të Mëdha për ruajtjen e status-quosë që të mos cenonte legjitimitetin e sundimit osman, veçanërisht në tokat shqiptare, kishte dallime thelbësore prej tyre. Qëndrimi i Rusëve ndaj shqiptarëve ishte shumë më radikal. Shën Petërburgu jo vetëm që i konsideronte shqiptarët si osman, por shkonte edhe më tej duke i etiketuar osman rebelë, plaçkitës, anarkistë, dhunues[7].
Lufta Ruso-Osmane-1877-1878
Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane në prill të vitit 1877. Ushtria ruse kishte epërsi të madhe ndaj asaj osmane. Më 20 janar 1878 ajo hyri në Adrianopol dhe në Azi pushtoi qytetin Bajazet dhe rrethoi Karsin. Ushtria malazeze në Ballkan mundi të pushtojë midis të tjerash, tokat shqiptare Tivarin, Ulqinin dhe doli në breg të lumit Buna, afër Shkodrës, ndërsa ajo serbe pushtoi Nishin dhe Gjilanin[8]. Ushtria ruse u gjend në dyert e Stambollit, ndërsa Perandoria Osmane ishte përpara katastrofës. Kur në fund të shkurtit ushtria ruse arriti në Shën Stefan, vetëm 12 kilometra nga Stambolli[9], Porta e Lartë kërkoi paqe dhe kjo u nënshkrua në Shën Stefan më 3 mars 1878[10].
Disfata e Perandorisë Osmane në këtë luftë shkaktoi pasigurinë dhe rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare. Në Shën Stefan, Rusia i imponoi Perandorisë Osmane kushte të rënda të paqes, me ç’rast filloi të zbatohej politika tradicionale e Rusisë për rrënimin përfundimtar të kësaj perandorie[11] dhe realizimi i ëndrrës së vjetër ruse për dalje në Detin Mesdhe, ishte bërë më në fund realitet[12]. Perandoria Osmane do të humbte 350 000 km2, prej të cilave në Ballkan 280 000 km2 dhe pjesa tjetër në territoret aziatike. Sipas këtij traktati aleatët e Rusisë zgjeroheshin territorialisht si vijon: Serbia nga 37.7 mijë km2 rritej në 52.7 mijë km2, Mali i Zi nga 4.7 mijë në 15.7 mijë km2 dhe do të formohej Bullgaria me 172.5 mijë km2. Tokat e tjera iu ndanë Rusisë dhe Rumanisë. Perandorisë Osmane do t’i mbeteshin vetëm rreth 20% të tokave në Ballkan, një rrip toke nga Bosfori deri në Adriatik[13].
Copëtimi i trojeve shqiptare nga Traktati i Shën Stefanit
Traktai i Shën Stefanit dhe shqiptarët
Traktati i Shën Stefanit cenonte rëndë territoret shqiptare. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike[14], por ajo edhe i injoronte shqiptarët si element etnik[15]. Ky traktat, jo vetëm që nuk bënte fjalë për një shtet autonom shqiptar, siç qe thënë në marrëveshjen e Budapestit, por Shqipërinë e linte nën sundimin osman. Për shqiptarët do të ishin fatale të 29 pikat e nënshkruara të traktatit. Sa për ilustrim ne po përmendim disa prej tyre. Pika e 1-rë , theksonte se Ulqini, Kraja, Shpuza, Anamali, Hoti dhe Gruda, Zhabjaku, Plava dhe Gucia e Tivari t’i jepeshin Malit të Zi. Në pikën e 3-të, theksohej se Serbia bëhej e pavarur dhe i jepeshin territoret e Nishit, lugina Drina-s e Zvorniku i vogël, Pazari Ri, lugina e Ibrit. Në pikën 6-të, përcaktohej se me shtetin bullgar bashkoheshin krahina me popullsi shqiptare si Kumanova, Koçana, Tetova, Krrab e Drinit të Zi, Ohri, Korça, Starova, Gramozi, liqeni i Kosturit e deri te lugina e Vardarit[16]. Qartësisht, duket se Traktati i Shën Stefanit, vepër e Rusisë cariste, me cungimet që u bënte tokave shqiptare, e trajtonte Shqipërinë si një plaçkë tregu. Ai ishte një akt ndërkombëtar, që shënonte fillimin e copëtimit të trevave shqiptare[17] dhe i bindi më në fund të gjithë shqiptarët se atdheu i tyre gjendej në njërin nga momentet më kritike të ekzistencës së tij, se ata duhej të merrnin në duart e veta fatin e tyre[18].
Reagimet e shqiptarëve kundër vendimeve të kësaj paqeje erdhën nga intelektualët shqiptarë që jetonin në Stamboll, por edhe nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare që jetonin në trevat shqiptare[19]. Është e habitshme se si Mali i Zi, i përbërë nga një grup njerëzish me tradita të hershme rebelizmi, që edhe në atë kohë vazhdonte pa kurrfarë tradite të organizimit për udhëheqje, arriti të krijonte një shtet e një qeveri[20], të zgjerohej në tokat e një kombi tjetër, duke shkuar aq larg sa kufiri jugor i tij të shtrihej deri në lumin Drin, duke përfshirë krejt tokat midis Adriatikut e Gjakovës[21].
Realiteti historik, politik dhe ushtarak që u krijua me traktatin e Shën Stefanit për trojet shqiptare, ndikoi fuqimisht tek inteligjencia shqiptare dhe në veçanti tek ajo islame; si te kadinjtë, myderrizët, hoxhallarët e shehlerët. Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Haxhi Zeka, Ismail Efendiu, Shejh Mustaf Tetova, si ndër më të njohurit e parisë islame në trevat shqiptare, ndiqnin me vëmendje zhvillimet politike e ushtarake gjatë luftës ruso-turke dhe shqetësoheshin veçanërisht për pasojat që do të kishin vendimet e Shën Stefanit për tërësinë territoriale të trojeve shqiptare. Kështu, në lidhje me angazhimin e klerikëve myslimanë në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit, konsulli anglez në Shkodër, Kirby Green, më 3 maj 1878, duke pasqyruar lëvizjen e rezistencës shqiptare, ndër të tjerash, shkruante: “Në krahinën e Gucisë, Plavës, Beranës, Graniqit dhe në shumicën e shpatijeve lindore të maleve të Shqipërisë Veriore, Lidhja depërtoi në mes të myslimanëve, duke i lidhur kolektivisht dhe individualisht për të rezistuar, deri në vdekje, të gjitha përpjekjet, pa marrë parasysh a janë ato përpjekje të jashtme ose të Portës, përpjekje këto që duan ta ndërrojnë gjendjen e tanishme të territorit të tyre.”[22]. Po ashtu, në të njëjtën linjë të pakënaqësive dhe për qëndresën e popullit shqiptar karshi traktatit të Shën-Stefanit, shprehet edhe Kolona Çekaldi, konsull i Francës në Shkodër, në raportin e tij për Vadingtonin, ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, ku ndër të tjera shkruante: “Që kur u morën vesh në Shqipëri vendimet e Traktatit paraprak të Shën Stefanit, popullata është e interesuar të dijnë nëse ato do të zbatohen pak a shumë plotësisht. Kështu, popullata e rretheve të Shpuzës dhe të Podgoricës shfaqin një pakënaqësi të madhe rreth perspektivës që të shohin territoret e tyre t’i jepen Malit të Zi. Kjo neveri është edhe më e dukshme ndër banorët myslimanë të Gucisë dhe të Plavës, që janë strukur në qytetet e tyre, të vendosur, siç thonë ata, të kundërshtojnë me forcë pushtimin e territoreve të tyre. Qëndrim të njëjtë mbajnë edhe malësitë katolike të Kelmendit, Kastratit dhe Hotit, të cilat, sipas Traktatit, i jepen tërësisht ose pjesërisht Malit të Zi.”[23]. Kjo dëshmon unitetin midis elementit mysliman, katolik dhe ortodoks, ndaj çështjes së kombit dhe atdheut, të cilët para se të ishin fetarë, ishin shqiptarë. Boshti i këtij uniteti, u bë bashkëjetesa dhe toleranca fetare e elementit mysliman, që zinte vendin kryesor për nga numri i popullsisë, gjë që e dëshmonte edhe protesta e popullsisë së Tetovës, më 22 maj 1878 ku ndër të tjera, vihej në dukje: “Ne banorët e Tetovës jemi më shumë se 30.000 burra myslimanë, ndërsa të krishterët nuk janë më shumë se një e katërta. Pra, myslimanët përbëjnë shumicën në numër, por e lëmë këtë, sepse si shqiptarë ne jemi të gjithë të bashkuar. Kështu dhe ne si bashkatdhetarët tanë të krishterë e shohim të pamundur jetesën nën cilëndo administratë të pavarur ose autonome (të shteteve fqinje A. D.)”[24].
Zhvillimi i shpejtë i këtyre ngjarjeve, shtroi përpara popullsive të krahinave të ndryshme shqiptare çështjen e fatit të mëtejmë të trevave të tyre, sidomos tani kur shembja e Perandorisë Osmane ishte e afërt dhe e pashmangshme, e në anën tjetër, fqinjët kërkonin shpejtimin e zbatimit të vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit[25]. Prandaj, patriotët shqiptarë filluan të mendonin për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë dhe për mbrojtjen e vendit nga okupimi tjetër, që i kanosej nga ana e shteteve që punonin për copëtimin e shtetit osman. Kështu, në Kosovë, në Dibër e në disa krahina të Veriut filluan të organizoheshin reparte lokale të vetëmbrojtjes, në rast se operacionet luftarake të vendeve fqinje, do t’u kërcënoheshin drejtpërdrejt viset të tyre[26].
Duke e parë gjithë këtë reagim të popullit shqiptar, për mos cenimin e territoreve shqiptare, Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, në thirrjen drejtuar shqiptarëve dhe opinionit botëror, më 30 maj 1878, theksonte: “Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jetojmë në paqe me mbarë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur që ta mbrojmë atë që është jona. T’u lihet shqiptarëve toka shqiptare.”[27]. Në periudhën nga Traktati i Shën Stefanit deri në Kongresin e Berlinit, Fuqitë e Mëdha zhvilluan një veprimtari intensive diplomatike e cila ndikoi në vlimet politike në Shqipëri. Ruajtja e pranisë së Perandorisë Osmane në Evropë[28], e motivoi më tepër opinionin shqiptar brenda dhe jashtë vendit për realizimin e kërkesave të tij dhe sidomos atë të mbrojtjes së territoreve shqiptare.
Kongresi i Berlinit
Më 13 qershor 1878 Fuqitë e Mëdha u mblodhën në Berlin, në një kongres ndërkombëtar, për të rishikuar vendimet paraprake të Shën-Stefanit, për t’i dhënë zgjidhje Krizës Lindore. Në kongres ishin thirrur 160 përfaqësuesit e Anglisë, Francës, Rusisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë dhe Perandorisë Osmane[29]. Rendi i ditës, procedura e rezultatet ishin paracaktuar që më parë, nëpërmjet konsultimeve paraprake ose marrëveshjeve sekrete. Në Kongresin e Berlinit çështja shqiptare nuk u diskutua. Duke e shpërfillur ekuilibrin demografik të shqiptarëve në rajon, fuqitë vendimmarrëse në këtë kongres, jo vetëm nuk i neutralizuan grindjet politike ndër etnike, por kontribuuan në formësimin e një atmosfere konfliktuale[30] dhe, sipas gjuhës diplomatike, lihej të kuptohej se monarkive fqinje ballkanike po u liheshin dyert e hapura për kërkesat e tyre të mëvonshme territoriale, në dëm të Shqipërisë[31]. Shqiptarët u alarmuan edhe më shumë pas qëndrimit të kancelarit të Gjermanisë Otto von Bismarck, i cili kishte thënë se: “Nuk ka komb shqiptar.”[32]. Prandaj edhe kërkesat e popullit shqiptar të depozituara në dosjet e shumta të Kongresit të Berlinit, nuk u përfillën fare[33].
Prej datës 21 qershor e deri më 11 korrik të vitit 1878 Kongresit iu dërguan 145 peticione të përfaqësuesve të popullsisë së krahinave të rrezikuara si: Manastiri, Tivari, Shkupi, Prokupja, Kurshumlia, Dibra, Prishtina, Podgorica, Shpuza, Gruda, Hoti, etj.[34]. Thuajse pjesa më e madhe e procedurës së zbatimit të vendimeve të Kongresit i takon asaj që cilësohet “kundërshtimi shqiptar i vendimeve të Kongresit”[35], edhe pse në këtë Kongres u zvogëluan dukshëm pretendimet ruse në dobi të vendeve sllave të Ballkanit[36].
Këto peticione u kërkonin përfaqësuesve të Kongresit të Berlinit që të kishin parasysh fatkeqësitë që i kërcënoheshin ekzistencës së tyre. Kombi shqiptar, qoftë mysliman a katolik, si nga raca dhe feja, dallohej krejtësisht nga sllavët dhe ishte unanim në vendimin e tij për të mbrojtur atdheun e vet kundër ndarjes territoriale, e projektuar në kundërshtim me historinë, interesat dhe dëshirat e tij. Në mbrojtje të integritetit kombëtar dhe territorial, ata kërkonin që shqiptarët të kurseheshin nga konfliktet e kobshme, të cilat do të shpërthenin, nëse do të prekej Shqipëria. Ata dëshironin rrugën e zhvillimit, e cila do t’i bënte të ndiqnin influencën e kënaqshme të civilizimit[37]. Ndërsa në memorandumin e Komitetit Shqiptar të Stambollit, i cili i ishte drejtuar shefit të delegacionit austro-hungarez në Kongresin e Berlinit, Andrash, theksohej se: “Kongresi duhet të dijë se ekziston një vend i cili quhet Shqipëri dhe ne kërkojmë që të formohet komisioni i cili do të përbëhet nga shqiptarët dhe i cili me pëlqimin e qeverisë turke do të studionte formën e rregullimit të brendshëm dhe ai t’i hartonte dispozitat për institucionet e reja lokale në frymën e karakterit, të zakoneve dhe të nevojave të vendit”. Një kërkesë gati të këtillë e gjejmë në memorandumin e Shkodrës, dërguar lordit Bikonsvilld, ku thuhej se: “Çështja shqiptare duhet të zgjidhet në të mirë të shqiptarëve, sepse ata kanë kombin e vet, kanë gjuhën e përbashkët, traditat dhe karakterin, megjithëse Turqia ka bërë përpjekje që t’i asimilojë; ata urrejnë pushtetin turk po ashtu si edhe çdo dominim tjetër…” Memorandume, peticione dhe telegrame me përmbajtje të ngjashme i kanë dërguar Kongresit të Berlinit edhe qytetet e tjerë[38]. Në këto memorandume shprehej shumë qartë kërkesa e shqiptarëve për autonominë e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane.
Hapi i parë për në Kongresin e Berlinit, ishin vendimet për formimin e dy Komisioneve Ndërkombëtare, për të zbatuar caktimin e kufirit të ri serbo-osman dhe atë osmano-malazez. Në këtë marrëveshje përcaktohej se Serbia, Mali i Zi dhe Rumania e fitonin pavarësinë. Vendet që plotësisht ishin të banuara me shqiptarë si Plava, Gucia dhe Ulqini do t’i jepeshin Malit të Zi, ndërsa Vraja, Kurshumlia dhe Leskovci i njiheshin zyrtarisht Serbisë[39]. Me këto vendime, shkruante Abdyl Frashëri, Kongresi i Berlinit shënonte fillimin e asgjësimit të shqiptarëve si komb[40].
Hyrja e ushtrisë austro-hungareze në Bosnjë dhe Hercegovinë tregonte se Fuqitë qenë të vendosura të zbatonin pikë për pikë vendimet e Traktatit të Berlinit në Ballkan. Mirëpo zbatimi i vendimeve të tij në territoret shqiptare, do të varej kryesisht nga qëndrimi që do të mbante populli shqiptar, nga rezistenca e tij dhe organizimi i kësaj rezistence. Shqiptarët tashti u ndërgjegjësuan se shpëtimi i vendit varej vetëm prej tyre. Prandaj, aneksimi i Bosnjës dhe i Hercegovinës ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për mobilizimin e tyre të fuqishëm në funksion të mbrojtjes së territoreve shqiptare[41].
Në lidhje me mobilizimin e shqiptarëve në këtë kohë, në relacionin e tij nga Prizreni, G. F. Kiari shkruante se: “Paria dhe krerë të të gjitha fiseve të Shqipërisë së Veriut janë mbledhur këtu, edhe të deleguar prej Bosnjës e Hercegovinës, ata prej Kypirlysë (Veleshë A.D.), Ishtipit (Shtipi A.D.), Manastirit dhe Shkodrës i pritën mbrëmë. Gjithashtu, prej Selanikut delegatët duhet të nisen për Prizren ose Janinë. Nuk duan t’i pranojnë kufijtë e Bullgarisë, Serbisë e të Malit të Zi, të projektuara në Traktatin e Shën Stefanit në kurriz të Shqipërisë edhe po bëhen gati për një kryengritje masive, pikësëpari kundër Serbisë në rast të vendimeve të disfavorshme të Kongresit (Kongresit të Berlinit A.D.)”[42]. Si rrjedhim figura të shquara të rilindjes kombëtare midis të cilëve edhe Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Ilijaz Pashë Dibra, Ahmet Koronica, morën iniciativën dhe kontribuuan në themelimin e një qendre drejtuese për udhëheqjen e popullit shqiptar në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit. Kështu u themelua Lidhja e Prizrenit, e cila u bë organizata që përfaqësonte interesat e popullit të vet.
Kjo Lidhje u shndërrua në një organizatë politike-ushtarake, që, për nga shtrirja, organizimi, dhe veprimtaria e saj shumëplanëshe, shënonte etapën më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në shek. XIX[43]. Ajo mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve: a) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt të të drejtave kombëtare; b) të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit, në favor të monarkive fqinje ballkanike; c) të realizonte bashkimin e mbarë trojeve etnike shqiptare në Ballkan në një formacion shtetëror autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Përfundime
Në luftën ruso-osmane të vitit 1877-1878, Rusia e mundi Perandorinë Osmane në betejë, duke e detyruar sulltanin të kapitullonte. Pasi i vunë përpara forcat osmane, ushtria pushtuese ruse përparoi drejt Stambollit duke iu afruar atij brenda rrezes së artilerisë. Për pasojë, cari rus i diktoi sulltanit kushtet e traktatit të Shën Stefanit, të cilat kërkonin nga osmanët të hiqnin dorë nga hapësira të gjëra të territorit në Rumeli dhe Anadoll. Nga ana e tyre, shqiptarët u përballën me humbje toke, si në Shqipërinë e veriut ashtu edhe në atë të Jugut, prej lakmisë së shteteve fqinje.
Lufta kishte shpalosur dukshëm dobësitë e mëdha të ushtrisë ose shtetit osman. Perandoria Osmane e kishte lënë fatin e popullit shqiptar në mëshirë të diplomacisë evropiane në kohën kur vetë Fuqitë e Mëdha ndërhynë për t’i dhënë drejtim situatës. Traktati i Shën Stefanit ndeshi në një qëndresë energjike nga Anglia dhe Austro-Hungaria që para së gjithash nuk donin krijimin e një mbretërie bullgare të madhe që të ishte nën protektoratin e Rusisë. Kështu shqiptarët nisën të organizoheshin në nivel krahinor për të mos lejuar më tej humbjen e trojeve të tyre. Ata menjëherë, pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, filluan t’i dërgonin peticione Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, ku parashtronin kërkesa të ndryshme, që kishin për qëllim ruajtjen e tërësisë tokësore të trojeve shqiptare, të cilat kërcënoheshin nga shtetet fqinjë. Ata ishin të bindur se, tanimë, pas Traktatit të Shën Stefanit, të diktuar nga rusët dhe të nënshkruar pa dëshirë nga përfaqësuesit osmanë, ishin krijuar kushtet e përshtatshme për realizimin e synimeve të tyre të hershme, si: formimin e një vilajeti të përbashkët shqiptar, sigurimin e autonomisë së shqiptarëve dhe zbatimin e reformave ekonomike, politike dhe ushtarake. Andaj ata formuan një organizatë politike-ushtarake të quajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ajo u ngrit si një platformë kundërpërgjigje ndaj vendimeve të marra në Traktatin e Shën Stefanit dhe u bë një zë i artikuluar për mbrojtjen e qenies shqiptare në suazat e rrethanave ndërkombëtare të kohës.
[1]. Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëllimi I-rë, Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike: Instituti i Historisë, 2017, f. 79: Stanford J. Shaw & Ezel Kural Shaw, Historia e Perandorisë Osmane dhe Turqisë Moderne, Tiranë: Isar, 2006, f. 233.
[2]. Koli Xoxi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), Tiranë: Shtëpia botuese “8 nëntori”, f. 45.
[3]. Thoma Murzaku “Politika ballkanike e Rusisë gjatë viteve të Krizës Lindore (1875-1878) dhe rrjedhojat e saj për shqiptarët”, Studime historike, Tiranë: Akademia e Shkencave e RSH: Instituti i Historisë, Nr. 1-2, Viti. LII (XXXV), 1998, f. 173.
[4]. Rexhep Krasniqi, Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipnisë, Tiranë: Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”, 2007, f. 63.
[5]. Shemsi Ajvazi, “Qëndrimi i Rusisë ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Gjurmime albanologjike–SSHH, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Nr. 33-34/2003-2004, 2005, f. 226; Gazmend Rizaj, “Aspekte të luftës ruso-osmane (1877-1878) nga konteksti i punimeve të parlamentit osman”, Buletin, Universiteti i Prishtinës: Fakulteti Filozofik, Nr. XXVI, 2001, f. 98-99.
[6]. Masar Kodra, “Dibra me rrethinë në kohën e Lidhjes së Prizrenit”, Dituria, Prishtinë: Revistë shkencore e studentëve të Kosovës, Nr. 1-2, 1978, f. 15.
[7]. Islam Lauka, Instrumentalizimi rus i konceptit “Shqipëria e Madhe”, Konferencë shkencore ndërkombëtare, (8-9 qershor 2018), Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës: Seksioni i Shkencave Shoqërore, 2019, f. 56.
[8]. Masar Rizvanolli, “Depërtimi i ushtrisë serbe në Kosovë më 1878 dhe qëndresa e shqiptarëve”, Buletin, Prishtinë: Universiteti i Prishtinës: Fakulteti Filozofik, Nr. XXV, 1998, f. 245.
[9]. Erik J. Zűrcher, Historia e Turqisë, Përktheu: Kujtim Ymeri, Tiranë: Dituria, 2013, f. 83.
[10]. Marjan Prenkaj, “Disa aspekte të rezistencës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit 1878-1881”, Vjetar, Prishtinë: Arkivi i Kosovës, Nr. XVIII-XIX, 1984, f. 45; Muhamet Pirraku, Copëtimet e Shqipërisë nga fillimi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX, Albanologji, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Nr. 2/2011, 2012, f. 215.
[11]. Muhamet Shatri, “Rreth disa kundërthënieve ndërmjet Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi lidhur me çështjen shqiptare në vitet e Krizës Lindore 1875-1881”, Dituria, Prishtinë: Revistë shkencore e studentëve të Kosovës, Nr. 1-2, 1978, f. 65.
[12]. Edwin Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Tiranë: Kartë e Pendë, 1995, f. 286.
[13]. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni-ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1877-1887, Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë etnike, Tribunë shkencore në 115-vjetorin e martirizimit të Ymer Prizrenit 12 qershor 1887-12 qershor 2002, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës: Dega e Historisë, 2002, f. 78.
[14]. Isa Bicaj, Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze (1881-1914), Prishtinë: Instituti i Historisë-Prishtinë, 2003, f. 19.
[15]. Gazmend Shpuza, Kuvendime për Historinë Kombëtare, Tiranë: Dituria, 2000, f. 81.
[16]. “Përmbajtja e pikave të Traktatit të Shën Shtjefanit”, Leka, Shkodër: Numër i veçantë Vj. X, Nr. X-XII, Botim i kujtimit të 60-vjetorit të Lidhjes së Prizrendit, dhetuer 1938, f.451.
[17]. Thoma Murzaku, Traktai i Shën-Stefanit dhe rrjedhimet e zbatimit të tij për shqiptarët, Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, (12-28 qershor 1978), Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë, 1979, f. 104.
[18]. Masar Rizvanolli, “Pretendimet territoriale të Serbisë në prag të marrëveshjes së Shën Stefanit dhe reagimi i shqiptarëve”, Gjurmime albanologjike-SSHH, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Nr. 27/1997, 2000, f. 116.
[19]. Fitim Rifati, “Traktati i Shën Stefanit dhe reagimet e shqiptarëve”, Kosova, Prishtinë: Instituti i Historisë-Prishtinë, Nr. 35-36, 2012, f. 161.
[20]. Arkivi Qendror Shqiptare, Fondi: 858, Nr. 1, V. 1878, fl. 140: Kujtime me përmbajtje historike, të shkruara prej Emin Plavës, me tituj “Shqiptarët dhe Turqit”, “Shqipëria dhe Sulltanët”.
[21]. Thoma Murzaku, Çështja e aleatëve të Lëvizjes Kombëtare në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit I (Referate dhe kumtesa të mbajtura në seksionin e historisë 6-9 qershor 1978), Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovë, 1981, f. 62.
[22]. Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit sipas dokumenteve angleze, Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit I, (Referate dhe kumtesa të mbajtura në seksionin e historisë 6-9 qershor 1978), Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovë, 1981, f. 372.
[23]. Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit I (Dokumente arkivash franceze 1876-1879), Përgatiti: Ligor Mile, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë, 1978, f. 145.
[24]. Kujtim Nuro, “Toleranca dhe harmonia e fesë islame te shqiptarët-faktor i rëndësishëm për çështjen kombëtare”, Univers: Tiranë, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Nr. 1, 2001, f. 127.
[25]. Skënder Blakaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Prishtinë: Arbi Ltd, 2013, f. 57.
[26]. Skënder Rizaj, “Drejt paqes së Shën Stefanit (1878) në dritën e burimeve turko-osmane dhe angleze”, Gjurmime albanologjike-SSHH, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Nr. VI-1976, 1977, f. 54.
[27]. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912. Memorandume, Vendime, Protesta e Thirrje, Stefanaq Pollo-Selami Pulaha, Tiranë, 1978, f. 19.
[28]. Shemsi Ajvazi, “Formimi, forcimi dhe zgjerimi i Lidhjes së Prizrenit sipas shtypit qendror Rus”, Kosova, Prishtinë: Enti i Historisë së Kosovës, Nr. 5, 1976, f. 98.
[29] Ksenofon Krisafi, “Çështja shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe në forumet e tjera të diplomacisë së Fuqive të Mëdha”, Studime historike, Tiranë: Akademia e shkencave e RSH: Instituti i Historisë, Nr. 1-2, Viti. LII (XXXV), 1998, f. 150.
[30]. Esmeralda Osmani Kolaneci, Roli i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (140 vjet mbas), Konferencë shkencore ndërkombëtare (8-9 qershor 2018), Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2019, f. 153; Jusuf Bajraktari, “Shpërnguljet me dhunë të shqiptarëve në fund të shekullit XIX”, Studime, Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Nr. 2, 1995, ff. 61-62.
[31]. Gazmend S. Rizaj, Shqipëria e sipërme 1800-1913, Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2011, f. 134.
[32]. Stavro Skendi, “Nga Kruja në Vlorë”, Perpjekja shqiptare, Tiranë: Nr. 13, jenar 1938, f. 4; Jacques Bourcart, Shqipëria dhe Shqiptarët, Tiranë: Dituria, 2004, f. 93; Marenglen Verli, “Rreth qëndrimit dhe pikëpamjeve të diplomacisë austro-hungareze ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Ymer Prizrenit”, Studime historike, Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike: Instituti i Historisë, Nr. 1-2, Viti. LXIII (XLVI), 2009, f. 162.
[33]. Ksenofon Krisafi, Çështja shqiptare dhe Kongresi i Berlinit, Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, (12-28 qershor 1978), Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë, 1979, f. 111.
[34]. Bajram Xhafa, Politika antishqiptare e pushtuesve serbë e malazezë në vitet 1877-1878 , Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881, (12-28 qershor 1978), Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë, 1979, f. 122.
[35]. Jusuf Buxhovi, Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878, Prishtinë & Houston: “Faik Konica” & ”Jalifat Publishing”, 2012, f. 72.
[36]. “KombƐt’Ɛ tjƐre ꝽƐ Ϲqipetaret”, Drita, Sofia: E merkure, Viti II, Nr. 25, 16 Пriᴧ 1903, f. 1.
[37]. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet diplomatike franceze (1878-1881), Përgatiti: prof. dr. Gjyltekin Shehu, Prishtinë: Instituti i historisë-Prishtinë: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, 2010, f. 31.
[38]. Pajazit Nushi, Lidhja e Prizrenit dhe komponentet kryesore të entitetit çlirimtar të saj, Prishtinë, Botues: Sekretariati i informative i KE të Kuvendit të KSA të Kosovës, 1978, f. 15; Shkëzen Raça, “Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe Greqia gjatë Kongresit të Berlinit”, Gjurmime albanalogjike-SSHH, Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Nr. 24-1994, 1996, f. 101.
[39]. Yüksel Çelik, Kryengritjet shqiptare në periudhën e Abdylhamitit të II: Themelimi i Lidhjes së Prizrenit dhe veprimet që ndërmerrte Porta e Lartë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881, Prishtinë: Instituti i Historisë-Prishtinë, 2011, f. 92.
[40]. Kristo Frashëri, “Lidhja e Prizrenit dhe Çështja Kombëtare Shqiptare në ditët e sotme”, Studime historike, Tiranë: Akademia e Shkencave e RSH: Instituti i Historisë, Nr. 1-2, Viti. LII (XXXV), 1998, f. 130.
[41]. Koli Xoxi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit…, f. 72.
[42]. Skender Asani, Dega e Shkupit e Lidhjes së Prizrenit dhe Jashar Bej Shkupi (Përmbledhje me dokumente), Shkup: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, 2018, f. 52.
[43]. Stefanaq Pollo, Probleme të luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për çlirimin dhe bashkimin kombëtar, Konferenca shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (Referate dhe kumtesa të mbajtura në seksionin e historisë: Prishtinë 6-9 qershor 1978) Vëllimi i I-rë, Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 1981, f. 41.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...