Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 08, 2021 Zani i Nalte Editoriale 0
nga Prof. Asoc. Rahim Ombashi
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Universiteti Bedër, Tiranë
Përsiatje mbi tekstin studimor “Kurora mbi krye të përunjur: përsiatje mbi fenë, folklorin dhe shkencën”, që këshillon gjithkënd ta dojë të vërtetën si më të madhen përparësi
Me studiuesin Fatos A. Kopliku jemi mësuar të bashkëbisedojmë qysh prej shumë vjetësh, përmes artikujve cilësorë të botuar, sepse tashmë nuk është më koha e autorit, madje as e tekstit, jemi në epokën kur lexuesi del në krye të komunikimit, duke u bërë bashkautor me hartuesin e tekstit. Ndonëse zotëria punon e jeton larg atdheut amë, në Washington DC, SHBA, ka marrë me vete djepin kulturor të vendlindjes, që vijon ta përkundë, bashkë me kujtimet, të cilat në shtetin që shtrihet mes dy oqeaneve i analizon gjerësisht, i përmbush me frymë argumentuese dhe pasi i shkoqit me qëndrim kritik, guxon t’ua përcjellë njerëzve të fisit të vet (në gjuhën shqipe), veçmas atij individi të etur, që kërkon të vërtetën dhe vetëm të vërtetën (“Për tim atë, që më mësoi se me e dashtë të vërtetën asht privilegji ma i madh”), siç shprehet te kushtimi i librit.
Libri doli në dritën e botimit duke përmbledhur 12 ese, të dhëna si ‘një ditar i hapur dhe rrugëtim personal’, por që kanë formuar një tekst të njësuar, sepse i është kushtuar kujdes i posaçëm, jo vetëm anës logjike, lidhjes së natyrshme midis fragmenteve dhe koherencës së mendimeve, por edhe anës gjuhësore të shkrimit.
Ndonëse leximi i punimit të befason me gjetjet e njëherazi të josh me elegancën e maturinë e paraqitjes së tyre, aty theksohet se është marrë tradita intelektuale islame në veçanti dhe ajo e besimeve fetare monoteiste në përgjithësi, megjithatë nuk mëtohet se flitet në emër të Islamit e as të myslimanëve, madje autori nuk harron të shtojë se libri është një “ditar i hapur”, ndërsa esetë qëndrojnë si njësi më vete dhe mund të lexohen asisoj, sepse temat e trajtuara janë të ndërlidhura brenda tematikës themelore.
Si e përfundon librin e titulluar “Kurora mbi krye të përunjur: përsiatje mbi fenë, folklorin dhe shkencën ”, emërtim i cili të mbetet në mendje si një fjali bosht, padashur joshesh dhe grishesh për të gjetur përgjigjen e dilemës kryesore, që lëviz në këtë periudhë të ripërtëritjes pandemike. Fjala kyç “të përunjur” na përkujton neologjizmin e Mithat Frashërit “shërbestar”, që do të thotë të tërtheresh (përkushtohesh) për kombin, atdheun dhe bashkatdhetarin. Bashkarisht autori dhe lexuesi i veprës së tij dalin te prologu i librit që realizohet me poezinë “Epifania” e Shpëtim Kelmendit dhe “Kënga e shpengimit” e Bob Marley. Mendimi i thukët zotërues i tekstit na lejon t’i citojmë vargjet e tyre:
“Katet e dijes naltohen n’pafundësi / E yjet janë kokrra ra’ne duerve tua / Që lahen n’ujët e praruem të Heshtjes. / Në ç’ishim ka të ardhme, në ç’jemi / Ka amshim që na pulson në zemër. / Diku në gjoks na fshihet Universi, / Jetojmë nën qiej e qiejtë janë në ne / Dhe retë, kodrat, pylli ku këndojnë zogj. (“Epifania”)
“Vargonjtë e skllavërisë mendore tutje hidhni / Veç vetes kush mendjet s’mund t’na i çlirojë / Prej energjisë atomike frikë mos kini / Se kohën asnjeri s’mund ta ndalojë. / Deri kur profetët kanë me na i vra? / Ndërsa rrimë sehir palë-palë / Kështu po duhet thojnë disa / Me përmbushë të Librit fjalë.
Autori e saktëson në hyrje të librit se koha nuk mund të ndalet duke argumentuar me detaje se e kundërta e përulësisë fisnikëruese është skepticizmi vrastar, që pak nga pak po relativizohet gjithkund dhe po kështu pak nga pak ai po horizontalizon aspiratën vertikale për parajsën, duke lënë synime vetëm tokësore, pra nuk mbërrin të marrë kurorë. Kërkon pa u ndalur më thellë dhe shkakun e gjen te arsimi dhe edukimi, të cilët janë të nevojshëm, në mos të domosdoshëm, për banorin që jeton në botën moderne. Shqetësimi i z. Kopliku ngrihet prej asaj që ndodh, kur me njohuritë e domosdoshme “merret edhe një dozë jo e vogël propagande, veçanërisht atë të progresit pambarim dhe një sërë shprehish mendore, ku ndër të tjera spikat skepticizmi”. Bëhet më konkret kur saktëson se dukuria po ndodh në arsimin modern, veçmas në botën anglo-saksone, që e realizon komunikimin kryesisht në anglisht dhe ku fenomeni synon të ngrihet në shkallën e ligjit natyror. Ndërkohë që e cilëson si paradoks, autori nuk ndalet pa shkuar te burimi, i cili qëndron i pa studiuar dhe për më tepër zihet në gojë rrallë, shumë rrallë. Ka mundur të gjejë një shpjegim për të, kur i përgjigjet me pyetje qëndrimit paradoksal:
“Nëse duhet të jemi a priori skeptikë, a nuk duhet të jemi po ashtu skeptikë ndaj vetë kësaj qasjeje, pra të të qenit skeptikë? Nëse çdo gjë është relative, siç pohojnë disa, a nuk duhet të jetë logjikisht i tillë edhe ky pohim? Por kjo gjë lihet në heshtje.”
Studiuesi i njeh vlerat e shumta të tempullit të demokracisë, sepse jo pak ka marrë prej saj, por e tremb konsumimi zullumqar i alkoolit, të cilit i bëhet reklamë pafund dhe përdorimi masiv i llojeve të ndryshme të drogave, hedonizmi si moto e model i të jetuarit pa parime, kur natyra trajtohet si plaçkë dhe jo si Nënë. Dhe po vetë e gjen përgjigjen kur sqaron se realtivizmi po shkon deri atje sa vendin e Zotit ta zënë zota të panumërta, ku ndoshta më i lakuari del progresi.
Sipas leksikut abrahamik, njeriu e ka parë veten si shëmbëlltyrë hyjnore, por dhe ka menduar e vepruar brenda kësaj kornize, të cilën banori i tanishëm e ka lënë mënjanë, sepse i është dorëzuar materializmit si botëkuptim dhe filozofi, ku feja shihet pak a shumë si ritual. Pranohet gjerësisht që tradita fetare në Ballkan dhe kombin tonë vjen prej familjes monoteiste abrahamike, prandaj autori ka zgjedhur që shembujt t’i sjellë nga dy besimet, që praktikohen në Shqipëri: Krishterimi dhe Islami.
Studimi i imët dhe me skrupuj të qartë etikë, i bazuar në punime të shumta në të gjitha krahët e horizontit kulturor, e ka shpënë autorin të zbulojë se veç besimit, fetë sipas vendeve dhe popujve janë ndërthurur me parime shpirtërore, të cilat dokumentohen edhe në folklorin tonë të pasur. Z. Kopliku e ka bindje se me aq sa ka mbijetuar (u dëmtua veçmas shumë gjatë periudhës së sistemit totalitar në Shqipëri), ai mbetet dëshmi e gjallë e ndërthurjes së jetës me parimet shpirtërore të një tradite dhe si i tillë zotëron një gjuhë të pasur simbolike.
Megjithë kënaqësinë që merr nga botimi i veprës (ISBN: 978-9928-4656-1-0), autori nuk stepet të pohojë se libri nuk do të mbërrinte në dorën e lexuesit dhe as do të kishte cilësinë që zotëron pa ndihmën e drejtpërdrejtë a të tërthortë të shumë njerëzve. Në krye ai shpreh mirënjohje për prindërit e vet, duke theksuar se ‘pa përkujdesjen, sakrificat e udhëzimin e të cilëve jo vetëm ky libër, por shumëçka do të ishte e pamundur’. Më tej me modesti e respekt autori thekson se ‘ideja, në mos ngulmimi’, i cili ndihmoi që materialet të njësohen në një tekst, kishte ardhur nga Dr. Genti Kruja, kryeredaktor i revistës së lashtë dhe që fare shpejt bëhet shekullore “Zani i Naltë”.
Studiuesi shkon më herët kur shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe hapësirën intelektuale, që çeli për shkrimet e tij, por dhe të shumë autorëve të tjerë, duke e parë si tipar dallues që flet për horizontin e tij intelektual e profesional, plot dituri dhe virtyt.
Mar 17, 2021 0
Feb 18, 2021 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...