Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 18, 2021 Zani i Nalte Studime 0
nga Prof. asoc. dr. Zija Abdullahu[1]
Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë, Kosovë
Abstrakt
Struktura shoqërore i përngjan strukturave të gjallesave të tjera, të cilat kanë nevojë për sigurimin e imunitetit, që të vazhdojnë jetën e tyre, imunitet i cili do t’i mbrojë nga çdo shkatërrim i brendshëm apo sulm i jashtëm. Në të njëjtën mënyrë është e domosdoshme që edhe struktura shoqërore të ketë imunitet për ta mbrojtur vetveten.
Për një imunitet të tillë shoqëria ka nevojë në çdo kohë dhe vend. Prandaj ky imunitet duhet të jetë i nivelit sa më të lartë. Në këtë imunitet bëjnë pjesë dhe luajnë rol shumë faktorë siç është ai; politik, ekonomik, shëndetësor e shkencor. Ndër këta faktorë rol të rëndësishëm luan edhe ai familjar, të cilit Islami i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, sepse familja, siç e dimë, është qelizë dhe bërthamë e shoqërisë, dhe sa më e shëndoshë të jetë familja aq më tepër ngrihet imuniteti i saj dhe anasjelltas.
Për ngritjen e imunitetit shoqëror, përmes familjes, Islami i rregulloi marrëdhëniet brenda individëve të familjes, duke ia caktuar secilit rolin, detyrat, përgjegjësitë dhe të drejtat e tij. Madje, Islami tregoi kujdes ndaj familjes që para se të formohet ajo, përmes rregullave që ka vendosur në zgjedhjen e bashkëshortëve të njëri-tjetrit, e që duhet të jetë në bazë të virtyteve sa më të larta, e jo të aspektit material apo të ndonjë interesi kalimtar. Këtë lidhje e ngjyrosi me shenjtëri të bazuar në mëshirën e Zotit, e që fut në zemrat e tyre respekt ndaj njëri-tjetrit. E vazhdoi me përgjegjësitë dhe respektin që duhet ta kenë anëtarët e familjes mes tyre, siç janë përgjegjësitë e prindërve ndaj fëmijëve, dhe anasjelltas, duke e zgjeruar rrethin familjar edhe me përgjegjësitë dhe marrëdhëniet me farefisin.
Me vendosjen e këtyre normave dhe përgjegjësive Islami ia caktoi familjes rolin kyç në ngritjen i imunitetit shoqëror dhe mbrojtjen e saj nga rënia, duke e ngritur atë në nivel sa më të lartë.
Fjalët kyçe:
Shoqëri, imunitet, familje, arsimim, mëndeshë, lidhshmëri.
Hyrje
Shoqëria, si strukturë organizative, i ekspozohet ngritjes dhe rënies, apo përforcimit dhe dobësimit, varësisht nga shkaqet me të cilat ballafaqohet. Nëse ballafaqohet me ato të rënies dhe dobësimit, qofshin ato të dukshme, siç janë; padrejtësia, korrupsioni, varfëria, injoranca, etj., apo të padukshme(,) siç janë: përgojimi, thashethemet, fyerja, zullumi, shpifja, përgjimi, nënçmimi, përqeshja(,) etj., çështje të cilat nuk shfaqen haptazi, megjithatë ato e shkatërrojnë fuqinë shoqërore, dhe çojnë në rënien e imunitetit të saj.
Nga ky këndvështrim, Islami i kushtoi rëndësi të veçantë dhe e frenoi çdo mënyrë që çon në dobësimin e individit, për rrjedhojë të shoqërisë. Këto qëllime arrihen nëpërmjet parimeve të vendosura e që, Islami, kërkoi nga besimtari që t’u përmbahet atyre. Parime me të cilat synohet jo vetëm paqja dhe rehatia e individit dhe shoqërisë, por e tërë njerëzimit, sepse me këtë mënyrë arrihet kënaqësia e Allahut, e që është edhe synim i Botës tjetër.
Realizimi dhe ngritja e imunitetit arrihet edhe përmes formave të tjera të ndryshme në shoqëri(,) siç janë: drejtësia, siguria, aspekti ekonomik, etj., por padyshim rol shumë të rëndësishëm në ngritjen e imunitetit shoqëror zë familja.
Mirëpo familja, në çfarë segmentesh e luan ajo rolin e ngritjes së imunitetit shoqëror? Çfarë masash ka ndërmarrë Islami për ruajtjen dhe ngritjen e një familje je të shëndoshë, dhe për rrjedhojë ngritjen e shoqërisë? Pse Islami ka nxitur për formimin e familjes brenda parimeve të caktuara kur dihet se edhe pa këtë nxitje, apo edhe pa ato parime, njerëzimi e ka poseduar institucionin familjar, madje edhe sot e posedon edhe në ato shoqëri që nuk janë nën ndikimin e fesë islame?
Njeriu është krijuar si një qenie që jeton në komunitet. Një individ, sado që të jetë i shkathët, i mençur dhe të posedojë fuqi, nëse nuk gjendet brenda shoqërisë nuk do të ketë jetë të plotësuar. Çështja e të jetuarit në komunitet është çështje esenciale në vetë natyrën e njeriut. Kjo duke u nisur nga vetë aktualiteti i jetës së njeriut e që na bëhet më se e qartë që njeriu doemos është qenie sociale.
Këtë trajtim e përshkruan gati i tërë udhëzimi hyjnor, andaj tërë adhurimet islame kanë reflektim shoqëror, duke filluar nga namazi, zekati, agjërimi, e haxhi. Në fakt, edhe pse namazi është adhurimi më individual e më intim, megjithatë gati nuk ka asnjë lëvizje e që të mos bashkëngjitet edhe shoqëria në atë adhurim. Këtë e kuptojmë gjatë leximit të fatihas, lexim i cili është i obligueshëm në çdo rekat e në të cilin, pos tё tjerash, lexohen edhe këto ajete.
”إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ ، اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ“
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë!”.[2]
Çdo ndërhyrje në këtë ajet, dhe shndërrimit të tij nga kuptimi i trajtës shoqërore në atë individuale, përkatësisht, ndryshimi i fjalës nga të adhurojmë në të adhuroj, dhe nga kërkojmë në kërkoj, nuk ka dyshim se e kthen atë namaz në të pavlefshëm.[3] Pra, shpirti i “kolektivit, komunitetit apo shoqërisë” është prezent edhe në çështjet më të veçanta në adhurimet individuale.
Nisur nga kjo rëndësi, që shoqëria ka për njeriun, Allahu xh.sh. porositi që atë ta ruajmë e në vazhdimësi ta kultivojmë imunitetin e saj. Imuniteti është fuqia që ia ruan shoqërisë baraspeshën e brendshme, i mban të ngjeshura radhët e saj dhe e bën më të gatshme t’i përgjigjet çdo sfide të jashtme.[4]
Baza e ruajtjes së këtij imuniteti shoqëror është familja, sepse nga ajo fillon zgjerimi i tërë shoqërisë.
Familja është qeliza dhe bërthama e parë e shoqërisë. Ajo është një organizatë e vogël(,) e cila ndikon dhe ndikohet nga shoqëria. Ndikimi në rrethin e saj shoqëror është më se evident, e sidomos te fëmija dhe mbresat që lë në ndërgjegjen e tij janë të mëdha, sepse ajo ia përmbush sasinë më të madhe emocionale të dhembshurisë e dashurisë, mbi të cilat një sasi e madhe e sjelljeve të tij të mëvonshme bazohen mbi ato emocione dhe dëshira të ndërlikuara.[5]
Barra e formimit edukativ të pjesëtarëve të familjes bie mbi prindërit. Ata janë polet e njerëzisë, ku ekzistenca e njërit pa tjetrin nuk ka kuptim. Edhe pse burri ka bërë mrekulli në fushën e artit dhe shkencës, në realitet gruaja ka formuar burra gjeni.[6] Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”إِنَّمَا النِّسَاءُ شَقَائِقُ الرِّجَالِ “
“Sigurisht që gratë janë gjysmat binjake të burrave.”[7]
Pra, mbarësia e familjes dhe prishja e saj janë në duart e tyre dhe, për rrjedhojë, edhe e rrethit në të cilin ata të dy jetojnë.
Për rëndësinë dhe rolin që familja ka në shoqëri, Islami nxiti në formimin e saj. Por, vetvetiu shtrohet pyetja: Pse të ketë nevojë për një nxitje, kur ajo është natyrshmëri e vetë njeriut? Ajo ka ekzistuar edhe para se të nxisë Islami për formim të tillë, madje, edhe sot ky fenomen ekziston në të gjitha shoqëritë joislame!
Nxitja islame nuk ishte që njeriu të realizojë një kërkesë të natyrshmërisë së tij, sepse ai do të motivohet t’i përmbushë ato nga vetë natyra e tij. Ndërsa për formimin e familjes nxitja erdhi në kushte e specifika të veçanta, dhe mungesa e tyre do të shkaktojë pasoja, jo vetëm për çiftin, por për mbarë shoqërinë. Prandaj Allahu xh.sh. kur ftoi për formimin e familjes këtë barrë ia ngarkoi shoqërisë, duke thënë:
وَأَنْكِحُوا الْأَيَامَى مِنْكُمْ وَالصَّالِحِينَ مِنْ عِبَادِكُمْ وَإِمَائِكُمْ …
“I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm!…”[8]
Pas porosisë vjen edhe sigurimi i aspektit financiar për familjen e re nga vetë Lartmadhëria e Tij. Ky sigurim bëhet kur martesa bëhet për hir të Tij, që çdonjëri të jetë mbulesë për tjetrin[9] dhe që të jenë sa më larg haramit. Ndërsa nëse martesa shndërrohet në një dukuri krekosjeje, me harxhime të pamatura, ajo padyshim që i ndalohet besimtarit, sepse është larg qëllimit të saj origjinal. Allahu xh.sh. në vazhdim të ajetit të lartpërmendur thotë:
…إِنْ يَكُونُوا فُقَرَاءَ يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ
“…Nëse janë të varfër, Allahu do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.”[10]
Pra, nxitja ishte me kushtin e lartpërmendur, që të jenë nga “besimtarë të ndershëm”. Ky kuptim i “besimtarëve të ndershëm” qartësohet akoma më shumë nga fjala e Allahut xh.sh. ku thotë:
الْخَبِيثَاتُ لِلْخَبِيثِينَ وَالْخَبِيثُونَ لِلْخَبِيثَاتِ وَالطَّيِّبَاتُ لِلطَّيِّبِينَ وَالطَّيِّبُونَ لِلطَّيِّبَاتِ أُولَئِكَ مُبَرَّءُونَ مِمَّا يَقُولُونَ لَهُمْ مَغْفِرَةٌ وَرِزْقٌ كَرِيمٌ
“Gratë e pandershme janë për burrat e pandershëm dhe burrat e pandershëm janë për gratë e pandershme. Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme. Ata janë të pastër nga shpifjet që thuhen (kundër tyre) dhe do të falen e do të kenë një shpërblim bujar (në Xhenet).”[11]
Pra, palët duhet t’i përkasin secila njëra-tjetrës. Këtë e përforcon edhe ajeti tjetër, ku Allahu xh.sh. thotë:
الزَّانِي لَا يَنْكِحُ إِلَّا زَانِيَةً أَوْ مُشْرِكَةً وَالزَّانِيَةُ لَا يَنْكِحُهَا إِلَّا زَانٍ أَوْ مُشْرِكٌ ۚ وَحُرِّمَ ذَٰلِكَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ
“Laviri mund të martohet vetëm me laviren apo idhujtaren, kurse laviren mund ta marrë vetëm laviri apo idhujtari. Këto janë të ndaluara për besimtarët.”[12]
Me këtë mënyrë të martesave synohet tkurrja dhe izolimi i së keqes në minimum në shoqëri. Madje krahasimi i këtij akti me idhujtarinë dhe politeizmin është nga format që shkakton urrejtje në psikikën e besimtarit dhe e largon sa më shumë nga ky akt i shëmtuar.
Në realitet ky është kuptimi i hadithit të Pejgamberi (a.s.), i cili thotë:
”إِذَا أَتَاكُمْ مَنْ تَرْضَوْنَ خُلُقَهُ وَدِينَهُ فَزَوِّجُوهُ إِلَّا تَفْعَلُوا تَكُنْ فِتْنَةٌ فِي الْأَرْضِ وَفَسَادٌ عَرِيضٌ. “
“Nëse ju vjen personi që ju e pëlqeni karakterin dhe përkushtimin i tij fetar, martojeni, sepse nëse nuk e bëni, do të ketë sprova dhe shthurje në tokë.”[13]
Këto cilësi duhet të gjenden tek të dy shtyllat e familjes, e që janë shtylla edhe të shoqërisë, dhe të mbarë njerëzimit. Allahu xh.sh. thotë:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَىٰ وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin…”.[14]
Për një familje ku dominon mirëkuptimi dhe lumturia, Allahu xh.sh. relacionin e tyre e bazoi në “dashuri dhe mëshirë”, andaj thotë i Lartmadhëruari:
وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ
“Dhe nga shenjat e Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”.[15]
Në këtë relacion Allahu xh.sh. fut në zemrat e tyre qetësi, dashuri e mëshirë. Ndërkohë iu bëhet me dije se kjo martesë është edhe lidhje me Zotin, e që nuk është lojë e dëfrim kalimtar(,) që të veprojnë mbi të tekat e tyre. Por duhet nënshtruar rregullave të Zotit, madje edhe në raste shkurorëzimi, sepse ndarja e jetës martesore nuk do të thotë ndarje e lidhjes fetare”.[16]
Për kujdesin e lidhjeve familjare dhe mirëmbajtjen e tyre, Islami vendosi detyra dhe të drejta ndaj njëri-tjetrit, duke kërkuar që secili t’i kryejë ato në mënyrë sa më të mirë, me qëllim që Allahu të jetë i kënaqur ndaj tyre.
Burri apo bashkëshorti konsiderohet përgjegjës i plotë ndaj gruas së tij, nga sigurimi i banimit, ushqimit, veshmbathjes, e deri te mirëqenia e saj, qoftë ajo e varfër apo pasanike, e arsyeshme apo jo, e shëndoshë apo e sëmurë. Përgjegjësia tjetër që bart para Zotit, është sjellja e mirë, respekti dhe vlerësimi i saj, duke mos i shkaktuar asnjë lloj lëndimi, apo vuajtjeje. Allahu xh.sh. thotë:
وَعَلَى الْمَوْلُودِ لَهُ رِزْقُهُنَّ وَكِسْوَتُهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ ۚ لَا تُكَلَّفُ نَفْسٌ إِلَّا وُسْعَهَا
“…Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka…”[17] Po ashtu thotë:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ ۚ فَإِنْ كَرِهْتُمُوهُنَّ فَعَسَىٰ أَنْ تَكْرَهُوا شَيْئًا وَيَجْعَلَ اللَّهُ فِيهِ خَيْرًا كَثِيرًا
“…Jetoni e silluni mirë me to! Nëse i urreni ato, bëni durim sepse është e mundur që ju të urreni diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.”[18]
Pra, edhe në rast të ndonjë mospëlqimi familja duhet ruajtur, përpos nëse është në çështje imoraliteti, sepse ajo çështje prek thelbin e lidhjes martesore. Ajeti na e përkujton se nëse nuk haset një e mirë që synohet te partneri, Allahu xh.sh. padyshim do ta kompensojë atë me një tjetër më të mirë, meqë durimi bëhet për hir të Tij. Padyshim që kjo mënyrë e parashtrimit është shumë ndikuese në psikikën e njeriut, sepse nxit në durim dhe përmbajtje, e për rrjedhojë në mbrojtje dhe ruajtje të familjes.
Divorci, edhe pse është i lejuar, prapëseprapë hyn në kategorinë e çështjeve ndaj të cilave Zoti është i hidhëruar, sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
” أَبْغَضُ الْحَلَالِ إِلَى اللَّهِ الطَّلَاق “
“Hallalli (e lejuara) më i urryer tek Allahu është divorci.”[19]
Divorci lejohet vetëm atëherë kur jeta nën një kulm bëhet e pa mundur, megjithatë, përsëri ekzistojnë kritere të cilave u duhet përmbajtur, e të cilat synojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit të njëri-tjetrit. Sidomos të gruas, sepse ajo është më e dobët, dhe më shumë mund të jetë objekt i përfoljes. Allahu xh.sh. thotë:
الطَّلَاقُ مَرَّتَانِ ۖ فَإِمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ
“Ndarja mund të bëhet dy herë. Më pas, (gruaja) ose të mbahet me të mirë, ose të lëshohet me të mirë…”[20]
Për rëndësinë që ka dinjiteti i gruas, mundësia e divorcit u përkufizua vetëm në dy herë, që të mos përdoret si mjet kërcënimi e torture në dorën e burrit. Ky përkufizim e bën gruan zonjë të shtëpisë, e jo sikur të jetë robëreshë në shtëpinë e tij. Kjo sqarohet edhe më tepër në ajetet ku Allahu xh.sh. ia përshkruan përkatësinë e shtëpisë gruas, edhe pse në realitet ajo është e burrit, e që e bën të qartë se ajo është mbretëresha, kujdestarja dhe menaxherja e saj. Këtë e gjejmë në suren Jusuf, ajeti, 23, dhe Ahzab, ajeti 33 e 34. Madje, edhe në rastet e gjendjes së divorcit rikthyes, shtëpia i përshkruhet asaj si në suren Talak, ajeti 1. Përjashtim bëhet vetëm në rast të ndonjë amoraliteti nga ana e saj, atëherë i tërhiqet ndera e përshkrimit të pronësisë si në suren Nisa, ajeti 15.
Ndërsa burri detyrat që ka ndaj saj, nuk mund t’i konsiderojë si epërsi, ose si shkëmbim ndaj rehatisë e qetësisë që ajo ia siguron, sepse të drejtat që i takojnë asaj nuk janë dhuratë nga shpirtgjerësia e tij, por obligim që është ngarkuar nga Ligji Islam, i cili e konsideron atë amanet tek ai. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”... فَاتَّقُوا اللَّهَ فِي النِّسَاءِ فَإِنَّكُمْ أَخَذْتُمُوهُنَّ بِأَمَانِ اللَّهِ وَاسْتَحْلَلْتُمْ فُرُوجَهُنَّ بِكَلِمَةِ اللَّهِ(…) وَلَهُنَّ عَلَيْكُمْ رِزْقُهُنَّ وَكِسْوَتُهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ (…) وَأَنْتُمْ تُسْأَلُونَ عَنِّي فَمَا أَنْتُمْ قَائِلُونَ قَالُوا نَشْهَدُ أَنَّكَ قَدْ بَلَّغْتَ وَأَدَّيْتَ وَنَصَحْتَ فَقَالَ بِإِصْبَعِهِ السَّبَّابَةِ يَرْفَعُهَا إِلَى السَّمَاءِ وَيَنْكُتُهَا إِلَى النَّاسِ اللَّهُمَّ اشْهَدْ اللَّهُمَّ اشْهَدْ ثَلَاثَ مَرَّاتٍ“…
“…Kini frikë Allahun ndaj grave tuaja. I keni marrë ato me amanet të Allahut, dhe u janë lejuar me fjalë të Allahut”. Më pas tha: ‘Ju ndaj tyre keni obligim t’i furnizoni dhe t’i vishni në mënyrë të njerëzishme.’ Pastaj vazhdoi: ‘Ju do të pyeteni për mua, pra çfarë do të thoni?’ Ata thanë: ‘Dëshmojmë se me të vërtetë e kumtove (mesazhin), e kreve (detyrën) dhe na këshillove.’ Duke e ngritur gishtin tregues dhe duke ua drejtuar njerëzve, (Pejgamberi) tha: ‘O Zot dëshmo! O Zot dëshmo! tri herë!’”[21]
Kurse Allahu xh.sh. thotë:
وَلَهُنَّ مِثْلُ الَّذِي عَلَيْهِنَّ بِالْمَعْرُوفِ ۚ وَلِلرِّجَالِ عَلَيْهِنَّ دَرَجَةٌ ۗ وَاللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ
“…Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”[22]
Kjo përparësi e burrave ndaj grave nuk është përparësi epërsie, por përgjegjësie. Në realitet, në përgjegjësinë e burrave, është një ndjenjë rehatie e grave për interesin që tregon burri ndaj saj. Për më tepër, ajeti i ngjyros udhëzimet e tij me butësi dhe drejtësi. Pra, në këtë përgjegjësi nuk gjendet ndonjë lloj epërsie me të cilën gruaja do ta ndiente veten të nënçmuar, përndryshe do të shuhej dashuria e mirëkuptimi që ekziston ndërmjet tyre, dhe ato do të zëvendësoheshin me pasim të heshtur e nënshtrim të plotë, në vend të komunikimit dhe bashkëveprimit në bartjen e barrës së përgjegjësisë familjare.[23]
Allahu xh.sh. siç e gradoi burrin me fuqi fizike, durim, guxim, etj., që t’ia sigurojë anëtarëve të familjes jetesën më të mirë, po ashtu e gradoi gruan, me ndjenja të holla e të buta. Ajo posedon përgatitje më të madhe që t’u fal fëmijëve dashuri dhe përkujdesje të pamasë e të pa kompensuar për të cilën ata janë më se të nevojshëm se çdo gjë tjetër.[24]
Përgjegjësia e burrit nuk e ul vlerën e gruas, përkundrazi, i heq barrën, të cilën nuk është e përgatitur ta kryejë. Meqë konstrukti i saj fizik e pengon nga shumë punë të rënda, e posaçërisht gjatë kohërave të shtatzënisë, gjidhënies, rritjes së fëmijës, etj., dhe nëse gruas do t’i mbështetej edhe përgjegjësia financiare do të ishte tërësisht një padrejtësi, duke e ngarkuar madje edhe me një barrë të cilën nuk mund ta bartë.[25]
Pos aspektit të përgjegjësisë, që e përmendëm, vijnë në konsideratë edhe aspekte tjera, siç është dhurata bashkëshortore, gjegjësisht mehri, i cili është e drejtë ekskluzive e saj. Kjo dhuratë/mehr, ia detyron burrit ndjenjën e seriozitet ndaj këtij akti, ndërsa gruas ia largon të gjitha mendimet e dyshimta në seriozitetin e tij. Allahu xh.sh. thotë:
وَآتُوا النِّسَاءَ صَدُقَاتِهِنَّ نِحْلَةً
“Dhe jepuni (me gjithë zemër) grave tuaja dhuratën e kurorëzimit…”[26]
Po ashtu ajo ka të drejtën e vizitës së familjes së saj. Allahut xh.sh. thotë:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ
“…Çoni jetë të mirë me to…”[27] e që nënkuptohet se nga jeta e mirë është edhe të lejuarit e vizitës së familjes. Kurse mohimi i kësaj të drejte çon në tendosjen e marrëdhënieve, ftohjen martesore, humbjen e raportit të dashurisë dhe respektit. Pos kësaj, shkëputja e lidhjeve familjare, është veprim shumë i urryer në Islam dhe rreptësisht i ndaluar, sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”لَا يَدْخُلُ الْجَنَّةَ قَاطِعُ رَحِمٍ “
“Nuk hyn në Xhenet bojkotuesi i lidhjeve familjare.”[28]
Ndonëse burri nuk ka të drejtë ta ndalojë gruan ta vizitojë familjen, po ashtu edhe gruas nuk i takon të dalë nga shtëpia pa dijen e burrit, madje edhe për vizitë familjare.[29]
Synimi kryesor i jetës bashkëshortore është dominimi i rehatisë dhe prehjes në jetën familjare. Për përgatitjen e një ambienti të tillë gruaja është shumë më e gatshme. Prandaj besimi islam kërkoi prej saj obligime të caktuara që, në jetën familjare dhe, për rrjedhojë, atë shoqërore të dominojë rehatia dhe siguria. Nga obligimet që reflekton sjellje pozitive mirëkuptim dhe harmoni në familje është:
Respekti, siç e pamë edhe më lart, ndërmjet bashkëshortëve duhet të jetë i ndërsjellë, por këtu do përmendim respektin e veçantë, që gruaja duhet të ketë ndaj burrit. Por, duhet theksuar se ky respekt është nën korniza dhe kushte të caktuara si:
E para: Respekti të jetë brenda kornizës së veprave të lejuara. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”لَا طَاعَةَ لِمَخْلُوقٍ فِي مَعْصِيَةِ اللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ“
“Nuk ka dëgjueshmëri ndaj asnjë krijese që i bën mëkat Allahut të Lartmadhëruar.”[30]
E dyta: Ai duhet të jetë vetëm në lidhje me atë që ka të bëjë me të drejtën e burrit.
E treta: Respekti duhet të jetë brenda mundësisë së kryerjes së kërkesës, sepse Allahu xh.sh. thotë:
لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka…”[31]
Kjo është korniza e përgjithshme e respektit, e cila përmban brenda saj edhe kushte të tjera:
1- Gruas nuk i lejohet të pranojë apo të fusë burra të huaj në shtëpi, ose të pranojë ndonjë dhuratë prej tyre, apo t’i huazojë ndokujt, apo ta menaxhojë pasurinë e tij pa lejen e tij, përpos në rast se ai nuk i kryen obligimet e tij financiare ndaj familjes. Pejgamberi (a.s.) i tha Hindit, kur ajo u ankua për koprracinë e të shoqit, Ebu Sufjanit:
”خُذِي أَنْتِ وَبَنُوكِ مَا يَكْفِيكِ بِالْمَعْرُوفِ “
“Merr ti dhe bijtë e tu nga pasuria e tij aq sa është e arsyeshme se të mjafton.”[32]
2- Gruaja kryeneçe, nuk ka të drejtë ta kundërshtojë burrin në ndërmarrjen e masave të duhura, sipas ligjit islam. Allahu xh.sh. thotë:
وَاللَّاتِي تَخَافُونَ نُشُوزَهُنَّ فَعِظُوهُنَّ وَاهْجُرُوهُنَّ فِي الْمَضَاجِعِ وَاضْرِبُوهُنَّ ۖ فَإِنْ أَطَعْنَكُمْ فَلَا تَبْغُوا عَلَيْهِنَّ سَبِيلًا ۗ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلِيًّا كَبِيرًا
“E ato që u keni drojë kryelartësisë së tyre, këshillojini, (e, nëse kjo s’bën dobi) largohuni nga shtrati (e më në fund) i rrihni ato (lehtas). Por, nëse ato ju binden, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Lartësuar dhe i Madhëruar!”[33](*)
3- Nuk ka të drejtë ta ndalojë burrin në martesën e dytë, përveç nëse e ka kushtëzuar në kurorëzim derisa ajo është me të, e nëse ai martohet, në këtë rast, ajo ka të drejtë shkurorëzimi.[34]
Nga të drejtat dhe obligimet e ndërsjella bashkëshortore të lartpërmendura, shohim se feja islame synon ruajtjen, sigurinë dhe stabilitetin e familjes. Mbikëqyrja e Allahut është mekanizmi më efikas dhe më i sigurt, sepse ai depërton kudo dhe ndaj secilit individ, prandaj shumë ajete(,) pasi përfundojnë me sqarimin e dispozitës së caktuar, vijojnë me tërheqjen e vëmendjes në mbikëqyrjen e Zotit dhe diturinë e Tij mbi të gjitha veprat e njeriut.[35]
Për të dominuar në shoqëri ngrohtësia, mëshira, dhe rehatia, për rrjedhojë në familje, Pejgamberi (a.s.) filloi duke i dhënë detyra të caktuara, së pari imamit, përkatësisht udhëheqësit, dhe pastaj anëtarëve të familjes, ndaj të cilave do të kenë përgjegjësi në Ditën e Gjykimit, dhe tha:
”كُلُّكُمْ رَاعٍ وَكُلُّكُمْ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ الْإِمَامُ رَاعٍ وَمَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ وَالرَّجُلُ رَاعٍ فِي أَهْلِهِ وَهُوَ مَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ وَالْمَرْأَةُ رَاعِيَةٌ فِي بَيْتِ زَوْجِهَا وَمَسْئُولَةٌ عَنْ رَعِيَّتِهَا وَالْخَادِمُ رَاعٍ فِي مَالِ سَيِّدِهِ وَمَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ قَالَ وَحَسِبْتُ أَنْ قَدْ قَالَ وَالرَّجُلُ رَاعٍ فِي مَالِ أَبِيهِ وَمَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ وَكُلُّكُمْ رَاعٍ وَمَسْئُولٌ عَنْ رَعِيَّتِهِ “
“Secili prej jush është kujdestar dhe secili prej jush është përgjegjës për kujdestarinë e tij. Imami (udhëheqësi) është kujdestar dhe përgjegjës për kujdestarinë e tij. Burri është kujdestar për familjen e tij dhe përgjegjës për kujdestarinë e tij. Gruaja është kujdestare e shtëpisë së burrit të saj dhe përgjegjëse për kujdestarinë e saj. Shërbëtori është kujdestar në pasurinë e zotërisë së tij dhe përgjegjës për kujdestarinë e tij. (Transmetuesi tha) Mendoj se tha: Njeriu është kujdestar në pasurinë e babait të tij dhe përgjegjës mbi të. Të gjithë ju jeni kujdestarë dhe përgjegjës për kujdestarinë tuaj.”[36]
Të gjitha këto çështje i shërbejnë familjes që ajo të vazhdojë jetën në mirëkuptim, stabilitet, rahati e dashuri ndërmjet anëtarëve të saj, e që këto të reflektohen edhe në shoqëri.
Ndonëse prindërit e konsiderojnë veten se kanë të drejta absolute ndaj fëmijëve të tyre, megjithatë ekzistojnë disa përkufizime të caktuara, ndaj të cilave kanë obligime para Allahut xh.sh., ndër të cilat mund të përmendim:
Ndoshta kjo çështje duket si e kotë, nëse ajo zhvishet nga konteksti historik, por, për fat të keq, ngjarje të tilla ndodhin edhe në kohën e sotme, edhe pse të rralla, megjithatë kohë pas kohe dëgjojmë apo lexojmë lajme, që prindër të caktuar orvaten, apo i mbysin fëmijët e tyre. Këtë akt të shëmtuar e kryejnë nën pretekste të ndryshme, si vështirësitë ekonomike, apo angazhimi i tepërt ndaj fëmijëve, madje shpesh, duke e mbytur veten, vrasin edhe fëmijët e tyre, etj.
Allahu xh.sh. e ndaloi rreptësisht që jeta e fëmijëve t’i ekspozohet rrezikut, nën çfarëdo preteksti qoftë, ndërsa vrasësi i tyre konsiderohet kriminel, i cili meriton ndëshkim në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu xh.sh. thotë:
وَلَا تَقْتُلُوا أَوْلَادَكُمْ مِنْ إِمْلَاقٍ ۖ نَحْنُ نَرْزُقُكُمْ وَإِيَّاهُمْ
“…mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u furnizojmë juve dhe ata,…”[37] Dhe thotë:
وَلَا تَقْتُلُوا أَوْلَادَكُمْ خَشْيَةَ إِمْلَاقٍ ۖ نَحْنُ نَرْزُقُهُمْ وَإِيَّاكُمْ ۚ إِنَّ قَتْلَهُمْ كَانَ خِطْئًا كَبِيرًا
“Mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne i furnizojmë ata dhe juve, e mbytja e tyre është gjynah i madh.”[38]
Në ajetin e parë Allahu xh.sh. ua tërheq vëmendjen atyre se Ai siç ju furnizon juve, do i furnizojë edhe ata. Ndërsa në të dytin iu sqaron se furnizimi i prindërve ndodh për shkak të fëmijëve të tyre, gjegjësisht të vegjëlve! Pra, në këtë mënyrë, Allahu tregon shëmtinë e krimit që bëhet nën pretekstin e varfërisë. Prandaj askush, për çfarëdo arsye, nuk ka të drejtë t’ia rrëmbejë jetën dikujt tjetër, madje as prindi fëmijës së tij.[39]
Përkatësia është e drejtë esenciale e çdo fëmije, përveç nëse nuk ekziston asnjë mundësi për njohjen e prindërve biologjik, kur fëmija është i gjetur dhe nuk mund t’i njihen prindërit e tij. Duke u nisur nga ky parim esencial besimi islam e ndaloi birësimin apo adoptimin e fëmijëve, edhe në rast se është i gjetur, duke e përvetësuar si të vetin. Gjithsesi nga myslimani kërkohet që ta rrisë, edukojë e arsimojë një fëmijë të tillë, në mënyrën më të mirë të mundshme, por, assesi t’ia mohojë origjinën biologjik, sepse ai do të ketë shumë pasoja të rënda psikike në tërë periudhat e jetës së tij të mëvonshme. Allahu xh.sh. thotë:
وَمَا جَعَلَ أَدْعِيَاءَكُمْ أَبْنَاءَكُمْ ۚ ذَٰلِكُمْ قَوْلُكُمْ بِأَفْوَاهِكُمْ ۖ وَاللَّهُ يَقُولُ الْحَقَّ وَهُوَ يَهْدِي السَّبِيلَ ادْعُوهُمْ لِآبَائِهِمْ هُوَ أَقْسَطُ عِنْدَ اللَّهِ ۚ فَإِنْ لَمْ تَعْلَمُوا آبَاءَهُمْ فَإِخْوَانُكُمْ فِي الدِّينِ وَمَوَالِيكُمْ
“…e as fëmijët tuaj të birësuar (Allahu) nuk i konsideron si bij të vërtetë. Këto janë vetëm fjalë që dalin prej gojës suaj, kurse Allahu e thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të drejtë. Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë te Allahu. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj…”[40]
Pra, përkatësia prindërore është e drejtë esenciale e çdo njeriu. Për fat të keq birësime të tilla edhe sot bëhen nën arsyetimin e dhembshurisë dhe humanizmit ndaj të afërmve që nuk kanë fëmijë. Iu dhimbset i afërmi, ndërsa e harrojnë tërësisht ndjenjën dhe dinjitetin e fëmijës, i cili, pasi të rritet dhe ta kuptojë realitetin, arrin deri tek urrejtja e dy palë prindërve, atyre biologjikë dhe atyre adoptues![41] Madje, psikologët mund të na numërojnë edhe më shumë pasoja (të) tjera(,) të cilat na i zbulon realiteti i hidhur dita ditës. Prandaj feja e bëri obligim që fëmijëve t’iu njihet origjina prindërore biologjike e tyre, madje edhe nëse ata nuk e duan një gjë të tillë.
Nga të drejtat natyrore, të cilat i takojnë fëmijës, është edhe ushqimi ose gjidhënia. Nëna, padyshim, ka përparësi ndaj kësaj përgjegjësie.[42] Por, nëse nuk ka mundësi, në këtë rast i ati është i ngarkuar t’ia sigurojë qumështin, apo mëndeshën.
Prindërit janë përgjegjësit kryesorë për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata duhet të përkujdesen ndaj tyre si për aspektin fizik dhe atë psikik, sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”كُلُّ مَوْلُودٍ يُولَدُ عَلَى الْفِطْرَةِ فَأَبَوَاهُ يُهَوِّدَانِهِ أَوْ يُنَصِّرَانِهِ أَوْ يُمَجِّسَانِهِ… “
“Çdo i lindur lind në natyrshmërinë e tij (të fesë), por prindërit e bëjnë atë hebre apo të krishterë apo adhurues të zjarrit…”[43]
Pra, prindërit janë ata të cilët do të kultivojnë te fëmija besimin e vërtetë të natyrshmërisë së njeriut, që është besimi islam, ose do të mbjellin tek ai ndonjë besim të devijuar.
Procesi i edukimit, sipas Islamit, fillon që nga koha kur ai të jetë i aftë të konceptojë besimin në Zot,[44] që të vazhdohet me kultivimin e këtij besimi sipas fazës së fëmijërisë. Deri sa të arrijë në fazën e të bërit zakon namazin në jetën e tij, sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”مُرُوا أَوْلَادَكُمْ بِالصَّلَاةِ وَهُمْ أَبْنَاءُ سَبْعِ سِنِينَ وَاضْرِبُوهُمْ عَلَيْهَا وَهُمْ أَبْنَاءُ عَشْرٍ وَفَرِّقُوا بَيْنَهُمْ فِي الْمَضَاجِعِ“
“Urdhëroni fëmijët tuaj të falen kur ata i kanë (mbushur) shtatë vjeç dhe rrihini (lehtë) ata kur janë dhjetë, dhe ndajini nga shtretërit e tyre.”[45]
Nga detyrat e prindit po ashtu është edhe arsimimi i fëmijës, e sidomos me edukimin kur’anor, sepse arsimin e përgjithshëm tashmë në shumicën e vendeve e garanton shteti, ndërsa në mungesë të kujdesit shtetëror, me edukimin kur’anor obligohet prindi. Gjithashtu duhet t’u mësohet atyre biografia e Pejgamberit (a.s.), i cili është shëmbëlltyrë e moralit të lartë, që më pastaj ta përthithin atë moral në të gjitha aspektet e jetës së tyre.
Gjatë edukatës duhet pasur kujdes nga favorizimi i ndonjërit ndaj tjetrit, sepse ata në atë moshë të njomë janë tepër të prekshëm emocionalisht, dhe një përparësi e tillë mund t’i çojë deri te(k) urrejtja ndaj njëri-tjetrit, madje, mund t’i çojë edhe deri te kurdisja e intrigave ndaj të favorizuarit. Për të qenë sa më larg kësaj situate, aspak të lakmueshme, Allahu xh.sh. na tërheq vëmendjen përmes tregimit në suren Jusuf.[46]
Marrëdhënia e ndërsjellë ndërmjet fëmijëve dhe prindërve duhet të jetë i(e) bazuar në ngrohtësi, dashuri dhe respekt. Sidomos kur ta kemi parasysh dallimin në moshë ndërmjet bijve/bijave dhe prindërve. Kjo marrëdhënie duhet të jetë e atij niveli saqë të duket sikur i mbulon me dashuri dhe mëshirë, duke mos lënë hapësirën më të vogël të ndjenjës së ndonjë lloj inferioriteti apo largimi nga ata. Kjo për arsye se ata tërë jetën ua kushtuan fëmijëve, ndërkaq në fund kur ata kanë nevojë nuk duhet të ndihen të përbuzur.
Për rëndësinë e sjelljes që duhet pasur ndaj prindërve Allahu xh.sh. dëgjueshmërinë e tyre e solli menjëherë pas obligueshmërisë së adhurimit ndaj Tij, kur thotë:
وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا ۚ إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِنْدَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلَاهُمَا فَلَا تَقُلْ لَهُمَا أُفٍّ وَلَا تَنْهَرْهُمَا وَقُلْ لَهُمَا قَوْلًا كَرِيمًا وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّحْمَةِ وَقُلْ رَبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: ‘Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!’”[47]
Sjellja e mirë ndaj tyre duhet të arrijë deri në atë nivel saqë edhe fjala më të vogël e që është ofshama me “uh”,të mos përdoret, por gjithmonë të sillet me përulje dhe me lutje Zotit për ata. Madje, Allahu xh.sh. për falënderim ndaj tyre shkon edhe më larg, duke e obliguar njeriun të jetë i dëgjueshëm ndaj prindërve edhe atëherë kur ata nuk janë myslimanë. Përpos nëse ajo dëgjueshmëri bie në kundërshtim me adhurimin e Zotit. Megjithatë, edhe në këtë rast, ata duhen shoqëruar me mirësjellje dhe humanizëm. Allahu xh.sh. thotë:
وَوَصَّيْنَا الْإِنْسَانَ بِوَالِدَيْهِ حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْنًا عَلَىٰ وَهْنٍ وَفِصَالُهُ فِي عَامَيْنِ أَنِ اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ إِلَيَّ الْمَصِيرُ وَإِنْ جَاهَدَاكَ عَلَىٰ أَنْ تُشْرِكَ بِي مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ فَلَا تُطِعْهُمَا ۖ وَصَاحِبْهُمَا فِي الدُّنْيَا مَعْرُوفًا ۖ وَاتَّبِعْ سَبِيلَ مَنْ أَنَابَ إِلَيَّ ۚ ثُمَّ إِلَيَّ مَرْجِعُكُمْ فَأُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. (Ne i thamë atij:) ‘Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.’ Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.”[48]
Kjo mirësjellje duhet të shtrihet edhe pas vdekjes së tyre, sepse Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”إِذَا مَاتَ الْإِنْسَانُ انْقَطَعَ عَنْهُ عَمَلُهُ إِلَّا مِنْ ثَلَاثَةٍ صَدَقَةٍ جَارِيَةٍ أَوْ عِلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ أَوْ وَلَدٍ صَالِحٍ يَدْعُو لَهُ “
“Kur vdes njeriu i ndërpritet e tërë vepra e mirë e tij, pos tri prej tyre: Sadakaja/lëmosha e vazhdueshme, dituria e dobishme, apo fëmija i mirë, i cili lutet për të.”[49]
Nga lutjet të cilat Zoti i mësoi të luten robt e Tij, e cila ndërkohë përsëritet në çdo namaz pas etehijatit, është lutja për prindërit e tij, ku thuhet:
رَبَّنَا اغْفِرْ لِي وَلِوَالِدَيَّ وَلِلْمُؤْمِنِينَ يَوْمَ يَقُومُ الْحِسَابُ
“Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!”[50]
Ndërsa hidhërimi i tyre lidhet direkt me hidhërimin e Zotit. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”رِضَى الرَّبِّ فِي رِضَى الْوَالِدِ وَسَخَطُ الرَّبِّ فِي سَخَطِ الْوَالِدِ “
“Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindit, kurse zemërimi i Zotit është në zemërimin e prindit.”[51]
Madje, zullumin ndaj tyre e bëri nga mëkatet më të mëdha. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”أَلَا أُنَبِّئُكُمْ بِأَكْبَرِ الْكَبَائِرِ ثَلَاثًا قَالُوا بَلَى يَا رَسُولَ اللَّهِ قَالَ الْإِشْرَاكُ بِاللَّهِ وَعُقُوقُ الْوَالِدَيْنِ وَجَلَسَ وَكَانَ مُتَّكِئًا فَقَالَ أَلَا وَقَوْلُ الزُّورِ قَالَ فَمَا زَالَ يُكَرِّرُهَا حَتَّى قُلْنَا لَيْتَهُ سَكَتَ “
“A t’ju lajmëroj për mëkatet më të mëdha, këtë e tha tri herë! Po si jo u shprehën të pranishmit: Tha: Të bërit rival Allahut, mosbindja ndaj prindërve.” Meqenëse ishte i mbështetur, u drejtua dhe tha: “Gjithsesi edhe gënjeshtra. Vazhdoi duke e përsëritur atë, saqë dëshiruam sikur të kishte heshtur.”[52]
Nga marrëdhëniet, të cilat nuk mohohen në lidhjen dhe përforcimin familjar, janë:
Këtu bëjnë pjesë si të afërmit nga ana e babait dhe ata nga ana e nënës. Allahu xh.sh. urdhëroi për mbajtjen e lidhjes familjare dhe farefisnore, duke e konsideruar këtë lidhje besatim ndërmjet Zotit dhe besimtarit. Thyerja e këtij urdhri e fut njeriun në rrethin e njerëzve të këqij, shkatërrimtarë e të dështuar, dhe pastaj ndaj tyre vjen mallkimi i Zotit. Këtë e kuptojmë nga disa ajete me urdhra të tilla.[53] Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”لَا يَدْخُلُ الْجَنَّةَ قَاطِعُ رَحِمٍ “
“Nuk hyn në Xhenet ai që i ndërpret lidhjet familjare.”[54]
Ky njeri nuk duhet të largohet nga familja dhe farefisi sado që të ketë ndonjë hidhërim, apo mosmarrëveshje, ndërsa për çështje më të lehta as duhet të trajtohen, si inferioriteti apo mospajtimi në mendime etj., sepse ai kërcënohet shumë rreptë nëse i shkëput lidhjet familjare.
Përfundim
Nga ajo që u tha deri më tani shohim se ndikimi i fesë islame në marrëdhëniet familjare e farefisnore është shumë i rëndësishëm, madje edhe esencial në përforcimin e këtyre marrëdhënieve. Islami i mbyll të gjitha dyert e urrejtjes, inatit, mllefeve që çojnë në shkatërrimin dhe copëzimin familjar, duke i zëvendësuar ato me dashuri, ngrohtësi dhe harmoni, duke filluar nga bashkëshortët, fëmijët e pastaj me prindërit dhe deri te farefisi më i gjerë. Tërë këtë e bëri që brenda familjes të dominojë rehatia dhe paqja, të cilat më pas do të reflektojnë në rreth më të gjerë, që është shoqëria në tërësi, e cila personifikon hadithin e Pejgamberit (a.s.) i cili ka thënë:
”الْمُؤْمِنُ لِلْمُؤْمِنِ كَالْبُنْيَانِ يَشُدُّ بَعْضُهُ بَعْضًا “
“Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, muret e së cilës e shtrëngojnë njëri tjetrin.”[55]
Në këtë mënyrë rritet edhe imuniteti i shoqërisë, në nivelin e duhur, dhe ballafaqimi me problemet esenciale të jetës bëhet më i lehtë, energjia e saj shkon aty ku duhet, e jo të harxhohet kot në çështje nga të cilat jo vetëm që nuk ka dobi, por më tepër ka dëm
Nëse besimtarët i përmbahen këtyre urdhrave, padyshim, ata do ta kryejnë misionin me të cilin janë ngarkuar, që është adhurimi i Allahut xh.sh. përmes ndërtimit të Tokës dhe jo të merren me armiqësi të kota në të cilat e humbin energjinë e tyre, duke i çuar ata në humbjen e kësaj bote dhe të botës tjetër. Ndonëse kjo botë iu nënshtrua atyre kur ata vepronin si individë dhe si shoqëri, sipas porosive të kësaj feje, dhe imunitetin shoqëror e kishin në nivelin më të lartë.*
Literatura
[1]. Mail: zabdullai@hotmail.com
[2]. Fatiha, 1/5-6.
[3]. Zija Abdullahu, Ndikimi i besimit në sjelljen e muslimanit, Prishtinë, 2017, f. 344.
[4]. Shih kuptimin gjuhësorë të fjalës “imunitet” në Fjalor elektronik shpjegues FESH 1.0, në: http://www.gjuha -shqipe.com.
[5]. Selva Selim, El Islam ve ed-dabtu’l ixhtima’i (Islami dhe rregullimi shoqëror), Mektebetu Vehbe, Kajro, 1985, f. 229.
[6]. Malik ibën Nebij, Shurutu’n-nehda (Kushtet e renesancës), përkth. arab. Umer Miskavi dhe Abdus-Sabbur Shahin, Darul Fikr, Damask, 1987, bot. 4, f. 125.
[7]. Tirmidhiu në Sunen, kitabu: et-Tahare, babu: Men jestejkidhu, nr. had. 204.
[8]. Nur, 24/32.
[9]. Shih: Bekare, 2/187.
[10]. Po aty.
[11]. Nur, 24/26.
[12]. Po aty: 24/3.
[13]. Ibn Maxhe në Sunen, kitabu: en-Nikah, babu: el-Ekiffaë, nr. had. 1967.
[14]. Huxhurat, 49/13.
[15]. Rrum, 30/21.
[16]. El-Hadi ed-Derkash, El Akdu’l hadari fi sheriati’l Kur’an, (Lidhja qytetëruese në legjislacionin kur’anor), Daru Kutejbe, Tunis, 1, 1989, f. 490.
[17]. Po aty.
[18]. Nisa, 4/19.
[19]. Ibn Maxhe në Sunen, kitabu: et-Talak, babu; Haddethena suvejd, nr. had. 2018.
[20]. Bekare, 2/229.
[21]. Muslimi në Sahih, kitabu: el-Haxh, babu: Haxhxhetu’n-nebij, nr. had. 2137.
[22]. Bekare, 2/228.
[23]. Es-Sadik el-Kabbudi, Usesu binai’sh-shehsijeti min hilali’l Kur’ani’l Kerim, (Bazat e ndërtimit të personalitetit përmes Kur’anit Fisnik), f. 244.
[24]. Shih: Muhammed Reshid Rida, Tefsiru’l-Menar, (Komentimi ndriçues), Darul el-Mearif, Bejrut, pa vit bot., bot: 2, vëll. 5, f. 59.
[25]. Shih gjerësisht për të drejtat e gruas, obligimet e burrit te: Hamude Abdulati, Struktura familjare në Islam, Logos-A, Shkup, 1995, f. 145-165.
[26]. Nisa,4/4.
[27]. Nisa,4/19.
[28]. Muslimi në Sahih, kitabu: el-Birr, babu: Sileturr-rrahm, nr. had. 4637.
[29]. Muhammed Hasan ebu Jahja, Ahdafu’t-teshri’i’l islami, (Synimet e legjislacionit islam), Darul Furkan, Amman, 1985, f. 518.
[30]. Ahmedi në Musned, kitabu: Senedu’l ashereti’l mebesh-shiriine, babu: Min musned Alij ibni ebi Talib, nr. had. 1041.
[31]. Bekare, 2/286.
[32]. Buhariu në Sahih, kitabu: el-Bujuuë, babu: Men exhra emru emsari, nr. had. 2059.
[33]. Nisa, 4/34.
(*) Ky ajet kërkon trajtim më vete, por këtu hapësira nuk na lejon një gjë të tillë, sepse realizimi i nivelit të duhur kërkon sqarim psikologjik shumë më të gjerë.
[34]. Shih: Hammude Abdul Ati, Struktura e familjes në Islam, f. 162-174 dhe Muhamed Ebu Jahja, Ahdafu’t-teshri’i’l islami, (Qëllimet e legjislacionit islam), f. 509.
[35]. Shih: Bekare, 2/29, 32, 96, 110, 115, 127, 233 etj.; Al ‘Imran, 3/15, 20, 34, 63, 73, 156, etj.; Nisa, 4/11, 12, 17, 58, 134, etj.; Maide, 5/71, 117, etj.; Hud, 11/93; Ahzab, 33/52; Kaf, 50/18.
[36]. Buhariu në Sahih, kitabu: el-Xhumuah, babu: el-Xhum’atu fi’l kura vel mudun, nr. had. 844.
[37]. En’am, 6/151.
[38]. Isra, 17/31.
[39]. Shih gjerësisht për vrasjen e fëmijëve nga varfëria te: Muhammed Mutevel-li Esh-Sha’ravi, Tefsiru Havatir, në: https://www.altafsir.com/Tafasir.asp?t MadhNo=7&tTafsirNo=76&tSoraNo=6&tAyahNo=151&t Display=yes& Page=2&Size=1&LanguageId=1, qasja e fundit më: 03. 03. 2020.
[40]. Ahzab, 33/4-5.
[41]. Për fat të keq në shoqërinë shqiptare ende praktikohet një adoptim apo huazim i tillë i fëmijëve tek të afërmit e tyre, ndonëse Islami dominon në këtë shoqëri prej më shumë se pesë shekuj!
[42]. Shih: Bekare, 2/233.
[43] Buhariu në Sahih, kitabu: el-Xhenaiz, babu: Ma kile fi evladil mushrikiin, had. nr. 1296.
[44] Shih: Lukman: 13-19.
[45] Ebu Davudi në Sunen, kitabu: es-Sala, babu: Meta ju’merul gulamu bis-sala, nr. had. 418.
[46]. Shih gjerësisht: Jusuf, 12/4-48 dhe 58-100.
[47]. Isra, 17/23-24.
[48]. Lukman, 31/14-15.
[49]. Muslimi në Sahih, kitabu: el-Vesijje, babu: Ma jelhakul insanun mineth-thevab ba’del vefat. nr. had. 3084.
[50]. Ibrahim, 14/41.
[51]. Tirmidhiu në Sunen, kitabu: el-Birr ves-sileh, babu: Ma xhae minel fadli fi redjil validejni, nr. had. 1821.
[52]. Buhariu në Sahih, kitabu: esh-Shehadat, babu: Ma kiile fi shehadeti ez-zuur, nr. had. 2460.
[53]. Shih: Bekare, 2/27; Rra’d, 13/25; Muhammed, 47;
[54]. Muslimi në Sahih, kitabu: el-Birru ves-sileh, babu: Siletu’rr-rrehm, nr. had. 4637.
[55]. Muslimi në Sahih, kitabu: el-Birru ves-sileh, babu: Terahumi’l mu’minin, nr. had. 4684.
* Kumtesë e mbajtur në Tiranë më 5 mars 2020 në Konferencën e III-të Ndërkombëtare në Studimet Islame, organizuar nga Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin “Bedër” në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Feb 12, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Jan 19, 2022 0
Dec 02, 2020 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...