Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 23, 2021 Zani i Nalte Editoriale 0
nga Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës, KMSH
Historia e viteve që pasuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, e më pas, do të ishte shumë e ashpër me besimin dhe besimtarët. Vuajtjet u bënë pjesë e jetës së besimtarëve për më shumë se gjysmë shekulli, sepse më shumë se çdokush tjetër dhe mbi çdo torturë fizike, besimtarëve iu mohua përkujtimi i Zotit, iu ndrydh ndërgjegjja, iu ndalua besimi dhe komunikimi që ata kishin me Krijuesin e tyre, Zotin e gjithësisë.
Diktatura me tërë egërsinë e vet, hoqi mësimin e besimit nga shkolla, mbylli të gjitha shkollat për përgatitjen e kuadrit fetar, pezulloi shtypin fetar dhe botimet, sekuestroi të gjitha bibliotekat personale me literaturë fetare, ndaloi funksionimin e objekteve fetare, pengoi zhvillimin e riteve fetare, xhamitë i shndërroi në magazina e stalla dhe sigurisht shumicën e tyre i shkatërroi dhe i rrafshoi. Nga 1127 xhami që ishin në vitin 1967, vit kur Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, në vitin 1990 numëroheshin vetëm disa. Hoxhallarët më të shquar i burgosi dhe i pushkatoi, kurse disa prej tyre i dëboi nga qyteti, i la pa punë, u bëri presione që të hiqnin petkun fetar e të mohonin pikpamjet e tyre, shkurt, u përpoq me çdo mjet që të mos linte asgjë nga feja dhe ndjenjat e popullit për të.
Megjithatë ishte e kaluara islame e këtij populli, që zbuti shthurjen totale të shoqërisë sonë prej furtunës komuniste, dhe shumë besimtarë e ruajtën identitetin e tyre, duke kryer edhe një pjesë të riteve fshehurazi. Në mënyrë të kujdesur, pa marrë parasysh pasojat e rënda vetiake e familjare që rridhnin nga zbulimi i tyre, ata mbanin ramazan, faleshin, bënin lutje e bamirësi dhe mbanin gjallë në shpirtin e tyre dashurinë për Zotin, Profetin e fenë islame, kishin besim në mëshirën e ndihmën e Zotit, duke shpresuar ditë më të mira.
Rihapja e aktivitetit fetar islam
Rihapja e aktivitetit fetar islam, pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, u bë ditën e premte më 16 nëntor 1990, në Xhaminë e Plumbit në Shkodër. Lidhur me këtë ditë të shënuar, ish myftiu i Shkodrës, H. Faik Hoxha, mes të tjerash shkruan: “Pesë vjet më parë, një grup qytetarësh, shumica të rinj, morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Duke përkujtuar këtë ngjarje të shënuar historike, na del përpara ai miting i madh popullor me rreth 60.000 pjesmarrës nga qyteti e fshati, nga të gjitha moshat, të mbledhur me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë, të cilët shprehën urrejtjen për diktaturën dhe ndjenjat e tyre për fenë.”[1] Kurse për ceremoninë e rihapjes së xhamisë së Plumbit, gjatë një interviste e pyetën Hafiz Sabriun: “A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie?” Ai u përgjigj: “Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. Përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndjeja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë.”[2]
Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Hafiz Sabri Koçi, më pas kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë. Ai, pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale. Nga xhamia e Plumbit u dëgjuan pas shumë vitesh ajetet e Kur’anit dhe Hadithet e Muhamedit (a.s.), të cilat, me besnikërinë më të madhe, i kishte ruajtur në kujtesën e tij Hafiz Sabriu.
Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe pas 3 viteve (1993), z. Ismail Muçej, kryeredaktor i parë i gazetës “Drita Islame”, shprehet: “Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin, njëra pas tjetrës, faltore.”
Ndërsa në Tiranë, shumë prej xhamive ishin shndërruar ose rrënuar dhe trualli i tyre ishte zëvendësuar me ngrehina të tjera, por, për fatin e mirë, xhamia “Ethem Beu”, e cila bashkë me kullën e sahatit ishin bërë simbol i kryeqytetit në çdo imazh fotografie apo pikture që përfaqësonte Tiranën, arriti t’i shpëtonte tiranisë së komunizmit, që u përpoq të shkatërronte çdo vlerë të besimit. Ishte prej begative të Zotit, që kjo xhami qëndroi më këmbë, gjersa u rihap sërish për t’iu rikthyer zemrave të besimtarëve.
Lidhur me fillimet e aktivitetit fetar në qytetin e Tiranës z. Islam Kadesha shkruan: “Me rekomandimin e z. Sinan Tafaj, shkuam në shtëpi të z. Faik Kasollja, i cili na mirëpriti dhe lamë takimet e para në lulishten pranë Kuvendit Popullor. Në takimin e dytë, z. Faik solli kolegë dhe miq të tjerë, z. Ramazan Rysheku, Ibrahim Balla, Xhavid Alimehmeti, Selim Stafa e Mehmet Sinella. Gjatë dhjetorit 1990, të ngarkuar me plot ngjarje, u zhvilluan takime pas takimesh. Në fillim të vitit 1991, z. Iljas Alimehmeti vuri në dispozicion banesën e vet për të zhvilluar takimet. Në ato ditë, një kontribut ka dhënë edhe një palestinez me emrin Zyher Naim. Në takimet e fillim vitit 1991, morën pjesë edhe besimtarë të tjerë si Dr. Shefqet Ndroqi, Dr. Qazim Bakalli, Bardhyl Fico, Sali Mëniku, Kujtim Gjinishi, Shyqyri Bylyku etj. Pas shumë takimesh, erdhëm në përfundim që të konkretizohej e gjithë puna me marrjen e xhamisë “Haxhi Ethem Beu”, detyrë që iu ngarkua Islam Kadeshës, Iljas Alimehmetit, Ramazan Ryshekut dhe Ibrahim Ballës. Me gjithë pengesat e kryesisë së pushtetit të atëhershëm, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës u tregua i gatshëm në dhënien e xhamisë më 15.01.1991. Ky ka qenë z. Emin Riza.
Me datë 16.01.1991 komisioni provizor, i përbërë prej 7-8 vetësh, pasi mori në posedim xhaminë e “Haxhi Ethem Beut”, mori vendim që me datë 18.01.1991 të deklaronte rihapjen e veprimtarisë fetare. Në mbledhjen e fundit të komisionit u vendos të mbahej fjala e rastit nga Ibrahim Balla, të bëhej drejtimi i mevludit nga Ramazan Rysheku dhe të bëhej falja e parë e namazit të ditës së premte. Kjo ka qenë ceremonia e parë, tepër madhështore, në të cilën morën pjesë rreth 100.000 qytetarë, nga të cilët u mbulua i gjithë sheshi “Skënderbej”. Ka qenë një ceremoni tepër prekëse, sepse për gati 50 vjet nuk ishte parë ndonjëherë një pjesëmarrje e tillë. Data 18 janar 1991, është dita e parë që zyrtarisht konsiderohet rihapja e veprimtarisë fetare në Tiranë.”[3]
Ndërsa, ish drejtori e mësuesi i Medresesë së Tiranës, z. Xhemal Balla, lidhur me këtë ditë kujton: “Në Tiranë, mbështetja e parë ishte z. Ibrahim Balla, ish-drejtor i përgjithshëm i vakfit në Komunitetin Mysliman Shqiptar deri në vitin 1967, kur shteti e mbylli fenë me ligj. Ibrahim Balla ishte i fundit që dorëzoi arkivën e Komunitetit Mysliman, si dhe çelësin e xhamisë së ‘Et’hem Beut’ në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, sot Bashkia e Tiranës. Hapi i parë u hodh në mbajtjen e një ceremonie fetare (mevlud) në xhaminë e ‘Et’hem Beut’ më 18 janar 1991. Ishte Ibrahim Balla ai që kishte dokumentin e dorëzimit të çelësit në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës më parë, i cili e rimori çelësin me vështirësi dhe me rezistencë nga Bashkia. Ceremonia kaloi në mënyrë të përsosur, e ndjekur nga mijëra besimtarë në sheshin ‘Skënderbej’. Pas ceremonisë së mevludit, z. Ibrahim Balla, z. Ramazan Rusheku dhe të tjerë, u drejtuan drejt 15-katëshit (Hotel Tirana). Këtu bëhet mbledhja e parë zyrtare bashkë me z. Bardhyl Fico.”
Rihapjet e xhamive anembanë vendit pasuan me hapa të shpejta. Mund të përmendim xhaminë Mbret në Berat, e cila u rihap më 14.12.1990, xhaminë e Plumbit në Vlorë, e cila u rihap më 11.01.1991, xhaminë e Kokonozit (pazari i ri) në Tiranë, e cila u rihap më 18.02.1991, xhaminë Fatih në Durrës, e cila u rihap më 07.03.1991, xhaminë e madhe në Durrës, e cila u rihap më 24.03.1991, xhaminë në qytetin e Fierit, e cila u rihap më 12.04.1991, xhaminë në Koplik, e cila u rihap më 21.04.1991 etj.
Kështu, dalëngadalë, me një punë të kujdesshme e plot sakrifica, filluan të hapen xhamitë e para, të meremetohen ato që kishin mbetur kur dorëzoheshin nga organet e pushtetit, u hapën salla për të kryer faljet e predikimit e rastit në ato vende ku nuk kishte xhami, si dhe u ndërtuan xhami të reja.
Ringritja e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Hapi i parë në ringritjen e këtij institucioni është bërë me datë 16.01.1991, pas mbarimit të ceremonisë në xhaminë e Plumbit të Shkodrës. Një grup nismëtarësh i përbërë prej 20 personave, me në krye Hafiz Sabri Koçin, u mblodhën dhe morën tre vendime në këtë drejtim. Në procesverbalin e mbajtur në atë ditë shkruhet:
Numri 1 i protokollit
Data: 16.11.1990
Me burrëri edhe në kundërshtim me ligjin, ka përcaktuar emërtimin e institucionit: “Bashkësia Islamike Shqiptare, Shkodër”.
Qëllimi i mbledhjes: Krijimi i Bashkësisë Islamike Shqiptare, me qendër në qytetin nismëtar të fesë.
Kush mori pjesë: Grupi i punës, nismëtar të hapjes së Xhamisë, intelektualë dhe besimtarë me kulturë islame (medresistë).
Vendi i mbledhjes: Xhamia e Plumbit në lagjen Tabakë
Vendimet:
Procesverbali është firmosur nga Kryetari Hafiz Sabri Koçi, Sekretari Mit’hat Myftia dhe për komisionin nismëtar nga Ferit Hamid Lluja.[4] Z. Ferit Lluja, me cilësinë e përfaqësuesit të grupit nismëtar, paraqitet te Ministri i Drejtësisë, Enver Halili, dhe i dorëzon kërkesën për formimin e Bashkësisë Islamike Shqiptare, statutin dhe programin e saj.
Më datë 23.01.1991, Ministria e Drejtësisë, drejtoria e Kodifikimit, lëshon urdhrin nr. 2/1 për miratimin dhe krijimin e shoqatës “Bashkësia Islamike Shqiptare”. Në këtë urdhër thuhet:
Në ministrinë e Drejtësisë është paraqitur kërkesa për miratimin e krijimit të shoqatës “Bashkësia Islamike Shqiptare” dhe për regjistrimin e saj. Kërkesës i bashkangjitet programi i veprimtarisë dhe statuti i kësaj shoqate.
Mbasi u njoha me këto materiale, konstatova se përmbajtja e programit dhe e statutit të shoqatës pajtohen me përmbajtjen e ligjës “Për organizatat shoqërore që nuk ndjekin qëllime ekonomike”
Urdhëroj
Ministri (Enver Halili)
Prof. Dr. Shefqet Ndroqi, në bllokun e tij të kujtimeve shkruan: “…mbledhja e parë është bërë në shtëpinë e Iljas Alimehmetit…Mes tjerash u vendos që të thirrej në Tiranë Hafiz Sabriu dhe këtu të krijohej Komuniteti Musliman Shqiptar, mbasi në Tiranë veprimtaria ishte më e madhe, këtu mund të mbaheshin lidhjet me qeverinë, me ambasadat, me delegacionet e huaja. Kjo ishte më e arsyeshme. U caktua një komision që shkonte në Shkodër, të takonte Hafiz Sabri Koçin. U caktova unë (Dr. Shefqet Ndroqi), z. Bardhyl Fico, z. Ramazan Rusheku dhe z. Zyher Naim. Shkuam në Shkodër tek Hafiz Sabriu dhe i kemi shtruar kërkesën tonë. Hafizi parimisht ishte dakort, por duhej të merrej mendimi i Këshillit të Përkohshëm me qendër në Shkodër, të krijuar më parë. U vendos që të bëhej një mbledhje e gjërë në Tiranë”.
Më 14.02.1991 u organizua mbledhja e parë zyrtare me përfaqësues nga të gjitha rrethet, që u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në këtë mbledhje, të përgatitur me seriozitet nga grupet nismëtare të rretheve, pasi u diskutua gjendja dhe mundësitë, u shtrua për miratim statuti dhe programi i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, si dhe u zgjodh kryesia e përbërë nga Hafiz Sabri Koçi, Salih Ferhati, Ramazan Rusheku, Salih Tivari dhe Ismail H. Muçej.[6] Kryetar i Këshillit të Komunitetit Musliman të Shqipërisë u zgjodh me votim unanim hirësia e tij Hafiz Sabri Koçi.
Profesor Ndroqi kujton: “…ato ditë kishim vështirësi të shumta, mbasi nuk kishim as zyrë, as makinë, as gjërat më elementare. Për këtë arsye, unë vura në dispozicion shtëpinë time, ato mundësi materiale që kisha, si telefonin, një makinë shkrimi etj. Aty punuam me orë të tëra, pritëm delegacione të ndryshme, përfaqësues nga vendet arabe etj. Në shtëpinë time u zhvilluan mbledhje, u punua për hartimin e statutit të ri mbi bazën e të vjetrit etj.”
Profesor Xhemal Balla thotë: “Nën kujdesin e z. Bardhyl Fico, brenda 2 muajve iu dha ndërtesa në sheshin ‘Avni Rustemi’, ku vendoset kryesia e Komunitetit Mysliman. Këtu fillon dhe plotësimi i organikës me punonjës të tjerë të Komunitetit Mysliman, me aprovimin e kësaj kryesie.”
Bisedat e mbajtura dhe intervistat e dhëna nga Hafiz Sabri Koçi, si dhe kronikat e reportazhet e botuara në organet “Drita Islame”, “El-Hilal”, “Hëna e re”, “Elif” dhe “Bashkimi”, apo të transmetuara në Radio Shkodra, janë materiale të rëndësishme për veprimtaritë fetare të zhvilluara gjatë muajve prill-qershor 1991, të cilat janë pasqyruar hollësisht në librin “Një jetë në shërbim të fesë.”[7]
Në procesverbalin e mbledhjes së parë të grupit nismëtar për themelimin e “Bashkësisë Islame” në Tiranë, mes të tjerave shkruhet: “…u mblodhëm sot me datë 21 janar 1991, ora 11.00 në shtëpinë e z. Iljas Alimehmeti dhe qëllimet që ndjek mbledhja e këtij grupi janë: … Të krijohet Medreseja e Mesme siç ka qenë…”[8]
Përsa i përket hapjes së Medresesë së Tiranës, “Haxhi Mahmud Dashi”, nxënës i së cilës kam qenë edhe unë në vitin shkollor 1991-1992, ish-mësuesi i Medresesë së Tiranës në ato vite, z. Ali Hoxha, thotë: “Në datën 16.10.1991 Medreseja e Tiranës hap dyert për nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm. Si përgjegjës për punët e shkollës fillimisht zgjidhet z. Ibrahim Balla, i cili emërohet drejtor i medresesë një vit më pas nga Komuniteti Mysliman.” Më 12.12.1991 u hap medreseja “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër dhe në vazhdimësi u hapën edhe disa medrese të tjera në rrethet Kavajë, Berat, Korçë… Për lëndët e kulturës fetare, medresetë u mbështetën në ish-nxënësit e Medresesë së Lartë të Tiranës, të cilët megjithë moshën e tyre, qenë të gatshëm që të zhvillonin mësim.
Përveç shkollave fetare, sigurisht që lindi nevoja edhe e organizimit të shtypit fetar dhe e librave fetare, sepse që nga viti 1944 nuk dilte asnjë revistë apo gazetë, nuk u lejua të botohej asnjë libër fetar. Prandaj, me 7.10.1991 Hafiz Sabri Koçi i drejtohet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve me një shkresë, ku mes të tjerave, i kërkon të mundësojë botimin e një gazete.[9]
Ish-redaktori i gazetës “Drita Islame”, z. Nasuf Dizdari kujton: “Ishin ditët historike të vitit 1991, kur në muajin dhjetor bëhej mbledhja e parë e Drejtorisë së Kulturës dhe vendosej që në janar 1992 të shihte dritën e botimit gazeta “Drita Islame”, organ i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, si periodik dyjavor”. Dhe kështu me shumë përpjëkje me datën 10.01.1992 doli numri i parë i gazetës.
Organi i shtypit, “Drita Islame” nëpërmjet mesazheve që përcjell, përmbledh jo vetëm spektrin fetar islam, por trajton edhe një sërë çështjesh problemore që kanë të bëjnë me edukimin, ekonominë, normat e sjelljes komunitare, çështje me karakter social e politik, etj. Nga një vështrim i thjeshtë që mund t’i bësh çdo numri të gazetës/revistës, vihet re një larmi e gjerë analizash mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me besimin, artin, kulturën, kombin, etj. Që në numrin e parë, gazeta shpalosi misionin e saj shoqëror dhe kombëtar, ku synonte zgjimin e ndërgjegjes fetare te besimtarët e saj në bazë të mësimeve morale të Kur’anit, duke e zhveshur nga të gjitha mbresat e dëmshme të lëna nga ateizmi për afro gjysmë shekulli. Mjafton të shfletosh faqet e gazetës/revistës dhe që nga viti 1992 e deri më sot, do të gjesh tema nga më të larmishmet, të cilat synojnë lexues të profesioneve, etnive dhe besimeve të ndryshme.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me rithemelimin dhe vazhdimin e botimit të revistës “Zani i Naltë”, që nga tetori i vitit 2012, si një revistë shkencore, tregon edhe një herë se është në ndjekje të gjurmëve të personaliteteve të shquara islame shqiptare. Revista “Zani i Naltë”, përmban artikuj të mirëfilltë shkencore me trajtime akademike në fushat e shkencave të ndryshme islame, si në fikh, tefsir, hadith, por edhe në shkencat shoqërore, si sociologji, filozofi, psikologji, histori, etj., duke u bërë kështu një trashëguese e denjë e emrit të saj, ashtu siç ishte që në themelimin e vet, në vitin 1923.
Sot, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i shtrirë në 35 qytete të vendit dhe ndjek veprimtarinë fetare nëpërmjet myftinive përkatëse. Ai numëron 942 xhami, 4 Medrese në rrethet Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan, si dhe Kolegjin Universitar Bedër në Tiranë.
Kolegji Universitar Bedër, u çel në prill të vitit 2011 me kërkesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe vendim të Këshillit të Ministrave nr. 286, datë 06.04.2011, me anë të të cilit u miratua dhënia e licencës për ushtrimin e aktivitetit si institucion i arsimit të lartë. Kolegji Universitar Bedër administrohet nga Fondacioni “Hafiz Ali Korça”, fondacion i cili është themeluar po nga KMSH-ja me qëllim të posaçëm administrimin e këtij institucioni të arsimit të lartë. Ai ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Kolegji Universitar Bedër ka 2 fakultete dhe 6 departamente, të cilat ofrojnë 9 programe studimi të nivelit bachelor, të integruar të ciklit të dytë, si dhe profesionale; gjithashtu dhe 9 programe studimi të nivelit të dytë, master shkencor dhe master profesional.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i vetëdijshëm ndaj misionit të vet vendimtar për rigjallërimin e vlerave të besimit dhe të traditës së bukur islame, me qëllim që mesazhi i Islamit, të zërë vendin që meriton në shoqëri, në familje, por më shumë se kaq, në zemra e në mendje.
Në faqet zyrtare të KMSH-së (kmsh.al – dritaislame.al – zaninalte.al) do të gjeni informacione të ndryshme e të rekomanduara rreth fesë islame dhe më gjërë. Këto faqe do të plotësojnë njohuritë tuaja rreth organizimit të KMSH, strukturave të funksionimit të tij dhe aktualiteteve të ndryshme me karakter fetar islam.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që nga rithemelimi i tij, është drejtuar nga kryetarët e nderuar:
1) Hafiz Sabri Koçi (kryetari i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990-2003).
2) Haxhi Selim Muça (kryetari i KMSH-së në vitet 2004-2014).
3) Haxhi Skender Bruçaj (kryetari i KMSH-së në vitet 2014-2019).
4) Haxhi Bujar Spahiu (kryetari i KMSH-së nga marsi i vitit 2019 e në vazhdim).
[1]. Faik Hoxha, “Duke kujtuar një përvjetor”, Gazeta Drita Islame, nr. 21 (82), viti IV i botimit, dhjetor 1995.
[2]. Faik Luli – Islam Dizdari, “Një jetë në shërbim të fesë”, f. 56, Tiranë 1996.
[3]. Islam Kadesha, “Rihapja e institucioneve fetare me 18.01.1991”, Gazeta Drita Islame, nr. 3 (158), viti VIII i botimit, shkurt 1999.
[4]. Faik Luli – Islam Dizdari, Po aty, f. 64-65; Gazeta Drita Islame, “Si u formua Bashkësia Islame e Shqipërisë”, nr. 1 (324), janar 2010.
5. Faik Luli – Islam Dizdari, Po aty, 70-71.
[6]. Salih Tivari, sekretar i përgjithshëm i KMSH, “Arritjet trivjecare të Komunitetit Musliman Shqiptar”, Gazeta Drita Islame, nr. 1 (44), viti i III i botimit, janar 1994.
[7]. Faik Luli, “Kontribute për publicistikën islame”, Gazeta Drita Islame, nr. 4 (183), viti i IX i botimit, shkurt 2000.
[8]. Procesverbali nr. 1, datë 21.01.1991, arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
[9]. Shkresa me nr. prot. 142, datë 7.10.1991, arkivi i KMSH.
Sep 18, 2021 0
Nov 13, 2020 0
Nov 10, 2020 0
Mar 02, 2019 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...