Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 15, 2021 Zani i Nalte Studime 0
nga Hysen Kobellari
Abstrakt
Vetëm përmendja e emrit “Thesar” zgjon te njeriu ndjenja nga më të çuditshmet, nga më interesantet… Veçanërisht kur ndërthuren vlera të vërteta monetare me vlera të veçanta artistike. I tillë është i mirënjohuri “Thesari avar i Vrapit të Tiranës”. Ky thesar është një prej koleksioneve shumë të rëndësishëm që ekspozon sot Muzeu Metropolitan i Nju Jorkut në SHBA. Koleksioni i rrallë përbëhet prej objektesh të punuara në ar dhe argjend.
Thesari u zbulua në lindje të fshatit Vrap të Tiranës nga vëllezërit besimtarë myslimanë Murat e Ali Biceri dhe vëllezërit Met e Mustafa Mema në vitin 1901 në arën, e cila ishte në pronësi të Met Memës… Mendohet se thesari i përket shekullit të VI dhe se ka qenë pronë e avarëve të Obrait, ose të njohur si bullgaro-sllavët, që për njëfarë kohe sulmuan dhe pushtuan provincat romake të Dalmacisë, Prevalitanisë, Dardanisë dhe Ilirisë…
Interesant është fakti se një pjesë e këtij thesari është gjetur në fshatin Lëngëz të Ersekës, Kolonjë, nga një familje e fshatit me mbiemrin Qiriazi, në vitin 1890, buzë një përroi dhe është paraqitur në vitin 1981 në Galerinë e famshme në Sotheby në Londër, ndryshe edhe i njohur si Thesari i Ersekës, i ardhur nga një krahinë jugore e Shqipërisë. Të dyja këto koleksione janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe mendohet se vijnë nga i njëjti burim. Megjithatë misteret mbeten mistere, sepse kanë të fshehtat e tyre, të cilat kurrë nuk mund të zbulohen plotësisht…
Ç’janë misteret e si duhen trajtuar ato?!
Shpesh kemi dëgjuar për mistere, për të fshehta të panjohura, të pashpjegueshme, të cilat ngjallin shpesh te njerëzit kureshtje e kërshëri të shtuar.
Po ç’është misteri?!
Misteri është diçka e panjohur, një gjë shumë e fshehtë, e pashpjegueshme, diçka që nuk kuptohet, a që me zor, me shumë vështirësi kuptohet e njihet; diçka e errët dhe e pashpjegueshme, që e ka mbuluar pluhuri i kohës, harresa, ose që është fshehur qëllimisht ose është lënë në harresë, e panjohur, e pazbuluara prej njerëzve; fshehtësi, e fshehtë.
Ne dëgjojmë frazat: Mister i madh; misteret e natyrës; këtu fshihet një mister; mbeti mister, nuk u zbulua; është e rrethuar, e mbuluar me mister; kyçi i misterit, çelësi i së fshehtës, etj.
Nga historia e feve, “Misteri” ka qenë një rit fetar, që bëhej në Greqinë e lashtë dhe Romën e vjetër, si dhe në vendet e lashta të Lindjes për nder të një perëndie të caktuar, duke marrë pjesë në të vetëm fetarët, priftërinjtë, besnikët; këto ceremoni fetare zakonisht ishin të mbyllura për një rreth të vogël njerëzish.
Në fushën e letërsisë, “Misteri” përfaqëson një dramë fetare në mesjetën e vonë, në të cilën trajtohen tema nga Bibla, të ndërthurura me skena tragjike e komike nga jeta e përditshme.
Për një njeri të porsalindur gjithçka e kësaj bote është mister, e fshehtë, e panjohur, e paditur. Me kalimin e kohës sfera e mistereve sa vjen e zvogëlohet, megjithëse misteret nuk kanë fund, nuk mund të zbulohen, njihen, argumentohen e shpjegohen plotësisht. Mister është jeta e njeriut, por mister është edhe vdekja. Askush, përveç Zotit nuk e di ç’do të fitojë nesër dhe askush, përveç Zotit nuk e di, mënyrën kohën dhe vendin ku do të vdesë.[1] Misteri përgjithësisht për njeriun vazhdon të mbetet i tillë, sado i ditur dhe i kulturuar të jetë ai. Dituria s’ka fund, e vërteta s’ka mbarim. Misteri i botës është një motiv, i cili e bën jetën e njeriut çdo ditë më interesante, sepse hulumtimi në të fshehta ende të panjohura e të pazbuluara nxit kureshtjen, kërshërinë tonë dhe shpesh është burim përparimi e dobie për të çuar më përpara zhvillimin e jetës shoqërore, shkencës, kulturës, njohjes, prosperitetit, paqes…
Besimi në Zot është faktori kryesor që e motivon njeriun që të jetë në kërkim të njohjeve dhe zbulimeve të pashtershme të të vërtetave të pjesshme e të plota, të mistereve të gjithësisë. Librat e shenjtë, Kur’ani dhe Hadithologjia janë çelësa të sigurt për të hyrë në botën e madhe të kërkimit dhe zbulimit të mistereve të pafundme të botëve, për të cilat breza të tërë njerëzish do të punojnë pa u lodhur, me durim e këmbëngulje, deri në pafundësi…
Nga Nju Jorku në Londër, i njëjti thesar?!…
(Në vend të reportazhit)
Vizitorit të Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut i bie menjëherë në sy një koleksion shumë i rrallë, midis koleksioneve të tjera të famshme që ruhen atje, “Thesari shqiptar”, i zbuluar në fshatin Vrap, në periferi të Tiranës, në vitin 1901. Objektet e këtij thesari kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve, kërkuesve dhe historianëve të njohur, të cilët akoma edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të japin një përgjigje përfundimtare të saktë për misteret e shumta që mban mbi vete ky thesar në historinë e tij shekullore. Koleksioni përbëhet prej objektesh të punuara në ar dhe argjend. Pesha e enëve të thesarit është 5,6 kg ar dhe 1,5 kg argjend. Janë gjetur 41 objekte, 35 prej ari dhe 6 prej argjendi të tilla si kupa, kapakë, pafta rripi katërkëndëshe me grifë, gjuhëza rripash, etj. Po të studiosh me kujdes pajimet e një rripi, i cili ka zbukurime inde e kafshë mitologjike, të cilat njihen me emrin grifa, menjëherë mendja të shkon në faktin se ky thesar u përket Avarëve. Këto janë elementë të kulturës së njërës prej popullsive barbare të shfaqura në Ballkan gjatë rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit dhe formimit të Perandorisë Bizantine. Avarët, një popullsi shumë luftarake, që hyri në territoret lindore të Perandorisë Bizantine, në fillim si hordhi plaçkitëse dhe më vonë si kolonë, ishin element i rëndësishëm në formimin e popullsive bullgaro-sllave. Zbukurimet në rripa ishin mjaft të preferuara tek ata. Zbukurimet artistike mjaft të arrira të rripit, si dhe punimet e objektit deri në detajet më të holla, të bëjnë të mendosh se rripi i përkiste dikujt nga shtresa e parisë së atëhershme. Ndërsa objektet e tjera me origjinë të krishtere bizantine, që në pjesën më të madhe të tyre janë të papërfunduara, provojnë se thesari mund të jetë grabitur te ndonjë Khagan, prijës fisi tek avarët. Vizitori mëson se këto objekte ari unike janë punuar në ar solid, safi. Tokëza e gjetur ka të gdhendur një simbol të ngjashëm me një objekt tjetër solid të zbuluar në varrin e një princi në një varrezë avare në Osora, zonë pranë liqenit Balaton, në Hungarinë e sotme. A mos vallë ky thesar ka qenë grabitur nga ndonjë prijës i panjohur avar, i cili në rrethana të pazakonta arratisjeje ka qenë i detyruar ta groposë atë në Vrap të Tiranës?!
Stili i punimit të këtyre objekteve, sipas Verner-it dhe bashkëpunëtorëve të tij, mendohet se është i njëllojtë me punimet në filigran të fisit të Avarëve të Khaganatit të Obrait, të cilët njihen si bullgaro-sllavë; ata për njëfarë kohe sulmuan dhe pushtuan provincat romake të Dalmacisë, Prevalitanisë, Dardanisë dhe Ilirisë. Ka burime të shkruara si “Kronika e Monevasisë”, apo “Jeta e Shën Pankratit”, ku bëhet fjalë për dyndje të trupave “pseudoavare”, sllavo-bullgare, të cilat mësynin territoret romake, sidomos ato përgjatë Via-Engatia-s, duke plaçkitur, apo edhe duke u ngulitur, vendosur në zona të braktisura, të mbetura shkretë. Nga këto burime del se këto trupa, gjatë Fushatës së dytë në Greqi, në vitet 586-588 ia mbërritën deri në muret e Durrësit dhe të Ohrit…
Vizitori i Muzeut Metropolitan të Artit në Nju Jork mëson gjithashtu se “Thesari shqiptar i Vrapit të Tiranës” gjendet aty që prej vitit 1917, si një pasuri e lënë me testament nga bankieri i famshëm amerikan Xhon Pierpont Morgan. Ky e kishte shtënë në dorë atë ndër vitet 1902-1907 me ndërmjetësinë e Konsullit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë, Remi von Kuatkovski, në Durrës. Studiuesi Joakim Verner, me bashkëpunëtorë nga vendi ynë F. Kondi, S. Anamali, N. Ceka, S. Muçaj, S. Bushi, S. Xhyheri, etj., u mundua t’i jepte një shpjegim misterit të këtij thesari, duke studiuar objektet në vend më 1982, pastaj me botimin e veprës “Thesari i Vrapit në Shqipëri”, botuar në Vjenë, më 1989.
Po nuk mbaron me kaq…
Vizitori i pasionuar pas historisë e arkeologjisë, teksa shikon me kujdes objektet e shumta të Galerisë “Sotheby” në Londër, posaçërisht koleksionin e quajtur “Parke Bernet & Co”, mëson se aty ndodhen objekte të ngjashme prej ari dhe argjendi, të prura aty më 14 shtator 1981, të njohura ndryshe si “Thesari i Ersekës”, ardhur nga një krahinë jugore e Shqipërisë. Nuk është e vështirë të nxjerrësh përfundimin se ky thesar avar ka shumë ngjashmëri me “Koleksionin e Vrapit të Tiranës”, i gjetur në vitin 1901. Askush nuk e di se si ky thesar përfundoi në Londër. Të dhëna të zbehta vijnë nga banorë të fshatit Lëngëz, pranë Ersekës, Krahina e Kolonjës, afër Korçës, sipas të cilëve ky thesar ishte zbuluar nga një familje e fshatit me mbiemrin Qiriazi aty nga fundi i vitit 1890 gjatë gërmimeve buzë një përroi. Sapo e zbuloi thesarin, familja u shpërngul, duke u vendosur në Sllovë të Maqedonisë, ku fati i tyre dhe i thesarit të gjetur, të marrë me vete, nuk u mësua kurrë, duke mbetur deri tani mister. Thesari i Ersekës ka 123 objekte ari dhe argjendi. Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar ky thesar ndodhej në duart e një familjeje nga elita e udhëheqjes naziste në Gjermani, të cilët mendonin se thesari kishte prejardhje gote edhe si e tillë ai kishte një vlerë shumë të madhe për një familje, që besonte në rilindjen e racës ariane gjermane. Me rënien e nazizmit edhe rëndësia e këtij thesari u la në harresë, duke dalë në skenë vetëm në vitin 1981 në Sotheby të Londrës, pa u shpjeguar dot për pronarin e tij të vërtetë dhe rrugën e mbërritjes aty. Studiues austriakë të Universitetit të Vjenës, duke krahasuar me kujdes objektet e “Thesarit të Ersekës”, mendojnë se ai duhet të jetë pjesë e “Thesarit të Vrapit”, po se si dhe përse ai është gjetur buzë një përroi, në një fshat të Ersekës, askush nuk mund të japë ndonjë përgjigje të saktë. Të dy këto thesare janë zbulime shumë të rëndësishme për arkeologjinë dhe historinë jo vetëm të popullsive barbare, që pushtuan Ballkanin në shekujt V-VI, por edhe për historinë e trojeve shqiptare gjatë kësaj periudhe, e njohur si periudhë e errët, mbuluar nga mjegulla e shekujve që erdhën më pas.
Kush, kur, ku dhe si u gjet “Thesari i Vrapit të Tiranës”?!
Vendi i zbulimit të thesarit është në kodrinën në anën lindore të fshatit Vrap, te Sharra e Qytetit (Sharra e Madhe), toponim ky që vjen nga rrënojat e një vendbanimi të lashtë, të fortifikuar në antikitet të vonë. Kodra është pjesë e vargut kurrizor shkëmbor që fillon nga Shënkolla, pritet nga dy qafa luginore, duke krijuar aty një kodër të veçuar. Në kryqëzime horizontesh, në të gjitha drejtimet e Krahinës së Kërrabës, rrugët këmbësore, që kalojnë aty lidhin në distancë më të shkurtër Luginën e Shkumbinit me atë të Erzenit, për të vazhduar njëra në drejtim të qytetit të Durrësit dhe tjetra përmes Fushës së Tiranës drejt Veriut.
Vendgjetja e “Thesarit të Vrapit” ndodhet në veriperëndim të fshatit Vrap, në hyrje të tij. Banorët e Vrapit, gojë pas goje, e kanë përcjellë siç mund t’i besohet gjuhës e veshit, historinë e zbulimit të thesarit në vitin e largët 1901. Ishin vëllezërit besimtarë myslimanë Murat e Ali Biceri nga njëra anë dhe Mehmet (Met) dhe Mustafa Mema nga ana tjetër, gjetësit e këtij thesari. Ara ku ishin groposur sendet me vlerë të madhe ishte në pronësi t) Met Memës. Ka shumë variante të këtyre gojëdhënave, po le të ndalemi tek ajo çka Muharrem Biceri i rrëfeu studiuesit Joakim Verner, kur studiuesi i pasionuar, i ftuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë edhe nën shoqërinë e profesor Skënder Anamalit, vizitoi më 7 korrik 1982 fshatin Vrap të Tiranës.
Ja, çfarë shkruan studiuesi në dëshminë e vet: “Punën ma lehtësoi një takim me fshatarin Muharrem Biceri, lindur më 1903, me të cilin zhvillova një bisedë të gjatë me ndihmën e S. Anamalit dhe Fatmir Kondit, ky i fundit përgjegjës i Vatrës së Kulturës në Vrap. Muharrem Biceri, pjesëtar i familjes së vëllezërve Murat e Ali Biceri, të cilët në vitin 1901, së bashku me vëllezërit Met e Mustafa Mema zbuluan thesarin në arën e Met Memës. Natën e zbulimit të katër fshatarët nxorën nga mbeturinat e një kazani prej bakri dy enë floriri e shumë sende të tjera ari. Thesari u nda ndërmjet këtyre katër fshatarëve. Njëri prej tyre i shiti një bakërpunuesi një kupë të artë për 900 grosh[2]. Çiraku i bakërpunuesit, i cili nuk ishte bashkëpronar i dyqanit, e paditi mjeshtrin tek autoritetet turke në Elbasan. Kupa u konfiskua menjëherë dhe thuhet se në Vrap erdhën nëpunës turq, që filluan të kërkojnë më kot thesare të tjera. Ndërkohë të katër gjetësit e thesarit vazhduan t’i mbanin të fshehura pjesët e tyre në miq e kushërinj, derisa arritën t’i çonin në Durrës. Dhëndri i njërit prej fshatarëve duhet të ketë marrë një enë prej ari dhe ta ketë shitur në Itali, për të operuar djalin. Thuhet se dhëndri u bë i pasur nga kjo shitje. Edhe në kohën e mbretit Zog në Vrap kanë ardhur njerëz nga Tirana për të kërkuar thesare të tjera.”[3] Historiani vjenez Jozef Shtrigovski, më 1917 ka shkruar:
“Në pranverën e vitit 1902 autoriteteve turke të Tiranës iu tërhoq vëmendja në lidhje me një zbulim, si pasojë e një denoncimi të bërë nga një shqiptar. Nga sendet e zbuluara, një kupë e artë e me zbukurime ishte bërë objekt grindjeje ndërmjet pronarëve të saj. Autoritetet, domethënë mytesarifi i atëhershëm, Mehmet Hysni beu, urdhëroi konfiskimin e kupës dhe e dërgoi në Kostandinopojë. Kjo tërhoqi vëmendjen e konsullit të atëhershëm të Austro-Hungarisë në Durrës, Remi von Kviatovski, i cili filloi të interesohej për rrethanat e gjetjes së thesarit. Nga këto kërkime doli në dritë një tas, si dhe u kuptua se kishim të bënim me një thesar të madh.”
Disa thonë se objektet e vyera të gjetura në brendësi të kazanit të bakrit iu shitën tre shqiptarëve të tjerë për një vlerë të pakët, për disa mexhide dhe ata e sollën në kullat e tyre, në afërsi të Arbanës, një vend që ndodhet në veri të Vrapit…
Nuk përjashtohet mundësia që pjesë të tjera të thesarit të jenë shitur në Kostandinopojë, Trieste, Vjenë, Paris, etj., por që akoma nuk kanë dalë në dritë. Deri tani janë gjetur 41 sende të çmuara; një tas i artë u ble nga Hektor von Ekonomo në Paris.
Fshati ku lindi shprehja e famshme:
“Punojeni arën bijtë e mi, se atje do të gjeni qypin me florinj”
Zbulohet fshati ku lindi fjala e urtë popullore: “Punojeni arën bijtë e mi se atje do të gjeni qypin me florinj”. Por më parë le të njihemi me legjendën: Puna është flori.
Qindra vjet me parë, në një fshat malor, jetonte një plak punëtor dhe i mençur. Plaku punonte nga mëngjesi në darkë, ndërsa tre djemtë e tij e kalonin kohën duke u argëtuar. Vitet iknin njëri pas tjetrit dhe plaku e ndjente se po i afrohej vdekja. Në prag të saj ai thirri tre djemtë dhe u tha se në arë ka fshehur një qyp me flori: “Ta punoni arën bij, deri sa ta gjeni”.
U lodhën djemtë duke kërkuar, por më kot. Kur s’gjetën gjë, vendosën ta mbillnin tokën. Erdhi vjeshta dhe ara me pjergullat dhanë prodhime të bollshme. Vetëm atëherë djemtë e kuptuan sekretin e plakut të mençur: Puna është burimi i të gjitha të ardhurave, të mirave materiale.
***
Të gjithë studiuesit e etnografisë, folklorit e artit dhe ata të arkeologjisë bien të mendimit se fshati nga ku lindi shprehja e famshme është fshati Vrap i Tiranës, dikur nën juridiksionin e Peqinit.
Në vitin 1901 në arat e këtij fshati u gjend një thesar i përbërë nga 41 objekte, 35 prej të cilave ishin floriri dhe 6 prej argjendi. Thesari u gjend rastësisht nga vëllezërit Ali dhe Murat Biceri si dhe nga Met e Mustafa Mema, duke punuar në arën e Met Memës.
Ai mendohet se është një thesar i avarëve, të cilët e kishin fshehur atë aty për të mos rënë në duart e grabitësve. Ky thesar kaloi dorë më dorë dhe ka përfunduar në muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, si një koleksion i bankierit të famshëm John Pierpont Morgan.
Por ajo që ka rëndësi në këtë rast, dhe qëllimi i këtij shkrimi, është miti që u përhap ndër vite se nëse punon tokën, gjen flori. Dhe kështu fabula, që në fakt e ka një të vërtetë, që është “Thesari në Vrap”, shërbeu si një frymëzim për fshatarët për të punuar tokën nga ku, jo gjithmonë mund të gjesh flori, por prodhohen të mirat materiale.[4]
Literatura kryesore e konsultuar:
Eva Garam, “Thesari i Vrapit”, Simpozium i Muzeut Metropolitan të Artit, Nju Jork, 2000, f. 170-179.
Joahim Verner (Mynih), “Aspekte të reja në lidhje me thesarin avar të Vrapit”, Iliria, Nr. 1, – 1983.
Skënder Muçaj, Suela Xhyheri, “Thesari i Vrapit, një thesar arkeologjik i përmasave evropiane”, Perla 2017/2, f. 24-38; etj.
[1]. Lukman, 31:34, “…Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë…”
[2]. Shumë e barabartë me vlerën 1/100 e lirës turke, shënim i autorit.
[3]. Verner, 1983, f. 185.
[4]. Nga shtypi i kohës.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...