Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 08, 2020 Zani i Nalte Studime 0
nga Turki Ahmed
Abstrakt
Që nga ai moment kur mus’hafët u ngritën mbi majat e heshtave, mund të themi se feja hyri zyrtarisht si një faktor vendimtar në konfliktin politik mes palëve. Secili e përdor si gur shahu të fortë dhe fitimprurës në lojën politike, e cila mbetet në esencë lojë, që ka si qëllim parësor pushtetin. Është po e njëjta gjë, nëse ky pushtet quhet kalifat, mbretëri, principatë apo presidencë. Emërtimet ndryshojnë dhe variojnë sipas fazave të historisë, ndërkohë që thelbi mbetet po ai, i pandryshueshëm.
Këtu qëndron dhe problemi kryesor i politikës përgjatë shekujve të kaluar, pasi njerëzit janë dhënë pas emërtimeve dhe kanë injoruar trupin, janë angazhuar me lëvozhgën dhe aparencën, duke harruar thelbin dhe përmbajtjen.
Që nga ai moment kur mus’hafët u ngritën mbi majat e heshtave, mund të themi se feja hyri zyrtarisht si një faktor vendimtar në konfliktin politik mes palëve.
Në konfliktin politiko historik për pushtet (kalifatin) mes Ali ibnu Ebi Talib me mbështetësit e tij dhe mes Zubejr ibnu Auam, Talha ibnu Ubejdila, nënës së besimtarëve Aishes dhe Muauije ibnu Ebi Sufjanit, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë, u zhvilluan disa beteja, ku më e njohura është ajo e Xhemel-it, në vitin 36 të hixhretit. Kjo betejë zhvillohej mes Aliut nga njëra anë dhe Talha, Zubejr dhe Aishes nga ana tjetër. Një betejë tjetër ishte ajo e vitit 36, mes Aliut nga njëra anë dhe Muauije ibnu Ebi Sufjan nga ana tjetër.
Fitorja në betejën Xhemel, ishte për Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ndërkohë, beteja në Siffin, edhe pse zgjati paksa, treguesit ishin se Aliu do të dilte fitues. Por, ishte mendjemprehtësia e Amr ibnul ‘As, këshilltari i Muauijes, ai që e ndryshoi situatën në mejdan. Atij i lindi një ide shumë dinake, e cila konsistonte në thirrjen për të gjykuar sipas Librit të Zotit në këtë konflikt mes dy palëve myslimane. Kështu, e gjithë ushtria e Muauijes, i ngriti mus’hafët mbi majat e heshtave. Ndërkohë, ushtria e Aliut u përfshi nga kaosi dhe rrëmuja. Aliu e dinte se e gjitha kjo ishte një pusi dhe një dredhi, se nuk ishin gjërat ashtu siç dukeshin, por në fund, u detyrua të pranojë që konflikti të gjykohej sipas Librit të Zotit. Pjesa dërrmuese e ushtrisë së Aliut, përbëhej nga njerëz që ishin rebeluar kundër kalifit të tretë, Othman ibnu ‘Affanit, ata që kishin mësuar Kur’anin dhe që u ishte nxirë balli nga sexhdet e shumta. Aliu e pranoi gjykimin sipas Librit të Zotit, edhe pse e dinte se nuk është më shumë se një mashtrim.
Nga gjykimi sipas Librit të Zotit, Aliu doli i humbur, ndërkohë që ushtria e tij u përça. Ishin pikërisht ata që e detyruan të pranojë gjykimin sipas Librit të Zotit, ata që e braktisën ushtrinë e Aliut. Po, janë ata që më vonë u njohën si hauarixh. Kështu, përveç frontit me Muauijen, Aliut, Zoti qoftë i kënaqur me të, iu hap dhe një front i ri, ai i hauarixhëve. Në fund, vetë Aliu (r.a.), mbeti i vrarë nga hauarixhët, pikërisht nga Abdullah ibnu Mulxhim, në vitin 40 hixhri. Vetëm gjashtë muaj më vonë nga vrasja e Aliut, Muauija u shpall kalifi i myslimanëve, pasi hoqi dorë nga ky post djali i Aliut, Hasani, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Ky vit njihet ndryshe si viti i xhematit.
Që nga ai moment kur mus’hafët u ngritën mbi majat e heshtave, mund të themi se feja hyri zyrtarisht si një faktor vendimtar në konfliktin politik mes palëve. Secili e përdor si gur shahu të fortë dhe fitimprurës në lojën politike, e cila mbetet në esencë lojë (game) që ka si qëllim parësor pushtetin. Është po e njëjta gjë, nëse ky pushtet quhet kalifat, mbretëri, principatë apo presidencë. Emërtimet ndryshojnë dhe variojnë sipas fazave të historisë, ndërkohë që thelbi mbetet po ai, i pandryshueshëm.
Këtu qëndron dhe problemi kryesor i politikës përgjatë shekujve të kaluar, pasi njerëzit janë dhënë pas emërtimeve dhe kanë injoruar trupin, janë angazhuar me lëvozhgën dhe aparencën, duke harruar thelbin dhe përmbajtjen.
Është e vërtetë se përdorimi i faktorit fe në historinë tonë ka filluar dhe startuar që pas vdekjes së Profetit Muhamed (a.s.). Por ai hyri fuqishëm në lojën politike, që nga momenti kur mbi heshta u ngritën mus’hafët dhe pas manovrave politike, të cilat kryesoheshin nga gjykimi sipas Librit të Zotit. Që nga ai moment, e deri në momentet e sotme, feja në jetën tonë është shndërruar në një top që e gjuajnë palët për të shënuar gola në portat kundërshtare, ndërkohë që vetë feja është vetëm mjeti. Kjo ka ndodhur në të shumtën e rasteve dhe jo në të gjitha rastet. Flasim për palët në konflikt që i përkasin së njëjtës fe, apo flasim për palën fituese të pushtetit politik, ajo që ka rëndësi është se feja është përdorur në historinë tonë politike për të legjitimuar sovranin politik ose për të justifikuar lëvizjen që synon shkuljen me rrënjë të sovranit apo regjimit që përfaqëson. Kjo ka ndodhur edhe me regjimet pretenduese të shekullarizimit dhe ato civile, të cilat shfaqeshin kundër idesë së politizimit të fesë. Periudha e Sadam Husejnit, Kadafit, Beshar Esedit dhe të tjerëve është e freskët për kujtesën tonë.
Mesa duket, historia është gozhduar dhe nuk lëviz nga vendet tona. Koha është paralizuar në këtë vatër dhe nuk shihet ndonjë ndryshim i madh mes momentit aktual dhe atij të shkuarit para katërmbëdhjetë shekujsh. E njëjta situatë vazhdon të gozhdojë zemrat dhe frymëmarrjet tona. Ndoshta, edhe ne nuk kemi dashur dhe nuk duam ta ndryshojmë këtë gjendje për shkaqe të cilat po t’i cekim, do të na merrnin shumë hapësirë. Nga Vëllazëria Myslimane dhe lëvizjet e islamit ideologjik në Egjipt, Libi, Siri, Irak, Jemen, vendet e Magrebit[1], Arabi Saudite dhe Gadishullin Arabik, të gjithë i sheh me mus’hafët e ngritur mbi majat e heshtave, mbi grykat e topave apo kokat e raketave. Kanë ndryshuar armatimet, por jo mus’hafët pas të cilëve ngërthehen të gjithë, e ku, në të shumtën e rasteve, pothuaj të gjithë janë larg mësimeve të tyre.
Vëllazëria Myslimane në Egjipt dhe në vende të tjera, Shteti Islamik në Irak, Daish në Sham, Fronti Nusra në Siri, Alkaeda në Jemen, në Arabinë Saudite dhe në Magreb… të gjithë ngrenë mus’hafët mbi majat e heshtave, sikur beteja e Siffin të mos ketë mbaruar akoma, sikur Amr ibnul ‘As dhe Ebu Musa Esh’arij, janë akoma gjallë. Në fakt, në një formë a një tjetër, ata pulsojnë jetë.
Çështja nuk ka të bëjë me opozitarët, luftëtarët dhe muxhahidinët, por faktori fe po përdoret edhe nga ata që kanë pushtetin politik në dorë. Në fund të fundit, Kur’ani ka aq hapësira sa të interpretohet në një formë dhe në të kundërtën e saj. Në fund, alternativa mbetet po njerëzore, sado të orvaten disa që ti veshin formalisht shenjtërinë. Shenjtëria i mbetet vetëm tekstit, kurse interpretimi mbetet një përpjekje njerëzore e ndikuar nga pasionet, interesat, qëllimet, mjedisi, përkatësia fisnore, sektare e krahinore, si dhe etapat historike.
Për të sjellë një shembull për këtë që themi, mund të citojmë deklaratën e fundit të Nuri Maliki, rreth përplasjeve në Enbar, në perëndim të Irakut, të cilat i cilësoi si përplasje dhe konflikt mes mbështetësve të Husejnit dhe mbështetësve të Jezidit, se Husejni nuk ka vdekur, po ashtu dhe Jezidi. Të gjitha problemet politike, ekonomike dhe sociale të Irakut, për të cilat ka shkruar sociologu irakian dr. Ali Eluerdij në dhjetë volume, nuk qenkan veçse një formë e konfliktit të pandërprerë mes Husejnit dhe Jezidit. E gjitha kjo, sipas këndvështrimit të Nuri Maliki, i cili vishet me kostumet më luksoze të shtëpive botërore të modës, përdor parfumet më të shtrenjta parisienë, mban dëshmitë më të larta shkencore. E megjithatë, në zemër dhe shpirt, ai vazhdon të jetojë ditët e Siffin dhe Qerbelasë, në kërkim të hakmarrjes për Husejnin.
Nuri Maliki, nuk është veçse një model të cilin e morëm si shembull, përndryshe të gjithë të tjerët njëlloj janë në këtë drejtim. Të gjithë e përdorin lojën e së shkuarës dhe ngjarjet e saj, për çështje të cilat nuk kanë asnjë lidhje me fenë apo parimet. Në fund, u mbetet masave të gjera të njerëzve që të shërbejnë si karburant për zjarrin e konfliktit, me emrin e tyre bëhet hakmarrja dhe gjykohen njerëzit. Janë po këto masa ata të cilët i djeg zjarri dhe i vuajnë pasojat e këtij konflikti.
Kur e shoh këtë skenë të përgjakshme në botën arabe, e cila është sprovuar nga loja e pistë politike deri në thellësitë e zemrës, por që u shitet masave si diçka e shenjtë, më vjen ndërmend shejh Ali Abdurezak (1888-1966) (Zoti e mëshiroftë) dhe broshura e tij “Islami dhe bazat e pushtetit”, i botuar për herë të parë në vitin 1925. Shejh Abdurezak ishte një i ditur i diplomuar në Ez’her me dëshminë “Alemije” e barasvlershme me doktoraturën e sotme. Ai ishte kadi dhe kishte studiuar edhe në universitetin e Oksfordit në Britani. Librin e tij ai e shkroi pas rënies së perandorisë osmane, me fillimin e rivalitetit të sulltanëve dhe mbretërve arabë e të huaj për të përvetësuar titullin “kalif”. Mes tyre ishte dhe mbreti i Egjiptit të asaj kohe, Fuadi i Parë.
Librin e tij, shejh Abdurezak e shkroi për t’u prerë rrugën atyre që duan të përdorin fenë për qëllimet e tyre politike, me në krye mbretin Fuad i Parë, i cili as arabishten nuk e fliste mirë, kurse nga feja s’ia kishte fare haberin. Shejhu e mbështeste librin e tij në tekste nga Kur’ani dhe tradita profetike, sipas të cilit Islami nuk është një sistem politik i caktuar. Sakaq, kalifati ishte një alternativë njerëzore, së cilës i besuan myslimanët pas vdekjes së Profetit a.s, gjë e cila u pa qartë në debatin që lindi në shtëpinë e Beni Saide, mes myslimanëve mekas dhe medinas.
Sipas shejh Ali Abdurezak, feja islame nuk e pengon lindjen e një lloji tjetër sistemi politik, në çfarëdo vendi qoftë, me kusht që të mos i kapërcejë kufijtë e Zotit; Nxitja e njerëzve për mirë, përhapja e dashurisë, tolerancës dhe lirisë, e dalë nga shura’ (konsulta).
Po, Islami përcakton kuadrin e përgjithshëm të parimeve, por ai nuk ndërhyn në detajet që ndryshojnë sipas kushteve të kohës dhe vendit. Kështu, kalifati që ka dominuar në periudha të caktuara kohe, nuk ishte veçse zgjedhje njerëzore të imponuara nga kushtet historike. Ai nuk është i detyrueshëm si pjesë e pandarë e fesë.
Siç e kam kuptuar dhe nga libri i shejh Ali Abdurezak, problemi qëndron te përzierja që bëhet mes fesë dhe historisë së fesë, ku në fakt feja është përdorur politikisht. Kjo është problematika më e madhe në historinë e arabëve dhe myslimanëve.
Ishte normale dhe e pritshme që shejhu në fjalë të ndëshkohej politikisht pas botimit të librit, ndëshkim i cili u reklamua si fetar. Atij iu hoq diploma e Ez’herit dhe u shkarkua nga posti i kadiut, duke e hedhur në bodrumet e harresës.
Në fund, në këto kushte që po përjeton bota, e cila nuk dëshiron të shkëputet nga iluzionet artificiale, nuk kam fjalë më të mirë sesa fjalët e shejh Ali Abdurezakut lidhur me këtë çështje, i cili thotë: “Kërko në Kur’anin Fisnik ndonjë gjurmë të qartë, apo të nënkuptuar për atë që të kërkohet të besosh lidhur me tiparin politik të fesë islame. Mandej, kërkoje këtë gjurmë edhe në thëniet e profetit Muhamed (a.s.). Kur’ani dhe tradita profetike janë burimet kristale që kemi në duar. Kërko argumentin te këto të dy, ose diçka që të duket si argument. Por, ti nuk do të gjesh ndonjë argument të qartë, përveçse hamendësime, të cilat nuk ngrihen në nivelin e së vërtetës (hakut).”
Përktheu: Elmaz Fida
[1] Magrebi përfshin Marokun, Tunizinë, Algjerinë, Mauritaninë dhe Libinë, kryesisht shtetet e Afrikës së Veriut dhe ato të shkretëtirës së Saharasë, të cilët kanë lidhje gjeografike e kulturore me njëri-tjetrin (shënim i Redaksisë).
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...