Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 14, 2020 Zani i Nalte Studime 0
nga Dr. Hysen Kobellari, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
Abstrakt
Trajtimi i dashurisë në gjithë shumëpërmasat e saj të menduara dhe ndikimi i fuqishëm në jetën e njeriut është një temë sa delikate dhe e vështirë, po aq e bukur dhe tërheqëse për t’u trajtuar nga studiues dhe krijues të fushave të ndryshme. Por kjo temë është shumë e parapëlqyer për t’u trajtuar, sidomos nga ana e shkrimtarëve dhe poetëve. Janë të pafundme krijimet e tyre për dashurinë dhe njeriun që dashuron; për dashurinë si pasion, për kënaqësinë e madhe dhe ndjenjat pozitive që sjell te njeriu dashuria, por edhe për tragjeditë e mëdha që rrjedhin nga teprimet deri në dalldi nga njerëzit, të cilët e kuptojnë cektësisht atë, duke e kufizuar këtë ndjenjë të mrekullueshme vetëm në raportet e ngushta ndërgjinore. Raportet e gjërave që duam, që dëshirojmë, apo kemi nevojë me dashurinë në veçanti paraqesin ndryshime sasiore dhe cilësore. Këto raporte secili përpiqet t’i qartësojë apo shpjegojë sipas mënyrës së vet; këtë përpiqet të bëjë edhe autori në esenë e mëposhtme.
Dhe kur arsyetimet, shpjegimet gjuhësore dhe përsiatjet poetike e filozofike gërshetohen edhe me njohuri të thella fetare e filozofike, trajtimi i temës bëhet më i qartë, më i plotë, më bindës dhe shkrimi del më i këndshëm dhe edukativ njëkohësisht për brezat e rinj. Frymëzimi, inspirimi që vjen te njeriu që merr penën të shkruajë, është një dukuri sa hyjnore, si dhuratë dhe bekim nga Krijuesi, aq edhe tokësore, në kuptimin e njohjes së jetës dhe natyrës sonë njerëzore në gjithanshmërinë dhe thellësinë e tyre.
Dëshirat e shumta njerëzore dhe dashuria e tyre shumëdimensionale, janë ndjenja dhe dukuri shoqërore, të cilat është e vështirë, gati e pamundur, të kthehen në numra, në instrumente apo të ndryhen në formula matematikore. Allahu e di më së miri.
Hyrje
Tani tregimin e kam shndërruar në monodramë, por vite më parë kam shkruar një të tillë me titull “Erosmetri”, i cili çelte librin tim të radhës. Tregimin e kam konceptuar në formën e një satire kuptimplotë. Historia që sjell tregimi është interesante, kjo histori dhe vetë përmbajtja e tregimit është një provë se sa i pafuqishëm dhe i pamundur është njeriu për të matur ndjenjat e thella të brendshme të vetes e të të tjerëve…
Bëhet fjalë për shpikjen e një instrumenti specifik të aftë në matjen e nivelit të ndjenjave të njeriut. Instrumenti ka trajtën e një termometri, që vendoset pranë zemrës së njeriut dhe është i aftë të përcaktojë nivelin e ndjenjave të tij, duke ndarë me një vizë të kuqe nivelin e ndjenjave pozitive (dashuria), nga ato negative (urrejtja). Kur te njeriu dominojnë ndjenjat negative (urrejtja) funksionet e Erosmetrit vihen në veprim, qelqi i tij çahet, del prej aty metanoli, një lëndë helmuese, i cili e vret njeriun, kur thithet prej tij bashkë me ajrin. Bëhet kështu një gjyqësi e padrejtë, e cila është e ndaluar dhe e dënueshme si nga ligjet njerëzore, po ashtu edhe nga ato hyjnore. Kështu që kjo shpikje, e menduar si e tillë në tregim, rezulton e dështuar. Por ideja e tregimit në vetvete për të matur ndjenjat njerëzore instrumentalisht nuk dështon në monodramën time, por kthehet në aspektin pozitiv, në kuptimin e mundësisë së individit dhe shoqërisë njerëzore për të ndikuar, për të përmirësuar raportet dashuri-urrejtje në favor të dashurisë brenda njeriut, në të mirë të të parës te njeriu i diagnostikuar negativisht. Teknikisht, në vend të metanolit mendoj të përdor përzierje esencë borziloku, esencë petalesh nga lulëkuqet dhe esencën e mrekullive të ajeteve kuranore, si mjet transformimi pozitiv. Këtu duhet parë dobishmëria e erosmetrit si ide instrumentalizuese dhe përmirësuese në jetën e njeriut.
A do të ketë mundësi njeriu të ndërtojë një EROSMETËR, Dashurimatës, një aparat të vërtetë për matjen e saktë të ndjenjave të veta dhe të mendimeve të tij nxitëse, cytëse për veprim pozitiv?! Vetë veprimtaria jetësore e çdo individi, si njeri, e analizuar në rrjedhën e saj, përbën një lloj ndjenjamatësi, si shtysë, nxitje për të vepruar më vonë. Por analiza e kësaj veprimtarie njerëzore është e vonuar dhe pa mundësi prapavepruese për të ndrequr shumëçka te njeriu. Puna është që të ndikohet në krye të herës.
Njeriu që beson dhe bën vepra të mira gjithmonë ka shpresuar dhe shpreson në mundësinë e përmirësimit rrënjësor të cilësive njerëzore ndër kohëra, beson se dashuria e Krijuesit do ta mbushë plot jetë zemrën tonë, për të pasur mundësinë e kalimit në këtë botë të një jete për së mbari.
Krijuesi do ta frymëzojë, inspirojë pareshtur krijesën e vet për të zbuluar dhe shpikur gjithçka që bën të mundur realizimin e planeve të Tij, akoma të pakonceptueshme nga mendja njerëzore, për përmirësimin rrënjësor të jetës së njerëzve. A do të jetë Erosmetri, Dashurimatësi i tregimit tim dhe i monodramës sime, një aparat i tillë i dobishëm dhe i realizueshëm për jetën e njeriut për sot e për të ardhmen?!
Mbase.
Njeriu në jetën e vet ka shumë dëshira. Madje që kur lind, njeriu lind së bashku me universin e dëshirave të veta. Vërini re, dëgjojini me kujdes fëmijët e sapolindur kur qajnë. Ata lëshojnë tinguj të kthjelltë e të qartë “Uaaa!… Uaaa!”, të cilat ne shpesh na vijnë në vesh, me një modifikim fare të vogël si: “Dua!… Dua!”. Ndryshe qajnë të rriturit, përfshirë edhe vajtoret profesioniste; ato qajnë me: “Oji!… Oji!”, që me një modifikim të vogël mund ta shkruajmë “Ohji!… Ohji!…”, e në të shkruar “Oxi!”, e cila në gjuhën e fqinjëve të lashtë grekë përkthehet si “Jo!”, si një tendencë mohuese për mosdhënie, mohim të të kënaqurit dhe thirrje për mosikje nga kjo botë. Këtë, ju lutem, mos e merrni si një metaforë, si një figurë letrare e fantazi! Është një mrekulli e gjuhës shqipe, për të cilën poeti ynë i dashur Naim Frashëri ka thënë se është “gjuhë perëndie”, por edhe e gjuhës së fqinjëve tanë, në të cilën është shkruar edhe njëri prej Librave të Shenjtë.
Fjala shqipe Dua, kam dëshirë, është ndër fjalët më të shkoqitura, më të zbërthyera, më të komentuara në shembuj, në Fjalorin e Shqipes së sotme. Së pari: Duá, ka kuptimin e lutjes drejtuar Zotit. Së dyti: Dua, ka një numër të madh kuptimesh e përqasjesh: kam një ndjenjë dashurie, miqësie e dhembshurie për dikë a për diçka, më tërheq; e dëshiroj me gjithë zemër; kam dashuri për një njeri të seksit tjetër, e dashuroj, mallohem; më pëlqen shumë diçka, ma ka ënda, e kam qejf, më tërheq shumë diçka, kam dëshirë të merrem me të; dëshiroj të kem diçka që më mungon, për të cilën kam edhe nevojë, dëshiroj të plotësoj një kërkesë timen, kërkoj të kem ose të bëj diçka, kam dëshirë, më pëlqen, synoj; i kërkoj diçka dikujt, i uroj diçka, i dua të mirën; pranoj me qejf e me dëshirë, dëshiroj; kam nevojë të madhe për dikë e diçka, më lipset, është e domosdoshme a e nevojshme për mua, e kërkoj patjetër dikë a diçka; thërres dikë, e ftoj; e kërkon patjetër, e lyp medoemos; më pëlqen; e ka hak diçka, e meriton, e kërkon vetë; kërkoj një shumë a një çmim të caktuar për një mall; duhet, është e domosdoshme, e nevojshme; etj.
Të shumta janë nevojat dhe dëshirat e njeriut në jetë, saqë mund të themi se vetë njeriu është dëshirë; fillimisht dëshirë e Krijuesit që të njihet, vlerësohet, adhurohet dhe të ketë nevojë e domosdoshmëri për Të, pastaj që vetë njeriu të ketë dëshira nga më të ndryshmet, një sistem dëshirash materiale e shpirtërore të nevojshme e të domosdoshme për këtë botë dhe për jetën e amshuar. Dëshirat materiale janë dëshira për pasuri, para dhe prona, duke filluar që nga buka e përditshme deri tek avioni që fluturon lart në qiell. Dëshirat shpirtërore janë ato për pushtet, lavdi e famë, kur njeriu dëshiron të sundojë mbi njerëzit e tjerë dhe mbi natyrën dhe fama e tij të shkojë sa më larg e sa më lart.
Në jetën e përditshme dëshirat kryqëzohen e ndërthuren, duke u përzier me njëra-tjetrën dhe duke e zhytur njeriun në vorbullën e teprimeve, drejt gabimeve dhe veseve.
Dëshirat e paplotësuara, të papërmbushura të njeriut formojnë brengat e tij, dëshpërimet, vuajtjet, ankesat, mallkimet, deri në urrejtje.
Duke i parë me kujdes e në thellësi dëshirat e njeriut, menjëherë zbulojmë problemin e përjetshëm të njeriut me to: E sundon njeriu sistemin e dëshirave të veta, apo njeriu sundohet prej dëshirave?! Mos vallë dëshirat e njeriut dikur shndërrohen në pranga për vetë njeriun?! Kjo është çështja: “Të dëshirosh, apo të mos dëshirosh?!”
Të gjithë dimë të duam, për të plotësuar nevojat tona materiale e shpirtërore, të cilat, hap pas hapi, me masë dhe me durimin e njeriut, përmbushen, duke na sjellë kënaqësi trupore e shpirtërore, në atë shkallë sa na lejon mëshira e Krijuesit. Pjesë e dëshirave tona është edhe dashuria, si shkalla më e lartë e ngjitjes, zhvillimit dhe ngritjes së dëshirave, prandaj është e ligjshme të shtrojmë pyetjen: Dimë të duam, po a dimë të dashurojmë?!
Dashuria është shkalla më e lartë e nivelit të dëshirave të njeriut, dëshirë e fortë njerëzore. Dashuria është ndjenjë e lindur te njeriu, varet nga ky nëse e ushqen, e rrit dhe e zhvillon gjatë gjithë jetës këtë ndjenjë, nëse e zgjedh këtë për ta kultivuar, apo të kundërtën, që fillon nga mosdëshira, deri në urrejtje. Përveç Krijuesit, pikërisht, si qenie e gjallë njeriu është pajisur me ndjenjën e lartë të dashurisë.
Dhe tani le të shfletojmë Fjalorin, për të mësuar se si shpjegohet aty fjala Dashuri:
DASHURI f. 1. Ndjenjë e fuqishme, e thellë që të lidh ngushtë me dikë a me diçka dhe që të bën ta duash me gjithë zemër e të mos kursesh asgjë për të; miqësi e thellë dhe e çiltër; ndjenjë pëlqimi, dashamirësie të përzemërt e adhurimi për dikë a për diçka. Dashuri prindërore (vëllazërore). Dashuri e madhe (e thellë, e çiltër, e vërtetë, e zjarrtë, e flaktë). Dashuria e nënës. Dashuria për Atdheun (për nënën). Dashuria për popullin. Dashuria për fëmijët (për prindërit). Dashuria për shokun. Pres (përcjell) me dashuri. Përqafoj me dashuri. I fliste (e dëgjonte, e vështronte) me dashuri.
DASHURIÇKË f. kryes. sh. përçm. Dashuri e lehtë dhe e çastit, dashuri jo e thellë e sa për të shkuar kohën. Dashuriçkat e njerëzve të vegjël. Merrej me dashuriçka.
Nuk është e thjeshtë të shpjegohet me fjalë njerëzore dashuria. Dashuria është një nyje, një thurje e ndërlikuar e botës sociale, materiale, që nis e përfundon si reaksion kimik marrës-dhënës dhe që përmbledh strategjitë jetësore me kuptim ekonomik, riprodhues, social, simbolik deri tek iluzioni (loja). Ja si e përshkruan poeti këtë ndjenjë të lartë midis dy njerëzish: “Se s’dashuronja-as un’ as ti,/ Po dashuronte dashurija:/ Një dashuri – një fshehtësi/ M’e fshehur sesa fshehtësija. “ (Lasgush Poradeci, “Kur shtrohet vala… -Romancë”). Dashuria si një dukuri e përbashkët midis hyjnores dhe njerëzores nuk është e thjeshtë dhe e lehtë në të kuptuar dhe shpjeguar; është vërtet më e fshehur se vetë fshehtësia. Tjetër është dashuria si kuptim tërësor dhe tjetër është trupëzimi i saj, materializimi i saj. Tjetër është të duash çdo individ si instinkt, tjetër të dashurosh, të zgjedhësh, si fillim flakë për flakë, pastaj më shtruar, duke e shndërruar ndjenjën në mendim, arsyetim.
Shkaqet dhe fillesat e lindjes së dashurisë janë nga më të ndryshmet e më të çuditshmet, po të shohim shkallët nga kalon ajo, që nga bukuria dhe cilësitë e veçanta të individit, ndjenjat reciproke, si përgjigje; përshtatshmëria dhe përputhja ndjenja-mendime, deri në realizimin e lidhjes së qëndrueshme e të përhershme.
Raportet e njerëzve të gjinive të ndryshme në dashuri janë gjithashtu të vështira e të fshehta, zor të kuptueshme; ja si është përshkruar poetikisht kjo marrëdhënie:
“S’rri dot me ty,
S’bëj dot pa ty,
Nata ka veshë,
Dita ka sy.
Fshehur do dal,
Vjedhur do hy…
Nën qiell veç,
Nën dhè të dy…
(Koçi Petriti, Lirika, botimi 2010, f. 46.)
Burrë e grua, mish e thua
Zoti e krijoi njeriun, burrin, pastaj gruan, nga balta dhe më vonë e përsosi atë. Gruaja është plotësim i burrit, po aq sa edhe ky është plotësim i saj; të dy përbëjnë “Njeriun”, krijesën më të mrekullueshme që bëri Zoti Mëshirëmadh dhe i Tërëfuqishëm, me qëllim që të njihet dhe të adhurohet prej tyre; të falënderojnë, të luten, të pendohen, të kërkojnë falje dhe gjithçka tjetër kanë nevojë. Burrë plus grua janë shkak bekimi e mirësie. Gruaja nuk është engjëll, po ashtu edhe burri nuk është i tillë. Gruaja është një krijesë e dashur e Allahut, si edhe burri. Fiziologjikisht prirjet e fuqishme seksuale reciproke midis burrit dhe gruas, pra ndaj njëri-tjetrit janë thelbësore, natyrore për ekzistencën dhe vazhdimësinë e racës njerëzore. Burri ka nevojë të shkarkohet në mënyrë të vetvetishme (instiktive) te gruaja, duke gjetur prehje, paqe e qetësi tek ajo; gruaja ka nevojë të ngarkohet po ashtu në mënyrë të vetvetishme, duke u plotësuar nga burri dhe duke formuar kësisoj kuptimin e krijimit, ekzistencës së tyre dhe vazhdimësisë. “Dashuria nuk është gjë tjetër veçse një kurth sublim i dëshirës, që i shërben individit për përjetësimin e qenies njerëzore” (Shopenhauer).
Me burrin dhe gruan adhurimi ndaj Allahut bëhet i plotë. Sa e bukur dhe e thellë është fjala e urtë dhe e vjetër sa bota: Burrë e grua, mish e thua! Të dy janë i njëjti mish, por shikoni si e ka bërë Zoti thoin e dorës, si një pasqyrë të vogël, ku burri mund të shohë fytyrën e vet; gruaja është njëkohësisht edhe pasqyrë e burrit. Burri dhe gruaja duhet ta meritojnë njëri-tjetrin. Gruaja që një burrë dashuron është ajo, e cila sa herë ai e sheh, i fal gëzim e lumturi, qetësi e siguri dhe që njëkohësisht pranon të mbartë barrën e pasardhësve, përgjegjësinë për vazhdimësinë e jetës në këtë botë.
Po ashtu edhe burri që një grua dashuron.
Po kështu, kur burri dhe gruaja përputhen në karakter dhe shkojnë mirë së bashku, thuhet fjala e urtë “Ka gjetur tenxherja, kapakun”, por akoma edhe sot nuk është përcaktuar se kush është tenxherja dhe cili është kapaku?! Mbase gjatë jetës, rolet e tyre këmbehen në mënyrë të harmonishme.
Universi Grua
Pas krijimit të mrekullisë Burrë, Krijuesi e plotësoi atë me një krijesë tjetër po aq të mrekullueshme dhe të dashur për Të, Gruan. Bota e gruas është shumë interesante, një det i pashtershëm e i mrekullueshëm cilësish e vlerash, të cilat njeriu, me ndihmën e Zotit, i zbulon duar-duar, me durim, vullnet e këmbëngulje në këtë botë të mbidheshme e përtej saj; koha është plotësisht e mjaftueshme dhe asnjëherë e tepërt për këtë punë sa tokësore, aq edhe hyjnore “Bota është një shesh përfitimesh dhe nga të mirat e kësaj bote, më e bukura është gruaja e mirë.” (Hadith)
E vështirë është ta kuptosh ashtu siç duhet një grua, shpeshherë gati e pamundur; madje mund të thuhet se njeriu nuk e njeh dhe e kupton mirë edhe veten e vet, prandaj porosia e profetëve për njeriun është: Njih veten tënde! Njih vetveten! Kështu që komunikimi mes vetes dhe komunikimi ndërshoqëror, posaçërisht komunikimi burrë-grua është i domosdoshëm, i vazhdueshëm, këmbëngulës, i nevojshëm dhe shumë i dobishëm. Arti i komunikimit me gratë është ndër më të vështirët në realizimin praktik në jetën e një burri. Në një hadith tjetër thuhet: “Binduni porosisë sime, se veprimi me takt ndaj grave është dobiprurës, sepse ato janë krijuar nga eshtra e kraharorit. Pjesa më e lakuar e kësaj eshtre është ana e sipërme e mesit të saj. Nëse përpiqesh për ta drejtuar atë, e thyen; në e lënç siç është, mbetet përherë e harkuar. Prandaj binduni këshillës sime për gratë.”
Nuk është e nevojshme të vdesësh për një grua, as t’i shpallësh luftë shoqërisë dhe botës për të. Mjafton që asaj t’i japësh respektin dhe dashurinë që i takon, ose që meriton.
Burra. Ruajini gratë si zemrat tuaja.
Gra. Ruajini burrat si sytë tuaj.
Gruaja në këtë botë shfaqet në disa trajta, në disa gjendje natyrore e sociale: vajzë, bijë, motër, bashkëshorte, nuse, e dashur, nënë, gjyshe, mësuese. Zemra e të gjitha këtyre gjendjeve natyrore e sociale është të qenët “Nënë”. Sa madhështore është kjo fjalë, kjo mënyrë ekzistence thelbësore e gruas. Një nga gjërat më të mrekullueshme, një nga dhuratat më të dashura, më të bekuara, më të lumturat që Zoti i ka dhënë gruas. Të gjitha trajtat natyrore e shoqërore të shfaqjes së gruas përbëjnë botë më vete, por më e bukura, më e thella, më madhështorja, më thelbësorja është ajo e të qenët grua-Nënë.
EROSMETRI – Dashurimatësi, që vë në provë njeriun
Libri i Shenjtë është në vetvete një mrekulli Hyjnore, mesazh dhe udhëheqje për veprim për njerëzit. Midis të tjerave ai i shërben njeriut edhe si një “Erosmetër”; jo si instrument i thjeshtë, por si frymë, si brendi, si thelb, si përmbajtje. Për të kaluar një jetë për së mbari.
Pasi mësuam nga glosarët (fjalorët) më sipër se ç’është Dashuria, tani le të japim disa mendime se kë duhet të duam, kë duhet të Dashurojmë në të vërtetë, si dhe pse?!
Është një ajet kuranor i mrekullueshëm që na fut në mendime të thella dhe na ngjall ndjenja të fuqishme shprese: “Me të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëdijshmi do t’u dhurojë DASHURI.” ( Kurani, 19:96)
Këtu na shfaqet Dashuria si shpërblim.
Si ta kuptojmë këtë varg madhështor?!
Pjesa e parë e ajetit është përsëritje e dy kushteve të paralajmëruara në suren Koha (“El-Asr”), nga katër syresh të domosdoshme për ta bërë njeriun të shpëtueshëm nga humbja e sigurt e kësaj jete dhe që janë: besimi, veprat e mira, drejtësia si e vërtetë dhe durimi.
Së pari, që këta njerëz, të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do t’i dojë, do t’i dashurojë Zoti Mëshirëmadh. Do t’i marrë nën mbrojtjen, mëshirën dhe dhembshurinë e Tij të pakufishme. Kjo është një fitore e madhe, ndoshta më e madhja dhe më e dëshirueshmja, të cilën e synon gjithë jetën dhe përpiqet ta arrijë çdo njeri mbi këtë dhè. Njeriu jeton për shkak të dashurisë së Zotit për të dhe për domosdoshmërinë e dashurisë së njeriut për Krijuesin. Kur njeriu jeton kështu, të jetë i sigurt se jeton në dritë, ecën në rrugë drite. Dashuria është mëshirë dhe shpërblim.
“Bota e epërme dhe bota tokësore u krijuan me dashuri dhe për hir të dashurisë.” (Ibn Kajjim, “Kopshti i të dashuruarve…”, V. 1, f. 57). Dashuria është një mesazh, grimcë hyjnore, fara e shenjtë, e cila është urdhëruar nga Krijuesi që të mbijë, të rritet e zhvillohet duke krijuar botët, përfshirë në të edhe njeriun. Si e tillë ajo mund të mendohet si një qenie e gjallë, e cila gjendet gjithmonë mes nesh, siç gjendet ajri; thithni me zgjuarsi e urtësi prej saj, që të përjetoni çaste të vërteta lumturie. Zgjidh dashurinë, “Zgjidh rrugën që të çon në jetë” (Mateu 7;13,14)
Nga të gjitha qeniet e njohura në gjithësi, dashuria është atribut, cilësi, veti e brendshme vetëm e Krijuesit (Zotit) dhe njeriut, me arsye e ndjenja të tilla.
Së dyti, që këta njerëz do të kenë plot dashuri në zemrat e tyre. Një pajisje e tillë, një dhuratë shumë e çmueshme është një përzgjedhje nga Krijuesi dhe një zgjedhje prej njerëzve. Dëshirë dhe Meritë. Krijuesi do t’i mbushë zemrat e tyre me plot dashuri, mirësia më e madhe që njeriu ka në brendësinë e vet.
Për kë do të kenë dashuri ata, pra, njerëzit, si dhënës dhe marrës?!
Kjo dashuri e njerëzve arrin deri në ADHURIM, shkalla më e lartë e dashurisë, dashuri e qëndrueshme dhe e përhershme, që e meriton me të drejtë vetëm Krijuesi i Gjithësisë, Zoti Mëshirëmadh.
Në këtë kuptim njeriu këtu shfaqet si një dhënës dashurie.
Dashuria e vërtetë kërkon kohë të mbijë, rritet dhe piqet, për të dhënë fruta të plota e të mira, kërkon durim dhe vetëpërmbajtje. Vetëm kështu merret kënaqësi e plotë prej dashurisë së vërtetë; dashuria e çastit, e përnjëhershme nuk është rrugë e Zotit.
Njeri, shijoje jetën duke dashuruar dhe duke qenë i denjë për t’u dashuruar.
Kur dashuron dhe dashurohet, pra është i dashuruar gjithanshmërisht, njeriu ndjen kënaqësi të veçantë të paparë, si një lloj lumturie, shpesh të pashpjegueshme nga mendja dhe ndjenjat e tij. “E sigurt është vetëm që në çdo lloj dashurie, ne i jemi borxhli kënaqësisë dhe kjo, nëse na bën të mburremi, është e pafuqishme dhe kujtimi i saj është joshës.” (Stendal “Dashuria”, f. 13)
Në këtë botë, në këtë jetë, njeriu është në provë të vazhdueshme; në këtë kuptim Erosmetri, i cili mat nivelin e dashurisë në zemrën e njeriut është një Dashurimatës, që vë në provë çdo orë, çdo ditë qëndrimin e tij ndaj Krijuesit dhe krijesave të Tij.
Dashuria është pjesë e devotshmërisë.
Dashuria është e pëlqyer nga Perëndia, është e bekuar nga Zoti. Me anë të dashurisë shpirtrat njerëzorë kërkojnë dhe gjejnë rrugën dhe mënyrën për të shkuar drejt Krijuesit të tyre, Zotit Mëshirëmadh.
Me anë të dashurisë njeriu ndjen dhe përjeton kënaqësinë dhe shijen e besimit në Zot.
Dashuria e vërtetë është dorëzim tek Allahu, pranim dhe marrje e mëshirës së Krijuesit. Dashuria e bën zemrën të vlojë, si uji që zien, valon; prandaj duhet kujdes nga njeriu, i cili duhet ta kuptojë se po luan me një zjarr të veçantë e të rrezikshëm, me një zjarr që të ngjall gëzim dhe frikë njëkohësisht. Në Kur’anin Lavdiplotë disa herë theksohet radha se si e ku godet dashuria: “të dëgjuarit, të parit (shikimi), zemra”.
Dashuria krijon te njeriu: gjendje të lartë, të ngritur shpirtërore; ndjesi pozitive, optimiste të vërteta; te dashuria strehohet mëshira e Allahut ndaj njeriut.
Në çdo gjë të kësaj bote ka dashuri, sepse kudo ka lëndë nga lënda e përbashkët e Krijuesit; dashuria është thelbi, natyrshmëria me të cilën u krijuan krijesat. Dashuria është pikënisja dhe pikëmbërritja e gjithçkaje.
Por kujdes, mos harroni përmbajtje, qortimin e Pasioneve.
“Doni të dini ç’është dashuria?!
Një helm që mbyt,
Një mjaltë që shëron!…”
(Shekspir “Romeo e Zhulieta”)
Si helm paraqitet Dashuria si pasion pa fre, pa arsyetim, jashtë durimit dhe vetëpërmbajtjes.
Si mjaltë paraqitet Dashuria si Pasion dhe Arsye, në harmoni dhe unitet midis tyre!
Sa më shumë Dashuri të ketë në zemrën e njeriut, aq më afër Zotit, Krijuesit është Njeriu.
Literatura kryesore e konsultuar:
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...