Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Apr 20, 2020 Zani i Nalte Studime 0
nga Ilir Akshija, M.D., M.Sc., Spitali Universitar “Nënë Tereza”, Departamenti i Statistikave
Abstrakt
Ngjarjet tronditëse të brezave të mëparshëm, që u kanë kushtuar jetën miliona njerëzve, siç është rasti i komunizmit, të sjellin ndërmend veprën e paralajmëruesve të tyre. Si e tillë është punimi i Hafiz Ali Korçës, “Bolshevizma a çkatërimi i Njerëzimit”, botuar për herë të parë në vitin 1925, një zë i qartë i artikuluar nga një intelektual dhe rilindës i veshur me petkun e imamit dhe i pajisur me të kuptuarit e teksteve fetare islame. Ky zë paralajmërues, si i shokëve të tij, fare pak i kuptuar, edhe pse ndoshta i dëgjuar gjithandej, ia vlen të vlerësohet i ballafaquar me përfaqësues të mendimit bashkëkohës të tij, por edhe me kritikën e sotme. Një botë që shkon tashmë përtej globalizimit të tregtisë është e pritshme të udhëtojë edhe drejt globalizimit të vlerave dhe e ka thuajse të pamundur të mos përballet me zhvillime të mëdha, që sa të mira mund të sjellin, po aq të rrezikshme mund të jenë për njeriun dhe njerëzimin. Rikthimi te vizionarët e së shkuarës dhe sidomos ata që i referohen në punën e tyre teksteve të shenjta janë më e pakta një ngushëllim që do të ketë prapë të tillë, por përtej ngushëllimit me vlerë të padiskutueshme është të kuptuarit e metodologjisë së punës së tyre dhe gjetja e mesazheve që mbeten aktuale.
Fjalë kyçe
Hafiz Ali Korça, komunizëm, bolshevizëm, rilindje, pronë, besim, luftë e klasave.
“Zot i dy lindjeve dhe Zot i dy perëndimeve”. (Kur’an; 55:17)[1] “Me të vërtetë të prenduemit e të lemit përkryhen në të njajtën kohë dhe Dielli përpara prendon për nji pjesë të botës dhe lind për pjesën tjetër.”[2] Një interpretim si ky nuk është e pazakontë ta gjesh sot kudo në internet apo në libra tefsiresh modernë, por nuk është e zakonshme ta hasësh në vazet e hoxhallarëve të sotëm. Jo se problemi qëndron te hoxhallarët dhe as te rreziku i komentimit të Kur’anit përtej komentimeve të hershme, kjo e fundit mund të zgjidhej kollaj me nja dy fjalë shtesë, por vështirësia qëndron me audiencën. Duhet njohur pak gjeografia, pak astronomia, diçka më tepër Islami që të mos mbetet në nivel çudie, të një fenomeni natyror apo mrekullie gjuhësore. Xhemati nuk duhet të thotë: “Çfarë na tha hoxha? Këtë nuk e kuptuam.” Hoxha para se të bëjë komentimin duhet të tregojë pak nga të gjitha për ta bërë të kuptueshëm për masën dhe në fund duhet të pranojë që për këtë ajet nuk ka më shumë komente se në vitin 1928. E kam për qëllim ta vlerësoj këtë shqiptar që arrin të mendojë në këtë mënyrë që para 90 vitesh dhe pse jo edhe të mësojmë shumë prej tij dhe shokëve të tij. Ky fragment është shkëputur nga një trajtesë ku një nga nënçështjet është “Islami dhe problemi i racave”, dhe qëndrimi i autorit është shumë civil kur flet ndërmjet të tjerash për gjykimin që vjen nga ngjyra e lëkurës dhe etnia, kur pozicionohet për të nderuar këto ndryshime duke e parë këtë qëndrim jo nga pozita të inferioritetit, por si një e vërtetë e përhershme e edukatës së myslimanit. Këtë e konfirmon Malkolm X rreth 40 vite më vonë në letrat e tij kur zbulon, jo në Amerikë, por në Tokën e Shenjtë e të Lashtë të Mekës vëllazërinë e vërtetë ndërmjet njerëzve të të gjitha ngjyrave dhe racave këtu në Tokë.[3] Ndërkohë që me gjithë përparimin e madh në këtë aspekt manualet mjekësore në Amerikë rekomandojnë mbajtjen parasysh të efektit të racizmit ndaj pacientëve me ngjyrë pavarësisht nëse është apo jo një faktor kontribuues.[4] Rastësisht kam gjetur një libër të vitit 1949, botuar nga “United States House of Representatives”, që fliste për 100 gjërat e domosdoshme që duhen ditur për komunizmin. Mendimi i parë ishte – pse kaq vonë?! Më shkoi mendja te Hafiz Ali Korça si një lajmëtar i hershëm i pasojave dhe tek Aleksandr Solzhenici si i mbijetuar nga ajo botë jo e panjohur për ne.
Librat
Sigurisht që SHBA-të ishin pozicionuar me kohë në raport me komunizmin, por fakti që botohet një libër me titull “100 Things You Should Know about Communism” (100 gjëra që duhet të dini rreth komunizmit) ku çdo gjë shpjegohet sipas mënyrës amerikane, skematike deri në detaj, tregon se e konsideronin domosdoshmëri informimin e qytetarit të thjeshtë dhe nga ana tjetër na çon të mendojmë se kishte boshllëqe në këtë fushë informacioni. Po ta konsiderojmë kampin komunist si një sferë pothuajse hermetike ky libër është nga këshilluesit jashtë sferës. Pastaj vjen Solzhenici, me Arkipelagun e tij Gulag, i ikuri nga sfera dhe tregon historinë pështjelluese të viteve 1918-1956. Vepra “Arkipelagu Gulag” u shkrua në periudhën 1958-1967. Po me popullin shqiptar, çfarë ndodhi? Amerikanët nuk erdhën ta shpëtojnë dhe disidentët rusë kishin hallin e tyre. Një nga zërat e paktë ndër shqiptarë, të artikuluar në mënyrë tematike dhe në formë punimi shkencor mbetet libri “Bolshevizma a çkatërimi i Njerëzimit” i Hafiz Ali Korçës. Hafizi largpamës u bënte thirrje shqiptarëve që po shkonin me vrap drejt sferës që të ruheshin, të mos hynin aty.
Libri “100 gjëra që duhet të dini rreth komunizmit” ndahet në pesë kapituj tematikë me nga 100 pyetje secila dhe merr përsipër që, me gjuhën e dialogut, t’u shpjegojë qytetarëve amerikanë rrezikun nga komunizmi. Temat trajtojnë komunizmin në SH.B.A, në lidhje me fenë, edukimin, punën dhe qeverisjen. Një ndarje e tillë sot mund të duket teknikisht e papranueshme, por jemi 70 vite më parë dhe njerëzit mendonin ndryshe. Feja konsiderohej si një nga pesë kolonat madhore që mbajnë shoqërinë amerikane. Në vazhdim kam zgjedhur 5 nga 500 pyetje/përgjigjet e këtij libri të vogël për të krijuar një ide të thjeshtë se si projektohej implementimi në popullatë nga qeveria amerikane e kujdesit që duhej treguar ndaj komunizmit.
A iu kujtojnë ndonjë gjë këto shqiptarëve? Sigurisht që po. Ne jemi vendi në krye të listës, librat e shenjtë të të cilëve ishin “zhdukur” dhe fëmijët edukoheshin me moralin komunist. Ne ishim një vend pa greva dhe “çuni i zyrës” i shërbente Stalinit.
Figura më poshtë është një paraqitje që e vendos veprën e Hafiz Ali Korçës në raport me veprat e tjera.
Fig. 1 Ngjarje, personazhe dhe libra, 1915-1960.
Para se të shohim veprën e Hafizit në vazhdim janë disa ekstrakte nga vepra e Solzhenicinit “Arkipelagu Gulag”, për rikujtesë ose për ata që nuk e kanë përjetuar. Si referencë çdo ekstrakt ka numrin e vëllimit dhe faqen e veprës.
Vendimet mund të shkruheshin paraprakisht dhe emri i të burgosurit shtohej më vonë me shkrim dore. (I-289) Shefi i rojeve shoqëruese ishte kurioz të dinte pse ishte dënuar 25 vjet: “Çfarë ke bërë që të kanë dënuar?” “Asgjë.” “Gënjen kur s’ke bërë asgjë të dënojnë dhjetë vjet.” (I-293)
Kryetari i trupit gjykues: Ne nuk udhëhiqemi nga ligjet, por nga ndërgjegjja jonë revolucionare. (I-304) Sverdlovi gjithashtu tha: Shumë mirë që legjislativi dhe ekzekutivi nuk janë të ndarë si në Perëndim. Problemet zgjidhen shpejt. (I-307) Mund të duket e habitshme, por në ato vite të stuhishme ryshfetet jepeshin dhe merreshin aq me lehtësi si në kohën e Rusisë së Vjetër dhe siç do jetë gjithmonë në Bashkimin Sovjetik. (I-311) Ai që i njeh parimet tona s’ka pse të ketë frikë që ka një të shkuar kriminale dhe kjo mund ta pengojë të jetë nga radhët e revolucionarëve. (I-319) E bija e Tolstoit dënohet me tre vite se kishte shërbyer çaj, dhe asgjë më tepër në një mbledhje të padëshiruar. (I-333) Zia e bukës, në fund të Luftës Civile, edhe pse nuk zë më shumë se dy gishta në historinë zyrtare ishte kaq e tmerrshme sa kanibalizmi mbërriti që prindërit të hanë fëmijët e tyre. (I-342) Mos-denoncimi është kategori krimi dhe konsiderohet sikur të jetë provuar. (I-363) Jo vetëm që punëtori mund ta refuzojë urdhrin e inxhinierit, por edhe mund ta godasë atë, klasa punëtore ka gjithmonë të drejtë. (I-391) Në vitet njëzet sigurimi dhe ministria e brendshme morën në shërbim hipnotizues profesionistë. Më vonë kishte edhe një shkollë hipnotizimi. (I-409) Krylenko shpjegoi: Pse mërziteni, ekzekutimet janë ndaluar me ligj, por ai është qëlluar nuk është ekzekutuar. (I-435) Ata ende guxojnë të na ulërasin (nga Pekini, nga Tirana, nga Tbilisi, por dhe shumë barkmëdhenj në rrethinat e Moskës e bëjnë këtë): “Si mund ta guxonit ta kritikoni?” “Si mund të guxonit të shqetësoni hijen e tij të madhe?” “Stalini i përket lëvizjes komuniste botërore!” Por sipas mendimit tim ai i përket vetëm Kodit Penal. (I-438) Të dënuarit me vdekje liheshin pa ngrënë saqë vuajtja më e madhe e tyre nuk ishte mendimi i vdekjes, por tortura e urisë. (I-445) Në ditën e dasmës një nuse arrestohet dhe gjatë transportit nga gjykata në burg përdhunohet në grup në prani të trupës shoqëruese në fugon, ndërkohë që ishte dënuar nëpërmjet një shpifje se qe larguar nga vendi i punës. Data, 8 Mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas! (I-535) Kufoma fshihej poshtë shtratit për t’i marrë racionin. (I-535)
Vrasësi kryesor ishte puna e kampit, dy të tretat e një përqindëshit në ditë. (I-539)
Transporti i tyre bëhej në natyrë dhe kush nuk mund të ecte më braktisej në tundër, pa ushqim. (I-578) Sa kishte në kampet e Arkipelagut Gulag, rreth dymbëdhjetë milionë në çdo kohë. Kërkimet e socialdemokratëve Nikolaevski dhe Dalin thonë se kishte nga dymbëdhjetë deri në njëzet milionë në kampe. (I-595) Sipas vlerësimit të profesorit të emigruar të statistikës Kurganov ‘kjo dhunë e brendshme na ka kushtuar 66 milionë jetë prej Revolucionit të Tetorit deri në vitin 1959’. (II-10) I biri i një prifti pasi vret të atin deklaron se e ka bërë nga urrejtja klasore, përfiton një dënim të lehtë dhe pasi lirohet bëhet Shef Seksioni i Kulturës dhe Edukimit për Solovskin. (II-64-65) Gorki thirri nga tribuna se ‘çdo kapitalist vjedh më shumë se të gjithë ju bashkë’, çka i mbushi me lot sytë e hajdutëve të xhepave. (II-93) Frenkel, një hebre turk, pronar i një firme në Mariupol, ishte kthyer në milioner dhe quhej ‘mbreti i lëndës së drurit të Detit të Zi’, i thirrur nga Moska në vitin 1929 krijoi klasifikimin e të burgosurve në Grupe (A, B, C, D), ku secili që nuk sillte shërbime esenciale për kampin (B), nuk ishte i sëmurë (C) dhe nuk ishte nën dënim korrektimi (D) duhet të kishte një normë pune gjatë gjithë kohës së dënimit (A). (II-76) Në Zaroshi kishin ngrënë një kalë të ngordhur prej një jave, mbuluar me miza, në Utini një fuçi me graso dhe në Milga kishin ngrënë myshk, si drerët. (II-126) Në Serpantinka pushkatonin 30-50 burra në ditë. (II-129) Në BRSS, viti 1919, dënimi nuk shihej si hakmarrje dhe as si shpagim për fajin, por si masë për mbrojtjen e strukturës shoqërore. (II-144)
Amnistia e Stalinit ‘që bota nuk e kishte parë kurrë më parë’ përfshinte çdo lloj dhunuesi, hajduti dhe krimineli. (II-188) Askush nuk mbante mend një ditë pushimi në Karlag prej 1937 deri në 1945. (II-207) Prej vitit 1932 Seksioni Mjekësor i kampit kaloi në administrimin e Gulagut, duke u kthyer në shërbim të shtypësit dhe ishte një varr-rrëmihës. (II-215) Autopsia ishte një çarje nga fyti në fund të barkut dhe shpesh bëhej edhe nga ushtarët, më tepër me qëllim të shihej a ka vdekur vërtet apo bën sikur. (II-221) Pleqëria dhe shëmtia ishin mbrojtja më e mirë për një grua. (233) Pothuajse çdo i mbijetuar për kohë të gjatë ishte një i besuar i tyre, ose kishte qenë për kohë të gjatë, sepse kampi ishte shkatërrues. (II-255) Prokhorov nuk i bindej urdhrave për shpërndarjen e kuponëve nga dhembshuria, e dënuan 10 vjet, jo për shpërdorimin, por mëshira nuk tolerohej. (II-285) Dy fëmijë ndërsa ziheshin dëmtuan një poster që gjendej në shpinën e tyre, u dënuan. Që prej vitit 1935 edhe fëmijët mbi 12 vjeç dënoheshin. (II-294-295) Irina Tuchinskaya u arrestua duke dalë nga kisha, sepse ishte lutur atje për vdekjen e Stalinit, si akt terrorist. Kush do ta ketë dëgjuar teksa lutej? (II-295) Së pari jam Çekist e pastaj jam mjek. (II-350) Dënuar 15 vjet sepse kishte kundërshtuar poetin proletar Majakovski. (II-382) Kishte edhe tortura si thyerja e dorës me derë. (II-385) I varrosnin të gjallë, sepse po t’i pushkatonin do të duhej t’i transportonin deri te varri, dhe dihet që kufoma peshon rëndë, kështu ishte më e lehtë. (II-390) Një mënyrë të rrahuri ishte futja e tullës në çizme shajaku dhe me të goditej i burgosuri, dhembte shumë, por nuk linte gjurmë. (II-417) Vitet 1946-1947, kishte kanibalizëm! (II-423) Aktivitetet kriminale ishin si puna e malaries, një ditë dolën dhe thanë se ishte zhdukur në gjithë vendin, dhe në vazhdim u bë e pamundur që ta trajtosh apo diagnostikosh. (II-433) Geli Pavlov e pësoi që dymbëdhjetë vjeç, artikulli 58 nuk kishte kufizim moshe, rekordi ishte një 6 vjeçar. (II-463) Majori Volkov kur pa që në festën e 1 Majit të burgosurit nuk po shfaqnin gëzim dha urdhër për entuziazëm dhe kush nuk e zbatonte do përfundonte në bllokun e dënimit. (II-541) Kujt ia lejonte pozicioni të vidhte nga ushqimi i të burgosurve vidhte pa përjashtim. (II-544) Prodhonin divane që u shkonte kostoja 800 rubla, por nuk shiteshin më shumë se 600. (II-587) Pse duhet të pendoheshin të burgosurit kur 85% e tyre nuk kishin bërë asnjë krim, asnjëherë. (II-598)
Një e sëmurë mendore doli nga rreshti ‘për të takuar nënën’, e lidhën te dera e kampit dhe i gjithë kampi u dënua me punë ditën e diel për shkak të saj. (II-622) Murgeshat mbaheshin në të njëjtin vend me prostitutat dhe hajdutet. (II-624) Unë nga sot refuzoj nënën dhe babanë tim si armiq të popullit, shkruhej në një deklaratë. (II-640) Duart i kishte të lidhura pas shpine dhe ndërsa përpiqej të kapte me dhëmbë një copë bukë, që i kishin hedhur, roja e goditi me shqelm në gojë dhe buka fluturoi tutje. E përsëriti prapë dhe roja e përsëriti prapë. (III-197) Roja hodhi ca plumba poshtë kullës së rojës dhe urdhëroi një të burgosur t’ia sillte, por pastaj e qëlloi. (III-286) Dëbimi në mërgim ishte diku nga vendi i katërt i taktikave për zhdukjen e përhershme të këtij revolucioni, por në fillim kur mezi qëndronte në këmbë ishte i domosdoshëm. (III-340-341)
Murtaja që ngordhi urie 15 milion fshatarë nuk ka emër tjetër veç kolektivizim. (III-350-366)
Mësuesit ishin të detyruar të plotësonin testet me shkrim të drejtuesve të distrikteve si të ishin këta të fundit feudalë të vërtetë, por që tani bëhej fjalë për kurse me korrespondencë. (III-431)
Ligji i ri: Vidh ose vdis. (III-396) E gjithë historia e Rusisë përmblidhet në shprehjen ‘mundësi të mbytura’. (III-414)[6]
Komunizmi ‘ynë’
Ekziston sot ndër ne përshtypja se një numër i madh arrestimesh në Shqipërinë komuniste kanë ndodhur si rezultat i propagandës minimale ndaj regjimit. ‘Buka është e zezë’ apo ‘qumështi është ujë’ ishin disa nga frazat që hapnin dyert e burgut. Solzhenicini flet për më tepër, flet për ‘plan arrestimesh’ dhe ‘plan vrasjesh’. Sot e dimë që ato fjalë të thëna shpesh edhe pa ndjenjën minimale të opozitarizmit apo nga vetë anëtarë të bindur partie kanë qenë pretekst për dënime të gjata, dënime që konsiderohen si pjesë e politikave për ruajtjen e imazhit fals të shoqërisë socialiste. Ka pasur diçka më tepër, ka pasur plan, plan që duhej realizuar, të paktën në BRSS, duke i besuar Solzhenicinit. Plani është i paracaktuar, plani duhet realizuar, sidomos në shoqëritë totalitare. Numri i viktimave mesa duket është caktuar që më përpara dhe lirshmëria qëndron vetëm se kush do jetë kurbani. Të flasësh kundër regjimit më shumë se të tjerët nuk ka qenë kriteri i vetëm i shkatërrimit të jetës, por realizimi i planit të shkatërrimit të jetëve, duke i tmerruar të mbeturit, duket më e besueshme. Ndoshta zgjidhja më e mirë do të kishte qenë të flitej masivisht kundër, aq sa regjimi ta kishte fizikisht të pamundur ta kontrollonte dhe përballonte, po kush e dinte se sa i zi ishte përveç atyre që e kompozuan. Duket si teori konspirative apo një djallëzi, por ata e dinin që në fillim se nuk duhej lënë të shfaqej një zë opozitar, duheshin vrarë, burgosur apo të paktën internuar edhe ata që akoma nuk u kishte shkuar asgjë ndërmend, por potencialisht mund t’u shkonte. Fatkeqësisht e mbajmë mend sa e rëndësishme ka qenë realizimi i planit dhe sa pak rëndësi kishte cilësia e punës që dorëzohej. Pse sigurimi duhej të punonte ndryshe?!
Shqipëria ishte zhytur në dhunë që drejtohej ndaj armiqve dhe ndaj gjithë shqiptarëve të tjerë si masë parandaluese. E njëjta strukturë dhune ka ekzistuar edhe në ekonomi. Që armiqtë nuk duhet të kishin asnjë bazë ekonomike kjo ishte e deklaruar publikisht dhe ishte pjesë e politikës zyrtare. Që varfëria rezultoi si dështim i sistemit, ky është gabimi i ri i radhës që po na imponohet apo po ia imponojmë vetes. Varfërimi i të gjithë popullit ka qenë qëllimi i sistemit. Prandaj unë e quajta këtë pikë ‘komunizmi ynë’, sepse për ne është larg teorisë, është pranë të vërtetës së jetuar. Privimi nga prona private ka qenë objektiv i sistemit, nuk mund ta mohojë askush. Unë nuk kam asgjë timen, por prona e përbashkët po shumohet dhe të gjitha të ardhurat nga puna i harxhoj për të mbijetuar. Kjo është ekonomia socialiste shqiptare e përmbledhur në një fjali. Kjo është ekonomia socialiste që është vetëm një hap i vogël drejt asaj komuniste. Çmësimi i njeriut me dashurinë për pronën, nëpërmjet dhunës, me objektiv adhurimin e varfërisë në emër të një të mire të madhe të përgjithshme, pa Zot! Shqiptarët duhet të kuptojnë se varfërimi ka qenë objektiv madhor dhe jo dështim. Dështimi mund të kërkojë një shans të dytë, duke premtuar përmirësim të mekanizmave menaxheriale dhe mund të tolerohet, objektivi është i ngulitur, i përhershëm. Dhe nëse jemi aq të mençur sa mos ta harrojmë këtë të kaluar, pa pronë e pa Zot, na mbetet të luajmë kartën e një shoqërie që krijon iluzionin sikur kemi pronë, sikur ka liri besimi. Ndoshta prapë përmbledhjen më të mirë e gjejmë te vepra e kronikanit të Arkipelagut. Veçoritë e jetës në afërsi të Arkipelagut apo që ishin sipas stilit të tij: frikë e përhershme, skllavëri, mosbesim, injorancë, spiunim, tradhti dhe gënjeshtër si formë mbijetese, korrupsion, mizori, skllavërim psikologjik.[7]
Hafizi për Bolshevizmën
Gjykimin e tij Hafizi e ka dhënë që në titull dhe librit nuk i mbetet tjetër veçse të argumentojë pretendimin. Titulli nuk lë vend për kompromise, për ta analizuar çështjen në mënyrë delikate, duket sikur ia bën detyrim vetes të jetë luftarak dhe i drejtë deri në fund në gjykimin e tij për një ngjarje historike që akoma nuk i ka ndodhur popullit të tij, dhe pas 90 vitesh një pjesë e mirë e këtij populli i jep plotësisht të drejtë. Tematika e punimit është organizuar në mënyrë të tillë sa m’u kujtua sapo nisa të lexoj librin “100 gjëra që duhet të dini rreth komunizmit” pavarësish se i dyti është shkruar shumë vite më vonë dhe jo nga një individ, por nga një strukturë e tërë propagande. Fillimi i veprës ka të bëjë me interpretimin e shpërndarjes së pasurisë sipas diturisë hyjnore, duke filluar menjëherë me kundërshtimin jo vetëm logjik të ndarjes së pasurisë alla-bolshevikshe dhe diskutimi mbyllet me një ide që do të bëhej realitet në Shqipëri pas shumë dekadash, ‘t’ishte pasunija një soj, vallë kush do të punonte e do kujtonte vëllan e tij që jeton në tjatër tokë!”[8] Prezantimi i komunizmit nga autori është konciz dhe pandashëm gjykohet me tekste fetare. Interesante është analiza pse Rusia ishte vendi që përmbushte kushtet për instalimin e sistemit. Statistikat e përdorura për të treguar numrin e viktimave deri në vitin 1920 tregojnë për rreth 2.2 milionë viktima, që pastaj plotësohen edhe me të tjera siç i quan autori kiamete, si kiameti i drithit, bagëtisë dhe fesë.[9] Pyetjeve që lindnin për mundësinë e përhapjes së bolshevizmës autori i kundërvë politikën e Anglisë dhe vargëzon se kush tjetër bolshevizmës nuk mund t’i kundërvihet veç feja.[10]
Bolshevizma dhe Hafizi
Në jetëshkrimin e Hafiz Aliut gjejmë dëshmi si të nxënësit të tij Xhafer ef. Shkodra që thotë se Hafizi ka jetuar me ndihmën e popullit. Të mendojmë për pak gjendjen e një plaku në vitet e fundit të tij që jeton pa të ardhura dhe pa kulm mbi kokë së bashku me të shoqen dhe dy nuset e djemve të burgosur. Burgu ndoshta do të kishte qenë më i lehtë. Vdekja e tij në dhjetor të vitit 1956 u shoqërua me një varrim madhështor.[11] Megjithatë këtu nuk kisha për qëllim të tregoja dramën e viteve të fundit të këtij zotërie, një dramë e njëjtë po që ka marrë formë të ndryshme në shpirtrat dhe trupat e shumë shqiptarëve nën komunizëm. Kisha qëllim të kujtoja paralajmërimin e tij në vitin 1925 të po këtij populli që në fund e deshi dhe e strehoi dhe e varrosi me nderime, duke rrezikuar sa herë ishin të pranishëm tek ai. Tridhjetë vjet para këtij momenti ai ishte një vizionar, që në krahasimet e mësipërme nuk mbetet prapa njerëzve që kanë jetuar brenda barkut të përbindëshit apo demokracive perëndimore, por që populli i përgjumur nuk i vuri veshin. Populli e njihte kush ishte, por nuk iu përgjigj, nuk i besoi apo nuk e kuptoi ashtu siç duhet hafizin dhe shokët e tij. Ai u persekutua pikërisht për vizionin e tij dhe guximin që pati ta shprehte atë dhe të mos e mbante për vete. Një njeri që arrin të perceptojë para shumë kohësh ardhjen e përbindëshit sigurisht që ishte edhe i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej duke folur, apo, aq më tepër, duke shkruar. Pa këtë artikulim të qartë të mendimeve të tij, duke ruajtur veten dhe familjen, do të kishte sigurisht shumë më pak pasoja, do të ishte një hoxhë që këshillon popullin të mos vjedhë dhe të duan njëri-tjetrin. Kthehemi përsëri te populli që u tregua i përgjumur nga paralajmërimet e Hafizit, nga ardhja e përbindëshit, dhe për këtë nuk kemi pse të jemi aq të ndjeshëm ndaj ndjenjave të bashkatdhetarëve sa të mos e përmendim. Ky popull pati fatin të kishte njerëz të tillë që ta ndriçonin, por përgjigja e tyre ishte e vakët. Sa herë ai iu afrohej duket sikur shkundeshin pak, e respektonin apo edhe e paskan mbështetur financiarisht, është sikur zgjoheshin për një moment dhe sapo Hafizi kalonte te porta tjetër binin prapë në përgjumjen e rrezikshme kur kushdo mund të bënte me to çfarë të donte. Së fundmi varrimi madhështor duket si një vetëdijesim i fundit i përkohshëm para kllapisë dhjetëra vjeçare ku papërgjegjshmëria u kthye në pafuqi të vërtetë. Besimtari shikon me dritën që i dhuron Allahu xh.sh., e Hafizi mendoj se e pati këtë dritë dhe njerëzit u treguan të pavëmendshëm, derisa ai brez kaloi dhe gjithkush mori çfarë i takoi dhe e pësuan “edhe të pafajshmit në mesin e tyre kur e keqja e tejkalon të mirën”. Tani e kemi radhën ne. Për kë do të mblidhej gjithë qyteti në varrim për të respektuar dritën që kishte dhe që e humbëm pasi ai u largua nga kjo botë. Vështirë të gjejmë ndonjë person të dukshëm, por edhe nëse ka e që nuk e njohim publikisht nuk gjej ndonjë vepër që të na paralajmërojë për të keqen që e dimë mirë që nuk është zhdukur, por ka ndërruar formë. Mbetemi te vepra e Hafizit. Njerëzit kanë nevojë për një ndërfaqe midis Kur’anit dhe perceptimit të kohës kur jetojmë, kanë nevojë për hafizë që ta kuptojnë, që guxojnë dhe që sakrifikohen.
Sfida vazhdon dhe tregon se Hafizi vazhdon të provokojë me veprën e tij. Vepra e tij nga aspekti tematik ka dy elementë të shprehur qartë, temën patriotike dhe temën fetare islame.[12] Megjithatë edhe në aktivitetet shkencore në përkujtim të veprës së tij shikon referues që preferojnë ta quajnë Ali Korça, duke hequr Hafizin.[13] Forca e Aliut qëndron te ‘Hafizi’, nuk duhet harruar. Ky është një ngacmim për një vlerësim krahasues ndërmjet perceptimit në masën e intelektualëve të sotëm me ata të vitit 1956, kur Hafiz Aliu ndërroi jetë dhe pse jo edhe një krahasim të ideve të tij me ato të mendimtarëve bashkëkohës të tij evropianë. Për më tepër që në raste të caktuara kthehet në njëfarë detyrimi që gjërat të mos mbeten pezull dhe të shërbejnë si premisa për të sjellë keqkuptime të panevojshme. Po në aktivitetin përkujtues haset edhe ky lloj qëndrimi; “Libri ‘Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit’ (1925), si çdo shkrim politik, e ka shfaqur anësinë, duke e sulmuar me çdo mjet kundërshtarin, në disa raste me qëndrime të papranueshme sot, siç është rasti kundrejt çifutëve.”[14] Ky konkluzion pa tekst nga vepra dhe pa kritikë, më tepër duket si fletërrufe ku nuk diskutohet, por duhet të besojmë pa argumentuar konkluzionet. Po të krahasohet me bashkëkohësit e tij duket më qartë pozicioni i tij. Një rast ekstrem është pararendësi i nazizmit, gazetari dhe politikani, Dietrich Eckart. Si Hafizi edhe ai ka folur për profetin Jusuf a.s., por sa të ndryshëm janë. Shihet qartë diferenca e qëndrimeve ndaj Jusufit a.s., njëri e shikon si profet dhe veprimin e tij si pajtueshmëri me vullnetin hyjnor dhe një zgjidhje shpëtimtare për popullin, ndërsa tjetri, Dietrich Eckart-i (1868-1923), e fillon argumentin duke e quajtur Jusufin a.s., “një faqezi” i cili krijon një situatë spekulative, duke abuzuar me ëndrrën e mbretit me qëllim rritjen e çmimit të drithit dhe shitjen e tij me vlera ekstreme, gjë që solli mbledhjen e pasurive në ar dhe gurë të çmuar të egjiptianëve, duke e përqendruar këtë pasuri në dorën e tij.[15] Sa i ndryshëm është ky qëndrim në poemën “Jusufi me Zylejhanë” dhe dashuria e tij për familjen e këtij profeti të nderuar hebrenjsh. Pak vargje nga poema mjaftojnë.
Jusufi atje kur zbriti
Pandehnë se djelli ndriti.
Po kur panë prapë retë
Thanë qenka hëna vetë.[16]
Aty ku priten këta dy personazhe nuk është qëndrimi ndaj bolshevizmit por njëri është një antisemit me plot gojën, ndërsa Hafizi është një respektues i vërtetë i popullit hebre dhe çfarë atyre ju është shpallur në mënyrë hyjnore. Ashtu siç mund të ketë një afinitet për shkencat me Bertrand Russell (1872-1970). Për të pasur një ide të spektrit të mendimeve të kohës mund të ndihmojë qëndrimi i Russell ndaj bolshevizmit. Simpatia e tij për idetë e bolshevikëve ka për kundërshtar vetëm pamundësinë për t’u kthyer në diçka praktike në duart e komunistëve rusë dhe e quan komunizmin të nevojshëm për botën. Russell krahason praktikimin e ideve bolshevike me ato të krishtera dhe argumenton dështimin e tyre historik, sepse qëlloi të praktikohen nga fanatikë injorantë. Ai është agnostik, të mos themi ateist, dhe kjo e bën krahasimin e mundshëm. Sipas kësaj logjike ai shprehet se që të dyja janë deluzione tragjike të destinuara të sjellin mbi botë shekuj errësire dhe dhune të kotë. Pavarësisht kësaj ai e quan bolshevizmin si religjioni i ri që i dha shpresë Evropës së pasluftës për gjëra të lavdishme dhe si domosdoshmëri që njeriu të gjejë arsyen për të jetuar me energji. Për të konfirmuar të gjitha këto do të mjaftonte shprehja e tij “komunizmi është i nevojshëm për botën”.[17] Ndërkohë që në Shqipërinë e kohës Hafizi nuk duhet parë si një fenomen unik për këtë çështje. Shembujt e thirrjeve të tilla nuk ishin vetëm individualë, por edhe shumë më gjerë ndërmjet ulemave të kohës. Thirrjet e udhëheqësve të Bashkësisë Islame në vitin 1937, u drejtoheshin të pasurve t’u jepnin të varfërve që vuanin nga papunësia, si masë parandaluese ndaj socializmit dhe bolshevizmit.[18]
Megjithatë perceptime të gabuara rreth figurës së Hafiz Ali Korçës ka edhe nga studiues bashkëkohorë, që ndoshta vjen nga pamundësia e leximit në origjinal, që sjell të bazuarit mbi referenca. Nathalie Clayer thotë se Hafizi ishte pjesë e kampit konservator. Ndërkohë nga po i njëjti burim gjykohet se për sa i përket besimit Hafizi ishte në një kamp të ndryshëm nga vlerësuesit dhe studiuesit e Muhjidin ibn Arabiut, çka përbën një paradoks edhe më të madh për vlerësimin e figurës së përkthyesit të Rubairave të Omar Khajamit. Duke mos qenë mosdija një justifikim i plotë, qëndrimi tendencioz mbetet alternativë e pritshme nga kundërshtarë ideologjikë të kohës, por edhe të pas shumë kohëve dhe madje që vijnë edhe nga larg për të gjykuar.[19] Nuk mund të lihet pa u përmendur ndryshimi thelbësor ndërmjet ‘revizionistëve’ dhe ‘mohuesve’, një ndryshim që duhet pasur parasysh për të mos ndaluar studimin e historisë nga frika e vënies në diskutim të të vërtetave të dhimbshme siç është holokausti. Në librin e saj me titull ‘Mohimi i Holokaustit, Sulmet në Rritje ndaj të Vërtetës dhe Kujtesës’, autorja Deborah Lipstadt, e cila është një mbrojtëse e flaktë e historisë dhe vuajtjeve të popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore bën që në fillim dallimin ndërmjet këtyre dy koncepteve. Duke marrë si shembull rastin e historianëve që klasifikohen si revizionistë të historisë së Luftës së Parë Botërore, ajo e justifikon si një veprim të ligjshëm ku bëhet fjalë për këndvështrime të ndryshme të të njëjtit realitet. Ndërkohë që mohuesit nën petkun e revizionizmit mundohen të mohojnë tërësisht një fakt historik siç është në rastin konkret holokausti.[20] Siç shikohet, po t’i referohemi këtij qëndrimi, të ofruar nga një person i afërt dhe vuajtës i holokaustit gjykimi duhet bërë duke ruajtur faktin historik në formën e tij autentike dhe toleranca për revizionim qëndron në përafrimin ndaj këtij realiteti. Jo ndryshe nga ky arsyetim duhet trajtuar edhe gjykimi ndaj Hafiz Ali Korçës në lidhje me elementët udhëheqës hebrenj të kryesisë bolshevike ruse, së pari nëse i referohet një fakti historik dhe së dyti duhet gjykuar këndvështrimi i tij që sigurisht është i ndikuar nga personaliteti dhe pikëpamjet e grupit që përfaqëson, ndërkohë që paraqitja e konkluzioneve pa marrë mundimin për ta gjykuar jo vetëm që mund të përbënte një qëndrim të padrejtë, por edhe të rrezikshëm, duke i veshur atij dhe grupit në të cilin bën pjesë qëndrime që nuk i përkasin dhe një imazh të shpërfytyruar në opinionin publik.
Lenini dhe bazat ekonomike të fesë
Një marksist është një materialist. Kapitali nuk zhduket, ligjet e kapitalit ndryshojnë. Çfarë beson një udhëheqës i proletariatit, meqenëse proletariati nuk ka pronë private dhe prandaj nuk ka as rrënjën e besimit (sipas Leninit). Frika i ka prodhuar zotat – thotë Lenini, dhe frika është rrënja e feve moderne, prandaj duhet luftuar kjo rrënjë e feve dhe është hapi i parë që do të sjellë zhdukjen e feve. Ky është një prej rregullave të kapitalizmit që ai bën thirrje për ta luftuar në të gjitha format që shfaqet, në mënyrë të organizuar, të bashkuar, të planifikuar dhe të ndërgjegjshme.[21] Pas kësaj kujt mund t’i shkojë ndër mend që një hafiz Kur’ani të mendojë ndryshe, apo një hafiz si Hafizi të mos shkruajë çfarë ka shkruar! Sipas besimit islam njerëzit dhe xhinët nuk janë krijuar tjetër veç që të adhurojnë Zotin, dhe një mysliman mund të pranojë që dikush të adhurojë ndokënd tjetër përveç krijuesit të tij, por nuk mund të pranojë që ky të mos adhurojë askënd. Njeriu mund të largohet nga natyra e tij për të besuar në Krijuesin, por jo që të mos besojë fare. Ashtu edhe pretendimi që e para klasa punëtore të ‘pastrohet’ plotësisht nga të besuarit në Zot nuk mund të pranohet që të mos adhurojë diçka, dhe në të vërtetë sillet për këtë qëllim ‘paketa e idealeve’. Këto ideale mund të vazhdojnë derisa ta humbin kuptimin e tyre. Në momentin kur teknologjia të zëvendësojë përfundimisht konceptin tradicional të proletariatit dhe ai të jetë i parëndësishëm në numër do të kishte një shoqëri pa pronë, dhe pa Zot, dhe pa ideale, një tabula rasa për një idhull të rastit apo të parathënë. Ky idhull së pari do bëhej zot i kapitalit të pazot dhe pastaj zot i të pazotëve. “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Kur’an; 51:56) Njerëzit janë të krijuar të adhurojnë dhe nuk mund të dalin jashtë natyrës së tyre. Ata kanë mundësinë të zgjedhin kë të adhurojnë, por nuk mund t’i shpëtojnë adhurimit. Të imagjinojmë një periudhë postkomuniste, pa ideale të klasës punëtore, pa familje, pa Zot, pa pronë. Kemi një individ që, pasi i kanë hequr edhe idealin e klasës, është bërë preja e një mashtrimi të pafund, të cilin, në njëfarë mënyre, e ka zgjedhur, por ne jemi dëshmitarë që i është ofruar. Na lind e drejta e dyshimit për sinqeritetin e ofruesve, madje e kemi detyrim, madje nuk ka pikë dyshimi për sa kohë kemi zgjedhur Islamin për të vënë në dyshim sinqeritetin e atyre që nuk i lejojnë të tjerët të besojnë. Po ata vetë a besojnë? Ka mundësi që po, ka mundësi që e kanë ruajtur besimin e tyre dhe krijojnë imazhin se e kanë humbur bashkë me të tjerët. Nëse e kanë ruajtur besimin e tyre çfarëdo qoftë ai, dhe me siguri që në diçka besojnë, ose duan ta imponojnë atë pas zhdukjes së çfarëdo besimi tjetër, ose duan që vetëm ata të kenë një besim dhe masa të mos ketë fare. Po çfarë mbetet një masë njerëzish pa besim? Njeriu nuk mund të jetë i shkëputur nga arsyeja e krijimit të tij, një masë njerëzish pa besim, edhe pa pronë meqë ra fjala, nuk mund të quhen më njerëz by definition. Nga ana tjetër njeriu nuk mund të zgjedhë të mos jetë njeri, dhe nuk ka zgjedhje për të mos mbajtur përgjegjësitë që i janë ngarkuar. Në fund nuk duhet harruar edhe shprehja e manifestit komunist “Zhdukje e familjes [Aufhebung]”, qoftë edhe nëse bëhet fjalë vetëm për familjen borgjeze.[22]
Tre konkluzione
Së pari, Hafiz Ali Korça, së bashku me bashkëkohësit e tij, është një rilindës vizionar që mbetet i pastudiuar seriozisht. Gjuha e përdorur nga ai dhe autorë të tjerë myslimanë të asaj kohe ndoshta është njëfarë pengese megjithatë mbetet krejt e kuptueshme. Stili gjithashtu është i ndryshëm nga ai i cili konsiderohet shkencor, por nuk është joshkencor për kohën, sidomos po të vlerësohet edhe sistemi i përdorur për referencat. Po të shohësh punime shkencore të asaj kohe, të pamodifikuara, nuk gjen ndryshime të dukshme. Futja e sistemit të referencave për secilën nga degët e shkencave moderne është e vërtetë se është një sukses në aspektin e besueshmërisë, kurse për shkencat islame është vetëm një konfirmim i metodologjisë së tyre. Akoma sistemet moderne të referencave duken rudimentare po të krahasohen me kompleksitetin dhe efikasitetin e sistemit të transmetimeve në Islam. Pse atëherë këta personalitete mbeten sipërfaqësisht të studiuar? Një teori që mund të përmblidhet në shprehjen “… ka qenë Shqipëria dhe Islami në Shqipëri…” është shfaqje ekstreme e kompleksit të inferioritetit, murit 50-vjeçar prej xhami qorr të injorancës së kohës së komunizmit që nuk lejon të shikohet e kaluara pa u shformuar dhe ndoshta edhe një shpikje e dikujt që i intereson një Shqipëri pa të kaluar islame. Vepra me pak faqe e Hafiz Ali Korçës “Bolshevizma a çkatërimi i Njerëzimit” është një thesar që ka njohuritë e kohës, madje të ndara sipas koncepteve ekonomike, gjeopolitike dhe sociale, në lidhje me përbindëshin akoma në djep të komunizmit të zbatuar, e parë me syrin e një autoriteti në shkencat islame dhe largpamësinë e guximin për të paralajmëruar brezin e tij dhe të mëvonshmit. Duke lexuar shkrimet e tyre mbetesh i çuditur nga aktualiteti i shkrimeve. Nuk është e vështirë të kuptosh që çdo rresht që kanë shkruar kanë qenë të kujdesshëm ta shohin me syrin e Kur’anit. Për këtë janë akuzuar si reaksionarë, anadollakë apo bashkëpunëtorë të armikut. Nuk janë kuptuar, kanë qenë para kohës!
Së dyti, djalli (Kur’an; 2:168) apo ky lloj miku i djallit, po e shkruaj fjalën “djall” me referencë si një entitet i përmendur nga Kur’ani për lexuesit që mund të ironizojnë nëse unë do të thoja që këtu nuk ka asgjë prej figure letrare, nuk mund të quhet budalla. Budalla dhe injorant mund të quhen ata që mendojnë se duke nxjerrë disa ligje për ndalimin e fesë, duke shkatërruar objekte kulti dhe duke detyruar agjëruesit të pinë ujë dy minuta para perëndimit të diellit mund të zhdukin besimin. Duke e ditur mirë se nuk ka asnjë shans për ta ndaluar besimin, që vjen si dhuratë nga Allahu xh.sh., të vetmet shanse janë shtrembërimi, një besim pa shpirt apo një besim pa mbështetje materiale. Konkretisht, sulmi i bolshevizmës ishte në bazën ekonomike të besimit, në pronën private. Urdhrat e drejtpërdrejta ishin për shkatërrimin e pronës private dhe klasës që e gjeneron, borgjezisë. Një besim pa kapital e dinte mirë si do përfundonte. Ka dështuar, por do ta provojë prapë. Tani mund të vrapojë në krahun tjetër, ta lërë pronën apo formën, por të sulmojë shpirtin e besimit, pjesën ezoterike. Kapitali është në rregull, madje duhet shtuar madje duhet të jetë qëllimi i gjithsecilit, shtimi dhe lufta për të janë të justifikuara dhe janë në modë. Tani feja mund të lejohet me të gjitha rregullat e saj formale, por duhet goditur zemra e besimit, ezoterizmi. Më pak të rrezikshëm janë ata që përsëri mund të mundohen ta ndalin praktikimin e plotë të besimit, më të rrezikshëm janë ata që duan t’i heqin çfarëdo pjese integrale, apo në pamundësi vetëm ta deformojnë, duke e bërë që kur njerëzit që kërkojnë nëpër errësirë ta shohin, t’i kalojnë pranë pa e njohur dhe pa u tërhequr, ose duke u tërhequr përkohësisht pa arritur t’u depërtojë në zemra dhe të vazhdojnë kërkimin e tyre të pashpresë. “Dhe thuaj: ‘Erdhi e vërteta e u zhduk e kota’. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (Kur’an; 17:81)
Së fundmi, nëse krahasojmë popullatën shqiptare të periudhës së sundimit komunist me atë pas kësaj periudhe, pavarësisht nga koha e lindjes së tyre, do të gjejmë ndryshime substanciale në aspektin kulturor. Ndalimi i pronës private, i besimit dhe i lirisë së shprehjes, në përmasa pothuajse absolute, janë karakteristikat kryesore të sistemit komunist, të ushtruara të gjitha këto nëpërmjet luftës së klasave, që qëndron edhe në bazë të filozofisë materialiste dialektike të tyre. Paradoksi qëndron në një luftë klasash që duhej iniciuar nga proletariati, por u zhvillua në vendet me popullsi kryesisht rurale. Në vitin 1970, Shqipëria kishte vetëm 31.7% popullsi urbane dhe në vitin 1985 kishte 35.08%, një rritje fare e vogël që tregon edhe preferencën për ruajtjen e kësaj kuote pavarësisht përpjekjeve intensive për industrializim. Po kështu Bjellorusia (44.0%), Rumania (40.3%), Polonia (52.1%). Rusia në këtë vit kishte një popullsi urbane prej 62.5%, për të mos harruar që në vitin 1917, kur edhe ndodhi revolucioni, ishte 85% popullsi rurale.[23] Ky ndryshim ishte subjekt i industrializimit dhe urbanizimit të sforcuar.[24] Një shmangie e tillë nga teoria solli fatkeqësinë e njohur nga këto vende, megjithëse edhe ndjekja e teorisë në detaje mendoj se do të kishte të njëjtin fat. Duket që ky përfundim ishte fatkeq, me përmasa ndoshta të panjohura më parë, si për mbështetësit e komunizmit, që u përpoqën ta aplikonin në praktikë, ashtu edhe për popullatat viktimë. Megjithatë në planin ndërkombëtar, pas rënies së komunizmit, kishte edhe një parti të fituarish. Nuk mund të mohohet që kjo hapësirë u kthye në një treg gjigant sidomos për kreditorët, dhe dy objektivat madhorë të politikave komuniste, industrializimi dhe urbanizimi ishin një parajsë për tregjet financiare. Fshatari rus asnjëherë nuk do t’i drejtohej bankës për një kredi siç do të bënte pas disa dekadash kur u kthye në një punëtor që duhej patjetër të kishte një shtëpi, pushime dhe makinë, por pa pasur para në dorë. Në rastin më të mirë bankierët ishin me fat. Megjithatë, e gjithë kjo vorbull gjigante në raport me Islamin duhet të shihet së paku në raport me përmasat globale të shtrirjes së Islamit.
Fig. 2 Shpërndarja gjeografike e vendeve me shumicë popullsie myslimane deri në vitin 2012.
* Në vitin 2012 Islami përbën rreth një të katërtën e popullsisë botërore dhe është besimi i dytë më i madh pas Krishterimit, me rritje më të lartë të numrit të aderuesve. Datat e hartave; 632, 732, 1071, 1291, 1492, 1700, 2012 CE.
Duke iu rikthyer diskutimit të marrëdhënies së kapitalit dhe Islamit patjetër që pjesë e saj është Zekati, shumë i diskutuar, por po ndalem vetëm në një aspekt, te domosdoshmëria e ekzistencës së personave që janë të detyruar ta japin dhe të atyre që u lejohet ta marrin. Domosdoshmërinë e diferencave pasurore mjafton edhe vetëm argumentimi i bërë nga Hafizi. Pra gjithçka zhvillohet në kushtet e përmendura më sipër, por a ka si qëllim Zekati zhdukjen e diferencave pasurore dhe a do të ndodhë që ndonjëherë të ketë realisht zhdukje të tyre. Një përgjigje do ta merrnim nga transmetimet profetike.
[2340] 61 – ( … ) Tregohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. tha: “Ora nuk do të fillojë përderisa pasuria të shtohet ndërmjet jush, dhe bëhet kaq e shumtë saqë një i pasur do të dëshpërohet duke kërkuar dikë që ta pranojë atë prej tij. Një person do thirret për t’ia dhënë dhe ai do të thotë: ‘Nuk kam nevojë për të’.”[26]
Rasti më i mirë i shpërndarjes së pasurisë nuk është zhdukja e diferencave të pronësisë, është zhdukja e varfërisë, dhe në këtë rast siç tregon hadithi ruhen diferencat pasurore. Pasuria shikohet si subjekt unifikues, jo shpërthyes konfliktesh, dhe si e tillë qëndron si një model nga i cili politikat sociale kanë arritur të marrin vetëm aspektin njerëzor të ndihmës për më të pafatët dhe shoqëria kapitaliste ka arritur të marrë vetëm të drejtën që të krijojë vlera të mëdha kapitali si domosdoshmëri për zhvillimet me përmasa globale. As në momentin më të mirë nuk zhduken diferencat pasurore gjë që sjell rritjen ekstreme në dysinë zekat-namaz të vlerës së namazit në mungesë të zbatimit të detyrës së zekatit qoftë edhe për arsye të mirëqenies së përgjithshme.
Duhet të rikujtojmë se komunizmi nuk u përkrah vetëm në vendet ish-komuniste dhe jo vetëm si diçka që i përket së shkuarës. Pothuajse çdo cep i botës u ndikua nga kjo ideologji pavarësisht se forma konkrete që mori reflektonte rezistencën me ngjyrime karakteristike të çdo komuniteti që u desh të përballej. Vende që historikisht vlerësohen si mbajtës të flamurit të Islamit nuk ishin imunë. Personalitete dhe rryma të rëndësishme brenda Islamit nuk i shpëtuan ndikimit pavarësisht morisë së justifikimeve që akoma vazhdojnë. Megjithatë Evropa mbetet vendi i konceptimit dhe formalizimit të teorive komuniste në shkallën më të lartë në figurën e Marksit, emri i të cilit ka rifilluar të artikulohet përsëri si një ‘i keqkuptuar i madh’ apo ‘qëllimisht i keqinterpretuar i madh’. Këto janë dy strategjitë e zgjedhura për rehabilitimin e kësaj ‘filozofie’ që edhe vetë komunistët hezitojnë ta quajnë filozofi. Kush e ka vuajtur mbi supe dhe e ka studiuar nuk vonon ta kuptojë se nuk ka asgjë madhështore te marksizmi, por jo shpesh artikulohet pse’ja e lindjes së tij jashtë një botëvështrimi materialist, qoftë edhe nga studiues të vendeve demokratike. Komunizmi është fe! Pas revolucionit Bolshevik, komunizmi sovjetik prodhoi ithtarë kudo nëpër botë, pa dallim kombësie, etnie, race dhe feje. Në ‘Fetë e Politikës’, Emilio Gentile thotë për komunizmin se “Ai u ndërthur me tradita e kultura nga më të ndryshmet, por duke ruajtur karakterin universalist të fillesave dhe një organizim si Internacionalja e Tretë, që ishte e vetmja Kishë universale e një feje politike…”[27] Ndoshta mund të quhet edhe një anti-fe! Gjendja e figurës mesianike për shpëtimin e popujve deri te materializmi dialektik nuk janë gjë tjetër vetëm kundërvënie banale ndaj besimit dhe posaçërisht kundër kishës. Figurat mesianike nuk mungojnë asnjëherë gjatë historisë. Xhorxh Soros nuk heziton të pranojë fantazitë e tij mesianike dhe praktikimin e ideve të tij nëpërmjet fondacioneve “Shoqëria e Hapur” ku ai gjithashtu pranon në mënyrë figurative zbritjen e tij nga mali i Olimpit për t’u transformuar në një qenie njerëzore prej mishi dhe gjaku.[28] Megjithatë nuk janë asgjë më shumë se faraonë siç e tregojnë edhe trupat e balsamosur të Leninit dhe Mao’s, por edhe piramida jonë në qendër të Tiranës, mbretër të dhunës. Materializmi si kundërvënie e idealizmit të krishterë dhe dialektika si kundërvënie e dashurisë tregojnë mungesën e plotë të origjinalitetit, por zgjedhjen për të kundërshtuar gjithçka që vjen nga foltoret e kishave. Komunizmi nuk qe Antikrishti, qe vetëm antikisha, një stacion i ndërmjetëm. Kjo është një kundërshti ndaj gjithë besimeve në një Zot të vetëm, por forma pasqyron kundërshtinë ndaj krishterimit të kohës. Fillesa e tyre ishte zgjedhja e materializmit absolut, i cili sjell si domosdoshmëri dialektikën, që në të vërtetë është një term i përdorur pas vdekjes së Marksit dhe Engelsit, që kulmon me luftën e klasave. Ndërkohë që parimi i dashurisë, i shpalosur gjerësisht në krishterim, diferencat klasore shumë mirë do t’i zgjidhte nëpërmjet domosdoshmërisë së të bashkekzistuarit, nëpërmjet komplementaritetit që i bëjnë klasat komplementare me qëllim shmangien e përplasjes fizike ndërmjet tyre. Diskutimi i të keqkuptuarit të konceptit të dashurisë në krishterim mund të gjendet në forma të ndryshme. Njëra perspektivë pretendon se “urdhëresa për të dashur të afërmin tënd si vetveten është një detyrë dhe jo diçka më tepër e cila ka për parim arsyen”.[29] Një këndvështrim tjetër do të shikonte përmasën reduksioniste të krishterimit modern te dashuria. Një pjesë nga një ajet i Kur’anit mund të hedhë dritë mbi këtë pretendim; “në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë” (Kur’an; 30:21), duke na lehtësuar zgjidhjen e një diskutimi të gjatë që ka prekur pothuajse të gjithë kastën intelektuale bashkëkohore. Shtjellimi i këtij diskutimi do ishte mjaft i gjatë, por këtu do të mjaftohemi me marrjen si të mirëqenë ekzistencën e dy formave të rekomanduara edhe nga Kur’ani ndërmjet njerëzve, siç është dashuria si formë komunikimi që si bazë ka dhënien reciproke dhe mëshira që krijon një marrëdhënie të bazuar në diferenca të mundësive dhe ndihmën pa interes. I vetmi ndryshim me interpretimet e tjera është se nuk bëhet fjalë për forma të ndryshme dashurie, por për dy koncepte të ndryshme siç janë dashuria dhe mëshira. Tek e fundit emrat e Allahut xh.sh., El-Uedud – i Dashuri dhe Err-Rrahman – i Gjithëmëshirshmi, Err-Rrahim – Mëshirëploti, dhurues dhe i panevojshëm për t’ia kthyer krijesat, reflektohet te krijesat si dy forma të ndryshme marrëdhënieje ndërmjet tyre. Prandaj për t’u rikthyer te vendosja e materializmit dialektik përballë dashurisë së krishterë komunizmi ka arritur të dalë me një term të vetëm dhe nuk ka arritur, me gjithë praktikën si shkatërrues të mundësisë për mirëkuptim, dashuri dhe mëshirë ndërmjet klasave, të artikulojë dy nocione bazë për ideologjinë e tij. Në fund mbetet një fenomen që kërkon t’i kundërvihet vetëm kishës evropiane nga e cila edhe ka marrë formën, duke u nisur nga synimi për ta kundërshtuar në tërësi. Arsyeja për lindjen e komunizmit ndoshta duhet kërkuar edhe te zhvendosja në ekstrem e kishës në nocionet e dashurisë dhe idealizmit, por sidomos nga braktisja e praktikimit nga masat të asaj çfarë promovimi i besimit të tyre sugjeronte. Sidoqoftë boshllëku i krijuar nuk do të mbetej pa u mbushur qoftë nga kërkuesit e së mirës apo nga të tjerët. Ky është edhe mësimi më i madh që duhet nxjerrë nga komunizmi, që asnjë boshllëk nuk do të mbetet bosh, qoftë në besim apo në ‘punët e botës’ dhe sa më i artikuluar të jetë besimi që lihet pas dore aq më e sofistikuar do të jetë forma që merr e mbrapshta; do vijë në raste të tilla gjithmonë një tjetër, por që do ndryshojë formën, do marrë formën e dobësive tona. Nuk ka nevojë për të gërmuar për teori konspirative, por me aspak mundim shihet se fenomene si terrorizmi lindin në terren të varfërisë dhe injorancës. Siç thotë Rene Guenon, është “më mirë të përmbahesh tërësisht nga të shpjeguarit e një doktrinë sesa të kontribuosh në shpërfytyrimin e saj, qoftë edhe vetëm nga ngathtësia”.[30]
Vështirësimi ose braktisja e dashurisë u bë pararendës që mundësoi lindjen e materializmit dialektik, ndërkohë që heqja dorë nga mëshira dhe shpërfaqjet e saj formale në sistemin tonë ekonomik do ishin edhe më katastrofale, siç janë zgjidhjet financiare që mbështesin pensionistët, të sëmurët, të paaftët, të vejat e jetimët. Mjafton të kujtojmë hadithin e Dexhalit me zjarrin dhe ujin që mban me vete si një formë sundimi ku tejkalohet sundimi me varfëri nëpërmjet premtimit të një bote më të mirë, por shpërfaqet mundësia e të jetuarit në mirëqenie, por me kusht, vetëm me një kusht, braktisja e besimit. Kapitalizmi, me gjithë problemet që paraqet, nuk e vendos këtë kusht, por mirëqenia është reale, socializmi praktik së bashku me format e tjera totalitare, ose nuk sigurojnë mirëqenie të menjëhershme, ose nuk sigurojnë qetësinë e jetesës, duke përjetuar varfëri ose luftë të vazhdueshme. Mbetet ardhja e formës më të keqe, të atij që siguron jetë në bollëk dhe qetësi në këmbim të besimit.
Do ta mbyll me një pyetje që ka përgjigje, por kërkon studim: “Pse komunizmi ka zgjedhur pikërisht klasën punëtore për qëllimet e tij dhe pse duhet shkatërruar patjetër?”
[1]. Të gjitha ajetet e Kur’anit janë marrë nga “Përkthimi me komentim i H. Sherif Ahmetit”. OPGBG-“Rilindja”-Prishtinë. 1990.
[2]. J. Buliqi. Njeriu Islam. Zani i Naltë. Nr. 10-11. Tiranë, Gusht-Shtator 1928. f. 673-674.
[3]. Haley, Alex. Autobiografia e Malkolm X. Logos A 2013. ISBN 978-9989-58-499-2. f. 611.
[4]. Lim, Russell F., ed. Clinical manual of cultural psychiatry. American Psychiatric Pub, 2015. f. 108.
[5]. United States House of Representatives. “100 Things You Should Know about Communism Series.” (1949). Faqe 10, 36, 54, 75, 97.
[6]. Solzhenit︠s︡yn AI. The Gulag Archipelago, 1918-1956: An Experiment in Literary Investigation I-IV. Vol. I-III; Translated from the Russian by Thomas P. Whitney. Collins, Fontana; 1976.
[7]. Solzhenit︠s︡yn AI. The Gulag Archipelago, 1918-1956: An Experiment in Literary Investigation I-IV. Vol. II; Translated from the Russian by Thomas P. Whitney. Collins, Fontana; 1976, 633-653.
[8]. Korça H. Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit. Vepra 9. 1st ed. Logos A; 2006, 15.
[9]. Korça H. Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit. Vepra 9. 1st ed. Logos A; 2006, 33-34.
[10]. Korça H. Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit. Vepra 9. 1st ed. Logos A; 2006, 41-43.
[11]. Ahmedi I. Jeta dhe vepra. Vepra 1. 1st ed. Logos A; 2006.
[12]. Ahmedi I. Hafiz Ali Korça, 55 vjet pas, 1873-1956 “Hafiz Ali Korça – jeta dhe vepra “. 1st ed. Shkup: Logos-A; 2013, 34.
[13]. Saraçi (Maxhe) A. Hafiz Ali Korça, 55 vjet pas, 1873-1956 “Ndërthurja dialektore në funksion të variantit të përbashkët”. 1st ed. Shkup: Logos-A; 2013, 63.
[14]. Lloshi Xh. Hafiz Ali Korça, 55 vjet pas, 1873-1956 “Leksiku i shqipes në veprën e Hafiz Ali Korçës”. 1st ed. Shkup: Logos-A; 2013, 49.
[15]. Eckart, Dietrich. “Bolshevism: From Moses to Lenin: A Dialogue Between Adolf Hitler and Me.” (1924).
[16]. Korça H. Jusufi me Zelihanë. Vepra 3. 1st ed. Logos A; 2006, 27.
[17]. Russell B. The practice and theory of Bolshevism. G. Allen & Unwin Limited; 1921, 15-17.
[18]. Clayer, Nathalie. “Behind The Veil. The reform of Islam in Inter-war Albania or the search for a “modern” and “European” Islam.” (2008): 128-155.
[19]. Clayer, Nathalie. “Adapting Islam to Europe: The Albanian Example.” (2010): 53-69.
[20]. Deborah EL. Denying the Holocaust. The Growing Assault On Truth And Memory. 1994, 20-21.
[21]. Lenin, Vladimir I. “The attitude of the Workers’ Party to religion.” Lenin Collected Works 15 (1909): 402-13.
[22]. Manifesto of the Communist Party [Internet]. Marxists.org. 2019 [cited 3 April 2019]. Available from: https://www.marxists.org/archive/marx/works/download/pdf/Manifesto.pdf
[23]. European Health for All Database (HFA-DB) [Internet]. Data.euro.who.int. 2017 [cited 12 October 2017]. Available from: http://data.euro.who.int/hfadb/
[24]. Atkinson D. The Statistics on the Russian Land Commune, 1905-1917. Slavic Review. 1973; 32 (04), 773-787.
[25]. Bukhâri M. Khan M. The translation of the meanings of SahîhAl-Bukhâri. Volume 2. Riyadh, Saudi Arabia: Dar-us-Salam; 1997, 287.
[26]. Muslim ibn al-Ḥajjāj al-Qushayrī, Zaʼī A, Khattab N, Khattab H, Abū Khalīl. Ṣaḥīḥ Muslim. Volume 3. Riyadh: Darussalam; 2007. 57
[27]. Gentile E. Fetë e politikës: Mes demokracive dhe totalitarizmave. 1st ed. Tiranë: Pika pa Sipërfaqe; 2017, 26.
[28]. Soros G, Wien B, Koenen K. Soros on Soros: Staying Ahead of the Curve. Wiley; 1995, 288-289.
[29]. Farago F. Krishterimi, Judaizmi, Islami dhe mendimi perëndimor. 1st ed. Tirana: LIRA; 2007.
[30]. Guénon R, Nicholson R. Man and his becoming according to the Vedānta. Ghent, NY: Sophia Perennis; 2004, 2.
Sep 11, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...