Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 13, 2020 Zani i Nalte Personalitete 0
Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë (AQSH, F: S. Vlora, D. 8.). Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963). Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Dr. Hasan Bello
Abstrakt
Ndër muajt e parë të funksionit të vet si Kryeministër Ferid Pasha me Sulltanin herë qe intim e herë prishaqefë. Por Ferid Pasha dalë kadalë fitoi besimin e Sulltanit dhe u banë si me thanë dy shpirtën në një trup. Në kohën e Sulltan Abdylhamidit s’mujte as një kryeministër me qëndrue në pozitë të vet pa u zhveshë prej personalitetit të vet dhe pa ia plotsue atij kapriçot e dëshirat despotike! Ishte i detyruem Kryeministri me punue mbas korrespondencës me Sarajin dhe mbas urdhnave që të merrte prej këtu, e jo si donte vendi e koha dhe si i dukej atij ma oportune. Mbas bombës që iu hodh Sulltan Abdylhamidit, Ferid Pasha kishte nxjerrë lejen që t’i konfirmohej me gojën e vet, të Sulltanit, çdo komunikim që do t’i bahej prej Sarajit. Kështu, Ferid Pasha u kishte dalë para shumë të këqijavet. Por kjo gja kishte zemërue shumicën e kurtizanëvet, vetëm Arap Izzet Pasha u ba përkrahës i Ferid Pashës dhe punët e shtetit u rrotulluen në boshtin e tyne të vjetër (të përparshëm)!! Ferid Pasha një herë në javë shihte Sulltanin. N’audjencë ishte shumë intim me të. Hera herë bahej biseda mbi ambasadorë dhe mbi jetën private të këtij a të atij, dhe kështu Ferid Pasha gjente mënyrën me argëtue Sulltanin. Megjith këtë as Ferid Pasha, sikur dhe predecesorët e tij, nuk ishte independent ndër veprime të veta; dhe ai s’mund të diskutonte mbi asnjë punë pa marrë urdhën me shkrim ose gojas prej Sulltanit dhe s’mujt me ngulë kambë ndër propozimet e veta.[1]
nga Syrja bej Vlora
…….u emërue antar (?),[2] ku ndej vazhdimit pesëmbëdhjet vjet, tue pasë si detyrë të shtueme Kryesinë e Komisionit të Kodifikimit të ligjevet. Në vitin 1898 u ba vali në Konja. Kur pat qenë Ferid beu kryeprokuror, u dërgue me inspektue disa vepra t’Ahmed Vefik Pashës, vali i Bursës, vepra të çuditshme e gati-gati të një të çmenduni dhe disa punë të kundra ligjshme e grabitqare të Marshallit Makbul Xhemil Pashës, vali i Halepit. Ferid beu vuni në dukje të këqiat e atyne dy pashallarëvet me një guxim të vërtetë dhe me një drejtësi të plotë tue kërkue njëkohësisht, pa aspak droje, dënimin e tyne. Vefik Pasha për të thye dinjitetin dhe rëndësinë e Ferid beut hapi fjalën se ky ishte një donme Selaniku dhe Xhemil Pasha çoi natën dy vetë në banesë të tij për t’a vra.
Ferid beu kur që në Tanzimat (duket se ky asht emën i ndonjë gazete, (sh.i.për.) mbajti edhe gazetën kryeredakcionin e fletoren e Tarik, shkroi rubrikën “Pasqyrë e gjendjes”, artikuj që ilustrojnë zotësinë e tij letrare e politike, tue naltësue kështu vlerën politike të fletores. Ferid beu qe i ndershëm, por i pashkueshëm me njerëz. Kujt s’i mbante krah dhe s’ia kursente fjalën kërkujtë dhe as nuk i bante lajka kërkujt. Gjuhën e kishte t’ashpër, por elokuente. Kishte pak miq e shumë armiq! Me vite e pati me sy të keq Sulltan Abdylhamiti dhe personi i tij që i rrethuem prej spiunësh. Kërkush nuk e mbronte dhe kërkush s’donte me u takue me të në mënyrë të sinqertë.
Në vitin 1897, qeveria osmane çoj një detashnent ushtarak në Kretë. Kjo ekspeditë hapi portën e një zhurme në midis grekëvet e të qeverisë osmane. Grekët kishin ba për vedi Arap Izzet Pashën, sekretar i dytë i Sarajit për t’a vonue pak luftën, mbasi i kishin dhanë këtij një çek prej dy milion frangash. Ferid beu e zbuloi këtë korrupsion, e preku në ndjenjat kombëtare Serasqer (Ministër i Luftës) Riza Pashën me ngritjet që i bani këtij tue fitue kështu një simpati të madhe të të gjithëvet. Kabineti favorizoi Ferid beun dhe Kryeministrit Halil Rifat Pashës iu çel rruga për me propozue Ferid beun si vali i Konjës; dhe u orvat shum deri sa nxorri dekretin e emënimit të tij. Valillëku i Ferid beut në Konicë filloi me një tok veprimesh të mbara reformash ashtu si e pat fillue në Tunë (Danub) Mid`hat Pasha. Ferid beu në Konja gjeti rastin me provue në zotësin e tij natyrale, fitoi gjith kohën ndere, famë e besim; shpëtoi vedin e vilajetin prej kontrollit të ngushtë të qendrës, d.m.th. siguroi një farë decentralizimi administrativ të vilajetit. Filloi mos me njoft urdhnat ilegale të Këshillit Ministror dhe bile të Kryeministrisë, me veprue në krye të vet kur e donte e mira e Shtetit dhe e vilajetit. Me një fjalë nisi me administrue vilajetin me metoda krejt të reja. Populli, i madh e i vogël, ngeli kondend prej sundimit e administrimit të tij, randësia e tij ndaj të huajve iu shtue, gjithkund iu çmue vlera, krahanori i tij u mbush me medalje dhe u nderue me lloj-lloj të mirash e me titullin e vezirit. Më 29 Rabiulevvel 1317 h (3 gusht 1899) mbushi pesë vjet të vazhdueshëm si vali në Konja. Këto pesë vjet qenë plot suksese në karrierën e Ferid beut, aq sa u muer nëpër gojë në Saraj për t’u sjell në Stamboll në krye të kabinetit. Kurtizanët e sarajit mbretnor u ndan ndër dy grupe: Njeni me Hasan Tahsin Pashën në krye e që kishte shumicën ishte pro Ferid Pashës (mbasi bahet vezir merr titullin Pashë prej titullit bej, sh.i.përk.) për t’a emnue këtë kryeministër, dhe tjetri i kryesuem prej Arap Izzet Pashës e që ishte në pakicë e kundërshtonte. Unë tue përfitue prej këtij antagonizmi të këtyne dy grupeve u përpoqa dhe ia mbrrijta me bashkue me grupin e Tahsim Pashës shqiptarët me influencë: kështu Sulltani kishte da me sjellë Ferid Pashën si kryeministër dhe ngeli fare kondend mbasi mori nga dora jonë një dokument se ai do të shërbente me besnikëri si ç’ishte dëshira mbretnore. Kryeministri Halil Rifat Pasha vdiq. Kështu rruga për këtë post iu hap Ferid Pashës, i cili dhe u thirr në Stamboll. Por kundërshtarët e tij s’u shporrën për t’a luftue atë. Arap Izzet pasha, këtë herë bashkohet me Ridvan Pashën, Shehremini (Kryetari i Bashkisë së Stambollit) dhe me Arap Sami Efendinë, autor i degës s’Administratës së Këshillit të Naltë të Shtetit e të gjithë këta bashkarisht mobilizojnë një shumicë opinionesh ndër ma të tmerrshmit dhe këta lëshojnë në Saraj një breshëri zhurnallash, me të cilët Ferid Pasha herë paditej si mirënjoftës i të miravet të Mid`hat Pashës e herë i të miravet t’ambasadorëvet të huej. Kështu, Sulltani vehej përpara një shqetësimi. Por këtë rrallë, mbas një muaji, Ferid Pasha u çue prap në Konja, mbasi u dekorue me një medalje ari dhe mbasi iu ba rroga tridhjetëmijë grosh. Pa kalue edhe një vit, miqt e Ferid Pashës mbërritën me pregatitë fushatën dhe kohën e favorshme dhe unë, tue përfitue nga keqësimi i relatave midis Serasqer Riza Pashës dhe të Said Pashës që ishte Sadriazem (Kryeministër) mujta me sigurue thirrjen në Stamboll të Ferid Pashës në cilësi të kryetarit të komisionit të Reformave në Rumeli. Në këtë kohë, Said Pasha filloi me frigsue Sulltanin tue tregue një aktivitet të madh herë me dorëheqje e herë tue ia paraqitë Sulltanit Rumelinë me lloj-lloj insinuatash sikur kalon një krizë agonie.
Said Pasha e kishte ba gjithmonë zakon me zhdukë nga skena e rivalitetit me gjithfarë akuzash rivalët e vet kryeministra: dhe, tue njoftë mirëfilli mëshefsitë e zemrës t’Abdylhamidit dhe dyshimet e natyrshme të tijat, kishte gjetë rrugën me ia dalë qëllimevet. Një herë, përfaqësuesi i një kompanie franceze kishte kërkue me marrë koncesionin e hapjes së hekurudhës Banderma-Soma-Izmir. Kryeministër në këtë kohë ishte Xhevad Pasha, rival i Said Pashës. Ky për t’a zhduk nga skena rivalin e vet i kishte thanë Sulltanit se qëllimi i vërtetë i Xhevad Pashës me dhanë këtë koncension ishte me zhduk rëndësinë e grykave të Dardanelevet dhe me i lehtësue armikut penetrimin me anë t’asaj udhe. Me këtë shpifje, Said Pasha ia doli jo vetëm m’e largue Xhevad Pashën nga posti i Kryeministrit, por me ia humbë jetën! Kështu edhe Ferid Pashën e kishte paditë si vegël et’Austrisë dhe si një njeri që punonte me nxjerrë dore Rumelinë, dhe ishte përpjekë m’e kompromentue dhe m’e rrëzue përpara syvet të Sulltanit, tue frigue këtë njëkohësisht. Por me helmin që desht me u hudhë të tjervet Said Pasha stërpiku vedin dhe zemëroi zotninë e vet. Sikur e cekë edhe Said Pasha vetë ndër kujtimet e tij. Sulltani i urrejtun kundra tij ia mori vulën e Kryeministrisë dhe ia dorzoi Ferid Pashën! 1 Janar 1903.
Ndër muajt e parë të funksionit të vet si Kryeministër Ferid Pasha me Sulltanin herë qe intim e herë prishaqefë. Por Ferid Pasha dalë kadalë fitoi besimin e Sulltanit dhe u banë si me thanë dy shpirtën në një trup. Në kohën e Sulltan Abdylhamidit s’mujte as një kryeministër me qëndrue në pozitë të vet pa u zhveshë prej personalitetit të vet dhe pa ia plotsue atij kapriçot e dëshirat despotike! Ishte i detyruem Kryeministri me punue mbas korrespondencës me Sarajin dhe mbas urdhnave që të merrte prej këtu, e jo si donte vendi e koha dhe si i dukej atij ma oportune. Mbas bombës që iu hodh Sulltan Abdylhamidit, Ferid Pasha kishte nxjerrë lejen që t’i konfirmohej me gojën e vet, të Sulltanit, çdo komunikim që do t’i bahej prej Sarajit. Kështu, Ferid Pasha u kishte dalë para shumë të këqijavet. Por kjo gja kishte zemërue shumicën e kurtizanëvet, vetëm Arap Izzet Pasha u ba përkrahës[3] i Ferid Pashës dhe punët e shtetit u rrotulluen në boshtin e tyne të vjetër (të përparshëm)!! Ferid Pasha një herë në javë shihte Sulltanin. N’audjencë ishte shumë intim me të. Hera herë bahej biseda mbi ambasadorë dhe mbi jetën private të këtij a të atij, dhe kështu Ferid Pasha gjente mënyrën me argëtue Sulltanin. Megjith këtë as Ferid Pasha, sikur dhe predecesorët e tij, nuk ishte independent ndër veprime të veta; dhe ai s’mund të diskutonte mbi asnjë punë pa marrë urdhën me shkrim ose gojas prej Sulltanit dhe s’mujt me ngulë kambë ndër propozimet e veta.
Ndër ditët e para që qe emënue Kryeministër Ferid Pasha ia raportoi Sulltanit një bashkëfjalim që kishte pasë me Ambasadorin e Rusisë e t’Austrisë rreth riorganizimit të xhandarmërisë në Maqedoni. Riorganizimi i kërkuem prej tyne, si mbas mendimit të Ferid Pashës, kishte karakterin e një ndërhymjeje ndër punët e mbrendshme të shtetit me pasoja shumë të damshme. Ferid Pasha i shkruen Sulltanit se një gjegje negative dhanun atyne dy ambasadorvet do të shkaktonte këputjen e relacionevet me shtetet respektive të tyne; prandaj ia lente Sulltanit t’a çmonte ai vetë se cili ndër këto dy propozime duhej pranu e cili duhej refuzu. Kah gjysma e natës vijnë në shpi t’eme dy adjudanta dhe më çojnë në Saraj. Më thonë ata të Sarajit se propozimi i Ferid Pashës ka një farë karakteri sikur me dashtë me ia ngarkue përgjegjësinë Sulltanit. Prandaj, në mos e ndryshon Ferid Pasha përmbajtjen e asaj letre, vehet në rrezik jeta e të dy neve, e jemja dhe e Ferid Pashës. Menjëherë vajta në konak të Pashës dhe ia komunikova gjithë sa më thanë në Saraj. U ndrrue përmbajtja e letrës dhe propozimi iu ba këtë herë Këshillit të Ministrave, dhe kështu unë e vëllau shpëtuem kokën!! Prap një herë tjetër, Ferid Pasha i paraqiti një promemorje Sulltanit rreth reformavet në Rumeli. Sulltani e shikon me një sy të tmerrshëm dhe i ven thojt në grykë, tue i thanë: “Unë kam zhbi farën Kryeministravet si Mid`hat Pashës e Safet Pashës. Të zhduk edhe ty”. Mbas këtij kërcënimi Sulltani ia përplasë fytyrës promemorien dhe me të fyeme e të përbuzuna e nxjerr jashtë. Këto veprime të vrazhda e kishin gjith burimin te droja e Sulltanit me marrë mbi vedi përgjegjësi dhe te ambicia e tij me rrotullue punët e shtetit mbrapa perdes si mbas kapriçove të veta dhe si ç’ishte mësue gjithnjë. Kryeministrat nuk kishin ndonjë randësi ma të madhe në sy të Sulltanit se sa një Selim Melhame Pasha, Ministër i Pyjevet e Minjeravet ose se sa një prefekt i Peras apo se sa një Drejtor i Korrespondencës të ndonjë Ministrie. Kjo ishte pozita edhe e Ferid Pashës! Sa i shkonte fjala ministrave të tjerë ose e qindra kurtizanëve, aq i shkonte dhe një kryeministri, e kurrgja ma tjetër. Kryeministri ishte vetëm një element që duhej të ngarkonte mbi vedi përgjegjësinë dhe një vegël qeveritare. Me këtë cilësi kryeministri do të rrinte gjithmonë çuet, dhe simbas veprës së vet, të pëlqyeme ose të përbuzun prej Sulltanit, do të kishte ose shpërblimin ose dënimin. Zotësia dhe detyra e Sulltanit konsistojshin në rolin e tij me shti gërgasat e diskordet midis Ministrave. Për shembull: Sulltani ngarkon Ferid Pashën me i propozue që t’i hiqet cilësia e Ministrit Selim Melhame Pashës për sa vjedhje që i qenë provue këtij. Letrën që i drejton Sulltanit Ferid Pasha me këtë propozim, Sulltani me dorë të vet ia jep Selim Melhame Pashës, të cilin dhe e dekoroi mbas një jave me medaljen e artë Iftihar (Fitore)!! Këto manifestime personale të Sulltanit merreshin për krejt të natyrshme, dhe askush s’mendonte se nëpër to cenohej ndera dhe dinjiteti i sejcilit; po për këtë gja askush nuk u qante. Kryeministrat mbaheshin gjithnjë nën vrejtje si çdo njeri tjetër i dyshimtë; pa autorizim të Sulltanit s’mund u këthejshin vizitat përfaqsuesvet të huaj, s’mund të merreshin pjesë ndër gosti e recepsione, s’mund të martojshin vajzat ose djemt dhe s’mund të bojshin dasma nëpër shpia të tyne. Qe vendos që Xhelal Pasha i Riza beg Shkodrës (Bushatliut, sh.i.përk.) të martohej me gocën e tretë të Ferid Pashës. Por mbas një viti u kthyen shpejt me urdhën të Sulltanit dhe Xhelal Pasha u martue me të bijën e tij, Naime Sulltanen. Zemrën e thyeme të Ferid Pashës Sulltani ia zbuti me dhurata. Rreth shpisë së Kryeministrit silleshin me qindra njerzë të ngarkuem me ba listën e personavet që hyjshin e delshin në shpi të tij, e cila listë do t’i shkonte Sarajit. Të panjohun ishin njerzit, kap ç’prej kryeadjudantit gjeneralit Xhemal Pashës e deri te sejzi i kuajvet, që do të mbajshim nën vëzhgim Kryeministrin. Komanda e Divizionit të dytë, Marshalli i Tophanes, Policia e Beshiktashit dhe ajo e Shehremanetit (Bashkisë), të gjitha veç e veç kishin spiunët e tyne. Por kjo gjendje s’u bante përshtypje kryeministrave, bile këta këto gja e paraqitshin si një ekskjuzë për mos me pranue miq. Rruga që do të ndiqte kryeministri për vajtje-ardhje në Portë të Naltë ose në Saraj ishte e caktueme. Ministri i Brendshëm Menduh Pasha dhe Ministri i Arsimit Hashim Pasha raportojshin diskutimet që baheshin në Këshillë Ministruer e sidomos fjalët e Kryeministrit ndër të gjitha punët e sjelljet e tija. Ndonjeni ndër Ministra që çfaqej kundra vendimevet të marruna në Këshillë Ministruer, me një letër private ia raportonte çështjen Sulltanit. Përshtypja e kësaj letre në Sulltanin dukej menjëherë, sepse vendimi i marrun kthehej me disa justifikime të çalta. Kjo merrej si një gja e zakonshme dhe s’i bante fare përshtypje pranimi ose refuzimi i vendimit as atij që ishte pro as tjetrit që ishte kundra; dhe as që ankohej njena palë. Në fakt Sulltani nuk dëshironte të shkojshin mirë Ministrat ndërmjet vedi, përkundrazi donte të shkojshin keq. Një herë Ministri i Arsimit Hashim Pasha u xu me Kryeministrin tue e akuzue këtë për një spiun t’Austrisë. Sulltani për këtë akt të Ministrit t’Arsimit shprehte ndaj tij mirënjohjen e vet. Bile n’atë potere e sipër Ministri i Drejtësisë Abdurrahman Pasha merr guximin nga e fymja që Ministri i Arsimit i bani Ferid Pashës dhe e sulmon këtë me fjalë të vrazhda e të ndyta. E Ferid Pasha, në za për gojtarinë e tij pëlqen ma mirë me heshtë, përpara këtyne gjysëm-analfabetëve, që kështu të mbyllej potera. Ndodhte që një Ministër i ri merrte pjesë në Këshillë Minister por qenë paraqitë ma parë te Kryeministri dhe pa pasë ky kurrëfarë dijenijet mbi emënimin e tij. Kryeministri s’mund të propozonte ndonjë vali ose nëpunës tjetër të naltë, pa mos pasë ma parë lejen e Sulltanit. Në rast të ndonjë vendi vakant në ndonjë vilajet, Kryeministri bante një listë me tre emna, në rast se ai vend s’ishte zanë prej ndonjenit t’emënuem direkt nga Pallati, dhe këtë listë ia paraqiste pallatit, prej ku delte dekreti i emënimit me preferim t’atij që dëshrohej prej Pallatit. Nëse ndonjë vali i emnuem prej Pallatit, i përkrahun prej tij s’donte me qenë në ndigjesë të Kryeministrit. Ai i rregullonte punët si donte drejtas me Pallatin dhe nxjerrte prej andej dekretin që dëshronte. Po t’ankohej Kryeministri kundra këtij valiu, pozita e tij naltësohej, ndenjat e besnikërisë së tij çmoheshin, e përkundrazi akti i Kryeministrit nënçmohej. Eksperiencë, zotësi e vjetërsi nuk kërkoheshin, një adjutant mund të bahej ambasador, një kryesekretar që kishte ardhë në këtë vend fill prej shkolle emënohej vali! Këta ndër vende ku shkojshin nuk shikojshin punën si e donte nevoja e shtetit ose së fundi si gjykojshin ata të dobishme. Ishin robë të një personi me influencë ose të një klike të fuqishme. Çdo zyrë ishte drejtas në korrespondencë me Pallatin. Dekretet mbretnore iu komunikojshin këtyne zyravet me një letër private të kryesekretarit të Pallatit. Dekretet mbretnore që ishin grumbullue në Administratën e Doganave ç’prej sa vjetësh kalojshin numrin tre mijë.[4] Mora me i studiue, me i rendue e me i klasifikue veç e veç këto dokumenta. Por u raportova dhe hëngra një qortim. Kurtizanëve e adjudantave iu ndëgjohej fjala kudo ndër zyra të nalta dhe iu mbarohej shumë punë ose toleroheshin punët e tyne të shtrembta. Huanat, koncensionet, buxhetet, si të shtetit ashtu dhe atyne të vilajeteve bisedoheshin e hartoheshin në Pallat. Po këtu vendoseshin edhe punët që ishin në kompetencë të Bashkisë, kapë prej çmimit të bukës e deri te meremetimi i rrugëvet. Ferid Pasha qe marrë në pyetje pse pat ndërhy një herë n’emënimin e imamit të një lagjeje dhe me mezi që i shpëtoj lakut. Kjo ndërhyemje e Ferid Pashës paska qenë një faj, pse qenka përzi ndër të drejta të veçanta Emirul’Muminine-it (Sulltanit).
Kushdo që kishte autoritet të plotë në Saraj mbretnuer mund të ndërhynte për çdo punë, edhe t’atyne që s’ishin në kompetencën e tyne, dhe mund ta mbronte këtë, pa ngarkue mbi vehte kurrfarë përgjegjësie, as administrativisht as zyrtarisht.
Ambasadorët, çashtjet ma të ndërlikume e sidomos ato që lidheshin me interesat e tyne i zgjidhshin nëpërmjet drogmanëvet të tyne ose drejtas me Sulltanin ato çashtje që kishin një randësi të veçantë. Kryeministri lihej ndër këto rast përpara një pune të mbarueme (fait accompli). Kur ishte nevoja me i mbushë mendjen për ndonjë gja ndonjë ambasadori ngarkohej për bashkëfjalim një ndër krenët e Pallatit dhe si mbarohej puna midis atyne dyvet, i njoftohej përfundimi Portës së Naltë (Banesa ku kishte zyrën kryeministri, tyrqisht “Babi-Ali”, sh.i.përk.).[5]
Ditën që u emënue Ferid Pasha Kryeministër, unë isha në konak të tij. Vijnë dosjet e Portës së Naltë. Me urdhën të tij fillova t’i kontrolloj këto dosje një e nga një. U tmerrova kur midis tyne takova në një çek pesëdhjetëmijë lirash të Bankës Otomane n’emën të Krajlit të Malit të Zi. E kuptova: Krajlit të Malit të Zi i qenka çue dhuratë një vapor me emën Timsah (Krokodil), ndërtue ndër kantjerë të Stambollës. Krajli i paska hypë këtij vapori në Tivar dhe paska marrë pak rrugë për ta ba një provë. Vapori qenka mbushë me ujë dhe Krajli me njëmij mundime paska dalë në breg. Por n’anë tjetër paska porositë në Trieste një jaht me forma t’atij vapori dhe i paska kërkue të hollat prej Sulltanit dhe ky ia ka falë. Kryeministri, ndër ma të parat shkresa nënshkroi këtë çek! Mbrapa doli në shesh se Timsah-u nuk kishte psue kurrëfarë rrezikut dhe madhnija e tij Krajli nuk kishte porositë në Trieste kurrëfarë jahti. Gjith kjo legjendë ishte krijue për të gjetë shkas me lypë pare. Baroni Marshall, Ambasadori i Gjermanisë, i cili nuk kishte dhanë asnjë herë provat e një përkrahjeje bamirësie në të mirën e në politikën e shtetit, gjetë rrugën, nën mashën e miqësisë, që t’i pranohej çdo kërkim i zotënisë së vet dhe që t’iu shtintë në dorë gjermanëvet burimet e pasunisë shtetnore. Hekurudha prej Konjës n’Eregli, njëqind e nandëdhetë kilometër e gjatë, i kishte kushtue shoqënisë koncensionare njëmdhetë milion franga kurse ishin shkrue pesëdhjet e gjashtë milion në llogari të shtetit!! Politika e jashtme varej në dëshirën e Sulltanit ose në dëshirën e atyne që ia diktojshin atij këtë politikë! Kryeministri këtë politikë do të ndiqte, edhe pse kjo mund të vinte në kundërshtim me pikëpamjet e parimet e tij. Ferid Pasha përpiqej, për sa qe e mundun, me pajtue politikën e shtetit me atë të Gjermanisë e t’Austrisë. Baroni Marshall e Konti Kalitech ishin dy miq të ngushtë të Ferid Pashës. Ambasadori i Francës M.Constand, i cili përzihej ndër punë financiare të shtetit, nuk kishte kurrëfarë simpatie për Ferid Pashën; por as Ferid Pashës nuk i pëlqente ai, bile hera-herë nuk ruhej me folë kundra tij. Kështu dhe me Ambasadorin anglez nuk i kishte punët mirë. Por sa herë që lindte ndonjë mosmarrëveshje midis tyne, Ferid Pasha nuk refuzonte intervenimin e Kryedragomanit M.Blek-ut. Me ambasadorin Rus M.Zinovriefi-n relacionet i kishte krejt zyrtare. Ministrin Amerikan M.Schlemann e lente me pritë me orë në sallë të pritjes, deri sa e detyroi këtë me këmbye n’Ambasadë Legatën Amerikane. Ministri italian Marqi Imperiali ankohej gjithmonë kundra Ferid Pashës. Megjith këtë, veç Francës e Anglisë, gjith mbretnit e tjerë e dekoruen Ferid Pashën me medaljet e tyne ma të mdhaja. Imparatori i Abisinisë, Meneliku, i pat çue kësulen e vet imperiale si një dhuratë të jashtëzakonshme, një kësulë kjo veshë brenda me një astar të bardhë e jasht me një kumash ordinar të leshtë në ngjyrë të kuqe e krejt e ndyet. Bile kjo kësulë e vu në shqetësim të madh Sulltan Abdylhamidin aq sa çoj natën dy kurtizanë të vet dhe e mori në Saraj këtë simbol perandorak!! Drejtorave të Bankave e sekserëve që ngitshin mbrapa kombinacionet spekulative Ferid Pasha s’u jepte fytyrë dhe kundra tyne sillej egër. Megjith këtë, nuk mujt me pengue ndërhymjen ndër punë finance, as të këtyne as atë të shum të tjerëve të paaftë ndër këto punësh, dhe as që nuk mujt me u dalë para dameve të tyne në financat e shtetit.
Në të dhanun dekoratash e gradash s’dihej se cili vend ishte kompetent! Ministrat e funksionarët e naltë mund të propozojshin kë të dojshin. Njerzit e Sarajit, tyfekçijtë, adjudantat e deri portjerët intervenojshin pranë njerzvet të Sarajit për funksjonarë të shtetit, shumë prej të cilëvet mburreshin për përkrahjen e dhanun dhe për mprojtjen që kishin prej tyne. Patrikët, valijtë, ambasadorët e komandarët kërkojshin dhe merrshin drejtas nga Saraji grada e dekorata! Ndër këta përfaqsuesat e naltë të shtypit otoman doraviteshin me gradat e dekoratat ma të mdhaja. Dhe shtypi mandej brohoritte me një gjuhë aprovuese të tana veprat e Sarajit.
Në çdo punë nuk merrej parasysh fitimi ose dëmi i Shtetit, por dëshira e vendimi i Sulltanit. Me kuptimin e vërtetë të fjalës, shteti ishte një institutë-vegël për me çue në vend dëshirat e kapriçot e Sarajit të Jëlldëzit.[6] Sigurisht kryeministrat kishin, kundrejt këtij devocioni, lloj-lloj shpërblimesh. Veç rrogës prej 1000 lirash që merrshin, në mëngjesin e së premtes së fundit të çdo mueji, u vinte si dhuratë nga pallati perandorak, nga një zarf me një banknotë njëmijë lirëshe. Ky zarf nuk kishte ndonjë antetë, vetëm të shkrueme sipër fjalën “El malumë” (dihet) me një autograf fort të dobët të Sulltanit. Kjo bujari mbretnore shtrihej njëkohësisht deri te Shehislamt, të Serasqerat (Ministrat e Luftës) e te Ministrat e Minierës. Mareshalli i Tophanes Zeki Pasha dhe Kryetari i Këshillit të Naltë të Shtetit, Kurd Said Pasha merrshin gjysmë dhurate, dhe morën mbi vehte çdo shërbim për t’a dyfishue këtë dhuratë, por megjith këtë kjo ngeli në pesëqind lira të verdha! Kryeministri veçanërisht merrte një dhuratë prej njëmijë lirash në çdo muej të Ramazanit. Kjo dhuratë kishte emnin: Qira dhambësh! Kjo shumë mbërrinte deri në pesrmij lira, si mbas afërmnisë që kishte me Sulltanin persona që gëzohej me të. Dhe në muej të Muharremit (i pari muej i vjetit hënor simbas kalendarit arab), Kryeministrit i faleshin pesëqind lira të verdha të mbështjelluna në një qese atllasi. Të gjithë kurtizanët e funksionarët, si mbas randësisë së funksionit të tyne ose si mbas ose simas afërmnisë që kishin me Sulltanin, daroviteshin me qira-dhambësh prej dhetë lirash deri në pesëqind lira, për muej të Ramazanit. Unë në çdo Ramazan, në të njëzet e shtatën natë, merrshëm pjesë në iftar që jepej në Saraj dhe merrshëm dhuratën e caktueme mbretnore prej treqind lirash. Ushtarët që ishin në rrethet e Jëlldëzit, brenda në Stamboll ose përqark tij, me rend, ftoheshin në iftar, dhe mandej u paguheshin këtyne nga dy rroga si mbas informacioneve të marruna prej një burimi të denjë për t’iu besue, shuma e këtyne dhuratavet e rrogavet të dhanuna për çdo Ramazan kapete një shumë jo më pak se dyqind e shtatdhjetë e pesë mij lira. Po t’i shtohej kësaj shume dhe ajo që prishej për kuzhinë, tanë shuma e shpenzime për një muej të Ramazanit mbërrinte në katërqind mijë lira. Si mbas disa shënimevet që ka mbajtë shefi kuzhinës Salih Pasha, ndër kohët e fundit të sundimit të Sulltan Mahmudit II, shpenzimet e çdo mueji të kuzhinës ishin 50-60 lira, shumë kjo e cila naltësohej ndër 80-90 lira ndër muej të Ramazanit. “Përmbledhje e ngjarjevet”.
Shpërblimi i Abdylhamidit II kapej në një milion e tetëqindmijë lira. Për me mbushë këtë shumë 50-60.000 lira në muej merreshin nga arka e Doganës, një shumë prej 300.000 lirash në vjetë prej t’ardhunavet të Kadastrës. Megjith kaq dhurata që shpërndante Sulltan Abdylhamidi ky kishte grumbullue një pasuni të madhe. Ittihatçijtë kur e rrëzuen prej froni dhe e çuen në Selanik, e shtrënguem me dorzue të hollat që kishte të depozitueme ndër banka të Gjermanisë e që kapshin një shumë prej një milion e gjashëqind mijë lirash. Në fund Sulltani e kishte nënshkrue çekun për këtë shumë në prani të përfaqsuesvet të Bankës dhe të drejtorit të saj ashtu dhe të delegatëvet t’Ittihatçijvet. Me rastin e këtij nënshkrimi, si kusht që e kishte vu vetë Sulltan Hamidi, kishte ndollë prezent dhe H’adi Pashë Bagdadi, i cili zëvendsonte në Selanik Mahmud Shefqet Pashën. Si mbas informatavet konfidenciale që pata rreth kësaj çashtje prej Hadi Pashës, tek persona e këtij Sulltani kishte besim, pse ky i drejtohej gjithmonë me ato titujt e vjetër nderimi të Sulltanit e Kalifit. Mbasi Sulltani nënshkruen çekun, hynë pranë tij H’adi Pasha, të cilit i thotë: Ç’duen ma këto njerzë prej meje? Në Jëlldëz kam lanë një pasuni prej gjashtëmbëdhjetë milion lirash, pare të thata e plaçka me vlerë! Dhe tashti dhaçë ç’pata. Më ka mbetë vetëm një shpirtë. Të m’a marrin dhe këtë e të bijë në qetsi! Dhe me të vërtetë unë i pata paraqitë parlamentit një listë ku pata rreshtue një nga një plaçkat e Sarajit bashkë më çmimet e tyne që arrijshin ndër miliona. Kjo listë shkaktoj diskutime e bujë në Parlament, dhe ma në fund doli në shesh se mbi këto tesha me një vlerë të randë kishin vu dorë krenët e Ittihad-it. Dhe kërkush veç meje nuk u përpoq me qitë në shesh këtë të vërtetë!! Sulltan Hamidi ndër idetë dhe mendimet e tija nuk ishte i vendosun dhe punët lidheshin përherë me egoizmin e tij. Po të analizohet jeta e tij private, e cila pa dyshim do të mbushë faqe historie, shohim se natyra e tij ma fort se kahë kupracia ishte e prirun kahë gjeneroziteti. Por ky gjenerozitet lidhej me shërbimet që atij i baheshin! Kështu gjith’ata që i shërbyen i pranoj si Karoni dhe kurrgja nuk kursej për ta. Flitet prej shum gojëvet se Marshall Fuad Pasha, mbasi kishte krye një tok shërbimesh, të mira e të dobta, kishte mbrrijtë me nxjerrë prej Sulltanit koncensionin e një miniere, të cilin mandej ia kishte shitë një tjetrit për njëqindmijë lira. Kjo punë i kishte ba një përshtypje të dobët njenit nga njerzëvet të Sarajit, Ragip beut, i cili e kishte zhurnallue tek Sulltani, i cili me përbuzje kishte hudhë për tokë zhurnallin, tue thanë këto fjalë: “Unë nuk ia dhaçë atij këtë koncension për të marrë komision. Ia dhaçë për ta ba milioner”!!. Sulltan Abdylhamidi nuk kursente kurrëfarë dhurate për një interes të tij ma të vogël ose për t’a lanë tjetrin mirënjohës ndaj personit të tij. Gjithashtu s’kursente kurrëgja për t’i dalë përpara ndonjë rreziku të imagjinuem. Donte që ta dinte bota se në personin e tij mvarej ekzistenca, vazhdimi dhe lumnija e shtetit. Dhe prap, për kundra, donte të dijë bota se çdo e keqe delte prej atyne që ishin në fuqi! Nën ndikimin e kësaj mendësie shtinte hundët kudo dhe personën e tij e konsideronte si strehë për këdo. Kjo natyrë e Sulltanit ridhte nga sygjerimet e Said Pashës të vogël, me të cilin shpërthente çdo pengesë që ndeshte, dhe me këtë këshillohej gjithmonë, qe ose jo ky në fuqi! Deri ndër ditët e mbrama të sundimit të tij qe nën ndikimin e këtyne sugjerimevet. Dhe Said Pasha, tue u mbështet në Sulltanin shtypi kundërshtarët e vet; por ma në fund i dha shqelm zotnisë e bamirësit të vet për t’iu provue devocionin e vet Ittihatçijvet! Kam ndëgjue sa herësh prej Haxhi Ali Pashës, kryeshambelan se Sulltani nuk pritte relacionet miqësisë me Said Pashën, Ragip Pashë dhe me Ebul’Hudanë, sadoqë të zemërohej kundra tyne. Këta njihnin të gjitha mëshefsit e zemrës së tij dhe bashkarisht kishin organizue sa e sa krime.
Sulltan Abdylhamidi sillej bujarisht ndaj të vetëve e ndaj atyre që u kishte thye zemrën ma parë, dhe i mbushte këta me dhurata. Për me u shue liberalëvet ndenjat e veprimet e lirisë, emënonte ndër vende të nalta djelmët jo të zot e vetit, të vezirëvet, të ministravet e të personavet me influencë dhe dhandorët mbretnorë aventuriera e injoranta. Kishte ndër këta asish që përbuzshin rrogën prej njëzetëmij groshëvet, pse iu dukej e vogël. Këtyne si në lumeni ashtu në mjerim iu shtrinte dorën e vet ndihmtare. Sidomos ndër dasma, ndër morte e ndër ditët e shënueme Kryeministrat merrshin dhurata e ndihma, gratë e varzat e tyne vathë, unaza e tjera sende t’arta! Ferid Pasha, ditën që erdhi në shkallë të kryeministrit mori një karrocë të bukur nga stalla mbretnore. Po atë ditë iu muer karroca predecesorit të tij Said Pashës. Rroga e karrocierit të Ferid Pashës si dhe tagjia e kuajvet paguheshin prej stallës mbretnore! Me këtë metod Sulltani edhe përkëdhelte kryeministrat edhe gjente kështu mënyrën me mbajtë ata nën kontroll. Dëshprimet e Said Pashës së vogël kur iu muer karroca, të kujtonte vikamën e kryeministravet të vjetër kur çoheshin në Ballëkhane!! (vendi ku ekzekutoheshin dikur kryeministrat, sh.i.p). Për ditë Sadriazemit (kryeministrit) i shkonte, prej qilarit mbretnor një shportë me t`lyen të freskët, me voe, të freskëta e të zime, me gjithëfarë biskotash, me kos, tambël e kajmak. Konaku që i qe dhurue, një vlerë prej dyzetëmij lirash, u mobilue e u miratue fund e krye prej trezorit mbretnor, dhe kjo nder i bahej kryeministrit si “e drejtë heshtjeje” (për t’ia mbyllë gojën). Kumashnat e kallijat ma elegant baheshin në konak me karroca prej fabrikës Hereqe. Mobiljet e konakut, porsa vjetroheshin zëvendsoheshin me të rejat. Të vjetrat u bajshin pasuni private e kryeministrit! Drejtori i lulishtavet mbretnore ndreqte dhe zbukuronte lulishtet e konakut të kryeministrit. Dhe ky, tue stolisë kto lulishte me lule dhe pemë gjithëfarësh, si lypte stina, i bante qefin kryeministrit. Bombonat dhe amëlcinat që çoheshin në konak të naltë me raste kremtesh kombëtare e fetare s’kishin të mbaruem. Janë për t’u përmendë midis të këtyne dhuratavet dhe ato thjesht për personen e kryeministrit, si fandela, peleqe (se ç’asht kjo, s’e kupton përkthyesi), të mbathuna dhe tavolina e banka pune çuditnisht prej vetë dorës së Sulltanit; dhe sidomos barna rekonfortante të porosituna ndërgut! Shkurt, për kto plaçka, të nevojshme e të pa nevojshme, që formojshin dhuratën mbretnore nuk ndiqej as një parim kursimi dhe nuk lehej kurrgja mbas dore si e si me i ba qefin kryeministrit, për t’a ba këtë sa ma tepër mirënjoftës ndaj personën e Sulltanit. Por kjo marrëdhënie, e cila të përkujton lodrën e Faustit me Mefistofelin, psonte nga një herë eklipset e veta, megjithse gja e padëshme prej Sulltanit! Po e solli rasti “me u nye në mes maca e zezë” (proverb turk që shënon këputjen e relacionevet midis dy miqvet) dhe me shterë dhurata e njenit ose me u paksue devotshmenija e tjetrit, Kryeministri, tue përfitue prej ndonjë shkasi ma të vogël, përpiqej me provue një zellë artificjale për të rifitue simpatinë e Sulltanit. Nëse kjo manovër e kryeministrit nuk e jepte frytin që shpresohej, atëherë ai kuptonte se kishte ra në disgrace të Sulltanit dhe kqytre si e si me u da me ma më pak dam! Kyçyk Said Pasha (Said Pasha, i vogli) kishte marrë dhjetëmij lira dhuratë për të hjekë dorë nga dërgimi në Nice t’Ali Namik beut, djalit të vet. Halil Rifat Pashës i kishte çue pesëmbëdhjetëmij lira dhuratë për me ia lehtësue mjerimin kur djalin e tij Xhavit begun e pat vra Xhiu i Fajes, besniku i Esat Toptanit, në krye t’Urës (së Gallatës, sh.i.p.)! Në këtë mënyrë, Sulltani mbushte me dhurata të veta të pambarim, ndër gëzime e ndër mjerime, lalët e vet (mentorët, ata që e këshillojnë), tu ia vu kështu kazmat temelevet Shtetit! Myfid beu, deputeti i Gjirokastrës, kritikoj prej tribunës së Parlamentit Ferid Pashën për konak që kishte marrë prej Sulltanit dhe për një vepër tjetër të tij në unifikim të borxhevet shtetnore (Tevhidi dyjunë). Në kritikat e tija, Myfit beu e cilësoj Ferid Pashën si “të mbranun kryeministër të regjimit absolut”, dhe n’anë tjetër e ftoj me dhanë llogari publikisht Said Pashën për burimet e pasunisë së tij që kalonte të gjashtëqindmijë lirat e verdha. Said Pasha u përpoq me vu në heshtje adversarin e vet me një farë sjelljeje të ligshtë e meskine. Me të vërtetë Ferid Pasha qe i mbrami kryeministër i sundimit absolut të Sulltan Abdylhamidit dhe Said Pasha mjeshtër i dredhivet dhe i padrejtësivet të tij! Ferid Pasha ra tri ditë para ç’palljes së Konstitucionit, dhe vendin e tij e xu si kryeministër, për të shtatën herë, predecesori i tij Said Pasha… Megjithëse kundërshtarë i rreptë i Ittihatçijevet, dhe në kohën e tyne u zgjodh senator, u emënue Vali n’Izmir e mbrapa Ministër i Brëndshëm. Por mandej e detyruen me dhanë dorëhjekjen pse s’digjoj me propozue Talat begun për këshilltar të Ministrisë së Brendshme dhe Xhavid begun për këshilltar të Ministrisë së Financavet dhe pse s’desht me përkrahë as një dëshirë të tyne. Nuk pranoi me iu ba vegël intrigavet t’Ittihatçijëvet si Said Pasha as me iu përulë këtyne, por qëndroi burrë deri në fund dhe si kundërshtar nuk u trëmb me kritikue formën e qeverimit të kurdisun prej tyne. U shënue kandidat i Ministrit të Brendëshëm n’at kabinetin fatal që formoi Muhtar Pasha, por refuzoj, tue pranue kryesinë e Senatit. Sulltanët e kishin zakon me shkue e me vizitue manton e profetit në pesëmbëdhjetë të Ramazanit me rastin e një të tillë ceremonie Sulltan Mehmed Rashati i V-të e mori me vedi dhe kryetarin e Senatit Ferid Pashën. Kur po udhëtojshin me vaporin Sygjyd prej Beshiktashit n’Eskisaraj (në Pallat të Vjetër) Sulltani i qahet Ferid Pashës me një gjuhë të hidhtë kundra Ittihatçijëvet e veçanërisht kundra Talat beut e Xhavid beut, dhe i kërkon mendimin se si me u mbrojtë kundra ndërhyemjes së tyne në çdo punë e në çdo gja. Ferid Pasha, tue u gënjye në naivitetin e në sinqeritetin e tij tani i flet kundra krenëvet t’Ittihadit dhe i thotë atë që mendon për të pengue të këqijat e tyne. Sulltani ndëgjon me vëmendje fjalët e Ferid Pashës, dhe s’harron asnjë prej tyne. Kur kthejnë, Sulltani ua thotë fillë e për pe atyne ata çka kishte ndigjue prej Ferid Pashës, dhe kështu u shtje mënia haptas në mes. Abdylhamidi i luente shpesh këto intriga, por Sulltan Mehmedi njihej për njeri i sinqertë. Por ndryshimi në mes të karakterevet të këtyne dy Mbretënvet ishte se i pari qe i shkathët ndër intriga dhe i dyti pat një natyrë meskine!! Mbas luftës së Ballkanit dhe të pozitës së dobët e vuen Ittihatçijtë me sulmet që i ban, Ferid Pasha shkoj n’Evropë, i smuet e i pafuqishëm, dhe më 8 dhjetor 1914 vdiq në San-Remo t’Italisë, prej ku u bartë në Vlonë trupi i tij dhe u varros në Teqen e Kaninës. Ferid Pasha turqishten e shkruante në një mënyrë shumë elokuente, sa me lanë me gisht në gojë shkrimtarët ma me za. Por nuk i shkroj kujtimet e veta, dhe s’desht t’ia lajë historisë fazat me randësi të ngjarjevet, të jetës së vet! Ata që kërkojnë të meta në periodën pesë vjeçare të karrierës së tij si kryeministër munden me pretendue se s’ban asnjë ndryshim ose reform në shtet dhe s’mujti me pengue absolutizmën e zakonet e dobta të Sulltan Abdylhamidit. Por çka se, po të t’i gjykojmë me të drejtë të tana punët e ngjarjet me të gjitha lidhjet e detajet e tyne, mbrrijmë në një përfundim që nuk e qet fajtuer Ferid Pashën, për shkak se nuk qe ky që mësoj dhe ia frymzoj Sulltanit veprat e liga dhe e shtyni këtë në një sundim arbitrar si ia deshti qefi. Sundimi i Sulltan Hamidit qe rezultati i një mësimi, i një stërvitjeje administrative që ai kishte marrë gjatë njëzet e shtat vjetvet. Ferid Pasha, si individ, s’mujte me mundësu me i dhanë një drejtim të kundërt asaj rruge të shtrembët. Dashtë e pa dashtë Ferid Pasha do t’ecte n’atë hulli si të gjithë. Mundet që Ferid Pasha kishte edhe pikëpamjet e veta. Ai e dinte mirëfilli se në ç’shkallë t’edukacioni shoqnor ishte përgjithsisht populli dhe se ç’qëllime kombëtare ndiqshin elementët e ndryshëm të Perandorisë. Anima ai e gjykonte si një utopi administrimin e mbarë popullit si një unitet kombëtar të vetëm. Prandaj ma tepër se për një regjim konstitucional, ai qe për një formë shteti absolute të vetëm! Vetëm se Ferid Pasha këtë pikpamje nuk pa nevojë me mbulue me perden e dinakrisë dhe m’e mohue si tjerët predecesorë të tij; por atë që ia urdhnoj ndërgjegjeja e çfaqi dhe e mbrojti burrërisht deri ndër ditët e fundit të jetës së tij. Por n’anë tjetër, ndër ditë ku po i këputej fija e penit të sundimit të tij si kryeministër, ditë që për të ishin ma të turbullta e të rrezikshme, ai shpëtoj nga ndjekja e nga dënimi i Jëlldëzit shumë krenë t’Ittihadit që kishin ardhë nga Selaniku në Stamboll, dhe kishte këshillue organet e sigurimit të shtetit, për sa ishte qenë e mundur, me njoftue vetëm me një ndjekje ligjore kundra tyne. Pa dyshim se ç’prej kryeministrit deri të nëpunësi ma i vogël, gjithkush e kishte kuptue se do të qe tragjik fundi i një administrimi të dobët që ishte trashëgimi i regjimit absolut, vazhdue prej shekujsh. Por këtë të vërtetë s’mund e pohonte kërkush, as kërkush s’donte t’a mendonte. Gjithkush kishte kujdes me përfitue prej vendit e kohës dhe paraqite gjithçkajen e mirë; dhe gjithëkush përpiqej me drejtue Sarajin e punët e shtetit mbas kriterit t’oportunistit. Dhe Ferid Pasha, domosdo, do t’ishte një prej kësaj frrote, i pajisem me një mendsi këso-dore. Ferid Pasha qe i zgjuet, dhe ia delte shokëvet në guxim civil. Dhe fat pati në jetën e tij, por dhe shpesh këtë e krijoi me zellë e veprimtari të vet. Qe i ashpër në fjalë dhe qortues, në mënyrë që s’e kishte përgja me ia thye tjetrit zemrën. Pat një trup të proporcionuem, një fizionomi të harmonishme dhe sy tërhjekës. Shum aktiv dhe dashamirë i rregullës e i disiplinës në punë. Abstenues me çfaqë një mendim të ngultë ndër çashtje të randsishme. Para se me dhanë një vendim mbi pranim të ndonjë pune të drejtë ose mbi refuzim të ndonjë pune të shtrembët, merrte parasysh karakterin dhe sinqeritetin e njeriut që ishte i gënjyem në këtë zakon të tij. Prej pune nuk mërzitej, leximi i libravet nuk ia kandëte. Nuk bisedonte mbi të kaluemen, por dhe për të ardhmen kishte gjykime të prehta. Ndër çashtje llogarish s’kishte aspak zotësi, e megjith këtë ishte i vetëm n’ekonomi e në kursim. Jetesën e kishte të thjeshtë; larg ceremonivet e tantanasë. Pije alkolike nuk përdorte, nuk ishte as njeri i rehatit. Nuk ndinte tjetër kënaqsi veçse me numrue paret e veta. Tue ngranë studionte aktet zyrtare, jepte urdhna, iu diktonte sekretarëvet; me një fjalë në tryezë kërkonte domosdo preokupim. I flladitej zemra kur ndrinte ndonjë fjalë, por dhe mbetej ngushtë i lidhun me përshtypjen që i bajshin fjalët e sugjerimet. Ia kandëte komplimentat që i baheshin, dhe nderonte ata që me ndonjë rast lavdojshin veprat e tij. Megjithse jo kryenaltë, nuk i përulej kërkujt. Pse të qortonte, s’i bahej keq. Armiqt i sulmonte, pajë (anësi) s’i mbante kujt dhe s’hidhej me kënd nëpër ndonjë miqësi të vjetër. Me Ministrat shkonte keq, dhe me të drejtë kishte për ta urrejtje. Në Shqipni nuk mujt m’e ba të mirë, për shkak se tue qenë në konflikt gjithmonë më kolegët e vet, nuk mujt me gjetë rrugën e përmirsimit të gjendjes së Shqipnisë dhe të dëshiravet kombëtare të shqiptarëvet. Fundi i fundit Ferid Pasha qe një vezir i ndershëm e patriot për kohën e vet, i përmendun për kulturë e zgjim dhe për vyrtyte të mira që zotnoj. Zoti derdhte mbi të mëshirët e veta të pa mbarim.
[1] Ky material është pjesa e tretë e dorëshkrimit të botuar për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë” në numrat 24 dhe 25, përgatitur për shtyp nga Dr. Hasan Bello.
[2]. Në tekst kalohet prej faqes 41 në 50, faqet ndërmjet kanë humbë. Prej kontekstit kuptohet se flitet për Ferid Pashë Vlorën, Kryeministër në Turqi. (Shënim i përkthyesit)
[3]. Ma përpara ky Arap Izzet Pasha, tregohet në grupin e kundërshtarevet të Ferid Pashës, e tash thuhet si përkrahës i tij. Ka një kontradikcion këtu, i cili ose duhet ndreqë ose duhet lanë siç asht, por tue u ba ky shënim kur këto dorëshkrime kanë mu daktilografue. (Shënim i përkthyesit)
[4]. Syrja Vlora, autori i kësaj monografie ka qenë Ministër i Doganavet. (Shënim i përkthyesit)
[5]. Ministri i Malit të Zi, Gregoviçi, i cili njëkohësisht ishte dhe një mik i ngushtë i jemi, kishte humbë në një lojë kumari në Cercle d’Orient (Klubi i Lindjes) pesëqind lira. Mbasi ishte i detyruem m’e shlye këtë borxh brenda njëzetekatër orëve, m’i lypi mue hua këto të holla. Gjegjëja që i dhashë unë qe negative. Por me të nesërmen shkova në Saraj dhe gjeta rast me ia hapë këtë punë kryeministrit, Tahsim Pashës. Ky më porositi t’i shkruejshëm një letër. Dhe unë bana si më tha. Tahsim Pasha letrën ia paska dëftue Sulltanit. Kur kthehem ka me vedi një zarf me dymijë lira brenda dhe më thotë që të lajmëroja Gregoviçin. Ky mbasi më puthi dorën i habitun prej gëzimi, shkon vrap në Saraj, merr me falenderime dhuratë dhe e fut në xhep.
[6]. Emni i pallatit ku banonte Sulltan Abdylhamidi. (Shënim i përkthyesit)
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...