Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 02, 2019 Zani i Nalte Editoriale 0
nga Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Arsimit, KMSH
Vendi ynë po kalon ditë të vështira nga fatkeqësia e tërmetit. Si në çdo cep të botës, për çdo lloj fatkeqësie qofshin tërmete, përmbytje, sëmundje, epidemi etj., është normale që besimtari të ndjejë dhimbje e dëshpërim. Por, nuk është normale për një besimtar të mirë, që fatkeqësitë të kthehen në ankth, mërzitje dhe urrejtje deri aty sa të lëshojnë rrënjë në zemrën e tij.
Çdo gjë që ndodh në univers nuk është rastësi. Gjithçka ndodh brenda dijenisë së Krijuesit dhe përcaktimit të Tij. Dhe kaderi, është një nga kushtet e besimit që çdo mysliman duhet dhe i ka besuar plotësisht. Edhe e dobishmja, por edhe e dëmshmja që kanë si faktor natyrën apo dorën e njeriut, vijnë sipas një përcaktimi hyjnor.
Kjo botë me gjithçka brenda, përfshi edhe vetët tona, janë pronë e Krijuesit. Pronari i gjithësisë vepron si të dojë me autoritet absolut mbi pronën e Tij. Parë në këndvështrimin e besimit, besimtari nuk i gjuan kaderit me gurë, por vrapon në ndihmë të shoqërisë dhe këtë e bën sipas një morali profetik. Sepse ky është morali i të gjithë profetëve dhe ky është morali i të gjithë pasuesve të tyre. Por nga ne, kërkohet të lutemi me shpirt në një mënyrë të përvuajtur dhe jo me protestë e me ton ankues. Të ankohesh duke kundërshtuar vendimin e Zotit, do të thotë të kritikosh dhe të akuzosh kaderin dhe mëshirën e gjerë hyjnore.
Një njeri apo një shoqëri që është goditur me fatkeqësi, nëse do t’i përgjigjej me ankesë e protestë, fatkeqësia e saj vetëm do të shtohej. Sepse ashtu siç e shton falënderimi mirësinë e Zotit, po ashtu ankesa e rrit fatkeqësinë dhe largon mëshirën për shoqërinë që është goditur. Por në qoftë se dëshpërimi largohet nëpërmjet pranimit të kaderit hyjnor dhe mbështetjes tek Allahu, fatkeqësia fizike do të zvogëlohet, thahet e zhduket, ashtu sikurse thahet pema, të cilës i janë prerë rrënjët.
Po ti hedhim një vështrim të përgjithshëm historisë së njerëzimit dhe fatkeqësive të ndodhura, do të vëmë re se të gjitha kanë një segment të përbashkët: Largimin nga besimi dhe shtimin e gjynaheve. Mund të kujtojmë këtu fatkeqësitë e ndodhura te populli i Nuhut, Hudit, Musait, etj, (paqja dhe bekimi Zotit qofshin mbi to). Nisur nga kjo, Allahu (xh.sh.) thotë: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë ‘të shijojnë’ pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim)” [Rum, 30:41]. Pra, një pjesë e atyre fatkeqësive janë paralajmërime nga i Gjithmëshirshmi për ta zgjuar dhe qortuar njeriun nga pakujdesia. Në këtë mënyrë shkrin gjendjen e pakujdesisë duke i kujtuar njeriut dobësinë e varfërinë e tij dhe duke i dhënë kështu një formë qetësie.
Në rast se besimtari, duke menduar shpërblimin e Zotit, i përballon fatkeqësitë me durim, lutje dhe përgjërim, do të thotë se ai kryen një formë të pastër adhurimi, në të cilën nuk futet fare hipokrizia. Në këtë mënyrë, jeta e tij e shkurtër bëhet e gjatë dhe e begatë. Nëse besimtari do të mendonte për shpërblimin që rezulton nga fatkeqësia dhe për sevabin që e pret në ahiret, nëse ai do ta kuptonte se jeta e tij e shkurtër me fatkeqësi do të transformohet në një jetë të gjatë, atëherë ai nuk do të ishte thjesht dhe vetëm durimtar, por do të ngjitej në shkallën e mirënjohjes ndaj Zotit dhe do të ishte i kënaqur me kaderin e Tij. Gjuha e tij do të niste të falënderonte duke thënë: Lavdi Zotit për çdo gjendje përveç mohimit dhe devijimit.
Vetë tradita profetike hedh dritë mbi faktin, se çështja për fatkeqësitë, qëndron tek mënyra se si sillemi, si reagojmë dhe si i pranojmë ato. Në “Sahihul Muslim” është transmetuar, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Është çudi çështja e besimtarit. Gjithë çështja e tij është tërësisht në të mirën e tij, gjë që i ndodh vetëm besimtarit. Nëse e prek një e mirë, falënderon dhe kjo është në të mirën e tij dhe nëse e prek një e keqe, duron dhe kjo (sërish) është në të mirën e tij”.
Në përfundim, le të vazhdojmë t’i ndihmojmë të dëmtuarit dhe t’i lutemi Allahut Fuqiplotë e të Gjithmëshirshëm, që të prekurve nga tërmeti t’u japë forcë e durim në përballimin e situatës, kurse ne të tjerëve të na mundësojë reflektimin për tu bërë më të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për fjalët dhe punët tona.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...