Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 19, 2019 Zani i Nalte Editoriale 0
nga Prof. Asoc. Dr. Rahim OMBASHI,
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti Bedër
Një urim i ngrohtë shkon për piktorin e talentuar të KU “BEDER” Erjet Muçollari, specialist design, që ka punuar me aq talent posterin e veprimtarisë,
Ne jemi ajo që kujtojmë, thotë një poet e filozof italian, prandaj dhe vendosen përvjetorët, si ngjarje e shënuar vetjake, familjare, rajonale, kombëtare dhe më gjerë. Nëntori ka shumë përvjetorë për ne shqiptarët, por njëherazi të kujton dhe 9 nëntorin e vitit 1989, përvjetorin e 30-të të rënies së Murit të Berlinit, si datë me rëndësi botërore, që provoi se lufta, qoftë dhe ajo ‘e ftohtë’, nuk i zgjidh problemet sociale, aq më tepër ato vetjake e sidomos shpirtërore.
Sot, duke nderuar 16 Nëntorin e vitit 1990, përkujtojmë çeljen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, në qytetin e vetëm në botë, ku ishte të çelur me Ferman të kuq një Muze Ateist. Ndaj mendoj se nuk ishte rastësi, por 23 vjet më pas, afro 55.000 banorë zhvilluan ceremoninë me të cilën hyri në histori përsëri Shkodra. Ish i persekutuari politik për hir të besimit, Hafiz Sabri Koçi, iu drejtua pjesëmarrësve me grishjen humane:
“Myslimanë, katolikë e ortodoksë, por mbi të gjitha vëllezër shqiptarë…”
Pjesëmarrësit e emocionuar ndiqnin fjalën e klerikut dinjitar, që nuk e zinte në gojë sistemin totalitar që u kishte hequr me ligj një prej të drejtave humane themelore dhe nuk u besonin veshëve, syve të tyre, sepse prej shkurtit të vitit 1967. Feja ishte shpallur “opium për popullin”, madje propaganda qeveritare përpiqej të argumentonte ‘rolin përçarës’ të saj.
Në përvjetorë të tillë duhet të sjellim në kujtesë porositë që nuk i dëgjuam, që të mos përsëriten kurrë. Qysh në vitin 1933 shkodrani i madh Hafiz Ali Kraja kishte argumentuar nëpërmjet studimit të vet: “A duhet Feja, A e pengon bashkimin kombëtar” se ndodh e kundërta, ajo, Feja, ngjiz unitet kombëtar kur në themel ka binomin Fe-Atdhe.
Këto ditë të revista shekullore “Zani i Naltë”, pedagogia Xhorxhina Seferi, ka botuar studimin që analizon veprën e themeluesit të mendimit sociologjik shqiptar, ku thekson:
“Hafiz Ali Kraja i ka dhënë rëndësi bashkimit kombëtar, duke argumentuar se Feja nuk është pengesë për unitetin kombëtar. Ai thekson se njeriu ka nevojë për fenë në pikëpamje shpirtërore, morale, juridike e shoqërore. Hafizi i ka dhënë një rëndësi të madhe moralit, duke thënë se baza e tij duhet të jetë Feja. Në libër i jepet rëndësi e veçantë shpjegimit të Islamit në raport me fanatizmin, ateizmin dhe laicizmin.”
Për këtë personalitet, Agron Tufa ka thënë:
“H. Ali Kraja, një nga figurat kyçe e moderator të elitës intelektuale Islame pati ideal ta shihte shoqërinë shqiptare harmonike, të bazuar te respekti për besimin e njëri-tjetrit dhe se vetëm mbi themelet e harmonisë fetare mund të lartohej përparimi shoqëror, njeriu cilësisht etik, me botë të pasur shpirtërore, pasi arrinte t’i shmangte konfliktet, duke besuar Zotin.”
Pas këtij manifestimi të qëndresës fetare mbi antiteizmin (jo ateizmin) shtetëror, po në këtë qytet që di të ngrihet i pari pas çdo fatkeqësie, u mbajt edhe mesha e parë katolike, ndërsa më 18 janar 1991 do të çelej Xhamia e Et’hem Beut në sheshin qendror të Tiranës (Ethem Beu veç përfundimit të xhamisë, që e kishte nisur i ati, ndërtoi edhe Kullën e Sahatit etj. Ai ka qenë i shkolluar dhe poet i një divani shkruar në persisht, sipas studiuesit Prof. Bunyamin Çaglayan). Më këtej riçelet ajo e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë dhe gjetiu duke rivlerësuar binomin Fe-Atdhe.
Për krahasimin me besimet e tjera monoteiste, që praktikohen mes shqiptarëve, që kanë arritur të ruajnë identitetin Islam, Alija Izetbegoviq, thotë:
“Islami ndryshon nga të gjitha religjionet, doktrinat dhe filozofitë e jetës… Boshti i kësaj filozofie është kërkesa, që njëkohësisht të jetohet jeta e brendshme dhe e jashtme, morale dhe shoqërore, shpirtërore dhe fizike, ose thënë më saktë, që vetëdijshëm dhe vullnetarisht të pranohen këto dy aspekte të jetës si përcaktim i njeriut në tokë.”
Edhe më herët, është sqaruar pse duhet Feja. Volteri, ideologu i Revolucionit Francez i sqaron Frederikut në një letër të datës 27 korrik 1770:
“Ateizmi asnjëherë nuk të çon në një gjë pozitive…” (Voltaire-Friedrich der Grosse, Zurich, 1992)
Edhe diçka më të re që ka lidhje me forcën e arsyes. Këto ditë nëntori është botuar libri “Shpirti i Njeriut” nga Prof. Dr. Fejzi Kolaneci, ish-sekretari shkencor i Shkencave Natyrore dhe Teknike pranë Akademisë sonë të Shkencave, anëtar i Euroakademisë nga viti 2012 dhe prej vitit 2018 anëtar i Akademisë së Shkencave të Federatës Ruse, pas një përvoje rreth 50-vjeçare në fushën e kërkimeve shkencore në matematikë, te kapitulli “Thënie mbi shpirtin” i botimit të vet më të ri, ka shfaqur vlerësimin e mëposhtëm për besimin fetar, që përfshihet brenda shpirtit, së bashku me zemrën:
“Çfarë vlen më shumë për njeriun? Begatia më e madhe për njeriun është pasuria shpirtërore.” Profeti Muhammad (Fejzi Kolaneci (2019) Shpirti i Njeriut, Tiranë:33)
Në ditë si kjo në prag të 16 nëntorit të uruar, kujtojmë me respekt e mirënjohje të gjithë Ata të cilët sakrifikuan gjithçka, që kjo begati e begative të mos i mungonte shpirtit shqiptar.
Faleminderit![1]
[1] Fjalë përshëndetëse e Prof. Ombashit, mbajtur në aktivitetin me temë “Liria e besimit, e drejtë universale”, zhvilluar nga Departamenti i Shkencave Islame me dt. 14.11.2017 me rastin e përvjetorit të zhvillimit të ceremonisë së parë Islame pas komunizmit dhe lirisë së besimit në Shqipëri.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...