Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 08, 2019 Zani i Nalte Studime 0
Abstrakt
Gjatë periudhës postkomuniste në historiografinë shqiptare hynë një sërë studimesh të reja veçanërisht në fushën historike, por edhe fetare bazuar mbi dokumente arkivore dhe burime autentike. Në fushën e religjioneve historiografisë shqiptare i ka munguar një studim i mirëfilltë për sufizmin dhe tarikatet islame. Monografia që ne po trajtojmë është hartuar për njërin prej këtyre tarikateve islame, atë Halveti te shqiptarët. Studiuesi Alban Dobruna vjen para lexuesit me fakte dhe vlerësime të reja, si nga pikëpamja shkencore, duke hedhur dritë faktorët historikë, socialë dhe kulturorë, që ndikuan në zhvillimin dhe përhapjen e veprimtarisë së këtij tarikati, që nga themelimi, deri në ditët tona. Në këtë vepër autori për herë të parë e pajis lexuesin me një këndvështrim tjetër nga ajo çfarë jemi mësuar të lexojmë deri më tani për historinë e religjioneve. Nëpërmjet të dhënave dhe burimeve arkivore ndriçohemi më thellë, nga analiza e tyre, puna e kryer nga vetë autori, si hartues i veprës tregon që përpilimi i saj kërkonte njohuri të thella për historiografinë shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht historinë e çështjeve fetare te shqiptarët. Kontributi i krerëve Halveti në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, sjell përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje në lëvizjen për autonomi dhe pavarësi në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, si dhe kontributin e tyre në përmirësimin e gjendjes sociale të shqiptarëve.
Gjatë periudhës së dy dekadave të fundit në historiografinë shqiptare hynë një sërë studimesh shkencore bazuar mbi dokumente të reja arkivore dhe burime autentike në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore-humane veçanërisht në fushën e historisë së religjioneve. Deri më sot lexuesit nuk i është paraqitur një studim i mirëfilltë mbi tarikatet islame, sofizmin, apo edhe mbi tarikatin halveti.
Ky punim ka si objekt studimi, historinë shqiptare dhe historinë e religjioneve. Si bosht qendror i zhvillimit të monografisë do të jetë trajtimi i zhvillimit dhe përhapjes së këtij tarikati te shqiptarët, duke filluar nga paraqitja e tij, esenca e doktrinës, mënyra e organizimit, depërtimi te shqiptarët, kushtet e përshtatjes së veprimtarisë së tij në shoqërinë shqiptare, etj.
Lënda e pasur e shkruar me shumë kujdes, gjatë zhvillimit dhe trajtimit të saj në formën e një monografie, i ofron lexuesit njohuri të reja shkencore mbi jetën dhe veprimtarinë e tarikatit halveti, që nga lindja e deri në ditët e sotme. Duke shqyrtuar monografinë, vëmë re se vështirësitë për kërkime dhe hulumtime rreth këtij tarikati ishin të mëdha, por jo të patejkalueshme. Autori është përpjekur të analizojë mjaft qartë dhe në një distancë relativisht të largët kohore lindjen, rritjen dhe veprimtarinë e këtij tarikati. Studimin e vështirësonte edhe mungesa e burimeve herë të pamjaftueshme dhe herë të pasistemuara për periudha të ndryshme, duke krijuar në disa raste pamundësi për një trajtim sa më koherent dhe kompetent ndonëse analiza dhe metoda krahasuese e përdorur kanë plotësuar këto mangësi.
Në periudhat historike të kaluara, janë dhënë në formë fragmentare disa nga anët e veçanta të historisë së këtij tarikati të botuara në fletoret dhe revistat fetare të kohës, apo janë trajtuar edhe në kumtesa dhe artikuj botuar nga studiues të ndryshëm. Disa prej tyre e kanë trajtuar tarikatin halveti në mënyrë të pjesshme, të tjerët e trajtojnë atë nën hijen e bektashizmit, si tarikati më i njohur në trevat shqiptare.
Për të pasqyruar sa më mirë dhe me vërtetësi historike në këtë monografi studiuesi ka bërë përpjekje ta paraqesë tarikatin halveti në tërësi, ta krahasojë atë me tarikatet e tjera si: kadiri, sa-adi, rifa’i, shazeli, bektashi, melami, etj., duke analizuar të dhënat e mbledhura dhe duke nxjerrë përfundime të cilat vijnë natyrshëm, mbështetur jo vetëm në burimet, por dhe në analizën e tyre.
Islami u përhap në tokat shqiptare, jo vetëm në variantin kryesor, sunit, por edhe në formën e tarikateve të ndryshme, siç ishin bektashizmi, kadirizmi, halvetizmi, rufaizmi etj[1]. Dëshmi të pranisë së këtyre tarikative mistike në territorin shqiptar janë teqetë e ndërtuara në një numër vendbanimesh. Teqetë janë ndërtesa të posaçme ku jetojnë shejhlerët dhe dervishët e rendeve të ndryshme nën drejtimin e një shejhu[2] dhe ku kryhen shërbesat dhe ceremonitë fetare[3]. Gjendja e teqeve shqiptare, në përgjithësi krahas studiuesve ka tërhequr edhe vëmendjen e udhëtarëve të huaj, që kalonin në viset shqiptare. Por në përshkrimet e tyre, tarikati halveti nuk ka qenë objekt trajtimi i drejtpërdrejtë. Ata me penën e tyre më tepër i kanë kushtuar një vëmendje të madhe tarikatit bektashi dhe bektashizmit në Shqipëri, duke shkruar artikuj dhe libra mbi ta, për shkak të rolit, që luajti në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar, por edhe për shkak të shfaqjes së tyre në rrethana të caktuara në Perandorinë Osmane.
E gjithë monografia është e organizuar në mënyrë kronologjike. Punimi nis me vendin që zë tarikati halveti në fenë islame, ku analizohen faktorët historikë, politikë e shoqërorë, të cilat vepruan brenda shtetit osman dhe që ndikuan në themelimin e këtij tarikati dhe në përcaktimin e pozitës së tij brenda shoqërisë islame. Në këtë kapitull janë bërë përpjekje të shpjegohen dhe analizohen shkaqet, që çuan në degëzimet e tij të shumta e bënë atë më specifik në krahasim me tarikatet e tjera, si dhe ekzistencën e teqeve, si institucione të posaçme, ku jetojnë shehlerë dhe dervishë të tarikatit halveti dhe kryejnë shërbesa fetare. Gjithashtu në këtë kapitull do të kenë hapësirë halvetitë në Perandorinë Osmane, duke filluar nga shkaqet, që çuan popullatën selxhuke për të përvetësuar këtë kulturë, që do të ishte edhe preludi i përhapjes së këtij tarikati në Ballkan dhe te shqiptarët.
Monografia vazhdon me kreun e dytë ku pasqyrohen në mënyrë të përgjithshme harta rajonale e përhapjes së teqeve halveti në territorin shqiptar. Kur u themeluan, kush i themeloi dhe kush i trashëgoi ato, si dhe zhvillimin dhe specifikat e tyre, paraqitur këto në sajë të faktorëve dhe rrethanave ekonomike, politike, kulturore-historike, që ndikuan në jetën e shqiptarëve.
Më pas autori na shpjegon rolin që luajtën halvetitë në Lëvizjen Kombëtare shqiptare në formimin e shtetit shqiptar 1878-1945. Në këtë kapitull trajtohen përpjekjet dhe vështirësitë me të cilat u ndeshën shqiptarët në lëvizjen për autonomi e pavarësi në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kjo falë situatave ndërkombëtare të krijuara, si dhe gjendjes në të cilën ndodhej vendi. Duke u mbështetur në të dhënat arkivore dhe bibliografike shtjellohet roli i tarikatit halveti në konsolidimin e shtetit shqiptar (1912-1939), përpjekjet për organizimin e vet institucional si: Kongresi I Alevian në Shqipëri (1921), Kongresi II (1930) dhe Kongresi III (1936). Gjatë periudhës 1939-1945 krahas ndryshimeve territorial, u bënë edhe ndryshime në organizimin e bashkësive fetare. Në këtë kohë teqetë halveti u lidhën me kryeqendrën e re në Tiranë, si dhe u intensifikuan përpjekjet për ripërtëritjen e lidhjeve të vjetra të teqeve të Shqipërisë dhe Kosovës, në kuadrin e një riorganizimi të ri të tarikateve aleviane.
Nëpërmjet analizës dhe argumenteve autori përpiqet të na shpjegojë vendin që zuri ky tarikat në trevat shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitet e para të qeverisjes regjimi komunist në Shqipëri u përpoq të krijonte përshtypjen e një regjimi që respektonte dhe garantonte zbatimin e standardeve demokratike në fushën e besimit fetar dhe të lirive dhe të drejtave të njeriut. Por kjo fasadë politike zgjati deri në nëntor të vitit 1966 në Kongresin e V-të të PPSH-së , ku lufta kundër fesë u cilësua, si një pengesë me rëndësi e luftës klasore dhe më pas u synua zhdukja e saj, që sipas Partisë në pushtet frenonte përparimin e vendit. Lufta kundër fesë mori karakterin e një lëvizjeje të madhe dhe përfshiu të gjitha shtresat e popullit.
Në kohën e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, pas vitit 1990 pati ndryshime të mëdha në të gjitha fushat në aspektin e përgjithshëm shoqëror, politik, ekonomik, por edhe në rrafshin fetar, përkatësisht në rihapjen e objekteve të kultit në përgjithësi dhe e tarikatit Halveti. Veçanërisht u pasqyrua rigjallërimi i aktivitetit të këtij tarikati në krye të cilit u vu Sheh Muamer Pazari.
Ndërsa në Kosovë, si të gjithë shqiptarët edhe anëtarët e këtij tarikati janë trajtuar në bazë të memorandumit famëkeq të Vasa Çubriloviçit të vitit 1937, ku theksohej mosrespektimi i vullnetit të popullit për vetëvendosje, mosrespektimi i ritualeve të teqeve, që gjatë kësaj periudhe shërbyen në gjysmë ilegalitet. Vetëm pas plenumit të Brionit (1966) fillon një fazë e re në historinë e shqiptarëve në Jugosllavi, në përgjithësi dhe për ata të Kosovës në veçanti, ku gradualisht tarikatet filluan të realizojnë disa të drejta politike dhe ekonomike. Më 1974 filluan të organizohen në një organizatë të vetme të quajtur “Bashkësia e Radhëve të Dervishëve Islamë Aliee”. Kjo organizatë për herë të parë bëri legalizimin e të gjitha teqeve në Jugosllavi dhe pas dhjetë vjetësh u formua shoqata e Shelerëve të “Meshajihëve” për Republikën e Serbisë-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, me seli në Prizren. Nëpërmjet saj u evidentua tipari dallues i teqeve që ndodhën në Kosovë, veçanërisht të teqeve në Gjakovë, Prizren dhe Rahovec, që u përkasin tarikateve të ndryshme. Në Kosovë kanë qenë të ndërtuara monumente të ndryshme halvetiane, që më vonë në disa qytete, filluan të shkatërrohen, për mos thënë që nuk ekzistojnë fare.
Si përfundim, mund të themi se ky tarikat u njoh në popull, si krah i rezistencës kombëtare shqiptare, u angazhua në forma të ndryshme si ushtarake, politike dhe kulturore për bashkimin etnik shqiptar, duke dhënë kontribut modest, por shumë të çmueshëm në çështjen shqiptare.
Studimi në fjalë fillon me hyrjen në të cilën është paraqitur motivi i autorit për të ndërmarrë një punë të tillë hulumtuese, kërkimore shkencore. Analizohet objekti, qëllimi, metodologjia e studimit, si dhe synimin për të sjellë një punim të paraqitur me një këndvështrim të ri dhe më realist. Më pas punimi do të vazhdojë me 4 kapituj dhe përfundime të rëndësishme dhe koherente. Autori është përpjekur që në çdo segment kohor, që ka evidentuar historinë e tarikatit halveti, të bëjë analiza sasiore dhe cilësore, duke treguar me shembuj të shumtë e të larmishëm gjendjen e këtij tarikati dhe të fesë islame në ato periudha historike.
Kombinimi i analizës me rrëfimin e qartë dhe bindës ka bërë që punimi të jetë i kuptueshëm, i pasur në argumente dhe i arrirë për sa i përket synimit për një paraqitje shkencore të tematikës së trajtuar. Duke u nisur nga vlerat, origjinaliteti dhe rëndësia, që ka botimi i një monografie të tillë mbi njohjen “Tarikati Islam Halveti te shqiptarët”, standardet e arritura dhe parametrat shkencorë me të cilat autori, e paraqet veprën e tij, mendojmë që lexuesit po i vjen në dorë një monografi e historisë fetare me vlerë.
[1]. Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. I, (Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI -vitet 20’ të shek. XIX, botimet “Toena”, Tiranë, 2000:593.
[2]. Në aspektin gjuhësor shejh do të thotë, plak i moshuar, kryesues i një teqeje ose zavijeje (teqe e vogël) me ithtarë të konsiderueshëm; Shejh bëhet dervishi më i aftë, por gjithherë këtë e emëron ndonjë shejh tjetër më i vjetër. Shejhun, dervishët e nderojnë shumë, kështu kur ai vjen dhe hynë në teqe dervishët dhe anëtarët e tjerë të teqesë ngrihen në këmbë dhe thellësisht e nderojnë dhe duke i drejtuar epitete të ndryshme, që e lavdërojnë.
[3]. Mustafa Kara, TEKKE, Türkiye Diyanet Vakfı İslam Ansiklopedisi, yıl: 2011, cilt: 40, sayfa: 368-370.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...