Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 28, 2019 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Mendime, Rexhep Vokë – Tetova
Myfti i Manastirit
nga Prof. Dr. Feti Mehdiu
Disa fjalë për Rexhep Vokën dhe veprën e tij “Mendime”
Për jetën dhe veprën e Rexhep Vokë Tetovës lexuesi jonë është informuar qysh në vitin 1957 nga një punim i Dr. Hasan Kaleshit[2]. Edhe më vonë është shkruar nga i njëjti por edhe nga të tjerë. Shënime më të plota për jetën e tij na jep Islam Islami në punimin e botuar në revistën Dituria[3].
Rexhep Voka u lind në vitin 1847 në fshatin Shipkovicë të Tetovës. Këtu ka kryer mësimet e para, kurse të mesmet i vazhdoi në medresenë e qytetit, në Tetovë. Njohësit e biografisë së Rexhep Vokës informojnë se që kur ishte nxënës, përveç mësimeve, ai u dallua edhe për qëndrimet e tij të qarta ndaj çështjes kombëtare. Nuk pajtohej me mësuesin e vet Behxhet Hysen efendiun kur ishte fjala për raportin kombi-feja. Voka nuk e identifikonte kombin me fenë siç bënin shumë bashkëkohës të tij.
Pasi kreu medresenë në Tetovë, me përkrahjen e xhaxhait të vet, Ali Vokës dhe Rexhep efendi Tetovës, në vitin 1868 regjistrohet në Fakultetin Islam në Stamboll. Pasi kreu studimet për një kohë punoi si profesor në të njëjtin fakultet. Nga Stambolli në Tetovë kthehet në vitin 1895 dhe fillon të merret aktivisht me çështje të kulturës kombëtare. Ai nuk kishte mësuar në gjuhën amtare, pasi i kishte kryer shkollat në gjuhën turke, por dëshira për të mësuar në gjuhën e vet e kishte shoqëruar tërë kohën. Tani angazhohej me këmbëngulje që fëmijët shqiptarë të mësonin në gjuhën shqipe. Gjithmonë i porosiste bashkëkombësit që të arsimohen, i këshillonte të njohin dhe të respektojnë kombin e vet dhe vetveten, e kjo arrihet me dije, prandaj “po lijpet edhe kalem e këndijm fjalë e mendim”.
Në vitin 1903 Rexhep Voka emërohet myfti i vilajetit të Manastirit, i cili përbëhej nga: Sanxhaku i Manastirit me 439 fshatra, sanxhaku i Serfixhes me 29 fshatra, sanxhaku i Dibrës me 111 fshatra, sanxhaku i Elbasanit me 155 fshatra dhe Sanxhaku i Korçës me 160 fshatra.
Sanxhaqet përbëheshin nga kazatë si vijon:
Manastiri
Kazaja e Përlepes 131 fshatra
Kazaja e Florinës 76 fshatra
Kazaja e Kërçovës 113 fshatra
Kazaja e Ohrit 103 fshatra
Serfixha
Kazaja e Kozanës 81 fshatra
Kazaja e Xhumas (Kalajar) 54 fshatra
Kazaja e Neslixhes 93 fshatra
Kazaja e Korbinit 78 fshatra
Kazaja e Alasonjës 72 fshatra
Dibra
Kazaja e Matit 32 fshatra
Kazaja e Dibrës së poshtme 37 fshatra
Kazaja e Rekës 44 fshatra
Elbasani
Kazaja e Gramshit 66 fshatra
Kazaja e Peqinit 53 fshatra
Korça
Kazaja e Kesrijes 120 fshatra
Kazaja e Starovës 100 fshatra
Kazaja e Kolonjës 54 fshatra
Në përbërje të vilajetit të Manastirit merrnin pjesë, gjithsej, 2201 fshatra.[4]
Gjatë shërbimit të tij si myfti i Manastirit, Rexhep Voka u dallua edhe në lëvizjen kulturore dhe politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë dëshmon pjesëmarrja e tij në Kongresin e Bukureshtit në vitin 1906 bashkë me Ismail Qemalin.[5] Rexhep Voka ka botuar disa vepra[6], por këtu do t’i hedhim një vështrim vetëm veprës së tij me titull “Mendime”.
Libri “Mendime” është i shkruar në gjuhën shqipe me alfabetin osman. Edhe Voka, si disa autorë të tjerë shqiptarë, të cilët veprat e tyre i shkruan në gjuhët orientale[7], në radhë të parë në gjuhën turke, perse dhe arabe, e shkroi këtë vepër në prozë të rimuar. Padyshim për këtë formë ndikim të madh kanë letërsitë orientale. Këtu nuk do ndalemi në analizë të hollësishme, sepse nuk është ky qëllimi ynë, por vetëm dëshirojmë që vepra e Rexhep Vokës t’u ofrohet për lexim të gjithë atyre që merren me studimin e problemeve të historisë së kulturës sonë kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, pasi deri tani kjo vepër, në formën e saj, nuk ishte e afërt për masën e gjerë të studiuesve, mendojmë se krijohen mundësitë që një vepër të çmohet realisht. Kuptohet, duke e peshuar atë me peshoren e kohës së vet dhe rrethanat në të cilat lindi kjo vepër.
Kur e lexojmë me vëmendje dhe analizojmë kushtet në të cilat veproi Rexhep Voka – Tetova, myfti i vilajetit të Manastirit, dhe pozitën e tij, një herë myfti e në kohët e fundit të jetës së tij shitës lulesh e perimesh në tregun e Stambollit, si pasojë e qëndrimeve të tij ndaj kulturës dhe arsimit kombëtar, sigurisht do të japim vlerësime më reale dhe të paanshme.
“Mendimet”-t e Rexhep Vokës kanë për qëllim të shtyjnë bashkëkombësit dhe bashkëkohësit e tij të mendojnë seriozisht për momentin historik dhe të marrin mësim nga fqinjët e tyre lidhur me ngritjen arsimore e kulturore. Libri ka vetëm 16 faqe por lexuesi e studiuesi këtu do të gjejë, përveç këshillave që janë edhe sot aktuale, edhe material për qasje shkencore nga aspekti filologjik, pedagogjik, fetar, etj.
Në transkriptimin e veprës së Vokës kanë pasur parasysh vlerat dialektologjike, prandaj kam bërë përpjekje që të jem sa më korrekt në këtë punë, i kam ruajtur besnikërisht formën e të shkruarit dhe të vargëzimit, duke ruajtur edhe sqarimet e autorit në fusnota me yllzë në fund të faqes.
Rexhep Voka – Tetovari
“Mendime” përshtatje në gjuhën e sotme shqipe
Lutje
O Zot! Lavdrimet dhe madhërimet e vërteta, emrat të mirë dhe gjendja e lartë të Tuat janë.
Të gjitha përsosmëritë nga vetja e për vehte i ke
në çdo aspekt i pastër dhe i lartë je.
Vend e makam sigurisht nuk ke, se hasha – ruana Zota,
për ty varfëri nuk ke, por pasi dëgjon dhe gjithçka sheh dhe e din, kudo që të lypim Ti je.
Gjithësinë me gjith çka ka, fare pa qenë ti e ke bë
me të gjitha të mirat ti e ke zbukuru, me gjith farë
pasurishë të pafund që njeriut i shtangin menden dhe e
habisin, Ti e ke lulëzu.
Kudo që të këthehemi bukuria dhe fuqia jote
përpara na dalin, kahdo që lëshojmë shikimin shohim
shenja të madhërisë sate.
Gjithë këtyre njerëzve e çdo lloj bagëtie, madje
shpezëve në hapësirë ajrore dhe peshqive në det, haje
dhe pije Ti ua fal o Zot i vërtetë.
Gjithsinë, me këtë harmoni, pa qenë askush, Ti e ke bë!
Po të duash ti sa çel e mshel sytë krejtsisht e humb,
e po të urdhërosh me njëherë e kthen në vend.
Fuqia dhe madhëria yte nuk kanë fund, të mirat tua
sikur deti, pa mbarim e pa fund janë.
Ti pa kërkend, prapë çka të duash në dorë e ke.
O Zot! Pashë madhërinë tënde neve të varfërve të na
mëkojsh, kurrë prej dore mos të na lëshojsh.
Zemrat na i pastro, mendje dhe të menduar na e mbarëso!
Nga punët e liga na ruaj
gjuhën dhe gojnë nga fjalët e këqia na i pruaj.
Në ditë të kijametit rënkimet të na i dëgjosh
lutjet me zemër të përvëluar të na i dëgjosh
O Perëndi, pash xhelalin dhe xhemalin dhe tërë
sifati qemalin që ke, ne të ngratëve nga paudhët nga
largo, në rrugën tënde na drejto!
Disa fjalë vëllezërve të dashur shqipëtarë
Pa më dëgjoni se kam hallë t’ua them disa fjalë, sado që
s’kam shkruar hadith e ajet
por fjalët që dot t’jua them, secila prej tyre është një mendim i lartë dhe i vërtetë.
Din e dije
O burra! O bijë, mirë ta dini që feja e dija
janë dy fletë për njerëzinë nga Perendija,
Me ato njeriu nëse don vehten ta naltësojë
tërë jetën do të ëndërrojë.
Njerëzia e njerëzive me fe e me dije
fetari i dijshëm edhe te Zoti është i dashur, edhe në
sy të çdokujt është i ndershëm
Feja dhe dija të tëra të mirat e sjellin e gjith
të këqiat i përcjellin.
Njeriu fe e dije kur të ketë
atëherë ka gjallëri të vërtetë.
Një njeri që nuk ka fe e dije
sado që e sheh të gjallë, të vdekur dije.
I lutem Zotit në këtë jetë shqiptarë të pafe mos të ketë.
Edhe kjo fjalë, është e zgjedhur, nga dijetarët e mentarët që i besuan të mbarët se:
Njerëzia e njerëzive me fe e me dije
bagëtia e bagëtive është me haje e me pije
një njeri që shikon vetëm të hajë e të pijë, e nuk
mundohet të fitojë virtyte të mira dhe të mësojë fe e dije
s’dallon dot prej bagëtive, përveç se me haje e pije.
Mësime
Burra, të shikojmë një herë në të majt e në të djatht, dhe të shohim që bota sa me vrap e me dëshirë të madhe punojnë për përparim e për gëzim të farës vet. Bashkqytetarët tonë grekë e bullgarë dhe shum të tjerë, secili është zgjuar dhe njëmend është bashkuar. Me dashuri të madhe, që buron nga fundi i zemrës e shikojnë njëri-tjetrin në sy.
Bëjnë përpjekje. Si t’ia bëjmë e tia kthejmë se po nevojitet dije. Populli po e çmojnë dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin. Mentarët dhe dijetarët janë vu në ballë dhe u prijnë në rrugë të përparimit dhe të fitimit. Të fortit dhe të pasurit janë bërë shpinë e ndihmëtarë të të varfërve, ua mësojmë diturinë dhe rrugën e fitimit. Me këtë rrugë të mbarë që kanë marrë dhe po e ndjekin vëllazërinë e forcojnë.
Fuqinë e shtojnë edhe farën, sojin e nderojnë. Me diturinë që kanë shti në dorë krijuan kushte për jetë të bukur, fitim dhe livdim për farën e vet dhe gëzim – tërë botës njerëzinë ia tregojnë.
Tani, ne që jemi popull shqiptarë, duke qenë në këtë vend më shumë, më të fortë dhe më të vjetër, më të mençur dhe më të kujdesshëm, si edhe me shumë vepra tjera e cilësi të mira dhe të livduara, sot, mozo mëkeq kemi mbetur pa mësim e arsimim, nga të gjith tjerit më të fundit jemi.
Nuk duan të na njohin dhe të na pranojnë se jemi gjallë, as popujt që i kemi këtu brenda as Evropa.
Kësaj kurrgjë nuk mund t’i themi, se pasi që na ka lënë dija nuk po na bën dobi fuqia dhe trimëria.
Një njeri: mësime, këndim e fitim si të mos ketë nuk ka si e sjellë në dorë as këtë jetë as atë jetë kushedi sa të përpiqet, ai s’mund të gëzohet asnjë ditë.
A nuk po na shohin sytë se tërë bota hyri në kadife e në mëndafsh, e ne s’jemi kah vejmë në trup brekë e kmishë.
Perëndia veç na dhasht të mbarën, se ne me këtë gjendje që kemi sot, do të mbesim robër në duar të botës tjetër kot.
Mos qoftë thënë prej Zotit të mëshirshëm se edhe një kohë kështu me shku, emri fare ka me na u harru.
Turp i madh, si për ne, burra trima, bujar, sot të mbesim më të poshtër se farët tjera.
Nuk duhet të jemi kaq të pakujdesshëm. Djemt tanë si skyfter kujt t’i teket, nga pa dija, i merr nëpër këmbë.
Ku jeni o krerët e Shqipërisë? E fikët vehten dhe i koritët varret e emrat e prindërve tanë.
Na pa këndim e pa mësim, kemi mbetur si të egër në mal e në errësir.
Veshë kemi por nuk ndijmë
sy kemi e nuk shohim,
mend kemi e gjë s’dijm.
Sot bota është bërë tjetër, vetëm me pushkë e me thikë nuk po fitohet. Lypet shkrim e lexim, fjalë e mendim.
Kemi mbetë në egërsinë e në errësirë
shoqi shoqin jemi duke lëvyrë
Ah, thua nuk vjen një ditë
të dalim në qytetërim e në dritë
Mundohemi dit për ditë
njanji tjetrit syt me ia qitë.
Kuku qyqe për ne!
E zeza çka na ka gjet!
Jemi duke u vra vëlla me vëlla
humbëm vehten sytë s’janë tuj na pa,
Na të ngratët shkojmë kot
Ti, Ti na ndihmo o i madhi Zot!
Këto të zeza e këto punë të liga të tëra na kanë pas ardhë nga qeveria e parë dhe e shkretë që punonte në krye të vet. Na i pat prishur vetitë e mira, na pat dhënë rrugët e këqia, na dau e përçau na shtiu pushkën ndërmjet e na vrau.
Miqësinë e vëllazërisë nga mesi jonë e kishte ngritë djallëzinë e armiqësinë na kishte pru.
Atdheun dhe popullin me tëra rreziqet e kishte rrethu i pat dhënë zjarrin, i shkonte flaka pi përpjetë e askush gjë nuk mund të flet.
Se ata, burrat dhe të mirët që mundoheshin për atëdhenë, dhe mendonin për popullin, njerëzit e ligj i ndiqnin në çdo formë. I mbytshin me farë e me fëmi. E merrshin më qafë, i humbnin sa e sa shpirtëra që ne duhet t’i kujtojmë e t’i madhërojmë sepse për të mirë të popullit i kanë mbytë, oxhakët në jetë ua kanë fik.
Pas gjithë këtyre të ligave u tremb njerëzia. Botën e kaploi një droje e madhe, kurrsesi nuk guxonin të flisnin asgjë, se për pak e për shumë fundin e detit e gjejshin. Ishin bërë dy krahërorë e një krye, nga njerëzit e ligji kishin dro të shikojnë djathtas e majtas, ishte punë me erdhë krye për krye.
Vëllaun e vet njeriu, përpara e shihte dhe bëhej se nuk e njihte, kishte frig që ta njihte,
Zemra me njëmijë ofkamë i thëriste
por me gojë asgjë s’mund fliste.
Ah, ajo qeveri e mallkuar! Ajo ishte armik i njerëzisë. Ajo kohë e shkretë ishte sepse çdo fjalë për mëmëdhenë trajtohej si tradhëti kundra qeverisë. Parësia kishte një faj të madh që nuk falet sa i përket shpëtimit dhe gëzimit të popullit e atëdheut. E kishin shpier popullin e pafajshëm e të ndershëm në prag të greminës me pasuri e me fëmi. Buzë vorrit të poshtnuar e kishte shpënë, çfar ironie!? Me duar lidhur përpara shpatës së armikut kishim ra e s’kishim dert si me qa.
Kishim ardhë deri në atë shkallë që njeriu me mend në krye, kur ulej në sofër, kur i vijshin parasyshë këto rreziqe, e kaplonte kujtesa trishtuese, fëmijt si përpara xhelatit i parafytyronte, e pushtonte një i keq i madh sa kafshata në gojë e në fyt i mbeste.
Pas këtyre peripetive nuk kishim më askund ku të mbështetemi, përveç te Zoti xhel-le shanuhu, na kish mbet shpresa kah nuk shihet e nuk dihet.
Zoti me rahmet të vet, siç e dini edhe vetë, na mëshiroj, nga ajo zgjedhë e mallkuar na shpëtoj e na liroj.
E tash, ato situata të këqija për faqe të zezë t’ia ngarkojmë asaj qeverie të mallkuar e të shkatrruar për jetë, të kapim një udhë të drejtë e një punë të vërtetë.
Se sot erdhi koha me ia dhënë krye për krye dhe me pleqnu. Se udha u çel për shpëtim të mëmëdheut, për gëzimin dhe përparimin e popullit të varfër të punojmë, të mos rrijmë kot. Asnjë minut të mos e humbim por të përpiqemi seriozisht se Zoti me rahmet të vet na ka bërë një të mirë të madhe. Atë shpresë të pastër e të madhe që e lypnim me mallë të flakt e me zemër të djegur, mushkëri të përgjakur e faqe të përlotur, na e plotësoi. Si e kam lexuar, këtu e dhjet vjet më parë, në një vjershë të një shqiptari, gjegat dhe dëshirat për mëmëdhe e për kombin që i kishte, kështu i kallzonte shkruante dhe thonte:
Vëjersh
Një natë ndeja në kopshtë të artë
Cili ishte fije artë
* * *
Edhe gjithësia ranun në gjumë
Degë e gjeth nuk lëviste
Veç nji zog ja thërriste
Këndim të bukur fort
Pri mallëngjimit mu çuen lot
Zog i shkretë tue kënduar
Unë ma tepër tue menduar
Mendja vot e fluturoj
Posi shkëndija me vrap shkoj
Ke mamdheu ke Shqipërija
Ke ka vendin trimrija
Thash Zot o Zot i gjithsijs
Fali lirinë edhe Shqiprijs
S’t’vjen keq o Perendi
Se ka xhem e bijra e bi.
Vëllazër të dashur e të nderuar, këto dhimbje, këto hidhërime e këto rënkime të tëra kështu, në këtë formë, kapërcyen. Sot populli e fitoi udhën e lirinë. Sot iu liruan këmbët – edhe duart iu zgidhën dhe po mundohet të marrë të mbarën të dalë nga fatkeqsitë që pat ra, të mëkambet dhe ta shpëtojë qeverinë nga rreziqet që e kanë rrethu. Zoti i ndihmoft që forcën e parë që e pat në vend t’ia kthejë e t’ia sjellë lehtë e mbarë ia bëft.
Tani, edhe na veçanrisht duhet të mësojmë edhe për mëmëdhenë edhe për mbretërijnë. Ashtu si duhet të përpiqemi dhe gjith duhet të punojmë, të mendojm – se kjo kthesë e madhe që është bërë, është një rast shumë i mirë për ne. Duhet ta dijmë dhe të mos rrijmë kështu si të shembur e të ngrimë, mos e kalojmë kohën vetëm me fjalë si ndojnë palë robër, që flasin e rrahin duart dhe nuk kuptojn se mos e bëft Zoti vjen një ditë rrahin kryet.
Pra ajo që na takon neve kurrë mos ta lejmë. Të kujtohemi mirë, asnjë minut të mos vonohemi, por me të tëra forcat dhe prirjen që kemi popullit dhe qeverisë dorën t’ia japim, të formojmë një fuqi të madhe sepse fitimi e shpëtimi, gjallërimi dhe jeta unë e ti do të jemi.
Secili prej nesh në shpirtë të vete një të mirë për milet
Për atdhe e për shtet duhet ta ketë.
Nëse më pyet mua se cila është puna e parë që duhet të ndjekim e të punojmë, ashtu që një orë as një minut të mos vonojmë.
Shkollat t’i hapim edhe në mos paqim mundësi të ndërtojmë ndërtesa të mëdha, në koliba me kashtë fëmijtë t’i tubojmë vetëm që të mësojnë.
Mos shikojmë vetëm nga qeveria, por edhe vetë të mundohemi, se një qeveri e cila nuk ka mund të na bëjë çare deri sot, edhe këtu e tutje, bëhet që na len shkret e të shkojmë kot. Mos rrimë, mos rrimë, por i madh e i vogël të vrapojmë në shkollim e të mësojmë. Mos rrijmë kështu si të marrë, por tërë botës njerëzinë tonë t’ia tregojmë.
E dyta
Gjuhën tonë, bashkë me gjuhën turke, ta mësojmë se është një punë e mençur. Secili e din se deri sa të mos mësojmë edhe në gjuhën tonë amëtare, kombit dije dhe edukim të përgjithshëm nuk mund t’i japim.
Nuk ka në histori asnjë shembull, e në jetë, që një popull është përparuar dhe është ngritur pa mësuar në gjuhën e vet.
Kjo punë do të bëhet sepse dijetarët e fesë dhe imamët të gjithë janë më një fjalë, kanë një mendim.
Asnjë nuk është ndarë, të gjith kanë thënë se çdo komb mundet të kultivojë fenë në gjuhë të vet.
Për të gjith dijetarët lusim e madhërojmë Zotin xhel-le shanuhu, që të jenë të shpëtuar dhe të ndihmuar. U falënderoj dhe i lus, njëmend, që këto mendime që i kam shkruar t’i pleqnojmë mirë e hollë, e pastaj nëse i shohin si mendime të mira e të drejta le t’ia dëftojnë kombit. Le të bashkohen sikur një dhe të punojnë për t’i dhënë kombit dije, edukim e arsimim.
Prej nesh kërkohet që shumë të kujtohemi dhe ta dijmë e ta kemi shumë të qartë se për këtë komb do të përgjigjemi, do të vij një ditë që do të pyetemi.
Ta heqim më njëherë nga zemra djallëzinë dhe të kapim mirësijnë e mbarsinë. Të mos thomi se ky është mysliman e ky tjetri i krishterë, jo toskë e jo gegë, se të gjithë që jemi farë shqiptari jemi një fis e një farë.
Duhet të mirremi vesh, të shikojmë ku e kemi ndonjë rrugë të çelur të kërkojmë rrugëdalje dhe të gjejmë mënyrën se se e ku do të mblidhemi, sepse jetën më një vend e kemi.
Përndryshe humbasim, emri shqiptar shuhet, madje shqiptari, në sy të popujve të tjerë turpërohet për jetë. Prandaj kërkohet prej nesh të bashkohemi për një mend. Askush prej nesh anash të mos mbesë, sepse kemi një besë dhe na mban një shpresë.
Armiqsinë e mallkuar e të shkretë
Për gjithmonë ta përcjellim ndërmjet
Vëllazërimin e bekuar e të vërtetë
Ta sjellim në mes nesh për jetë
Atëherë fuqia na shtohet e shkon – përpjetë
Edhe ndihma e Zotit me ne bëhet dhe do të jetë.
* * *
[1]. Titulli i origjinalit: “Mendime”, Murettibi Manastir myftisi, Kalkandelenli Rexhep Xhevdi bin Nureddin Voka, Tab-i ev-vel: Matba-i Ebu Zija, 1327. Ribotuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Tetovës me pararathënie, transkript dhe përshtatje në gjuhën e sotme shqipe nga Prof. Dr. Feti Mehdiu, lektor Mr. Elez Ismaili dhe korrektorë Bahri Aliu & Neshat Xheladini, Tetovë 1991. Ky punim botohet me lejen e Akademik Feti Mehdiut.
[2]. Dr. Hasan Kaleshi, Prilog poznavanje arbanske književnosti iz vremena preporoda, GODIŠNJAK, I, 1957. Balkanološki Institut, Sarajevo.
[3]. Islam Islami, Jeta, puna dhe veprimtaria pedagogjike e Rexhep Vokës, DITURIA, 2-3/1971-1972, Prishtinë, f. 103-116.
[4]. Këto të dhëna janë marrë nga: Salname-i devlet-i alije-i Osmani-jje, për vitin 1321 h. /1903-4/, f. 801.
[5]. Islam Islami, Jeta, puna dhe veprimtaria pedagogjike e Rexhep Vokës.
[6]. R. Voka është autor edhe i një Ilmihali dhe i Abes-ë shqip.
[7]. Dr. Hasan Kaleshi, Autorët e Kosovës në gjuhët orientale, KOSOVA DIKUR DHE SOT, Beograd 1973. Këtu autori ka përmend poetët: Suzi, Nehari, Sa’ji, Shem’i, Mesihi, Azmi Dede, Prishtine-i Bejzade Nuriu, Prishtineli Buhari, Behari, Sulejman efendi /Axhize Baba/, Mehmet Tahir efendiu, Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi, Shejh Hilmi Maliqi, Shejh Selimi dhe Mehmet Aqifi, por ka edhe të tjerë që nuk janë përmendur si: Maliq Sulejmani, Hafiz Islami, Hafiz Imeri, Mulla Hyseni, Mulla Mehmeti, etj.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...