Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 21, 2019 Zani i Nalte Studime 0
nga Zamira Islami, Kolegji Universitar Bedër
Abstrakt
Shqipëria ka një të kaluar shumë të ndritur dhe shembullore për sa i përket personaliteteve vendas, intelektualë e hoxhallarë. Shumë prej tyre, në shumë aspekte, janë sot burim frymëzimi. Ata ishin njerëz, të cilët u formuan në hkollat e vendit dhe jashtë tyre, e më pas, çdo aftësi dhe energji të tyren, e derdhën mbi shoqërinë shqiptare, ku u bënë shkak për shumë zhvillime pozitive në këtë vend.
Salih Vuçiterni, ishte një nga këto personalitete të ngritura të shoqërisë sonë. Qoftë me formimin e tij, qoftë me vizionin dhe horizontin që posedonte, ai luajti një rol shumë të rëndësishëm në institucionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Fjalët kyçe: Fe, reformë, institucion, Islam
Rreth Salih Vuçiternit
Salih Vuçitërni u lind në Vushtrri të Kosovës, më 8 prill 1881. Mbaroi shkollën Normale dhe Universitetin e Fesë Islame në Stamboll.
Më 6 shkurt 1910 deri më 30 dhjetor 1912 qe drejtor i Normales së Dibrës. Nga 14 qershori deri më 3 shtator 1914 ka qenë drejtori i arsimit i prefekturës Drin. Nga 24 qershori gjer më 2 tetor 1919 shërbeu si inspektor arsimi në Shkodër dhe nga fundi i 1919 gjer më 1920 qe nënprefekt i Matit. Më 1920 nënprefekt i Tiranës, 1920-1922 prefekt i prefekturës së Drinit (Dibrës). Në vitet 1921-1925, 1928-1930, 1937-1939 dhe 1943 u zgjodh si deputet i Parlamentit shqiptar, përfaqësues i prefekturës së Dibrës.
Në shkurt 1927, pas disa çrregullimeve në vakëfin shqiptar, ku ai ishte drejtues, dhe dështimit të reformës në medrese, Vuçiterni bëri thirrje për një reformë në institucionet bamirëse, thirrje e cila çoi në polemika.
Shërbeu si ministër i Punëve Botore në qeverinë Kota. Gjatë mandatit ai u hetua për korrupsion.
Ai ishte një nga dy njerëzit e besueshëm të Ahmet Zogut për riaktivizimin e Komitetit të Kosovës së bashku me Ismet Kryeziun nga Gjakova.
Vuçiterni u zgjodh si drejtues i një komisioni qeveritar përgjegjës për Reformat Agrare në Shqipëri, një komision që praktikisht nuk arriti asgjë të rëndësishme pos ndihmave për familjet kosovare që kishin braktisur Kosovën për të zgjidhur anën agrare në zonat qendrore të Shqipërisë. Në vitin 1939 ai u zgjodh nga Italianët si Drejtor i SITA-s italiane (kompanisë përgjegjëse për energji elektrike e logjistikë), duke e zëvendësuar Qemal Vrionin. Në vitet 1921-1939 dhe 1942-1945 Vuçiterni ka qenë drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve.
U arrestua nga komunistët shqiptarë, në fund të vitit 1944 dhe u dënua si kriminel lufte. Më 19 maj 1949, u dënua së bashku me Musa Gjylbegun me burgim të përjetshëm.[1]
HYRJE
Shqipëria ka qenë e bekuar të kishte në gjirin e saj njerëz të cilët punonin e sakrifikonin për atdheun e shoqërinë. Ka pasur hoxhallarë, të cilët nuk e këmbyen me asgjë sakrificën, mundin, durimin që kishin për fenë e Zotit. Ka pasur njerëz, të cilët me idetë dhe dituritë e tyre, ishin dhe janë akoma burime frymëzimi për të rinj dhe intelektualë. Shqipëria, gjithashtu, ka pasur fatin e saj të mirë, të kishte njerëz, të cilët me intuitën që u kishte dhënë Zoti, me përkushtimin serioz dhe me dituritë e thella, t’i ofronin shoqërisë vizion dhe t’i hapnin horizonte të reja. Ka pasur gjithashtu fatin të ketë hoxhallarë, të cilët e paralajmëronin shoqërinë rreth fenomeneve të rënda që mund t’i kaplonte ata dhe u ofronin alternativa për të shpëtuar nga ato lloj situatash.
Në këtë punim, do të analizojmë vizionin që kishte Salih Vuçiterni, për një mbarëvajtje të shkëlqyer të institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si ai i paraprinte disfatave dhe cilat alternativa rimëkëmbjeje parashtronte. Salih Vuçiterni, ishte një ndër ata intelektualë, të cilët, së bashku me shumë hoxhallarë të tjerë, paralajmëruan ardhjen e një sistemi të egër dhe të pamëshirshëm kundrejt njeriut, i cili do të shfaroste të gjitha vlerat njerëzore e fetare. Për këtë arsye, ai ngulte këmbë dhe kritikonte ashpër qëndrimin e përgjumur që mbanin drejtuesit e institucioneve fetare, si dhe besimtarët myslimanë në tërësi. Ai ofroi një sistem të mirëfilltë, më të organizuar dhe më të përditësuar me kohën dhe u bënte thirrje të gjithë hoxhallarëve, intelektualëve, krerëve të institucioneve dhe besimtarëve në përgjithësi, që të zgjoheshin nga gjumi dhe rehatia, e të rimëkëmbnin veten dhe shoqërinë, si nga ana ekonomike ashtu edhe gjallëria fetare.
Një ndër intelektualët myslimanë dhe një ndër drejtuesit e vakëfeve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, është Salih Vuçiterni. Në këtë studim, janë prezantuar artikujt e Salih Vuçiternit. Qëllimi i këtij studimi është nxjerrja në pah e personalitetit të tij dhe përfitimi nga idetë dhe vizioni i një intelektuali të tillë.
Në vëllimin e parë të revistës “Zani i Naltë”, Salih Vuçiterni flet në emër të Komisionit të Lartë të Sheriatit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku pasi tregon rreth strukturës së ngritur të Komunitetit Mysliman dhe rëndësisë së saj, ai ngre shqetësimin për domosdoshmërinë e sigurimit dhe përmirësimit të gjendjes shoqërore të Komunitetit Mysliman dhe si zgjidhje shtron hapjen e Medresesë së Naltë të Tiranës. Ai thotë se Medreseja e Naltë, Komuniteti Mysliman, do ta kryejnë misionin e tyre, duke arsimuar brezat, duke i financuar ata me bursa dhe duke sjellë profesorë të përgatitur. Mirëpo, Salih Vuçiterni nuk e kufizon me kaq, por thotë se sigurimi dhe përmirësimi i mbarëvajtjes së Komunitetit Mysliman, është në dobi jo vetëm të këtij komuniteti, por në dobi të të gjithë shtetit. Kështu që, për përmirësimin e tij, duhet të bashkohen të gjitha forcat shoqërore e shtetërore.[2]
Deklaratë mbi nevojën e reformave
Në vëllimin e dytë të revistës “Zani i Naltë”, gjenden shumë artikuj të intelektualit, Salih Vuçiterni. Në faqen 195 të saj, zë vend artikulli ku bëhet fjalë për nevojën e reformave.
Vuçiterni thekson faktin se për një të ardhme të ndritur të Islamit në Shqipëri, ndihet nevoja e reformave në xhami dhe në medrese. Ai thotë se duhen ndërtuar aq xhami sa Komuniteti Mysliman ka nevojë, e jo më shumë, për arsye se nuk do të frekuentohen dhe se investimet e përdorura aty, mund të përdoren më mirë në medresetë e Komunitetit Mysliman. Ai bën një përshkallëzim mjaft të bukur në këtë artikull, duke e nisur çështjen që nga parimet dhe ligjet e Zotit në Tokë. Vuçiterni thotë se asnjë mbretëri, deri më sot, nuk i mbizotëroi dot të rejave të kohës, për sa kohë që ajo mbretëri nuk iu përshtat asaj. Nëse edhe ne si myslimanë, duam të jemi liderët e shoqërisë, duhet që patjetër të punojmë fort sot, duke u formuar teologjikisht dhe shkencërisht, në mënyrë që të premtojmë të ardhme të ndritur për pasardhësit tanë nesër.
Në artikullin e tij, vihet re qartë brenga dhe dëshira e tij e madhe për ta parë edhe një herë shoqërinë islame në Shqipëri, të lulëzojë ashtu siç i ka hije.
“Shkaku kryesor qi më shtyni të rroki penden në dorë, asht dishiri i madh qi kam t’a shoh edhe elementin mysliman të Shqipnis ashtu si më don zemra e më kënaqet shpirti; prandej më vjen si me i a pasë uha t’i drejtoj fjalën, me qëllim qi të zgjohemi prej gjumit të randë në të cilin kemi ra e t’i hapim mirë syt qi të mund të shofim udobisht se ç’asht tuej na u kërcnue.”[3]
Vuçiterni vë theksin se, ne si myslimanë, Allahu na ka nderuar, duke na bërë pjesë të bashkësisë së Profetit të Tij të Fundit dhe na ka sjellë një sheriat me principe të shëndosha, të përshtatshme për të gjitha kohërat. Duke qenë kështu, nuk i ka hije një besimtari që të rrijë vendnumëro, të flejë gjumë, e të mos përpiqet për të arritur lumturinë në të dyja botët. Vuçiterni, pas kësaj thotë se, sa më e madhe është begatia e Allahut mbi ne, aq e madhe është edhe pesha e përgjegjësisë. Pesha e përgjegjësisë është aq e madhe, sa që nuk ka kohë të merremi me kritika, me thashetheme, me dashakeqësi, me plane individuale, etj., por duhet që sa më parë t’i përvishemi punës për të kryer edhe detyrën e ngarkuar nga Allahu edhe për t’u lënë brezave një situatë të lumtur.
Në pjesën e fundit të artikullit, Vuçiterni zbret deri në detajet e organizimit të Komunitetit Mysliman. Thotë se është i nevojshëm organizimi i vakëfeve në mënyrë që Komuniteti Mysliman të jetë i zoti të financojë veten e tij. Së dyti, është nevoja për të mbajtur nën kontroll ndërtimin e xhamive. Ato duhet të ndërtohen në varësi të numrit të popullsisë besimtare myslimane e jo dokudo, e që më pas të qëndrojnë të mbyllura. Është e nevojshme, gjithashtu, ngritja e instituteve, të cilat do të përgatisin mësues të kualifikuar për të dhënë mësim nëpër medrese. Së fundmi, u duhet dhënë rëndësi akoma më e madhe medreseve, të cilat duhet të jenë edhe për vajza edhe për djem edhe për jetimë edhe për fukarenj edhe për të pasur. Së fundmi, duhen organizuar edhe sisteme konviktesh, të cilat do të jenë me kushtet më të fundit dhe të jenë të hapura për të strehuar nxënës, të cilët dëshirojnë të mësojnë akoma më shumë dhe nxënës të cilët nuk kanë mundësi banimi.
Nji përgjegje z. Hafis Xhaferit[4]
Në këtë artikull, Salih Vuçiterni i kthen përgjigje një intelektuali të viseve të Korçës, i cili kishte lexuar artikullin e tij të lartpërmendur dhe e pyet se, ku mendon z. Vuçiterni se është më e përshtatshme hapja e medreseve dhe se a nuk është e nevojshme hapja qoftë edhe e disa klasave në Jug të Shqipërisë? Ai e fillon këtë artikull duke e falënderuar z. s’Uej për pyetjet dhe duke e lavdëruar popullin e viseve të Korçës për përpjekjet që ata kanë bërë prej vitesh duke qenë liderë në fushën e arsimit, qytetërimit, edukimit, kulturës, etj. Duke iu përgjigjur pyetjes, Vuçiterni, si fillim sjell disa statistika të numrit të nxënësve që ndodheshin nëpër medresetë e vendit. Aty vihet re se numri në total ishte rreth 324 nxënës, në 12 medrese. Me këtë, Vuçiterni është i mendimit se do të ishte më e udhës që këta nxënës të mblidheshin në një medrese të ciklit fillor dhe të mesëm, e më pas të kalonin te Medreseja e Naltë. Kështu, do të dyfishohej numri i nxënësve, por edhe do të rritej cilësia e tyre. Në të kundërt, nëse do të kishte kaq shumë medrese në të gjithë vendin, automatikisht do të kishte edhe një numër të madh mësuesish. Kjo bën që të mos mbulohen dot shpenzimet për rrogat e mësuesve, por edhe nëse mbulohen, nuk do të ishte e arsyeshme një shpenzim kaq i madh për 6 apo 12 apo 30 nxënës, duke qenë se ata mund të mblidhen në 1 medrese dhe ato para të shpenzohen për kushtet e tyre. Për sa i përket vendit, Vuçiterni është i mendimit se medresetë duhen hapur aty ku ka më shumë interesim nga shoqëritë myslimane.
Përsëri rreth deklaratës s’ime[5]
Në këtë artikull, z. Vuçiterni replikon me grupin e Ilmijes së Shkodrës, të cilët në një artikull tjetër, pretendojnë se i janë përgjigjur reformave, për të cilat ngre zërin Vuçiterni, por, në fakt, nuk i janë përgjigjur asgjëje të tillë. Vetëm se kanë theksuar se reformat nuk janë në përputhje me Sheriatin e Naltë. Këtu, Vuçiterni u kërkon sqarim të kësaj çështjeje, nëpërmjet argumenteve duke i marrë një e nga një fjalitë e tij, ose në të kundërt, Ilmija e monopolizuar e Shkodrës, të heqë atë shkrim, duke folur për temën që ajo dëshiron. Vuçiterni, ua shpalos në këtë artikull edhe shkrimin e tyre. Ai u thotë se nuk janë të qartë në shkrimin e tyre, sepse në fillim kanë folur për diçka, e në fund për diçka tjetër. Ai u kërkon që të praktikojnë mirë rregullat e polemikës, në mënyrë që edhe problemi të qartësohet më mirë.
Prap rreth deklaratës s’ime[6]
Edhe në këtë artikull, z. Vuçiterni, përballet me grupin e Ilmijes së Shkodrës, të cilët, në artikujt e tyre, përsëri nuk parashtruan asnjë argument për të vërtetuar se reformat që kërkonte Vuçiterni, ishin jashtë Sheriatit të Naltë. Jo vetëm që nuk parashtruan argumente, por kërkonin prej Vuçiternit që ai të shpjegonte qëllimin se përse ai i kërkonte këto reforma. Vuçiterni, u përgjigjet edhe një herë, duke u sjellë ndërmend rregullat e polemikës, të cilët nuk po i zbatonin dhe duke u drejtuar pyetjen se “përse zotnia e tyre ndiheshin aq të shqetësuar rreth atyre reformave, apo mos ndoshta kjo u prishte rehatinë?!” Vuçiterni, nuk u jep asnjë shpjegim por u qëndron fort fjalëve që ka thënë, dhe u bën thirrje “Ilmijes së Shkodrës” që të jenë seriozë dhe të zbatojnë rregullat e polemikës siç u ka hije. Vuçiterni u thotë se atë artikull ai e mbron me gjithë fuqinë e tij dhe nuk ka nevojë për askënd që ta mbrojë pasi ai artikull është i bazuar mbi të drejtën dhe të vërtetën.
Nji përgjigje fletores “Demokratia” e cila botohet në Gjirokastër[7]
Në këtë artikull, Salih Vuçiterni i përgjigjet pyetjes që ngren z. Samarina rreth moslejimit të prishjes as një centimetër të një xhamie për ndërtimin e një xhamie tjetër dhe dyshimit që z. Samarina ngre rreth të ardhurave të xhamisë së Pazarit të Gjirokastrës dhe rreth xhamive të tjera në Shqipëri.
Duke qenë se Salih Vuçiterni, ishte pjesë e Këshillit të Lartë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Vakëfeve, ai u përgjigjet mjaft mirë pyetjeve të z. Samarina. Në fillim e sqaron rreth ndërtimit të xhamive duke i thënë se Këshilli i Lartë vepron sipas statutit të miratuar me vota dhe jo sipas kokës së vet. Sigurisht ky statut, është i nxjerrë në bazë të rregullave të Sheriatit. Së dyti, e sqaron se xhamia e Pazarit të Gjirokastrës nuk ka aq të ardhura, sa ai pretendon, dhe e informon se së shpejti, Drejtoria e Vakëfeve do të botojë bilancin e gjashtëmujorit, ashtu siç ka bërë gjithmonë, dhe z. Samarina mund t’i ndjekë shumë herë më mirë të ardhurat dhe shpenzimet aty.
Myslimani i sotshëm si do të jetojë nesër?[8]
Historia është pasqyra e jetës së gjithë kombeve të botës. Ajo është gjykuesja e shoqërisë njerëzore. Ajo na kallxon lindjen e gremisjen e popujvet dhe shkaqet e përparimit ose shdukjes së tyne. Tue qenë të sigurtë pra, se nesër, populli Mysliman qi jeton sot në Shqipni, do të jetë përgjegjës para kësajë gjykuesje së ndershme, duhet të mejtohemi e t’a pyesim vehten se jetën t’onë si ka me e përshkrue historija? Asht shumë e lehtë me iu përgjegj kësaj pyetjeje me fjalë, por tepër e randë me vepra![9]
Në këtë artikull, Salih Vuçiterni shtron edhe një herë nevojën e madhe për reformë në shoqërinë myslimane, sidomos në mentalitetin e saj, duke e lexuar mirë kohën dhe duke u parapërgatitur për të rejat e kohës. Ai thotë se armiku më i madh i suksesit dhe ai që i ka gjunjëzuar perandoritë e mbretëritë e mëdha, është dehja në rehati dhe mentaliteti (uexhedna abaena[10]). Për sa kohë që edhe myslimanët në Shqipëri, nuk shpëtojnë nga ky mentalitet, nuk mund të përparojnë dhe, me keqardhje, duhet thënë se do t’i përgatisin fundin vetes së tyre dhe vetëm do të mbeten një kujtim në histori. Myslimanit, nuk i shkon të jetojë një jetë boheme. Por duhet që, për hatër të vlerave të larta që mbart ai libër i shenjtë që ndjek, të jetë aktiv, i zjarrtë, i zellshëm dhe kërkues për të arritur lumturinë në dy botët. Ai thotë se sot, është koha për të qarë për gabimet tona dhe koha për t’u rigjallëruar në të gjitha fushat e jetës dhe për të bërë më të mirën si myslimanë. Këtë artikull, siç e citon edhe vetë ai, e ka shkruajtur në bazë të kërkesave të lexuesve të revistës “Zani i Naltë”, pasi ata kërkuan me insistim botimin e numrit ku gjendej artikulli i domosdoshmërisë së reformave, sipas Salih Vuçiternit. Kështu që, në pamundësi të ribotimit të atij numri, Salih Vuçiterni zgjedh ta risjellë edhe një herë në letër, në një mënyrë më të detajuar, duke e pasuar edhe në numrat e tjerë në vazhdim, atë që kishte shkruar në numrin e shkuar.
Deklarate e II.[11]
Edhe në këtë artikull, Vuçiterni sjell në letër realitetin e shoqërisë myslimane në Shqipëri, e cila është kanosur në një gjumë të thellë dhe ka humbur kontaktet me botën e përparuar. Dje, ishin myslimanët ata që sollën standarte, kurse sot, kur thua mysliman, të vijnë në menje të gjitha virtytet negative që ka njeriu. Na bie detyrë e madhe të gjithëve, që ta zhdukim këtë njollë të zezë, dhe të fillojmë të edukohemi me dëshirën për të punuar, për t’u përpjekur dhe të marrim shembull popujt e përparuar pasi kjo është edhe një porosi profetike.
Deklerata e II.[12]
Në këtë artikull, Salih Vuçiterni, jep një zgjidhje për problematikat e mëdha, që e kanë kapluar shoqërinë myslimanë në Shqipëri. Ai thotë se në radhë të parë, njeriu duhet t’i bëjë reformim vetes së tij dhe të mësohet me të rejat. Shqiptari, në të shumtën e rasteve, e ka të vështirë të braktisë një mentalitet, një sistem jetese dhe shpeshherë as nuk e dëshiron diçka të tillë, e të kalojë në një sistem tjetër. Edhe kur ai e shikon se jeta që ka ndërtuar, zakonet që praktikon, mentaliteti që ka, janë në kundërshtim me Sheriatin, as në këtë pikë nuk merr guximin të ndryshojë. Në fakt, duhet të jetë e kundërta. Sidomos myslimani, duhet të jetë vazhdimisht në kërkim të më së mirës, në kërkim të së resë. Kjo duhet të bëhet për të shpëtuar nga mjerimi, për të penguar shkatërrimin. Popujt e qytetëruar, edhe pse me vështirësi, kanë kryer reforma të ndryshme në jetën e tyre, derisa arritën të vendosnin standarde të reja. Në fund të këtij artikulli, Vuçiterni thotë se e vetmja rrugë për të arritur një ndryshim pozitiv, në plan individual dhe shoqëror, është arsimi. Ai është i vetmi mjet që ndriçon mendjen. U jep fuqi dhe energji të reja brezave dhe shoqërive. Arsimi duhet të nxitet dhe të aplikohet në medrese, faltore, konferenca dhe në revistën fetare “Zani i Naltë”.
Ç’asht Kur’ani?[13]
Në këtë artikull, Salih Vuçiternit i kërkohet një shkrim rreth temës “Ç’është Kur’ani?” Këtu ai bën një përshkrim të përgjithshëm, sipas pikëpamjeve të tij, se ç’është Kur’ani. Shpeshherë vë theksin se të përkufizosh Kur’anin me disa rreshta është diçka e paarritshme, sepse Kur’ani nuk mund të kufizohet dot. Megjithatë, ai i përmend një e nga një vlerat e Kur’anit, largpamësinë e tij, vizionin e tij, orientimin që u bën njerëzve dhe popujve, duke na risjellë para syve bëmat e popujve të mëparshëm; nxitjen e Kur’anit rreth kërkimit të diturisë nga mikro te makro; të qenët e Kur’anit një libër adhurimi dhe shpëtimi në të dyja botët, etj. Në fund të këtij artikulli, Salih Vuçiterni, për t’u mbyllur gojën kritikëve, se këto fjalë ai nuk i thotë ngaqë është vetë mysliman, por sepse Kur’ani me të vërtetë ashtu është, sjell për këta lexues, një citat nga një intelektual francez, z. Sidijo, i cili edhe ai, megjithëse nuk është mysliman, shpreh fjalët më të rralla për Kur’anin Famëlartë.
PËRFUNDIME
KONKLUZIONE
BIBLIOGRAFIA
[1]. https://sq.wikipedia.org/wiki/Salih_Vu%C3%A7it%C3%ABrni
[2]. Kolana “Zani i Naltë”, vëll. 1, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2015:657-659.
[3]. Vëll. 2, fq. 196-197.
[4]. Po aty, fq. 274.
[5]. Po aty, fq. 332.
[6]. Po aty, fq. 393.
[7]. Po aty, fq. 434.
[8]. Po aty, fq. 467.
[9]. Po aty, fq. 467.
[10]. “Uexhedna abaena” – Me këtë shprehje të gjuhës arabe vihet theksin në ajetin kuranor “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe ne po ndjekim gjurmët e tyre.”, Esh-Shu’ara’ 26:74 dhe në ajetin kuranor “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu”, Ez-Zuhruf 43:22, nëpërmjet të cilëve nënkuptohet apatia që ka pllakosur shoqërinë myslimane shqiptare dhe gjendja e tyre të përgjumur. (shënim i redaksisë).
[11]Vëll.2, f.501.
[12]Vëll.2, f.528.
[13]Vëll.4, f.509.
Foto Marubi
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...