Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Mar 25, 2019 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Ervis Jangulli
Abstrakt
Epoka moderne dhe postmoderne janë ngritur mbi disa koncepte, paradigma e botëkuptime. Koha jonë përmban në ngrehinën e vet problematika dhe sfida të ndryshme. Edhe shoqëria myslimane, nëse do ta përfytyrojmë si një trup më vete, gjendet përballë sfidave të shumta. Përballë problematikave bashkëkohore shoqëria myslimane duhet ta ofrojë zgjidhjen dhe melhemin brenda suazave të trashëgimisë islame. Sëmundja e këtij shekulli është mbisundimi i një zhvillimi shkencoro-teknologjik i bazuar në botëkuptimin materialist dhe egocentrik, njëherazi i tëhuajësuar nga etika e spiritualiteti. Shoqëria myslimane gjendet në pozicionin inferior për shkak të mosmarrjes përsipër të trashëgimisë intektualo-shpirtërore të traditës islame. Trashëgimia intelektualo-shpirtërore është nevojë urgjente për shoqëritë myslimane, që ta vendosin në skenë për të ofruar zgjidhje ndaj sfidave. Kjo trashëgimi mund të emërtohet me termin pasim i Islamit tradicional, pra të burimeve parësore të fesë dhe pasurinë e shtjellimit të këtyre burimeve nga mendimtarët, teologët, mistikët, filozofët dhe urtarët përgjatë shekujve. Kjo jo vetëm parandalon rënien e mëtejshme në greminat e formuara nga myslimanë radikalë apo modernistë, por edhe risjell një vizion në shoqëritë myslimane për t’u përballur denjësisht me sfidat e kohës dhe, në fund të fundit, të fitojë qëllimin real të çdo individi. Qëllimi i fundmë i traditës islame është arritja e përsosmërisë shpirtërore tek individi.
Fjalë kyçe: modernizmi, shkencizmi, ringjallja, trashëgimia, trashëgimia islame.
Hyrje
Para së gjithash, për t’i paraprirë çdo lloj ambiguiteti që mund të paraqitet në këtë temë, lejomëni të lëvroj disa koncepte kyçe, që ndërtojnë strukturën bazë të kësaj teze. Sqarimi i tyre është diç(ka) që s’mund të lihet mënjanë dhe skajshmërish i çmuar për ta vendosur idenë time brenda kontureve të duhura.
Shekulli në të cilin jetojmë ka tipar kryesor modernizmin, të qenët modern dhe anti-tradicional. Sfida e myslimanëve kuptohet më lehtë në përkufizimin dhe shtjellimin e këtyre dy koncepteve. Në kuptimin më të thellë të fjalës modern nuk nënkupton atë që është ‘në hap me kohën’, e as atë që është e suksesshme në zaptimin e natyrës, por të shkëputurën nga transcendentja dhe parimet e përhershme, që i janë zbuluar njeriut përmes shpalljes. Modernizmi nënkupton njerëzoren profane të ndarë nga burimi Hyjnor, e kësisoj të nënshtrueshme ndaj modave kalimtare të mendimit dhe tekave ndryshuese të egos.[1] Modernizmi është botëkuptimi në të cilin është ndërtuar ngrehina e epokës bashkëkohore, që është përjashtuese ndaj fenomeneve dhe aspekteve shpirtërore dhe e flak tutje botëkuptimin tradicional ku fizika e metafizika, trupi e shpirti bashkëjetonin në harmoni e paqe.
Nga ana tjetër qëndron tradita dhe tradicionalja ku nuk nënkuptoj zakonet a shprehitë e ngulitura në rrjedhën kohore të një qytetërimi nga përsëritja horizontale, por të vërteta me karakter mbiindividual. Me ‘traditë’ nënkuptohet e shenjta që i është zbritur njeriut përmes shpalljes, bashkë me shpalosjen dhe zhvillimin e mesazhit hyjnor. Kjo kundërvënie mes traditës e modernes është në rrafshin parimor, që do të thotë e kritikoj modernizmin në premisat bazë për t’i larguar perdet që e bëjnë iluzionaren të duket si reale dhe negativen si pozitive.[2]
Pa bërë përshkrime të shkoqitura e të detajuara, veçoria dhe elementi më qendror në epokën moderne është botëkuptimi materialisto-shkencor, që i rri përfund qytetërimit dhe botës moderne. ‘Përparimi’ e ‘zhvillimi’ i ashtuquajtur në këtë epokë është vetëm në rrafshin fizik dhe material ku ‘teknologjia e fundit’ është produkti më ashiqar i këtij zhvillimi. Ky ‘zhvillim’ është kritikuar për dëmet e mëdha që ka sjellë sidomos në shkatërrimin e mjedisit dhe vrasjet e luftërat e tmerrshme botërore, prapëseprapë mbahet me krenari egoiste si të jetë stadi më i lartë i zhvillimit. Në fakt, ky farë zhvillimi nga qytetërimi tradicional konsiderohet më i ulëti edhe për vetë faktin se e tëhuajëson njeriun nga realiteti e natyrshmëria e tij edhe për angazhimin e tepërt me dimensionin më të ulët në realitetin ontologjik, që konsiston me realitetin fizik e material. Modernistët nuk mund të përfytyrojnë asnjë shkencë tjetër përveç asaj që merret me gjëra materiale, sepse pikëpamja sasiore mund të zbatohet vetëm në ato; kurse pretendimi që cilësia të reduktohet në sasi është gjëja më karakteristike në shkencën bashkëkohore.[3] Qytetërimi bashkëkohor është sasior, e thënë tjetërsoj, materialist[4] (brenda këtij konteksti dua të theksoj se shkenca materialiste është derivat dhe produkt i filozofisë materialiste që u zhvillua në Perëndim qysh prej shekullit XVI e më pas, sepse në fillim lind ideja më pas konkretizohet në prodhim dhe produkt).
Termi materializëm përdoret për të identifikuar një shkollë filozofike që ia atribuon origjinën e ekzistencës materies dhe që mohon ekzistencën e gjithçkaje jomateriale ose përtejmateriale. Materializmi nënkupton edhe marrjen në konsideratë vetëm kënaqësitë materiale e fizike të jetës së individit dhe shpërfill nevojat shpirtërore dhe synimet e objektivat eskatologjike të tij.[5]
Pa u zgjatur më tej, thelbi i epokës moderne është reduksionizmi, që qëndron në zemrën e botëkuptimit materialisto-shkencor. Botëkuptimi modern shkencor është materialist e reduksionist dhe është gati-gati totalisht i kundërt me botëkuptimin tradicional se si ato e shihnin njeriun, botën dhe kozmosin dhe pothuaj nuk kanë pika të përbashkëta në rrafshin parimor mbi të cilin ato ngrihen.
Kjo vihet re edhe në premisat që formojnë themelet e botëkuptimeve gjegjëse, por gjithashtu edhe në qëllimet dhe synimet e tyre përfundimtare; shkenca tradicionale islame dhe shkencizmi modern. Themelet epistemologjike ndryshojnë te botëkuptimi tradicional islam dhe ai modern. Botëkuptimi modern materialist është individualist, që mohon çfarëdolloj parimi, që qëndron sipëror ndaj individit dhe si pasojë krejt qytetërimi modern reduktohet në të gjithë sektorët e tij në elemente thjesht njerëzore.[6] Ndërsa botëkuptimi e shkenca tradicionale islame bazohet në dritën e arsyes (racios) dhe intelektit dhe aty ku arsyeja e intelekti nuk e gëzojnë sigurinë apodialektike, me të (sigurinë e vërtetë) mund të na pajisë drita e besimit.[7] Po ashtu qëllimi përfundimtar i këtij botëkuptimi modern është thjesht të njihet bota fizike si një realitet i pavarur dhe thjesht të bëjë një ‘zhvillim a përparim’ teknologjik në emër të lehtësimit të kushteve të jetës njerëzore edhe pse më shumë ia ka vështirësuar për arsye të tëhuajësimit që i ka shkaktuar. Ndërkohë, prapavijat metafizike dhe qëllimi përfundimtar i botëkuptimit tradicional islam, është t’i lidhë nivelet e ulëta të qenies dhe realitetit me më të lartat dhe e konsideron botën fizike të jetë thjesht rrafshi më i ulët në realitetin hierarkik të gjithësisë, duke pasqyruar Urtinë e Allahut.[8]
Thelbi i idesë sime është gjendja e tmerrshme inferiore e myslimanëve në tërësi nga ‘zhvillimi dhe përparimi’ artificial dhe i kufizuar i epokës moderne ku me filozofinë materialiste e shkencën reduksioniste është thjesht një ‘ngjitje’ iluzioniste dhe më pas (sipas shumë filozofëve dhe teoricienëve të njohur në perëndim teksa parashohin/parashikojnë) një rënie teposhtë pa shpëtim për vetveten. Kjo gjendje inferioriteti me të cilën përballen myslimanët vjen si pasojë e mosnjohjes së pasurisë së trashëgimisë intelektualo-shpirtërore të traditës islame nga njëra anë dhe mosnjohja në esencë e natyrës së qytetërimit modern e postmodern kryesisht në perëndim. Teksa në shekujt e fundit qindra orientalistë janë vërsulur drejt lindjes për të njohur fenë dhe botëkuptimin e myslimanëve, nga ana tjetër, myslimanët nuk e njohin në thelb natyrën dhe esencën e botëkuptimit modern. Kjo disfatë i shtohet humbjes dhe shkëputjes që kanë myslimanët e sotëm me trashëgiminë e tyre intelektualo-shpirtërore.
Ringjallja e traditës intelektualo-shpirtërore islame
Njohja e trashëgimisë/traditës dhe vënia në skenën e këtij shekulli mund të zgjidhë shumë nyje të pazgjidhura dhe të ofrojë shërim për shumë sëmundje të pashërueshme, që kanë pllakosur shoqëritë e këtij shekulli. Ndër mendimtarët dhe intelektualët, të cilët kanë dhënë kontribut të vyer në ringjalljen e trashëgimisë islame në shekullin e fundit mund të përmendim: Muhamed Ikbali, Alija Izetbegoviç, Ismail Faruki, Sejid Nakib Attas e të tjerë.
E para gjë që duhet të kemi parasysh është se ekzistojnë dy mënyra/lloje bazë të dijes/njohjes: nakli dhe akli, ku e para ka të bëjë me dituritë e transmetuara dhe e dyta me dituritë intelektuale. Dija e transmetuar është kur merret nga dikush tjetër dhe përcillet brez pas brezi, ku tipari kryesor dhe specifik për këtë lloj dije është taklidi (imitimi).[9] Ndërsa dija intelektuale është e arritshme/gjetshme vetëm brenda vetes sonë duke ‘stërvit mendjen’ do shpreheshin filozofët dhe duke ‘dëlirë zemrën’ do thoshin mistikët. Karakteristika specifike se si arrihet është tahkiku (realizimi dhe vërtetësia).
Dija e transmetuar është e përhapur pothuaj kudo, në çdo fe e kulturë dhe nuk është arsyeja thelbësore e stagnimit të botës myslimane.
Kurse sa i përket dijes intelektuale është dija që ofron siguri të plotë në thellësitë e shpirtrave tanë. Dija intelektuale arrihet nëpërmjet tahkikut, që përbën të njohurit e gjërave duke ua verifikuar e realizuar vërtetësinë dhe realitetin vetë. Nuk mund të verifikohet vërtetësia dhe realiteti i gjërave pa i njohur ato drejtpërsëdrejti, në vetvete, pa ndihmën e askujt veç Zotit.[10] Duke pasur në vëmendje këtë lloj ndarjeje, kuptohet se ajo që po vuajmë ne sot është zhdukja kryesisht, jo krejtësisht, e trashëgimisë së dijes intelektuale. Në qytetërimin islam, kërkimi i dijes intelektuale (kryesisht) është ndërmarrë në dy lëmenj të gjerë të diturisë, nëse do ta themi shkurt, gjegjësisht filozofia dhe sufizmi (mistika).
Tradita e pamasë intelektuale e Islamit në konturet e saj madhështore zotëron/përmban një thesar të paanë mendimi. Tradita e tij në lëmin e veprimtarisë intelektuale është ndër më të pasurat e qytetërimeve të botës. Pikërisht kjo traditë e stërpasur (tradita intelektuale) me dy lëmenjtë e gjerë të diturisë (filozofia e sufizmi) ka shtjelluar dhe është fokusuar në katër tema bazë dhe të mirëfillta për tahkik (realizim): metafizika, kozmologjia, psikologjia shpirtërore dhe etika.[11]
Metafizika është studimi i realitetit të parë dhe të fundit, që përshkon të gjitha dukuritë. Tema e diskutimit është Zoti ku shpesh ai quhet me emra të përgjithshëm si “Qenia”, “i Domosdoshmi”, apo “i Vërteti”. Mendimi dhe intelekti duhet përqendruar vetëm tek i Vërteti që, në fakt, është vetëm Zoti, në bazë të shehadetit ku dëshmia La ilahe il-la’Llah, që është realiteti i epërm i Islamit, pohon dhe afirmon se i Vërteti është vetëm Ai.[12]
Njëshmëria e Allahut, teuhidi është parimi i parë islam dhe i çdo gjëje islame.[13] Me fjalë të tjera ky kryeparim, mbi të gjitha është shpirtëror dhe intelektual para se të jetë praktik, por normalisht përfshin çdo detaj të botëkuptimit islam, duke qenë rrënja dhe thelbi i këtij botëkuptimi. Në botë sot për sot janë të paktë intelektualët e mirëfilltë myslimanë në kuptimin e konceptit që përkufizova më sipër. Nuk ka shumë mendimtarë myslimanë anembanë botës që të mendojnë njëqind për qind në mënyrë islame. Po ç’do të thotë të mendosh në mënyrë islame?
Të mendosh në mënyrë islame, do të thotë ta përdorësh mendjen në mënyrë që të përkojë me synimet e Kur’anit dhe Sunetit. Ku qëllimi dhe synimi i tërë fesë islame është t’i sjellë njerëzit në harmoni me mënyrën, në të cilën janë gjërat në të vërtetë. Me fjalë të tjera, t’i rikthejë në praninë e Zotit, nga e cila edhe dolën.[14] Teuhidi është kryeparimi që mendimi ynë duhet të çelë dhe të japë fryte. Ismail Faruki nënrendit disa parime të rëndësishme që burojnë drejtpërdrejt nga Njëshmëria e Allahut, siç janë:
1- Njësimi i krijimit që rrjedh logjikshëm nga Njëshmëria e Allahut.
2- Njësimi i së vërtetës dhe njësimi i diturisë, që do të thotë se arsyeja mund të ketë iluzionet e veta mirëpo duhet edhe afirmimi nga burimi i pagabueshëm i shpalljes.
3- Njësimi i jetës ku nënkupton se të gjitha veprimtaritë e jetës janë të njësuara dhe jo të ndara në profane dhe të shenjta.
4- Njësimi i njerëzimit që nënkupton jo etnocentrizëm (racizëm dhe superioritet në nacionalizëm).[15]
Para se të kaloj te tema e dytë madhore e përshtatshme për tahkik (realizim) duhet të ritheksoj edhe njëherë se, dija intelektuale dhe mendimi i të kuptuarit intelektual është i një rëndësie madhore. Me fjalët e njërit prej mjeshtërve më të mëdhenj të traditës intelektuale Mevlana Xhelaluddin Rumiu na kujton për përparësinë e mendimit në vargjet e tij:
Vëlla, ti je bash nji ky mendim –
e pjesa tjetër veç koca e ind.
N’mendofsh ti drandofile,
je vetë drandofilishte,
e n’paç në mendje ferra,
qymyr për furrë qi digjet.[16]
Tema e dytë bazë është kozmologjia, që ka qenë fushë e denjë që njeriu të bënte tahkik (realizim) dhe nga fushat që mendimtarët, urtarët e filozofët janë angazhuar më së tepërmi.
Kozmologjia është lëmi i shfaqjes dhe zhdukjes së gjithësisë.[17] Gjithësia është një libër i madh ku shpalosen dhe manifestohen këtu e tani, orë e çast Emrat dhe Atributet e Zotit e që janë ajete (shenja) të Zotit.
Tema e tretë, që është psikologjia shpirtërore, merret me njohjen e thellë të shpirtit të njeriut që po ashtu si kozmosi është/bëhet çdo moment vendmanifestim / vendshpalosje, vendpasqyrim i Emrave të Bukur të Zotit e që janë ajete (shenja) të Zotit.
E fundit, etika që është lëmi i urtisë praktike dhe raporteve ndërvetjake. Angazhohet në përfitimin e virtyteve për shpirtin e kthimin e tyre në natyrë të dytë dhe po kështu konsiston në ndjekjen e udhëzimeve të Zotit për t’i kryer veprimtaritë në harmoni me të Vërtetin, kozmosin dhe qeniet e tjera njerëzore.
Shihet qartë dhe kuptohet natyrshëm se fokusi dhe pika esenciale e këtyre temave qendërzohej te nefsi-vetja. Vetja njerëzore (nefsi) është çështja kyç, sepse vetëm ajo mund ta arrijë njohjen e Zotit e të kozmosit.[18] Kjo realizohet duke përpunuar fuqinë e saj të brendshme, që quhet intelekt (akl), ose zemër (kalb). Për ta përpunuar këtë fuqi, njerëzit duhet të njohin natyrën e vetes (nefsit) së tyre, gjë e cila nuk mund të njihet kurrsesi nga jashtë, por vetëm nga brenda. Një vetënjohje e tillë konsiderohet e mbështetur në realizim, verifikim e jo në imitim. Prandaj kjo vetënjohje është urë e sigurt në njohjen e Zotit duke qenë se vetënjohja dhe njohja e Zotit e shprehur te shehadeti La ilahe il-lAllah janë që të dyja të rrënjosura thellë në tahkik (realizim e verifikim).
Pikë tjetër e rëndësishme që vihet në skenë nga tradita intelektualo-shpirtërore islame dhe një nga synimet e saj thelbësore është thyerja e guaskës së dogmatizmit, që do të thotë të kapërcesh përtej dogmatizmit.[19] Një nga personalitetet më të spikatur brenda kësaj tradite, Imam Gazaliu, e sulmon shpesh mendësinë dogmatike, duke shpjeguar se shpeshherë dija e transmetuar bëhet perde që pengon arritjen e të kuptuarit intelektual.
Synim tjetër i rëndësishëm i traditës intelektualo-shpirtërore pas kapërcimit të mendimit dogmatik është të gjejë bërthamën dhe të njohë Realitetin e Vërtetë për vete dhe të pohuarit e absolutshmërisë së të Vërtetit. Metodologjia e tahkikut beson se inteligjenca njerëzore është e puqshme me të Vërtetin dhe se i Vërteti është një. Nuk duhet harruar se shpallja cek si dijen intelektuale, ashtu edhe të transmetuarën. Madje, këto dy lëmenj vihen re te dy gjysmat e Shehadetit, ku gjysma e parë cek teuhidin – themelin e tërë dijes intelektuale, ndërsa e dyta profetësinë – parimin e dijes së transmetuar, fetare.[20] Gjithsesi fokusi mbetet vetëm te dija intelektuale e arritshme kryesisht te dy subjekte, siç janë filozofia dhe sufizmi dhe e trajtuar në katër sferat e mëdha që janë hulumtuar nga mjeshtrit e mëdhenj intelektualë myslimanë.
Nëse do përpiqemi t’u gjejmë një truall të përbashkët gjithë synimeve dhe tipareve të trashëgimisë intelektuale islame, padyshim ajo është vizioni njësues, që kjo traditë e përmban me shumë xhelozi/krenari. Shkencat e ndryshme nuk kuptoheshin të ndara siç kuptohen sot që po sundon tekthirizmi (me i bë gjërat shumë), mirëpo bashkëharmonizoheshin dhe shiheshin si lëmenj ndërplotësues. Sa më shumë zbulohej dhe hulumtohej te bota e jashtme (kozmologjia), aq më tepër individi arrinte të thellohej e të depërtonte në botën e brendshme (psikologji shpirtërore). Në fund të fundit, qendra ku çdo gjë rrethohej dhe pika kyç ishte njohja e nefsit (vetes) dhe pikërisht ky ishte edhe qëllimi i studimeve intelektuale-shpirtërore: njohja dhe përkryerja e vetes njerëzore. Duke përdorur shprehjen e famshme të Ibn Arabiut, synimi i jetës njerëzore ishte arritja e pozitës së një “njeriu të përkryer” (insan kamil).
Përfundim
Siç u theksua që në hyrje të këtij materiali, shekulli i tanishëm dhe shoqëria moderne perëndimore i ofron sfida të panumërta dhe pothuaj në të gjitha lëmenjtë shoqërisë myslimane. Sfidat e shtruara nga Perëndimi ndaj botës myslimane gjatë kësaj periudhe shtrihen në të gjitha nivelet e ekzistencës, në atë ushtarake, ekonomike, sociale, kulturore dhe intelektuale.[21] Duke qenë, mbi të gjitha, kjo sfidë intelektuale, reagimi i parë i myslimanëve ka qenë pikërisht në këtë spektër. Kësaj i shtohet edhe fakti se problemi më i madh i Perëndimit ose “idhulli më i adhuruar apo fetishizuar i njerëzve modernë prej gati dyqind vjetësh ka qenë shkenca”.[22] Kështu që, përballja dhe qëndrimi më i denjë i myslimanëve, në mënyrë që të jenë në harmoni me shpirtin dhe thelbin e fesë islame dhe traditën e tyre, konsiston në atë se myslimanët duhet të bëjnë çdo përpjekje ta ringjallin mendimin dhe traditën intelektualo-shpirtërore që ata e kanë në zemrën e rrjedhës së historisë. Pa u njohur ‘autoritetet’ me të cilat nënkuptohen pikat e përbashkëta të hulumtimit intelektual të tyre, do ishte gati e pamundur ecja në shinat e traditës intelektualo-shpirtërore që ofron vetë Islami, Kur’ani dhe Suneti. Njohja e Ibn Sinës, Imam Gazaliut, Ibn Arabiut, Sadruddin Konjaviut, Mevlana Xhelaluddin Rumiut e shumë mjeshtërve kolosë të kësaj tradite, që kanë thyer guaskën e dogmatizmit dhe janë realizuar në potencialin e tyre më të lartë, do ishte hapi i parë drejt rrugës së gjatë të kësaj tradite. Nëse njëri prej këtyre mjeshtërve do udhëtonte nga ajo epokë te kjo e sotmja, teksa do të kundronte botën e sotme myslimane, do të tromaksej e do të shushatej se sa larg jemi nga tradita jonë intelektualo-shpirtërore e me sa mijëra vogëlsira angazhohemi me tërë kapacitetin tonë dhe, nga ana tjetër, se sa problematika të imta e të dobëta po e mbysin botën moderne. Bota moderne është artificiale në zhvillimin e saj, ashtu siç mund të fryhet një tullumbace dhe plasja e tij është sa e kollajtë aq edhe e afërt. Ndërsa trashëgimia jonë intelektualo-shpirtërore është e qëndrueshme dhe tejkohore, që ofron perspektivë për këdo, prandaj mund të thuhet në mënyrë të bindur se kjo duhet ringjallur te zemra e mendja e çdo myslimani dhe kjo rrugë duhet ndërmarrë nga inteligjenca myslimane. Kur të realizohet kjo, teuhidi triumfon dhe zotrat e shumtë modernë thyhen dhe shuhen, se përndryshe shohim çdo ditë se zotrat modernë adhurohen, duke u kamufluar në emra dhe stile modernistë.
Bibliografia
Bakar, Osman. Reagimi i intelektualëve myslimanë ndaj shkencës moderne, përkth. nga Rezart Beka, Ersamus; Qendra Studimore Fetare, 2014.
Chittick, C. William. Shkencë E Kozmosit, Shkencë E Shpirtit – Përshtatësia e kozmologjisë islame në botën moderne, përkth. nga Edin Q. Lohja, Tiranë: Zemra e Traditës, 2011.
Faruki, Ismail. Përkufizimi i tradicionalizmit islam, përkth. nga Ermira Dani, Erasmus; Qendra Studimore Fetare, 2014.
Guenon, Rene. Kriza e Botës Bashkëkohore, përkth nga Rene Guenon, Tiranë, 2012.
Nasr, S. Husein. Udhërrëfyes i të riut mysliman në botën moderne, përkth, nga Edin Q. Lohja, Tiranë: Zemra e Traditës, 2007.
Unal, Ali. Perspektivat Islame rreth Shkencës – Dija dhe Përgjegjësitë – përkth. nga Dritan Hoxha, Tiranë: Prizmi, 2014.
Yildirim, Suat. Degradimi Mbarëbotëror Prej Materializmit Shkencor, në librin e kuruar prej Unal, Ali. Islame rreth Shkencës – Dija dhe Përgjegjësitë – përkth. nga Dritan Hoxha, Tiranë: Prizmi, 2014.
[1]. Edin Q. Lohja, Parathënie, në S. H. Nasr, Udhërrëfyes i të riut mysliman në botën moderne, shqip. & par. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2007), f. 13.
[2]. Po aty, f. 13.
[3]. Rene Guenon, Kriza e Botës Bashkëkohore, shqip. Rene Guenon (Tiranë, 2012), f. 166.
[4]. Po aty, f. 173.
[5]. Suat Yildirim, Degradimi Mbarëbotëror Prej Materializmit Shkencor kuruar prej Ali Unal, Perspektivat Islame rreth Shkencës – Dija dhe Përgjegjësitë -, shqip. Dritan Hoxha (Tiranë: Prizmi, 2014), f. 141.
[6]. Rene Guenon, Kriza e Botës Bashkëkohore, shqip. Rene Guenon (Tiranë 2012), f. 109.
[7]. Ismail faruki, Përkufizimi i tradicionalizmit islam, shqip. Ermira Dani (Erasmus Qendra studimore fetare, 2014).
[8]. S. H. Nasr, Udhërrëfyes i të riut mysliman në botën moderne, shqip. & par. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2007), f. 234.
[9]. William C. Chittick, Shkencë E Kozmosit, Shkencë E Shpirtit, Përshtatsia e kozmologjisë islame në botën moderne, shqip. & par. Edin Q. Lohja (Tiranë:Zemra e Traditës, 2011, ribotim), f. 36.
[10]. Po aty, f. 56.
[11]. Po aty, f. 58.
[12]. Po aty, f. 58.
[13]. Ismail Faruki, Përkufizimi i tradicionalizmit islam, shqip. Ermira Dani (Erasmus Qendra Studimore Fetare, 2014).
[14]. William C. Chittick, Shkencë E Kozmosit, Shkencë E Shpirtit, Përshtatsia e kozmologjisë islame në botën moderne, shqip. & par. Edin Q. Lohja (Tiranë:Zemra e Traditës, 2011, ribotim), f. 42-43.
[15]. Ismail Faruki, Përkufizimi i tradicionalizmit islam, shqip. Ermira Dani (Erasmus Qendra Studimore Fetare, 2014).
[16]. William C. Chittick, Shkencë E Kozmosit, Shkencë E Shpirtit, Përshtatsia e kozmologjisë islame në botën moderne, shqip. & par. Edin Q. Lohja (Tiranë:Zemra e Traditës, 2011, ribotim), f. 71.
[17]. Po aty, f. 58.
[18]. Po aty, f. 59.
[19]. Po aty, f. 86.
[20]. Po aty, f. 89.
[21]. Osman Bakar, Reagimi i intelektualëve myslimanë ndaj shkencës moderne në librin “The History and Philosophy of Islamic Science”, shqip. Rezart Beka, (Ersamus Qendra Studimore Fetare, 2014).
[22]. Kuruar prej Ali Unal, Perspektivat Islame rreth Shkencës – Dija dhe Përgjegjësitë -, shqip. Dritan Hoxha (Tiranë: Prizmi, 2014), f. 51.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...