Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Feb 23, 2019 Zani i Nalte Sociologji 0
nga Msc. Sadije Gafuri, Tetovë, Maqedoni
Abstrakt
Nё ditët e sotme po përballemi me probleme që kёrcёnojnё ekuilibrin e shoqёrisё. Sot shumë çështje siç ёshtё shkenca, tregtia dhe njeriu, nё pёrgjithёsi, janë kthyer nё çështje globale. Pёr kёtё arsye edhe dialogu ёshtё bёrё i domosdoshëm.
Mirëpo njё nga arsyet e kësaj situate rrjedhin nga fakti se njerëzit nuk janë mjaftueshёm tё vetёdijshёm pёr vlerat e tyre, sidomos ato fetare, ku sipas njё fjale tё urtë njeriu ёshtё armik i asaj që nuk e di. Veçanërisht, ne kemi neglizhuar disa nga vlerat jetësore siç janë: toleranca, mirëkuptimi i ndёrsjellё, marrëdhëniet bashkëpunuese, dialogu ndёrfetar dhe ndërkulturor, tё cilat kanë njё rol jetësor nё arritjen e njё bashkëjetese afatgjate nё shoqëri.
Ky punim ёshtё përgatitur pёr tё informuar më gjerë myslimanët nё pёrgjithёsi, nxёnёsit e Medreseve dhe studentët e Departamentit tё Shkencave Islame gjithashtu edhe pjesëtarët e Bashkёsisё Fetare Islame tё Maqedonisë. Përveç kësaj çdokush që ka interes për informacion rreth kësaj teme mund të përfitojë nga ky punim.
Nё pjesën e parë tё këtij studimi do tё analizohet konteksti konceptual i dialogut. Do tё shpjegojmë se çfarë ёshtё dialogu ndёrfetar dhe cilat janë disa nga spekulimet që janë bёrё mbi tё. Ndërsa nё pjesën e dytë do tё flitet më tepër pёr dialogun dhe bashkёjetesёn nё Maqedoni dhe se si lindi harmonia ndërfetare në shoqërinë maqedonase.
Sё fundmi, do tё përpiqemi tё sjellim nё vëmendje faktin se bashkëjetesa fetare ёshtё njё vlerë jo vetëm e shqiptarëve tё Maqedonisë por përkundrazi ёshtё njё karakteristikë e shoqёrisё nё pёrgjithёsi, duke pёrfshirё edhe ata tё diasporës, më konkretisht e shohim edhe duke e ilustruar me përfundimet e njё ankete me afro tre qind e pesёdhjetё pjesëmarrës.
Fjalët Kyçe: Shoqëri, dialog, bashkëjetesë, dialogu ndërfetar, harmoni.
Hyrja
Tema e studimit
Historia e njerëzimit ёshtё dëshmitare se grindjet dhe zënkat mes besimeve tё ndryshme nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse dhimbje, urrejtje dhe mëri. Arsyeja më e madhe e kësaj mosmarrëveshjeje ёshtё fakti se nuk njihen aq sa duhet me njëri-tjetrin. Hapi i parë pёr sigurimin e bashkёjetesёs në paqe dhe harmoni ёshtё njohja reciproke. Njerëzit duke komunikuar me njëri-tjetrin i kuptojnë mё mirë ndjenjat dhe mendimet e tyre. Dhe, aq sa njihen e kuptohen me njёri-tjetrin ndёrtojnё ura paqeje mes tyre pёr t’i zgjidhur problemet e pёrbashkёta. Si pasojё, nё ditёt e sotme, kur marrёdhёniet me njёri-tjetrin janë tepër tё shpeshta, edhe komunikimi apo dialogu ndёrmjet tyre ёshtё njё domosdoshmёri.
Dialogu ёshtё biseda mes dy apo mё shumё personash. Ndёrsa, ai fetar ёshtё komunikimi apo biseda e njerёzve me besime të ndryshme qё bёhet duke synuar zgjidhjen e problematikave tё pёrbashkёta. Dialogu nё ditёt e sotme ёshtё ndёr temat mё aktuale dhe tё pёrfolura mes njerёzve, sidomos bazat fetare tё tij: nё Kur’an dhe nё Sunnet (nё Traditёn Profetike). Gjithashtu, njё tjetër pikё e rёndёsishme ёshtё edhe toleranca fetare e shoqёrisё sё Maqedonisё ndёr shekuj. Vlerё kjo tepёr e rёndёsishme pёr kombin dhe bashkatdhetarët tanë, tё cilёt, megjithёse shpeshherё janё shtypur apo diskriminuar, gjithmonё kanё qenё tё mendimit se rruga mё e drejtë ёshtё toleranca dhe dialogu ndёrfetar.
Pёr kёtё arsye, pjesёn e parё të këtij punimi do tё analizohet konteksti konceptual i dialogut nё pёrgjithёsi dhe dialogut ndёrfetar nё veçanti. Pas shpjegimit tё dialogut si fjalë dhe si koncept nё pjesёn e dytё do tё analizohet dialogu ndёrfetar nё Maqedoni. Sё fundmi, pas njё vështrimi tё pёrgjithshёm tё dialogut ndёrfetar në popullatën maqedonase do tё paraqiten edhe rezultatet e një ankete tё realizuar me pjesëmarrjen e afro 350 personave.
Qёllimi i kёtij punimi ёshtё qartёsimi i konceptit dialog ndёrfetar, theksimi i domosdoshmёrisё sё tij pёr paqen botёrore, si dhe kontributi, qё ka dhёnё shoqёria nё Maqedoni pёr ruajtjen e kёsaj vlere.
Konteksti konceptual
Vendi qё zёnё konceptet nё komunikimin dhe nё kuptimin e ndёrsjellё tё njerёzve ёshtё tejet i rёndёsishёm. Kushti i tё kuptuarit drejt njëri-tjetrin ёshtё përcaktimi i drejtë i kontekstit kuptimor tё koncepteve, arsyeja se përse këta njerëz, tё cilёt kanё vlera tё panumёrta tё pёrbashkёta me njёri tjetrin, diskutojnё ose debatojnё rreth dialogut ёshtё sepse ata nuk kanё njё konceptim tё njëjtë rreth kёtij termi. Duke u nisur nga ky fakt, nё pjesёn e parё do tё analizojmё kuptimin e dialogut.
I.2. Shtjellimi i termit dialog në aspektin islam
Sipas fjalorit, fjala dialog ka ardhur nga frëngjishtja, pёrveç kuptimeve qё ka nё gjuhёt perëndimore; ajo do tё thotë, “tё kuptohesh me njëri-tjetrin”, “tё përshtatesh me studimet qё janё bёrё nё kёtё rrugё”, ndёrsa sipas njё kufizimi tjetёr ai ёshtё “dialogu qё bёhet mes dy apo mё shumё personave mbi tema tё caktuara, njohja mes tyre si dhe diskutimi i pikave tё pёrbashkёta”. Si njё proces komunikimi, dialogu ёshtё njё përpjekje pёr t’u kuptuar dhe pёr t’u sqaruar, si dhe, mё tepёr se sa tё mundësh palёn pёrballё, dialogu ёshtё njё pёrpjekje pёr tё mёsuar diçka tё re dhe pёr ta ndarё atё me tё tjerёt. Nё njё kuptim mё tё gjerë dialogu ёshtё rruga ose mënyra se si tё kuptohen ose si tё komunikojnë njerëz tё racave dhe kulturave tё ndryshme sipas disa kritereve tё civilizuara. Ndёrsa, sipas aspektit, fetar dialogu ёshtё bashkëpunimi dhe diskutimi i pjesёtarёve tё feve tё ndryshme nё njё atmosferë paqësore pa u përpjekur tё imponohet mendimi apo besimi.[1]
Përveç kësaj dialogu ka edhe dimensione tё tjera, siç ёshtё dialogimi me vetveten dhe me universin. Kjo nënkuptohet nga shprehja filozofike, e cila citon se filozofia ёshtё bisedë e shpirtit me vetveten, ose çdo bisedë filozofike ёshtё bisedë me vetveten.[2]
Mirëpo, meqenëse kjo ёshtё njё bisedë e qëllimshme dhe me njё detyrë tё caktuar, atёherё çdo gjë që diskutohet duhet gradualisht tё shfaqet haptazi (si material, si kontekst dhe si pozicion), kështu që, “bota e jashtme” pak nga pak internalizohet apo shndërrohet nё botë tё brendshme”. Kjo arrihet atёherё kur bota e jashtme dhe ajo e brendshme, e cila ёshtё nё dialogim me tё, tё fillojë tё flasë. Nё kёtё drejtim, aftësia imanente pёr dialogimin e universit nuk bën asnjë përjashtim dhe as që pranon ndonjë kategori tabu.[3]
a. Dialogu Ndërfetar në Kur’an
Burimet kryesore të fesë Islame janë dy: Kur’ani dhe Suneti, tradita e profetit Muhamed a.s. Në të dyja këto burime, me normat dhe rregullat e tyre, trajtohet në mënyrë reale çështja e tolerancës dhe lirisë së besimit. Allahu në Kur’an jo vetëm që kërkon tolerancë, mirëkuptim, sjellje e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të besimeve të tjera, por edhe i njeh pasuesit e Judaizmit dhe Krishterimit si “Ithtarë të librit”.[4]
Në lidhje me dialogun ndërnjerëzor, ndërqytetërues apo ndërfetar në Kur’an gjenden ajete të shumta, të cilat i drejtohen problematikës në fjalë nga këndvështrime të ndryshme, por edhe nëse i kthehemi burimit të dytë në Islam, Sunetit të profetit Muhamed a.s. nuk do të hasim diçka të kundërt me atë që u përmend në Kur’an. Për të trajtuar çështjen e dialogut në aspektin islam, le ti hedhim një sy Kur’anit se ç’na thotë në lidhje me këtë:
“Thuaj (o i dërguar): O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij shok, të mos konsiderojmë njëri tjetrin zotër pos Allahut! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: Dëshmoni pra, se ne jemi myslimanë (besuam një Zot)!’’[5]
Po ti hedhim një sy komentimit të ajetit, komentuesi i njohur Elmalili M. Hamdi Yazir, thotë se çdo mosmarrëveshje ose kundërshtim zhduket vetëm me anë të marrëveshjes dhe ndërgjegjes së vërtetë në respektimin e vetëm një Zoti, e që është Allahu xh.sh. Kështu që në atë rast nuk mund të mbizotërojë mendimi i asnjërit, përveç fjalës së Allahut. Përveç Allahut të mos pranojmë Zot tjetër siç bënë të krishterët, të cilët Isain a.s e pranojnë si Zot, por ta pranojmë vetëm si rob dhe të dërguar të Allahut. Gjithashtu edhe papët, mbretërit apo udhëheqësit e tjerë t’i pranojmë si të tillë, çdo njërin prej tyre ta pranojmë në bazë të adhurimit të tij ndaj Allahut. Kur “Ehli Kitabët (Ithtarët e librave)” e kanë pyetur Profetin a.s. ai u përgjigj: “A nuk u besoni fjalëve të Papës dhe fjalëve të të tjerëve vetëm se ato fjalë janë të tyre? Ai pranim pra s’është gjë tjetër vetëm se pranimi i tyre si Zot’’.[6]
Kur’ani pohon se sikur të donte Zoti, do u imponohej njerëzve, që të zgjidhnin një fe të vetme, një besim të vetëm, një ngjyrë dhe një gjuhë të vetme. Por Zoti nuk e ka dashur diçka të tillë. Përkundrazi, Ai deshi dhe i krijoi të ndryshëm në fe, besime, ngjyra dhe gjuhë. Ai ka dashur, që këto dallime të vazhdojnë gjer në ditën e fundit të jetës së universit.[7]
“Sikur të dëshironte Zoti yt, do ti bënte njerëz të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete)”[8]
Një tjetër ajet që mbështet idenë se diversiteti racor, kulturor dhe i ngjyrave nuk është diçka që duhet të luftohet por përkundrazi është një pasuri e madhe që duhet vlerësuar:
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”[9]
Këtu theksohet edhe arsyeja se përse Allahu na ka krijuar në popuj e raca të ndryshme: Që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin. Sikur e gjithë bota të ishte një popull i vetëm njohja mes njerëzve do te ishte shumë e vështirë. Që të mundësohet realizimi i këtij dialogu ndërfetar, ndërkulturor apo ndërmjet racave të ndryshme, ne jemi krijuar në kombe të veçanta. Kur’ani nga myslimanët jo vetëm që kërkon tolerancë, mirëkuptim, sjellje dhe qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të besimeve të ndryshme, por ai shkon edhe më larg se toleranca sa që kalon shkallën e njohjes, e cila është edhe shkalla më e lartë e tolerancës, garanci për bashkëjetesë.[10]
b. Dialogu Ndërfetar në traditën profetike
“Atij të cilit i mungon butësia i mungojnë të gjitha të mirat”[11] (Transmeton Muslimi). Në histori ka shumë fjalë të shkruara, qoftë më herët, qoftë më vonë, por qëndrimet tolerante të profetit Muhamed a.s. ndaj myslimanëve të tjerë, kuptohet që këto fjalë bazohen në praktikën e Muhamedit a.s., i cili burim kryesor të tijin e ka pasur Kur’anin dhe Sunetin. Në një hadith të profetit a.s. thuhet:[12]
“Çdo kush që pa të drejtë e mundon një grup jomyslimanësh, unë jam armiku i tij. Ndërsa unë kujt i bëhem armik ai edhe ditën e gjykimit do të jetë armik me mua”.[13]
Nëse do hedhim njё sy nё jetën e Krenarisë së Njerëzimit a.s. do shohim se jeta e tij ishte e tëra e drejtuar nё orbitën e tolerancës dhe tё mirëkuptimit. Kёtё e shohim shumë mirë edhe nё qëndrimin e tij, tё cilin e kishte mbajtur edhe përpara Ebu Sufjanit, i cili e persekutoi atё gjatё gjithë jetës sё tij, megjithëse edhe më tutje ai vazhdonte ta shprehte atë se ende nuk ishte në bindje tё plotë nё lidhje me Islamin, mirëpo përtej tёrё atyre veprimeve ai a.s. vazhdonte tё thoshte: “Ata që gjejnë strehë nё shtёpinё e Ebu Sufjanit, janё tё sigurt, ashtu siç janё tё mbrojtur ata qё gjejnё strehё nё Qabe.” Pavarësisht asaj që nё respekt tё strehës dhe mbrojtjes së sigurt, shtёpinё e Ebu Sufjanit e përmend përkrah Qabes. Përveçse ishte urdhëruar tё mbështetej nё tolerancë dhe dialogu tё ishte nё themel tё misionit tё tij, Profeti a.s. u ishte drejtuar edhe atyre me tё cilët kishte gjëra tё pёrbashkёta siç ishin popujt e librit (hebrenjtё dhe tё krishterёt):[14]
“Thuaju: O ithtarё tё librit, ejani tё biem nё njё fjalë tё pёrbashkёt mes nesh dhe jush: Se do tё adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do ti shoqёrojmё Atij asgjë (nё adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë pёr zot njëri-tjetrin, nё vend tё Allahut!’’[…][15]
Toleranca dhe mirëkuptimi kanë qenë hapa tё pandashëm tё Profetit a.s. Një ndër treguesit më tё qartë tё njё tolerance tё pashoq ёshtё edhe shembulli i mёposhtёm, i cili njihet edhe si fjalimi i lamtumirës sё Profetit:
“O njerëz, dëgjoni ç’do t’ju them, sepse nuk e di se a do tё takohemi nё kёtё vend pas këtij viti”
“Me tё vёrtetё, gjaku juaj, pasuria dhe nderi juaj janë tё shenjta pёr ju, derisa tё takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç ёshtё e shenjtë kjo ditë, nё kёtё muaj dhe nё kёtё vend. Tё gjithë jeni pasardhës tё Ademit, e Ademi ёshtё prej dheut. Nuk ёshtё i pranueshëm kurrfarë dallimi mes jush. Nuk ka përparësi arabi ndaj jo arabit, as joarabi ndaj arabit. I ziu nuk ёshtё më i mirë se i kuqi, as i kuqi mё i mirë se i ziu, përveçse në devotshmëri.
Jini tё mёshirshёm ndaj njëri-tjetrit. Ju jeni vёllezёr e motra nё mes vete. Bëhuni tё drejtë dhe ruajeni shpirtin tuaj nga padrejtësia e dhuna.’’[16]
I.3. Disa keqkuptime mbi dialogun ndërfetar
Dialogu ndërfetar nuk është prodhim i një feje të re. Dialogu ndërfetar nuk është tentativa për të prodhuar një fe të re, duke i bashkuar ato ekzistente, përkundrazi dialogu ndërfetar është një marrëveshje ndërmjet feve të ndryshme për të zgjedhur problemet e përbashkëta.[17]
Aktivitet misionari. Dialogu ndërfetar nuk është një aktivitet misionari, ku ka lloj-lloj mënyrash për të përhapur fenë, mirëpo duke u nisur nga ajo se dialogu ndërfetar nuk është gjë tjetër vetëm se një prezantim, atëherë ky prezantim në vetvete përfshin një kuptim dhe informim të ndërsjellë.
Është e vërtetë që secili person do që t’u tregojë të tjerëve për fenë e tij, t’ju flasë për besimin e tij, ose dëshiron që të tjerët të kthehen në besimin e tij, por, në dialogun ndërfetare, kjo nuk është tematika kryesore. Njerëzit mund ta bëjnë të njohur fenë e tyre tek të tjerët me anë të veprimeve të cilat ata i kryejnë dhe kjo është e pashmangshme. Megjithatë nuk është ky qëllimi kryesor i dialogut ndërfetare, por, siç e theksuam edhe më lart, është thjesht gjetja e zgjidhjes së problemeve të përbashkëta të cilat shqetësojnë si myslimanët ashtu edhe të krishterët edhe të tjerët.[18]
Nuk është monolog ku flet vetëm njëra palë. Dialogu ndërfetar nuk është një monolog ku flet vetëm njëra palë dhe ku vetëm ajo duhet të dëgjohet, apo vetëm ajo duhet të kuptohet nga ana tjetër, përkundrazi dialogu ndërfetar përfshin shprehjen e ideve dhe mendimeve të të dyja palëve, dëgjimin e secilës prej tyre dhe mirëkuptimin e përbashkët.
Nuk është një polemikë mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Dialogu ndërfetar nuk është një polemikë mes pasuesve të feve të ndryshme. T’i hedhim një sy se çfarë është polemika: polemika është mos barazia dhe përjashtimi mes palëve në këtë aspekt.[19]
I.4. Dobitë e dialogut ndërfetar
Dobitë e dialogut ndërfetar janë të shumta, disa prej tyre janë parë në të kaluarën dhe disa prej tyre i shohim edhe në ditët e sotme dhe besojmë se shumë dobi të dialogut ndërfetar do vazhdojnë të shihen edhe në të ardhmen. Disa nga këto dobi do mundohemi t’i radhisim në këtë mënyrë: Një ndër karakteristikat kryesore të dialogut ndërfetar është edhe “takimi i drejtpërdrejtë” i palëve të ndryshme ose arritja e mundësisë për të jetuar bashkë, është shumë e kuptueshme që njerëzit, të cilët kanë dialog të vazhdueshëm, e kanë më të thjeshtë bashkëjetesën, sepse kjo eksperiencë është shumë e vyer për to dhe për bashkëjetesën në mënyrë të paqme.
Një tjetër avantazh, që dialogu ndërfetar ua siguron të dyja palëve, është realizimi i kuptimit të ndërsjellë, sepse ata vetëm me anë të dialogut do të arrinin që t’i kalonin pengesat mes tyre dhe dialogu në këtë aspekt nuk është zbutja e mendimeve të secilit, por thjesht është sjellja e tyre siç janë ata zakonisht pa ndryshuar dhe duke e pranuar palën përballë, statusin e palës përballë.
Dialogu ndërfetar gjithashtu thekson paqen mes të dyja anëve, në rast se mes të dyja palëve nuk do të ekzistonte kjo paqe, atëherë nga vetë fakti del që të mos kishte paqe as mes kombeve, dhe në të njëjtën mënyrë nëse nuk do të kishte dialog mes feve të ndryshme atëherë as paqja nuk do të ekzistonte mes tyre. Dialogu ndërfetar ju siguron të dyja anëve që të jenë më njerëzorë, sepse ata (përfaqësuesit e feve) duhet të kujdesen për pasuesit e fesë së tyre që ata të edukohen me një tolerancë fetare, duke qenë më të kujdesshëm ndaj veprimeve të ndërmarra kundrejt palës tjetër, në mënyrë që të ketë dashuri, paqe dhe drejtësi universale ndaj tyre.
Dialogu gjithashtu ul tensionet edhe përgatit themelet për një shoqëri, e cila do të jetojë në paqe. Me anë të takimeve që bëhen në emër të dialogut ndërfetar shohim sëmundjet e kohës ashtu siç janë: pasuria e tepërt, varfëria e tepërt, luksi, shëndeti, sëmundja si dhe shumë çekuilibrime të tjera mund të zgjidhen vetëm me anë të dialogut, bashkëpunimit dhe me një përpjekje e cila shfaqet nga të dyja palët për gjetjen e zgjidhjes së këtyre problemeve. Me anë të dialogut ndërfetar pajtohen përfaqësuesit e besimeve të ndryshme dhe kjo po arrin deri aty sa të sigurojë paqe jo vetëm te përfaqësuesit e besimeve, por arrihet paqja në mbarë shoqërinë.[20]
II.1. Si lindi harmonia ndërfetare në Maqedoni
“Çdo gjë që është vepruar në emër të njeriut është kundër tij, kurse çdo gjë që është vepruar në emër të Zotit është në të mirë të njeriut.”[21]
Bashkëjetesa ndërfetare në Maqedoni është më e pranishme në shoqërinë civile të vendit tonë, se sa bashkëjetesa ndërfetare në institucionet dhe politikën e shtetit.
Me anë të konferencës një ditore të mbajtur me 19 nëntor të vitit 2011, organizuar nga Forumi Rinor Islam, të përkrahur nga Sekretariati për Implementimin e marrëveshjes Kornizë pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, me temë “Të rinjtë dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare në Republikën e Maqedonisë”, është deklaruar se, përkundër të gjitha sfidave, problemeve, provokimeve dhe manifestimeve të papëlqyeshme që paraqiten në raste të ndryshme, shkalla e tolerancës në mesin e popullatës në Republikën e Maqedonisë mund të themi se është në nivel të konsiderueshëm.
Shqiptarët për nga vendi ku jetojnë kanë një pozitë gjeostrategjike në aspektin politik, social, kulturor, ideologjik apo fetar. Edhe gjatë historisë, si edhe sot, shqiptarëve detyrimisht u ka rënë në hise që të marrin pjesë në zënkat, mosmarrëveshjet, skizmat apo në luftërat për interesa mes fuqive të ndryshme.[22] Kështu ka qenë rasti gjatë sundimit të fuqive të mëdha si Perandoria Romake, Perandoria Bizantine, Perandoria Osmane, Shteti Serb,(;) i njëjtë ka qenë rasti edhe në periudhën e dominimit të ideologjisë komuniste, kështu është rasti edhe sot kur duhet të dominojë, sipas disave lindja, e sipas disave perëndimi, Evropa apo Amerika etj.; i njëjtë është rasti edhe me zënkat skizmatike se dominuese në Ballkan – gjegjësisht në tokat shqiptare – do të jetë Kisha Lindore Ortodokse apo ajo Perëndimore Katolike, ose sipas shprehjeve të sotme, në këto toka do të dominojë feja islame apo Krishterimi – Katolicizmi; sikurse shprehen një numër i caktuar politikanësh dhe intelektualësh shqiptarë se ne kemi qenë të krishterë dhe duhet të kthehemi përsëri te ajo fe perëndimore dhe evropiane, kurse duhet ta lëmë Islamin se ajo është fe lindore aziatike etj. Në fakt, që një njeri të ketë mundësi të thotë se Krishterimi është fe perëndimore, ai, sipas mendimit tim, duhet të shpërngulet në indi, sepse për indianët, Jerusalemi – vendi ku ka vepruar Isai (Jezu Krishti) – është perëndim, kurse nga ky vend ku ne jetojmë Jerusalemi është lindje. Kurse ata që prej këtij vendi ku jetojmë i thonë Krishterimit, e cila është lindore, fe perëndimore e mashtrojnë veten dhe i gënjejnë të tjerët. Pra, duke u nisur nga ky fakt, shqiptarët jetën e tyre shpirtërore dhe veprimet e tyre i kanë bazuar në botëkuptimet fetare dhe metafizike. Ata me anë të kësaj kanë shprehur dhe kanë vënë në dukje, gjegjësisht kanë manifestuar qëndrimet e tyre tolerante.[23]
Shqiptarët, të cilët jetojnë në Shqipëri, Kosovë si shtete shqiptare, në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi si pjesë të ndara të unitetit kombëtar dhe në diasporë si emigrantë dhe kurbetçinj, janë një popull ku zënë vend dy fetë më të mëdha monoteiste, Islami dhe Krishterimi (Katolicizmi dhe Ortodoksizmi).
Nё fillim të shekullit XX shqiptarët, ku pjesën dërmuese të tyre në të katër vilajetet, i Shkodrës, Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës, e kanë përbërë myslimanët me 1.305.080, katolikët me 109.592 dhe ortodoksët me 232.020. Po ashtu edhe sot shqiptarët përbëhen prej myslimanëve me 70 %, katolikëve me 10 % dhe prej ortodoksëve me 20 %, ku pjesën dërmuese të tyre e përbëjnë të parët. Pra, këto fe bënë që shqiptarët të kenë botëkuptime të ndryshme, po madje edhe të kundërta, por jo edhe armiqësore, në aspektin fetar. Edhe pse nga shumë rryma të ndryshme, me qëllime të caktuara propagandistike, shqiptarët janë quajtur grekë, turq, serbë, latinë, ata përsëri kanë arritur që të mbrojnë unitetin e tyre kombëtar, që deri më tash të mos bëhet pre e luftërave fetare, për të cilën mendoj se rol të madh luan botëkuptimi fetar islam.[24]
Kjo për arsye se shumica e shqiptarëve janë myslimanë dhe detyrimisht përfundojmë ose dalim në konkluzionin se, në të shumtën e rasteve, shumica është ajo që mund të destabilizojë ose të mbajë të qetë një vend dhe një popull. Meqenëse shumica e shqiptarëve janë myslimanë, atëherë shqiptarët myslimanë janë faktori kryesor paqeruajtës. Kuptohet se, këtu nuk duhet harruar edhe kontributi i komuniteteve të tjera fetare, edhe pse ai është më i vogël në krahasim me të parët. Kjo shihet edhe në shprehjet e intelektualëve shqiptarë të kohës së iluminizmit dhe të fillimit të shek. XX, të cilët janë shprehur kryekëput për një unitet kombëtar, duke dashur që të mbrojnë popullin nga divergjencat fraksionale dhe të grupimeve që mund të dominonin gjatë asaj kohe në popull. Prandaj shprehjet e tyre në disa raste kanë qenë pak më të buta e në disa raste më të ashpra.[25]
Kushtetuta, ligjet e tjera dhe politika e mbrojnë lirinë fetare dhe, në përgjithësi, Qeveria e ka respektuar lirinë fetare në ligj dhe në praktikë. Gjatë periudhës së raportimit nuk ka pasur ndryshim të gjendjes, në aspekt të respektimit të lirive fetare nga ana e Qeverisë. Shteti ka një sipërfaqe prej 25,333 km2 dhe 2.1 milionë banorë. Dy grupet kryesore fetare në vend i takojnë Krishterimit Ortodoks dhe Islamit. Përafërsisht 65 për qind e popullatës janë ortodoksë maqedonas dhe 32 për qind janë myslimanë. Grupet e tjera i përfshijnë katolikët, anëtarët e besimeve të ndryshme protestante dhe hebreje.
Ekziston një ndërlidhje e përgjithshme mes përkatësisë etnike dhe asaj fetare. Shumica e besimtarëve ortodoksë janë maqedonas etnikë, kurse shumica e besimtarëve myslimanë janë shqiptarë etnikë. Nuk ekziston një besim fetar zyrtar në nivel shtetëror, por me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001 ceken në mënyrë konkrete pesë grupe fetare: Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM), Bashkësia Islame e Maqedonisë, Kisha Katolike Romake, Bashkësia Hebreje dhe Kisha Evangjelike Metodiste. Pjesëtarët e grupeve të tjera fetare kanë pohuar se kjo gjë ka shkaktuar trajtim favorizues ndaj pesë grupeve të cekura nga ana e Qeverisë. Ligji parasheh që grupet fetare të regjistrohen, me qëllim të marrjes së statusit të subjektit juridik dhe parasheh që të gjitha grupet (e regjistruara) të jenë të ndara nga shteti dhe të barabarta para ligjit.[26]
Ligji i përcakton materialet e nevojshme për aplikacionet e regjistruesve të rinj, si dhe afatin kohor brenda të cilit gjykata duhet të marrë vendim. Ndonëse emri dhe shenja zyrtare e grupeve të reja duhet të jetë e ndryshme nga emrat dhe shenjat e grupeve që tashmë janë regjistruar, ligji lejon regjistrimin e më tepër grupeve të të njëjtit besim. Sipas interpretimit të gjykatave ligji parasheh që udhëheqësit e regjistruar të grupeve fetare të jenë shtetas të Maqedonisë.
Në ditët e përhapjes së dhunës dhe mungesës së harmonisë kolektive, që, fatkeqësisht, shpesh herë bëhet edhe në emër të Zotit, e ndjejmë të arsyeshme që edhe më shumë t’i japim shtytje procesit të dialogut. Kjo është koha kur shoqëria i ka mbyllur sytë para realitetit dhe ka shkuar aq larg saqë ka diskualifikuar religjionin në debat publik dhe shanset janë që sistemi të gjendet në materializëm të skajshëm të udhëhequr prej logjikës materialiste. Sot bota gjithnjë edhe më shumë ka nevojë për dialog. Për të arritur një dialog të mirëfilltë që të afron dhe jo të përçan, nuk duhet vetëm përpjekje të mëdha, por atë duhet konsideruar si imperativ kohor.[27]
Edhe pse legjislativi në Republikën e Maqedonisë, si shtet sekular, e respekton lirinë e besimit, ajo ka nevojë për përpjekje më të madhe institucionale që të nxisë edhe më shumë dialog ndërfetar dhe ndërkulturor me qëllim që të ul tensionet shoqërore në këtë vend, pasi dy etnitetet më të mëdha, ata maqedonase dhe shqiptare, përveç se i përkasin etnive të ndryshme ato janë edhe të feve të ndryshme, ortodoks dhe mysliman. Kjo ka bërë që popullata, edhe pse jetojnë pranë njëri-tjetrit, ato ndjehen shumë larg njëri-tjetrit.
Pikënisja e këtij fërkimi të kohëpaskohshëm etnik e fetar, dhe shpesh herë polarizimi ekstrem deri në skajshmërinë e luftës civile, ka filluar me qeverinë komuniste të viteve 1950, e cila pavarësisht faktit se regjimi ishte antifetar në tërë hapësirat ku sundonte ndalonte fenë dhe shkatërronte kultet fetare, në mënyrë paradoksale, në Maqedoni ishte rasti i kundërt, ai e favorizonte tej mase ortodoksizmin madje duke i dhënë edhe një prioritet karshi kishës ortodokse serbe, kjo me qëllim që të shtonte lojalitetin e maqedonasve karshi Jugosllavisë së atëhershme.[28]
Kriza e Kosovës e viteve 98 – 99, bëri që shumë shqiptar në Maqedoni të hapin dyert e strehimit për vëllezërit e tyre kosovarë, por kjo bëri që shumë maqedonas sllavë ta shohin këtë si kërcënim për integritetin dhe sovranitetin e shtetit të tyre, duke u frikësuar për realizimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Lufta e 2001 ndryshoi rrjedhat e harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni, pasi pala maqedone mendonte se ka plotësuar të gjitha të drejtat e pakicave, por realiteti tregonte se pala shqiptare nuk mund të konsiderohet pakicë. Konflikti mes maqedonasve dhe shqiptarëve dita ditës po rritej. Situata të vend filloi të polarizohej sidomos kur kësaj ju bashkëngjit edhe shkatërrimi i kulteve fetare të dy feve të mëdha.
Rasti më flagrant i politikës de-sekularizuese të qeverisë maqedone është ajo e (ai i) vrasjes së pesë maqedonasve ortodoksë në fshatin Smiljkovec ku qeveria, më konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme, akoma pa pasur asnjë provë konkrete e lidhi këtë rast me terrorizmin në emër të fesë islame, duke prangosur si të dyshuar shumë shqiptarë dhe myslimanë dhe duke i akuzuar ata për terrorizëm radikal islamist.
Rast tjetër jo më pak të rëndësishëm është edhe ai i gërmimeve në kalanë e Shkupit me çka rezultoi se aty paska dëshmi të një kishe antike maqedonase, kjo rezultoi me një protestë kundër ndërtimit të kishës në brendësi të Kalasë së Shkupit, por gjithashtu edhe me një kundërprotestë nga pala ortodokse maqedonase, që ngjante me një beteje rrugësh saqë aty u përfshi jo vetëm policia, por edhe krerë të lartë të politikës vendore; kjo gjithsesi ngjalli një reaksion të fuqishëm politik.
Në Republikën e Maqedonisë kemi raste edhe të abuzimeve dhe diskriminimeve në bazë fetare, pasi religjioni është i lidhur me etnitetin, siç është rasti me karnevalin anti-fetar dhe anti-etnik në Vevçan të Strugës, që ngjalli pakënaqësi në vend saqë si rrjedhojë e tij u dogjën dy kisha ortodokse, një në Strugë dhe tjetra në Tetovë.[29]
Njëri ndër parimet kryesore të harmonisë ndërfetare është edhe respektimi i ndërsjellë i simboleve fetare, me theks të veçantë i atyre simboleve që janë të dukshme për anëtarët e secilit grup, siç janë minaret dhe kryqet. Kjo harmoni disa herë është luhatur; një nga arsyet e fundit të kësaj luhatjeje janë edhe simbolet fetare.
Në vitet e fundit qytetarët e Maqedonisë, sidomos ato myslimanë dhe të krishterë, janë bërë jo vetëm dëshmitarë të një ngjarje të rrallë, por domosdoshmërish edhe protagonistë të një gare të pafund, të asaj se kush ndërton më shumë simbole fetare, cili do ti ndërtojë më të larta dhe në vende më strategjike. Kjo garë e arriti kulmin e saj me ndërtimin e kryqeve gjigande në vende malore që mund të shihen edhe prej distancave më të largëta. Ndërtimi i kryqeve dhe simboleve të mëvetësishme pa prezencë të kultit bazë nuk ka qenë traditë e besimtarëve të krishterë deri në vitet e fundit. Rasti i parë është ndërtimi i “kryqit të mileniumit, 66 metra i lartë i vendosur në krye të malit Vodno në qytetin e Shkupit.” Ndërtimi i kryqit në malin Vodno është veprimi më i dukshëm i desekularizimit të shtetit pasi ai u vendos në një vend publik të dukshëm për anëtarët e të gjitha komuniteteve.
Qeveria është ajo e cila duhet t’i kushtojë më tepër rëndësi zhvillimit të tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare përmes realizimit të fushatave të ndryshme që afirmojnë këto vlera. Sikur struktura politike shtetërore të ruante tolerancën ndaj popujve dhe feve, me siguri sot Maqedonia do të kishte një pasqyrë shumë më të mirë se këtë që ka sot.[30]
II.2. Dialogu ndërfetar një domosdoshmëri për shoqërinë në Maqedoni
A mund ta imagjinojmë botën sikur të gjithë njerëzit të ishin të njëjtë, të flisnin njëlloj, të visheshin njëlloj, të besonin njëlloj, e kështu me radhë? Si rrjedhojë e kësaj jete prej roboti njerëzit do kishin një sistem, një parti, një qeveri, një kuvend, një president, një gjyqësor etj.
Në pamje të parë duket diçka shumë e mirë, ashtu siç kanë me vite edhe shqiptarët në Maqedoni, të cilët mendonin se duhet të kenë një parti, sepse kjo sipas tyre do u jepte pozitë më të mirë në raport me maqedonasit, por parashtrohet hipoteza: sikur në këtë sistem monist do ishte paraqitur korrupsioni, shantazhi, vjedhja, padrejtësia, montimi etj., atëherë sado që do dëshironim të ndryshonim situatën nuk do kishim mundësi, sepse njëshi nuk mund të zëvendësohet me asgjë. Diversiteti i religjioneve, popujve dhe gjithçka në lidhje me mbarëvajtjen e shoqërisë, siç është politika, qeverisja, presidenca, gjyqësori etj., është një sprovë nga Zoti se sa jemi të aftë për të menaxhuar ndryshimet mes nesh, por mbi të gjitha është edhe një balancim i fuqive të lartpërmendura përfaqësuese.
“Dhe sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po Allahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit.”[31]
“E sikur Allahu të mos i zmbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat (sinagogat) e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i Allahut”.[32]
Sipas këtij verseti kuptojmë se sikur të mos kishte pasur ndryshime mes njerëzve dhe sikur fuqia do ishte në dorën e vetëm një grupi (një populli, një etniteti, një race, një feje etj.) bota do ishte e korruptuar, sepse njerëzit kanë nevojë që të tjerët t’i limitojnë dëshirat e tyre impulsive për ekspansion dhe dominim total.
Kurse verseti i dytë është edhe më specifik pasi Zoti justifikon balancimin e fuqive religjioze dhe fakti që fillimisht përmenden manastiret, kishat dhe havrat (sinagogat) para përmendjes së xhamive është shenjë se Zoti njeh ekzistencën e të gjitha kulteve fetare dhe urdhëron paprekshmërinë e tyre dhe respekt për ata që falen brenda tyre.
E ndjejmë të arsyeshme të theksojmë se në bazë të besimeve monoteiste principi i përgjithshëm i dialogut është se pavarësisht se kemi religjione të ndryshme, të përbashkët kemi besimin në një Zot dhe ky është i njëjti Zot për të gjithë. Jo rastësisht Allahu kur u referohet feve monoteiste i titullon “ithtarë të librave qiellorë”. E ndjej se ky paragraf do irritojë disa radikalë të mllefosur por çka tu bëjmë këtyre verseteve kuranore ku Zoti na këshillon që ithtarëve të librit (krishterëve dhe hebrejve) tu themi:
“Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij.” (Kur’an, 29: 46), “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos Allahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi myslimanë (besuam një Zot)”!” (Kur’an, 3, 64).
Islami nuk thërret vetëm për dialog, por tregon edhe se në çfarë forme duhet të zhvillohet ai. “ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurrë i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë”. (Kur’an, 29, 46) “Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” [33]
Por si mund ta konsiderojmë dialogun në Islam si diçka universale kur deri tani të gjitha versetet kur’anore u dedikoheshin vetëm pjesëtareve të fesë kristiane dhe hebreje. Si qëndron puna në raport me ata që janë pjesë e besimeve monoteiste? Kur’ani shkon edhe më tej me këshillat paqësore saqë kërkon respekt dhe mirëkuptim reciprok me çdo qenie njerëzore që është paqësore, qofshin këta edhe paganë apo ateistë.
“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë” (Kur’an, 60:8).[34]
Këtu Zoti qartazi bën thirrje, që të krijohet lidhje drejtësie dhe humanizmi me të gjithë ata që respektojnë lirinë e bashkëjetesës dhe dinjitetin njerëzor.
II.3. Sfidat e dialogut ndërfetar në Maqedoni
Në konferencën e organizuar, e cila zhvillohet në kuadër të agjendës globale të Kombeve të Bashkuara “Migrimi dhe sfida e integrimit përmes dialogut midis religjioneve dhe kulturave” Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë me në krye H. Sulejman Rexhepi bojkoton konferencën mirëpo, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi tha se institucioni që ai drejton ka marrë pjesë vetëm në konferencën e parë dhe të dytë botërore për dialog ndërfetar. Ai deklaroi për mediat se “BFI nuk do të marrë pjesë në konferenca të tilla”, sepse siç tha ai “në Maqedoni nuk ekziston dialogu ndërfetar dhe nuk respektohet komuniteti mysliman sa duhet”. Z. Rexhepi përmendi disa arsye për bojkotimin e kësaj konference botërore, me theks të veçantë rinovimin e xhamisë në çarshinë e Prilepit dhe mos lejimi i ndërtimit të xhamisë në fshatin Llazhec të Manastirit, ku numri i banorëve të komunitetit mysliman dhe ortodoks është i barabartë.
Sipas tij, me anë të konferencave të tilla “synojnë të gënjejnë botën se në këtë vend ka harmoni ndërfetare, drejtësi dhe vepron një shtet demokratik, por këtu ushtrohet një padrejtësi e madhe”. “Këtu në Maqedoni nuk ka dialog dhe unë nuk mund ta gënjej vetveten, nuk mund ta tradhtoj institucionin dhe interesat e tij, si dhe nuk mund të marrë pjesë në atë konferencë, të bëhem një instrument i rrejshëm dhe të krijojë atmosferë se këtu në Maqedoni vetëm qumësht dhe mjaltë bie nga qielli. Në këtë vend dialogu nuk ekziston, këtu ka qenë dhe ende mbretëron një diktaturë e çuditshme”, tha Rexhepi për AA. Rexhepi në vijim theksoi se në Konferencën e dytë botërore për dialog ndërfetar, mori pjesë me kusht që të fillojë rinovimi i xhamisë në Prilep. Mirëpo, siç tha ai, edhe pse është arritur të nënshkruhet marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë për rinovimin e saj, ajo marrëveshje nuk u zbatua.[35]
Vetë shteti i Maqedonisë, krahas sakrificave të shumëllojshme, është fryt edhe i kësaj bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare. Ne jemi të bindur dhe të vetëdijshëm se çdo besim fetar dialogun e ka në rrënjët e tij; harmonia, bashkëjetesa dhe respekti ekziston në shpirtin e çdo besimi fetar.
Kjo për arsye se mes përfaqësuesve kryesorë që na dhuruan shtetin shqiptar, ishin edhe prijësit fetarë të besimeve të ndryshme, apo edhe intelektualët e kohës të brumosur me besimet tradicionale fetare. Ne kemi trashëguar nga prijësit tanë fetarë, dashurinë për Zotin e për njeriun, si dhe respektin për çdo qenie njerëzore, pavarësisht ndasive që mund t’i karakterizojnë ata, si edhe detyrimin fundamental që të jemi në komunikim të vazhdueshëm me besimtarët e feve të tjera.
Natyrisht që dialogu kërkon përpjekje dhe vullnet, ndërkohë, modeli i harmonisë, tolerancës dhe dialogut ndërfetar në Maqedoni përbën një aspekt pozitiv të vullnetit dhe të kulturës së shoqërisë Maqedonase.
Ne myslimanët shqiptarë jemi në frymë dhe veprim pro vlerave më pozitive të demokracisë perëndimore dhe këtë e provojmë me bashkëjetesën vëllazërore me komunitetet e tjera fetare që në vendin tonë janë minoranca në këtë rast, por ne, me vetëdije dhe si pjesë organike e besimit tonë, asnjëherë nuk jemi sjellë përballë tyre si shumicë.
Besimi fetar në vetvete, qoftë ai islam, kristian apo tjetër, përtej instrumentalizimit dhe keqinterpretimeve, është burim i normave dhe vlerave më të shkëlqyera të bashkëjetesës njerëzore në çdo nivel. Për shembull, në aspektin e tij më themelor, Islami personifikohet me frazën më të përdorur të të gjithë Kur’anit: Bismi’lahirr – Rrahmanirr – Rrahim – “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Zoti e shfaq vetveten nëpërmjet Mëshirës dhe Dhembshurisë së Tij Absolute dhe Islami është themeluar mbi bazën e këtij pohimi. I tillë është thelbi i çdo besimi tradicional fetar që është trashëguar ndër ne shqiptarët, por si përfaqësues i komunitetit mysliman, duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj po i referohem vetëm Kur’anit. Urdhërimi për dialog është në përputhje të plotë edhe me urdhrat e Zotit që përmes shumë të dërguarve të tij, Ai përforcoi vlerën e dialogut. Rasti i Musait a.s. dhe Harunit a.s., ku Zoti i orientoi ata të flisnin me fjalë të buta edhe me një diktator siç ishte Faraoni, tregon rëndësinë që i jep feja dialogut për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve.[36]
Me keqardhje mund të themi se Islami ka qenë fe e keqkuptuar dhe për këtë, përgjithësisht, përgjegjësinë e kemi ne myslimanët. Kjo për arsye se shpesh herë myslimanët kanë rënë pre e interpretimeve të fesë për interesa politike e ideologjike dhe rrjedhimisht kanë qenë të mbyllur ndaj dialogut dhe ndonjëherë përjashtues ndaj kulturave të tjera. Shumë dështime të tyre myslimanët nuk i kanë kërkuar te totalitarizmi dhe mungesa e demokracisë dhe nivelit arsimor në vend, por janë shtyrë të arsyetojnë problemet e mëdha me teori konspirative sikur gjithë bota është bashkuar kundër myslimanëve.
Shembujt e bashkëjetesës dhe dialogut janë të shumtë në shumë vende, por ajo që e bën të veçantë bashkëjetesën bashkë me sfidat e saj është se, bashkëjetesa në Maqedoni fillon që në familje, në fqinjësi dhe shtrihet në të gjithë shoqërinë më pas. Ndonëse sfidat tona janë të mëdha, nuk mund të themi që janë të jashtëzakonshme.
Sidoqoftë mund të themi apo ta marrim si një shembull të gjallë bashkëjetesën dhe dialogun midis feve dhe etnive të ndryshme në Maqedoni sado që të mohohet përsëri mbetet një e vërtetë e pashmangshme.
III.1. Qasja e shqiptarëve të Maqedonisë ndaj dialogut ndërfetar
“Udhëheqësia e drejtë dhe e vërtetë nuk është ajo e cila qytetarët i bën që të ndihen të lirë, por ajo e cila qytetarët i bënë të ndihen të nevojshëm, gjegjësisht të domosdoshëm.”[37]
Barazia e njerëzve është fakt shpirtëror e jo natyror (fizik ose intelektual). Ajo
ekziston si vlerë e barabartë morale e njeriut, si dinjitet njerëzor, si vlerë e patjetërsueshme e barabartë e personalitetit njerëzor. Anasjelltas, si qenie fizike, mendore dhe shoqërore, si anëtarë të kolektivit, të popullit, të klasës, të sistemit politik, njerëzit gjithnjë janë tejet të pabarabartë dhe ky është një fakt para të cilit është e kotë t’i mbyllësh sytë.
Maqedonia është një shtet i vogël dhe shumëngjyrësh, qoftë në aspektin kulturor, ideologjik e fetar, qoftë në aspektin ekonomik, shoqëror e politik. Në aspektin kulturor, ideologjik dhe fetar Maqedonia, krahas besimeve dhe ideologjive të tjera, dominohet nga krishterimi (ortodoksizmi) dhe islami. Ndërkaq, në aspektin ekonomik, shoqëror dhe politik ky shtet i vogël është ndërmjet një sistemi monist, të cilin krerët aktualë politikë dhe intelektualë maqedonas e duan dhe përpiqen me mish e me shpirt ta ruajnë, dhe një sistemi demokratik, i cili vjen në Maqedoni mysafir dhe dëshiron të qëndrojë net të tëra me “zor”, apo ndoshta edhe të bëhet vendas. Por, krahas kësaj llojllojshmërie, “aga” në këtë vend, sidomos gjatë dhjetë vjetëve të fundit, është (le të themi ishte, gjë të cilën maqedonasit nuk dëshirojnë që ta kuptojnë) populli maqedonas.
Kjo pozitë e detyron këtë popull të vendosë (nëse dëshiron të jetë i shëndoshë) që, në “stinën e dimrit”, kur bën shumë ftohtë, të veshë rroba më të trasha, rroba dimërore, e kur bën nxehtë, në “stinën e verës”, të veshë rrobat verore, pra të kuptojë se në cilën kohë gjendet dhe se çfarë temperature politike dominon në atë kohë.
Siç edhe duket disa liderë maqedonas, meqë në këtë shtet të vogël kanë ardhur vetëm “verës” (pra këtë vend gjithmonë e kanë paramenduar vetëm të nxehtë si një sistem të përshtatshëm vetëm për ata), e tani, në kohën e “dimrit”, mërdhijnë, por nuk e dinë pse.
A thua nuk kujtohen fare se kanë harruar “t’i veshin rrobat e dimrit”? Sa mirë do të ishte të shikonin pak veten! Çdo gjë do të ishte e qartë! E megjithatë, kjo nuk më brengos shumë, sepse kjo është një mendësi ballkanike. Njeriu i këtij rajoni ballkanik nuk i thotë mjekut më ndihmo, por më jep këtë ilaç, se më ka bërë mirë, paçka se sëmundjet janë të llojllojshme.[38]
Për fat të keq, këtu, në këtë shtet të vogël, ne kemi të bëjmë me një grup njerëzish, liderë të nacionalitetit maqedonas (them një grup, sepse nuk besoj të gjithë maqedonasit të mendojnë si ata) të cilët, edhe pse të uritur, e hedhin bukën që e kanë për vete, edhe pse mërdhijnë nga të ftohtët, thyejnë dritaret e shtëpisë ku banojnë vetë, edhe pse dinë të ngasin makinën e dëmtojnë çelësin e saj, me një fjalë me njerëz që vrasin veten me dorën e vet. Këtë e bëjnë sepse nuk dëshirojnë ta shohin tjetrin të ngopur me bukë, të ngrohur kur bën ftohtë, ta shohin duke ngarë makinën, por ta shohin në këmbë.
E kështu pra edhe ne, së pari: kemi të bëjmë me një mendësi të Kishës Ortodokse
Maqedonase, e cila mban nën sqetullat e saj njerëz klerikë që e deklarojnë veten liderë shpirtërorë të trimave të ashtuquajtur “llavovi” (luanë), “vollci” (ujq) etj., apo bën shenjtërimin e tyre (duke u shpërndarë pllaka), kinse ata kanë qenë mbrojtësit e Maqedonisë. Pra, kanë qenë “mbrojtës” që shtëpitë e shqiptarëve të mos mbeten pa u prishur, që shqiptarët të mos mbeten pa u vrarë, me një fjalë që çdo gjë shqiptare të shkatërrohet dhe të bëhet pastrimi i Maqedonisë nga këta “elementë negativë” të shoqërisë. Së dyti: kemi të bëjmë me një aparaturë udhëheqëse të shtetit, e cila për të prishur një xhami e prish edhe kishën e vet, apo për të vrarë një shqiptar i vret edhe disa njerëz të palës së vet, ose për t’i nxjerrë të tjerët fajtorë e prish shtëpinë, hotelin e vet etj.
Pra, bie në ujdi që edhe vetë të dëmtohet, vetëm e vetëm që tjetri të mos fitojë gjë. Mentalitet ky i ulët, shumë i ulët, një mentalitet që nuk e pranon edhe vet Satani. Po ashtu mentalitet ky me të cilin habitet edhe Faraoni. Këtu nuk mund të kaloj pa e përmendur këndvështrimin e një sociologu për politikën. Sociologu shkruan se një herë një nxënësi mësuesi i kërkon që kur të shkojë në shtëpi të kërkojë prej prindërve të tij t’ia mësojnë se ç’është politika. Kur nxënësi vjen në shtëpi e pyet babanë se ç’është politika dhe ai thotë se nuk kemi aq kohë për të shpjeguar se ç’është politika, por, le të themi se unë (babai) jam kryetari i shtetit, nëna jote është qeveria, ti je shtresa intelektuale, foshnja është e ardhmja jonë, kurse kjo shërbyesja është klasa punëtore.
Dhe këtu babai i thotë se shpjegimin do ta vazhdojë nesër. Bien të flenë. Natën vonë, dëgjohen të qarat e një fëmije. Nxënësi çohet të shohë se çka ngjarë. Kur sheh foshnjën si qan, vëren se ajo e ka kryer nevojën e madhe dhe i vjen era nga larg. Ndërkaq, babanë e sheh duke fjetur me shërbyesen, nënën e gjen duke gërhitur pandërprerë. Kthehet përsëri te shtrati i vet dhe bie të flejë. Kur çohet në mëngjes, babai e thërret dhe i thotë: “Eja djali im të të tregoj se ç’është politika. Jo, babai im, i thotë djali, politikën e mësova. Po, ç’është politika, pra? – i thotë babai. Djali (nxënësi) thotë: Kryetari (babai) e shtyp klasën punëtore, qeveria (nëna) gjendet në gjumë, intelektualët (nxënësi) shëtisin lart poshtë, kurse e ardhmja (foshnja) është mbuluar nga ndyrësia e i vjen era nga larg. Kjo është politika, baba.”
Pra, kur shohim sjelljet dhe qëndrimet e disa liderëve politikë maqedonas dhe të disa prijësve fetarë të kishës, nuk mund të mos i quajmë të vërtetë këta shembuj. Dua të theksoj se me shembujt e lartshënuar nuk dëshiroj të jem pesimist apo të shpreh pesimizëm, as të formoj bindje pesimiste te të tjerët, sepse Zoti, edhe njeriut më të keq nuk ia humb shpresën për të jetuar sipas rregullave të Tij dhe që në botën e ardhshme (ahiret) të jetë fituesi i shpërblimit të Zotit, qoftë edhe t’i ketë bërë gabimet më të mëdha në këtë botë.[39]
Ndërkaq, periudhat e pakënaqësisë sociale, në esencë, janë pakënaqësi ndaj udhëheqjes e jo ndaj institucionit. Edhe kjo që ndodhi në Maqedoni nuk ishte kundër shtetit maqedonas por kundër udhëheqjes dhe udhëheqësve të saj, apo kundër metodologjisë së saj udhëheqëse. Prandaj profesori, Ferid Muhiq, thotë se, muzikantët mund të protestojnë kundër dirigjentit, por kjo nuk do të thotë se ata janë kundër dirigjimit; aktorët mund të jenë kundër regjisorit, por kjo nuk do të thotë se ata duan që shfaqja të bëhet pa regjisor.
Në fakt, njeriu mendon për veten atëherë kur mendon edhe për të tjerët, kështu që, duke menduar për të tjerët, ai mendon edhe për veten e tij. Ndërkaq nëse mendon vetëm për veten e tij e nuk mendon edhe për të tjerët, atëherë, mund të them se, ai nuk mendon as për vetveten.[40]
Nëse s’e pranoni shpirtëroren e njeriut atë fakt të rendit religjioz ju humbisni bazën e vetme reale të barazisë njerëzore; barazia atëbotë bëhet frazë pa mbështetje dhe pa vatër dhe, si e tillë, ajo do të zmbrapset shpejt para fakteve evidente të pabarazisë njerëzore, ose, edhe më tej, para synimit natyror të njeriut të sundojë dhe të nënshtrohet, pra të jetë i pabarabartë.
Sapo të braktiset qasja religjioze, hapësirën boshe sakaq e plotësojnë pabarazitë e ndryshme racore, nacionale, klasore, politike. Dinjiteti i njeriut s’ka mundur të zbulohet as me biologji, as me psikologji, as me shkencë përgjithësisht. Ai është çështje e rendit shpirtëror. Para barazisë, shkenca me “vëzhgim objektiv” do të vërtetonte pabarazinë e njerëzve, ndaj “racizmi shkencor” është fare i mundshëm dhe logjik.
Konkluzione
Toleranca dhe dialogu mbeten ndër faktorët më tё rëndësishëm tё sigurimit tё paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit mes individëve tё besimeve, racave, ngjyrave apo kombeve tё ndryshme. Toleranca ndërfetare është një vlerë e madhe dhe bazat e saj teologjike mund t’i gjejmë në shumë vargje kuranore si dhe në shumë skena të jetës së profetit Muhamed a.s. Allahu në Kur’an, në suren Huxhurat, thotë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu, më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (të këqijave) e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” Këtu vlerësohet devotshmëria dhe jo gjinia apo raca.
Nё tё njëjtën kohë dialogu dhe toleranca ndёrfetare mbeten ndër vlerat më tё mëdha tё shoqёrisё pa dallim vendndodhjeje. Pasi sollёm nё vёmendje bazat fetare të kёtij lloj dialogu, pra bazat në Kur’an dhe nё Traditёn Profetike, analizuam tolerancёn ndёrfetare në shoqëri nё pёrgjithёsi dhe sё fundmi sollёm disa rezultate të kёndvёshtrimit sociologjik dhe fetar qё shoqёria maqedonase kanë rreth dialogut ndёrfetar.
Njё ndër tendencat që spikati më tepër nё këto rezultate ishte edhe qëndrimi pozitiv i Shqiptareve tё Maqedonisë ku nga 100% pjesëmarrës 83 % ishin pro dialogut ndёrfetar, 80 % i pranojnë dhe respektojnë fetë si dhe ndjejnë keqardhje kur flitet keq pёr to. Pёr më tepër, pjesa më e madhe e tё dy grupeve, atyre pro dhe kundër dialogut ndёrfetar janë plotësisht dakord pёr njё martesë ndërfetare, tregues ky që sqaron se, megjithëse njerëzit mendojnë se janë kundër dialogut ndёrfetar ata nё praktikë janë pro tij. E gjitha kjo për arsye se martesa ёshtё kulmi i dialogut ndёrfetar dhe sipas Bogardus Social Distance Scale njё person që e pranon lidhjen martesore me dikë tё njё besimi tjetër atёherё ai person e pranon besimtarin tjetër si bashkështetas, si fqinj, si shok, mik etj.
Si përfundim, dialogu ndёrfetar ёshtё njё fenomen që me tё vёrtetёn ekziston në shoqërinë maqedonase dhe si i tillë dialogu duhet vlerësuar si nga njerëzit e thjeshtë ashtu edhe nga institucionet drejtuese të shtetit.
Bibliografia
“Popullsia myslimane shqiptare në Ballkan në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX”, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët-simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 Tetor 1992.
Ayduz, Davut, “Tarih Boyunca Dinlerarasi Diyalog”, 3. Basim, Istanbul: Isik Yayinlari, 2005.
Çupi, Xhemail, “Suksesi i konferencave ndërfetare në Maqedoni prej 2001 deri sot” Tetovë, pa vit botimi.
Daskalovski, Zidas “The macedonian conflict of 2001:between successful diplomacy, rhetoric and terror” Skopje, 2004.
Elmalılı, M. Hamdi Yazır, Hak Dini Kur’an Dili, v. 2, Stamboll, pa vit botimi.
Gylen, Fethullah, “Dashuri dhe Tolerancë”, Prizmi, 2012.
Ilievski, Petar “Tsrkovno-drzhavnite odnosi i megukonfesionalnata koexistentsia vo Makedonia” Skopje,1998.
Imam Neveviu, Rijadus-Salihin.
Jovanovic, Marija”Prosvetno-politichkite priliki vo Vardarska Makedonia” Skopje, pa vit botimi.
Katedra za Unesco “Raportimi mediatik mbi çështjet ndëretnike dhe ndërfetare në Republikën e Maqedonisë” MDG Achievement Fund, Skopje, 2012.
Konferenca “Të rinjtë dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare në Republikën e Maqedonisë”, 19 Nëntor 2011.
Kruja, Genti, “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar”, Prizmi, Tiranë, 2008.
Kur’an, përkth. Sherif Ahmedi, Ali Imran, Medine, 1987.
Milosavlevski, Slavko”Albanians in the Republic of Macedonia” Skopje, studentski zbor, 1997.
Mojzes, Paul “Tensions within Religious Communities in the Balkans” Skopje, 2007.
Mojzes, Paul ”The Second World Conference on Inter-Religious and Inter-Civilization Dialogue”
Ohrid, 2010.
Muhiq, Ferid, “Jazikot na Filozofijata” Shkup, Kultura, Logos i Hierarhija, 2001.
Nesimi, Qani, “Dialogu Obligim Hyjnor”, Shkup, Logos, 2005.
Petar “Tsrkovno-drzhavnite odnosi i megukonfesionalnata koexistentsia vo Makedonia” 1998.
Rešid, Hafizović, “Myslimani u dijalogu s drugima i sa sobom”, el-Kalem, Sarajevë, 2002.
Swidler, Leonard “Journal of Ecumenical Studies” Skopje, 2008.
Literatura
[1]. Ayduz, Davut, “Tarih Boyunca Dinlerarasi Diyalog”, 3. Basim, Istanbul: Isik Yayinlari, 2005:17.
[2]. Muhiq, Ferid, “Jazikot na Filozofijata”, Kultura, Shkup, 1995:144.
[3]. Po aty, 143.
[4]. Kruja, Genti, “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar”, Prizmi, Tiranë, 2008:91.
[5]. Kur’an, përkth. Sherif Ahmedi, Al Imran, Medine, 1987:64.
[6]. Elmalılı M.Hamdi Yazır,Hak Dini Kur’an Dili,v.2,Stamboll,pa vit botimi:348.
[7]. http://ardhmeriaonline.com/artikull/article/fjala-e-shejhut-te-ezherit-ne-konferencen-me-titull-njohja-e-qyteterimeve-2/#.VËsQltLtmko.
[8]. Kur’an, Hud, 11/118.
[9]. Kur’an, Huxhurat, 49/13
[10]. Kruja, Genti, 2008:92.
[11]. Imam Neveviu, Rijadus-Salihin.Hadithi, 643.
[12]. Nesimi, Qani, “Dialogu Obligim Hyjnor”, Shkup, 2005:48.
[13]. Hadith, po aty 48.
[14]. Gylen, Fethullah, “Dashuri dhe Tolerancë”, Prizmi, 2012:104.
[15]. Kur’an, Ali Imran, 64.
[16]. Kruja, Genti, 2008:94.
[17]. Ayduz, f. 25.
[18]. Po aty, 26.
[19]. Po aty, 27/28.
[20]. Ayduz, f. 29-30-31.
[21]. Rešid, Hafizović, “Myslimani u dijalogu s drugima i sa sobom”, el-Kalem, Sarajevë, 2002:31.
[22]. http://jusufzimeri.com/?p=2179/05/2015.
[23]. Nesimi, 2005:224.
[24]. Muhiq, 1995:19.
[25]. “Popullsia myslimane shqiptare në Ballkan në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX”, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë 1995:161.
[26]. Ilievski, Petar “Tsrkovno-drzhavnite odnosi i megukonfesionalnata koexistentsia vo Makedonia” Skopje, 1998:162.
[27]. Po aty, 164.
[28]. Jovanovic, Marija, “Prosvetno-politichkite priliki vo Vardarska Makedonia”, Skopje, pa vit botimi, f. 123.
[29]. Milosavlevski, Slavko, “Albanians in the Republic of Macedonia”, Skopje, 1997:83.
[30]. Konferenca “Të rinjtë dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare në Republikën e Maqedonisë”, 19 Nëntor 2011.
[31]. Kur’an, 2:251.
[32]. Kur’an, 22: 40.
[33]. Kur’an, 16: 125.
[34]. Kur’an, 60:8.
[35]. http://www.almakos.com/manastir-fillon-konferenca-boterore-per-dialog-nderfetar-bfi-e-bojkoton (qershor 2017)
[36]. http://afalc.org/al/shqip/lajme/3134-DIALOGU-sht-rrnj-feje.html. (qershor 2017)
[37]. Muhiq, Ferid, “Logos i Hierarhija”, Logos, Skopje, 2001:38.
[38]. Nesimi, 2005:208.
[39]. Po aty, 206.
[40]. Muhiq, 2001: 9.
Webliografia
https://www.state.gov/j/drl/rls/irf/religiousfreedom/index.htm#wrapper 02/2017/
http://www.almakos.com/manastir-fillon-konferenca-boterore-per-dialog-nderfetar-bfi-e-bojkoton.
http://afalc.org/al/shqip/lajme/3134-DIALOGU-sht-rrnj-feje.html
http://jusufzimeri.com/?p=2179/
Aug 11, 2020 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Dec 16, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...