Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 27, 2018 Zani i Nalte Histori, Studime 0
nga Nuridin Ahmeti, Prishtinë
“Çdo shqipëtar, duhet të dijë e të çmoji vleftën e rendësin e dheut e të flamurit kombëtar e të vetëqeverimit,e kështu me mish e me shpirtë, të ketë dashuri e të çfaqjë ndjenjat fisnike të kombësisë e të lërë kujtime të mira në “Histori”.
Hyrje
Sentenca e lartshënuar përmban vetëm disa nga porositë që Myftiu i Rrethit të Fierit, z. A. Spahiu ua drejton të pranishmëve në një fjalim ceremonial të organizuar në Fier më 1924, me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28. XI. 1912. Këto të dhëna, deri te ne kanë ardhur në formë raporti që ishte përgatitur nga Myftinia e Fierit më 1924, disa ditë pasi ishte mbajtur ceremonia në nënprefekturën e Fierit, siç quhej asokohe. Raporti mban nënshkrimin e Myftiut dhe datën 28. XI. 1924. Ky dokument është i protokolluar me numër 229 dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, në fondin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me siglën: AQSH, F. 482, V. 1924, D. 13, f. 1-5.
Janë disa arsye pse kemi menduar t’i bëjmë një vështrim këtij raporti dhe t’ua risjellim këtë lexuesve:
E para – deri më sot nuk dimë të jetë publikuar ky raport.
E dyta – botohet më rastin e nëntëdhjetë e trevjetorit të mbajtjes së këtij fjalimi dhe njëqindepesë vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
E treta – fjalët e myftiut të Fierit të shprehura në këtë manifestim, edhe sot janë aktuale.
E katërta – mënyra e festimi të kësaj feste, para më shumë se nëntëdhjetë viteve, duhet të jetë prej modeleve të mira edhe për kohën tonë, si për pushtetin, ashtu edhe për komunitetin.
E pesta – mbart mesazhin, përveç tjerash, edhe të asaj që ne si popull krenohemi – “të mirëkuptimit ndërfetar”.
E gjashta – pavarësisht se ky raport i përket një nënprefekture, siç ishte Fieri, mesazhi që bart i kalon kufijtë e vendit ku u mbajt.
Manifestimet qendrore që janë mbajtur në Tiranë, për disa vite janë botuar edhe në organin e atëhershëm të këtij komuniteti, në revistën “Zani i Naltë”. Duhet theksuar se në Shqipëri, në aspektin politik, viti për të cilin po flasim ishte mjaft i tendosur. Politika në Shqipërinë e viteve 1920-1924, solli edhe mjaft pakënaqësi te popullata, si rezultat i së cilës do të fillonte edhe një kryengritje që njihet si “Kryengritja e qershorit” dhe që solli qeverinë gjashtë mujore të Fan Nolit (nga 16 qershori deri më 24 dhjetor të vitit 1924) dhe rikthimin e Ahmet Zogut (më 24 dhjetor 1924).[1]
Pavarësisht rrethanave specifike e politike të kohës, Komuniteti Mysliman në Shqipëri, nuk e harroi shënimin e kësaj festë. Duhet përmendur se me gjithë ndërrimet në pushtet, legjislacioni me të cilin funksiononin komunitetet fetare në Shqipëri ishte ai që u bë pas viteve ‘20.[2]
Po si u shënua kjo festë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar gjatë viteve 1920-1924
Shkresa e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës drejtuar GJNSH më 1922
Dokumentacioni nga fondi i Komunitetit Mysliman, që gjendet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, ofron mjaft të dhëna për organizimin e kësaj feste ndër vite, por edhe në vitet që ne kemi marrë në trajtim.
Përpjekjet faktike për t’u shkëputur nga Turqia, myslimanët në Shqipëri i filluan nga viti 1913, kur haxhi Vehbi Dibra, krahas detyrës së caktuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës si udhëheqës i Senatit, atij i ngarkohet edhe detyra e udhëheqësit të Komuniteti Mysliman të Shqipërisë.[3] Nga viti 1916, kur forcat austro-hungareze pushtojnë Shqipërinë, në dokumentacionin që ne kemi hasur në Fondin e Komunitetit Mysliman në këtë arkiv, por edhe në literaturën përkatëse, nuk kemi gjetur ndonjë të dhënë se është shënuar zyrtarisht kjo festë nga ana e Komunitetit Mysliman, mbase mund të ketë pasur ndonjë festim individual. Pavarësisht se nuk kemi të dhëna për festim zyrtar të kësaj feste në këtë kohë, disa të dhëna tregojnë për përpjekjet e administratës austro-hungareze në Shqipëri, për reformimin e administratës dhe institucionit të KMSH-së.
Mbështetur në disa dokumente, si ai e 7 prillit 1917, i dërguar nga Komanda austro-hungareze në Shkodër, tregojnë se është festuar një festë (nuk tregohet se për çfarë feste bëhet fjalë) nga disa xhami të cilat i administron KMSH, por që nuk kanë marrë leje paraprake nga kjo komandë.[4] Përkitazi më letrën e lartcekur, Gjyqi i Naltë i Sheriatit, në shkresën nr. 39, e cila i drejtohet kadiut të Shkodrës më 14 prill 1917, sqaron se asnjë festë popullore etj., nuk duhet të organizohet pa lejen paraprake të Komandës austro-hungareze: “festat popullore, gëzimet e përgjithta e të mbledhunat etj- munden m’u mbajtë vetun mbasi të kenë parapëlqimin e Bezirkumandës, e për me mujt m’e nxjerrë kët pelqim”.[5] Pavarësisht ndërhyrjeve të tilla nga komanda austro-hungareze në disa manifestime, si ajo që u cek më lart, të dhënat, gjatë viteve 1916-1918, tregojnë se Austro-Hungaria në Shqipëri ndaj Komunitetit Mysliman përgjithësisht përdori një politikë konstruktive.[6]
Mendojmë se duhet theksuar që në vitin 1916, konkretisht në tetor të këtij vitit, komanda austro-hungareze e vendosi Gjyqin e Naltë të Sheriatit në Shkodër, në krye të të cilit ishte Vehbi Dibra[7]. Nga nëntori i vitit 1921, kemi shkresa të cilat janë të firmosura nga nënprefekti i Prefekturës së Tiranës, të cilat i dërgohen siç shkruhet “Kryesisës së Gjygjit Naltë të Sheriatit”, ku i bashkangjitur është edhe programi i shënimit të kësaj dite. Kjo shkresë nga Prefektura e Tiranës i dërgohet Kryesisë së Gjyqit të Lartë të Sheriatit më 26. XI. 1921, një pjesë të së cilës po e prezantojmë si më poshtë:
“Mbi Kremtimin e ditës 28. Nëndor.
Ora 11-12 Represantantet dhe te huajt”.[8]
Në vitin 1922, në një shkresë të nënshkruar nga Myftiu i Përgjithshëm Vehbi Dibra, i cili iu drejtohet myftinjve të rretheve në Shqipëri, i vë në dijeni për vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 47, dt. 4.1.1922, në lidhje me festat zyrtare. Aty theksohet edhe “Dita e shpalljes e vetqeverimit e 28 Nanduer” – siç thuhet në këtë shkresë. Pos tjerash, janë të përmendura edhe festat fetare për komunitet fetare të Shqipërisë. Për Komunitetin Mysliman, si festa zyrtare, janë caktuar këto: “Ditë të bajramit të Math dhe të Vogel, Dita e Mevludit, Miraxhit, Regajbit, Beratit”.[9] Për vitin 1922 dokumentacioni është mjaft i pasur, që tregon se janë dërguar disa shkresa, nga administrata shtetërore në Tiranë në adresë të zyrës së Komunitetit Mysliman, njëra nga këto është edhe shkresa e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nr. 2144, ku kërkohet nga Komuniteti Mysliman që me dt. 28 Nëntor t’i stolisin të gjitha xhamitë. Prefekti i Tiranës i lutet Komunitetit që t’i njoftoj të gjithë Myftinitë e vendit, që për këtë ditë t’i stolisin xhamitë, duke ndezur drita natën e 27 dhe 28 Nëntorit.[10]
Është për t’u theksuar, se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i ka kushtuar rëndësi të veçantë, dëshmorëve të atdheut. Ata kanë organizuar edhe dua e “ Hatme i Sherif”- siç e quajnë ata, në përkujtim të dëshmorëve që kanë dhënë jetën për vatan. Kjo gjë vërehet edhe nga shkresa nr. 130, e nënshkruar nga haxhi Vehbi Dibra, ku Gjyqi i Naltë i Sheriatit i dërgon Kryesisë së Këshillit Kombëtar në Tiranë, dhe ku ftohen që të marrin pjesë në këtë organizim. Aty thuhet: “Me anë të kësaj shkrese, kemi nderin me e lajmue Shkelqësin t’Uej se, ky Gjyq nesër ora 9 para dreke në xhamin e vjetër, ke mejtue me mbyll nji (Hatme i Sherif) e me ba nji lutje per rahatin e shpirtit të gjithë atyne Dishmorëve qi kanë dhanë jeten e vet per shpetimin e Atdheut”.[11]
Në mars të vitit 1923, në Kongresin e Parë Mysliman të mbajtur në Tiranë, edhe juridikisht, Komunitetit Mysliman Shqiptarë vepron i pavarur. Ndërsa në muajin tetor, nis punën revista “Zani i Naltë”, Organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar.[12] Për vitin 1923, nuk kemi hasur ndonjë shkresë në Fondin e Komunitetit Mysliman për këtë datë, edhe pse mendojmë se duhet të ketë ndonjë material apo dokument arkivor edhe për këtë vit. Çuditërisht, as revista “Zani i Naltë”, nuk na jep ndonjë të dhënë-njoftim për ndonjë organizim për këtë datë nga ana e Komunitetit Mysliman, deri në vitin 1925. Kjo revistë në nr. 9 të muajit nëntor të viti 1925, i kushton pothuajse një numër të tërë Ditës së Flamurit, duke filluar që nga fjala e redaksisë.[13]
Manifestimi i Ditës së Flamurit në Fier më 1924
Edhe më lart e cekëm se ne jemi ndalur kryesisht në vështrimin tonë në Myftininë e Fierit, përkatësisht në fjalimin e Myftiut të kësaj zone që mbajti më 28 Nëntor 1924.
Fjala e Myftiut të Fierit
Raporti ka gjithsej pesë faqe dhe është i përberë prej katër pjesëve:
Për të qenë më korrekt me lexuesin, ne e kemi transkriptuar të gjithë raportin dhe po e sjellim ashtu siç është përpiluar në vitin 1924, nga vetë dora e Myftiut të Fierit, pa hequr dhe shtuar asgjë.
“ Zyra e Myftiut Fier, Nr. 229
Të sherijatit, Kryesis, këshillit nalt të sheriatit në Tiranë
Me nderime ju paraqitim urimet e ditës së flamurit Kombëtar 28.XI.1912, dhe ju bajmë të ditun se si mbas programit që me u komuniku prej nënprefekturës këtushme. Sot më 28. XII. 1924 të premten para dreke ora në “9” turke, ndodhur nji shumicë, myslimanë e krishterë dhe gjithë zyrtarët dhe fuqija e gjandermarisë dhe nxënësit e shkollave mashkullore e femnore dhe trupi arsimor në kishën “ortodokse” u ba festimi e lutja e flamurit kombëtar dhe si u mbarue festimi në kishë, së bashku dulmë prej kishe, mysliman e krishterë erdhmë në xhami, mbrënda në xhami duke u ndodhur nënprefekti e gjithë zyrtartë dhe kryetari me gjithë trupin fetare të klerit ortodokse dhe nji shumicë prej popullit mysliman e krishterë, u ba me nderime festimi dhe për dije ju paraqitim kopjen e fjalës e të lutjës që mbajtëm në gjuhën amtare
Me nderime 28. XI. 1924
Myfti
A. Spahi
Fjala e lutja që mbajti në “Ditën e flamurit” më 28.XI.1924 në Xhami
Parathënji
1
ZZ, të nderçim vëllazër shqipëtar. Sikurse e dini, tash jemi mbledhur, më këtë “faltore”, xhami të shënjtë, të festojmë ditënë 28.XI.1912, të ngrehjësë flamurit Kombëtar e të shpalljës vetëqeverimit tonë.
2
Vëllazër të nderçim-Kjo ditë, për Kombin tanë ashtë nji ditë historike, nji ditë e shënuar, nji ditë gëzimi si Bajram e Pashkë.
3
Vëllazër të dashur-fort mirë ta dini. Kjo ditë e shënuar nër neve, ashtë dita e ngjalljes, dita e shpëtimit nga robërija e nga zgjedhat e huaja. Kjo ditë, na ka faltur liri e vetëqeverimin tonë.
4
O- flamur, flamur i shenjtë, vleftën e ke shumë të shtrënjtë.
O-flamur i Kuq i lyer me gjak, ti tregon në botë këtë Kombin tonë “Plakë”
O-flamur, flamuri Kombëtarë, Krishterë e Muhamedanë, si binjak, në Kishë e në Xhami të festojmë dhe valiminë tëndë në Shqipëni nga i madhi Zot lusim e kërkojmë.
5
Vllazën, atdheu shqipënija, ashtë “Djepi e foleja, janë” dhe ky flamur, ky flamur i shenjtë, tregon, njofton në botë, kombësi, e vetëqeverimin tanë. Prandaj, çdo shqipëtar, duhet të dijë e të çmoji vleftën e rendësin e dheut e të flamurit kombëtar e të vetëqeverimit, e kështu me mish e me shpirtë, të ketë dashuri e të çfaqjë ndjenjat fisnike të kombësisë e të lërë kujtime të mira në “Histori”.
6
Vellazër kur se një njeri i banë të mirë tjeterit, njerëzishtë musë pari, detyrohet të bajë falënderime mirëbamësit, me qen se asht kështu, dhe neve, si robë që jemi, për këtë lumturi të vetëqeverimit dhe për çdo mirësi qi na ka falur i madhe Zot, detyrohemi ti bajmë lutje “Perëndisë” tonë.
-Lutja-
O Zot i Madh, mbrona nga djallëzit e ligësit e të mallëkuarit e të gursuarit “amin”
O Zot i gjithësisë, me emnin mëshiruës, të madhënisë tënde, fillojmë me të ba këto lutje.
O Zot i Vërtet, lavdi të bajmë që na ke kriju njeri në formë, të bukur dhe nji komb fisnik të shquar në botë, dhe që na ke falur gjith mirësit.
O Zot pa shoq, ki mëshirë për gjithë profetët që na ke dergu, prej Z. Ademit e deri tek i madhi Muhamed “Alejhi e selatu ve selam” dhe për farefisin e tyre dhe për shkokët e tyne dhe për neve kombin shqiptar dhe për gjihtë njerëzit, ç’ke kriju “amin”
O Zot, të lutemi, mbrona kombinë e atdhenë dhe neve dhe gjith çke kriju, nga çdo rrezik tokor e qiellor “amin”
O Zot i dhurushëm, udhëtona në rrugën e drejtë, falna mëkatat, pastrona zëmërat, largona nga djallëzitë e ligësitë që i bijen dëm fesë e kombësis, dhurona mirësit, rendona peshën e të mirave, forcona këmbët në urën e siratit, zbardhna fytyrën më të dy jetët, ndritana me fytyrën e bukur të naltesis tënde, vendosna në “Parajsën” që na ka takuar, mos u zemro prej neve, mbrona nga mundimi i shpirtit e të varrit e të zjarimit dhe mos na trego sketerën që ke përgatitur për keqbërësit “amin”
O Zot, për madhënin tënde dhe për nderin e gjithë profetëve këto lutje që të bamë pranoji “amin”
Përfundimi
Rroftë Kombësija, valoftë flamuri kombëtar
Rroftë atdheu, vazhdoftë qeverija shqiptare
Roftë vëllazënija e bashkimi
Rofshin miqtë e Shqipënis
Ndjes pafçin, shpëtimtarët e kombësis e të atëdheut Abdyl e Naim bej Frashëri dhe Ismail Qemal bej Vlora.
Ndjes pafçin, gjithë dëshmorët e atdheut e të kombësis
Myftiu i Fierit
A. Spahi”.[18]
Përfundim
Nga materialet e shfletuara arkivore dhe literatura që lidhet me festimin e Ditës së Flamurit nga Komuniteti Mysliman i Fierit në atë kohë, mund të përfundojmë se Komuniteti dhe drejtuesit e tij, të ndihmuar edhe nga organet shtetërore të kohës, kishin një qasje me respekt për këtë ditë. Dita e Flamurit, nuk ishte ditë e zakonshme si të tjerat, por një mobilizim i vërtetë i Komunitetit. Kjo festë ishte shtetërore dhe për përgatitjen e kësaj dite, organet kompetente dërgonin shkresën, disa ditë më parë, me qëllim që komuniteti t’i niste përgatitjet për këtë ditë.
Pas marrjes së shkresës nga organet shtetërore, selia e Komunitetit Mysliman në Tiranë u niste shkresë Myftinjve të rrethit dhe pas përfundimit të manifestimit, myftinitë dërgonin raport në selinë qendrore të Komunitetit në Tiranë. Njëri nga raportet është edhe ky, i dërguar nga Myftinia e rrethit të Fierit, të cilin e prezantuam më lart.
Sado që rrethanat politike ishin jo të favorshme për t’u kremtuar kjo festë, megjithatë, Komuniteti ishte mobilizuar me gjithë kapacitetet e tij që kjo festë të bëhej sa më madhështore. Ajo që bie në sy në këtë organizim është se njerëzit pa dallime fetare, funksioni e pozite shoqërore, shkonin në kishë dhe në xhami për ta shënuar Ditën e Flamurit. Ndoshta, këto forma të organizimit për festa të caktuara kombëtare, duhet të jenë ende model për udhëheqësit tanë politik dhe fetarë.
[1]. Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Sh. b. “ 55”, Tiranë, 2006, f. 211- 228
[2]. Po aty, f. 167-174
[3]. Hasan Bello, “Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman dhe përpjekjet e bëra për Autoqefalin e Xhamisë Shqiptare”, Gjurmime albanologjike-SSHH, nr. 40, IAP, Prishtinë, 2011, f. 140.
[4]. Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar (më tej: AQSH), Fondi (më tej: F) 482, Viti (më tej: V) 1917, Dosja(më tej: D) 39, Fleta (më tej: fl.), 4.
[5]. AQSH, F. 482, V. 1917, D. 39, fl. 7
[6]. Hasan Bello, “Roli i Austro-Hungarisë për organizimin e institucioneve të fesë islame në Shqipëri në vitet 1916-1918”, Gjurmime albanologjike-SSHH, nr. 43, IAP, Prishtinë, 2014, f. 217-229.
[7]. AQSH, F. 482, V. 1917, D. 19, fl. 30.
[8]. AQSH, F. 482, V. 1921, D. 61, fl. 2. Urdhërese e dërguar nga Prefektura e Tiranës, për Kryesin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit, dt. 26. 11. 1921.
[9]. AQSH, F. 482, V. 1922, D. 14, fl. 1. Urdhëresë e Këshillit të Ministrave, nr. 3 dërguar Gjyqit të Naltë të Sheriatit, dt. 04. 1. 1922
[10]. AQSH, F. 482, V. 1922, D. 14, fl. 7
[11]. AQSH, F. 482, V. 1922, D. 14, fl. 2
[12]. Roberto Morozzo della Roca, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1939, ( Përktheu Luan Omari), Sh. b. Elena Gjika, Tiranë, 1994, f. 28-30.
[13]. Zani i Naltë, nr. 9, Nantuer, Vit’i II, Tiranë, 1925, në: “Zani i Naltë”, V. I, KMSH, BFIM, BIK, Tiranë, Prishtinë, Shkup, 2015, f. 641-672.
[14]. AQSH, F. 482, V. 1924, D. 13, fl. 3-4.
[15]. AQSH, F. 482, V. 1924, D. 13, fl. 1-2.
[16]. AQSH, F. 482, V. 1924, D. 13, fl. 3.
[17]. AQSH, F. 482, V. 1924, D. 13, fl. 4.
[18]. AQSH, F. 482, V. 1924, D. 13, fl. 1-5.
Feb 26, 2020 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...