Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 17, 2018 Zani i Nalte Studime 0
Manifestimi i Mevludit, Shkodër, 1937
nga Prof. Dr. Qazim Qazimi
Abstrakt
Është realitet i pamohueshëm se festimi i mevludit, ditëlindjes sё Pejgamberit (a.s.), nuk ndodhi në kohën e Pejgamberit (a.s.). Madje, ky festim nuk është bërë, as në kohën e Sahabëve, as të Tabiinëve, por as në kohën e Tabi-tabiinëve nuk ndodhi festimi i mevludit në format të cilat i gjejmë dhe i praktikojnë sot myslimanët anë e kënd botës.
Dijetarët myslimanë thonë se: Në këtë natë është e pëlqyeshme të madhërohet Allahu, të këndohen salavate, tё jepet sadaka, tё bëhen punë tё mira etj. Nëse këto punë bëhen për hir të Allahut (xh. sh.), atëherë sevapi është i madh.
Mesazhi i kësaj feste nё Përkujtimin e Lindjes së Pejgamberit të fundit, Muhamedit (a.s.), do të ishte: Kthejuni fesë tuaj, burimeve themelore të saj, Kur’anit, haditheve të Muhamedit (a.s.), por edhe traditës sonë të lavdishme, për derisa nuk bie ndesh me principet substanciale islame, sepse aty është shpëtimi ynë, se aty është e ardhmja e këtij populli, se aty është lumturia.
Në historinë e lavdishme tё Islamit, është i njohur përkushtimi, nderi e respekti që kanë shprehur besimtarët ndaj Pejgamberit tё tyre Muhamedit (a.s.), që nё ditët e para, nё kohën e sahabeve, e nё vazhdimësi deri nё ditët e sotme. Mënyra e shfaqjes së dashurisë ndaj Pejgamberit (a.s.), ndër breza, është bërë nё forma e trajta të ndryshme. Kronistët shprehën dhe regjistruan me respekt dhe dashuri jetën dhe biografinë e Pejgamberit Muhamed (a.s.). Mjeshtrit e penës, poetët, thurën vargje në prozë e poezi; letrarët shkruan poema, e ode; ulemaja ligjëruan, po edhe varguan kaside, ilahi e mevlude kushtuar jetës, veprës së ndritshme dhe mrekullive të Pejgamberit tonë të fundit, Muhamedit (a.s.).
Dihet mirëfilli nga praktika, por edhe nga tradita shumë shekullore, se mevludi është festë fetare e gjithë myslimanëve, pra edhe te shqiptarët dhe kremtohet e festohet në çdo përvjetor tё Lindjes së Muhamedit (a.s.). Thënë ndryshe, mevludi është historia e lindjes dhe biografia e Muhamedit (a.s.) e thurur në vargje.
Allahu (xh.sh.), përmes Kur’anit, foli, cilësoi, përshkroi atributet, mrekullitë e Pejgamberit, duke e ngritur nё piedestalin më tё lartë personalitetin e Pejgamberit Muhamed. Madje, ligjërimi kur’anor do tё bëhet burimi kryesor dhe pikë rrëfimi për gjithë ata, që patën vullnet e dëshirë, që përmes fjalës së bukur artistike, tё shprehin lavdërime për Pejgamberin (a.s.).
Çfarë thuhet nё Kur’an për Pejgamberin Muhammed (a.s.)
Duhet ditur se, për lindjen dhe pejgamberinë e Muhamedit (a.s.), ka pasur paralajmërime edhe në librat e shenjta, si nё “Inxhilë” – (Bibёl), por edhe arabët idhujtarë kanë pasur parandjenja për ardhjen e një Pejgamberi nga mesi i tyre.[1] Nё Kur’an shprehimisht thuhet:
﴿وَإِذْ قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ يَابَنِي إِسْرَائِيلَ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ مُصَدِّقًا لِمَا بَيْنَ يَدَيَّ مِنَ التَّوْرَاةِ وَمُبَشِّرًا بِرَسُولٍ يَأْتِي مِنْ بَعْدِي اسْمُهُ أَحْمَدُ﴾
“Dhe, (kujto) kur tha Isai, biri i Mejremes: O izraelitë, vërtet unë jam i dërguari i All-llahut tek ju për ta vërtetuar Tevratin, që ka ardhur para meje dhe për t’ju përgëzuar për një pejgamber që do të vijë pas meje, emri i të cilit do të jetë Ahmed (Muhammed).”[2]
Kështu pёrgёzoi Isai (a.s.) në “Inxhil” – (Bibël), për ardhjen e Muhamedit (a.s.). Kështu po paralajmërohej lindja e Pejgamberit, për të cilin ndihej nevojë shumë e madhe. Ishte ajo koha e ardhjes sё Pejgamberit, për tё cilin kishin paralajmëruar edhe pejgamberët e mëparshëm. Thënia e Isait u vërtetua dhe paralajmërimi u realizua me lindjen e Muhamedit (a.s.), për tё cilin nё Kur’an u tha:
﴿لَقَدْ مَنَّ اللَّـهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْ أَنفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِن كَانُوا مِن قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ﴾
“Vërtetë All-llahu u ka dhënë besimtarëve një dhuratë të madhe kur u solli një të dërguar nga mesi i tyre i cili ua lexon shpalljet e Tij i pastron nga gjynahet dhe u mëson librin (Kur’anin) e urtësinë edhe pse më parë ata ishin në rrugë të gabuar”.[3]
Pra, dhurata e madhe që iu bëri Krijuesi i Gjithёsisё besimtarëve ishte dërgimi i Pejgamberit tё fundit, njё personalitet, që nuk ishte i panjohur për rrethin ku jetonte. Ai ishte nga mesi i tyre. Ai ishte njeriu që kishte lindur, rritur e edukuar nё mesin e tyre. Dhe s’do mend se, kjo që po ndodhte në këtë mënyrë, nuk ishte rastësi, por njё premtim që po bëhej realitet dhe po vinte nga mëshira e tё Gjithëmëshirshmit:
﴿وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ﴾
“Dhe Ne nuk të dërguam ty (Muhamed ndryshe) vetёm mëshirë për të gjithë botët”.[4]
Pra dërgimi i Muhamedit (a.s.) ishte nga mëshira e tё Gjithёmёshirshmit për njerëzinë, por ardhja e Pejgambrit (a.s.) është edhe pasqyrim dhe realizim i duasë së Ibrahimit (a.s.), nga gjenealogjia e tё cilit lindën, erdhën dhe u shpallën tre pejgamberёt e feve monoteiste; Musai, të cilit i zbriti Tevrati (Tora), Isai, të cilit i zbriti Inxhili (Bibla) dhe Muhamedit (a.s.), të cilit i zbriti Kur’ani nё tё cilin gjejmë duanë e Ibrahimit (a.s.) kur ishte lutur:
﴿رَبَّنَا وَابْعَثْ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِكَ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ﴾
“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre një të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë”.[5]
Nё njё transmetim tё Imam Ahmedit thuhet se, i Dërguari i Allahut (a.s.), ёshtё prononcuar vetë për lindjen e tij: “Unë tek All-llahu kam qenë i dërguari i fundit, kur Ademi ka qenë në procesin e krijimit nga dheu, ndërsa për këtë do t’ju lajmëroj. Me të vërtetë unë jam rezultat i duasë së Ibrahimit, njoftimit përgëzues të Isait, (a.s.), dhe pamjes (ruё’ja) të cilën e ka parë nëna ime, sepse nënat e pejgamberëve kanë pasur të shikuara.”
Hasan ibni Thabiti [poet i pranuar nga vetë Muhamedi (a.s.)] thotë: “Kur kisha shtatë apo tetë vjet, aq sa kam mundur të kuptoj dhe tё mbaj mend gjithë ato që dëgjoja, në një mëngjes kam dëgjuar një hebre duke thirrur me zë: “O Kurejshitë, a ka lindur mbrëmë ndonjë fëmijë tek ju? I janë përgjigjur: ‘Nuk e dimë’. Hebreu thotë: “… Dëgjoni mirë o Kurejshitё! Sonte tek ju ka lindur Pejgamberi i fundit nё botë… Në mes të shpatullave të tij ka një shenjë të zezë, e ajo është vula e tij pejgamberike. Verifikoni, se me të vërtetë nё këtë natë ka lindur i dërguari i fundit i këtij umeti.”[6]
Komentatori i Kur’anit- Hafidh Ibni Kethiri, në veprën e tij kapitale “El-Bidaje ve En-Nihaje” ka shkruar njё kapitull të veçantë mbi fenomenet, çudirat dhe mrekullitë, tё cilat ndodhën në natën kur lindi Muhamedi, (a.s.) e ndër tё tjera ai ka përmendur edhe:
– Të rënët e porsalindurit (Muhamedit a.s.) me fytyrë për toke (në sexhde).
– Pozita e ulët e yjeve gjatë asaj nate (yjet ju afruan Tokës).
– Dridhja e pallatit të Kisras dhe rrënimi i 14 shtyllave tё tij.
– Shuarja e zjarrit, që adhurohej në Persi, zjarr, që ishte ndezur 1000 (njëmijë) vite më parë, e që asnjёherё nuk ishte shuar gjer me lindjen Muhamedit (a.s.).
– Atë natë u thyen idhujt, që ishin në brendësi të Qabes e që adhuroheshin nga arabët.
– U shterua e u tha liqeni i quajtur Sava, të cilin e besonin si të shenjtëruar.
– U shfaq “Nurë” (njё dritë e madhe), tё cilën e pa Amineja, e ëma e Muhamedit.
“Kur nëna e të Dërguarit e ka lindur Muhamedin paskësh pa nurin (dritën) që i ka ndriçuar edhe pallatet e Shamit.”[7]
Poeti shqiptar Tahir ef. Popova, nga Vushtrria e Kosovës, nё Mevludin e tij, këtë ndodhi e shpreh kështu:
Prej Mashrikut, deri n’magrib gjithё Dunjasё-
I dha hjeshi lemja e k’tij Mustafasё ![8]
Në “Musnedin” e Imam Ahmedit, transmetohet tё ketë thënë Ibni Abbasi: “I Dërguari i All-llahut, (a.s.), në ditën e Hënë ka lindur, në ditën e Hënë është dërguar si pejgamber, në ditën e Hënë është shpërngulur nga Mekka, në ditën e Hënë ka hyrë në Medine dhe në ditën e Hënë e ka vendosur Haxheru-El-esvedin në vendin e tij me rastin e rinovimit të Qabesë.”
Kur ti u linde u shndrit toka, – و انت لما ولدت أشرقت الأرض
Me nurin tënd u ndriçuan horizontet و ضاءت بنورك الأفق –
E ne me atë ndriçim فنحن على ذالك الضياء –
Rrugës së drejtë po ecim.[9] و في سبيل الرشاد نخترق –
Nisur nga këto vargje të H. Abasit (r.a.) kuptohet se, poezi për Muhammedin (a.s.) janë thurur edhe sa ishte gjallë vetë Pejgamberi (a.s.), madje edhe vetë mevludi, si vepër artistike letrare, është një poemë fetare e shkruar në vargje, është poezi biografike, kushtuar Muhamedit (a.s.).
Pra, nga kjo që u përmend deri më tani, mësuam se i dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.), ka lindur në mëngjesin e së hënës, datë 12 (dymbëdhjetë të Rebiu El-Evvelit), në Vitin e Elefantit –عَامُ الْفِيل më (20 prill të vitit 571 m) në Mekë, saktësisht 50 ditë pas ngjarjes së njohur të tentimit tё Ebreha-s pёr rrënimin e Qabesë (Viti i Elefantit), për të cilën flitet në suren 105 të Kur’anit, tё quajtur “El-Filë”.
Dihet se Babai i Muhamedit (a.s.) quhej Abdullah ibn Mutalib, ndërsa nëna e tij ishte Amine bint Vehb. Lindja e tij, sipas shumicës së historianëve dhe dijetarëve myslimanë, ka ndodhur në agim të ditës së Hënë.[10] Amineja, tashmë e veja e Abdullahut, kishte lindur një djalë me specifika të veçanta, me karakteristika të papara, me fenomene të jashtëzakonshme, thënë ndryshe, kishte ndodhur vetë mrekullia.
Meqë Muhammedi (a.s.) kishte mbetur jetim ende pa lindur, sepse babai, Abdullahu, kishte vdekur disa muaj para lindjes, për rritjen, zhvillimin dhe edukimin e tij do të kujdeseshin e ëma, Amineja, mendorja (gjidhënëseja), Halimja, gjyshi, Abdulmutalibi, xhaxhai, Ebu Talibi dhe ndonjë tjetër prej të afërmeve të tij. Muhamedi (a.s.) nuk pati rast të shkollohet edhe pse në atë kohë, në Mekë, kishte njerëz të ditur dhe që dinin shkrim e lexim. Si i ri, u veçua nga të tjerët me karakter, moral e virtyte të larta.
Që në rininë e hershme, Muhamedi (a.s.) dallohet shumë nga moshatarët e tij në shumë aspekte. Ai u tërhoqi vëmendjen njerëzve për mirë. Të përmendim se kur ai po shoqëronte xhaxhain e tij, Ebu Talibin, për tregti në Sham, në moshën 12 vjeçare,[11] Muhamedin (a.s.) e kishte parë një prift i devotshëm i quajtur Behira, të cilin e kishte habitur personaliteti i Muhamedit (a.s.). Me kёtё rast Behira kishte porositur Ebu Talibin, që të kishin kujdes dhe konsideratë ndaj tij, duke i thënë: “Nga ky djalosh pritet një punë-mrekulli e madhe, saqë do të përmendet në lindje dhe në perëndim”.[12] Muhamedi (a.s.), në moshë të re, ka qenë edhe bari delesh,[13] por edhe pjesëmarrës në beteja të ndryshme me xhaxhallarët e tij.[14]
Duhet veçuar edhe martesa e Muhamedit (a.s.) me Hatixhen, të bijën e Huvejlidit, që në një farë mënyre, përveç mirëqenies sociale, kjo bashkëshortësi siguroi edhe dobi e tё mira materiale. Ajo ishte gruaja e parë dhe për derisa qe gjallë ajo, Pejgamberi (a.s.) nuk ka pasur grua tjetër.[15] Të gjithë fëmijët Muhamedi (a.s.) i pati me Hatixhen, me përjashtim të Ibrahimit. Fëmijët e tyre ishin Kasimi, Tahiri, Tajjibi, Zejnebeja, Rukija, Ummi Kulthumi dhe Fatimja.
Prej shumë ndodhive, ngjarjeve dhe aktiviteteve nga jeta e Muhamedit (a.s.), vlen për t’u theksuar edhe zgjidhja e konfliktit, në mënyrë paqësore, në mes të fiseve arabe, në lidhje me vënien e “Haxheri esvedit – (Gurit të Zi)” në themelin e Qabesë. Meqë ishte bërë problem vënia e gurthemelit gjatё rindërtimit tё Qabes, Muhamedi (a.s.) ofroi zgjidhjen më të mirë. Propozoi që të gjitha fiset gurin e zi ta bartin me një çarçaf deri te vendi i duhur e pastaj, ai me duart e tij, e vendosi atë në themel të Qabes. Kjo ngjarje ndodhi më 12 Rebiul-Evvel, kur Muhamedi (a.s.) ishte 35 vjet dhe prej atij çasti i dhanë emërtimin “EI-Emin” (Besniku).[16]
Po me këtë datë, më 12 Rebiul-Evvel të vitit 610, Muhamedit (a.s.) i erdhi Vahji-shpallja, i zbriti Kur’ani Famëlartë, udhërrëfyes i pakufizuar në kohë dhe hapësirë, jetë e gjallëri, drejtues, ligj e mirëqenie për mbarë njerëzinë, standard për çdo vend e kohë, i paprekshëm e i pa abroguar kurrë.
Po me këtë datë, në paraditen e së hënës, më 12 Rebiu El-Evvel, Muhammedi (a.s.), ndërroi jetë, duke lënë pas Kur’anin e Madhërishëm, që iu shpall nga Allahu dhe Hadithet e Muhammedit (a.s.), traditën e tij, që e bënë të pavdekshme jetën dhe veprën e tij.
E gjithë kjo, lindja, jeta dhe veprimtaria tij, periudha para pejgamberllëkut të Muhamedit (a.s.), ka rëndësinë dhe domethënien e vet, por ajo që pati jehonë anë e kënd botës, ajo që e bëri të përjetshëm e që të mos harrohet kurrë është shpallja e tij Pejgamber nga Allahu (xh. xh.) dhe zbritja e Kur’anit, që po ashtu ndodhi më 12 tё Rebiu El-Evvelit.
Pejgamberia e Muhammedit (a.s.)
Gjithçka sa u përmend deri tani, në lidhje me Muamedin (a.s.), jep të kuptohet se kemi të bëjmë me një njeri jonormal, por jo edhe të mbinatyrshëm, por kur Muhamedi (a.s.) mbushi dyzet vjet, saktësisht më 1 shkurt 610, fillon zbritja e Vahjit dhe që atëherë ai, Muhamedi (a.s.), bëhet Pejgamber i shpallur.[17]
Akti i Vahjit (frymëzimit), që vjen nga jashtë është një dhunti hyjnore e Allahut (xh.sh.), që i fal pejgamberit të Tij.
Në ditët kur Muhamedit (a.s.) po i afrohej koha e zbritjes së vahjit (shpalljes), qëndronte i vetmuar dhe larg kontaktit me njerëz, shkonte dhe strehohej e izolohej nga të tjerët te një shpellë në malin Hira, në afërsi të Mekës.
Dihet mirëfilli se Muhamedi (a.s.) nuk dinte shkrim e lexim, prandaj edhe me rastin e shpalljes, kur Xhibrili i kërkoi Muhamedit (a.s.), që të lexonte, përgjigjja e Pejgamberit ishte se nuk di të lexojë.[18] Mirëpo, pas një trysnie të fortë të Xhibrilit mbi Muhammedin dhe pas përgatitjes së tij fizike e psikike, ju shpallën ajetet e para tё Kur’anit dhe me kёtё akt, Muhamedi (a.s.) u bё Pejgamber i shpallur:[19]
﴿اقرأ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ* خَلَقَ الإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ* اقرأ وَرَبُّكَ الأَكْرَمُ* الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ* عَلَّمَ الإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ﴾
“Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo, se Zoti yt është më bujari! I Cili e mësoi njeriun (të përdorë) lapsin. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte…”[20]
Ky akt ndodhi natën e Kadrit, më 1 shkurt të vitit 610.
Shëmbëlltyra e Pejgamberit në çdo fushë e në çdo aspekt të jetës, vlerat universale njerëzore, virtytet sublime, janë ato që e karakterizojnë personalitetin e Pejgamberit (a.s.) dhe e bëjnë të dashur. Është dëgjuar nga Aisheja, gruaja e Muhamedit (a.s.), të ketë thënë se: “Karakteri-morali i tij ka qenë Kur’ani i Madhërishëm”, që do të thotë se çdo fjalë e vepër e tij ka qenë në harmoni e përputhshmëri të plotë me Kur’anin Famëlartë, nё tё cilin i thuhet:
﴿وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ﴾
“Vërtet ti (Muhammed) je në Piedestalin më të lartë të moralit”.[21]
Dymbёdhjetё vitet e qëndruara nё Meke, gjatё pejgamberllëkut, ishin tё vështira dhe pas tyre, jeta në Mekë ishte e padurueshme. Kështu që më 20.9.622 edhe vetë Pejgamberi në fshehtësi, së bashku me Ebu Bekrin, u detyrua të largohet nga Meka dhe të emigrojë në Jethrib (Medine).
Muhammedi (a.s.), poetët dhe poezia
Është i pakontestueshëm fakti se, Muhammedi (a.s.), ndaj poezisë si art, pati qëndrim afirmativ. Faktet tregojnë se Pejgamberi (a.s.) ua lejoi njerëzve poezinë, e cila, me të drejtë, llogaritët si mbretëresha e arteve, madje ai e dëgjoi me ëndje, nxiti për vargimin e saj dhe shpërbleu për të, gjë për të cilën dëshmojnë provat dhe kjo mund të argumentohet.
Muhammedi (a.s.) dëgjonte poezi nga poeti Nabiga Dhubjaniu, por edhe nga Kaë’b ibni Zuhejri e dëgjoi me vëmendje “Kasidetu El-Burde”[22] dhe kur arriti te vargjet:
“Pejgamberi është dritë, me të cilën ndriçohemi,
Luan, nga shpatat e zhveshura të Indisë.”
Pejgamberi, ndërhyri duke e korrigjuar dhe i tha: “nga shpatat e All-llahut”, e Kaë’bi e përmirësoi vargun.[23]
Muhamedi (a.s.), për hir të fjalës së bukur artistike, Kaёb ibni e nderoi, duke i hedhur mbi supe Burden e vet (një lloj manteli) në vlerë prej 20 mijë derhemësh dhe që atëherë kjo poemë është emërtuar “Kasidetu El-Burdeti”.[24]
Për poezinë, Pejgamberi (a.s.), që atёherё thoshte: “Poezia është një gjë që të bukurën e bën me të bukur dhe të keqen e bën më të keqe” (transmetim i Buhariut).
Më sa përmend nga hadithet e sipërcituara, kuptohet se të thurësh poezi e ta lavdërosh Pejgamberin (a.s.) nuk ka asgjë të keqe, nuk është asnjë lloj “bid’atun” novatorizmi-risie, siç pretendon e dëshiron dikush ta klasifikojë, por është një vazhdim i një tradite të mirë dhe gjithsesi, ka mbështetje në literaturën burimore islame dhe është edhe miratim i Pejgamberit (a.s.).
Për personalitetin e Pejgamberit (a.s.), si drejtues shpirtëror-fetar, si njeri i qytetëruar me karakter e moral të lartë, si strateg ushtarak, si udhëheqës politik e si burrë shteti, që mund të shërbejë si shembull përgjithmonë dhe kudo, kanë folur Kur’ani, shumë hadithe, por edhe personalitete myslimane dhe jomyslimane me pozitë ndërkombëtare, e ndër ta edhe Majkëll Hart, i cili thotë: “Muhammedi është personalitet prijatar, si nga aspekti religjioz, ashtu edhe nga ai politiko-shoqëror, respektivisht, si forcë lëvizëse e çlirimeve arabe. Më të drejtë ai mund të mbajë vendin e parë si udhëheqësi politik më me ndikim në histori”.[25]
Fenomeni i Mevludit dhe këndimi i tij
Pejgamberin (a.s.) e kanë lavdëruar dhe vazhdojnë ta lavdërojnë fetarët e devotshëm, dijetarët, por edhe shkrimtarët, të cilët me shkrimet e me këndimet e tyre artistike, në forma të ndryshme, kanë shprehur devotshmërinë dhe respektin e duhur për Pejgamberin (a.s.).
Dihet se Esh-Shejh Ebu El-Hattab bin Dihjete, në fillim të shek. të VII-të hixhri, shkroi një poemë (Mevludin e parё) për Sulltan Mudhaffer Kevkeburin, rreth lindjes së Pejgamberit (a.s.), të titulluar “Et-Tenviru fi Mevlidi-El-Beshiri En-Nedhiri”[26] dhe për këtë vepër Sulltani e shpërbleu shkrimtarin me 1.000 dinar (monedha ari).
Prej mevludeve më të njohur dhe më të përdorur te turqit është “Vesiletu En-Nexhat” (Mjeti për shpëtim), që e përpiloi poeti turk Sulejman Çelebi në qytetin Bursa, në vitin 1409 m., pastaj pason mevludi i autorit kurd Mela Bate, i cili njihet edhe me emrin Mulla Hasan Ertushi.[27]
Edhe shkrimtarët shqiptarë të letërsisë Islame, kanë shkruar Mevlude origjinale, apo përkthime, që nga shek. XIX. Të theksojmë se te shqiptarët, shumica e këtyre mevludeve janë shkruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, nga personalitete dhe dijetarë të shquar e të dëshmuar, si në rrafshin fetar, po ashtu edhe në rrafshin kombëtar. Duhet theksuar se, deri sot, njihen mbi 30 mevlude të shkruara nga personalitete të njohura në fusha të ndryshme të fesë dhe të letërsisë, të cilët me mjeshtërinë e tyre dhe në mënyrë artistike e shembullore, thurën lavde e konsiderata, si për askënd tjetër, për të Dërguarin e Zotit, Muhamedin (a.s.). Mevludi i parë besohet tё jetë ai i poetit tё madh, Hasan Zyko Kamberi, por mevlude kanë shkruar edhe Muhamed Çami, Ismail Flloqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Tahir efendi Popova, etj. Shkrimtarët shqiptarët kanë vazhduar të shkruajnë mevlude edhe gjatë shekullit XX-të.
Manifestimi i mevludit novatorizëm (risi e pranueshme)
Është realitet i pamohueshëm se festimi i mevludit, ditëlindjes sё Pejgamberit (a.s.), nuk ndodhi në kohën e Pejgamberit (a.s.). Madje, ky festim nuk është bërë, as në kohën e Sahabeve, as të Tabiinëve, por as në kohën e Tabi-tabiinëve nuk ndodhi festimi i mevludit në format të cilat i gjejmë dhe i praktikojnë sot myslimanët anë e kënd botës.
Janë një numër i konsiderueshëm dijetarësh selefi klasikë, por edhe disa bashkëkohorë, të cilët, manifestimin e ditëlindjes së Pejgamberit (a.s.), e konsiderojnë si një risi-novatorizëm i papranueshëm, madje edhe i dëmshëm. Ka nga ata që festimin e vlerësojnë si një rebelim ndaj traditës burimore islame. Nisur nga kjo, ata më tërë forcën dhe me gjithë bagazhin e tyre fetar, shkencor e intelektual, janë angazhuar në ndalimin e këtij manifestimi. Prej dijetarëve bashkëkohorë që janë kundra festimit tё Ditëlindjes së Pejamberit (a.s.) po veçojmë: Shejh Abdu El-Aziz bin Abdil-lah bin Baz,[28] shejh Ibrahim bin Salih Al Shejh, Dr. Muhammed Sa’d Esh-Shuvej’ir, shejh Abdull-llah bin Abdu Er-Rahman bin Bessam, shejh Abdull-llah bin Hamid, Dr. Es-Sadik Es-Sudduk, shejh Ebu Er-Rezak Ufejfi, shejh Muhammed bin Salih El-Uthejmin dhe shejh Abdull-llah bin El-Muni’, por edhe dijetarë të tjerë.
Pra nisur nga kjo, edhe tek ne, dikush e quan manifestimin e Ditëlindjes së Pejgamberit (a.s.) si njё risi, fenomen i papranueshëm, mëkat, rebelim ndaj fesë Islame. Sipas kësaj logjike, nëse festimi i ditës së mevludit është “bid’atun” (novatorizëm) i papranueshëm nё Islam, gjithnjë sipas tyre, atёherё nga ky veprim jep tё kuptohet, se lavdërimi i Pejgamberit (a.s.) ёshtё “bid’atun” i papranueshëm. Por, ky qëndrim gjithsesi bie ndesh me thënien e Pejgamberit (a.s.):
“Kush më përcjell (çon) një Salavat të vetëm, All-llahu do t’i përcjellë atij dhjetë salavate”, që do tё thotë se ka sevape tё dhjetëfishuara.
Nga njё transmetimi i Ebi Katadetes mësohet se i Dërguari i All-llahut (xh.sh.) është pyetur pёr agjërimin e ditës së Hënë, përgjigjja e Pejgamberit ishte se: “Ajo është dita në të cilën kam lindur dhe dita në të cilën jam dërguar si pejgamber.” (transmetim i Muslimit), e që nënkupton se Pejgamberi (a.s.) e ka veçuar ditёn e Hёnё dhe nuk e ka ndaluar agjërimin e asaj dite.
Për përshëndetje dhe lavdërim (çuarje salat e selam) Pejgamberit jemi të porositur edhe në Kur’an:
﴿إِنَّ اللَّـهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ ۚ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا﴾
“Vërtet All-llahu xh.sh. dhe melekët e Tij bien salavat (lavdërojnë) pejgamberin (a.s.). O ju të cilët keni besuar, lavdërojeni dhe ju atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndetni me selam.”[29]
Festën e Mevludit, sipas burimeve historike, i pari e aplikoi halifi Fatimij Ubejdijj-El-Muiz Lidinil-lahi, në Egjipt, së bashku me disa festa të tjera të shpikura.., dhe kjo ndodhi në vitin 362 h.[30] Për një kohë festa e Mevludit ka pushuar së festuari, për t’u rikthyer në qytetin Musul të Irakut nga shejh Umer bin Muhammed El-Mul-la, një dijetar i shquar për devotshmëri dhe bamirësi.[31]
Manifestimi i mevludit, në mënyrë të organizuar e masive ripërsëritet në muajin Rebiu El-Evvel aty nga mbarimi i shekullit të VI-të dhe fillimi i shek. VII-të h. Ky manifestim u organizua në mënyrë spektakolare nga sundimtari i atëhershëm i Irbilit (qytet në veri të Irakut), Mbreti Mudhaffer Kevkeburi-(ملك المظفر أبو سعيد كوكبوري), njëri ndër sundimtarët e famshëm, shumë bujar e humanist i madh. Vetë autori i poemës “Et-Tenviru fi Mevlidi-El-Beshiri En-Nedhiri”, ibni Dihjete ёshtё dëgjuar tё kёtё thënë se: “Kam lexuar mevlud përpara sulltan El-Mudhafferit në vitin 625 h. në gjashtë mexhlise.”[32]
Për sa i përket turqve, Dita e Mevludit, për të parën herë, u festua në periudhën e Sulltan Muratit III (1574 m.-1595 m.). Ishte ky sulltani i dymbëdhjetë në radhë nga osmanllinjtë, për të cilin thuhet se bënte shpenzime marramendëse për këso festimesh.[33] Në Turqi, që të gjithë; turq arabë, kurdë, e çerkezë e këndojnë mevludin në gjuhët e tyre.
Te shqiptarët kjo kremte festohet në forma dhe organizime të ndryshme, por në rastet më të shpeshta, kjo ndodh edhe me këndimin e ndonjërit prej mevludeve të shkruar, apo të adaptuara në gjuhën shqipe, apo disa pjesë të tij, qoftë kjo në xhami, institucione kulturore e fetare, apo edhe në shtëpi private etj.
Nё kёtё rast, patjetër duhet përmendur thënia e Abdull-llah ibni Mesudit: “Atë që myslimanët e shohin se është vepër e mirë, që duhet të bëhet, edhe All-llahu xh.sh e konsideron si të mirë. Atë që myslimanët e shohin si të keqe, e të mos veprohet, edhe All-llahu xh.sh e konsideron si të keqe”. (transmetim i Ahmedit)
Bazuar nё kёtё thënie tё sahabiut tё respektuar, del se njё veprim, punë, fenomen i ri, qoftё edhe “Bid’atun” risi (novatorizëm), që nuk bie ndesh me burimet kryesore tё Islamit; Kur’an, Hadith e tё tjera… dhe që ёshtё i pranueshëm, i mirë e i dobishëm për shumicën e myslimanëve, atёherё ajo ёshtё njё “Bid’atun haseneh” (risi e mirë), novatorizëm i dobishëm për myslimanët dhe lejohet tё aplikohet.
Tani, duke ditur se lavdërimi dhe përshëndetja (çuarja salavatё dhe selam) e Pejgamberit (a.s.) është porosi e Kur’anit, Sunetit (traditës pejgamberike) dhe detyrim fetar, të shpresojmë se edhe festimi i Mevludit është “bid’atun haseneh”, njё fenomen- novatorizëm (një risi e mirë me premisa fetare) dhe ky është njё realitet, që e jetёsojmё edhe nё trevat tona, gjithandej ku jetojnë shqiptarët myslimanë. Këtë lavdërim të Pejgamberit (a.s.), në këtë formë, dogmatikët e klasifikojnë si një lloj “rebelimi” ndaj traditës pejgamberike. Vlerësim tё kësaj natyre dhe tё këtij niveli, në ditët e sotme, mendoj unë, mund të shprehin vetëm ata të cilët nuk kanë kapacitete të mjaftueshme intelektuale për ta vlerësuar një vepër artistike fetare, siç është Mevludi dhe në anën tjetër, për të pranuar realitetin se mevludi është një manifestim me karakter krejtësisht fetar, pa abuzime të principeve islame tek ne.
Nuk ka dyshim se një numër i madh i dijetarëve dhe fukahave-juristëve myslimanë e kanë lejuar, madje një numër prej tyre e preferojnë festimin e ditëlindjes së Pejgamberit (a.s.), duke e vlerësuar atë si një risi të pranueshme dhe një traditë të mirë, që ka filluar nga shekulli i IV-të h. e në vazhdimësi dhe këtë çështje e kanë mbështetur edhe një numër i konsiderueshëm prej selefistëve tradicionalistë. Nga ata që janë pro manifestimit të mevludit po përmendim selefistët fukaha-juristë të Sheriatit:
El-Hafidh Ebu Shammeh Shihabu Eddin Abdu Er-Rrahman Esh-Shafiij (v. 655 h.) i njohur si Imamm En-Nuveviu, eruditi Muhammed bin Abdil-lah ibni El-Haxh El-Fasij El-Kajrevani Et-Telmisani El-Malikij (v. 714 h.), Ibni Et-Tejmijjeti[34], Ebu Abdullah Muhammed Ibni Ibad (v. 730 h.) El-Hafidh Ibni Haxher El-Askalani, (v. 852 h.), El-Alusij, Dr. Ahmed Esh-Sherbasi-ish myftiu i Ez’herit, El-Hafidh Shemsu Eddin Essehavij (v. 876 h.), El-Imam El-Kastalanij (v. 922 h.)[35], Nureddin El-Halebij (v. 1014 h.), Ahmed Zejjin Dehalan (v. 1066 h.)[36], Eh-Shejh Reshid Rida (v. 1255 h.)[37].
Ibni Tejmije pasi flet rreth krijimit të gjithësisë nga Allahu (xh.sh.) flet dhe pёr Pejgamberin (a.s.)” [38]
Besimtarёt, Pejgamberin (a.s.), duhet ta përmendin gjithmonë, por ka raste kur përmendja e tij bëhet më e vlefshme dhe më e pranueshme. Njëri nga këto raste mendohet tё jetë nata e Mevludit.[39]
Ibni Tejmije është prononcuar qartë në favor të manifestimit Mevludit: “Ta madhërosh Mevludin dhe ta pranosh atë si festë! Ndodh që këtë ta bëjnë disa njerëz dhe në këtë punë ka shpërblim të madh, duke pasur parasysh qëllimin e mirë të tyre dhe duke parë se këtë punë e bëjnë për të nderuar Pejgamberin e All-llahut xh.sh.”[40]
Dijetarët myslimanë thonë se: Në këtë natë është e pëlqyeshme të madhërohet Allahu, të këndohen salavate, tё jepet sadaka, tё bëhen punë tё mira etj. Nëse këto punë bëhen për hir të Allahut (xh.sh.), atëherë sevapi është i madh. (Ibni Battall Maliki).
“Festimi i ditëlindjes së Pejgamberit (a.s.) nuk duhet tё përzihet me gjëra haram, me veprime e punë tё ndaluara dhe tё papëlqyeshme.” (Sherh Sunen ibni Maxhe)
Mexhlisi (grumbullimi) në natën e Mevludit, ku përmendet Allahu (xh.sh.), tё çuarit salavatё e selam për Pejgamberin (a.s.), të ushqyerit e të varfërve është gjithmonë sevap, por, nëse këtyre tё mirave u shtohet edhe ndonjë gjë prej haramit, atëherë edhe gjynahu është shumë më i madh.
Nga gjithë ajo që u përmend më lart në lidhje me manifestimin e mevludit, bazuar në argumente dhe kundërargumente, kujtojmë se manifestimi i mevludit nuk është i patjetërsueshëm, por është pjesë e traditës dhe kulturës tonë fetare-shpirtërore, është një mirësi (mustehab), që myslimanët kudo që janë, e në veçanti në këto troje tona, ta shënojnë ditëlindjen e Pejgamberit (a.s.), sepse praktika po tregon se, në mungesë të festimeve islame dhe nevojës së begatisë shpirtërore, te myslimanët, e në veçanti rinia, po orientohet në festa krejtësisht të huaja, e që nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin e tyre fetar.
Është obligim fetar pёr dijetarët myslimanë që edhe kur kundërshtohen, të mos përjashtohen dhe të mos shkaktojnë plasaritje, apo thyerje të pariparueshme. Duhet të kemi parasysh se, respektimi i mendimit të tjetrit, të bazuar në argumente, është parim islam dhe kulturë e komunikimit, ndërsa injorimi i mendimit të kundërt nuk është as mençuri, as etikë dhe as filozofi e “Daves” thirrjes islame.
Mesazhi i kësaj feste nё Përkujtimin e Lindjes së Pejgamberit të fundit, Muhamedit (a.s.), do të ishte: Kthejuni fesë tuaj, burimeve themelore të saj, Kur’anit, haditheve të Muhamedit (a.s.), por edhe traditës sonë të lavdishme, për derisa nuk bie ndesh me principet substanciale islame, sepse aty është shpëtimi ynë, se aty është e ardhmja e këtij populli, se aty është lumturia.
Është realitet i pamohueshëm se, vetëm falë Islamit, që në princip nuk ka dhunë, shqiptarët e ruajtën identitetin; gjuhën, kulturën lëndore dhe shpirtërore, në etnosin e tyre dhe masa dërmuese e tyre u shpëtuan pa u greqizuar, sllavizuar, latinizuar, ose pa u turqizuar. Dhe krejt në fund të themi se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë civilizim të mirëfilltë dhe popull të qytetëruar pa fe e atdhe.
[1] . Shakir El-Bedrij, “Edh-dhikra El-Halidetu li En-Nebijji El-Halidi”, botoi “Daru El-Basrij”, Bagdad, 1969 m – (1388 h.), f. 11.
[2]. Kur’ani, sureja Es-Saf, ajeti 6.
[3]. Kur’ani, sureja Al ‘Imran, ajeti 164
[4]. Kur’ani, sureja El- Enbija, ajeti 106.
[5]. Kur’ani, sureja El-Bekare, ajeti 129.
[6]. Transmeton Hakimi dhe Jakub ibni Sufjani, me sened të mirё (Hadith hasen).
[7]. Transmetim i El-Bizzarit dhe Taberanisё; Hafiz ibni Haxheri ka thënë se ky hadith është sahih. Kёtё e pohojnё edhe te Hibbani dhe Hakimi.
[8]. Tahir ef. Popova, në Mevludin e tij, tё titulluar “Mendhumetu El-Mevludi fi Efdali El-Mevxhudi bi Lisani El-Arnauti” nё origjinal f. 8, tё cilin e shkroi më 1890 dhe e botoi nё Stamboll, me lejen e Ministrisë së Arsimit tё Turqisë, me nr. 109.
[9]. Shakir El-Bedrij, “Edh-dhikra El-Halidetu li-En-Nebijji El-Halidi”, botoi “Daru El-Basrij”, Bagdad, 1969 m – (1388 h.), f. 16-17.
[10]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu li Ibni Hisham”, pjesa e parë, botimi III, Bejrut, 1971 m/1391 h, f. 167.
-Shih Ebu Abdil-lah Ez-Zinxhanij, Tarihu El-Kur’ani, Bejrut, 1969 m – (1388 h), f. 17.
-Shih edhe: Safijurrahman, Nektari i Vulosur i Xhenetit, përkthyer nga boshnjakishtja, “ Urtësia” – Shkup, 1997, f. 54.
[11]. Ebu El-Fidai Ismail bin Umer bin Kethir El-Kurejshij, “El-Fusulu fi Sireti Er-Resuli”, përpunuar dhe korrektuar nga Ebu Usamete Selim, Es-Selefij, botimi I, libri 1, Kuvejt, 2003 m – (1424 h.), f. 49.
[12]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu Li-Ibni Hisham”, pjesa e parë, botimi III, Bejrut, 1391 h. (1971), f. 191-194.
-Shih edhe: Safijurrahman El-Mubarekfuri, vepër e cituar, f. 21.
[13]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijjetu Li-Ibni Hisham”, pjesa e parë, botimi III, Bejrut, 1391 h. (1971), f. 176.
[14]. Es-Siretu En-Nebevijetu Li-Ibni Hisham, f. 195-196.
[15]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu”, vepër e cituar, Bejrut, 1391 h. (1971), f. 201.
– Shih edhe Safijurrahman El-Mubarekfuri, Nektari i Vulosur i Xhenetit, përkthyer nga boshnjakishtja, Urtësia-Shkup, 1997, f. 61.
[16]. Po aty, f. 204, 209.
[17]. Ebu Abdil-lah ez-Zinxhanij, Terihu El-Ku’rani, Bejrut, 1388 (1969), f. 21.
[18]. Safijurrahman El-Mubarekfuri, vepër e cituar, f. 65
[19]. Muhammed Alij Es-Sabunij “ vepër e cituar, botim II, f. 12.
[20]. Kur’ani, sureja El-AIek, ajeti 1-5.
[21]. Kur’ani, sureja El-Kalem, ajeti 4.
[22]. Ibni El-Kajjem El-Xhevzijjetu, “Medariku Es-Salikinë”, pjesa e I-rë, botoi “Daru Ihjai Et-turathi El-Arabij”, Bejrut-Liban, 1999 m. (1419 h.), f. 370.
[23]. Transmetuar edhe në historinë e Ibni Hishamit.
[24]. Dr. Shevki Dajf, “El-Asru El-Islamij”, botimi i XIII-të, Kajro, 1963, f. 83.
[25]. Majkëll Hart, “100 personalitete më me ndikim në histori”, Tetovë, 1997, f. 13.
[26]. El-Imam El-Hafidh Ebu Ismail bin Kethir Ed-Dimashkij “El-Bidajetu ve En-Nihajetu” pjesa e XIII-të, botoi “Mektebetu El-Iman”, f. 131-132.
[27]. Shih Feridudin Aydin “Festimi i mevludit dhe kultura e imitimit” AlbIslam, botuar më 1 Mars 2009.
[28]. .التحذير من البدع ص 3-4
[29]. Kur’ani, sureja El-Ah’zab, ajeti 56.
[30]. .، ص. 44 الشيخ محمد بخيت المطيعي مفتي الديار المصرية سابقاً في كتابه: (أحسن الكلام فيما يتعلق بالسنة والبدعة من الأحكام)
[31]. أبو شامة في كتابه: “الباعث على إنكار البدع والحوادث”
[32]. El-Imam El-Hafidh Ebu Ismail bin Kethir Ed-Dimashkij “El-Bidajetu ve En-Nihajetu” pjesa e XIII-të, botoi “Mektebetu El-Iman”, f. 131-132.
[33]. Këto të dhëna janë marrë e nga numri më i ri i revistës AlbIslam, i botuar më 1 Mars, botoi “Mektebetu El-Iman”, 2009, f. 131-132.
[34]. .اقتضاء الصراط المستقيم, ص 297
[35]. .شرح القسطلانى على صحيح البخاري
[36]. انظر السيرة النبوية والآثار المحمدية المطبوع على هامش السيرة الحلبية.
[37]. فتاوى الشيخ رشيد رضا، ج. 4، ص. 1243.
[38]. Ibn Tejmije, “Mexhmuu El-Fetava”, v. 11, f. 97.
[39]. Ibn Tejmije, “Iktidau Es-Sirati El-Mustekim”, f. 297.
[40]. Ahmed bin Abdu Es-Selam Ibni Et-Tejmijjeti, “Iktidau Es Sirati El-Mustekim”, pjesa e II-të, botoi “Daru El-Asimeti”, botimi i VII-të, Rijad, 1998 m. (1419 h.), f. 126.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...