Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 26, 2018 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi, Studime 0
nga Mr. Elez Ismaili
Medreseja “Isa Beu”-Shkup
Abstrakt
Është fakt se me çështjen e përkthimit të Kur’anit janë marrë dijetarët më eminentë të proveniencës islame, dhe të gjithë kanë dhënë mendimet e veta lidhur me të. Duke i analizuar pohimet e tyre, mund të konstatojmë se përkthyesit e të gjitha kohërave nuk kanë qenë kategorikë, që Kur’ani të mos përkthehet, por janë pajtuar që, ky thesar hyjnor, t’iu ofrohet popujve të mbarë botës. Dhe së fundi duhet të pajtohemi me këto dy konstatime, që mund t’i përdorim si moto. I pari është ai i Imam Vehbi Dibrës, që del nga deklarata e tij me rastin e botimit të disa pjesëve të Kur’anit në turqisht dhe shqip. Ai thotë: “Si kur qi dihet Kur-ani asht fjala e madhnueshme e krijuesit të Gjithsis, prandaj lypset me u përkthye madhnisht e nuk asht punë qi mbarohet me pendën e meftshme të mend shkurtënve”. Kurse për përkthimet me gabime thotë: “me këndue ksi soj librash se gabimet qi duken sheshit në përkthimet e përmendura mund t’u ngatrrojn besimin e prandaj i porosisim qi të mos u napin randsië dhe mos t’i këndojnë fare[1].” Ndërsa konstatimi tjetër është ai i Enes Kariqit, ku thotë: “Kur’ani nuk ka mundësi të përkthehet, por ai pa tjetër duhet përkthyer”.
Në hyrje të këtij studimi, e shoh të udhës të jap konstatimin me të cilin pajtohen të gjithë studiuesit tanë se, në kuadër të gamës së veprimtarisë botuese të literaturës islame, pa dyshim që përkthimi i Kur’anit zë vend të veçantë dhe ka një shtrirje kohore më se 100-vjeçare. Me përkthimin e Kur’anit, Gjuhës Shqipe iu sigurua statusi i gjuhës me të cilën është arritur përndritja e Shpalljes Hyjnore, kurse popullit tonë i është dhuruar thesari më i shtrenjtë i njerëzimit, që është fanar ndriçues për të gjithë popujt e botës, pa dallim ngjyre, race a bindjesh fetare.
1.1 Qafëzezi ka meritat e veta sepse, siç konstaton edhe studiuesi i mirënjohur Gazmend Shpuza, deshi të bëjë “çështje të kulluar kombëtare” dhe të paraqesë prova të një koncepti të gjerë dhe përparimtar për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis besimtarëve të feve të ndryshme në atdheun e përbashkët. Është i kuptueshëm edhe karakteri iluminist i tij. Por, kur bëhet fjalë për Kur’anin, çfarë meritash i takojnë një përkthyesi, që merr guximin të përkthejë Kur’anin, ose cilin do libër të shenjtë, nga një gjuhë që s’ka as afërsinë më të vogël me gjuhën në të cilën është shpallur? Por tashmë janë të njohura reagimet për përkthimet e Kur’anit, ose çfarëdo vepre tjetër, jo drejtpërdrejtë nga origjinali arabisht, madje ato përkthime kanë dalë të dyshimta dhe jo qëllimmira[4].
1.2 Të kësaj kohe i kemi edhe përpjekjet e para në mënyrë të institucionalizuar, pak kohë pas themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar (1923), kur Hafiz Ali Korça më 1926 bëri hapat e para drejt përkthimit dhe komentimit të Kur’anit; Hafiz Ibrahim Dalliu për 15 vjet, në tri vëllime botoi Ajkën e kuptimeve të Kur’ani Kerimit, që njihet si përkthimi më i plotë, krahasuar me përpjekjet e më hershme ose të mëvonshme, të pjesërishme, nga Abdullah Zemblaku (gjatë viteve 30-34) dhe nga Ferit Vokopola, i cili ka bërë përkthimin e pjesëve të Kur’anit, të realizuara përmes frëngjishtes në gjuhën shqipe[5]. Por cilat kanë qenë indikacionet, që e shtynë Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Ali Asllanin, Ferit Vokopolën, Abdullah Zemblakun e ndonjë tjetër, që t’i rreken një pune kaq të ndjeshme dhe me përgjegjësi karshi Zotit xh.sh. dhe të gjithë atyre që në Kur’an do të gjenin udhëzuesin e vërtetë të jetës?
Para se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, më duhet të paraqes një tezë që buron nga të dhënat, që i hasim në faqet e Zanit të Naltë[6], të Kulturës Islame[7], të revistës Njeriu[8], etj. Në të vërtetë, në këto revista, Imam Vehbi Dibra, Behxhet Shapati, Haki Sharofi etj., mbushnin faqe të tëra me vaaze e nasihate, të cilët edhe njihen si njohës të thellë të tefsirit dhe që kanë merita të veçanta, sepse në shkrimet e tyre, citatet kur’anore i kanë dhënë, krahas përkthimit edhe në origjinal dhe ne drejtpërdrejt vihemi para përkthimeve të Kur’anit nga dora e këtyre myderrizëve të shquar. Nuk duhet të çuditemi aspak nëse, nesër a pasnesër, dikush boton ndonjë punim, në të cilin do të përmblidhte vetëm përkthimet e ajeteve të cilido nga këta autorë, që i përmenda dhe besoj, se do të ishin më meritorë për përpjekjet e tyre në përkthimin e Kur’anit, sesa përkthyesit, që ne i përmendim si përkthyes të pjesëve të ndryshme të Kur’ani Kerimit.
Edhe pse është e vështirë për të dhënë një përgjigje të plotë se cilat ishin indikacionet që e shtynë Hafiz Ali Korçën dhe bashkëkohësit e tij të bëjnë atë, që mundën në përkthimin e Kur’anit, më duket se indikacionet do të jenë të njëjta me ato që patën Mulla Sherifi, Hasan Efendiu, Profesor Fetiu (në shënimet e ardhshme këtij grupi gjithsesi do t’ia bashkëngjisim edhe Muharrem Bllakçorin e Sali Efendi Ferhatin), sepse këta kanë qenë njerëzit më të zgjedhur që t’i dalin zot një pune kaq me përgjegjësi dhe që të mos mbetej në dorë të diletantëve. Dhe askush nuk ka të drejtë morale të thotë, për asnjërin prej të apostrofuarve, pse këta u morën me përkthimin e Kur’anit. Jo, ata kryen një mision të shenjtë dhe pikërisht puna e tyre ka bërë, që ne sot të shkruajmë e flasim rreth kësaj çështjeje.
Përkthimet e viteve tetëdhjetë
Sido që të ketë qenë e vërteta, do të përmendim me këtë rast vetëm një detaj, që nuk ka të bëjë me njerëz të proveniencës fetare, por të asaj laike. Ndoshta ishte refleksion i atmosferës politike, që u krijua në vend. Hetohej njëfarë liberalizmi në shumë sfera të jetës, si në art, në kulturë, letërsi. Pa e tepruar do të përmendim vetëm një rast. Në fillim të viteve tetëdhjetë, u dëgjuan në Prishtinë njerëz, që shprehnin revoltë kundër Entit të Botimeve të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, se nuk futnin në plan botues përkthimin e Kur’anit, e në anën tjetër, autoritetet e këtij Enti, ishin qepur pas letërsisë ruse, duke botuar kolana të gjata të autorëve të kësaj letërsie. Në të vërtetë, edhe nuk mund të pritej nga entet shtetërore, që të botonin literaturë fetare, pasi ndihej njëlloj animoziteti edhe ndaj letërsisë artistike të botës arabe. Kujtojmë vetëm një vepër të Mahmud Tejmur-it, që u botua në ato vite nga “Rilindja”[9]. Me gjithë pengesat e ndryshme, fatmirësisht, në fund të viteve 70-të e në fillim të viteve 80-të, u hodhën hapat e para, te ne, në përkthimin e disa veprave me përmbajtje fetare. Por, kulmi i kësaj veprimtarie u arrit me punën kolosale të Hasan Efendi Nahit, Mulla Sherif Ahmetit dhe akad. Feti Mehdiut, që i hynë kësaj pune me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat do të ballafaqoheshin.[10]
2.1. Kur bëhet fjalë për vitet e përkthimeve të Kur’ani Kerimit, madje edhe në vitet shtatëdhjetë, në programet mësimore të Universitetit të Prishtinës, mësohej për Kur’anin, qoftë si vepër letrare, apo filozofike. Tani duam të besojmë, se i është dhënë vend shumë më tepër se atëherë, por mua më habit fakti se në tekstet e shkollave të mesme edhe sot e kësaj dite figurojnë njësi mësimore për vepra, që i takojnë mitologjive të popujve të ndryshëm, kurse për Kur’anin, me sa kam njohuri, nuk është menduar fare. Për këtë çështje, Ministria e Arsimit duhet të marrë hapat e duhura që, në programet aktuale të shkollave tona, të mësohet më tepër për librat e shpallura, sesa për mitologjitë dhe trashëgiminë letrare të popujve të lashtë. Por edhe Bashkësia Islame, duhet ta aktualizojë një kërkesë të këtillë, sepse është pjesë integrale e këtij sistemi arsimor. E shtrova këtë çështje sepse për çdo ditë e më tepër, Kur’ani si libër i shenjtë, zë vend meritor në programet mësimore të shumë vendeve evropiane, qoftë në tekstet shkollore të ciklit të mesëm, apo edhe atij universitar. Si shembull më të freskët mund të përmendim Gjermaninë dhe Zvicrën.
Kur të merret parasysh kjo që po ndodh me sistemin arsimor të shumë vendeve evropiane, a thua vallë, nuk ka ardhur ende koha që Hermeneutika e Kur’anit ose Kur’anologjia të zërë vendin e merituar edhe në sistemin tonë shkollor? Kjo për shkak se, postulatet kur’anore, sa më afër rinisë shkollore që të jenë, aq më e ndritshme do të jetë edhe ardhmja e saj, që të mund të ecë shtigjeve të jetës ballëhapur dhe të jetë mbartës i vlerave humane e universale të mbarë njerëzimit.
Ky është 30-vjetori i Kur’anit të përkthyer
3.1. Sipas F. Mehdiut, në parathënien e përkthimit të parë, faqe 5, thuhet: “…përkthimi në cilëndo gjuhë, pra edhe në gjuhën shqipe, është i pamundur ta përcjellë në mënyrë adekuate origjinalin” dhe se “Njësoj sikurse edhe përkthimet dhe komentimet në gjuhët e tjera, edhe ky në gjuhën shqipe, ka për qëllim ta plotësojë një zbrazëti të kamotshme, sepse jemi ndër popujt e vonuar që Kur’anin nuk e kishim të përkthyer në gjuhën tonë”.[11] Kurse në përkthimin e Hasan Efendiut, në mënyrë të tërthortë, kuptojmë nga parathënia e Mulla Sadri Prestreshit, ku thuhet: “Edhe te ne, gjer tani janë bërë përpjekje për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, por duke shfrytëzuar përkthimet në gjuhët e tjera” dhe se ”Ky përkthim është bërë nga origjinali arabisht dhe është rezultat i punës shumëvjeçare të përkthyesit”.[12] Në të gjitha botimet e Mulla Sherif Ahmetit nuk hasa ndonjë pasus, që do të hidhte dritë për qëllimin e kësaj ndërmarrje aq me vlerë.[13]
3.2. Ne që kemi pasur fatin t’i njohim nga afër përkthyesit tanë, kemi atë të drejtë të themi diçka më tepër se kushdo tjetër. Hasan Efendiu e njihte arabishten edhe në rrafshin e leksikut të gjuhës arabe edhe në aspektin gramatikor, si student i Az’harit që ishte, por edhe kishte atë dhunti, që ia kishte falur Zoti, që pas vetes, të lejë një xhevahir kaq të çmueshëm. Në anën tjetër edhe puna shumëvjeçare në mësimdhënie ia mundësoi edhe më shumë perfeksionimin e gjuhës së Kur’anit. Por shqipen, ruante atë të vendlindjes. Gjuhën e sotme letrare nuk pati rastin ta përvetësojë, por njerëzit që i ndihmuan, ishin njohës të mirë edhe të gjuhës, por edhe të botimit (tipografisë) të një vepre kapitale siç është Kur’ani.
3.3. Mulla Sherifi, nga përvoja e tij arsimore, shqipen e dinte, por arabishten e dinte aq sa mund ta dijë një person, që nuk ka pasur rast të studiojë në botën arabe (kjo nuk do të thotë se për çdo përkthyes të jetë kriter mësimi i arabishtes në ndonjërin nga shtetet arabe). Është dashur patjetër të mbështetet në përkthimet e boshnjakishtes, konkretisht ai zgjodhi metodologjinë e përkthimit dhe të komentimit të Çausheviqit.
3.4. Feti Mehdiu, mund të themi se e ka njohur shqipen, normën e sotme letrare, ka studiuar orientalistikën, e ka njohur edhe boshnjakishten, mbase edhe turqishten, madje ka qenë për një kohë edhe në Kajro në specializim të gjuhës, para se t’i rrekej përkthimit të Kur’anit. Prapëseprapë, strumbullar i përkthimit të tij është dëshira për të pasur secilin version të përkthimit boshnjakisht, dhe ai këtë e ka bërë; për nga ana metodologjike e punës është mbështetur në përkthimin e Besim Korkutit, madje nga ky përkthim ka marrë edhe parathënien e Fazlur-Rrahmanit.
3.5. Secili nga emrat e përmendur ka pasur arsye shumë të fortë për punën që ka bërë. Është fakt i pamohueshëm se si këta profesorë dhe të tjerë hoxhallarë, dikush më shumë e dikush më pak, ka pasur në dorë Ajkën e kuptimeve të Kur’ani Kerimit të Hafiz Ibrahim Dalliut ose përkthimin e Hafiz Ali Korçës, por më së tepërmi janë shërbyer me përkthimet boshnjakisht. Kjo nuk vlen për punën e Hasan Efendiut. Megjithatë, nuk duam të besojmë se qëllimi i tyre ka qenë të zëvendësohet përkthimi boshnjakisht me përkthim shqip. Para së gjithash, jemi të bindur thellë se e kanë kuptuar si një punë sublime, të shenjtë, që fjala e Allahut të thuhet ose të ketë “hijen e tij shqip”, siç e përdori dr. Feti Mehdiu në botimin e dytë, ose të bëhet “Ndërmjetësia për të shpjeguar fjalën e Zotit… për të kuptuar shpirtërisht dhe fizikisht mesazhin hyjnor, për të kapërcyer të gjitha kufizimet njerëzore, për të arritur standardet më të fundit të kulturës, shkencës dhe qytetërimit”, siç thuhet në fjalën e botuesit, të botimit të nëntë të përkthimit të Hasan Efendi Nahit.[14]
A është arritur qëllimi final?
Përkthimi i Kur’ani Kerimit në rrafshin gjuhësor: mbi baza të gjuhës standarde-pa asnjë dilemë, por jo në dëm të origjinalit
5.1. Dikur edhe profesorëve tanë, kur u drejtoheshim se nuk ka gjuhë në botë, në të cilën kërkohej që fjalët Zot, Perëndi, Hyjni të shkruhen me shkronjë të vogël, më thoshin: ashtu e parasheh drejtshkrimi. E sot, këtu nëse ju drejtohemi, kolegëve tanë, se fjalët Kur’an, All-llah, Muhammed, etj. do të shkruhen me apostrof e teshdid, nuk e di çfarë përgjigjeje do të marrim. Me këtë rast do të paraqesim disa të dhëna të shkurtra, vetëm për fjalët All-llah, Muhammed dhe Kur’an, se si i kanë shkruar tre përkthyesit tanë. Në përkthimin e parë dhe të dytë të Feti Mehdiut këto fjalë shkruhen: All-llah, Kur’an dhe Muhammed, pra me teshdid dhe apostrof. Në botimin e parë, të vitit 1988, të Mulla Sherifit këto fjalë shkruhen: Kur’ani, Muhamedi, Allahu. Në botimin e Kajros (1992) shkruhen: Allahu, Kur’ani, Muhamedi. Në fusnotën e parë të këtij botimi (f. 27) jepet ky shënim: Origjinali i këtij emri në gjuhën arabe është All-llah. Ndërsa në botimin e Medinës shkruhen: Kur’ani, Muhammedi, All-llahu. Edhe Hasan Efendiu i përdor po në këtë trajtë: All-llahu, Kur’ani, Hazreti Muhammedi.
5.2. Do të kishim dëshirë, që të formohej një grup punues dhe në mos për të gjitha, të paktën për disa fjalë, që i përdorim më shpesh, të marrim një qëndrim të prerë dhe të përdoren konform gjuhës së Kur’anit, ose le të ndodhë e kundërta; cilado qoftë zgjedhja le të më paraqiten argumente të forta e të sakta, që ne të gjithë të pajtohemi me ta e t’i përdorim të gjithë njësoj fjalët e terminologjisë islame. Realisht shpresojmë, që dikush të trajtojë këtë segment të rëndësishëm të përdorimit të drejtë të terminologjisë islame, qoftë në tekstet e përkthyera, ose në ato origjinale, dhe të hiqen njëherë e përgjithmonë dilemat rreth përdorimit konsekuent të fjalëve të proveniencës islame.
Si përfundim
Është fakt se me çështjen e përkthimit të Kur’anit janë marrë dijetarët më eminentë të proveniencës islame dhe të gjithë kanë dhënë mendimet e veta lidhur me të. Duke i analizuar pohimet e tyre, mund të konstatojmë se përkthyesit e të gjitha kohërave nuk kanë qenë kategorikë që Kur’ani të mos përkthehet, por janë pajtuar që, ky thesar hyjnor, t’iu ofrohet popujve të mbarë botës. Dhe së fundi duhet të pajtohemi me këto dy konstatime, që mund t’i përdorim si moto. I pari është ai i Imam Vehbi Dibrës, që del nga deklarata e tij me rastin e botimit të disa pjesëve të Kur’anit në turqisht dhe shqip. Ai thotë: “Si kur qi dihet Kur-ani asht fjala e madhnueshme e krijuesit të Gjithsis, prandaj lypset me u përkthye madhnisht e nuk asht punë qi mbarohet me pendën e meftshme të mend shkurtënve”. Kurse për përkthimet me gabime thotë: “me këndue ksi soj librash se gabimet qi duken sheshit në përkthimet e përmendura mund t’u ngatrrojn besimin e prandaj i porosisim qi të mos u napin randsië dhe mos t’i këndojnë fare[19]. Ndërsa konstatimi tjetër është ai i Enes Kariqit, ku thotë: “Kur’ani nuk ka mundësi të përkthehet, por ai pa tjetër duhet përkthyer”[20].
Referenca:
[1]. Deklaratë e Krye Muftiut, Zani i Naltë, nr. 12, Shtatuer, 1924, f. 384.
[2]. Sipas studiuesit tonë të njohur Gazmend Shpuza, përkthimi i Ilo M. Qafëzezit është i pari përkthim i Kur’anit në gjuhën shqipe nga një bashkatdhetar ortodoks. Është përkthim i pjesshëm i mbështetur në përkthimin anglisht të bërë nga George Sale. http://kuranifisnik.net/kuranifisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=273
[3]. Thelb i Kur’anit, pjesë përbërëse e veprës Mësime në botimin e kompletit të veprave të Naimit, si në Tiranë po ashtu edhe në Prishtinë, nuk përmendet fare. Botimin e parë të kësaj vepre e ka bërë vetë Naimi në Bukuresht më 1894. Studimin më të plotë të këtij kontributi e ka bërë dr. Mahmud Hysa. Më gjerësisht shih studimin me titull Naim Frashëri si përkthyes i një varianti të Kur’anit të këtij autori në veprën Alamiada shqiptare II Logos-A, Shkup 2000, f. 39-79.
[4]. Për përkthimin e I. M. Qafëzezit do të mjaftonte edhe reagimi i Imam Vehbi Dibrës në Zanin e Naltë, nr. 12 të vitit 1924, f. 384 që është i njëjtë me reagimin e ulemave boshnjakë rreth përkthimit të Lubibratiqit. Sipas Enes Kariqit, vepra e cituar në fusnotën nr. 13.
[5]. Gazmend Shpuza, punimi i cituar.
[6]. Zani i Naltë, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar, Tiranë 1924.
[7]. Kultura Islame, Komuniteti Musliman Shqiptar, E përmuajshme Fetare, Filozofike, Morale e Shoqnore, Tiranë.
[8]. Njeriu, Revistë e përmuajshme shpirtnore kulturore, Tiranë 1942.
[9]. Mahmud Tejmur, Haxhi Çelebiu, “Rilindja”, Prishtinë, 1968. Përkthyer nga Hasan Kaleshi.
[10]. Në këtë kontekst do të mjaftonin disa pasazhe nga kumtesa e autorit të këtij shkrimi ose e referuesve të tjerë nga punimet e sesionit shkencor kushtuar Hasan Efendisë, ku bëhet fjalë për peripecitë e tij me rastin e botimit të përkthimit të Kur’anit në Zagreb, nga Shtëpia Botuese “Ognjen Prica”. Shih: Muderriz Hasan ef. Nahi, Jeta dhe vepra (1905-1991) Botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2012.
[11]. Kur’ani, përktheu Feti Mehdiu, botues: Kryesia e Bashkësisë Islame, Prishtinë, 1985.
[12]. Kur’ani i Madhëruar, e përktheu nga arabishtja Prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë, 1988.
[13]. Kur’an-i, Përkthim me Komentim. Përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, Botues: Kryesia e Bashkësisë Islame, Prishtinë, 1988.
[14]. Kur’ani i Madhërishëm në gjuhën shqipe, Përktheu nga gjuha arabe Prof. Hasan I. Nahi. Botues: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë, 2012.
[15]. Shprehja “Ende jo”, uroj që të mos shkaktojë reagime. Për këtë arsye, duke dashur që të mos keqinterpretohet ky konstatim imi, ose të japë kualifikime superiore, qoftë për përkthimet që janë marrë në shqyrtim, apo edhe për përkthimet e tjera, në gjuhë të ndryshme, unë do të sugjeroja studimin i Enes Kariqit, ku ai jep të dhëna të hollësishme mbi përkthimet e Kur’anit duke filluar me përkthimin e Fatihasë nga myslimani i parë persian (gjysma e parë e shek. VII) e deri te përkthyesi i fundit në gj. boshnjake, Besim Korkut. Po ashtu edhe punimi i prof. Nexhat Ibrahimit na ofron të dhëna të mjaftueshme për historikun e përkthimit të Kur’anit në përgjithësi, dhe te shqiptarët në veçanti. Për më shumë shih: http://kuranifisnik.net/kuranifisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=275.
Për ne ka rëndësi të vëmë një paralele ndërmjet përkthimit të Lubobratiqit dhe të I. M. Qafëzezit. Sepse duke e njohur sa më afër punën e Lubobratiqit, do të kuptojmë, edhe qëllimin e Qafëzezit. Në veprën e tij Tefsir-hyrje në shkencën e tefsirit, botim i Bosanska knjiga, Sarajevo, 1995, faqe 264, në kapitullin mbi përkthimet e Kur’anit, që nga Miqo Lubobratiqi deri te Besim Korkuti, autori na jep profilin e vërtetë të përkthyesit Lubobratiq, i cili e ka përkthyer Kur’anin nga rusishtja, ndërsa në rusisht nga frëngjishtja, edhe atë për t’i pajtuar Serbët “me muhamedanët e kombësisë serbe”. Ai njihej si udhëheqës i kryengritësve hercegovas dhe person që proklamonte “bashkëpunimin vëllazëror të serbëve dhe myslimanëve boshnjakë” dhe ky gjest i Lubobratiçit nga ana e ulemave të kohës u trajtua si hap antiislam par exellence.
[16] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës- Fakulteti i Studimeve Islame, Terminologjia Islame, Prishtinë 2006.
[17]. Të gjithë mund t’i kuptojmë, por shokët tanë që kanë mbaruar Medresenë ose Fakultetin e Studimeve Islame dhe në shkrimet e veta të përdorin fjalën Kur’an (Kuran) pa apostrof ose fjalët All-llah dhe Muhammed (kur është fjala për Pejgamberin tonë a.s.) pa teshdid, me të vërtetë është e pakuptimtë. Lidhur me këtë çështje, kemi shfletuar edhe disa përkthime në gjuhë të ndryshme të botës. Kemi hetuar se gjithnjë e më tepër shihet tendenca e përdorimit të këtyre fjalëve, sa më afër gjuhës së Kur’anit, ashtu si u propozua nga shumica e referuesve në Sesionin shkencor, të shënuar në fusnotën 14.
[18]. Dr. Shyqyri Hysi, Rauf Fico – shtetar dhe diplomat i shquar (monografi), Tiranë, 2007. Në faqen 231 të kësaj monografie shkruan se parathënien e Rubairave e shkroi shoku i studimeve, Rauf Fico. Mes tjerash thuhet: “Hafiz Ali Korça, që e njihte mirë persishten, me nxitjen edhe të Rauf Ficos, bëri përkthimin e kësaj vepre madhështore persiane.” Ndërsa, pak më poshtë, jepet ky pasazh nga parathënia e Ficos: “Unë prej Aliut kam marrë edhe disa mësime persisht. Nuk besoj që të ndodhet ndonjë njeri në Shqipëri që ta zotërojë persishten kaq mirë sa ky. Ai librin ‘Gjylistani’, ashtu edhe disa pjesë nga Shahnameja e Firdusit, i ka përkthyer me shtytjen time”. Ky shembull parashtrohet vetëm e vetëm që t’ua bëjë të ditur studiuesve tanë se, edhe sot, gjenden mecenë të vërtetë që mundohen që e vërteta shkencore të dalë në sipërfaqe. Këto të dhëna që u përmendën, si dhe faktin se Ali Asllani ka bërë përkthimin e Kur’anit në Gjuhën Shqipe, më janë konfirmuar qysh më 1991, nga Bardhyl Fico, i biri i Rauf Ficos.
[19]. Deklaratë e Krye Muftiut, Zani i Naltë, nr. 12, Shtatuer, 1924, f. 384.
[20]. Enes Kariq, vep. e cit.
Artikull i botuar në revistën “Zani i Naltë”, nr. 18 (171), janar, shkurt, mars 2017.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...