Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Aug 04, 2018 Zani i Nalte Studime 0
nga Fatos A. Kopliku, Washington DC, SHBA
Gjithmonë të nënshtruarit kërkojnë t’imitojnë fitimtarin në tiparet e tij dalluese, veshjen, profesionin, e të gjitha cilësitë e zakonet e tij.[1]
Abstrakt
Është e vështirë të imagjinohen njerëz e engjëj të veshur me kostum me kollare apo me xhinsa në parajsë; ka diçka që nuk shkon, që nuk puqet mes rrobave të tilla e parajsës. Nga ana tjetër duket krejt e natyrshme kur në parajsë ata paraqiten me veshje tradicionale, pavarësisht nga qytetërimi apo raca. Në miniaturat perse, indiane, e osmane që ilustrojnë rrugëtimin e Natës së Mir’axhit të Profetit Muhammed[2] profetët e hershëm e engjëjt që ai takon paraqiten me petka tradicionale, deomos plot larmi falë gjenisë të artistëve e origjinës së tyre etnike, por krejt natyrshëm e pa asnjë stonim me sferat çelestiale ku ndodhen. Gravurat e mozaikët bizantinë, gjithashtu, ilustrojnë me mjeshtëri çaste nga jeta e Krishtit, Virgjëreshës, apo profetëve të Dhiatës së vjetër, qoftë në tokë qoftë në parajsë, e nëse u kushtojmë vëmendje petkave ato prapë janë në harmoni të plotë me temën e sfondin. Me përjashtimin e asaj moderne, mund të sillen shembuj të ngjashëm të përputhjes së veshjeve tradicionale me parajsën, profetët, e shenjtorët edhe nga Hinduizmi e Budizmi, apo edhe në religjione që nuk janë më operative, si ato të qytetërimeve të lashtësisë, Egjiptit, Mesopotamisë, apo Persisë. Në këtë shkrim argumentojmë se arsyet e kësaj harmonie lidhen ngushtë me rolin e njeriut, si e sheh ai veten, e si rrjedhojë si vishet në përputhje me atë rol.
Në vetvete një petk e një cohë nuk mund të na ulë apo lartësojë, dhe anekdota “ha qyrk, pi qyrk” e Nastradinit e thumbon prirjen për të vlerësuar veshjen e paraqitjen ndërsa neglizhojnë njeriun vetë.[3] Por nga ana tjetër do të nguteshim nëse do ta nënvlerësonim rëndësinë e veshjes, qoftë mbi ne qoftë mbi të tjerët. Natyrshëm, me apo pavetëdije, e identifikojmë veten me atë çka veshim pasi ajo na tregon rolin që pritet të luajmë; mjafton të vëzhgojmë se si njerëzit ndihen e sillen kur veshin kostume të ndryshme. Jo rastësisht shumë profesione apo sporte të ndryshme kanë uniformën përkatëse në përputhje me rolin që duhet të përmbushet. Mund të imagjinojmë ushtarë të veshur si infermierë, apo në pantallona të shkurtra e me shapka, por me shumë gjasë çdo general do të na thonte se në mungesë të uniformës përkatëse ata do të ishin vetëm gjysëm ushtarë. Po ashtu çdo aktor do ta pohonte se është më kollaj të flasësh e sillesh si lypës kur ke zhele sesa me kurorë në kokë e petka mëndafshi në shtat. Shkuarja në një dasëm, ballo, apo mbledhje me veshjen jo të duhur krijon një siklet që shumëkush në një mënyrë apo tjetër e ka provuar. Veshja nënkupton rolin që marrim përsipër, e kur nuk përkon me atë që pritet prej nesh kjo na ndikon jo pak. Dmth, ashtu si petku i përkatës e ndihmon, ai i papërshtatshmi e pengon njeriun në përmbushjen e një roli të caktuar. Shtojmë se larmia e veshjeve nuk bie deomos në kundërshtim me përshtatësinë e tyre; psh, veshja e një kalorësi teuton, e një spahiu, dhe e një samurai edhe pse ndryshojnë qartë nga njëra tjetra, ato kanë të përbashkët përputhjen e plotë me rolin e tyre marcial; kuptohet, kjo vlen jo vetëm për veshjet ushtarake.[4]
Në një shoqëri tradicionale[5] njeriu ka një rol që është përtej çdo profesioni e zanati; atë të qenurit njëherësh rob dhe mëkëmbës i Zotit në tokë. Për ta ndihmuar njeriun ta përmbushë këtë rol çdo shoqëri ka gjetur “gjuhën” për petkun e vet, qoftë në shkretëtirat e Hixhazit, në qytetet shekullore të Mesdheut e Lindjes së Largët, apo në rrafshnajat e Amerikës. Veshja është një art, në krahasim me të cilin asnjë tjetër nuk i rri më afër njeriut, qoftë fizikisht, qoftë psikologjikisht. Nga një anë petku na mbulon shtatin, e njëkohësisht nga ana tjetër zbulon diçka nga vetja jonë: çfarë përbën për ne një veshje me dinjitet, si e shohim veten e çfarë atributesh duam të manifestojmë, e mendimi që të tjerët kanë për të, diçka e lidhur ngushtë me kushtin pararendës.[6]
Veshja shpërfaq rolin shpirtëror ose shoqëror, ose vetë shpirtin tonë. Ndikimi ndër ne e ndër të tjerë nuk duhet të na çudisë shumë pasi në thelb veshja riprodhon në rrafshin njerëzor një proçes me përmasa kozmike, atë të manifestimit të Ḥakkut, të Vërtetit, Fytyra (Waxhh) e të Cilit fshihet pas “shtatëdhjetë mijë perdeve”.[7] Çdo manifestim (texhelī) është një petk nëpërjet të cilit Zoti shpalos Cilësitë e Veta, dhe qëndrimet tona varen prej petkut nëpërmjet të cilit Ato shfaqen. Ndryshe reagojmë kur shfaqen Cilësitë e Madhështisë nëpërmjet një vullkani apo rrufeje, e ndryshe reagojmë kur përballemi me Cilësitë e Mëshirës kur manifestohen nga kafshët në përkujdesen për të vegjlit e tyre… Përderisa Zoti e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e Tij – ‘ala sūratiHi ose Imago Dei – ai i dha edhe lirinë e zgjedhjes. Kjo e fundit i jep mundësinë atij të marrë përsipër çdo virtyt e cilësi – jetën, inteligjencën, drejtësinë, pushtetin, bujarinë, trimërinë – si hua që deomos i kthehen të Zotit të Vërtetë; fundja “çdo gjë mbi tokë i nënshtrohet vdirjes, dhe mbetet veç Fytyra e Zotit Tuaj, Zotërues i Madhështisë e Bujarisë” [55:26-27]. Kësisoj, me këtë qasje njeriu pranon njëherësh rolin e shërbëtorisë dhe mëkëmbësisë; kur dikujt i jepet psh, inteligjencë apo pushtet, ai ose ajo i sheh këto cilësi si dhunti e amanete Hyjnore, e kërkon t’i përdorë ato në përputhje me Vullnetin Hyjnor. Në fakt as mirësia nuk na përket neve përfundimisht, siç thotë Krishti “Përse më quani të mirë? Askush s’është i mirë, përveç një Hyji të vetëm.”[8] Në të kundërt, kur njeriu zgjedh ta shohë çdo cilësi si të vetën, përfshirë virtytet, si rrjedhojë ai ose ajo ndihet i lirë t’i përdorë ato sipas dëshirës e interesit të vet. Sipas doktrinës islame, e jo vetëm, kjo është mungesë kthjelltësie që çon në rebelim dhe mosmirënjohje pasi është përvetësim i diçkaje që është dhënë hua. Secila zgjedhje kërkon përmbushjen e një roli: rob i Zotit e mëkëmbës i Tij, ose rebel e mosmirënjohës ndaj Tij. Në përputhje me rolin, me ose pa vetëdije, do të zgjedhim edhe petkun përkatës.
Disku i artë që stoliste gjoksin e kryepriftit të Dhiatës së Vjetër simbolizonte diellin, xhevahiret në petk yjet, e kurora ngjante me “brirët” e një hëne të re; ndërsa tek indianët e Amerikës, në veçanti petku i kryeplakut ishte diçka që tejçonte madhështinë e rolit të njeriut si njeri, jo thjesht si kafshë racionale. Kurora me pupla shqiponje mbi krye ishte një simbol i diellit në shkëlqim, i cili në vetvete simbolizon Shpirtin Universal[9] që, siç dielli, i jep jetë gjithçkaje. Puplat s’mund të ishin prej ndonjë zogu tjetër, pasi shqiponja shihej si ngadhnjyese mbi zvarranikët, simbol i fitores së natyrës engjëllore mbi atë demoniake, e jo kushdo kishte të drejtë të vinte një kurorë të tillë. Ndërsa brirët e bizonit ishin “brirët” e hënës së re e cila ngjason me një enë që pret mbushjen me hirin hyjnor, e thakët e mëngëve simbolizonin shiun e mëshirës.[10]
Panorama të tilla kozmike në veshje tregojnë për një rol thelbësor të njeriut si pasqyrë e gjithësisë, makrokozmos në mikrokozmos, e njëkohësisht urë lidhjeje mes mes qiellit[11] e tokës. Petku i monarkëve të Lindjes së Largët – perandorë të Kinës, Japonisë, Siamit, etj – pritej me një jakë rrethore, ndërsa kindi i petkut pritej në mënyrë katrore. Rrethi është simbol i qiellit e katrori i tokës, çka tregon se në parim roli i një sunduesi ishte të shërbente si urë e zëdhënës mes qiellit e tokës. Ideja e sundimtarit si urë ishte e pranishme edhe në Romën e Lashtë, e haset akoma sot në Katolicizëm pasi një nga titujt e papës është Summus Pontifex, që do të thotë “urë-ndërtuesi suprem”.[12] Njëkohësisht parimi vlen për çdo njeri, jo veç për klerikun apo sundimtarin, të cilët thjesht shprehin edhe aspiratën e bashkësisë në fjalë, atë të njeriut si mëkëmbës i Zotit, term që në Islam njihet si khalifatullah. Vetë termi khalif nënkupton rolin e postit, e si rrjedhojë të gjithë shtetit (khalifatit), si mëkëmbës që përpiqet të përmbushë Vullnetin Hyjnor. Duhet të thuhet se shkarjet nga norma të sundimtarëve të ndryshëm nuk e cënuan parimin e idealin e rolit pavarësisht rrymës së ngjarjeve për shekuj me radhë. Pretendimet e kohëve të fundit për ringjallje të khalifatit, për fat të keq, janë parodi e karikatura të kuptimit origjinal. Gjithashtu, titulli khalif u është dhënë nga bashkësia myslimane edhe dijetarëve e dinjitarëve, urtarëve, e udhëheqësve shpirtërorë: shehlerë, dedelerë, baballarë… Në fakt, më shumë se sundimtarët, ata shiheshin si trupëzimi i vërtetë i këtij titulli fisnik.
Duhet të themi diçka edhe mbi lakuriqësinë që haset akoma në disa fise nëpër botë, e cila simbolizon gjëndjen e qëmotshme kur njeriu dhe bota ishin pjesë e pandarë, kur njeriu jetonte veç në hapësirë e jo në kohë. Psh, për disa lloj asketësh hindu (nanga sannyasin) ose disa fise aborigjenë të Australisë, petku i tyre është vetë hapësira e cila tejzgjatet deri në kulmet e paana qiellore.[13] Lakuriqësia është gjithashtu e lidhur ngushtë me pafajësinë (lakuriqësia e fëmijëve të vegjël na duket normale) dhe humbja e saj, dmth lindja e ndjenjës së “turpit”, kërkon petk.
Ndërsa veshjet me simbole qiellore e kozmike theksojnë rolin aktiv të njeriut si përfaqësues e mëkëmbës të Zotit në tokë, veshja e thjeshtë e murgut konfirmon shfaqosjen, pra rolin pasiv të njeriut karshi Vullnetit të Tij. Në rastin e Islamit kemi një veshje që pasqyron ndërthurjen e këtyre dy roleve pasi petku hieratik i popujve semitë, trashëguar providencialisht nga Islami, kombinon veshjen murgërore me turbanin, kurorën ose diademën e Islamit, vulën e përshpirtmërisë tek njeriu.[14] Kjo veshje mund të shihet si një koment estetik i rolit drejt të cilit Profeti Muhammed, njëherësh shërbëtor (‘abd) dhe i dërguar (resūl) i Zotit, fton e udhëzon ymmetin, bashkësinë e vet. Nuk është e rastësishme që kur një bashkësi myslimane fillon e dobësohet shpirtërisht duke u larguar prej parimeve, e para ndalesë ose braktisje është ajo e turbanit. Nga ana simbolike mund të thuhet se me heqjen e turbanit myslimani heq dorë nga roli si mëkëmbës i Zotit, e me heqjen e petkut të lëshuar alla-murgëror ai nuk është më rob i Zotit por kthehet në rebel ndaj Vullnetit të Tij.
Nëse shqyrtojmë diktaturat e regjimet sekulare shohim se ato kanë diçka thelbësisht të përbashkët; sabotimin sistematik të autoritetit shpirtëror si hap paraprak për kthimin e popullit në një masë uniforme, në fillim me veshje, e pastaj me mendime. Sabotimi i një roli u shoqërua natyrisht me krijimin e një tjetri, atë të “njeriut të ri”, një dukuri që e shohim në rrafshin teorik[15] fillimisht, e më pas në atë praktik. “Njeriu ynë i ri, vepra më e ndritur e Partisë”, një nga parullat më të njohura në Shqipërinë komuniste, është një nga dëshmitë dhe shembujt më të qartë të finalizimit të zhvendosjes së rolit tradicional të njeriut. Pavarësisht larmisë në intensitet, metoda, e data historike, kudo nëpër botë ndryshimet në emër të progresit apo modernizimit filluan me imponimin e veshjes moderne e ndalimin e asaj tradicionale. Ky ishte hapi i parë në institucionet shtetërore të Japonisë që në vitin 1864, po ashtu në Rusinë bolshevike,[16] në Turqinë moderne, në Kinën e Maos, e pothuajse në tërë Europën Lindore, përfshirë Shqipërinë. Këta reformistë e diktatorë e nuhatën në mënyrë intuitive papajtueshmërinë e veshjes tradicionale[17] me frymën e revolucioneve e ndryshimeve që donin të zbatonin. Reformat e shtetet moderniste janë të përqendruara ekskluzivisht në këtë botë pasi, drejtëpërdrejtë apo jo, ato e mohojnë praninë e botës tjetër. Ndërsa petku tradicional, e në veçanti ai hieratik, nënkupton praninë e botës tjetër, praninë e një botëkuptimi të caktuar që udhëzon e i tregon njeriut se ku janë përparësitë e aspiratat e rolit të tij si njeri.
Natyrisht, në përputhje me rolin e ri u u krijuan edhe veshje të reja për “njeriun e ri”: “këmishëzinjtë” e Italisë së Mussolinit, “këmishëkafët” e Gjermanisë së Hitlerit, uniformat partizane e proletare në vendet ku u hap komunizmi qoftë në Europë e përtej. Nuk është rastësi që këto uniforma janë gjithmonë kopje ose imitime veshjesh moderne perëndimore, e asnjëherë të bazuara në modelet folklorike e tradicionale të vendeve përkatëse. Veshja moderne perëndimore nuk u sajua për një ditë por është finalizim i zhvillimeve disashekullore që transformuan konceptin e njeriut dhe nevojave të tij, pasojë e një shthurjeje shpirtërore e ngurtësimi intelektual[18] në Perëndim, të cilat e kanë zanafillën që në Mesjetën e vonshme e fillimet e Rilindjes Europiane.[19] Nëse krahasojmë, nga portretet e gravurat, petkun e mbretit të Francës Luigjit të IX-të (v. 1270) me atë të Luigjit të XVI-të (v. 1715), petku i të parit është ai i një monarku të krishterë perëndimor, ndërsa ai i të dytit i një monarku të “civilizuar” në mos ekstravagant. Me një fjalë, veshja moderne perëndimore nuk është veshje tradicionale e krishterë. Sipas autorit Titus Burckhardt ajo është dëshmi e një “largimi nga një jetëstil i mbrujtur tërësisht nga vlera soditëse me synim të ngulitur drejt jetës së përtejme…”[20] Meqë ishte pasojë e shpërfaqje graduale e një gjëndjeje të brendshme ajo nuk u imponua me dekrete, ligje, e ndryshime të menjëhershme drastike siç ndodhi në shumë vende jo-perëndimore.
Mirëpo këto vëzhgime nuk janë keqardhje nga pikëpamja e një etnografi; bëhet fjalë për psikologji njerëzore e për ligje shpirtërore, nëse mund të shprehemi kështu. Nuk është çështje idealizmi apo malli për një të kaluar romantike e piktoreske por e diçkaje më të thellë. Siç thotë mendimtari Frithjof Schuon në librin e tij Të Kuptosh Islamin: “urrejtja ndaj turbanit, si ajo ndaj romantikes, piktoreskes, apo çdo gjëje që i përket folklorit, shpjegohet nga fakti se janë pikërisht botët romantike ato ku Zoti është i besueshëm. Kur njerëzit duan të anullojnë Parajsën, është e natyrshme të fillohet nga krijimi i një ambienti ku gjërat shpirtërore duken të papërshtatshme; për të deklaruar me sukses se Zoti është joreal duhet të krijojnë rreth njeriut një realitet të rremë, që është në mënyrë të pashmangshme jonjerëzor pasi vetëm jonjëzorja mund ta përjashtojë Zotin.”[21]
Arkitektura e muzika janë në një mënyrë tejzgjatje e petkut, pasi të dyja përbëjnë ambientin që na rrethon; e para ritëm në hapësirë, e dyta ritëm në kohë. Ndërsa petku tradicional tregon rolin, arkitektura e muzika tradicionale shërben si konteksti përkatës i përmbushjes së këtij roli. Si petku, po ashtu edhe arkitektura bashkë me muzikën kanë pësuar transformime e shthurje të ngjashme, qoftë në Lindje apo Perëndim, duke bërë përditë e më jonjerëzore qytetet, lagjet, e rrugët ku jetojmë.[22] Si rrjedhojë, përpjekja për besimtarin e thjeshtë që Zoti të mos kthehet në një abstraksion rritet dita ditës. Jemi dakord me këdo që thotë se e rëndësishme është çfarë bartim në zemër, por do të shtojmë se ajo çfarë kemi në zemër ndikohet e ndryshohet nga ambienti me të cilin e rrethojmë veten: vendi ku banojmë, muzika që dëgjojmë, e petku që veshim. Ia vlen të përmendet teoria e “dritares së thyer”[23] sipas së cilës cilësia e hapësirës urbane ndikon në rritjen ose pakësimin e vandalizmit dhe sjelleve kriminale, ose mund të krahasohet sjellja e një audience pas një koncerti metal me atë pas një koncerti të muzikës klasike. Dmth, zemrat, mendjet, e sjelljet e njerëzve nuk janë indiferente ndaj formave e tingujve që i rrethojnë, e petkave që veshin… në fakt krejt e kundërta.
Imponimi ose imitimi, sipas rastit, i veshjes moderne perëndimore – pa u zgjatur në aspekte të tjera – anembanë botës është simptomë e një zvenitjeje të përshpirtmërisë, që pasohet natyrisht nga një pakësim i dinjitetit njerëzor, çoroditje të rendit të përparësive, e humbje e ndjesisë ndaj së bukurës. Kjo simptomë është përshpejtuar pjesërisht edhe falë prirjes që i referohet Ibn Khalduni, sipas të cilës të nënshtruarit në përgjithësi me ose pa vetëdije imitojnë fitimtarët. Edhe pse të gjitha vendet që ishin të kolonizuara janë çliruar e kanë fituar pavarësinë ato vazhdojnë të kopjojnë modelet e ish-kolonizatorëve europianë të veshjes. Kjo deomos ka ndodhur në dëm të kostumeve tradicionale duke çuar në një varfërim të larmisë në shkallë globale[24]; njerëzit tashmë vishen njëlloj si në Tiranë, Tokjo, apo Londër. Kuptohet imitimi nuk u kufizua te veshjet, por mund të thuhet se ajo ishte pikënisja e imitimeve të tjera, që si në rastin e petkut ka si pasojë varfërimin ose edhe rrafshimin e larmisë, qoftë muzikore, arkitekturore, gjuhësore, e me radhë.[25] Sipas eruditit të shekullit të kaluar Ananda K. Coomaraswamy kjo është një simptomë e shkëputjes nga arketipet hyjnore që shpaloseshin në forma e ngjyra të panumërta në popuj e etni të ndryshme.[26] Nuk është gjithashtu ndonjë lëvizje e njerëzimit drejt unitetit, siç mund të kujtojnë disa, por drejt uniformitetit monokrom, që është thelbësisht krejt tjetër, diçka e cila çon përfundimisht në apoptozë, në vetëflijim.[27]
Argumenti që duhet të ecim me kohën e të ndryshojmë me të bart një presupozim që jo rrallë nuk shqyrtohet; koha absolutizohet e bëhet etalon i gjithçkaje. Atëherë biem në një situatë jo shumë të lakmueshme, pasi tradicionalisht termi absolut i është dhënë vetëm Zotit, dhe mveshja me këtë cilësi kohës apo çdo gjëje tjetër do të thotë krijim zotash.[28] Shqetësimi dhe përparësia kryesore e çdo religjioni tradicional është njohuria e saktë mbi natyrën e Realitetit (Ḥakk) dhe rruga e qasjes drejt Tij, jo ecja me kohën apo ndonjë tjetër arsye. Fundja nëse duhet të ecim me kohën, po koha vetë në bazë të çfarë kriteri duhet të gjykohet, cilat janë standardet, janë të përhershme e eterale apo vendosin njerëzit për to? Nëse po, kush e ka këtë privilegj e përgjegjësi që gjykon se ka ardhur koha për një veshje të caktuar, muzikë të caktuar, arkitekturë të caktuar, mentalitet të caktuar? Edhe pse degjohet herë pas here kjo shprehje, ecja me kohën, një gjë duket e sigurtë: askush s’e ka tamam të qartë se ç’duhet të kuptojmë me të por disesi kërkohet deomos t’i përgjigjemi këtij kushtrimi.
Sidoqoftë, veshja moderne sekulare është tipike e njeriut që ka harruar Qiellin, që është përqendruar këtu në tokë e kërkon ta sundojë atë, dhe përhapja e imponimi i saj anembanë globit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, nuk është aksident. Nga pikëpamja tradicionale kjo do të thotë përfundimisht humbje, e ilustrohet mjaft mirë nga thënia e Krishtit, “ç’dobi ka njeriu nëse fiton botën mbarë por humb shpirtin e vet?”[29] Duhet ta kemi të qartë se nuk po sugjerojmë adoptimin e turbanit, apo çdo veshjeje tradicionale, qoftë individualisht qoftë në masë. Në kushtet e sotme diçka e tillë, qoftë në ambientet e punës, qoftë në hapësirat moderne urbabe është shumë e vështirë, me raste e pamundur, pasi një veshjeje tradicionale në një ambient modern është pothuajse krejtësisht pavend ose jashtë konteksti. Sidoqoftë, ndalesa (apo braktisja) për të cilën flasim është parimore. Nëse në një shoqëri veshja hieratike e një dinjitari të fesë ndalohet, ose edhe kur s’ndalohet me ligj përballet me qesëndi apo edhe përqeshje, kjo dmth se parimi është eklipsuar e bashkë me të edhe rol-modeli e aspirata e njeriut e bashkësisë për të qenë shërbëtor dhe mëkëmbës i Zotit. Petkat që duhet të veshim përditë a na ndihmojnë ta përmbushim këtë rol? Nëse përgjigjia nuk është pohuese atëherë ndërgjegjësimi se përballemi me një dukuri jo të rëndomtë, lehtëson shmangien e kësaj vorbulle shterpësije që na heq të drejtën të manifestojmë larminë e Emrave të Bukur (esmāʾul-ḥusnā), nëpërmjet së cilës mund të njohim Zotin e shpëtojmë shpirtin.
Gjenerali i famshëm kinez Sun Tzu (v. 496 p.e.s) në traktatin e tij klasik Arti i Luftës thotë se rregulla e parë para çdo beteje është “njih armikun tënd”, dhe njohja e natyrës së botës moderne, një nga manifestimet e së cilës është veshja moderne, është parakusht për mbrojtjen e traditave të religjionit pasi është në antagonizëm të plotë me to. Masat mund të jenë krejt të vogla pasi edhe mundësitë janë të kufizuara. Sidoqoftë, veçanërisht në ambientet private shtëpiake njeriu ka mundësinë të rrethojë veten me orendi, qilima e punime tradicionale, të zgjedhë muzikën e melodinë që dëgjon, e sidomos gjatë ritualeve të zgjedhë një petk tradicional. Ndryshime të tilla kanë një efekt të pallogaritshëm mbi shpirtin e njeriut pasi shërbejnë si kanale të hirit hyjnor e përkujtimit të Emrave të Tij, falë origjinës jo njerëzore të arteve tradicionale.[30] Ia vlen të përmendet, dhe janë dukuri që japin shpresë e ngrohtësi, se shpesh në dasma, raste, koncerte, e jo vetëm në Shqipëri, njerëzit akoma veshin petka kombëtare, të cilat falë fuqisë së tyre për t’i rikujtuar njeriut arketipet hyjnore ato dhurojnë dinjitet. Ndërsa kur veshjet kombëtare integrohen në rituale si ato të faljeve të Bajramit është e vështirë të mos ndihet prania e shumëfishuar e një nuri e hiri hyjnor. Kemi ndërmend disa foto të vjetra të Namazgjasë së Tiranës para komunizmit ku të gjithë burrat janë me xhamadanë në shtat e qeleshe të bardha mbi krye duke trupëzuar kështu një manifestim të teuḥīdit (unitetit) – kryeparimit islam – me gjuhën e petkut tonë kombëtar.[31]
Përfundimisht, ashtu siç veshja e një uniforme a petku të caktuar nuk e kthen një person në kolonel apo kirurg, asnjë petk, gunë a kaftan nuk do të shndërrojë kënd si me shkop magjik në njeri të përsosur (insān-i kāmil),[32] në vatër të manifestimit (texhelī) të Emrave të Bukur, në mëkëmbës (khalif), në pontiff, urë mes Qiellit e tokës, por është e qartë se parimisht lloji i petkut që zgjedhim mbetet hapi i parë drejt kësaj përsosurie ose i largimit prej saj.
[1] Ibn Khaldūn, The Muqadimmah: An Introduction to History, trans. Franz Rosenthal, kreu II. 22.
[2] Shih psh Mirâj Nâmeh: The Miraculous Journey of Mahomet. Introduction and commentaries by Marie-Rose Séguy (NY: George Brazilier, 1977), një nga riprodhimet më cilësore të dorëshkrimit me të njëjtin emër krijuar në shek. XV-të me urdhër të Shah Rukhut, një nga bijtë e Timur Lengut. Dorëshkrimi përfshin edhe mbi gjashtëdhjetë miniatura që ilustrojnë këtë ngjarje madhore në historinë e Islamit.
[3] Nastradini shkon në një gosti me rroba të thjeshta por askush s’e respekton, biles e lënë në një qoshe të dhomës. Pas disa kohësh, kur ai shkon prapë në të njëjtën gosti, këtë radhë me veshur me një qyrk të shtrenjtë njerëzit e respektojnë dhe e vendosin në krye të vendit. Në atë çast ai fillon të ushqejë qyrkun duke i thënë “ha qyrk, pi qyrk”, dhe kur të tjerët e pyetën të shastisur u thotë se respekti i tyre ishte ndaj qyrkut që kishte veshur, jo ndaj tij, prandaj qyrku është I ftuari në gosti, jo ai, e kësisoj qyrkut i takon të hajë e pijë.
[4] Shembuj ka shumë, por po përmendim edhe një në këtë rast: veshjet tradicionale të nuseve edhe pse mrekullisht të larmishme nga njëra kulturë në tjetrën, prapë janë përputhen në rol e qëllim.
[5] Fjala “traditë” përkon me terma si dīn në Islam, dao në Daoizëm, apo dharma në Hinduizëm e Budizëm. Tradita, në kuptimin e mirëfilltë është një tejzgjatje e një shpalljeje të caktuar, jo një zakon që trashëgohet për inerci. Shih kreun me titull ‘Çfarë është Tradita?’ tek Seyyed Hossain Nasr, Knowledge and the Sacred (NY: State university of New York Press, 1989), ff. 62-86.
[6] Shih Marco Pallis, The Way and the Mountain (IN: World Wisdom, 2008), f. 156.
[7] Hadith: Muslim, Īmān, 293; Ibn Māxha, Mukaddime, 13; c.n. William C. Chittick, The Sufi Path of Knowledge: Ibn ‘Arabi’s Methaphysics of Imagination (NY: State University of New York Press, 1989), f. 217, sh.9.
[8] Luka 18:19.
[9] ‘Akl-i kuli në terminologjinë islame. Shih psh, Rumi, Mesnevi, III, 2527-30; kreu 6 ,‘Çështje epistemologjike: raportet mes intelektit, arsyes dhe intuitës në perspektivat e ndryshme të filosofisë islame’ në Sejjid Husein Nasr, Filosofia Islame nga Zanafilla e Saj Deri më Sot: Filosofia në tokën e profetësisë, shqip. & parath. Edin Q. Lohja (Tiranë: Fondacioni Rumi, 2011), ff. 115-126.
[10] Shih Titus Burckhardt, Sacred Art of East and West: Its Principles and Methods (Middlesex: Perennial Books LTD, 1967), ff. 113-116.
[11] Këtu fjala “qiell” konsideron sferat hyjnore, e jo fizikisht trupat qiellorë.
[12] Titulli Pontifex Maximus fillimisht i përkiste kryepriftit të Kolegjit të Pontiffëve të Romës, e më vonë pas Augustit iu dha perandorit. Termi pontiff përdoret akoma sot për peshkopët.
[13] Fise të tilla, edhe pse të vogla në numër, sjellin një jehonë prej agimeve të hershme të lindjes së njerëzisë, kësisoj edhe atë të feve prehistorike. Sipas historianit amerikan të religjionit, Huston Smith, “gjithçka që gjejmë në lulëzim në fetë historike – psh, monoteizmin – është e kumtuar në ato të qëmotshme përgjatë linjave të zbehta por të dallueshme.” The World Religions: Our Great Wisdom Traditions (HarperCollins, 1991), f. 368.
[14] Ka hadithe që theksojnë rëndësinë e veshjes së turbanit: “turbani është kufiri mes besimit e mosbesimit”, “vishni turban pasi do të përftoni vetëpërmbajtje”, “ymmeti im nuk do të dobësohet për sa kohë që vë turbanin”, “Ditën e Gjykimit do të merrni një dritë për çdo rrath të turbanit”… c.n. Titus Burckhardt, Arti i Islamit: Gjuha dhe Kuptimet, shqip. Vehap Kola (Shkup: Logos-A, 2012), ff. 102-103.
[15] Shih Gregory Claeys (ed.), The Cambridge Companion to Utopian Literature (Cambridge, UK: Cambridge University Press, 2010), ff. 11-14.
[16] Në fakt që më përpara, Cari i Rusisë, Pjetri i Madh (v. 1725), në emër të modernizimit të Rusisë fillimisht imponoi mbi aristokracincë ruse veshjen perëndimore në vend të petkut moskovit, dhe ndërhyri në kushtetutën e Kishës Ortodokse për të lehtësuar instrumentalizimin e saj.
[17] Veshja tradicionale nuk reduktohet si thjesht “folkorike”, pasi veshja e një zyrtari shtetëror, e një dijetari, apo një ushtaraku në një qytetërim tradicional është tejzgjatje e kryerolit të njeriut. Dmth, njeriu kërkon t’i shërbejë Vullnetit Hyjnor si dijetar, ushtarak, apo zejtar, dhe petku e pasqyron këtë veçanti.
[18] Intelekti është më tepër se thjesht arsyeja (ratio) e cila për nga natyra është fragmentare, siç është e qartë edhe nga vetë kuptimi i emrit të saj qoftë në shqip, qoftë në latinisht. Arsyeja ndan, fragmenton, (nd)arëson në racione (ratio) ose pjesë, dhe një nga lëmet e saj janë analizat racionale te fakteve. Arsyeja ofron njohuri, deomos, por jo të llojit që çliron e shpëton shpirtin. Doktorët e kampeve naziste, psh, ishin të aftë në metodën e analizat shkencore, por ato njohuri s’mund t’i ndihmonin si të ishin njerëz më të mirë, e përfundimisht, si të shpëtonin shpirtrat e tyre. Intelekti, nga ana tjetër, rrok drejtpërdrejtë natyrën e gjërave, thelbin e tyre, jo në mënyrë diskursive, pasi ai është “shpirti që ka arritur ta njohë dhe realizojë potencialin e tij të plotë”, siç shprehet studjuesi William C. Chittick në librin e tij Shkencë e Kozmosit, Shkencë e Shpirtit: Përshtatsia e kozmologjisë islame në botën moderne, shqip., parath. & shën. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2011), f. 60. Në këtë libër, mes të tjerash, bëhet dallimi i mes qasjes së mirëfilltë “intelektuale” si mënyrë njohjeve dhe asaj të transmetuarës, ku hyjnë shumica e shkencave e disiplinave.
[19] Shih psh, Frithjof Schuon, Art from the Sacred to the Profane East and West, Catherine Schuon (ed.), (IN: World Wisdom, 2007), ff. 119-123.
[20] Burckhardt, Arti i Islamit, ff. 104-105.
[21] Frithjof Schuon, Understanding Islam, trans. D. M. Matheson (London: Allen & Unwin, 1963), f. 31.
[22] Kjo është temë që kërkon trajtim në vete, që shpresojmë ta bëjmë në të ardhmen. Arkitektura e muzika tradicionale kanë qenë e mbeten mbështetje shumë të rëndësishme psikologjike për çdo besimtar. Në veçanti për Islamin shih kreun XII, XIII dhe XIV mbi artin e arkitekturën në librin Sejjid Husein Nasr, Islami në Botën Moderne: I sfiduar nga Perëndimi, i kërcënuar nga fundamentalizmi, besnik ndaj traditës (Shkup: Logos-A, 2017), dhe Jean-Louis Michon, Introduction to Traditional Islam: Foundations, Arts and Spirituality (IN: World Wisdom, 2008).
[23] Kelling, George L.; Wilson, James Q. Broken windows: the police and neighborhood safety. Atlantic Monthly. 1982 Mar; 249(3):29–38. Eksperimenti i psikologut të njohur amerikan Philip Zimbardo në Bronks (New York) dhe në Palto Alto (Kaliforni) përbën një nga shembujt klasikë të kësaj teorie.
[24] Lidhja mes industrializimit të vendeve të “zhvilluara” dhe venitjes apo edhe zhdukjes së folklorit nuk është aksidentale. Vendet me folklor më të pasur janë zakonisht ato më pak të “zhvilluarat”.
[25] Hapësirat urbane të qyteteve moderne nuk kanë ndonjë dallim cilësor mes njëra tjetrës, një godinë 10 katëshe në Tiranë s’ka tipare dalluese nga një e tillë në Lima të Perusë ose në Kairon modern. Por arkitektura e Beratit bart tipare dalluese nga ajo e Benaresit në Indi, Sienës në Itali, ose Sanasë në Jemen – qytete që ruajnë akoma trajtat tradicionale të arkitektures – pasi si artet providencialisht shpalos një Ide Hyjnore në një vend dhe popull. Vëzhgime analoge mund të bëhen edhe për artet zanore ose plastike, për gjuhën, poezinë, etj.
[26] Shih esenë ‘Natyra e Folklorit dhe Artit Popullor’ në The Essential Ananda K. Coomaraswamy, R. P. Coomaraswamy (ed.), (IN: World Wisdom, 2004) ff. 215-223.
[27] Humbja e larmisë – qoftë në ekologji, muzikë, sport, arte marciale, dinamika sociale, etj – logjikisht ndiqet nga pasoja serioze. Një orkestër që ka veç një instrument humb interesin e audiencës së vet, një skuadër futbolli që ka vetëm sulmues do të humbë, një pyll që ka veç një lloj peme bie shumë kollaj pré e parazitëve… Dmth, një qytetërim uniform është nga natyra tejet i brishtë. Përhapja e veshjes moderne është simptomë e një njerëzimi që çdo ditë e më shumë mendon e vepron njëlloj, si rrjedhojë popujt kthehen në masa, njerëzit në individë, e këta të fundit në statistika praktikisht të manipulueshme për vota e pushtet, ose fundja për sondazhe komerciale. Në fakt, sipas doktrinave eskatologjike të religjioneve të ndryshme kjo tendencë është tipike e ciklit të fundit njerëzor, ditëve të fundit, ose ahri zamanit.
[28] Shih ‘Zotat e Modernitetit’ në Chittick, Shkencë e Kozmosit, ff. 48-51.
[29] Mateu 16:26.
[30] Psh, Hazreti Nuh (Noah) ishte edhe kujdestari shpirtëror i marangozëve, Hazreti Ibrahim i muratorëve, Hazreti Jusuf i orëndreqësve, etj. Po ashtu në Krishterim, Shën Krispini ishte kujdestari shpirtëror i këpucarëve, Shën Bartolomeu i lëkurëpunuesve, Shën Rafaeli i mjekëve, etj.
[31] Pa dyshim çdo veshje kombëtare ka efekt të ngjashëm edhe në rituale të religjioneve të tjera.
[32] Shih veprën klasike me të njëjtin titull nga Abdul Kerīm Xhīlī (v. 1424) Universal Man (Insān-i Kāmil), (Beshara, 1995) përkthyer pjesërisht nga origjinali në frëngjisht nga Titus Burckhardt, e më pas në anglisht nga Angela Culme-Seymour. Terma analogë të përsosurisë njerëzore gjinden edhe në religjione të tjera: shih ‘Vizioni Antropokozmik’ në Chittick, Shkencë e Kozmosit, ff. 126-144.
Sep 24, 2019 0
Dec 20, 2018 0
Oct 22, 2018 0
Jul 16, 2018 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...