Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jun 01, 2018 Zani i Nalte Abstraktet 0
01- Ruajtja e identitetit fetar në një shoqëri moderne
Prof. Dr. Qazim Qazimi, Kosovë
Njëra prej dukurive, që më së shumti vihet re në jetën shoqërore të myslimanëve, në mbarë Evropën sot, pa dyshim, është shprehja e lirë e vetëdijes fetare, e cila ishte aq e penguar në shtetet evropiane me regjim komunist dhe kjo shprehje e lirë e vetëdijes fetare është fryt i çmuar i zhvillimit të demokracisë në jetën tonë, pas shembjes së komunizmit.
Sot evropianët, masa dërmuese, e kanë të definuar identiteti e tyre fetar, kombëtar dhe shtetëror shumë qartë dhe bindshëm, ku barazia ndëretnike, toleranca ndërfetare dhe multikultura kanë qenë dhe mbeten të domosdoshme. Po ndodh dhe, nuk është aspak e vështirë që të vërehet, se nganjëherë shprehja e vetëdijes fetare, vende-vende e kohë pas kohe, po sendërtohet përmes tejshquarjes, tejtheksimit, tejvlerësimit të ndonjë besimi karshi besimeve të tjera. Përkatësia multifetare, përpos që e bën më të pasur dhe më të përbërë identitetin fetar, mund të ndodhë ndonjëherë, ta bëje edhe më të plogshëm, natyrisht, në qoftë se ndonjëra prej këtyre feve do të favorizohej, e posaçërisht prej institucioneve politike e shtetërore, siç po ndodh kohë pas kohe në disa vende evropiane. Islami nuk pranon dhe nuk duhet t’i nënshtrohet pikëpamjes së inferioritetit, duke humbur individualitetin e as identitetin e tij në asnjë shoqëri e asnjë shtet modern.
02- Sfidat e myslimanëve në shekullin XXI
nga Dr. Mustafa Ceriç
Kryemyfti Nderi i Bosnjës & President i Asamblesë Botërore Boshnjake
Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë
Megjithëse, çështjet e jashtme ose globale dhe të brendshme në shoqëritë myslimane po konvergojnë fuqishëm dhe pavarësisht faktit se nuk është gjithmonë i dallueshëm se cili prej tyre ka më shumë ndikim në zhvillimin e përgjithshëm politik të myslimanëve, unë do të thosha se punët e brendshme janë më sfiduese për shpirtin dhe mendjen myslimane sot se sa të jashtmit ose ato globale. Dhe, në kundërshtim me një perceptim të përbashkët se mungesa e një uniteti të fortë mysliman është pengesa më e madhe për një stabilitet dhe prosperitet të përgjithshëm mysliman, megjithatë do të thosha se mungesa e nocionit të qartë të diversitet në mendimin teologjik dhe politik mysliman është çelësi që shkakton një trazirë dhe madje edhe dhunë të përgjakshme në shoqëritë myslimane. Deri tani besimi islam dhe besimtarët myslimanë janë më të bashkuar në besimet e tyre themelore sesa çdo grup tjetër fetar në botë. Në të vërtetë, pa përjashtim të gjithë myslimanët në mbarë botën kanë të njëjtin besim në origjinën hyjnore të Kur’anit, në origjinalitetin dhe përshtatshmërinë e Profetit të fundit Muhamed, paqja qoftë mbi të, në drejtimin e duhur në lutjet myslimane drejt Kibles, në të djathtën dhe të njëjtën ditë të Arafatit të pelegrinazhit të haxhit etj. Pra, këtu nuk ka asnjë çështje mospërputhje të myslimanëve për sa i përket pjesëve të tyre themelore të besimit. Prandaj, myslimanët duhet të kursejnë kohë duke u marrë me unitetin që padyshim ekziston. Në vend të kësaj, myslimanët duhet të fillojnë të flasin për faktin e diversitetit të tyre, që padyshim ekziston gjithashtu, por që nuk njihet siç duhet në kuptimin e një mënyre kreative dhe pasuruese siç duhet dhe siç ka qenë gjithmonë. Prandaj, sfida më e madhe e shoqërive myslimane sot, siç e shoh, është të mësojmë se si të jetojmë unitetin në diversitetet e përkatësisë etnike, nacionale, raciale, kulturore dhe politike, në të vërtetë, potencialet e tyre krijuese. Shkurtimisht, shoqëritë myslimane sot duhet të mësojnë se si të respektojnë dallimet e njëri-tjetrit po aq shumë sa e duan njëri-tjetrin për hir të të njëjtit besim të Islamit. Kjo, me të vërtetë, është më sfiduese se çdo gjë tjetër, pra është më sfiduese sot të vlerësojmë diversitetin mysliman se sa të këmbëngulim për unitetin mysliman si një propagandë boshe që na çon në një populizëm dhe demagogji të lirë. Më lejoni të them, pra, që nëse myslimanët do të respektonin jetën, besimin, lirinë, pronën dhe dinjitetin e njëri-tjetrit aq shumë sa e duan njëri-tjetrin për shkak të besimit të tyre të përbashkët në Zot, në engjëjt e Zotit, në Librat e Zotit, në Profetët e Zotit, në Ditën e Fundit të Gjykimit dhe në dekretin përfundimtar të Zotit për fatin e tyre përfundimtar, shoqëritë e tyre do të ishin shumë më të mira në aspektin e jetës politike dhe shoqërore, të cilën ata e ndajnë edhe me të tjerët dhe do të ishte shumë më mirë në vetë-mjaftueshmërinë e tyre të zhvillimit kulturor, politik dhe civilizues.
03- Etika e punës në këndvështrimin islam
Dr. Naser Ramadani- Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup
Islami i nxit njerëzit në përgjithësi dhe besimtarët në veçanti për punë dhe kërkim të furnizimit. Në Kur’an thuhet: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Tij...” Po ashtu thotë: “Ai ju ka bërë tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë që ju ka dhënë”. Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë: “Askush nuk mund të hajë ushqim më të mirë sesa atë që e ha nga dora e tij”.
Puna është e ndërlidhur me një vlerë tjetër etike – me shfrytëzimin e kohës. Besimtari njëmend përpiqet që në maksimum ta shfrytëzojë kohën e tij, ngase koha përfshin jetën e tij. Nëse lejon që të humbë kohë pa ndonjë punë të dobishme, ai me këtë ka bërë “vetëvrasje”. Besimtari duhet të bëj llogari për kohën që kalon. Ai e di mirë se koha është kapitali i tij më i shtrenjtë dhe se do të pyetet për jetën e tij, në veçanti për rininë. Omer bin Abdulazizi thoshte: “Dita dhe nata po punojnë në ty, edhe ti puno në to”. Besimtari duhet të ketë frikë që ditët mos t’i kalojnë pa vepruar ose pa prodhuar asgjë. Ai nuk duhet, në asnjë mënyrë, që punën e sotme ta lërë për nesër, sepse dita e nesërme është e ngarkuar me punë të tjera.
Islami e nxit besimtarin që të jetë punëtor i zellshëm, ta kryejë rolin e tij në shoqëri dhe të zbatojë urdhrin e Allahut në përparimin e jetës në tokë, ku thotë: “Ai ju krijoi nga toka, ju vuri të jetoni në të dhe ta rindërtoni atë”.
04- Shtatë llojet e këndimit të Kur’anit
Adnan Merja, SHBA
Njeriu merr vlerë falë asaj që njeh, fiton virtyte aq sa arsyeton dhe fisnikërohet me atë që shoqëron. Meqenëse Kur’ani është libri më i madh i zbritur, atëherë njeriu që i është zbritur ai libër është Profeti më i nderuar ndër të dërguarit, bashkësia e tij është më e mira ndër tërë bashkësitë, bartësit e këtij libri janë më fisnikët e saj, si dhe lexuesit dhe mësuesit e tij janë njerëzit më me vlerë të këtij populli.
Shkenca e Kiraetit është më e veçanta ndër disiplinat fetare. Në të nuk ka ndërhyrë mundi, apo dora e njeriut, sepse është shpallur nga Zoti i Gjithësisë dhe është ruajtur nga po vetë Ai. Tematikë e këtij shkrimi do të jenë çështjet si: shtatë shkronjat e Kur’anit, shkaku i zbritjes, objektivi, kuptimi dhe disa specifika rreth tyre.
05- Globalizmi, dialogu, feja dhe metafizika
Dr. Genti Kruja – Kryeredaktor i Revistës Shkencore “Zani i Naltë”
Sipas studiuesve të shkencave sociale, vlerat bazë të shekullit XXI janë modernizmi, pluralizmi, individualizmi dhe feja. Disa pretendojnë që modernizmi i ka bërë njësh jetën vetjake dhe shoqërore, duke krijuar forma të reja të jetës fetare, kulturore dhe pluralizmit politik. Megjithëse trajtohet me pikëpamje të ndryshme, modernizmi ka krijuar dy nënfenomene ideologjike: zhvillimin dhe globalizmin. Shumë teoricienë e kanë përshkruar modernizmin prej perspektivës së shtimit të sovranitetit njerëzor përtej kufirit të tij dhe përparimit të shkencës. Kjo lidhje e drejtpërdrejtë e vendosur midis shkencës nga njëra anë dhe aftësive e sovranitetit nga ana tjetër, ka treguar mundësinë, që u jepet shteteve të fuqishme për të sjellë forma të reja të dominimit të vendeve dhe popujve të tjerë.
Meqë globalizmi ka një kuptim të tillë ideologjik, shumë e shohin të jetë thjesht një imperializëm klasik nën një emër tjetër. Ideologjik ose jo, globalizmi ka shkaktuar një ndryshim themelor në të gjitha fushat, nga ato ekonomike dhe të shkencave shoqërore, në marrëdhëniet e politikës, në fushën e ligjeve, në historinë dhe gjeografinë e administrimit të shtetit. Në fakt, globalizmi ka vulgarizuar pasurinë, teknologjinë, pluralizmin demokratik, prodhimin dhe konsumin. Dhe pas kësaj, përsëri, ka ndihmuar të shpalosen të gjitha llojet e përdhosjes: njerëzore, mjedisore, ose politike. Varfëria, ndotja ekologjike, armët e shkatërrimit në masë, terrorizmi dhe dhuna janë globalizuar jo pak.
06- Detyrat e imamëve dhe thirrësve drejt myslimanëve dhe të tjerëve
Dr. Xhemal Seferti
Departamenti i Shkencave Islame
Kolegji Universitar Bedër
Modeli i udhëheqjes së profetit Muhamed a.s. është shembull. Ishte ai, i cili e mbarti mbi supe (krahë) rëndësinë e thirrjes dhe ai e filloi këtë me shokët e tij fisnikë, që t’ua komunikojnë mesazhin e mirësisë dhe dashurisë me rrugën e udhëzimit, dritës e mëshirës dhe ky Profet fisnik e filloi thirrjen e tij të mbështetur në dy shtylla themelore:
Shtylla ku mbështetet është bashkëpunimi me popullin, të cilët janë të kënaqur me pasimin e tij dhe besimin në mesazhin e tij të ngritur mbi fjalën e Zotit xh.sh. “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër,” dhe “e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje”.
Nga këtu shohim, kuptojmë se nuk i lejohet asnjë imami, thirrësi, dijetari, mendimtari, kërkuesi, studiuesi, gjykatësi, të gjykuari (dënuari), të bëjë diçka në kundërshtim me atë që ka vendosur, përcaktuar Imami i parë, Muhamedi a.s., dhe ta shpjegojë, komentojë traditën e tij të ndërtuar mbi themelet e drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë mes njerëzve, ashtu siç duhet dhe siç mendon ai se ajo është e drejtë dhe saktë.
07- Garancitë Juridiko-Kushtetuese të të Drejtave të Bashkësive Fetare në Shqipëri
Dr. Saimir Shatku,
Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
Përpjekja për të hedhur dritë, mbi rrugëtimin e deritanishëm, disavjeçar, të të drejtave të bashkësive fetare, raporteve e marrëdhënieve midis shtetit dhe fesë e institucioneve të saj, në fushën e lirive dhe të drejtave të saj publike e private, është një angazhim modest, që të mundëson të shohësh përmes retrospektivës horizontin e ri të së ardhmes së tyre, mbi fitimin, gëzimin, dhe përdorimin e këtyre të mirave private.
Dokumentet historike argumentojnë faktin se, që në aktet e para kushtetuese të pavarësisë shqiptare, është afirmuar parimi i ndarjes së fesë nga shteti, i lirisë së ndërgjegjes dhe besimit, si dhe të drejtës së ushtrimit të saj, duke përfshirë dhe të drejtat reale që Komunitetet fetare gëzojnë, të sanksionuara këto në “Statutin Organik të Shqipërisë”. Gjatë harkut kohor të viteve 1920-1939, politika e shtetit shqiptar, synoi vendosjen e parimeve të reja juridiko-private me karakter kombëtar për veprimtarinë e institucioneve fetare, ajo kishte për qëllim shkëputjen e lidhjeve të vartësisë dhe të influencës së huaj ndaj tyre, duke mbështetur në këtë mënyrë interesat e unitetit kombëtar dhe mënjanuar përçarjen fetare.
Raporti i lirive dhe të drejtave të besimit, gjatë regjimit komunist, është një histori e politikës ateiste, persekutuese, denigruese dhe mohuese ndaj fesë, klerit dhe institucioneve fetare. Kushtetuta e vitit 1976 sanksionoi përfundimisht parimin e ateizmit/mosbesimit, duke e shpallur Shqipërinë të vetmin shtet ateist në botë. Kësisoj nuk mund të flitej për të drejta pronësie dhe përfitime të tjera reale për llogari të institucioneve fetare.
Zhvillimet demokratike në vend rivendosën lirinë e fesë dhe të drejtën e besimit, duke ridimensionuar raportin e marrëdhënieve midis shtetit dhe fesë, në kontekstin e parimeve të shtetit të së drejtës. Përgjatë këtij rrugëtimi disavjeçar edhe e drejta e pronësisë, mënyrat e fitimit të saj, transferimi i këtyre të drejtave ka ardhur duke u zgjeruar juridikisht, por dhe duke rritur juridikisht raportin midis shtetit dhe fesë (Kujtojmë këtu marrëveshjet ndërfetare të realizuara mes Shtetit Shqiptar dhe 4 Bashkësive fetare tradicionale në Shqipëri, në shkurt të 2007). Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, institucionet fetare janë riorganizuar, liria e ndërgjegjes dhe e besimit është riafirmuar sipas standardeve ndërkombëtare në kushtetutën e vitit 1998, por edhe sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës.
Shqipëria, vendi i tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare (shih neni 3 i Kushtetutës së Shqipërisë) është një vend që i ka njohur, por edhe po i harmonizon akoma më gjerë, në bashkëpunimin në të mirë të komunitetit njerëzor, këto raporte në fushën e pronësisë dhe iniciativës së lirë ekonomike.
Fjale kyçe: tranzicion; të drejtat reale të bashkësive fetare; raporte juridiko-private, konkordate; statute; ligje organike; marrëveshje shtet-religjion.
08- Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) Syrja bej Vlora
Dr. Hasan Bello
QSA- Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë
Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909)” është një punim enciklopedik me vlera të padiskutueshme për historiografinë shqiptare. Kjo për faktin se: e para, përbën përpjekjen e parë në këtë drejtim, në një kohë kur institucionet tona shkencore nuk ishin themeluar ende, e dyta, informacioni që ofrohet për disa personalitete historike përbën një risi.
Në një shënim të faqes një të dorëshkrimit shqip të këtyre biografive, përkthyesi Jonuz Tafilaj shkruan se ato janë përgatitur si aneks i veprës së Syrja bej Vlorës të përkthyer më parë nga Ali Asllani. Megjithatë, për nga volumi i tyre, këto biografi përbëjnë një libër më vete. Prandaj, duke pasur parasysh se ato nuk janë integruar më parë në asnjë version të librit tashmë të botuar të Syrja bej Vlorës, e sjellim për botim për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë”.
Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë. Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963). Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet, së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar, janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës.
Në libër jepen të dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës. Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për studiuesit.
Pavarësisht nivelit të përkthimit dhe gabimeve, botimi i këtij libri pjesë-pjesë te “Zani i Naltë” mendojmë se është i nevojshëm. Kjo si homazh për autorin e harruar dhe anatemuar padrejtësisht, për përkthyesin e nderuar, orientalistin Jonuz Tafilaj dhe, në fund, për historiografinë dhe memorialistikën shqiptare.
09- Recensë mbi librin:
“Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vilajetin e Kosovës (1878-1912)” të historianit, Dr. Nuredin Ahmeti
Dr. Ilirjana Kaceli
Kolegji Universitar “Bedër”
Krerët fetarë ashtu si edhe figura të tjera të popullit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Disa prej këtyre personaliteteve, veçanërisht ata myslimanë, kanë qenë prezentë me veprën e tyre gjatë gjithë luftës së popullit shqiptar kundër osmanëve, veçanërisht në periudhën kulminante të kësaj lufte, epokës së Rilindjes Kombëtare. Ajo do të rritet më tej, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në shpalljen e pavarësisë kombëtare, në vitin 1912. Në këtë vepër, autori, për herë të parë, e pajis lexuesin me një këndvështrim tjetër nga ç’jemi mësuar të lexojmë deri më tani mbi figura të ndryshme dijetarësh dhe patriotësh fetarë, si edhe na jep të dhëna mjaft të rëndësishme për një nga vilajetet kryesore shqiptare, Vilajetin e Kosovës. Kjo monografi është e rëndësishme, sepse autori e sjell atë në mënyrë të zgjeruar, bazuar mbi dokumente autentike. Jeta dhe vepra e shumë prej krerëve fetarë, që kontribuuan në luftën për pavarësi të popullit shqiptar, kanë shërbyer si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm në gjithë arealin mbarë shqiptar.
10- Hafiz Halid Bushati
Nga shkrimet e mbetura deri tani, mësojmë se Hafiz Halid Bushati ka dhënë ixhazete të shumta gjatë jetës së tij. Me një fjalë, ai ka qenë një shkollë hoxhallarësh e njerëzish të devotshëm e të lidhur ngushtë me fenë e tyre, fenë e të parëve të tyre, Islamin.
Përvoja pedagogjike e Hafiz Halitit ka pasur një shkallëzim të natyrshëm, në rritje, në përputhje me ngritjen e tij, me shtimin e aftësive të autoritetit e të popullaritetit në masat e rinisë e të popullit.
Si mësues mejtepi ai u njoh me fëmijët dhe prindërit e tyre, me përmbajtjen e programit e të tekstit, me metodat tradicionale të mësimit dhe të edukimit në atë kohë.
Pozitive për mësuesin e ri ishte përdorimi i gjuhës shqipe gjatë procesit të mësimit e të edukimit, si dhe kujdesi i tij i vazhdueshëm që nxënësit të fitonin jo vetëm njohuri, por edhe aftësi, shkathtësi e shprehi praktike për edukimin shpirtëror e për zbatimin e tyre në jetën e përditshme.
Gjatë jetës së tij si myderriz e si jurist qe zotërues i arabishtes, turqishtes e persishtes. Ashtu si dijetarët e tjerë islamë pati një bibliotekë shumë të pasur me libra shqip e të huaj, me tematikë fetare, shkencore e letrare.
Në vitin 1905 jep dorëheqjen nga arsimi, sepse myftiu dhe ulematë e qytetit e zgjedhin teknik të deshifrimit dhe nxjerrjes së fetvave, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të jetës së tij.
11- Nji andërr e imja
Hafiz Ibrahim Dalliu
Prej vitesh, duke hulumtuar nëpër arkiva dhe sidomos në AQSH (Arkivin Qendror të Shtetit) në Tiranë, kemi hasur në dokumente të rralla, pjesë e Fondit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por jo vetëm, ku gjenden në shumicën e rasteve dokumente, libra dhe fotografi, të pabotuara kurrë më parë dhe për rrjedhojë të panjohura edhe për vetë studiuesit e fushave përkatëse.
Pas një pune më shumë se dy vjeçare në kuadër të një projekti për dixhitalizimin e Fondit të KMSH-së në AQSH, u bë e mundur skanimi i rreth gjysmë milioni dokumentesh nga viti 1912-1967, dokumente të sekuestruara nga regjimi komunist, por që për fat janë ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit. Këto dokumente paraqesin një rëndësi të veçantë sepse përmbajnë memorien institucionale të Komunitetit Mysliman Shqiptar, historinë e Islamit në Shqipëri gjatë shekullit të XX, deri në mbylljen zyrtare nga shteti totalitar më 1967, korrespondencën zyrtare me komunitetet e tjera fetare në vend, kongreset e zhvilluara gjatë viteve 20-30, inventarët e pronave vakëf, gjendjen financiare me detaje të hollësishme, burimet njerëzore, etj.
Krahas këtij fondi kemi arritur të gjejmë edhe të dhëna të tjera të rëndësishme, siç është edhe një poemë satirike e dijetarit, prijësit, mësuesit dhe publicistit Hafiz Ibrahim Dalliu. Poema e shkruar në vitin 1922 titullohet “Nji andërr e ime”.
Poema satirike e Hafiz Dalliut ka gjithsej 681 vargje, të shkruara njëshkolonë, me strofa treshe por të pandara.
Kjo poemë e panjohur është krijimtari artistike që i ka çliruar dogmat e kufizimet e kohës, është poemë ku kryqëzohen kohë, kultura, besime, filozofi, mite, mendësi, është poemë ku ndërthuren realja me fantastiken, ku ndeshen kontrastet e antitezat e fuqishme, ku mbruhen simbole, që përcillen në kohë, ku marrin kuptime sipërore e sfidohen njeriu me të gjitha ato që përbëjnë jetën e tij sociale, ëndrra e zhgjëndrra.
Satira e kësaj poeme të shkruar nga Hafiz Ibrahim Dalliut, vlen edhe për gjendjen e sotme sociale dhe politike, që përjeton Shqipëria.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...