Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 24, 2018 Zani i Nalte Histori 0
Një vështrim historik mbi librin “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” të Syrja bej Vlorës
Pjesa e I
Dr. Hasan Bello, Instituti i Historisë, QSA
Abstrakt
Libri i Syrja bej Vlorës[1] “Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane” është një përpjekje modeste për të hedhur dritë mbi një numër të konsiderueshëm personalitetesh, të cilët kanë jetuar, vepruar dhe kontribuar në një shtet perandorak, pjesë e të cilit ishin edhe shqiptarët për pesë shekuj.
Në këtë libër jepen të dhëna me karakter të përgjithshëm, të cilat për hir të së vërtetës, sot mund të quhen të tejkaluara për ata studiues që do të merren me hulumtimin e thelluar të periudhës osmane. Ndërsa për lexuesit e pasionuar të historisë, ato përbëjnë një kontribut të vyer, me informacion pak ose aspak të njohur. Autori shpalos të dhëna me interes për emra të njohur dhe të panjohur nga historiografia shqiptare. Ndoshta për faktin se për këto personalitete, në vend të arsyes, ka mbizotëruar paragjykimi.
Ky libër në dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë.[2] Ai ka 144 faqe në osmanisht dhe 52 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve turke në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi 26 qershor 1963.[3] Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës. Por nga ana tjetër, për t`i ardhur në ndihmë lexuesit, vitet e kalendarit hënor i kemi konvertuar në kalendarin diellor, duke i vendosur ato në kllapa, pa e prekur origjinalin. Aty ku ka pasur ndonjë term historik osman jemi përpjekur që t`i shpjegojmë me shenjën (*) në nëntekst. Ndërsa për disa personalitete, për të cilët ekzistojnë datëlindjet, viti i vdekjes dhe koha se kur kanë shërbyer si kryeministra, ato i kemi vendosur në kllapa.
Hyrje
Perandoria Osmane ishte një shtet multietnik, ashtu sikurse ishin edhe dy perandoritë romake (Roma e Vjetër dhe Bizanti). Në këtë perandori ekzistonte një veçanti cilësore e quajtur osmanizëm dhe një grup njerëzish të quajtur osmanë.[4] Qytetari i këtij shteti, që nga lindja e deri në vdekje, ishte anëtar i familjes së tij, i komunitetit fetar dhe i grupit etnik ku ai bënte pjesë.
Në periudhën klasike, e cila përfshinë vitet 1300-1600 për të qenë pjesë e administratës osmane, ishte kusht që, në një formë apo në një tjetër, të ishe i lidhur me dinastinë dhe t`i përkisje fesë zyrtare. Por, me modernizimin e Perandorisë Osmane, e sidomos pas Reformave të Tanzimatit (1839) ku qytetarëve u sigurohej barazia para ligjit, pavarësisht përkatësisë fetare, vihet re një pjesëmarrje akoma më e madhe e individëve jo myslimanëve në administratën shtetërore. Tani, ata i hasje në çdo nivel e në çdo gradë, duke e folur dhe shkruar gjuhën osmane me po aq korrektësi, saç flisnin edhe gjuhët perëndimore.[5] Duke pasur parasysh, se një pjesë e tyre kishin studiuar në shkollat e huaja, brenda dhe jashtë perandorisë, falë njohurive të marra në këto institucione, pjesa dërrmuese e diplomatëve osmanë vinin pikërisht nga kjo shtresë.[6] Edhe rasti i këtyre pashallarëve nuk bën përjashtim, ata megjithëse ishin shqiptarë, myslimanë, katolikë, etj., gëzonin po të njëjtat privilegje si çdo nënshtetas tjetër osman. Madje, krahasuar me shumë nëpunës të tjerë të perandorisë, siç do të shihet dhe më poshtë, këto personalitete çmoheshin dhe vlerësoheshin me titujt më të lartë të shtetit osman.
Libra të ngjashëm me këtë libër të Syrja bej Vlorës mbi jetën dhe biografinë e personaliteteve osmane kanë shkruar edhe autorë të tjerë. Madje, ne jemi të mendimit se me disa prej tyre duhet të jetë konsultuar edhe Syrja bej Vlora. Si burim relevant, përveç librave, këtyre autorëve i ka ardhur në ndihmë edhe një drejtori e posaçme e krijuar në Stamboll. Kështu, me zgjerimin dhe modernizimin e administratës osmane, lindi nevoja për krijimin e një zyre, e cila do të merrej me jetëshkrimin nëpunësve të saj. Për këtë, në vitin 1879 u themelua një komision i veçantë (Sicill-i Ahval Komisyonu) i cili deri në vitin 1909[7], pra relativisht brenda një kohe të shkurtër, arriti të grumbullojë informacion për 92.000 nëpunës, në gjithsej 201 defterë. Të dhënat kanë karakter të përgjithshëm, mbi vendlindjen, nivelin arsimor, gjuhët e huaja që zotëronte personi, funksionet, gradat, medaljet dhe titujt e fituar gjatë karrierës administrative ose ushtarake.[8] Shumica e nëpunësve, fillimisht e ka shkruar personalisht biografinë e vet dhe më pas ia ka paraqitur atë komisionit, anëtarët e të cilit e kanë plotësuar duke ndjekur ecurinë.
Një kontribut të madh për këtë nismë ka dhënë historiani dhe juristi i njohur i Perandorisë Osmane Ahmed Xhevdet Pasha, sekretar dhe përkthyes i të cilit ka qenë, për një kohë të shkurtër, edhe rilindasi ynë i shquar Pashko Vasa. Prandaj, dosja e parë me të dhënat personale mban pikërisht emrin e Ahmed Xhevdet Pashës.[9]
Nga hulumtimet paraprake në arkivin e Perandorisë Osmane na rezulton se ekzistojnë afërsisht rreth 1500 autobiografi të personaliteteve me origjinë shqiptare. Kjo, sigurisht vetëm për periudhën midis viteve 1879-1909.
Gjithsesi libri i Syrja bej Vlorës, i cili mund të jetë shkruar në vitet 20-30-të të shek. XX-të, përbën një kontribut të çmuar historiografik për kohën.
Historia e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane
nga Syrja bej Vlora
Ajas Pasha (1483 Vlorë – 13.7.1539 Stamboll): Mbasi Shqipnia u ba pjesë e Perandorisë Osmane filluan të dalin prej saj, ashtu si nga vendet e tjera, njerëz me vlera shtetnore që i banë shërbime të mëdha mbretënisë e popullit (në tekst përdoret fjala “komb”, por Perandoria Osmane s’përbahej prej një kombi, por prej shumë kombesh, prandaj përdora fjalën “popull”-J.T.). Ma i pari ndër shqiptarët, që xuni ma të naltën seli të mbretënisë, Sadriazemllëkun*, qe Ajas Pasha. Ky person shërbeu n’Endurunë** ndër detyra të ndryshme, deri sa hypi në fron Javuz Sulltan Selimi. Mbrapa hyni në mes të dijetarëvet të Birunit*** me gradë t’Agallëkut, deri sa në pak kohë arrijti me pasë gradën e agajit (komandant) të Jeniçerëvet 923 h (1517). Në ekspeditën e Egjiptit u ndodh pranë sulltan Selimit dhe për hirë të guximit, të zotësisë e të disa propozimevet që bani, propozimet të cilat tue u dukë t’arsyeshme e t’urta dhanë përfundime të mira, fitoi simpatinë e sulltanit sa që mrapa u emenue Bejlerbej i Kastamonusë 925 h (1519). Mbasi hypi në fron sulltan Sulejmani, u ba Bejlerbej i Anadollit 926 h (1520) dhe pasi shtypi kryengritjen Xhanberdi Gazaliut**** dhe e vrau këtë u transferue vali në Sham për randësinë që kishte ky vend, deri sa më në fund erdhi si Bejlerbej në Rumeli. Në këtë funksion qëndroi pak kohë dhe, si shpërblim të meritave të tij, u suell në Stamboll 929 h (1522) me gradë të vezirit të tretë, tue u naltësue ma vonë n’atë të vezirit të dytë. Prap u ndodh me sulltanin n’ekspeditë kundra Rusisë, bani edhe këtu shumë shërbime, por s’dihet se si, ra në mëni të sulltanit, humbi gradat dhe u zmbraps, por mandej u fal, tue iu kthye kështu gradat e funksionet. Mori pjesë n’ekspeditë të Moldavisë ku u përpoq me çdo mënyrë dhe si ndër lufta ashtu dhe të tana çështjet e lidhuna me funksionet e tija zyrtare dhe dha shërbimet e tij deri sa u çque me të drejtë në Kubbe-Vuzerasë*****. Kështu mbas një jete shërbimesh besnike, hypi në selinë e kryeministrit, në vend t’Ibrahim Pashës, i cilësue në këtë seli prej një periode të gjatë katërmbëdhjet vjet, gjatë vdekjes së pa pritun në vitin 942 h (1535).
Ajas Pasha në këto pozita ma të nalta të mbretënisë punonte me drejtësi pa i ba kam kërkujtë. Në të tretën vjet të funksionit të tij si kryeministër vdiq prej murtajës, që në formë epidemie ra në Stamboll. E vetmja e mbetë e këtij njeriu, i drejtë, i urtë e bamirës qe emni i tij që arrijti deri më sot ndër veshë tanë me emnin e lagjes “Ajas Pasha”, në Stamboll, mbi Kabatash, në një kodër përballë detit, qe prirja e tij ndaj seksit femnor.
*Në periudhën klasike të Perandorisë Osmane Sadr-ı âzam quhej personi që kryente detyrat më të larta administrative pas sulltanit. Me modernizimin e aparatit administrativ ky emërtim u sinjifikua me postin e kryeministrit.
**Enderuni ishte pjesa e brendshme e oborrit perandorak. Ai u themelua në periudhën e sulltan Muratit II (1421-1451) dhe shërbeu si një shkollë për përgatitjen e kuadrove të lartë të perandorisë që merreshin si devshirme nga vise të ndryshme.
***Biruni ishte pjesa e jashtme e oborrit perandorak. Nëpunësit e Birunit merreshin me zgjidhjen e problemeve të ndryshme të shtetit osman.
**** Në vitin 1421 Xhanberdi Gazaliu në kohën që ishte Bejlerbe i Shamit u rebelua ndaj sulltan Sulejmanit.
*****Kubbe Vuzera ishte organi më i lartë ekzekutiv që në këtë periudhë sinjifikohej me qeverinë osmane.
Lutfi Pasha (1488 ? – 27.3.1564 Dimetoka): Autorët osmanë e qesin prej Shkodre, ndësa Hammer* e tregon Vlonjat. Arriti me këcye deri në seli kryeministrore. Qe vali në Sham, dhe mandej u suell në Stamboll si shpërblim të meritave të tij në punë, me gradë Kubbe-Vuzera. Mori pjesë në një ekspeditë kundra Venedikut. Qe dhëndërr i sulltan Selimit I.
Lutfi Pasha erdhi si kryeministër në vend të Ajas Pashës, qe njeri me kulturë. Qe shumë i ndershëm. I preu organin gjenital një grueje që e diktoi në kurvëri. Bile, kjo vepër e egër e tij arriti sa m’u bisedue dhe në Saraj të sulltanit dhe veçanërisht me gjet kundërshtim tek e shoqja e tij, motra e sulltan Sulejmanit. E Lutfi Pasha, në hov të nervozitetit, që asht një cilësi shpirtnore e shqiptarit, mësyeni të shoqen e cila mundi t’i shpëtoj në saj të xharijeve dhe agallarëve të haremit që hynë ndërmjet. Por kjo ngjarje shkaktoi pushimin e tij, mbas tri vjetësh të shërbimit të tij si kryeministër (13.7.1539 – prill 1541). I larguem prej jetës politike u tërhoq në Dimetokë (Edrene) dhe këtu u mor me studime, dhe shkroi disa vepra. Vdiq në vetmi në vitin 1564, Hammer-i flet me mburrje për të, për aktivitetin e tij kulturorë.
*Jozeph von Hammer (1774-1856) historian austriak, diplomat dhe specialist i problemeve të Lindjes. Ai është autor i një studimi disa vëllimesh mbi historinë e Perandorisë Osmane.
Kara Ahmed Pasha (? – 28.9.1555 Stamboll): U muer me harem si zakoni që ishte atëherë dhe në pak kohë përparoj ndër nëpunsina të ndryshme derisa mbeti aga (komandant) i jeniçerëvet, Bejlerbej i Rumelisë dhe mandej në kohë të sulltan Sulejmanit u suell në Stamboll me gradën vezir. Fitoi dy lufta: Kundër Persisë e kundër Austrisë në Temeshvar*, sa që ma mbrapa u thirr “Hero i Temeshvarit”. Në një kryengrite të jeniçerëvet u emnue kryeministër (6.10.1553-28.9.1555). N’ushtri vuni qetësi. Për shkak t’intrigavet të rivalëvet të tij u dënue me vdekje dhe u ekzekutue në vitin 962 h (1555). Qe një vezir i patundun, i drejtë e inteligjent.
*Temeshvar – qytet në pjesën perëndimore të Rumanisë, sot mban emrin Banat.
Ahmed Pasha (1492 Shqipëri – 24.4.1580 Stamboll): Në kohë të sulltan Sulejmanit u ba Kapëxhë-Bash (një gradë n’oborr Mbretnorë, si shambelan sot-J.T.). Jeniçeri-agasë (Komandant i Jeniçerëvet), Bejlerbej i Anadollit, Bejlerbej i Rumelisë, Kubbe-Vuzera dhe ma në fund kryeministër (11.10.1579 – 28.4.1580). Në pikëpamje dijenije qe mesatar. Vdiq në vitin 1580.
Koxha Sinan Pasha (1520 – 3.4.1596): Në kohë të sulltan Muradit të III e Mehmedit të III (1577-1610) pesë herë u ba kryeministër, mbasi për deri sa arriti këtu pati funksione të ndryshme shtetnore. Mori pjesë dhe ndër shumë luftra tokësore e detare. Vdiq në vitin 1596.
Ferhat Pasha (? – 1595 Stamboll): I dashur nga Haremi-Humajun*, pati një mbas një kto funksione: Kapëxhë-Bash, Mirahor** i parë dhe aga i jeniçerëvet. Mbasi u pushue një herë u muer prap në shërbim si Bejlerbej i Rumelisë dhe u thirr në Stamboll me gradë vezirnije. Mbasi u pushue dhe një herë, ma mrapa u emënue si kryeministër (1.8.1591 – 4.4.1592). I emnuem si Serdar*** në luftën kundër Vllahisë, kur po ndiqte një urë mbi Danub u pushue befas. Në vend që me u kthye në Stamboll, u mshef në çiflikun e vet që kishte aty afër, por mandej doli, sepse ndërmjetësuen për të Kajmekani i Stambollit Ibrahim Pasha dhe nana-mbretneshë. Me gjithë këtë, u ekzekutue. Qe një person aktiv e trim. U ekzekutua në vitin 1595.
*Në turqishten osmane Harem-i Hümayun. Këtu e ka fjalën për familjen perandorake osmane.
**Mirahor quhej personi i cili kujdesej për kuajt e oborrit perandorak.
***Kryekomandant.
Jemishçi Hasan Pasha (? – 4.10.1603 Stamboll): Në vitin 984 h (1576) hyni në grupin e Zylyfli Ballaxhivet (një repart ushtarak), mandej me rend u ba Kapëxhllar-Ket’hudasë, Cashneqir-Bashë, Kapëxhë-Bash e Jeniçeri-agasë; Vezir e kryeministër (10.7.1601 – 24.9.1603). Në vitin 1012 h (1603) iu pre koka.
Hasan Pasha (? – 20.5.1622): Është djalë i një spahiu prej Ohri. Karriera e tij fillon me një shërbim në kopshtin mbretnor, mandej emnohet aga i jeniçerëvet, Bejlerbej i Rumelisë, Kubbe-Vuzera e ma në fund kryeministër (9.3.1621 – 17.9.1621). U vra në një kryengritje që shpërtheu në Stamboll, ku pat gjetë vdekjen dhe vetë sulltan Osmani II, në vitin 1031 h (1622).
Hysejn Pasha Mere (? – korrik 1624 Stamboll): Erdhi në Stamboll dhe punoi si gjellëbamës, iu qas Sturxhi Mehmed Pashës dhe u ba kryegjellbamës i tij. Mandej u regjistrue si spahi. Kohët e turbullta që vazhdojshin në Perandori, favorizojshin aventurierët guximtarë me u futë ndër shërbime qeveritare. Një ndër këta qe dhe ky Hysejn aga. Dalë kadalë nisi të bëj karrierë, çaush, Sokak-Silahdar, Agnam-Enimi, Kapëxhë-Bash, Kauxhullar Ket’hudasë, Mirahor i dytë, vali i Misirit e ma në fund kryeministër (13.6.1622 – 8.7.1622 dhe 5.21623 – 30.8.1623). U ekzekutue kur hypi në fron sulltan Muradi IV, në vitin 1033 h (1624). Qe një tiran dhe pa një edukatë të shëndoshë*.
*Mbiemri i Hysejn Pashës “Mere” i ishte vendosur nga urdhri që ai jepte për t`ju prerë koka personave që ai e shikonte të arsyeshme. Hysejn Pasha ishte i vetmi kryeministër që nuk dinte turqisht, prandaj urdhrat i jepte në gjuhën shqipe, siç ishte edhe fjala “mere” ose merrjani kokën.
Tabanijasri Mehmed Pasha (? Tashllëxha – 1639 Stamboll): Erdhi në Stamboll për të kërkue jetesën dhe u vendos pranë Haxhi Mustafa agait, aga i Stambollit, me ndërmjetësimin e të cilit dhe për hirë të zellit, të besës e t’inteligjencës së vet nisi karrierën e tij si Myteferrika. Kapëxhëllar-Ket’hudasë, Mirahor, vali i Misirit dhe ma në fund, në vjetin 1041 h (1632) kryeministër (18.5.1632 – 2.2.1637). Tue pasë këtë funksion të fundit, u ngarkue edhe me shërbime tjera. Por, viktimë e një intrige u burgos dhe pak më mbrapa iu pre koka 1049 h (1639).
Kemankesh Kara Mustafa Pasha (Vlorë ose Elbasan ? – 31.1.1644 Stamboll): Ardhurin i ri në Stamboll u fut nën sqetulla të Kara Hasan agës dhe me rekomandim të tij hyni mdis t’oficeravet të Jeniçerëvet si çorbaxhi për zotësinë që kishte në të hudhun të shigjetave. Në pak kohë u ba Kull-Ket’huda, Sekban-Bash e aga i Jeniçerëvet. Në këtë cilësi vuni rregull e disiplinë në oxhak te jeniçerëvet dhe riorganizoi këtë ushtri që kishte fillue të dalë dore. Në vitin 1048 h (1638) u emënue kryeministër (23.12.1638 – 31.1.1644) për meritat e tija që iu çmojshin fort prej sulltanit. Flij e një intrige iu pre koka në vitin 1053 h (1644). Njeri aktiv, la shumë vepra, si medrese, xhami, hamam e tjera.
Kara Murad Pasha (1611 – 19.8.1655 Hama-Siri): Mbasi pati nëpunësina të ndryshme, dy herë u emënue kryeministër (21.5.1649 – 19.8.1650 dhe 11.5.1655 – 19.8.1655 ). Dhe ky qe ndër asi aventurierësh guximtarë që koha i favorizonte. Por trimnija e tij qe shkak që pati pozita të nalta. Ia doli me fitim ndërrmarrjevet që morri ne luftën e Gjiritit dhe kundër venedikasvet që kishin rrethue Stambollin me flotë të tyne. Kur për të tretën herë dha dorëheqjen si kryeministër dhe po shkonte në Sham, i emënuem atje, si vali, vdiq rrugës.
Tarhonxhu Ahmed Pasha (? – 21.3.1653 Stamboll): Është prej Mati. Ardhun i ri në Stamboll, dhe kur Silahdari* mbretnorë Musa agai po shkonte n’ejalet të Misirit, dhe Ahmed agai u bashkue me të. I dalluem për zell e besnikëri, pati nëpunësina të ndryshme deri sa u ba kryeministër në vitin 1062 h (1652). Ma në fund nga intrigat e shokëvet iu pre koka. Me gjith se analfabet qe një administrator trim e i besës.
*Silhdar ishte personi i cili kishte si detyrë mbrojtjen dhe përkujdesjen e armëve të pallatit sulltanor.
Arabaxhi Ali Pasha (? Ohër – 1693 Rodos): Është nga Ohri. Mbiemnin e ka Behadrizade. Qe i karrierës s’ilmijes*, por mrapa mori punësina shtetnore të ndryshme deri sa në vitin 1103 h (1691) u ba kryemninistër (19.8.1691 – 27.3.1692). Në vitin 1104 h (1693) iu pre koka. Qe njeri i dijtun por zemërak e i egër për natyrë, vese këto që i atribuohen karakterit nervoz të kombit shqiptar.
*Me termin Ilmije (Ilmiye) quhej klasa e dijetarëve dhe e hoxhallarëve të nivelit më të lartë të Perandorisë Osmane.
Dalltaban Mustafa Pasha (? Manastir – 27.1.1703 Stamboll): Mbasi pati funksione të ndryshme dhe ushtarake, në vitin 1113 h (1702) iu dha vula e kryeministrisë (4.9.1702 – 24.1.1703). Kishte një natyrë të çuditshme si të çuditshme ishin dhe punët që dilshin nga dora e tij. Iu ndrroi veshjen gravet myslimane, kristjane e çifute, urdhënonte me iu dhanë njëmij shkopinj atyne që bajshin një fjalë të vogël. Kujtonte se me terror rregullohen punët. Por me këto vepra shkaktonte ankime të shumta kundra tij. Mbrenda një kohe të shkurtë 4 muejsh ç’prej se u emënue kryeministër u pushue, u burgos dhe mbas tri ditësh iu pre koka, tue iu konfiskue edhe pasunija.
Halil Pasha (? – 1733 Gjirit): Është prej Elbasani. Erdhi në Stamboll te vëllau i tij Sinan aga, që ishte Bostanxhibash* dhe me intervenim të tij u shkrue n’Oxhak (n’ushtri të jeniçerëvet-J.T.). Si shërbeu ndër funksione të ndryshme, u emënue Serdar** dhe kryeministër (5.8.1716 – 26.8.1717). Vdiq në vitin 1146 h (1733), tue qenë në një moshë ma se tetëdhjetë vjeç. Kishte natyrë dervishi, modeste e fetar. Por njëkohësisht një dijetar shteti bamirës. Afër trembëdhjetë muej qëndroi si kryeministër.
*Bostanxhibashi (Bostancıbaş) ishte kryekopshtari i pallatit sulltanor, njeriu që merrej me përkujdesjen e pjesës së jashtme të pallatit dhe me kalimin e viteve edhe me mbrojtjen e tij.
**Serdari ishte kryekomandant në ushtrinë osmane.
Memish Pasha (? – 8.7.1809 Sakëz Adasë): Memish Pasha që zuri vendin si kryeministër (19.11.1808 – 1.1.1809) mbas ngjarjes tragjike të vdekjes të Alemdarit në kohën e sulltan Mahmudit, pati ardhë tue qenë ende i ri në Stamboll dhe tue pasë një shërbim të disa personalitetevet, mësoi pak me këndue e me shkrue, ndërsa titulli “agë” që kishte, iu shndrue në “efendi”. Pasi pati disa funksione, iu dha grada e vezirnisë bashkë me vulën e kryeministrisë. Por tue mos qenë i zoti me i ardh rreth një funksioni kaq me rëndësi, mbas dyzet ditësh t’emënimit u pushue, iu mor grada e vezirnisë dhe u internue një herë në Bursa e prej këtu i internuem u transferue në Sakëz, ku dhe vdiq. I pazoti në punë, i pafat, i butë dhe i drojtun për t’i ba keq kujt.
Mustafa Nail Pasha (1798 Polenë – 1871): Mustafa Nail Pasha, i cili njihet me emnin Gjirithi pse pat ndej në Gjirit si vali gati tridhet vjet, asht i biri i Ismail Beut, parësi e Bilishtit të Korçës. Në vitin 1242 h (1826) u emënue vali në Gjirit, ku u përpoq me vu qetësi në këtë vend ku qetësia ishte prishun nga brigandazhi i vendsavet. Ia arrijti me i sigurue ishullit qetësinë dhe shtini në dorë Haxhi Mihalin, shefin e rebelëvet. Në saj të zotësisë së tij shpëtoi Gjiriti, megjithse i bllokuem nga flota ndërkombëtare. Në vitin 1256 h (1840) u ba vezir e myshir* dhe u emënue kryeministër (6.8.1857 – 22.10.1857). Qe i zoti i punës, besnik e trim. Shum i pasun, por dhe në këtë përpjestim bujarë sa me u ba legjend bujaria e tij.
*Myshir ose marshall ishte grada më e lartë në ushtrinë osmane.
Ferid Pasha (1851 Vlorë – 1914 San Remo): Prej Vlore njeri me kulturë. I shërbeu mbretnisë në funksione të ndryshme. Më 12 janar 1318 h (1902) u emënue kryeministër (15.1.1903 – 22.7.1908). Qe dhe antar i Senatit e Ministër i Brendshëm. Vdiq në vitin 1914.
Mirahor Eljaz beu (? Panarit – 1512 Korçë): Eljaz beu që njihet si themelues i Korçës, ka lind në Panarit, një ndër katundet e Përmetit. Në ekspeditën kundër Shqipnisë të Muradit II, hyni në shërbim të tij, u ba mysliman dhe si nën mbretnimin e këtij Padishahu ashtu dhe nën atë të pasardhësit të tij Muhamedit II. Pati shkollë, nëpunësina të ndryshme, tue marrë pjesë edhe në rrethimin e Stambollit. Një xhami afër Jedi-Kul’le-s (Stamboll), që tue qenë kishë e shndroi ai si t’atillë me leje të Padishahut mori emnin Xhamija e Emir-Ahurit ose Xhamija e Kishës. Për mbi këtë asht një Dergjali (Teqe) Synbylishë. Pushtuesi i Stambollit Mehmeti II, për besnikëri e zotsi të tij e emënoi si Llalla (kryekujdestar-J.T.) të djalit të tij Bajazidit II. E kur hypi ky në fron, iu dha titulli Mirahor (princ i stallavet, një titull ndere i naltë në Perandorinë Osmane-J.T.), dhe kështu me këtë u ba i njohun në histori të mbretënisë. Mirahur beu i cili gëzoi kaq tepër simpatinë e sulltanit, u ba dhe një ndër favoritët e tij tue iu falë disa katunde si maliqane (domene) disa katunde në vend-lindjen e tij. Eljaz beu por sa u kthye n’atdhe të tij bleu një kishë që ishte e ndërtueme në një vend fort të bukur të domenës së tij dhe e shëmbi këtë tue ngrehë në vend të saj një xhami e aty afër një ndërtesë dhe një imaret`hane (haspie). Me ngrefjen e këtyne ndërtesavet vuri themelet e qytetit të Korçës. Mbrapa u emënue vali në Janinë dhe pati disa funksione të tjera shtetnore. Domenin e vet si dhe vlijte-in (kujdestarinë e vakufevet ua la djemëvet të tij, kështu që edhe sot administrohen, kjo domenë e këto vakufe nga bejlerët e Korçës që janë trashëgimtarët e tij.) Eljaz beu konsiderohet nga vendasit si një shejt. Në popull ka nxanë vend një legjendë si mbas të cilës kur sulltan Bajazidi e ka nderue tue shti në radhë të favoritëvet të tij, e ka urdhënue me marrë një kalë prej stallavet perandorake dhe i ka premtue se do t’ia njihte si pronë të tij private ato toka që do t’i shëtiste ai me kalë mbrenda një afati të caktuem. Eljaz beu mer një mushkë të shpejtë dhe bredh ndër tokat e dëshirueme, por, si mbaron qarkullimin mushka pëlcet e bahet mbrapa gurë tue i dalë ujët curil nga kurriza. Afër Korçës ka vërtetë një gurë, në këtë trajtë, nga i cili, gadi në mes del një ujë mineral i bardhë si shkum. Këtë gurë populli i vendit e mer për mushkën e Eljaz beut që plasi e u gurzue. Këtë legjendë krijoi përgjasim i gurit me mushkën dhe kjo kaloi gojë në gojë ndër brezni të ardhme nga mbrapa. Eljaz beu vdiq në vitin 917 h (1512) dhe u varros në një tyrbe që qe ndërtue apostafat në Korçë. Ma i madhi ndër dy djemt e tij, Ajna beu ra dëshmor në luftë të Bagdatit. Një xhami afër Jeni Kapë-së në Stamboll mban emnin e tij. (Ky përshkrim biografik u përkthye at literam, mbasi ban pjesë integrale të historisë së qytetit të Korçës-J.T.)
Hamza Beu: Është nipi i të famshmit Skandërbeg. Tue qenë edhe në moshë të re u muer peng bashkë me vëllanë at botë që qe marrë peng Skëndërbeu; u edukue në saraj mbretnor dhe këtu u ba Islam Hamza beu i edukuem si mysliman, në të cilin mishnoheshin gjith aftësitë, iku nga saraj mbretnor bashkë me Skëndërbenë, dhe në fuqitë ushtarake që organizoi ky, bashkë me të marrë komandën nga shkaku se ushtarët osmanë nuk ishin mësue me luftë ndër vende malore, ata psojshin disfatë, nër të cilat kishte rolin e vet pozitiv edhe Hamza beu. Por, shkak ambicjesh, Hamza beu nuk e pa t’udhës të qëndrojë ma në Shqipni e pranë ungjëvet të vet, dhe u paraqit e kërkoi strehim te sulltan Mehmeti, i cili nën komandë të tij e t’Evrenos-zade-Isa beut çoi në Shqipni një fuqi prej 40.000 kalorësish. Të parat ndeshje u kryqëzuen me sukses të tyne dhe Skëndërbeu u shtrëngue me u tërhjek në Lezh që ishte nën sundim të Venedikut. Por Skëndërbeu për hirë të aftësive e të dredhive të tija, fitoi ma në fund ndër këto luftime të përgjakshme që u zhvilluen midis dy ushtrinavet, Isa beu ra i vraun e Hamza beu rob. Padishahu kërkoi nga Skëndërbeu t’ia kthente Hamza benë kundrejtë një shpërblimi. Skëndërbeu nuk deshti njëherit t’ia lironte, por Hamza beu premtoi se por sa t’arrinte në Stamboll do të merrte të shoqen e fëmitë dhe do të kthehej. Atëherë Skëndërbeu e liroi. Por Hamza beu pak mbas lirimit vdiq, e premtimi i tij mbet pa u çu në vend. Por simbas një konjekture që mund të përligjet Hamza beu duket se bani këtë premtim për t’i shpëtue kularit të robnisë; pse, në kryeqytet e nën roje si do t’ishte ai, nuk ishte punë e lehtë t’arratisej bashkë me familjen. Por Skëndërbeu e liroi atë për të mos egërsue sulltan Mehmetin, në fakt kishte bindjen dhe sepse ai nuk mund t’i sillte ndonjë dam. Pra Skëndërbeu ia pranoi propozimin sulltanit e para se nuk do të humbte gja nga lirimi dhe e dyta se për kokë të tij do të jepeshin të holla. Kështu mundi Hamza të jetë bej.
Ahmed Pasha (? – 1524 ?): Në moshë të vogël hyni në saraj mbretnorë dhe arriti shkallë shkallë me pasë funksione të ndryshme deri sa me funksion të agait (komandant) të jeniçerëvet, u bashkue me dijetarët e Birunit (në Birunë hyjnë tanë ata që dolën nga pallati me funksione të nalta-J.T.). Për shërbime të mira e zellë që tregon në luftë të Bagdatit u ba Bejlerbej i Rumelisë e mandej hyni në radhë të Kubbe-Veziravet. Mrapa shkoi si vali në Misir. Këtu desht me sigurue për vehte autonominë e Misirit, por në kryengritjen që bani u mund, iku dhe iu pre koka. Në këtë vepër u mbiquejt “hain” (tradhtar-J.T.), me të cilin propozim hyni në histori: Tradhëtar-Ahmed Pasha. Qe njeri guximtar dhe do të përfitonte prej tij të mos qe kryenaltë e ambicjoz.
Ferhad Pasha (? – Tetor 1595 Stamboll): Vezir i dy sulltanëvet, i Javuz Sulltan Selimit dhe i Kanuni Sulltan Sulejmanit, Ferhad Pasha, i edukuem në saraj u ba aga i jeniçerëvet dhe mandej Bejlerbej i Rumelisë për shërbimet që bani në të shuem të një kryengritje n’Anadoll, e cila gati pat marrë përpjestime të rrezikshme për Perandorinë, e mbrapa Bejlerbej i Shamit. U tregue i guximshëm në ekspeditën kundra Hungarisë dhe si shpërblim u emënue kryeministër (1.8.1591 – 4.4.1592 dhe 16.2.1595 – 7.7.1595). Në fund për veprimet arbitrare e t’egra që zhvilloi në popull në lidhje me funksionet që pati, iu pre koka, pa u marrë para sysh hirin që gëzonte prej sulltanit. Qe një ndër vezirët shum i zoti.
Turhan Bej: Hyri në shërbime të Perandorisë dhe shkallë shkallë pati arritje ndër funksione të ndryshme, deri n’Janinë (dinjitar shteti). Në Delvinë u emnue Bej (guvernator). Vdiq në vitin 960 h (1552). Qe njeri bamirës, në Malkadra la shumë vepra bamirësie.
Dervish Çelebi: Në vitin 987 h (1579) u ba Reisulkittab (si ministër i Jashtëm sot-J.T.); por tue mos qenë i zoti sa duhej u pushue.
Hafiz Ahmed Pasha (Hadëm): Vali në Qipro, mandej me gradë vezirnije vali në Misir në vitin 998 h (1589), në vitin 1003 h (1594) vali në Bosnje. Në vitin 1006 h (1597) pushohet pse humbë një luftë në Danub. Por tue u marrë vesht se nuk kishte pasë faj, emënohet Kubbe-Vezir, zëvendës kryeministër. Vdiq në vitin 1022 h (1613). Qe njeri bamirës dhe la vepra bamirësie.
Hasan Pasha (Allaxha-Etli): Shkallë shkallë arriti ndër funksione shtetnore, në vitin 1001 h (1592) Bejlerbej i Kanizhes, në vitin 1008 h (1599) Bejlebej i Belgradit, në vitin 1012 h (1603) Bejlerbej i Erzurumit. Vdiq në vitin 1013 h (1604). Qe njeri trim e luftëtar.
Hasan Pasha: Në pak kohë, për zotësinë që tregoi në çdo punë që iu lëshue në dorë, mbrrijti deri në Jemerallëk. Në vitin 994 h (1585) me gradë Bejlerbeu u dërgue në Jemen, për 10 vjet që ndej këtu siguroi aneksimin e këtij vendi me perandorinë dhe rregulloi Jemenin, tue lanë përshtypje të mira ndër vendas dhe tue fitue kështu simpatinë e Padishahut, i cili në shpërblim të meritavet të tija e emënoi atë vali në Misir. Hasan Pasha dhe këtu ndeji ma se 10 vjet, dhe kjo kohë e funksionit të tij qe për të e ndritun dhe për Misirin e dobishme. Tue e pasë kënaqë Padishahun sukseset e Hasan Pashës në çdo shërbim që ju besue, Padishahu e ftoi në kryeqytet me funksionin e naltë si Kubbe-Vuzera. Vdiq mbas gjashtë muajsh që erdhi në Stamboll. Qe trim, bujar, modest e sidomos trim. Është i varrosun në varrezat e xhamisë Alikë Ali Pasha në afërsi të Çenberlitashit.
Muhiji Bej: Muhiji bej erdhi i vogël në Stamboll me qëllimin që të lehtësonte vuajtjet e jetesës që kishin randue në vendin e vet dhe hyri në Marinë ku provoi zotësinë e tij deri sa sulltani për meritat e tij e emënoi Bej në Tarabullus (Tripoli). Por s’dihet për ç’arsye, u pushue, u ftue në kryeqytet dhe u emënue në Tersane*. Por ky dizgrac nuk e demoralizoi, punoi, kreu detyrat e veta ndaj atdheut, dhe ma në fund tue i çmue zelli e puna u emënue Bejlerbej i Rodosit në vitin 1018 h (1609) dhe korri sukses në punë. Vdiq heroikisht në një luftim detar.
*Tersane ishte vendi ku riparoheshin anijet e flotës ushtarake osmane në Stamboll.
Mustafa Efendi: Është prej Horpishtit të Kosturit që shkon në Korçë. Ka studiue në Stamboll në medrese, prej ku ashtë diplomue. Kur ishte imam e hatib në një xhami të Qemlikut, vazhdonte mësimet e nalta teologjike. Në vitin 1010 h (1601) për kulturë e za të bukur që kishte u suell në Stamboll si imam në xhaminë që kishte ndërtue Xherrah Ahmed Pasha. Në vtin 1015 h (1606) u emënue si imam i pallatit mbretnor. Në vitin 1024 h (1615) iu dha grada honorare Anadollu pajesi. Vdiq pa kalue akoma një vjetë mbasi u nderue në këtë gradë. Vdekja e tij dëshpëroi shumë kend, ndër këta dhe vetë Padishahun. Qe i dijtun, me moral të naltë e bujar. Kishte prirje dhe për poezi. Ka lanë vepra të shkrueme për histori e fe.
Bajram Pasha: Tue e pasë provue zotësinë e vet të jashtzakonshme ndër shumë lufttra ku mori pjesë, arrijti në gradën e komandantit dhe në vitin 1021 h (1612) u emënue Bejlerbej i Bosnjes. U pushue një herë por prap u emënue po n’atë ved, mbasi bani shërbime në luftë në vitin 1024 h (1615). Vdiq në Bosnje në vitin 1036 h (1626). Qe i zellshëm, luftëtar e trim.
Omer Pasha: U dërgua në një luftë kundër persianëvet, por tue pasë nxanë këta më parë pritat strategjike, u thye keqas në një ndeshje që pati dhe tue lanë gjithë bagazhet në dorë t’armikut mori rrugën e Mosulit. Serdari (gjeneralizmi) i zemruem si nga kjo mundje ashtu dhe nga shenjat e disfatës që u duken dhe ndër anë tjera, ia preu kokën në vitin 1038 h (1628).
Koçi beu (? – 1650): Është nga Korça. Në moshë të re ka ardhë në Stamboll dhe ka hye në saraj si aga e mbrapa ka mbrijtë në funksionin e Odabashit. Simbas zakonit t’atëhershëm Oda Bashi kishte gjithmonë takim me Padishahun, në shërbim të cilit ishte direkt. Kështu dhe Koçi beu me këtë cilësi piqej kur ishte nevoja me sulltan Muradin IV, pushtuesin e Bagdatit, dhe i tërhiqte këtij vrejtjen zotnija e zgjuarsija e tij. Ajo kohë ishte ma e turbullta ku punët e mbretënisë shkojnin keq. Mbreti ishte i vogël kur hypi në fron e nevoja e donte që punët e perandorisë t’administroheshin prej nanës Mbretëreshë. Kjo gjendje ndikonte ndër veprime të shtetit, të cilat në fakt ishin ç`thurë, e mbështjellimet që kishin fillue shumë kohë më parë në këtë kohë sidomos ishin shtue. Mbrapa sulltan Murati arrijti moshën madhore dhe filloi me rregullue punët e mbretërisë me dorën e tij të çelikët. Por punët nuk ndreqeshin kurrësesi dhe kryengritjet ndiqnin njëra-tjetrën. Në këtë kohë, në pallat të sulltanit ra rrufeja dhe këtë fatkeqsi e ndoqi vdekja e trishtueshme e princavet mbretnorë. Kryengritjet e anarkia në punët qeveritare, të zeza këto që pasojshin njana-tjetrën, kishin ngjallë në këdo dyshime për ekzistencën e perandorisë dhe këto ngjarje morale ma tepër se material kishin forcue këtë dyshim. Qe Koçi beu i cili i jetonte vetë këto kohë dhe kishte formue bindjen se vazhdimi i kësaj gjendjeje do t’a shtynte në shkatrrim perandorinë, pa nevojën, i shtyem nga besnikëria, me ia parashtrue Padishahut gjendjen ashtu lakuriq siç paraqitej me anë të një projekti ku shpjegonte me prova e dokumenta shkaqet që mbajnë në këmbë një perandori si dhe ato që e tërheqin rrëshane kahë gremina 1041 h (1631), tue dhanë kështu edhe recetën si mund të shpëtonte ajo nga kjo greminë. Pushtuesi i Bagdatit (sulltan Murati IV) këtë projekt, shkrue me një gjuhë fort të qartë dhe vërtetë me një zotësi, e lexoi me atë vrejtje e kujdes që meritonte dhe, për ma tepër, mori iniciativën e zbatimit të tij. Ky zbatim do t’i sillte mjaft të mira shtetit e popullit, sikur sulltan Murati të mos kishte mbetë akoma nën mëninë e hakmarrjes kundra atyne fëmijëvet e përbuzjevet, përpara të cilavet ishte ndodhë në fillim të hypjes së tij në fron ose sikur të ndodheshin në midis vezirëvet e ministravet persona të kalibrit të madh sa me zbutë qëndrimin e egër e bile të pa nevojshëm t’atij monarku. Në rast të tillë, fatkeqsitë e s’ardhmes do të ngjajshin ndryshe nga ato që u vërtetuen. Por mjerisht, s’ndodhi kështu, e ky mbret kapidan vdiq e shkoi në një moshë fort të re. Vdekja e Muratit IV e pikëlloi në zemër Koçi benë; sepse ky n’atë Sovran shihte virtyte që do të kontribuojshin në shpëtim të perandorisë, e frikësonte atë për ma tepër e meta e fuqisë mendore e princit trashigimtarë Ibrahimit. Por u ba ç’u ba, Ibrahimi hypi në fron. Koçi beu i cili sido qoftë, kishte ngulë kambë m’e ngrejtë perandorinë nga gremina drejtë së cilës po rrokullisej, nuk rrinte duer kryq, megjithse nëpunësia e naltë që kishte; kështu i paraqiti edhe sulltan Ibrahimit një projekt të ri, mbasi ia kishte marrë fjalën ma përpara për një gja të tillë. Dhe në këtë projekt Koçi beu shtronte mendime mjaft me rëndësi dhe i çfaqte krejt haptas pikat që i dukeshin të nevojshme për shpëtimin e mbretënisë, që për të ishte kryeqëllim. Veç çka se ky Padishah nuk ishte n’atë shkallë zotësie sa m’e shpëtue perandorinë n‘atë fatkeqsi ku kishte ranun. Dhe ata që mbajshin në dorë frenat e shtetit, ishin njerëz të mallkuem që s’mendojshin tjetër veç me hangër shoqishojnë. E Koçi beu i ngratë prekej thellë në shpirt kur shihte se dëshirat e tij s’po realizoheshin. Por në fund vdekja e shpëtoi këtë që të ia arrinte me ditë mjerimet që kishte përpara. Koçi beu nuk pati një punë fort të naltë shtetnore. Preukupacioni i tij qe m’u dhanë mbas ditunije. Ditunija më njen anë e mendja e tij e mprehtë n’anë tjetër e stërvitën atë ndër punë politike ma fort se ata që mbajshin në dorë frenat e shtetit. Në projektet në fjalë, ai e ka provue në kulm këtë zotësi. Mjerish i dyti ndër kto projekte nuk ekziston, ndërsa i pari fatbardhsisht ka arrijtun ndër duer tona për me dhanë një ide mbi stilin që ka përdorë në projektin e vet të parë. Koçi beu dhe mbi mendimet që ai ka shprehë n’atë projekt, po japim këtu tekstualisht pak rreshta të projektit, për ata që s’kanë dijeni mbi ekzistencën e tij: “… shkurt, padrejtësia që po i bahet sot shtetasvet të vorfën nuk asht ba në asnjë kohë, n’as një klimë e n’as një vend. Po t`i bahet kujt një padrejtësi në një vend të botës islame, në ditën e Gjygjit të Amshuem mbretnat kanë për ty pyetur për të, e jo ministrat e tij. Nuk mundet të përgjigjet mbreti përpara Zotit se këtë punë ia kam pasë lanë në dorë ministravet. Vaji e dënesat e viktimavet shuejnë vatrat. Lotët e syvet të të shtypunëvet mbasi botën në vijë të mjerimit. “Me të pafetë qëndron në kambë bota, me padrejtësi jo”. Drejtësia të zgjat jetën. Rregullimi i gjendjes së të varfënvet u siguron parajsën mbretënvet. Këto fjalë që po i them nuk janë të mijat, janë fjalët e Ulemavet e të Shejhlerëvet. Në mos besoni, pyetni ata. Gjendja kështu qëndron. Fundi: urdhnëni i përket lumnueshmit sulltanit t’em”.
Maksut Pasha: Është nga Prizreni. Me radhë u ba Defterdar-Ket`huda, Mirahur, vali në Dijarbakër e mandej në Misir. Në vitin 1054 h (1644) iu pre koka. Qe një njeri modest e bujar. Pati një farë soj ditunije. Të mos qe përkdhelë nga padronët e vet dhe të mos qe futë në një mënyrë ekstreme ndër disa punë që nuk i përkitshin, mund t’i shërbente mjaft perandorisë.
Bektash Aga: Bektash aga me qëllim që të siguronte gjallnesën erdhi në Stamboll, hyni n’Oxhak të Jeniçerëvet dhe këtu shkallë shkallë përparoi deri sa u ba Aga i Jeniçerëvet në vitin 1051 h (1641). Mbas dy vjetësh doli në pension. Zaten s’kishte nevojë ma për nëpunësi, se kur ishte në Oxhak të Jeniçerëvet kishte ba pare shumë dhe ishte ba mjaft i pasun. Në fakt shpenzime nuk kishte shumë dhe ishte dorë rrudhë. Në fund, u përzie në një kryengritje ku gjet vdekjen, tue iu pre koka në vitin 1061 h (1650).
Ibrahim Uzun Pasha (? – 1683 Hungari): I dalun nga oxhaku i Jeniçerëvet u ba Kukull’Ket-Huda e në 1075 h (1644) aga i Jeniçerëvet. Mori pjesë në luftën e Gjiritit dhe për shërbime që bani këtu, u emënue Kajmekam i Stambollës në 1078 h (1667). Qe vali në Budin e në Bosnje dhe kudo tregoi zotësi të madhe dhe ku ndodhi, për pak kohë vuni rend e qetësi. Kur Kara Mustafa Pasha, kryeministër vendosi me i ra Austrisë 1093 h (1682), Ibrahim Pasha e kundërshtoi, jo pse trembej prej lufte, por sepse qeveria s’ishte e pregatitun për një ndërrmarrje të tillë. Me gjithë këtë Këshilli Perandorak vendosi për luftë. Ibrahim Pasha u nis dhe rrethoi Vjenën bashkë me Kara Mustafa Pashën, i cili ishte komandant. Vjenezët u mbrojtën, Kara Mustafa u kthye, pse s’ndigjoi me mësye si propozojshin komandantët e tjerë. Kara Mustafa Pasha mendonte m’e marrë Vjenën me uri e jo me mësymje se në këtë rasë Vjena do të plaçkitej e Kara Mustafa Pashës s’do t’i rinte gja për vedi. Kara Mustafa Pasha për me mbulue fajin e vet për këtë disfatë ia veshi Ibrahim Pashës, dhe shtini e i preu kokën tue qenë ky në moshën 90 vjeç.
Hasan Pasha: Është prej Dibre. Në saj të suksesevet që tregoi në çdo punë që ju ngarkua, mbrijti në pak kohë me hye në rend t’Jeniçerëvet dhe për trimninë që provoi ndër lufta të ndryshme u emërue rojtar i Ujvarit me pajë të Bejlerbeut 1095 h (1683). Qe dhe Bejlerbej i Rumelisë. Kur u thye Kara Mustafa Pasha përpara Vjenës, Hasan Pashës që ishte në kala t’Ujvarit iu prenë rrugët gjithkohë prej austriakëvet dhe ushtria e tij ngeli pa buk e pa municione. Hasan Pasha me gjith ushtri shpoi rrethimin tue dalë e tue sulmue austriakët, por mbet i vramun si ky si një pjesë e madhe e shokëvet të tij në vitin 1096 h (1684).
Hasan Pasha (Kanakxhi): Ende tue qenë i ri erdhi në Stamboll për të fitue bukën dhe i mbrojtun prej musahib (titull funksioni në pallat-J.T.) Mustafa Pashës u ba qehaja i këtij. Në vitin 1092 h (1681) me cilësi Kankxhiu shkoj Mytesarrif në Çermen e në 1094 h (1682) Bejlerbej i Kanizhës; mbrapa u transferue në Sajda. Vdiq në vitin 1098 h (1687).
Hasan Aga (Çollaku): Ka hye në moshë të re n`Oxhakë të Jeniçerëvet Zagarxhi-bash e 1095 h (1683) Kull-Ket’huda. Shkruan se ish i smuet e nuk kish fuqi t’i shërbente shtetit, u pushue mbas një vjeti, por me qenë se u shërue u muer prap në shërbim, dhe u gradue si aga i Jeniçerëvet në vitin 1097 h (1685). Por i smuem prap, u nxuer në pensjon e mbas pak kohe vdiq.
Ahmed Pasha (Burunsız-i pahunda-J.T.): I edukuem n’Oxhak të Jeniçerëvet, u emënue një herë Kull-Ket’huda e mandej dy herësh Sekban-bash*. Tue pasë kundërshtue ekspeditën e Vjenës, u qit në pension. Por u mor prap në shërbim me ndërmjetsime në Kandjes. Megjithse ishte i ndaluem shitja e drithit ndër vende armike, iu shiti Gjenevizvet 40.000 akë grunë nga një flori (s’dihet sa ish vlefta e kësaj monedhe-J.T.) aken. Sulltani i irrituar nga kjo vepër e tij, dha urdhën të vritej, dhe u vra.
*Sekbanbash-i ishte një garnizon ushtarak i lidhur me korpusin e jeniçerëve. Në rastet kur komandanti i jeniçerëve nuk ndodhej në Stamboll, ai ishte i ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së qytetit.
El’Haxhi Zulfikar Pasha: Në vitin 1080 h (1669) Kull`Ket’huda, në vitin 1085 h (1674) sekbanbash, ku qëndroi 9 vjet. Në vitin 1094 h (1682) u gradue aga i jeniçerëvet. Tue pasë shërbye mirë në detyra që pati, pa kalue dhe dy vjet arrijti m’u ba Kubbe-Vuzera, shkallë kjo ma e naltë ndër funksionet e shtetit. Por n’atë kohë tue pasë marrë randësi ishulli i Sakëzit (Kio) dhe Kandja, u dërgue atje një mbas një si rojtarë në vitin 1098 h (1686). Në vitin që shkojë atje ushtria që ruente kalanë e Kandjes organizoi një revoltë kundra komandantavet të vet, kështu që i vrau këta të gjithë, ndër të cilët dhe El`Haxhi Zulfikar Pashën.
Mustafa Pasha: Mbasi hyni në shërbimin qeveritar, në vitin 1100 h (1688) u emënue Allaj Beg i krahut të majtë e mbrapa mytesarrif i Allaxha Hisarit; mbrapa, pa kalue dhe një vjetë, u gradue Bejlerbej i Rumelisë. Mustafa Pasha, u pa se po i çmohet shërbimi vendosi m’u sakrifikue tue dhanë ma në fund jetën në luftë në vitin 1102 h (1690).
Koxha Halil Pasha: Një kohë të gjatë qe komandant i ushtrivet në Bosnje. Mandej Bejlerbej i Tarabullus Shamit, serasqer i Moresë me rang vezirnije, serdar në Hungari në luftën kundra Austrisë në vitin 1102 h (1690). Së dytit herë prapa serasqer në More, ku qëndroi 4 vjet e mandej doli në pensjon nga shkaku i moshës së kalueme. Pa kalue dhe shumë kohë në pension vdiq.
Abdurrahman Pasha: Hyni i ri n’ushtri t’jeniçerëvet dhe në vitin 1079 h (1668) u emënue aga i kësaj ushtrie. Megjithse disiplina ishte prishun në këtë ushtri, Abduhrrahman Pasha kreu me sukses detyrën e tij dhe si shpërblim në krye të gjashtë vjetëve si aga i Jeniçerëvet, u emënue vali i Bagdatit tue iu pasë qenë dhanë dhe grada e vezirnisë. Prej këtu u transferue në një detyrë ma me rëndësi, vali i Misirit në vitin 1087 h (1676) e në vitin 1092 h (1681) u transferue vali në Bosnje. Abduhrraman Pasha, në za për trimni, u emënue ma mbrapa rojtar (komandant garnizoni) në Kamenicë, mbas dy vjetësh vali në Budin, kryeqendër e Hungarisë, vali në Halep, tue pasë dhe gradën e serdarit të Hungarisë, në vitin 1097 h (1685) për së dytit herë vali i Budinit ku edhe u vra në vitin 1098 h (1686).
Sulejman Pasha: Qe emënue bej i vilajetit, e mandej rend mbas rendi mytesarif në Shkodër, në Ersekë, në Delvinë dhe në Elbasan. Kudo u tregue besnik dhe i zellshëm, deri sa, në vitin 1107 h (1695) u emënue vali i Rumelisë me gradë vezirnije, mandej komandant garnizoni në Tamishvar e në Nish. I qitun në pension nga mosha e kalueme, vdiq mbas dy vjetësh.
Adem Pasha: U emënue Sevendatë-Bashbogu (komandant i rojës së shtigjevet-J.T.), në vitin 1106 h (1694) mytesarif në Ohër, në vitin 1107 (1695) në Elbasan e në 1112 h (1700) në Delvinë.
Ejup Pasha: E para nënpunsi e tij Ket’huda pranë Koxha Halil Pashës, mbrapa me ndërmjetësi të zotënisë (të padronit) të tij u emënue Kapëxhë-Bash. Mandej Mirmiranë, serasqer në More me gradë vezirnije e vali në Selanik. Mbas dy vjetësh vali në Anadoll e prej këtu në Konjë. Vdiq në vitin 1113 h (1701-1702) tue qenë në këtë vend. Qe trim e i zoti në punë.
Bektash Mehmed Pasha: Si hyri në shërbim të shtetit, u fut në rradhë të ylemavet, dhe u dallue sidomos në shërbimet që bani n’anë të Bosnjes. Përherë u ndodh ndër kufij dhe mori pjesë personalisht ndër të ndeshuna (luftime) që vazhdojshin pa pushim dhe gjithmonë, me pjesmarrjen e tij luftimet përfundojshin me fitim për osmanllijtë. Kudo i kishte sigurue vehtes nderim, kështu që, ma në fund, Stambolli dëshroi t’a gradonte dhe prandaj u thirr në kryeqytet dhe u emënue rojtar (komandant garnizoni) në Jallovë ku ndei disa vjet e mandej u gradue vali në Janinë në vitin 1108 h (1696). Mbas një viti mori pjesë në lufte të Sitnes ku edhe u vra në vitin 1109 h (1697). Qe trim e njëkohësisht dashamirës i shtetit.
Bejli Hysejn Pasha: Hyni në pallat perandorak dhe direkt në shërbim të sulltanit. Pak më vonë u emënue Kahvexhi-bash, por dëshira e tij qe me i shërbye mbretnisë ndër fusha lufte. Kështu gjeti rastin me i marrë pëlqimin sulltanit, i cili e emënoi aga (komandant) i kavalerisë në vitin 1090 h (1679). Mbrapa, në vitin 1098 h (1686) Bejlerbej i Tarabullus Shamit, në vitin 1100 h (1688) mytesarrif në Qengri, në vitin 1102 h (1690) Bejlerbej i Shehrizarit. Vdiq në vitin 1106 h (1694). Qe shum zemrak, prandaj kur e deshti nevoja me punue me egërsi ia doli qëllimit e humbi aty ku duhej butësi e xhentilesë. Ky karakter i tij rridhte nga injoranca që kishte.
Kapllan Mehmed Pasha: I njohun për trimninë e tij të jashtëzakonshme, të cilën e provoi ma në fund tue dhanë jetën, Kapllan Mehmed Pasha qe i klasës së pasanikëvet e të fisnikëvet që thirreshin “ajanë” (notabël). Ishte një sistem që kishte provue shteti osman me marrë në shërbim persona të tillë, të cilëve iu ishte provue besniknija. Ky sistem i solli të mira dhe të liga perandorisë, sepse shpesh njerzit e arrijtun me pasë influencë nga përkrahja që kishin e përdorën këtë influencë në dobi të tyne e në dam të perandorisë. Por Kapllan Mehmed Pasha qe ndër ato që i përkitëshin kategorisë së parë, kështu i bani perandorisë shërbime të mëdha. Qe muhafëz (rojtar) në Vlonë dhe Mirmiranë dhe ma në fund u vra në luftë të Seutenës (?) në vitin 1109 h (1697).
Xhafer Pasha: Pinjoll i një familje të njohun e fisnike mori pjesë si vullnetar ndër shumë lufta kur erdhi në moshë me kapë pushkën. Kudo u dallue për trimninë e tij, e cila i siguroi një famë sa që si shpërblim iu dha mutesarriflliku i Vlonës me gradën Mirmiranë. Si në luftë u tregue i zoti dhe n’administratë, kështu u emënue me gradën Bejlerbej i Rumelisë në vitin 1102 h (1690). Mbas një viti u dërgue në sanxhak të Qastendilit, ku qëndroi pesë vjet e mandej iu dha valilleku i Rumelisë në vitin 1108 h (1696). Në vitin 1109 h (1697) u vra në luftë.
El’Haxhi Ali Pasha: Ndër dinjitarët më në za. Për zellë e trimni të tregueme, si pat hye në radhë të dinjitarëvet qe emënue mytesarrif i Hersekës. Në vitin 1105 h (1693) ra rob në luftë, por mandej i liruem në vitin 1114 h (1702) u emërue mytesarrif në Karasi, mandej në Qastendil, mbrapa vali në Nigebollu (Nikopolis) e ma në fund rojtar n’Ajne Bahti (Sepanti) në vitin 1123 h (1711) del në pension dhe pa kalue shumë kohë vdes në Midili (Mitelenë).
Osman Pasha: Ardhun në moshë të re në Stamboll u fut n’Oxhak të Jeniçerëvet, dhe dalëkadalë tue iu çmue zelli e besnikërija iu dha grada e Zagarxhi-bashit, mandej në vitin 1114 h (1702) Kull’Ket`huda e pa kalue një vjet aga i jeniçerëvet mbrapa, tue iu njoftë zotësia e urtësia iu dha grada e vezirnisë. U emënue vali në Sham, tue pasë në ngarkim dhe imaretin e Haxh’xhit. U pushue prej këtu dhe qëndroi në pushim në Tarabullus Sham 7-8 vjet, mandej u emënue vali i Anadollit. Mbas një vjet shërbim u pushue prej këtu e, tue qenë në moshë të kalueme, u nxorr në pension me dëshirë të tij. Banoi në Bursa ku dhe vdiq. Ishte i zoti ndër punë shtetrore, puntorë dhe besnik. Dy herë që u pushue, nuk erdhi në kryeqytet, por preferoi me banue në provincë, pse e shihte se në Stamboll jeta e tij ishte në rrezik, nga shkaku se nuk u vinte veshin urdhnavet të Stambollës që iu dukshin pa vend.
Ibrahim Pasha: I përkrahun prej patriotit të tij Dalltaban Mustafa Pashës që qe kryeministër, arriti m’u ba Ket’huda i tij. Një kohë ra në disgrace bashkë me patronin e tij, por tue u reabilitue ma vonë, u ba Silahdar aga e në pak kohë aga i Spahivet. Mbrapa Bejlerbej i Selanikut e mandej i Sajdas në vitin 1119 h (1707). Në vitin 1122 h (1710) u pushue, e mbas pesë vjetëvet që ndej i pushuem, në vitin 1127 h (1715) u emënue vali në Shehri’Zor, ku dhe vdiq. Megjithse jo aq i zoti në punë shtetnore, prap iu doli me sukses shumë punëvet që ia mori mendja se i kryente.
Ebu Beqir Pasha (Deli- i marri-J.T.): I ardhun në moshë të re në Stamboll, hyni n’Oxhak të Jeniçerëvet dhe shkallë shkallë, por me kadalë u ba Kull’Ket’huda. Mbas një kohe që u pushue, u muer prap në shërbim dhe u emënue Sekban-bash në vitin 1123 h (1711), e mbas dy vjetësh aga i Jeniçerëvet. Tue qenë fort idhnak punonte në krye të vet e kjo natyrë e tij i shkaktoi që të mos mbahej në detyrë si aga, dhe në krye të katër muajvet u dërgue në Qastendil si Mirmiranë e mbas një viti në sanxhak të Qelisit e mbrapa në Billiqe, ku dhe vdiq i vram në vitin 1127 h (1715). Për trim e guximtarë se kish shokun; por tue qenë i rreptë në punë shtetnore, filluen bota t’a quejnë me mbiemnin “i çmendun”.
Hasan Pasha: Është djali i Mustafa bej Matjanit. Tue pasë banue qysh i vogël n`Ejub (asht një lagje në Stamboll-J.T.), u thir Ejubli. Në fillim, nën hije të Kara Mustafa Pashës nga i cili përkrahej arrijti t’emënohet aga i Enderunit, prej ku u fut në Saraj si Çakëxhi-bash i Miri-alem tue u qitë në pensjon në vitin 1105 h (1693). Në hypjen në fron të sulltan Mustafajt II u emënue Ket’huda i Kapëxhivet me gradë “Rumeli pajesi”. Në vitin 1109 h (1697) vali në Bosnje e mbrapa në Baba Dag. Mandej në vitin 1110 h (1698) muhafiz n’Edrene, prej këtu vali në Halep, mbas një viti në Reka, në vitin 1113 h (1701) serasqer në Bagdat, mbas një kohe të Dijarbakër, në Shehrizor, në Bagdat vali, ma vonë në Kastamonu dhe prap në vitin 1116 h (1704) vali në Bagdat. Kjo nëpunësi në të cilën qëndroi njëzet vjetë i siguroi Hasan Pashës një emën e një famë të përjetshme; sepse tue shtrue në një anë beduinët, n’anë tjetër u muer me rivendosjen e qetësisë dhe për hirë të kësaj qetësie e shpjen vendin prej lumtënije në lumtuni. Sidomos pushtimi i Qermanshkakut ia dyfishoi famën. Vdiq në Bagdat në vitin 1136 h (1723), tue ba me qa të madh e të vogël përpara kësaj tragjedie. La shumë vepra bamirsie.
Rexhep Pasha: Ardhë i ri në Stamboll, u fut në saraj perandorak dhe i zgjuet për natyrë, përparoi deri sa arrijti m’u ba Ket’huda i visarit perandorak. Por sa i siguroi vehtes në këtë mënyrë një pozitë të naltë në mes të personaliteteve t’Endurunit (të Sarajit), dëshroi të ketë një shërbim ndër provincë, dëshirë e cila iu muer parasysh, tue u emënue vali i Dijarbakërit me rangun e vezirnisë në vitin 1119 h (1707). Si ndej këtu tri vjet, në vitin 1122 h (1710) u ba vali i Vanit, në vitin 1123 h (1711) i Sivasit e në 1124 h (1712) i Trabzonit. Një mend u transferue shpesh nga një vend në një tjetër, por këto transferime nuk ngjajtën për ndonjë ankim që bahej kundra tij, por për kundra sepse qeveria shihte nevojën m’e çue aty ku randësia e punës paraqitej ma imperative. Krushqia që bani me sulltanin asht prova e çmimit të meritavet të tij të ndrituna. Por dhe mbas kësaj krushqie, ai prap u shpue nga një vend në tjetrin, deri sa në vitin vitin 1128 h (1715) vdiq në Sivas ku kishte nëpunsinë ma të mbrame si vali. Rexhep Pasha qe një personalitet bujar, drejtonjës, i matun e trim e sidomos, gja që në kohë të tij shihej rrallë, mprojtës i rajes (raje ka dy kuptime, edhe i krishtenë dhe shtetas-J.T.). Sa qe gjallë emni e fama e tij u përhapën n’Anadollë, bile në të tanë perandorinë sa që kushdo u përul përpara kësaj figure të nderueme.
Kurd Mehmed Pasha: Si fitoi famë në vend të vet (Shqipni-J.T.) si serqerde (ka dy kuptime: shef i një bande dhe komandant trupash të parregullta-J.T.) u bashkue si vullnetar me ushtrinë perandorake në ekspeditën kundra Austrisë e Gjermanisë dhe u gjykue tue pasë korrë gjithëkohë suksese sikurse do të shërbente në këtë luftë e ashtu dhe mbrapa, iu dha nga qeveria grada e Mirmiranllëkut, bashkë me arpallëkun e sanxhakut të Bouzokut. Mbrapa iu dha sanxhaku i Manisës në vitin 1115 h (1703) e mbas katër vjetëvet që qëndroi në këtë vend, për suksese që korri edhe ndër punët t’administratës ashtu si në luftë, u emënue në sanxhak të Akshehirit i ngarkuem edhe me dalë në luftë 1123 h (1711). Në vitin 1127 h (1715) muhafis i Shkodrës dhe i Ulqinit. Në këtë funksion të fundit u emënue për ma tepër dhe Bash-Bug (titull komandam-J.T.). Tue pasë fitue në këtë kohë një luftë kundra Venedikut. Sulltani çfaqi në një anë kënaqsinë e tij të jashtëzakonshme ndaj tij dhe n’anë tjetër e dërgoi në luftë që u hap kundra Iranit. Dhe këtu si gjetiu, i siguroi vehtes suksese dhe ma në fund, në vitin 1138 h (1725), u emënue mytesarif i Dukagjinit. U dallue si me trimni ashtu dhe me zell e besnikri.
Ahmed Pasha (Dervishi): Është agë e parësi e Shqipnisë dhe tue pasë shërbye e tue pasë tregue zellë ndër lufta të ndryshme, si shpërblim iu dha grada e mirmiranit dhe u emënue në vitin 1157 h (1744) mytesarrif i Prizrenit e mbas një vjeti i Dukagjinit. Vdiq në këtë vend.
Ahmed Pasha: I biri i Sadik agës, ajanë i Kosturit të sanxhakut të Korçës. Në moshë të re, në vitin 1114 h (1702) erdhi në Stamboll ku studioi me ndërmjetësinë e Hasan agës, nga akrabat e tij. Hasan agaj, në vitin 1126 h (1714) shkoi në Hixhaz (Meke) si Surre-Emiri (asht person që dërgohej në çdo vjet prej sulltanit me dhurata në Meke, për ata që shërbejshin në varrin e profetit-J.T.) dhe më këtë mision e shoqëroi edhe Ahmed Pasha. Hasan aga vdiq në Meke e Ahmed Pasha i dëshpruem u kthye në Stamboll (në këtë kohe ky qe i ri e titullin Pashë e mori vonë-J.T.); e me ndërmjetësi të një miku u emënue nëpunës finance në Sakëz. Në vitin 1143 h (1730) me këtë cilësi u transferue në More e në vitin 1144 h (1731), kryetarë i bashkisë së Stambollit, mandej Mutbah-Emini (shef i kuzhinavet-J.T.) e Shiir-Emin (shef i drithnavet-J.T.). Në vitin 1148 h (1735) u ba Ruznamexhi (nëpunës që mbante shënim hyrjet dhe daljet e financës-J.T.), mbas një kohe që u largue prej këndej, prap u suell në këtë post në vitin 1154 h (1741). Mbas tri vjetëvet u emënue Defterdar (financier-J.T.) i ushtrisë së Korsit. Në vitin 1159 h (1746) prap Ruznamexhi. Po në këtë vit me gradë vezirnije u emënue vali në Sivas dhe u dërgue edhe në Iran, me funksion të shtuem, si ambasador. Në të kthyem prej këndej, në vitin 1161 h (1748), u ba vali në Bagdat e mbas një pushimi të shkurtër vali në Marash. Vdiq këtu në vitin 1162 h (1749). Qe njeri i urtë dhe bamirës, cilësi kjo që e provoi me ndërtim çezmesh, etj.
[1]. Mbi jetën dhe veprimtarinë e Syrja bej Vlorës nuk po zgjatemi për arsye se autorë si Hasan Kaleshi, Eqrem bej Vlora dhe sidomos botuesi i kujtimeve të Syrja bej Vlorës “Shqipëria pasosmane 1912-1920” nga osmanishtja në gjuhën turke Prof. Abdülhamit Kırmızı, në parathënien e këtyre kujtimeve, ka shpalosur një punim serioz ku veprimtaria e këtij personaliteti përshkruhet në mënyrë të detajuar. Shih: Avlonyalı Süreyya Bey, Osmanlı Sonrası Arnavutluk, Istanbul: Klasik Yayınları, 2009.
[2]. AQSH, F: S.Vlora, D. 9.
[3]. Po aty.
[4]. Ilber Ortaylı, Imparatorluğun En Uzun Yüzyılı, Istanbul: “Timaş”, 2008, s. 67.
[5]. Gülnihal Bozkurt, Gayrimüslim Osmanlı Vatandaşların Hukuki Durumu (1839-1914), Ankara: “Türk Tarih Kurumu Basımevi”, 1989, s. 153-169.
[6]. Sinan Kuneralt, Bir Osmanlı Diplomatı – Kostaki Musurus Paşa, Belleten, nr. 3, Ankara: 1970, s. 429; Adnan Şişman, Tanzimat Döneminde Fransa’ya Gönderilen Osmanlı Öğrencileri (1839-1876), Ankara: “Türk Tarih Kurumu Basımevi”, 2004, s. 54; Cengiz Orhonlu, Osmanlı Devletinde Tercümanlık, Ankara, “Türk Tarih Kurumu Basımevi”, 1975, s. 5-6.
[7]. Güldem Sarıyıldız, Sicill-i Ahval Komisyonunun Kuruluşu ve Işlevi (1879-1909), Istanbul: 2004, s. 23-24.
[8]. Başbakanlık Osmanlı Arşivi Rehberi, İstanbul: “T.C. Başbakanlık Devlet Arşivleri Genel Müdürlüğü Osmanlı Arşivi Daire Başkanlığı”, 2000, s. 240.
[9]. Talip Mert, Sicill-i Ahval Defterleri ve Buna Dair Yayımlanan Nizamnameler, Arşiv Araştırmaları Dergisi, nr. 2, İstanbul: 2000, s. 97.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...