Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Mar 30, 2018 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Petk’ i Trupit, Petk’ i Shpirtit
Fatos Kopliku M.S., Washington D.C., SHBA
Është e vështirë të imagjinohen njerëz e engjëj të veshur me kostum me kollare apo me xhins në parajsë; ka diçka që nuk shkon, që nuk puqet mes rrobave të tilla e parajsës. Nga ana tjetër duket krejt e natyrshme kur në parajsë ata paraqiten me veshje tradicionale, pavarësisht nga qytetërimi apo raca. Në miniaturat perse, indiane, e osmane, që ilustrojnë rrugëtimin e Natës së Mir’axhit të Profetit Muhamed, profetët e hershëm e engjëjt që ai takon paraqiten me petka tradicionale, doemos plot larmi falë gjenisë së artistëve e origjinës së tyre etnike, por krejt natyrshëm e pa asnjë stonim me sferat çelestiale ku ndodhen. Gravurat e mozaikët bizantinë, gjithashtu, ilustrojnë me mjeshtëri çaste nga jeta e Krishtit, Virgjëreshës, apo profetëve të Dhiatës së Vjetër, qoftë në tokë qoftë në parajsë, e nëse u kushtojmë vëmendje petkave, ato prapë janë në harmoni të plotë me temën e sfondin. Me përjashtimin e veshjes moderne, mund të sillen shembuj të ngjashëm të përputhjes së veshjeve tradicionale me parajsën, profetët, e shenjtorët edhe nga Hinduizmi e Budizmi, apo edhe në religjione që nuk janë më operative, si ato të qytetërimeve të lashtësisë, Egjiptit, Mesopotamisë, apo Persisë. Në këtë shkrim argumentojmë se arsyet e kësaj harmonie lidhen ngushtë me rolin e njeriut, si e sheh ai veten, e si rrjedhojë, si vishet në përputhje me atë rol.
2. E vërteta shkencore mbi “të vërtetën” islamofobe
Prof. dr. Fadil Maloku, Universiteti i Prishtinës, Kosovë
Mosnjohja apo mosdija e religjioneve për njëri-tjetrin s’është përparësi, por, pengesë që ka prodhuar, po prodhon dhe do të prodhojë pasoja negative në njerëz dhe të mira materiale, si edhe një frustrim deri në nivel kontinental e global. Kjo, tanimë prodhon padyshim edhe fenomenin tjetër aktual, e me përmasa globale, të shquar dhe të identifikuar si terrorizëm. “Terrorizmi; nuk ka as komb, as shtet, as … e as fe…! Bota në të cilën po jetojmë ne shquhet si botë e rrezikshmërisë (Risikogesellschaft) së shkallës së lartë!” (Ulrich Beck, Risk Society).
3. Ilo Mitko Qafëzezi dhe përkthimi i parë i pjesshëm i Kur’anit në gjuhën shqipe
Azmir Jusufi (PHDc), Prizren, Kosovë
Kur’ani është bazë themelore e fesë, kulturës e qytetërimit islam dhe, si i tillë, është faktor themelor që bashkon Botën Islame në të gjitha fushat e jetës, andaj nuk është e rastësishme pse popuj të ndryshëm interesoheshin ta përkthenin në gjuhët e tyre.
Kur’ani deri më tani është përkthyer në mbi 100 gjuhë të ndryshme dhe krahas Biblës, Kur’ani është libri më i përkthyer në botë.
Ndërkohë që te popujt e tjerë të Evropës Kur’ani ishte përkthyer nga të krishterët, shumica e të cilëve ishin orientalistë specialistë për gjuhën e kulturën orientale në përgjithësi e atë arabe në veçanti, dhe përkthimit të Kur’anit i ishin qasur për çështje misionare dhe qëllime anti islame, Ilo Mitko Qafëzezi përkthimit të Kur’anit i hyri që t’ua ofronte atë vëllezërve të tij të gjakut, të cilët i përkisnin fesë islame.
4. Rëndësia e edukimit fetar
Dr. Adil Kutlu
Departamenti i Shkencave Islame
Universiteti Bedër
Arsimi është një organizim i themeluar nga njerëzit me qëllim që t’u përgjigjet nevojave të së sotshmes e të ardhmes dhe i formuar të plotësojë zhvillimin e shoqërisë përkrah vazhdimësisë së saj. Kështu edhe feja, zotëron një hapësirë kulture dhe njohurie që ndikon ç’do njeri, pavarësisht nëse beson ose jo. Feja dhe arsimi, të cilët bashkohen në pikën e edukimit të njeriut dhe formimit të tij në përputhje me objektiva të veçanta, kanë shumë anë të njëjta dhe është e pamundur të mendohet edukimi fetar jashtë edukimit të përgjithshëm. Në fakt, edhe diskutimet e ditëve të sotme nuk janë rreth çështjes a duhet të jetë edukimi fetar pjesë e edukimit të përgjithshëm apo jo, por përqendrohen në “sa”-në dhe “si”-në e kësaj pjesëmarrjeje.
Parashtrimi i kësaj çështjeje duke e trajtuar subjektin në dimensione të ndryshme si nevoja për këtë hapësirë, rëndësia, tema dhe qëllimi i saj, do të jetë i dobishëm në lidhje me edukimin fetar.
5. Rëndësia e dialogut ndërfetar në marrëdhëniet ndëretnike të shoqërisë së Maqedonisë
Msc. Sadije Gafuri
Tetovë, Maqedoni
Nё ditët e sotme po përballemi me probleme që kёrcёnojnё ekuilibrin e shoqёrisё. Sot shumë çështje siç ёshtё shkenca, tregtia dhe njeriu, nё pёrgjithёsi, janë kthyer nё çështje globale. Pёr kёtё arsye edhe dialogu ёshtё bёrё i domosdoshëm.
Mirëpo njё nga arsyet e kësaj situate rrjedhin nga fakti se njerëzit nuk janë mjaftueshёm tё vetёdijshёm pёr vlerat e tyre, sidomos ato fetare, ku sipas njё fjale tё urtë njeriu ёshtё armik i asaj që nuk e di. Veçanërisht, ne kemi neglizhuar disa nga vlerat jetësore siç janë: toleranca, mirëkuptimi i ndёrsjellё, marrëdhëniet bashkëpunuese, dialogu ndёrfetar dhe ndërkulturor, tё cilat kanë njё rol jetësor nё arritjen e njё bashkëjetese afatgjate nё shoqëri.
Ky punim ёshtё përgatitur pёr tё informuar më gjerë myslimanët nё pёrgjithёsi, nxёnёsit e Medreseve dhe studentët e Departamentit tё Shkencave Islame gjithashtu edhe pjesëtarët e Bashkёsisё Fetare Islame tё Maqedonisë. Përveç kësaj çdokush që ka interes për informacion rreth kësaj teme mund të përfitojë nga ky punim.
Nё pjesën e parë tё këtij studimi do tё analizohet konteksti konceptual i dialogut. Do tё shpjegojmë se çfarë ёshtё dialogu ndёrfetar dhe cilat janë disa nga spekulimet që janë bёrё mbi tё. Ndërsa nё pjesën e dytë do tё flitet më tepër pёr dialogun dhe bashkёjetesёn nё Maqedoni dhe se si lindi harmonia ndërfetare në shoqërinë maqedonase.
Sё fundmi, do tё përpiqemi tё sjellim nё vëmendje faktin se bashkëjetesa fetare ёshtё njё vlerë jo vetëm e shqiptarëve tё Maqedonisë por përkundrazi ёshtё njё karakteristikë e shoqёrisё nё pёrgjithёsi, duke pёrfshirё edhe ata tё diasporës, më konkretisht e shohim edhe duke e ilustruar me përfundimet e njё ankete me afro tre qind e pesёdhjetё pjesëmarrës.
6. Pikëpamjet filozofike të Vexhi Demirajt (Filozofia e fesë dhe Filozofia Islame)
Msc. Ana Gjeci, Zvicër
Tema e kërkimit synon të zbulojë ndihmesën e studiuesit të teologjisë dhe filozofisë Vexhi Demiraj, duke hulumtuar jetën, veprën dhe pikëpamjet e tij filozofike. Duke qenë se ky autor ka shkruar gjerësisht rreth filozofisë, punimi synon thellimin më shumë në pikëpamjet e tij rreth filozofisë së fesë dhe asaj islame në veçanti, duke qenë se këto dy filozofi nuk janë parë shumë të lidhura në Shqipëri.
7. Në kuadrin e dy përvjetorëve
160 vjetori i lindjes dhe 100 vjetori i ndërrimit jetë (1847—1917)
Hoxhë Voka i Tetovës, teolog, mësues, pedagog, mendimtar dhe atdhetar i shquar shqiptar
(Prof. Dr. Musa Kraja)
Ne përmendim hoxhallarë të hershëm, shehlerë, priftërinj, jezuit, fretër katolikë apo priftërinj të tjerë ortodoks, që kanë bërë emër, i kanë bërë nder popullit e vendeve të tyre, pa u zgjatur në emra, se janë nga më të njohurit në fushën tonë të edukimit, ku përfshihet edhe filozofia dhe shkencat e tjera, që u shkëputën prej saj në etapa të caktuara të zhvillimit të tyre.
Në interpretime të arsimit shqip Islam, ka pasur mendime të ndryshme, të krijuara në vende e zona të hapësirës shqiptare, ku nuk mungonin edhe qëndrime antishkencore, sepse disa plejada bijsh teologë të Shqipërisë dhe hapësirës shqiptare, që kanë shërbyer në vise të ndryshme të vendit e përtej, ndonëse kanë punuar me përkushtim të madh shpirtëror, si rrjedhojë e ndjenjave të fuqishme atdhetare dhe të besimit fetar, ju është mohuar kjo sakrificë dhe kjo ndihmesë e madhe atdhetare. Mohimi është bërë duke mbajtur qëndrime të heshtura, në shumicën e rasteve, sikur ata s’kanë jetuar e nuk kanë punuar gjë për Kombin, ose, duke i radhitur në kontingjentet e huaja joshqiptare, ndërsa në Shqipëri, edhe më egër, antishqiptare.
8. 95 vjet nga Kongresi I-rë Mysliman Shqiptar (24 shkurt-12 mars 1923)
(Ali M. Basha)
Kongresi i Parë i Myslimanëve përfaqëson një ngjarje shumë të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare, shoqërore të Shqipërisë, por dhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tonë. E, megjithatë, Kongresi ka qenë lënë në harresë. Mosvlerësimi shpjegohet vetëm me qëndrimin e njohur të shtetit monist ndaj besimeve fetare dhe organizmave të tyre.
Paragjykimet ndaj bashkësisë islame shqiptare, të konsideruar tejet të prapambetur, dhe, madje, dhe ndaj vetë besimit islam, të konsideruar thjesht si trashëgimi e sundimit disashekullor osman, kanë penguar vlerësimin e rëndësisë historike të Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923. Ato nuk kanë mundësuar që t’u kushtohet vëmendja e duhur dokumenteve të miratuara prej tij, të njohura deri më tani. Edhe një shikim i shpejtë i tyre, lejon të vërehet karakteri thellësisht kombëtar dhe përparimtar i vendimeve të marra në këtë tubim.
Kongresi i Parë Musliman Shqiptar përfaqëson organizimin fetar mbi baza kombëtare të shumicës mbizotëruese të popullsisë shqiptare. Vlen të theksohet dhe të kihet mirë parasysh se një organizim i këtij lloji është i pari në të gjithë botën islame. Për shkak të ngjarjeve që e pasuan, konkretisht, pas fitores së Revolucionit Kombëtar Turk, ai përfaqëson, gjithashtu, dhe një rast unik në të gjithë historinë e Islamit në kohët moderne.
9. Parathanë e qellim – Hytbeja e parë
Drejtimi – nga H. Vehbi Dibra, Myfti i Përgjithshëm
Xhemaati-Islamije’ja qi qe formuem pêr të parën herë në vendin t’onë, po nisë ç’më kët muej botimin e të së Përkohëshmes së vet, botim, të cilin i a pat vuem vehtes me barrë qysh me çpallje të Statutit.
Na të Përkohshmes, pra, do t’a kemi për qëllim me u munduem me i a ndalun hovin këtij shkatrrimi e kësaj dekadance qi shihet n’elementin Mysliman shqiptar, tue i dhanun këtîj shkas për herë ma të kërthnesët kah përparimi e qytetnimi kohotár.
Gjithësejcili mysliman, nuk kemi dyshim, ka per të na përkrahë me mjete landore e morale, në kët udhë të vështirë qi po fillojmë me ndjekun. Gjithsejcili Xhemaat shpresojmë se ka për t’u gëzue për kët hap t’onin qi po hjedhim e kështu ka për të na e dhanë dorën me i dalun në krye kësaj udhe, qi ka per qellim me e naltsue myslimanizmin në atë kulm lumnije, qi pat qenun dikúr, për të cilen madhshtore na flet historija…
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...