Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 30, 2017 Zani i Nalte Histori 0
nga Nuredin Nazarko
Abstrakt
Pavarësia e Shqipërisë e ardhur si rezultat i kombinacioneve të rrethanave historike, u solli shqiptarëve në jetë një shtet të gjymtuar, pa kohezionin gjeografik e demografik, aq të nevojshëm për të vendosur bazat e një të ardhmeje për zhvillim të qëndrueshëm të trojeve shqiptare. Shqiptarët fituan një shtet të cunguar, por humbën pjesë të konsiderueshme të territoreve të tyre, humbje e cila nuk ishte vetëm e natyrës politike, por edhe demografike e ekonomike. Secila pjesë e territorit shqiptar mori rrugë të ndryshme zhvillimi, sipas shteteve ku gjendej. Kohezioni i tregut të brendshëm u thye dhe pasuritë nën dhe mbitokësore të territoreve shqiptare, që u copëtuan, do të shfrytëzoheshin tashmë nga shtetet që këto territore iu përkisnin, pas 1913. Shqiptarët me fitimin e pavarësisë provuan, edhe pse dhimbshëm, “dashurinë” e kombeve të qytetëruara ndaj tyre, edhe pse me të madhe ishte shpresuar se Evropa e qytetëruar do të dinte të vendoste pikat mbi i, në rastin e tyre.
Më 28 nëntor 2017 u mbushën plot 105 vjet, nga deklarimi i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo datë konsiderohet kurorëzim i përpjekjeve të vazhdueshme të atdhetarëve shqiptarë për formimin e shtetit të pavarur shqiptar, si dhe një moment kthese i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Padyshim që, akti i shpalljes së pavarësisë, mbetet një akt i rëndësishëm, si pikënisje e një shteti të ri në Ballkan, shtetit shqiptar, por ky akt u krye në kushte tejet të rënduara dhe të pafavorshme për shtetin e ri, që po kristalizohej si formacion i mëvetëm politik.
Shqiptarëve, përgjatë historisë së tyre, u është dashur që të përballen me shumë pushtues të huaj, ballkanikë apo jashtë-ballkanikë. Në këtë përballje nuk patën arritur ndonjëherë që zë krijonin formacionin e tyre shtetëror të pavarur, por, në shekullin e formimit të komb-shteteve në Evropë, as shqiptarët nuk mbetën prapa, si të pavetëdijshëm për përkatësinë e tyre kombëtare. Popullsitë e tjera ballkanike si grekët, serbët, bullgarët, rumunët iu kishin hyrë më herët se shqiptarët, lëvizjeve për pavarësim nga Perandoria Osmane, gjë që do të çonte në ndryshime të reja në Ballkan, jo vetëm në ndryshimin e kufijve të këtij rajoni, por edhe në shpërfaqjen e urrejtjes gjenetike ndaj popullatës shqiptare, që do të kulmonte me makabritete nga më të padëgjuarat ndaj këtij populli.
Shqiptarët e të katër vilajeteve (Shkodrës, Kosovës, Manastirit, Janinës), edhe pse nuk ecën në gjurmët e shteteve të tjera ballkanike, nuk është se ishin të pavetëdijshëm për identitetin e tyre kombëtar, kulturor e fetar edhe pse shpesh perceptoheshin si banorë të një vendi të egër e të prapambetur. Zgjimi i nacionalizmave në Ballkan me prapavija të qarta shoviniste dhe ekstremiste, i vendosi shqiptarët dhe trojet e tyre historike, në një rrezik të madh, rrezikun e copëtimit ndërmjet Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Ky rrezik u bë evident që me traktatin e Shën-Stefanit, 3 mars 1878 si dhe Kongresin e Berlinit, 13 qershor 1878, i mbledhur për të rishqyrtuar vendimet e Shën-Stefanit, por jo për t’i zhbërë ato. Tashmë, për atdhetarët shqiptarë, ishte e qartë se synimet aneksioniste të fqinjëve shovinistë, kishin fituar përkrahje edhe në qarqet ndërkombëtare si rezultat i mbështetjes së pakufishme që Rusia ofronte ndaj interesave të tyre dhe interesit të saj për një sferë të gjerë influence në Ballkan, përballë Austro-Hungarisë. Ata e kuptuan se, me dobësimin e vazhdueshëm të Perandorisë Osmane, shovinistët ballkanas nuk do të ndaleshin asnjëherë për realizimin e aspiratave të tyre të mbrapshta. Të gjendur mes një perandorie në dobësim të vazhdueshëm, gjithnjë e më të ndërvarur nga ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha në punët e saj të brendshme dhe shpërthimit të nacional-shovinizmave ballkanikë, atdhetarët shqiptarë vlerësuan se të qëndruarit nën hijen e perandorisë ishte zgjidhja më e mençur diplomatike e kohës dhe u siguronte atyre mbrojtjen e nevojshme, nga rreziku i copëtimit, por kjo nuk do të thoshte shpëtim i përhershëm nga ky rrezik. Mbrojtjen që iu sigurohej nga të qëndruarit nën hijen e perandorisë, u përpoqën ta shfrytëzonin për forcimin e vilajeteve shqiptare dhe bashkimin e tyre në një njësi të vetme autonome.
Kërkesa për ruajtjen e integritetit territorial të trojeve shqiptare, del në pah që në momentin kur traktati i Shën-Stefanit, copëtoi trojet historike të shqiptarëve. Bashkë me kërkesën për ruajtjen e integritetit territorial të trojeve shqiptare që në maj 1878 nga Prizreni i kërkohet sulltanit që të garantojë bashkimin e trojeve shqiptare në një provincë të vetme, e pashkëputur nga perandoria.
…Armiqtë tanë përpiqen kush e kush më shumë të shpifin kundër nesh, me qëllim që të bindin madhërinë tuaj se ne kemi ndër mend të shkëputemi nga perandoria juaj. Po ne nuk dëshirojmë gjë tjetër veç përparimin, zhvillimin dhe lulëzimin e Shqipërisë dhe besojmë se këto përfundime nuk mund të arrihen veçse në kushte të caktuara, domethënë vetëm me anë të respektimit të tërësisë së të gjithë territorit tonë, me formimin e të gjithë Shqipërisë si një provincë e vetme, nën drejtimin e një guvernatori të përgjithshëm të emëruar nga Porta e Lartë, dhe, më në fund, me zbatimin e reformave serioze dhe të përshtatshme me nevojat e qytetërimit dhe me traditat kombëtare.
Ky është mendimi i të gjithë shqiptarëve, të cilët janë gati të bëjnë çfarëdo flijimi, mjafton që të përmirësojnë gjendjen e trishtuar të vendit të tyre…[1].
Kërkesa për autonomi administrative sa vjen e bëhet edhe më e fortë. Shqiptarët nuk reshtën së kërkuari autonomi edhe në momentet më të vështira për ekzistencën e kombit shqiptar. Dy ditë para fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, më 8 tetor 1912, autonomia mendohej si zgjidhje optimale edhe nga atdhetarët shqiptarë në SHBA.
New England, (SHBA) 6 tetor 1912
Rezolutë
“Në mbledhjen që mbajtën shqipëtarët kombëtarë të New-Englandit më 6 të vjeshtës së dytë, dyke marrë në sy që po të mundet Turqia shtetet e Ballkanit do ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre, u dha funt që:
Është detyrë e atdhetarëve shqipëtarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën otomane kundër armiqve të Mbretërisë”[2]
Po kështu në 12 nëntor 1912 nga Durrësi i dërgohet një memorandum perandorit të Austro –Hungarisë, Franz Jozefit II, për të siguruar përkrahjen e tij ndaj çështjes shqiptare. Ndër të tjera thuhej:
Madhni,
Shum të vështira e të rrezikshme janë këto dit për ne shqyptarët e për nanën ton Shqypninë, qi të katër shtetet e Ballkanve po rrahin me e përpi e me e coptue. Na, me sa fuqi kena, mundohena, edhe Perëndisë i lutemi qi Mbretnia jon të muisi (t’i mundë) këta anmiq e të na prui (të na mbrojë) prej sish. Por, për fat të keq, gjasat nuk po na duken fort të mira, e po shohim se shum vende të katër vilajeteve të Shqypnisë, Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë gjinden ndën kambë të hueja.
Për këtë shkak po marrim lejen m’u sjellë kah Madhnia jote, si Perandorit të nji Perandorisë së Madhe, qi asht ma e afërmja e jon e ka pjesë në Ballkan me Bosnie-Herzegovinë, e me ju lutun qi në çështjet të Ballkanve të merrte parasysh Shqypnin, në mënyrë që kufit e saj mos të bërkiten (të preken) e mos shtyhen prej kurkuj e qi Shqypnia kështu e pabërkome (e paprekur) e e pavoglueme të ketë nji autonomi të plotë ndën Mbretninë Otomane.[3]
Në kushtet kur shqiptarët ishin ende nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, fqinjëve ballkanikë nuk iu interesonte aspak një Shqipëri autonome, madje ata ishin të tronditur nga frika se mos autonomia fitohej.
Stavro Skëndi në librin e tij “Zgjimi kombëtar shqiptar”, citon një dokument të datës 5 gusht 1912 sipas të cilit “I dërguari bullgar pranë Portës, Sarafov, i tha Pallavicinit (ambasador i Austro-Hungarisë në Stamboll, N. N.) se lajmet rreth një bashkimi të mundshëm të katër vilajeteve shqiptare në një njësi administrative autonome qenë tronditëse. Një masë e këtillë tha ai, do t’i jepte elementit shqiptar një dominim absolut dhe do të rrezikonte interesat jetësorë të elementëve të tjerë bullgarë, serbë dhe grekë që banonin në ato vilajete.”[4]
Ky shqetësim ndër fqinjët ballkanikë kishte qenë i kahershëm, pasi një autonomi e pranuar nga autoritetet osmane do të thoshte paqe mes shqiptarëve dhe Portës së Lartë dhe kjo paqe ishte minim për synimet e tyre aneksioniste. Shtetet ballkanikë të interesuar drejtpërsëdrejti për copëtimin e trojeve historike të shqiptarëve, për të hequr vija demarkacioni midis tyre, punonin që shqiptarët vazhdimisht të ishin në konflikt të armatosur me Portën e Lartë, pasi, sipas tyre, ndezja e këtyre lloj konfliktesh ishte në interes të vetë ballkanikëve, duke çuar në dobësim të fuqisë luftarake, si të shqiptarëve ashtu dhe të osmanëve. Ky dobësim do të ishte aleati më i mirë në momentin kur do të vendosnin për të invaduar dhe ndarë tokat shqiptare, pasi shqiptarët do t’i kishin harxhuar fuqitë e tyre luftarake në luftë të padobishme kundër osmanëve. Për këtë qëllim serbët dhe malazezët vazhdimisht nxisnin kryengritje të shqiptarëve kundër osmanëve.
“Mbasi shtetet ballkanike kërkonin luftën kundër Turqisë dhe toka që lakmonin ata qe Shqipëria, kërkesat e përsëritura të shqiptarëve për autonomi i kishin tronditur thellësisht. Paqja midis Turqisë e Shqipërisë qe në dëm të tyre, në mënyrë të veçantë po të shoqërohej me njohjen e një Shqipërie etnike, si pasojë, ata nxisnin revoltat.”[5]
Në kushtet kur shqiptarët ende shpresonin për një autonomi brenda Perandorisë Osmane, veprimtaria antishqiptare e qarqeve ballkanike realizohej sipas parimit “përça e sundo”.
Sipas Misha Glenny në librin e tij “Histori e Ballkanit 1804-1999”, arma politike më e frytshme, që mund të përdornin shtetet e Ballkanit, ishte “përça e sundo”.
Edhe Serbia, edhe Mali i Zi i nxitën shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë Veriore të ngrinin krye kundër turqve në vigjilje të Luftërave Ballkanike, duke vënë kështu armiq aktualë e të ardhshëm kundër njëri-tjetrit. Kur Mali i Zi hyri në Shqipërinë Veriore, ushtritë e tij në fillim u përkrahën nga malësorët, fise katolikësh shqiptarë. Mbreti Nikolla i kishte bindur malësorët se të drejtat dhe traditat e tyre do të ishin më mirë të mbrojtura nën sqetullën e një sundimtari të krishterë, qoftë ortodoks ose sllav, sesa nën qeverisjen e shqiptarëve myslimanë. Nuk u desh të kalonte shumë kohë dhe malësorët e kuptuan se kishin kryer një gabim.[6]
Qëllimi i qarqeve ballkanike ishte mbajtja ndezur e konfliktit mes shqiptarëve dhe osmanëve, i cili u sfumua, kur më 8 tetor 1912 Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe kështu nisi Lufta e Parë Ballkanike. “Forcat osmane (përfshi dhe forca shqiptare, N. N.) u detyruan të luftonin në katër fronte të ndryshme: kundër bullgarëve në Thrakë; kundër bullgarëve, serbëve, e grekëve në Maqedoni (territoret shqiptare, N. N.), kundër serbëve e malazezëve në Shqipërinë veriore e në Kosovë; dhe kundër grekëve në Shqipërinë Jugore.”[7]
Qëllimi kryesor i kësaj lufte ishte pushtimi dhe copëtimi i trevave shqiptare, duke dëbuar njëherë e mirë Perandorinë Osmane nga Ballkani. Kjo luftë zgjati vetëm gjashtë javë dhe askujt nuk i kishte shkuar nëpër mend se Perandoria Osmane do të mundej kaq shpejt përballë aleatëve ballkanikë. Ushtritë ballkanike pushtuan territoret shqiptare. Humbja dhe tërheqja e trupave shqiptaro-osmane, pas luftimesh të ashpra, i la vendin masakrave dhe gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare.
Tashmë shqiptarët gjendeshin përpara një situate të rrezikshme, tejet kërcënuese për ekzistencën e kombit shqiptar, pasi aleati i saj i vetëm ushtarak ishte mundur dhe Fuqitë e Mëdha, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe të përsëritura të atdhetarëve shqiptarë për mbështetjen e çështjes shqiptare, me tepër ishin të interesuara për shmangien e konflikteve ndërmjet tyre, sesa për zgjidhje reale të kësaj çështjeje në respekt të drejtësisë ndaj shqiptarëve.
Frika e shqiptarëve, sipas fjalës së Ismail Qemalit thënë një figure të shquar të politikës hungareze në Paris, Bela de Rakovsizky, që në nëntor 1911, qëndronte në faktin se mos ndizej lufta në Ballkan, e cila do të shkaktonte ndarjen e Shqipërisë në mes të fqinjëve të saj.[8] Tashmë kjo frikë ishte shndërruar në realitet. Realizimit të kësaj frike i bashkëngjitej edhe pagatishmëria e Austro-Hungarisë, për të pranuar kërkesën e shqiptarëve artikuluar nga Ismail Qemali që në 28 tetor 1911, se në rast të prishjes së Turqisë në Ballkan, shqiptarët do të dëshironin një protektorat austro-hungarez, pasi Shqipëria nuk ishte ende e përgatitur në rast se Perandoria Osmane përmbysej.[9]
Pikërisht në këto kushte, aspak shpresëdhënëse për të ardhmen e territoreve shqiptare, u mor vendimi për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Sikundërse është e kuptueshme, jo se shqiptarët nuk e dëshironin pavarësinë dhe nuk kishin sakrifikuar për të, por të kërcënuar në ekzistencën e tyre nga nacional-shovinizmat dhe moskokëçarja e Fuqive të Mëdha për pranimin e realitetit shqiptar, ishin më të interesuar për të qëndruar nën mbrojtjen e një fuqie të madhe, pasi të vetëm nuk do të mund të ndalnin copëtimin e trojeve të tyre historike. Kur u bë e qartë se Perandoria Osmane humbi përfundimisht në Ballkan dhe protektorati i shpresuar dukej i pamundur, atdhetarët shqiptarë, të shtrënguar nga rrethanat, vendosën shpalljen e pavarësisë, si mundësia e pashfrytëzuar, me shpresën se fjala e tyre do të dëgjohej nga Fuqitë e Mëdha dhe Shqipëria do të shpëtonte nga copëtimi. Ndërkohë që shpallej pavarësia, territoret shqiptare ishin të pushtuara nga ushtritë ballkanike dhe pavarësia e shpallur nuk u njoh as nga vendet ballkanike dhe as nga Fuqitë e Mëdha, pavarësisht kërkesës së dërguar në drejtim të tyre. Mosnjohja e pavarësisë nga Fuqitë e Mëdha e vendoste shtetin e ri në një udhë pa krye, duke pritur me ankth se çfarë do të ndodhte me të. Pavarësisht situatës, I. Qemali formoi qeverinë të kryesuar prej tij dhe u përpoq, me aq sa i lejonte situata të përpiqej, pavarësisht dëshirës së tij, të vinte në jetë njohuritë e tij qeverisëse për të mirën e kombit shqiptar. Qeveria e tij veproi 14 muaj dhe nuk mundi ta shtrinte autoritetin e saj mbi katër vilajetet shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave vazhdonte të qëndronte e pushtuar nga ushtritë ballkanike. Për zgjidhjen e situatës së krijuar në Ballkan dhe që të mos shpërthente ndonjë konflikt në mes vetë Fuqive të Mëdha, më 17 dhjetor 1912 u thirr Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila diskutoi për kufijtë e Shqipërisë deri në gusht të 1913, meqenëse pavarësia e shpallur nga shqiptarët ende nuk ishte njohur nga ana e këtyre fuqive, nën kryesinë e ministrit të jashtëm anglez Eduard Grei. Në përfundim të punimeve konferenca vendosi padrejtësisht copëtimin e trojeve të shqiptarëve, për të kënaqur lakmitë shoviniste ballkanase dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme mes vetë Fuqive të Mëdha. Bashkë me copëtimin e trojeve shqiptare, në sajë të përkrahjes dhe mbështetjes së Austro-Hungarisë dhe Italisë, u njoh edhe pavarësia e Shqipërisë më 29 korrik të vitit 1913. Kjo ishte një zgjidhje e imponuar për shqiptarët nga diplomacia evropiane, që, edhe pse e paraqiste veten si djep të qytetërimit e kulturës, mbrojtëse të lirisë dhe drejtësisë, kreu një nga aktet më të turpshme diplomatike, duke sakrifikuar në altarin e shovinizmit dhe pangopësisë, të drejtat e një populli nga më të lashtët e Evropës.
Në përfundim të punimeve të Konferencës së Londrës për kufijtë e Shqipërisë, ministri i jashtëm anglez do të deklaronte: “Unë e di fare mirë se, kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë vendore. Qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe në qoftë se vendimi ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha, e ka siguruar atë, ai atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes në Evropë.”[10] Vendimi i 29 korrikut 1913, edhe pse i padrejtë i detyronte ushtritë ballkanike t’i lëshonin ato territore shqiptare, për të cilat Fuqitë e Mëdha kishin rënë dakord të formonin një shtet të pavarur.
Në këtë mënyrë, me vendimet e Londrës, mori fund ankthi i shqiptarëve për çështjen e një shteti kombëtar në trojet e tyre historike. Politika reale evropiane tregoi edhe njëherë se kur ndeshen elefantët nuk duan t’ia dinë për barin që do të shkelet.
Kështu, më shumë nga rrjedha e ngjarjeve sesa e dëshiruar vetëdijshëm, lindi një shtet i pavarur shqiptar që nuk e lidhte më asgjë me Perandorinë Osmane veç fesë së shumicës së popullsisë së saj dhe një historie të përbashkët 500 vjeçare.[11]
Pavarësia e ardhur si rezultat i kombinacioneve të rrethanave historike, u solli shqiptarëve në jetë një shtet të gjymtuar, pa kohezionin gjeografik e demografik, aq të nevojshëm për të vendosur bazat e një të ardhmeje për zhvillim të qëndrueshëm të trojeve shqiptare. Shqiptarët fituan një shtet të cunguar, por humbën pjesë të konsiderueshme të territoreve të tyre, humbje e cila nuk ishte vetëm e natyrës politike, por edhe demografike e ekonomike. Secila pjesë e territorit shqiptar mori rrugë të ndryshme zhvillimi, sipas shteteve ku gjendej. Kohezioni i tregut të brendshëm u thye dhe pasuritë nën dhe mbitokësore të territoreve shqiptare, që u copëtuan, do të shfrytëzoheshin tashmë nga shtetet që këto territore iu përkisnin, pas 1913. Shqiptarët me fitimin e pavarësisë provuan, edhe pse dhimbshëm, “dashurinë” e kombeve të qytetëruara ndaj tyre, edhe pse me të madhe ishte shpresuar se Evropa e qytetëruar do të dinte të vendoste pikat mbi i, në rastin e tyre.
Me pavarësinë e dhënë nga 1913, shqiptarët nuk realizuan dot ëndrrën e tyre për pavarësi, pasi pavarësia do të konsiderohej e tillë vetëm në qoftë se do të njihej integriteti territorial dhe kohezioni, historiko-kulturor, i katër vilajeteve. Parë në perspektivën afatgjatë të zhvillimeve ballkanike, pavarësia e 1913, iu hoqi të drejtën shqiptarëve për të qenë faktor vendimtar në stabilitetin e Ballkanit. Me një Shqipëri të cunguar, që do ta kishte të vështirë të rimëkëmbte veten, influenca shqiptare në Ballkan do të ishte e pandjeshme. Përfitimi kryesor i shqiptarëve nga pavarësia londineze, ishte mbetja hapur e një dritareje shprese, që në të ardhmen, ky shtet, nëse do t’ia dilte të mbijetonte, të luante rolin e violinës së parë në kërkimin e pavarësisë. Prandaj, edhe sot e gjithë ditën shqiptarët ende janë në kërkim të pavarësisë, të asaj pavarësie që iu mohua padrejtësisht, me një pavarësi, të pjellë nga ngjizja e interesave të Fuqive të Mëdha dhe zgjatimeve të tyre ballkanike.
Bibliografia
Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912, Tiranë, 1978.
SKËNDI, Stavro Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë, 2000.
GLENNY, Misha Histori e Ballkanit 1804-1999, Tiranë, 2007.
Histori 4, tekst mësimor për shkollat e mesme, Tiranë, 2006.
BARTL, PETER Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878 – 1912), Tiranë, 2006.
[1]. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912, (1978) Tiranë: f. 19-20.
[2]. Po aty, f. 255.
[3]. Po aty, f. 257-258.
[4]. Skëndi, S. (2000), Zgjimi kombëtar shqiptar, Tiranë: Phoenix, f. 403.
[5]. Po aty, f. 402-403.
[6]. Glenny, M. (2007), Histori e Ballkanit 1804-1999, Tiranë: Toena, f. 241.
[7]. Po aty, f. 229.
[8]. Shih, Zgjimi kombëtar shqiptar , f. 402
[9]. Shih, po aty, f. 402
[10]. Histori 4, tekst mësimor për shkollat e mesme, (2006), Tiranë: Pegi, f. 178).
[11]. Bartl, P. (2006), Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878 – 1912), Tiranë: Dituria, f. 226.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...