Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Oct 23, 2017 Zani i Nalte Shkenca Komunikimi 0
nga Prof. Dr. Ruzhdie Qafmolla
Hyrje
Familja është një institucion hyjnor, ajo është institucioni me i lartë i një shoqërie që e ka hyjnizuar vetë Allahu.
Në shoqërinë islame gruaja dhe familja zënë një vend të rëndësishëm. Familja është një institucion origjina e të cilit përkon me krijimin e njeriut. Lloji njerëzor është rezultat i këtij institucioni.
Allahu në Kur’an thotë:
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.”[1]
Institucioni familjar luan një rol të rëndësishëm në shoqërinë islame. Ajo është njësia themelore e kësaj shoqërie dhe organizohet në mënyrë të tillë që mund të sillet si një shoqëri në miniaturë. Rreth një e treta e normave Juridike, që përfshihen në Kur’an, i referohen familjes dhe përcaktojnë rregullat e mbarëvajtjes së saj. Bashkësia e të drejtave dhe e detyrave, që përbëjnë bazën e jetës familjare, siguron kushtet për të realizuar konstruktin e një individi dhe të një shoqërie në bazë të modeleve të treguara nga Allahu në Kur’an dhe të shëmbëllyera në jetën e Profetit Muhamed a.s.
Në një ekuilibër të tillë feja vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në të gjithë sistemin e raporteve familjare.
Familja Islame është një “familje e madhe” në të cilën çdo pozicion përkon me një tip të veçantë marrëdhëniesh. Nuk është një familje e ashtuquajtur nukleare apo atomike, e përbërë nga prindër dhe fëmijë. Në gjirin e saj normalisht përfshihen tre ose katër breza. Familja në një kuptim më të gjerë të saj është në themel të ekzistencës dhe të riprodhimit. Çdo gjë, si qenia njerëzore ashtu edhe e gjithë bota organike zhvillohen edhe shumohen prej marrëdhënies që krijojnë dy qenie të ndryshme.
Pra familja është një nga mirësitë me të cilën duhet të ndjehesh i begatuar dhe i mirëkuptuar.
Duke e parë në këtë këndvështrim familjen ky studim do ndahet në dy drejtime.
Drejtimi i parë:
Drejtimi i dyte:
Familja nuk është një “fabrikë” për prodhimin e njerëzve, megjithëse ruajtja e llojit është një nga qëllimet e saj kryesore. Ajo është bazë e gjithë strukturës social kulturore dhe është një mekanizëm më se i mjaftueshëm për të siguruar stabilitetin social, ideologjik e kulturor të shoqërisë dhe shëmbëllimin e saj në të ardhme.
Familja duke u mbështetur në bazë të mësimeve kuranore ka një sërë funksionesh:
Mbijetesa e llojit njerëzor dhe e kulturës së tij varet nga funksionimi i rregullt i mekanizmave të lindjes dhe riprodhimit. Për të realizuar këtë objektiv, lind nevoja e një institucioni që i parë nën optiken islame, duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm. E për të zgjidhur këtë problem të ruajtjes së llojit, Allahu ka krijuar strukturat dhe mekanizmat familjare, në të cilat procesi prokreativ zhvillohet që nga fillimi deri në ezaurimin e tij për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Familja në punën edukative duhet të niset nga qëllime kryesore që ta drejtojë atë në besimin te Zoti, që do ta udhëheqë atë në realizimin e të gjitha detyrave që i dalin përpara nga mosha me e vogël, në rini, e në pleqëri.
Edukata e mirë paraqet bukurinë e njeriut, prandaj edhe Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Jam dërguar për të përsosur moralin e lartë”.
Njeriu është përgjegjës për familjen e tij dhe ai do të përgjigjet për të, prandaj edukimi i fëmijëve nën optikën e “Drita Islame” është detyrë e tyre që të rritin fëmijë të shëndetshëm me edukatë të lartë fetare.
Struktura e familjes nën këndvështrimin e “Drita Islame” duhet shikuar si nga aspekti i funksionit horizontal në dimensione mikro-sistemore dhe makro-sistemore. Çështja e familjes përgjithësisht në sociologji e sidomos në sociologjinë bashkëkohore dhe në etikën Islame zë vend të rëndesishem. Fenomeni i familjes në planin e mbrojtjes së moralit shqyrtohet ndër faktorët tejet fondamentalë, dinamik të shoqërisë dhe të pasurimit human të raporteve ndërnjerëzore në qenien njerëzore.
Pra familja është një lloj i veçantë i strukturës përmes lidhjes së gjakut dhe marrëdhënieve të moralshme bashkëshortore, në kërkesa të ndërsjella të përcaktuara nga feja, të përforcuara nga ligji i sheriatit dhe të rindërtuara nga vetë Individi.
Allahu ne Kur’an thotë se martesa është si një “fortesë që e mbron njeriun nga një jetë e çrregullt”.
Një tjetër qëllim i familjes është që të sigurojë një ekuilibër psiko-emotiv për një mbështetje shpirtërore.
Raporti midis pjesëtareve të familjes dhe në mënyrë të veçantë midis burrit dhe gruas nuk është një raport thjesht utilitar. Ky raport ka karakter shpirtëror dhe prej tij burojnë dashuri, mirëkuptim, mbështetje, besim reciprok, shpirt sakrifice, përkrahje dhe ndihmë. Vetëm në kontekstin familjar, këto të fundit janë potencialitete shpirtërore të mashkullit dhe të femrës dhe kur kthehen në realitet bëjnë të lulëzojë brenda familjes bollëku dhe virtyti.
Në marrëdhëniet bashkëshortore, secili nga bashkëshortët përpiqet të përmirësohet gjithnjë e më tepër. Kjo marrëdhënie e mirë midis tyre ngulit në personalitetin e fëmijëve ndjenjën e solidaritetit, dashurisë, tolerancës dhe të mirësjelljes. Në familje realizohet mjedisi më i përshtatshëm për formimin e zhvillimin e personalitetit njerëzor. Për këtë arsye Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë se “vendi më i bukur në botë është shtëpia”.
Me të drejtë lind pyetja: Si paraqitet sot familja?
Sfidat me të cilat ballafaqohet familja myslimane sot janë të shumta e për ta mbrojtur atë nga idetë e huaja degjeneruese, të cilat kanosin identitetin kulturor e fetar të saj, duhet që ajo të mbështetet fort në dispozitat e legjislacionit tolerant Islam. Sot Perëndimi udhëhiqet nga ide që kanë të bëjnë me shpërbërjen e familjes. Këto modele kemi filluar t’i imitojmë edhe në vendin tonë, duke e dëmtuar imazhin e familjes sot. Gjithnjë e më tepër sot po degjenerohet familja, në të cilën prindërit po dhunohen, braktisen dhe me sjellje jo të moralshme të fëmijëve ndaj tyre. Familja në perëndim po mundohet të përhapë projektin e imoralitetit midis popujve. Për të mbrojtur gjithnjë e më tepër familjen duhet të kthehemi nga Islami. Njerëzimi nuk ka njohur sistem familjar më të lumtur se sa ai Islam. Kështu ligjet dhe normat e posaçme për familjen janë tejet të sakta dhe të rregulluara mirë nëpërmjet parimit të ekuilibrit të vërtetë të jetës. Një pjese e mirë e këtyre ligjeve janë shpallur në Kur’an. Për ndërtimin e një familje të tillë kemi nevojë të gjithë sot.
Faktori prokreativ mbetet i paplotësuar nëse ai nuk ndiqet nga rritja e fëmijëve, nga edukimi, nga orientimi, nga formimi i personalitetit dhe nga fillimi i mësimit gradual të fesë e të kulturës. E për të përballuar këto detyra të vështira që ka familja duhet një angazhim total. Roli i familjes është themelor në formimin e individit fizikisht, psiqikisht dhe shpirtërisht të shëndoshë për shoqërinë.
Profeti a.s. thotë: “Nga gjithë ajo që një baba mund t’i japë të birit të tij më e vlefshmja është një edukatë e mirë dhe përgatitja për jetën”.
Familja duhet të merret shumë me edukimin e fëmijës. Më shumë familja duhet të merret me kujdesin për fëmijën sesa për biznesin, siç ndodh shpesh sot në vendin tonë. Prandaj edukimi i pjesëtareve të një familjeje me normat dhe rregullat islame, do të krijojë dhe sigurojë një familje të shëndoshë për jetën, shoqërinë etj.
Institucioni familjar është pjesë shumë e rëndësishme e sistemit islam të sigurimit shoqëror. Të drejtat nuk u referohen vetëm aspekteve morale kulturore e ideologjike, por u përkasin edhe kushteve ekonomike dhe shoqërore të pjesëtarëve të familjes.
Profeti a.s. ka thënë: “Kur Zoti ta japë mirëqenien ekonomike, shpenzo fillimisht për veten dhe për familjen tënde”.
Sistemi i sigurimit shoqëror islam bazohet në një bazë të shëndoshë psiko-sociale në familje. Në fakt brenda familjes islame nuk zgjidhen vetëm problemet ekonomike, por tregohet kujdes edhe për ekzigjencat psikologjike.
Pra, nga kjo kuptohet se familja është një mjet përmes të cilit riprodhohet edhe ruhet në kohë. Ajo është një mjet për ruajtjen e moralit individual dhe shoqëror. Ajo krijon një kontekst të përshtatshëm për realizimin shpirtëror dhe emotiv të të martuarve e të gjithë pjesëtareve të tjerë të familjes dhe nxit dashurinë, mirëkuptimin dhe paqen në shoqëri. Pikërisht në familje fillon edukimi i brezit të ri me kulturën respektin për traditën dhe kështu fillon formimi i ndjenjave të tyre shoqërore. Ajo është pika bazë e një sistemi të sigurt shoqëror. Ajo formon njeriun dhe forcon te ai motivacionet dhe nxitjen për përpjekje dhe për progres shoqëror. Ajo është djepi i qytetërimit dhe urë përmes së cilës brezat hyjnë në shoqëri. Ajo është lidhje që bashkon të shkuarën me të tashmen dhe të tashmen me të ardhmen, duke siguruar një transformim të rregullt të shoqërisë përmes një procesi të shëndoshë dhe të qëndrueshëm. Ky rol i institucionit të familjes në Islam është mjaft i qartë.
Nëse institucioni i familjes dobësohet, ose shkatërrohet, e gjithë e ardhmja e njerëzimit do të jetë në rrezik të madh.
Rolin kryesor për një familje të shëndoshë e luan gruaja.
Gruaja është shtylla bazë e familjes dhe nën optikën e “Drita Islame” ajo është një entitet i pavarur dhe sipas kësaj një qenie plotësisht njerëzore. Islami i drejtohet asaj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nuk i qaset me ndërmjetësues të tjerë. Revolucioni në Islam qe shpëtim për gruan. Paralelisht me këtë Profeti Muhamed a.s. ju njohu grave të drejta të mëdha. Sheriati Islam është kujdesur që të respektojë gruan dhe burrin, sepse secili prej tyre ka një rol të caktuar në këtë jetë.
Gruaja ka një status të lartë në familje. Ajo jo vetëm është e barabarte me burrin, por ka edhe të drejtat e saj. Allahu në Kur’an i ka nderuar gratë duke u ripohuar dinjitetin, statusin njerëzor dhe partneritetin e tyre me burrat. Për këtë H. Muhamedi a.s. ka thënë: “Gratë janë partnere të burrave”.
Gruaja ka rol të rëndësishëm, si në familje edhe në shoqëri.
Në familje roli kryesor i saj është edukimi. Arsimimi i gruas është jetik për shoqërinë pasi ajo është që prodhon burrat dhe gratë e së ardhmes. Gruaja myslimane është ajo që arsimohet dhe edukohet. Nëse ke edukuar një mashkull edukon një person, nëse ke edukuar një femër edukon një familje. Ajo është shtylla kryesore e edukimit të fëmijëve. Një grua e shkolluar dhe e edukuar do të edukojë shumë më mirë në krahasim me një grua të pashkolluar. Për më tepër Profeti a.s. i ka nxitur gratë që të marrin pjesë në rrethet e diturisë që të ndiqnin mësimet e tij dhe të mësonin prej tij bazat e humanizmit dhe edukatës morale. Është ajo që prodhon anëtarë të mirë ose të këqij të shoqërisë. Kjo gjë pasqyrohet edhë në vargjet e mëoshtme:
“I them atij që vajzat tona mëson
Injoranca e tyre është shkak i humbjes sonë
Shkollë e fëmijëve të saj është nëna
Një nënë e përgatitur, një popull i ndritur
Nëna është një kopsht i mbjellë
Nëse e ujit, frute do të sjellë
Nuk them që gratë të zhveshura të jenë
Me burrat të përzihen e cipë të mos kenë
Edukoni vajzat me moral të lartë
Kjo është me e drejta për çdo situatë.
Krejt ndryshe nga sa mund të mendohet, kujdesi ndaj fëmijëve, zhvillimi, rritja, udhëzimi dhe edukimi i tyre janë detyra tepër të vështira dhe tepër të rëndësishme. Çdo fëmijë kalon një mori fazash të ndryshme dhe secila prej tyre kërkon vëmendje të veçantë dhe udhëzime specifike.
Edukimi i fëmijëve duhet të përfshijë tre aspekte:
Fëmijët zakonisht u besohen nënave, prandaj edukimi i tyre duhet të bëhet i përsosur. Edukimi shpirtëror i fëmijëve me besimin islam është mjaft i rëndësishëm, sepse flitet për një komb të shëndoshë dhe të moralshëm.
Arsimi është kushti i parë që gruaja të mund të kuptojë njerëzoren dhe veten e saj. Gjatë gjithë historisë, në mjedise të ndryshme, gruaja është përballur me trajtime të ndryshme. Por vetëm Islami ishte ai që pranoi dhe njohu plotësisht të drejtat e saj, duke i lënë vendin që i takon në Legjislacionin Islam. Kushtetuta që solli Islami beri atë që në atë kohë asnjeri nuk e mendonte, duke i dhënë gruas vendin më të lartë që meritonte. Vetëm Islami ishte ai që pranoi dhe i njohu plotësisht të drejtat e saj, prandaj duhet të përpiqemi me besimin tonë, punën tonë ti tregojmë botës se Feja Islame nuk është fe e prapambetjes, siç përpiqen ta paraqesin disa, por përkundrazi, siç po e përjetojmë edhe sot, ajo është fe e civilizimit dhe e integrimit të femrës në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në planin e arsimit të saj. Kjo është e qartë që në hyrje të Kur’anit, zbritja e të cilit filloi me fjalën “Ikra– Lexo! Lexo me emrin e Zotit tënd i Cili krijoi”.
Edhe femra, si krijesë e Allahut, është e detyruar të mësojë urdhrat dhe porositë e Tij. Një femër e ditur një komb i ndritur.
Sheriati, ligji i Allahut, është drejtësi e plotë. Allahu i Madhëruar e ka nderuar gruan, duke e konsideruar atë qenie njerëzore të barabartë dhe të ngjashme me pjesën tjetër të shoqërisë, me burrin. Gruaja është qenie e pavarur dhe ka të drejtë që të marrë pjesë në të gjitha aspektet e jetës me përgjegjësitë dhe funksionet, që ajo mund t’i ketë dhe nuk i cenojnë të qenët femër. Sipas Jurisprudencës Islame gruaja është kompetente për jetën e saj në ekonomi, në veprimtari të ndryshme, etj. Sa marrin pjesë në rregullimin e çështjeve familjare, aq mund të kontribuojnë gratë edhe në mbajtjen e familjes. Islami nuk kërkon ndarjen e të drejtave ndërmjet burrit dhe gruas, ato janë bashkudhëtarë të jetës së tyre. Islami i ka dhënë gruas vendin që meriton në shoqërinë njerëzore, duke ia besuar asaj përgjegjësinë e lartë shoqërore për të urdhëruar në çfarë është e mirë e për të ndaluar nga e keqja. Gruaja është dritë që ndriçon shpirtin e brezave. Arritjet e deritanishme tregojnë se në jetën e myslimaneve militojnë pro intelektuale te devotshme në agjitimin e parimeve Islame. Ato i gjen kudo sot, në universitet, në ministri, në parlament, në qeveri. Këto do të na shërbejnë për një mobilizim e organizim të mirë në dobi të përhapjes së kulturës islame.
Një grua me moral të vërtetë Islam ciklon realizimin e trinomit: “Grua-Familje-Komb”.
Koha tashmë është në favorin tonë dhe anija e moralit dhe e shpirtit të gruas do të arrijë në bregun e shpresuar dhe të sigurt, duke realizuar të gjitha aspiratat që ka pasur ajo dje, sot dhe përgjithmonë.
Jurisprudenca Islame, në përgjithësi, parasheh rol të drejtë për gruan në jetën ekonomike të shoqërisë, të jetë e lirë, të punësohet sipas aftësive dhe kapacitetit që ajo disponon. Ajo ka të drejtë të jetë një menaxhere shumë e mirë, jo vetëm në familje, por edhe në punë, të jetë mjeke, inxhiniere, drejtuese, etj. Të gjitha këto virtyte profesionale, një grua e aftë dhe e moralshme i vë në shërbim të njerëzimit dhe të ardhmërisë së kombit.
Muhamedi a.s. ishte njohësi i të drejtave të mëdha të grave. Është një realitet i pranuar që në shoqëritë ku Islami zotëroi mendjet dhe zemrat për shekuj të tërë gruaja ka kaluar e po kalon një jetë dukshëm të lumtur.
Gruaja përbën një kontribut të një rëndësie të veçantë për rinovimin e shoqërisë. Nga ajo kërkohet që të njohë fenë, që të jetë prej atyre qe pa i ndarë i kryejnë detyrat ndaj Allahut të Madhëruar, ndaj burrit, ndaj fëmijëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj atdheut. Emancipimi dhe përparimi i gruas, brenda normave Islame, e bëjnë një shoqëri më të emancipuar, që kërkon afrimin e gruas në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe eliminimin e botëkuptimit të gabuar se gruaja është vetëm nënë, se funksioni i saj biologjik është vetëm të lindë fëmijë dhe se ajo duhet të jetë dhe të mbetet patjetër amvisë, e mbyllur dhe e lidhur vetëm me fëmijët. Gruaja bashkëkohore, e brumosur me ideologjinë Islame, është gjithnjë e më shumë e emancipuar dhe me aftësi që i mundësojnë të jetë aktive në jetën ekonomike dhe politike. Detyrë themelore për të emancipuar shoqërinë sot është besimi në Zot. Besimi sjell qetësi, bindje, vendosmëri, një logjikë të shëndoshë, që e orienton njeriun për punë të mira. Ai që është i edukuar mirë në të gjithë shoqërinë është i mirëpritur dhe i respektuar. Prandaj Profeti a.s. ka thënë “Jam i dërguar që të përsos vetitë morale etike të njerëzve”[2].
Eduko njeriun me normat e moralit Islam. Islami është një sistem i plotë jetese që përfshin të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore dhe ka për qëllim ndërtimin e një njeriu dhe të një shoqërie mbi bazën e idealeve dhe vlerave të paraqitura në revelimin kur’anor dhe mësimet e Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.
Feja dhe besimi janë bazat morale mbi të cilat zhvillohet shoqëria njerëzore. Kur praktikohet bindje ndajë ligjit të Allahut shoqëria islame, qytetërimi i saj janë Ideologji Universale në origjinën e tyre. Koncepti i një bashkësie ideologjike nuk është diçka që qëndron vetëm në bazë të sjelljeve ekskluzivisht morale, por ka përmasa shoqërore politike e ligjore. Në këtë sistem faktori shtytës është feja. Ajo është burimi nga ku rrjedhin institucionet shoqërore që nga familja e deri te shteti. Një detyrë të tillë për induktimin e fesë te njeriu e ka familja. Por sot jetojmë në një situatë të vështirë ku vëzhgohet degjenerimi i vetë njeriut si anëtarë i institucionit familje e shoqëri. Nën pretekstin e formimit të njeriut të ri, u arrit largimi i tij nga rruga e drejtë, nga rruga e moralit Islam. Edukata fetare te të rinjtë, në shumë raste, pothuajse është braktisur. Rinia është e tërhequr pas rrugës së krimit, prostitucionit, drogës, etj. Mjedisi ku jetojmë është i mbushur plot me rreziqe të cilat lenë pasoja si në ambientin familjar edhe në atë shoqëror. Prandaj nëse duam të jetojmë një jetë njerëzore, morale dhe të ndershme, le t’i kthehemi Islamit, sepse është ai i cili i jep përmbajtje personalitetit, krijon ndërgjegje të lartë, formon njeriun e mirë i cili është bazë e jetës së mirë shoqërore në përgjithësi. Që të arrihet kjo, veçanërisht në tërheqjen e brezit të ri në rrugën e moralit islam, është e domosdoshme që gruaja të marrë rolin e misionares së fesë, e cila duhet të kryhet me devotshmëri që siç thotë Pejgamberi (a.s.), “Allahu dëshiron që kur ndonjëri prej jush të bëjë ndonjë punë, ta përkryejë atë (punë)”.
Literatura
[1]. Kur’an En-Nisa: 1.
[2] إنما بعثت لأتمم مكارم الأخلاق Hadith i transmetuar nga Imam Ahmedi, Imam Malik, Imam Buhari dhe Bejhakiu, Musned 17/80 nr. 8939.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 03, 2018 0
Jun 28, 2017 0
Jan 31, 2017 0
Mar 21, 2016 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...