Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Sep 07, 2017 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Imam Ervin Qylafku, Myftinia Durrës
Sikundër dihet Islami është feja e fundit hyjnore, e cila i përshtatet çdo kohe e çdo vendi dhe për rrjedhojë, ajo i ka të gjitha komponentët e duhur për ta provuar këtë. Për çdo ndodhi në jetë, çdo risi të teknologjisë, çdo sjellje apo veprimtari njerëzore, qoftë kjo mes krijesave ose mes tyre dhe Krijuesit, Islami ka qëndrimin e tij. Jeta ecën me ritme të shpejta dhe paralelisht me të qëndron dhe religjioni. Besimi ynë suporton çdo risi, e cila i ndihmon njerëzit, që të bëjnë një jetë sa më qetë e të rehatshme dhe për këtë s’ka asnjë kundërshtim nga myslimanët. Diskutimet shekullore mes tyre kanë lindur në lidhje me raportet e njerëzve me Zotin, disa sjellje të reja, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me adhurimin, por që ndihmojnë atë, sikundër ndihmojnë edhe në ruajtjen e principeve e normave të fesë tonë. Cili është qëndrimi i Islamit në lidhje me këto sjellje dhe përkushtime të reja në formë, por jo në origjinë? Çfarë qëndrimi kanë juristët tanë myslimanë, në lidhje me ato që quhen risi? Nëse do kërkojmë në thëniet profetike gjejmë se Profeti i nderuar ka diskutuar rreth tyre. Ai paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të thotë: “Çdo risi është humbje.”[1] Dhe gjejmë po ashtu fjalën a tij: “Kushdo që shpik në çështjen tonë (fenë tonë), diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.”[2] Atëherë si kuptohen këto thënie? Çdo risi konsiderohet e ndaluar? Apo fjalët e Pejgamberit tonë, paqja qoftë mbi të, synojnë ato risi që dalin jashtë kontureve të Islamit dhe bazave të tij dhe që e dëmtojnë atë? Për ta kuptuar më mirë këtë çështje të rëndësishme fillimisht duhet të njihemi me nocionin “bidat”.
Përkufizimi i bidatit dhe llojet e tij
Para së gjithash risi në konceptin fetar do të thotë: “Çdo gjë e re për të cilën nuk dëshmon asnjë argument i drejtpërdrejtë apo i tërthortë.”[3] Po ta shohim me kujdes, ky përkufizim nuk është larg atij etimologjik, i cili e përkufizon risinë: “Me diçka që nuk ka shembull paraardhës”[4], Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Thuaj: unë nuk jam i pari i dërguar dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua dhe me ju…”[5] Dallimi i vetëm është se në konceptin fetar, ajo i atribuohet fesë, ndërsa në atë gjuhësor përfshihet kuptimi fetar e më gjerë. Ndoshta këtë përkufizim e sqaron më qartë imam Shafiu i cili thotë: “Risitë janë dy llojesh: risi të cilat kundërshtojnë Kur’anin, hadithin, thënien e dikujt nga shokët e Profetit, ose konsensusin e dijetarëve. Këto konsiderohen risi që të devijojnë dhe të bëjnë të humbur. Lloji i dytë janë: vepra të mira të shpikura, por që nuk kundërshtojnë diçka nga ato që u përmendën, këto risi nuk janë të përçmuara.”[6] Imam Neveviu thotë: “Risitë janë çdo shpikje, që nuk ka qenë në kohën e Profetit, ato ndahen në dy pjesë, të pranuara dhe të refuzuara.”[7] Përkufizime të ngjashme me ato, që u përmendën më lart, por që në thelb synojnë të njëjtën ndarje, kanë dhënë edhe Imam Khatabij (399 h.), Ibn Abdil Berr (463 h.), Imam Gazaliu (505 h.), Abdurrahman Ibnul Xheuzij (597 h.), Ibnul Ethijr (630 h.), Ebu Shameh (665 h.), Ebul Fet’h El Ba’lij El Hanbelij (708 h.), El Kermanij (768 h.), Es-Subkij (771 h.), el Hafidh Ibnul Haxher el Askalanij (852 h.), Bedrudin el Ajni (885 h.), Xhelaludin es-Sujutij (911 h.), Ed-Dehleuij (1176 h.), Es-San’anij (1182 h.), Ibn Abidijn (1252 h.), Abdullah ibn Sid-dijk El Gumarij (1413 h.) etj., e me dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Por nëse Profeti (a.s.), në thënien e tij nuk bën një ndarje, si ajo që pamë nga citimet e mësipërme si mund të kuptohet fjala e tij?
Profeti (a.s.) nuk ka për qëllim çdo risi, sepse kjo bie ndesh me përshtatshmërinë e besimit Islam në çdo kohë dhe vend, por ajo që synon Profeti është çdo risi, e cila cenon dhe kundërshton një prej bazave të besimit islam dhe nuk përfshihet në asnjërën prej rregullave dhe argumenteve të përgjithshme të Islamit. Ndërsa çdo risi, e cila shkon përshtat me frymën e sheriatit dhe me kriteret e tij të përgjithshme, atëherë ajo është e pranuar. Përjashtimi i risive të mira nga ky hadith, kuptohet nga thënia tjetër profetike që thotë:
“Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk i përket asaj (që nuk ka bazë në të), kjo shpikje (risi) është e refuzuar.”[8] Profeti, paqja qoftë mbi të, trajton në këtë thënie, ato risi të cilat nuk kanë lidhje me Islamin dhe e dëmtojmë atë, e jo çdo risi që mund të ketë origjinë, qoftë edhe tërthorazi. Atëherë kuptimi është që çdo risi, sjellje apo raport Zot-krijesë, që ka bazë në fe dhe ka lidhje me të, ajo nuk refuzohet. Për këtë dëshmojnë fjalë të tjera të përcjella nga Profeti a.s. Nga ato: “Kush vendos një traditë (mënyrë) te re e të mirë [brenda kornizës së Islamit] ka për t’u shpërblyer për të dhe ka pjesë nga shpërblimi i çdokujt që vepron me të, pa iu pakësuar shpërblimi aspak, ndërsa kush vendos një traditë të re e të keqe ka për t’iu regjistruar si gjynah dhe do ketë pjesë nga gjynahu i çdokujt që punon me të, pa iu pakësuar ai gjynah aspak.”[9]
Imam Neveviu në lidhje me këtë hadith thotë: “Ky hadith i jep kuptimin fjalës së Profetit (a.s.) që thotë: ‘Çdo risi është humbje’, pra qëllimi i tij është risitë e urryera.”[10] Disa juristë të tjerë të Islamit kanë bërë një ndarje tjetër, duke e klasifikuar bidatin në varësi të pesë gjykimeve sheriatike: ndalimit, të papëlqyerës, të lejuarës, obligimit dhe të pëlqyerës. Iz ibn Abdiselam thotë: “Bidat është çdo gjë, që nuk ishte në kohën e Pejgamberit (a.s.). Ai ndahet në pesë pjesë: bidat i obliguar të kryhet, i ndaluar, i pëlqyer, i papëlqyer dhe i lejuar. Mënyra për të njohur se në cilën kategori futet ai, duhet që ai të ekspozohet përballë rregullave të sheriatit, nëse ai është pjesë e obligimeve, atëherë ai është obligim të kryhet, nëse është pjesë e ndalesave, atëherë është detyrë të lihet… e më pas i përmendi deri në fund të gjitha, duke i ilustruar me shembuj, ku ndër të tjera përmendi: prej bidateve të obliguara është studimi i gramatikës së gjuhës arabe në mënyrë, që të kuptohet fjala e Zotit dhe e Pejgamberit të Tij… Angazhimi për të kuptuar fjalët e vështira të Kur’anit dhe fjalëve profetike, sistemimi i rregullave të përgjithshme të së drejtës islame (usulul fikh), biografitë e përcjellësve të thënieve profetike, si dhe vlerësimi i tyre. Prej bidateve të ndaluara veçojmë: bidatet e kaderive, xhebrijve, murxhive, antropomorfistëve. Ndërsa nga bidatet e pëlqyera është; ndërtimi i fortifikimeve për të ruajtur kufijtë me shtetet e tjera, çdo veprim i mirë, i cili nuk është njohur në gjeneratat e para, falja e teravive…, ndërsa nga bidatet e papëlqyera përmendet zbukurimi i xhamive (nëse nuk është e nevojshme), zbukurimi i Kur’anëve me ujë ari ose gdhendja e kopertinës së tyre… E nga bidatet e lejuara është dhënia e dorës pas namazit të mëngjesit (sabahut) dhe pasdites (ikindisë), shumëllojshmëria në ngrënien e ushqimeve, lëngjeve, si dhe në veshjen e rrobave, zgjerimi i ndërtesave…” Po të njëjtën ndarje bën dhe imam Karafij gjithashtu.[11]
Citime nga veprimet e shokëve të Pejgamberit (a.s.)
Ndarja e risive (bidatit) në dy pjesë ndërtohet mbi citatet dhe veprimet e shumë prej shokëve të Profetit (a.s.), të cilët bënin veprime (adhurime) sipas arsyetimeve të tyre konform argumenteve sheriatike, pra duke shfrytëzuar parimet e Islamit, si dhe argumentet e përgjithshme të tij pa pasur nevojë që t’i ktheheshin Profetit (paqja qoftë mbi të) për çdo detaj.
Abdullah bin Mes’udi thotë: “Atë që konsiderojnë myslimanët vepër të mirë ajo është e mirë te Zoti.”[12] Pejgamberi (a.s.) pyeti Bilalin se cila është vepra më shpresëdhënëse për ty, gjatë kohës që ke qenë mysliman, sepse unë kam dëgjuar hapat e tua në xhenet? Ai i thotë: “Sa herë që kam marrë abdes ditë qoftë apo natë, kam falur namaz nafile, aq sa ka dashur Zoti.”[13] Kjo thënie nënkupton, që Bilali vepronte një adhurim në kohë të caktuar pa marrë miratimin e Profetit, paraprakisht, deri në kohën që ia tregoi atij. Nëse një gjë e tillë pa miratimin paraprak të Profetit do ishte e ndaluar, atëherë ai do ta ndalonte atë me arsyen se adhurimi në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar është i ndaluar, derisa të jepet leje nga tekstet sheriatike. Pra këtu kemi të bëjmë me një risi të mirë për të cilën nuk ka tekst specifik, por që dëshmon për argumentet e përgjithshme sheriatike, që nxisin për t’u afruar me Zotin e gjithësisë me namaz nafile.
Hubejbi, shoku i Profetit, kapet rob dhe para se ta ekzekutonin kërkon që të falë dy rekate namaz. Pasi u fal u ekzekutua.[14] Më pas njerëzit këtë veprim të Hubejbit e konsideruan traditë të pëlqyer ndërkohë, që ishin në situatë të ngjashme. Kjo ngjarje na tregon se Hubejbi veproi një adhurim në një moment të caktuar, për të cilin nuk kishte miratim sheriatik paraprak, por që futej në konceptin e gjerë të veprës së mirë, pavarësisht se Profeti ia miratoi atë me heshtjen e tij pasi Hubejbi kishte ndërruar jetë. Ndoshta nga argumentet më të spikatura është ndodhia e mbledhjes së Kur’anit në kohën e Ebu Bekrit fillimisht në fletushka dhe më pas në kohën e Othmanit, në libër. Sikundër është e njohur, Allahu ka marrë përsipër që ta ruajë Kur’anin ku thotë:
“Ne e kemi zbritur Kur’anin dhe Ne do ta ruajmë atë.”[15] Atëherë mënyra e mbledhjes së Kur’anit nga shokët e Profetit në libër ishte mënyrë e re dhe konsiderohet risi, për të cilën nuk ka argument të veçantë nga tekstet sheriatike, ndërkohë që më parë përgjithësisht ai ruhej i majorizuar, ose i shkruar në fletë (pavarësisht se letra ishte e rrallë në atë kohë), lëvore pemësh, kocka kafshësh, etj. Veprimi i mbledhjes së Kur’anit në libër, ose mbledhjes së fletëve të gjitha së bashku dhe ruajtjes së tyre në një vend të caktuar, ishte paksa e sikletshme edhe në këndvështrimin e disa prej shokëve të Profetit sikundër ndodhi me Ebu Bekrin dhe Zejdin, ndërsa thanë, kur Umeri i propozoi mbledhjen e tij: “Si do bësh diçka, që nuk e ka bërë Profeti (a.s.)?” E ndërsa Umeri r.a. mundohej që ta bindte duke i thëne: “Pasha Allahun ky veprim është mirësi e madhe”. Më në fund Ebu Bekri i bindur tha: “Më pas Allahu ma qetësoi kraharorin me atë që propozoi Umeri.”[16]
Umeri (r.a.) në këtë rast me inteligjencën e tij shfrytëzoi tekstet sheriatike, si dhe nevojën emergjente, që kishin myslimanët në atë kohë, për të ruajtur fjalën e të madhit Zot, që të mos humbte, duke thënë se ky veprim i panjohur më parë nga Profeti, e nga dikush tjetër nga shokët e tij të nderuar është mirësi, pra pavarësisht se është diçka e re, risi, jo vetëm që nuk cenon parimet e bazat e besimit islam, por njëkohësisht është e nevojshme dhe e lavdëruar, sepse ruan fjalën e Zotit autentike nga deformimi dhe humbja. Shokët e Pejgamberit i yshtën (bënë rukje, lexim Kur’ani për shërim) kryetarit të atij fisi, të cilët nuk i mikpritën ndërkohë që i zuri nata pranë tyre.[17] Leximi pikërisht i sures Fatiha dhe këndimi i saj 7 herë pa asnjë argument, ose miratim paraprak nga Pejgamberi, konsiderohet risi. Këtë e vërteton fjala e Profetit kur e pyeti: “Ku e di ti që ajo vlen për yshtje?” Dijetari Abdullah Mahfudh el Hadad thotë: “Kjo tregon qartë që sahabiu nuk kishte informacion paraprak, që leximi i Fatihasë vlente për yshtje. Ai veproi në këtë mënyrë duke u arsyetuar, që kjo gjë nuk kundërshtonte diçka nga besimi, sepse tradita profetike miratonte çdo veprim të mirë dhe gjithashtu nuk shkaktonte ndonjë dëm, edhe pse Profeti nuk e kishte vepruar atë.”[18]
Po ashtu ndodhia e namazit të teravive në muajin e Ramazanit në kohën e Umerit r.a. ndërkohë, që i pa njerëzit që faleshin 2-3 vetë me një imam dhe 3-4 vetë me imam tjetër, e dikush falej vetë, ai mendoi t’i bashkonte të gjithë me një imam dhe po ashtu bëri edhe me gratë (vendosi edhe për to një imam, që të faleshin të gjitha bashkë). Kur doli një natë më pas dhe i pa myslimanët të gjithë së bashku, duke u falur u kënaq dhe tha: “Oh sa risi e mirë që qenka kjo.”[19] E si mundet kjo të konsiderohet risi ndërkohë, që myslimanët e kanë falur në kohën e Pejgamberit me atë këtë namaz? Ky aludim rrëzohet duke kujtuar që Pejgamberi është falur me ta dy ose tre net dhe më pas nuk u fal më nga frika se do obligoheshin ta falnin gjithmonë dhe nuk do mundnin ta realizonin, pra ai është falur spontanisht me ta dhe nuk ka dalë me qëllim në xhami për ta falur këtë namaz me xhemat.
Pra caktimi nga Umeri bashkimin me një imam për të falur namaz 30 net rresht, si dhe përcaktimi i tij 20 rekate teravij[20] është diçka e re, pra risi të cilën nuk e kishte ligjëruar më parë Profeti (a.s.), por as nuk e kishte ndaluar atë. Po ashtu falja e 20 rekateve nga të gjithë myslimanët brez pas brezi, deri në ditët tona tregon se kjo është një risi e mirë dhe që nuk konteston asnjë bazë të besimit tonë. Laxhlaxhi, shoku i Profetit (a.s.), i thotë bijve të tij: “Kur të vdes dhe pasi të më vendosni në varr, thoni: ‘Bismilah, sipas traditës së Pejgamberit’ dhe pasi të më keni mbuluar me dhé, lexoni pranë kokës time ajetet e para të sures Bekare dhe dy ajetet e fundit të saj, sepse unë kam dëgjuar Abdullah ibn Umerin, që e shikonte këtë veprim të pëlqyer.”[21] Ajo që të shkon ndërmend është që Abdullah ibn Umeri dhe Laxhlaxhi porositën që të veprohej diçka që nuk e ka vepruar e as ka këshilluar Pejgamberi (a.s.), por kjo në asnjë mënyrë nuk kundërshton ndonjë argument sheriatik, qoftë ai specifik, për situatën në fjalë, apo edhe të përgjithshëm.
Ebu Hurejra r.a. bënte istigfar 12 mijë herë në ditë ndërkohë që Pejgamberi bënte 70-100 herë.[22] Abdullah bin Mes’udi falte 4 rekate namaz para namazit të xhumasë dhe 4 pas saj dhe urdhëronte nxënësit e tij, që të vepronin në të njëjtën mënyrë.[23]
Aliu dhe Abdullah ibn Umeri (r.a.) mendonin se nuk kishte diçka, që quhej namaz i duhasë. Kur iu tregua Aliut (r.a.), që njerëzit e falnin atë ai tha: “Faluni sa të mundeni, sepse Allahu nuk dënon dikë pse është falur.”[24] Salim, djali i Abdullah ibn Umerit i ka thënë të atit: “Nuk të kam parë të falesh namazin e Duhasë!!” Ai u përgjigj: “Nuk e kam parë Profetin (a.s.) që ta falë atë.”[25] Po ashtu thoshte: “Nuk e kam falur asnjëherë namazin e duhasë, që kur kam pranuar Islamin.”[26] Gjithashtu thoshte: “Këtë namaz nuk e ka falur njeri (që nga koha e Profetit), deri sa u vra Othmani, njerëzit nuk kanë shpikur diçka më të mirë se kjo.”[27] Kjo thënie nënkupton se Abdullah ibn Umeri nuk besonte se kishte në Islam një falje (namaz), që quhej namazi i duhasë, por ai e shikonte të lejuar këtë risi dhe të pëlqyer gjithashtu, që të veprohej në një kohë të caktuar të ditës, sepse ajo nuk cenon ndonjë bazë të Islamit ose e kundërshton atë.
Duke iu referuar asaj që thamë, kuptojmë se ajo që përcillet nga Abdullah ibn Umeri se “Çdo risi është humbje dhe e urryer edhe nëse e konsiderojnë njerëzit të mirë.”[28] Qëllimi i tij është risitë e urryera dhe të ndaluara, të cilat kundërshtojnë bazat e Islamit dhe nuk dëshmon për to asnjë argument. Në ditën e xhuma, në kohën e Profetit (a.s.), të Ebu Bekrit dhe Umerit, ezani këndohej para se të hipte imami në minber për të mbajtur ligjëratën. Ndërsa në kohën e Othmanit ai urdhëroi, që të thirrej një ezan tjetër (pra shtoi një tjetër) para se të hynte koha e namazit të xhumasë dhe kështu vazhdoi kjo edhe më pas.[29] Kjo tregon se Othmani e shikonte të lejuar shpikjen e një adhurimi (sepse ezani konsiderohet adhurim), i cili ishte i dobishëm dhe nuk kundërshtonte ndonjë bazë të besimit islam. Dhe këtë ai e bëri në mënyrë, që njerëzit të përgatiteshin për namazin e xhumasë para se të hynte koha namazit të xhumasë, e që të mos u shkujdesnin nga tregtia e tyre.
Nëse Pejgamberi (a.s.), ose shokët e tij kanë lënë diçka pa bërë a konsiderohet bidat veprimi i saj?
Një nga argumentet më kryesore që dëgjojmë shpesh, nga ata që çdo risi e konsiderojnë gjynah dhe humbje, është dhe koncepti që nëse Pejgamberi (a.s.) nuk e ka vepruar diçka atëherë veprimi i saj konsiderohet i ndaluar dhe risi (bidat). Kjo është nga gjërat më të çuditshme, që mund të thuhet për këtë çështje. Jo çdo gjë që ka lënë pa vepruar Profeti (a.s.) konsiderohet e ndaluar, qoftë ai edhe adhurim, nëse ai nuk ka ndaluar nga veprimi i tij. Arsyet që mund të kenë shtyrë Profetin për të lënë një veprim janë nga më të ndryshmet[30], mes tyre:
1- Lënia e gjërave të lejuara në origjinë, si p.sh. ushqimet, lëngjet etj. Askush nuk mund të mendojë se konsumimi i tyre është i ndaluar, sikundër nuk e hëngri kurrë mishin e një zvarraniku (dabit).[31]
2-Lënia e një adhurimi si p.sh. leximin e sures Ihlas në çdo rekat të namazit, siç vepronte një nga shokët e tij prej ensarëve,[32] ose lënia e tij (një adhurimi) por ndërkohë ka nxitur shokët e tij për ta vepruar atë ose i ka miratuar, si p.sh. nxitjen për të bërë dhikër (lutje të shumta) pavarësisht se nuk i përmbahej të gjithave.
3- Lënia nga frika se ndonjë adhurim bëhej obligim për popullin e tij, si p.sh. namazi i teravive,[33] etj.
4- Lënie për shkak të harresës sikundër i ka ndodhur në disa raste gjatë namazit.[34]
5- Lënië duke mos i shkuar në mendje veprimi i diçkaje në veçanti, si p.sh. ligjërimi i tij në ditën e xhuma i mbështetur te trungu i një palme. Më pas shokët e tij i sugjeruan që të vendoste një podium me disa shkallë.[35]
6- Lënia e një veprimi për arsye se populli i tij ishte i ri në Islam dhe nuk mund ta suportonte atë, siç tregohet për dëshirën, që kishte për të rindërtuar Qaben sipas modelit që e kishte ndërtuar atë Ibrahimi (a.s.).[36]
Pra sikundër shikohet jo çdo gjë që e ka lënë Pejgamberi (a.s.) pa e vepruar konsiderohet e ndaluar. Natyrisht që askush nuk mund të pretendojë e të shpikë adhurime nga mendja e tij, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me besimin islam e nuk i nënshtrohen argumenteve sheriatike, qofshin të drejtpërdrejta ose të tërthorta, si p.sh. të shtojë një rekat më shumë në një prej namazeve të obliguara, të obligojë agjërimin e 6 ditëve të muajit Sheval, agjërimi i të cilave është i pëlqyer, të obligojë ose të konsiderojë të pëlqyer qëndrimin në Mina në ditën e katërt, kur dihet se Allahu në Kur’an tregon se qëndrimi në të është 2 ditë ose tre dhe jo më shumë.[37] Por në të njëjtën kohë askush nuk mund të privojë veten, apo të tjerët, nga përkushtimi ndaj Zotit me adhurime, lutje, përmendje (dhikër) etj., nëse për to dëshmojnë tekstet fetare edhe nëse nuk janë të drejtpërdrejta, por që i përmbahen kornizave të besimit dhe burimeve autentike të sheriatit. Mund të thuhet gjithashtu se çdo veprim, që kryen njeriu, nuk mund të jetë jashtë pesë gjykimeve të sheriatit për të, veprim i ndaluar, i papëlqyer, i obliguar, i pëlqyer dhe i lejuar. Po të shohim lënia nuk i nënshtrohet asnjërës nga këto pesë gjykimeve të sheriatit.
Ibn Hazmi, juristi i shkollës së dhahirive, ndërkohë që trajton çështjen e faljes së dy rekateve nafile para namazit të akshamit, si dhe kritikën drejtuar juristëve të shkollës së hanefive dhe malikive, të cilët argumentohen se ky veprim është i papëlqyer me thënien e Ibrahim en-Nekhaiut se Ebu Bekri, Umeri dhe Othmani nuk e kanë vepruar, thotë: “Edhe nëse është e vërtetë se ata nuk e kanë falur, kjo nuk vlen si argumentim, sepse ata nuk kanë ndaluar nga ky veprim.”[38]
Pra si përfundim mund të thuhet se thjesht lënia e një veprimi nga Profeti (a.s.) nuk mund të konsiderohet argument për të ndaluar veprimin e saj pa u shoqëruar me argument tjetër përkatës, që e ndalon atë, por mund të thuhet një veprim i tillë është i lejuar. Nëse do meditojmë në argumentet e sheriatit si dhe rreth thënieve të juristëve myslimanë, do të dalim në përfundimin se në përgjithësi bidatet (risitë) e ndaluara dhe të dëmshme janë ato që kanë lidhje drejtpërdrejt me bazat e Islamit dhe futjen e diçkaje të re në to. Ndërsa për sa i përket detajeve dhe çështjeve të dorës së dytë, të tretë, adhurime, të cilat nuk kanë formë e sasi të caktuar, ose kanë por nuk i përkasin adhurimeve bazë të Islamit etj., dijetarët e Islamit kanë dhënë opinionet e tyre në lidhje me to, duke i konsideruar çështje, të cilat i nënshtrohen arsyetimit njerëzor, diskutimit si dhe qasjeve të reja. Vlen të përmendet si shembull dhikri dhe lutja pas namazit farz e të gjithë njerëzit së bashku, pavarësisht se në kohën e Pejgamberit (a.s.) ajo kryhej individualisht, juristët myslimanë të kohëve të vonshme e konsiderojnë atë të lejuar, sepse kjo nuk cenon asnjë prej bazave dhe shtyllave të Islamit, nuk po shtohet diçka nga ajo çfarë ka vepruar Pejgamberi (a.s.), por po kryhet në një mënyrë në të cilën ka dobi, që lidhen me unifikimin e radhëve të besimtarëve, gjë për të cilën nxit libri i Zotit[39], kurimin e sëmundjes së përçarjes, si dhe mësimin e të rinjve me mënyrën e përmendjes së Allahut (dhikrin) pas faljes së namazit. Madje, në shumë tekste sheriatike, tregohet vlera e madhe kur besimtarët përmendin Allahun së bashku. Pejgamberi (a.s.), një ditë kaloi pranë disa besimtarëve, të cilët po përmendnin Zotin. Ai i pyeti: – Cila është arsyeja për të cilën jeni mbledhur?
Ata i thanë: – Ne jemi mbledhur për të përmendur Allahun dhe mirësitë që na ka dhuruar ndërkohë që na udhëzoi në Islam.
Ai u tha: – Vallahi vetëm kjo ju ka mbledhur?
Ata i thanë: – Vetëm kjo o Pejgamber i Zotit.
Atëherë ai tha: – Unë nuk ju pyeta se dyshoj te ju, por sepse pak më parë Xhibrili erdhi te unë dhe më lajmëroi se Allahu krenohet me ju përpara engjëjve.[40]
Gjithashtu thotë: “Kur të kaloni pranë kopshteve të xhenetit shkoni dhe merrni nga frutat e tyre. Ai kur u pyet se cilat janë kopshte të xhenetit tha: “Tubimet në të cilat përmendet Allahu (bëhet dhikr).”[41]
Mjeti merr gjykimin e qëllimit nëse ai nuk kundërshton një urdhër fetar
Në shkencën që merret me vendosjen e rregullave, të cilat shërbejnë për nxjerrjen e gjykimeve sheriatike (usulul fikh), përmendet një rregull, i cili sqaron shumë paqartësi, të cilat lidhen me çështjen e risisë (bidatit). Ai thotë: “Mjeti merr gjykimin e qëllimit”[42], që do të thotë se një veprim i vlerësuar nga sheriati, ose i obliguar prej tij, mund të realizohet me çdo mjet, për të cilin nuk ka tekst sheriatik, që e penalizon atë (mjetin), atëherë atij i jepet i njëjti gjykim, që sheriati i ka dhënë qëllimit. P.sh. nëse shkuarja në ditën e premte për burrat për faljen e namazit të xhumasë është obligim, (shkuarja në xhami konsiderohet qëllim) çdo mjet që të ofron mundësinë për të shkuar atje është obligim të përdoret nëse lënia e këtij mjeti bën që të humbasë prezenca në xhami. Gjithashtu pjesëmarrja në namazet me xhemat është e pëlqyer, atëherë çdo mjet që të jep mundësinë për të falur atë namaz me xhemat në xhami është i pëlqyer të përdoret. Imoraliteti në Islam është i ndalur (lënia e tij konsiderohet obligim), atëherë çdo mënyrë, rrugë apo mjet, që të dërgon te ai është detyrë të lihet. Nëse numërimi i dhikrit pas namazit bëhet i vështirë për shkak të harresës ose mos përqendrimit atëherë çdo mjet që të jep mundësinë për ta numëruar atë saktësisht është jo vetëm i lejuar por edhe i pëlqyer, etj. Kështu pra gjykohet për çdo çështje dhe veprim për të cilin nuk ka tekst sheriatik për t’u vepruar apo lënë, të gjitha mjetet që të japin mundësinë për të arritur te qëllimi yt janë të pëlqyera, të obliguara të veprohen, ose të lihen, kjo pra në varësi të veprimit përkatës.
Përfundim
Nga ajo që u përmend më lart, kuptohet qartë perceptimi i dijetarëve të Islamit, përgjithësisht, në lidhje me çështjen e risisë (bidatit), perceptim i cili është keqkuptuar, keqinterpretuar dhe injoruar shpesh nga studiues dhe autodidaktë gjithashtu, të cilët kanë krijuar një klimë konfliktuale. Minimalisht kërkohet prej tyre një heshtje ndaj lëshimit të akuzave, llagapeve dhe etiketimeve me gjase se të gjithë ata, që nuk mendojnë si vetja e tyre, kanë devijuar nga rruga e Zotit dhe janë të rrezikuar të dënohen nga Ai në jetën e amshueshme për çështje të cilat i nënshtrohen arsyetimit njerëzor. Debati konstruktiv është ai i cili i hap rrugën mirëkuptimit dhe justifikimit të mendimit ndryshe, e si rrjedhojë, unifikimit dhe vëllazërimit të besimtarëve, veprim i cili kënaq Zotin e gjithësisë, Profetin e Tij të nderuar e të gjithë besimtarët gjithashtu. Allahu e di më së miri.
[1]. Muslimi, nr. 867, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1998.
[2]. Buhariu, nr. 2697, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999 dhe Muslimi 1718, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1998.
[3]. Ibnul Haxher el Askalanij, Fet’hul Barij, vëll. 13 f. 312, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1997.
[4]. Ibn Mendhur, Lisanul arab, vëll. 1, f. 229, shtëpia botuese Mearif, pa vit botimi, Kajro, El Fejumij, Misbahul munijr, vëll 1, f. 53, shtëpia botuese Kalem, Bejrut, pa vit botimi.
[5]. Kur’an, El Ahkaf, ajeti 9.
[6]. El Bejhekij, Menakibu Shafiij, vëll. 2, f. 469, shtëpia botuese Mektebetu Dari Turath, Kajro, pa vit botimi.
[7]. Nevevij, Tehdhijbul esmai ve lugat, vëll. 3, f. 36, shtëpia botuese Fejha, Damask, 2006.
[8]. Buhariu, nr. 2697, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999 dhe Muslimi, nr. 4492, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1998.
[9]. Muslimi, nr. 6800, shtëpia botuese Selam, viti i botimit Rijad, 1998.
[10]. Neveviu, Sherh Sahujhu Muslim, vëll. 4, f. 92, shtëpia botuese Kutubul Ilmijeh, Bejrut, 1995.
[11]. El Iz ibn Abdiselam, El kauaidul kubra, v.ll 2, f. 337-339, shtëpia botuese Kalem, Damask, 2000; El Karafij, El Furuk, vëll. 4, f. 155, 156, shtëpia botuese Mektebetul Asrijeh, Bejrut, 2003.
[12]. Hakimi, el Mustedrek, vëll. 3, f. 78, shtëpia botuese el Ma’rifeh, Bejrut, pa vit botimi.
[13]. Buhariu, nr. 1098, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999.
[14]. Buhariu, nr. 3045, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999.
[15]. Kur’an, El Hixhr, ajeti 9.
[16]. Buhariu, nr. 4986, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999.
[17]. Buhariu, nr. 2276, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999.
[18]. Abdullah Mahfudh el Hadad Ba’levij, Es-sunetu vel Bid’atu, f. 17, botim i cili nuk citon shtëpinë botuese, vitin dhe vendin e botimit.
[19]. Buhariu, nr. 2010, shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999.
[20]. Maliku, Muwata, nr. 250, shtëpia botuese Safa, Kajro, 2001.
[21]. El Bejhekij, Sunenul Kubra, vëll. 4, f. 56, shtëpia botuese El Ma’rifeh, Bejrut, pa vit botimi.
[22]. Dhehebij, Tedhkiretul hufadh, vëll. 1, f. 35, shtëpia botuese Fikrul Arabij, pa vit dhe vend botimi.
[23]. Musanefi i Abdurrezakut, vëll. 3, f. 247, nr. 5524, 5525, shtëpia botuese Mektebul Islamij, Bejrut, 1983.
[24]. Po aty, f. 78, nr 4865.
[25]. Po aty, f. 81, nr. 4877.
[26]. Po aty, nr. 4879.
[27]. Po aty, f. 78, nr. 4868.
[28]. Lalekai, Sherh Usulul I’tikad, vëll. 1, f. 126, shtëpia botuese Tajbeh, Rijad, 2002 dhe Ibn Nasr el Mervezij, es-Suneh, f. 29, nr. 82, shtëpia botuese Muesesetul Kutubi eth-Thekafijeh, Bejrut, 1988.
[29]. Buhariu, nr. 912 shtëpia botuese Selam, Rijad, 1999.
[30]. Abdullah Sidijk el Gumarij, Husnu tefehumi ve derk li mes’eleti derk, f. 10, shtëpia botuese Mektebetul Kahireh, Kajro, 2002.
[31]. Buhariu, nr. 5536, 5537 shtëpia botuese Selam, viti 1999, Rijad.
[32]. Po aty, nr. 774.
[33]. Po aty, nr. 2012.
[34]. Po aty, nr. 482.
[35]. Po aty, nr. 3584, 3585.
[36]. Po aty, nr. 126.
[37]. Kur’an, El Bekare, ajeti 203.
[38]. Ibn hazem, el Muhala, vëll. 2, f. 159,160, shtëpia botuese Ihjau turathil arabij, Bejrut, 1997.
[39]. “kapuni fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani….” Kur’an, Ali Imran, ajeti 103.
[40]. Muslimi, nr. 6857, shtëpia botuese selam, Rijad, 1998.
[41]. Suneni i Tirmidhiut, nr. 3819, shtëpia botuese er-Risaletu el Alemijeh, Bejrut, 2009.
[42]. El Karafij, El Furuk, vëll. 2, f. 39, shtëpia botuese Mektebetul Asrijeh, Bejrut, 2003; Et-Tufij, Sherh mukhtesar er-reuda, vëll. 3, f. 89, shtëpia botuese Muesesetu Risaleh, Bejrut, 2011.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...