Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 12, 2016 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi 0
Poezia një rrugë drejt shpirtit
“Betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë”, Kur’an, 68:1.
nga Msc. Entela Hidri
Abstrakt
Poezia është një ndër llojet më të bukura të letërsisë dhe të artit të fjalës. Theksi në aspektin fetar, për mua, ka rëndësi të veçantë, sepse i jep një tjetër prioritet poezisë. Trajtesa e krijimit poetik si një krijim pasqyrues i krijimit të Zotit, i jep vlerën e mistikes dhe shpirtërores kësaj poezie. Cilësia e poezisë si tekst është, se ajo i prek të gjitha dimensionet e jetës. Pra poezia trajton çdo tematikë dhe çdo hapësirë të mendimit. Është një ndër llojet më të vështira e më të ngritura letrare.
Poezia gjen një rrugë për t’u qasur drejt shpirtit. Ajo, me anë të mistikes, përqaset me vetë krijimin e zotit, jo për t’u krahasuar, por për të lavdëruar Krijuesin dhe krijimin e Tij universal dhe unik. Bukuria e fjalës poetike nuk vjen nga vetja, e pikërisht këtu konsiston edhe mistikja. Kjo poezi i ka të gjitha elementet strukturore të llojit letrar të poezisë që nga figuracioni, ritmi, rima e çdo detaj… Elementi mistik i jep asaj një vlerë të shtuar. E pikërisht ajo rrymë letrare, e cila i dha prioritet trajtimit të tematikës dhe të elementit mistiko-fetar, ishte letërsia e bejtexhinjve.
Tematikat e kësaj poezie variojnë nga temat rreth Zotit, moralit, etikës, respektimit njerëzor, etj.
Mirëqenia e botës estetike të një poezie të mbështetur në elemente të mistikës-fetare islame, kishte një vlerë të veçantë si në aspektin social, ashtu edhe në aspektin artistik. Mbeten për t’u shqyrtuar edhe krijimtari të tjera të cilat e vlerësojnë dhe e përdorin elementin fetar.
Trajtimi i elementit mistik në poezi, është me vlerë, jo vetëm për elementin fetar, por në radhë të parë për vetë thelbin e poezisë. Poezia me element fetar ka një vlerë të veçantë, e cila u shqua dhe u paragjykua si e prapambetur në vitet e shembjes së kulteve, diktaturës. Ky studim ka si qëllim vëzhgimin e lidhjes dhe ndërthurjes së poezisë me elementet fetaro-mistike.
Objektivat e këtij punimi synojnë analizën e lidhjes së poezisë me lexuesin dhe botën e tij shpirtërore, trajtimin e ndërthurjes dhe depërtimit të elementit fetar në poezi, hedhjen e një vëzhgimi të shpejtë mbi letërsinë e bejtexhinjve, se dhe trajtohemi i mirëqenies së botës shpirtërore që trajtohet në poezi.
Ky punim është një fillesë e një punimi më të detajuar në lidhjen me poezinë me elemente fetare Islame, e cila u marxhinalizua dhe u etiketua si e prapambetur nga studimet për 50 vite me radhë, tezë e pa vërtetë e cila i humbet vlerën e paçmuar kësaj poezie.
Poezia është një mënyrë e drejtpërdrejtë për të arritur drejt shpirtit, pra ka një lidhje mes shpirtërores dhe krijimtarisë. Letërsia shqipe në veçanti i ka fillesat te letërsia fetare. Le të themi që poezia shqipe ka lindur pakëz vonë krahasuar me vjetërsinë e popullit tonë, ose me krijimtarinë gojore në gjuhën shqipe.
Ne, në fakt, nuk duhet të na interesojë këndvështrimi besimtar i poetit, por ana fetare e poezisë, bota shpirtërore e vetë poezisë. Fetarja, ose mistikja, shfaqet te poezia në kohëra dhe vende të ndryshme. Ka periudha historike të cilat e diktojnë më së shumti krijimtarinë me prirje fetare dhe mistike.
Të gjitha llojet letrare janë në konkurrencë se cila të fitojë terren dhe vëmendje te lexuesi, por sot nuk ekziston një këndvështrim i tillë në vëmendjen tonë. Në fakt vitet e fundit poezia ka humbur terren, sepse ka shumë pak lexues që priren drejt poezisë.
Zhan Pol Sartri shkruan në librin e tij Ç’është letërsia?: “… ‘Kohët Moderne’ botojnë gjithnjë e më pak poezi. Për t’u bindur mjafton t’u hedhim një sy prodhimeve bashkëkohore.”[1]
Poezia është në fakt gjetja e një rrugë për të shkuar drejt shpirtit. Me anë të saj shpesh zbërthejmë dhimbjen shpirtërore, lumturinë, dashurinë, dashurinë për atdheun, luftën etj. Pra të gjitha ngjyrat e shpirtit. Poezia i prek të gjitha dimensionet e jetës, që nga ato personale e deri te ato kombëtare e universale. Poezia është një formë magjie. Me anë të lojës së fjalës, poeti tërheq dhe mahnit lexuesin.
Ashtu si hekurkthyesi laton dhe rregullon hekurin, ashtu edhe poeti ynë laton dhe rregullon fjalën poetike. Një galeri e tërë figuracioni vendoset në funksion të gjuhës poetike, të cilat me shije të hollë i përzgjedh secili lexues. Pra gjuhën poetike, poeti nuk e përdor vetëm si një kanal komunikimi vajtje-ardhje, por ai i përdor fjalët jo vetëm si koncepte, por edhe si kontekst dhe si sonoritet rimues.
Le të themi se poezia shpesh ka përdorur edhe gjuhën e së shenjtës, ose elemente fetare në të. Madje, nga një këndvështrim, ne përdorim për një poet edhe termin ‘krijues’ i një poezie. Pra ai me anë të botës së fjalës, mundohet të krijojë dhe të argëtojë, informojë, apo edhe mësojë lexuesin. Le të themi që feja mundohet dhe shpjegon vizionin për botën, pra edhe poezia me përmbajtje fetare, e bën më të bukur dhe më të kuptueshme botën e poezisë. Poeti me anë të poezisë së tij e ka të vështirë të ndajë jetën e vërtetë nga realiteti i krijimit poetik. Në shumë poezi shohim krijime që s’kanë ekzistuar kurrë, ose forma e tyre reale, është përsosur në botën e poezisë. Pra një krijues që e njeh Zotin, le të themi që nga kjo buron edhe krijimtaria e tij.
Nga “Divani” i Imam Shafiut, po shkëpusim këto vargje për të konkretizuar atë që thamë më lart:
Bëhu i devotshëm ndaj zotit, në qoftë se je hutuar!
Të mirat t’i sjell nga diçka e pamenduar.
Pse vallë ke frikë varfërinë?,
Ka ushqyer zogun dhe peshkun kur noton.[2]
Bukuria e një poezie në thelb, në fakt, nuk është se vjen nga vetja, ajo është e ardhur edhe nga krijimi i të madhit Zot.
“Siç e përmendëm edhe në fillim, bukuria e trëndafilit nuk vjen nga vetvetja e as nga përjetimi yt, ajo është pasqyrimi ynë, ajo është pasqyrim i cilësisë hyjnore të bukurisë.”[3]
Pra shpjegohet më së qarti se, aspekti shpirtëror ka të bëjë edhe me anën mistiko-fetare. Dashuria e poetit në krijim vjen nga krijuesi më suprem, që është Zoti.
Sidoqoftë, ky studim nuk synon poezinë fetare të mirëfilltë, po elementet fetare në poezinë letrare.
Pati shumë poetë dhe rryma letrare, ose periudha të cilat përdorën mistiken, qoftë kjo si një frymë që e ka përshkruar të gjithë krijimtarinë, por qoftë edhe për ndonjë krijim të veçuar, në të cilin u përdorën elemente fetare. Një tjetër letërsi e cila e ushtroi mistiken ishte edhe Alamiado, ose letërsia e bukur e bejtexhinjve, ku thelbi i tyre anonte herë-herë edhe nga fetarja. Divanet, si i Nezim Frakullës, i cili, si një pjesë e mirë e bejtexhinjve, u frymëzua nga autorët e lindjes nga të cilët edhe u huazua prej poetëve persian, turq e orientalistë dhe kanë të përzier në të, jo vetëm bukurinë e jetës dhe të vashës, por edhe mistiken dhe kënaqësinë me dhuratat e Zotit.
Bismil-lahi nisa divanë
Për sevda tënde ja Mevla,
Për Muhammed Mustafanë
Zemra rrate ja Mevla[4]
Bejtet janë krijimtari në vargje, pra lidhen drejtpërsëdrejti me poezinë. Divanet janë forma poetike, ku përveç lartësimit të ndjenjës dhe qenies njerëzore, aty lartësohet edhe Zoti. Qe një krijimtari e tërë, e cila u mor me pjesën mistike në forma të ndryshme. Poezia e bejtexhinjve vjen nga njerëz intelektualë e të ditur, pra kishte element fetar, por jo qorrazi. Elementet mistike lidhen me thirrje për t’ju kthyer shpirtërores dhe mosdhënies pas botës materiale.
Shumë autorë të tjerë bejtexhinj folën dhe e trajtuan poezinë dhe mistiken në të, si për shembull: Sulejman Naibi, Muhamed Kyccuku, Zyber Hallulli, etj.
Poeti me elemente fetare, në fakt, ka një dallim, sepse nuk e kërkon bukurinë te bota fizike, por veçanërisht te bota e brendshme shpirtërore dhe pikërisht në këtë kupë merr frymëzim poezia e tij.
“…Profeti i ka dashur poetët, se i ka mbrojtur disa poetë…”[5] pra edhe nga kjo rrjedh ligjshmëria ku poetët fetarët bazohen në lidhje me poezinë.
Poezia me elemente fetare, e bën njeriun të “komunikojë” me Zotin. “vetë adhurimi ndaj Krijuesit shprehet si një kombinim i komunikimit gjuhësor dhe i veprimit fizik të njeriut besimtar”[6], ai edhe beson, por nga ana tjetër edhe komunikon me anë të poezisë së tij.
Le të themi se, poeti shkarkon në poezinë e tij zbrazëtinë shpirtërore, ose flet në të edhe për brengat mbarë njerëzore, duke përfshirë edhe boshllëkun e lexuesit. Çdo poezi përmban filozofinë e saj të brendshme dhe si pasojë ka një bosht mistik rreth të cilit duhet të sillet, gjë të cilën shpesh e shohim hapur, ose e gjejmë të fshehur mes vargjesh, në kontekst. Në këto poezi me nuancë fetare, ne gjejmë moral dhe fisnikëri.
Poeti, i cili e mbështet mistiken, e kërkon atë në krijimet e tij duke i paralelizuar ato me natyrën dhe krijimin e Zotit. Pra çdo pjesë e natyrës në një poezi na sjell refleksione rreth mistikes. Zoti e krijoi natyrën, edhe poeti mundohet ta “rikrijojë” natyrën me fjalë, sepse e njeh dhe me anë të fjalës e përligj unicitetin e krijimit të Zotit.
Poezisë me elemente mistike nuk i mungojnë elementet estetike. Ajo ka metër, rimë, ritëm, eufemi, stilistikë e semantikë, si çdo tekst tjetër poetik.
Edhe poeti i madh Naim Frashëri, një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij ia adreson besimit ndaj Zotit, deri madje në vënien e vulës së Zotit në poezitë e tij, duke përligjur faktin se krijimtaria vjen nga vetë Ai. Në vargjet e tij ai thotë:
Se ngado që të kthej sytë,
Shoh atje Zot’n e vërtetë
Q’është një e s’ka të dytë. [7]
Pra kjo lloj poezie nuk flet vetëm për njeriun, por edhe për mënyrën e tij të jetesës dhe në një farë mënyre është edhe didaktike.
Tema e trajtimit të Zotit si një fuqi e panjohur, por e ndjeshme, e plotfuqishme, fuqi nga e cila vjen ekzistenca dhe forma e krijimit.
Në këto poezi gjejmë të flitet edhe për nisjen në jetën e përtejme, si një e panjohur si për poetin edhe për lexuesin.
Trajtimi i moralit, si një sistem njerëzor, i cili po të respektohet sjell rregull mbi jetën njerëzore në mbarë rruzullin tokësor.
Tema e vdekjes është një ndër temat dhe dilemat e kësaj poezie, etj.
Poezia është munduar të mbajë qëndrime gjithnjë ndaj fetares, edhe në raste mbështetjeje apo kundërshtimi, përsëri ajo e mban prezent, mistiken. Një vështrim më i detajuar do të ishte një studim më rezultativ, sepse duhet të studioheshin të gjitha kahet e mistikes, në të gjitha poezitë e mbarë botës dhe te të gjitha religjionet, për të bërë diferencën e një poezie me përmbajtje dhe njohje fetare nga ajo afetare.
“Një letërsi e krijuar mbi aksiomën e ndjeshmërisë së Zotit, të afirmimit të mësimeve e të udhëzimeve të shpalljeve hyjnore, të respektimit të mesazheve paqësore të profetëve, të të kuptuarit se ekziston edhe bota tjetër, do të pasuronte besimin dhe vizionin e njeriut për veten dhe për të ardhmen e tij.”[8]
Autorët mistikë, edhe talentin e tyre ia atribuojnë aspektit mistik të poezisë së tyre. Në fakt ka edhe një cilësi të cilën nuk mund ta lëmë pa përmendur, që spikat në poezinë e poetëve fetarë. Fjala e tyre është e vërtetë. Pra ata nuk përdorin gënjeshtrën në krijimtarinë e tyre, për shkak të fetares që e shoqëron këtë krijimtarinë. Kjo poezi është e drejtë edhe në planin njerëzor e social, pra trajton edhe probleme të shtresave të ulëta. Le të themi që poezia me elemente fetaro-mistike, e trajton Zotin si të vetmin udhëheqës, si rrjedhojë nuk njeh nënshtrim njerëzor. Njeriu nuk ka funksion drejtues individual, por ka funksion zbatues të ligjeve hyjnore, qoftë edhe në poetizimin e tij. Kjo s’do të thotë që poetët me elemente fetare nuk kanë krijuar edhe letërsi me motive jo mistike dhe shembujt për këtë janë të shumtë.
Së fundmi, duke e theksuar se ky punim është vetëm fillimi i një studimi të thelluar të elementeve mistike në poezinë në përgjithësi dhe të poezisë shqipe në veçanti, mendoj se kësaj teme duhet t’i japim vlerën dhe rëndësinë e veçantë.
Theksoj faktin se elementeve mistike nuk i është dhënë vlera e duar në tekstet artistike e veçanërisht në poezi, sepse pikërisht elementi mistik është ai i cili mbush një hapësirë si ajo e boshllëkut shpirtëror. Andaj, ky element, duhet studiuar e vlerësuar.
Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm, them se besimi është drejtimi më i mirë për të pasur një drejtim artistik të drejtë, larg rrengjeve e pseudo artit, në emër të të cilit bëhen çudira.
Bibliografia
Vinca, Teori letrare prej antikës deri te postmodernizmi, Libri shkollor, Prishtinë, 2012
Anton N. Berisha, Veçanti ligjërimesh poetike, Eurolindja, 1996.
Behxhet Jashari, Vështrim ndaj orientalizmit dhe orientalistëve, U.C.O.F.O.S, Tiranë 2008.
Beshir Ajvazoglu, Estetika Islame, LOGOS-A, Shkup, 2009.
Milazim Krasniqi, Letërsia dhe besimet fetare, LOGOS-A, Shkup 2010.
Naim Frashëri, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1978.
Zhevad Karahasa, Divan lindor, Botime Alsar, 2015.
https://www.doktoratura.unitir.edu.al 2015/09/Doktoratura-Fabiola-Kadi-Muca-Fakulteti-i-Histori-Filologjise-Departamenti-i-Letersise.pdf
https://www.zeriislam.com Letërsia mistike islame dhe Mevlana Rumiu Abdullah Rexhepi, 3 korrik 2011.
https:// www.ibnisina-ks.com Junus-Emre-dhe-poezia-e-tij-mistike, 10 Nëntor 2014.
https:// www.forumishqiptar.com Poezitë dhe-divani-i-Imam-Shafiut, 8.04.2007.
https:// www.shqiperia.com Besimet_fetare, 2008.
[1]. Zhan – Pol Sartri, Ç’është letërsia?, DeaS, Tiranë, 1998, f. 9.
[2]. Divani i imam Shafiut, poezia Kujtesa.
[3]. Beshir, Ajvazoglu, Estetika Islame, LOGOS-A, Shkup, 2009, f. 51.
[4]. Abdullah Hamiti, Nezim Frakulla dhe divani i tij shqip, Logos-A, 2008, f. 288.
[5]. Beshir, Ajvazoglu, Estetika Islame, LOGOS-A, Shkup, 2009, f. 77.
[6]. Milazim Krasniqi, Letërsia dhe besimet fetare, LOGOS-A, Shkup, 2010, f. 29.
[7]. Naim Frashëri, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 76.
[8]. Milazim Krasniqi, Letërsia dhe besimet fetare, LOGOS-A, Shkup 2010, f. 287.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 03, 2020 0
Oct 26, 2020 0
Jul 10, 2020 0
Nov 21, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...