Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 05, 2016 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Dr. Milud Hamidat
Departamenti i Psikologjisë dhe Shkencave të Edukimit, Universiteti Laghouat – Algjeri
Abstrakt
Ndër shkaqet themeltare të sëmundjeve shpirtërore, ose sëmundjeve të zemrës siç i quan Gazali, është konflikti mes forcave të së mirës dhe forcave të së keqes, mes arsyes dhe mes instinktit, mes nevojës për kënaqësi dhe kërkimit të saj. Paralelisht me këtë, është dhe ndjesia e fajit në çastin kur u bindesh kërkesave të trupit dhe kur shkel urdhrat e arsyes. Që këtu lind stresi, tensioni, zemërata, agresiviteti, frika dhe hakmarrja. Sjelljet pësojnë çrregullim me t’u shfaqur emocionet e mësipërme. Me përsëritjen e tyre, ato shndërrohen në ves dhe zakon, të cilat e shtyjnë në sjellje të tjera e që kanë ndikim akoma më të thellë në shpirtin e njeriut.
Filozofët myslimanë i kanë kushtuar vëmendjen e duhur shpirtit dhe sëmundjeve të tij. Ata u shquan për diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve. Një ndër personalitetet që është shquar për metodologjinë e tij në këtë fushë është dhe Ebu Hamid Gazali, mendimet e të cilit dallojnë nga mendimet e filozofëve grekë, por edhe të filozofëve të tjerë myslimanë.
Dallimi mes Gazalit dhe filozofëve të tjerë, është se ai i merr bazat e filozofisë së tij nga Islami, duke shtuar përvojën e tij personale me sufizmin. Vlen të theksohet se sufizmi ka lidhje të ngushta me psikologjinë, dijen e shpirtit dhe Gazali është një nga hulumtuesit dhe studiuesit e shpirtit. Sufizmi përmban një lëndë të vyer lidhur me shpirtin, e cila josh çdo studiues në këtë fushë. Përvoja personale e Gazalit pati ndikimin më të thellë në shkrimet e tija mbi psikologjinë e njeriut, analizën e sëmundjeve, perceptimin e drejtë të motiveve dhe reagimeve, njohjen e emocioneve dhe devijimeve dhe, për rrjedhojë, diagnostikimin dhe trajtimin e duhur.
Prandaj vendosëm që në këtë artikull, të ndjekim analizën e Gazalit lidhur me disa tematika të shpirtit, si natyrën e emocioneve dhe kontrollin e tyre, sëmundjet e zemrës, shkaqet dhe mënyrën e trajtimit. E gjitha kjo, në kuadrin e krahasimit me teoritë moderne, duke nxjerrë në pah metodën e Gazalit në analizë, metodë që është e përafërt me metodat moderne, sidomos në pikënisjen e njohjes së vetes me anë të reflektimit dhe meditimit, si dhe falë vëzhgimit dhe eksperimentimit. E gjitha kjo, bazohet në rastet e treguara nga vetë Gazali dhe përvoja e tij personale.
Besojmë se nga e gjithë trashëgimia e pasur që ka lënë pas Gazali, do të sjellim sadopak nga metodologjia e tij në trajtimin e sëmundjeve të shpirtit, me të cilën ai u ka paraprirë shumë prej teorive moderne.
Thelbi i sëmundjeve të shpirtit
Ebu Hamid el-Gazali (1056 – 1111) është nga mendimtarët më të shquar myslimanë, të cilët i kanë kushtuar një vëmendje të madhe shpirtit të njeriut. Ai u ndal te shumë mekanizma që e kontrollojnë atë, diagnostikoi shumë sëmundje dhe patologji dhe u përpoq të ofrojë trajtimin e duhur për to.
Nuk gabojmë aspak nëse themi që te Gazali gjejmë konturet e para të teorisë së psikoanalizës, teori të cilën ai e bazon tek Islami. Ne do i qasemi veçorive më karakteristike të teorisë së Gazalit rreth shpirtit, instinktit dhe emocioneve dhe ndikimit të tyre në aktivitetin e shpirtit, sëmundjeve të shpirtit, shkaqeve dhe mënyrës së trajtimit. Kjo do të na ofrojë një imazh të plotë të ideve pararendëse të Gazalit.
Gazali flet për sëmundjet e shpirtit, të cilat i emërton si sëmundje të zemrës. Në arabisht, zemra dhe shpirti vijnë me të njëjtin kuptim ndonjëherë. Këto sëmundje lindin kur prishet ekuilibri mes përbërësve të shpirtit të njeriut, kur njëri element dominon mbi të tjerët nga njëra anë, si dhe nga paaftësia e arsyes për të ruajtur kontrollin nga ana tjetër. Kjo çon në raste devijimi të sjelljes dhe bindje të verbër ndaj epsheve, të cilat e marrin në kontroll të plotë jetën e njeriut dhe janë ato që e orientojnë.
Gazali ka folur për sëmundjet e shpirtit, të cilat nuk janë shtjelluar sot në psikologjinë moderne, por edhe nëse është folur, nuk janë përcaktuar saktësisht, ose nuk janë konsideruar aq emergjente saqë të kërkojnë trajtim. Prandaj ai konsiderohet si prijatar në këtë fushë, pasi përveçse u është qasur këtyre sëmundjeve, ka vendosur dhe mënyrën e trajtimit. Edhe pse Gazali ka përfituar shumë nga feja në eksplorimin e këtyre sëmundjeve, atij i mbetet merita e aftësisë së diagnostikimit, emërtimit, përshkrimit, diagnostikimit dhe eksplorimit të shkaqeve të këtyre sëmundjeve, por edhe ofrimit të recetës për trajtimin e tyre. Atij i takon merita e zbulimit të metodës së eksplorimit të këtyre sëmundjeve, nga të cilat mund të përmendim: “Mendjemadhësinë, vetëpëlqimin, smirën, gënjeshtrën, koprracinë, dyfaqësinë etj…”
Shkaqet e sëmundjeve shpirtërore
Ndër shkaqet themeltare të sëmundjeve shpirtërore, ose sëmundjeve të zemrës siç i quan Gazali, është konflikti mes forcave të së mirës dhe forcave të së keqes, mes arsyes dhe mes instinktit, mes nevojës për kënaqësi dhe kërkimit të saj. Paralelisht me këtë, është dhe ndjesia e fajit në çastin kur u bindesh kërkesave të trupit dhe kur shkel urdhrat e arsyes. Që këtu lind stresi, tensioni, zemërata, agresiviteti, frika dhe hakmarrja. Sjelljet pësojnë çrregullim me t’u shfaqur emocionet e mësipërme. Me përsëritjen e tyre, ato shndërrohen në ves dhe zakon, të cilat e shtyjnë në sjellje të tjera e që kanë ndikim akoma më të thellë në shpirtin e njeriut.
Imam Gazali mendon se shkak i përhapjes së sëmundjes së zemrave më shumë se sëmundjet e trupit, janë tre gjëra:
E para, mosdija e të sëmurit se është i sëmurë.
E dyta, kur sindromat dhe pasojat e sëmundjes nuk janë të prekshme dhe të shkueshme, siç ndodh me sindromat e sëmundjeve fizike, të cilat kanë si përfundim vdekjen që shihet dhe konstatohet.
E treta, mungesa e doktorit. Në këtë rast, doktori është dijetari, i cili edhe vetë mund të jetë i sëmurë.
Emocioni i zemërimit dhe trajtimi i tij
Analiza e shpirtit dhe trajtimi i sëmundjeve të tij, për të cilat flet imam Gazali, është diçka e thellë. Ai thotë se para se të japim recetën e trajtimit, duhen njohur shkaqet që çuan te këto sëmundje. Vetëm pas kësaj bëhet ballafaqimi mes simptomave dhe të kundërtave të tyre. “Kam kuptuar se trajtimi i çdo sëmundjeje bëhet duke përcaktuar prerazi burimin e saj dhe pastaj luftimin e shkaqeve”, thotë Gazali.
Për shembull, lidhur me zemërimin, imam Gazali bën një përshkrim të detajuar, i cili nuk është më pak se analiza e shkollës fiziologjike. Në analizën që bën ai sqaron raportin e ngushtë mes trupit dhe shpirtit në aktivizimin e emocioneve, duke theksuar se trupi është pasqyra dhe imazhi i ndryshimeve të brendshme. Ai thotë: “Ndër shenjat e jashtme të zemëratës është ndryshimi i ngjyrës, dridhjet e forta të gjymtyrëve periferike, sjellje të pakontrolluara, çrregullimi i lëvizjes, shkumëzimi i gojës, fryrje e damarëve të qafës, shpërfytyrimi i mimikës, fryrje e vrimave të hundë. Nëse personi që është pushtuar nga zemërimi do të mund ta shihte çfarë pamje të shëmtuar ka marrë, do i qetësohej vala e zemëratës në vend nga turpi. Megjithatë, shëmtia e brendshme është më e madhe se ajo e jashtme, pasi aparenca është titulli i të brendshmes. Është shëmtuar e brendshmja fillimisht, gjë e cila pasqyrohet dhe përhapet edhe në shëmtinë e imazhit të jashtëm. Kështu, ndryshimet fizike të jashtme, janë fryt i ndryshimeve të brendshme. Prandaj, për të kuptuar se çfarë ngjet në shpirtin e njeriut, vrojto ndryshimet e tij të jashtme. Ky ishte ndikimi që ushtronte në trup.”
Pas këtij përshkrimi kaq të saktë dhe të detajuar të reagimit fizik dhe marrëdhënieve mes tij dhe zhvillimeve të brendshme, Gazali vazhdon të analizojë rezultatet e valës së zemëratës që shoqërojnë personin e zemëruar dhe deri në ç’nivel të çrregullimit në sjellje mund ta çojë. Ai thotë: “Kjo ushtron ndikimin e saj në gjuhë, e cila shpërthen në sharje dhe fjalë banale, prej të cilave i vjen turp një njeriu me arsye të shëndoshë, madje i vjen turp vetë personit pasi të jetë qetësuar. Ai nuk di çfarë flet dhe si e shpreh. Ndikimi i zemëratës te gjymtyrët, gjë e cila shfaqet tek agresiviteti fizik, kacafytja, shqyerja e rrobave, plagosja dhe vrasja, pa e bërë qejfin qeder. E nëse personi prej të cilit është zemëruar, arrin t’ia mbathë, ose për shkak se nuk e shkarkon dot mbi të zemërimin, shkarkimi bëhet ndaj vetë vetes, duke shqyer rrobat dhe duke ndëshkuar veten. Ai mund të qëllojë tokën me pëllëmbë, rend si i marrë dhe i dehur, mund të përplaset përtokë pa ndjenja dhe pa mundur të ngrihet. E gjitha kjo për shkak të intensitetit të valës së zemëratës. Ai mund të qëllojë sendet dhe kafshët, duke ua shkarkuar atyre tensionin, mund të hedhë enët përtokë, të thyejë tavolinën… Ai mund të sillet si i marrë, duke u folur dhe sharë kafshët dhe sendet, sikur t’i fliste një qenie racionale. E nëse e shqelmon kafsha, ai ia kthen me një duzinë shqelmash. Sakaq, ndikimi i zemëratës në zemrën e tij, është urrejtja, smira dhe zilia ndaj personit me të cilin është zemëruar. Ai fsheh mllef të madh në zemër kundër tij, i bëhet qejfi kur vuan dhe ndjen neveri kur gëzohet, tallet, shkel nderin e tij etj… Të gjitha këto ishin tregues të një zemërate të ekzagjeruar.”
Pas këtij përshkrimi shkencor të detajuar, i cili tregon deri në çfarë ekstremi agresiviteti dhe dhune ndaj vetes dhe të tjerëve mund të arrijë emocioni i zemëratës, vjen radha e zgjidhjes dhe trajtimit, me qëllim që njeriu të mund ta kontrollojë veten në rast shpërthimi të këtij emocioni. Fillimisht, Gazali mendon që njeriu duhet të bëjë çmos që të ruajë të mesmen e artë dhe ekuilibrin në shprehjen e emocioneve të brendshme. Lidhur me zemëratën, ekuilibri dhe e mesmja mbetet gjëja më e mirë. Kështu, nëse vala e zemëratës e ftoh njeriun, e mpin dhe e bën të gatshëm për të pranuar nënshtrimin dhe poshtërimin, ia heq çdo formë burrërie dhe qëndrese, ai duhet të trajtohet dhe të merret me veten derisa të fuqizohet. Me këtë nënkuptojmë që të ruajë dinjitetin dhe respektin. Trajtimi lipset edhe nëse zemërata është në ekstremin tjetër, saqë e bën të shkelë të gjithë kufijtë. Njeriu duhet të ruajë kufijtë e të mesmes dhe ta frenojë veten.”
Në rastet e zemëratës së madhe, imam Gazali ofron recetën e tij, e cila fokusohet te parandalimi i krizës, duke iu shmangur zemëratës dhe shkaqeve të saj dhe kjo me edukimin e shpirtit që të maturohet, të bëjë durim dhe të ushtrohet me urtësinë. Por edhe kur aktivizohen shkaqet e zemëratës, Gazali fton për maturi dhe rezistencë, me qëllim që njeriu të mos bëjë gjëra të pamenduara dhe të dënueshme. Aktivizimi i zemërimit trajtohet me përzierjen e dijes dhe punëve të mira.
E gjitha kjo është e ngjashme me terapinë bashkëkohore, atë konjitive emocionale.
Lidhur me dijen, ajo bazohet te gjashtë gjëra:
Sakaq, lidhur me punën dhe të vepruarit:
Të kërkojë mbrojtje te Zoti nga shejtani i mallkuar, të kërkojë falje nga Zoti (istigfar) dhe të lutet.
Nëse është në këmbë, të ulet, e nëse është i ulur, të shtrihet.
Të marrë abdes ose të lahet për ta shuar zjarrin e zemërimit.
Nga e gjitha kjo, konkludojmë se imam Gazali e bazon terapinë e tij psikologjike mbi dy pika:
E para, është diçka teorike, ose “dija” siç e quan ai.
E dyta, është praktike.
Kjo që thotë Gazali nuk ndryshon fort nga tezat dhe teoritë bashkëkohore të terapisë konjitive, e cila bazohet te ndërgjegjësimi dhe njohja e sëmundjes, vendosmëria për t’u trajtuar dhe kuruar dhe pastaj vjen ndërhyrja praktike dhe pjellore si plotësuese e terapisë, që konkretizohet me punën vetjake për t’u shëruar.
Kështu, shohim që Gazali i ka paraprirë terapisë konjitive bihejviorale. Kjo terapi mund të praktikohet në mënyrë vetjake dhe me përpjekje individuale, të cilat i bën vetë personi. Ose mund të kërkohet ndihma e një eksperti dhe orientuesi, i cili i njeh sëmundjet e zemrës, ose të shpirtit, siç ka qejf t’i emërtojë Gazali.
Metodat e trajtimit të sëmundjeve të shpirtit sipas Gazalit
Adhurimet në Islam nuk janë rituale të mbushura me simbolika të pakuptueshme. Ato nuk bëhen as për qëllime materiale të kësaj bote. Në fakt, ato janë rituale që kanë një lidhje të ngushtë me shëndetin mendor dhe fizik të individit nga njëra anë, por edhe me stabilitetin moral, social dhe vleror të komunitetit. Që këtu, imam Gazali dhe filozofët e tjerë myslimanë, e kuptuan funksionin dhe rolin e madh të këtyre ritualeve në trajtimin e shumë problemeve dhe devijimeve të individit dhe shoqërisë. Le të shohim qetësinë dhe paqen e brendshme që të fal namazi. Kësaj, shtoji higjienën e trupit. Agjërimi garanton shëndetin e fizikut, zekati rrit përkrahjen dhe solidaritetin social mes komunitetit. Falë mbështetjes sociale që garantojnë këto rituale dhe thelbit që përmbajnë praktikat e përditshme mes individëve, shkohet drejt një shoqërie të virtytshme e të drejtë, ku reduktohen në minimum dobësitë. Edukimi i shoqërisë bëhet nëpërmjet edukimit të individit. Kushdo që i studion vargjet e Kur’anit dhe thëniet e Profetit a.s, e konstaton lehtësisht këtë. Zoti thotë në Kur’an: “Fale namazin, pasi namazi ndalon nga veprat e liga dhe të shëmtuara…” “Merr nga pasuritë e tyre sadaka, e cila i pastron dhe dëlirëson.”
Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga dëshmia rrejshëm dhe veprat sipas saj, Zoti nuk ka nevojë që të heqë dorë nga ushqimi dhe pirja (gjatë ramazanit).”
Nëse ndjekim modelin që ofron Gazali për adhurimet dhe ritualet, kuptojmë analizën e detajuar të shpirtit që ai bën, si dhe këndvështrimin e tij ndaj adhurimit, si baza dhe themeli për raportet me Zotin. Vetëm kështu shpirti arrin ekuilibrin, qetësinë dhe harmoninë. Imam Gazali mendon se shpirti i namazit është në prezencën e zemrës. E nëse zemra nuk është prezente, ndërkohë që gjuha lexon në mënyrë automatike, nuk arrihet plotësia e namazit, i cili është legjitimuar për kalitjen e zemrës, rifreskimin e përmendjes së Zotit dhe rrënjosjen e besimit.
Duke e njohur natyrën njerëzore, imam Gazali mendon se përhumbja e plotë është e pamundur, pasi njeriu nuk mund të shkëputet totalisht nga impenjimet e kësaj bote dhe nga instinktet. Prandaj dhe ai bën çmos që të njihet me çdo qoshe të shpirtit të njeriut, pasi kështu përcakton shkaqet që e mbajnë peng larg përhumbjes, duke iu përmbajtur metodës shkencore. Në të njëjtën kohë, ai na ofron dhe ilaçin dhe mënyrën e përdorimit të këtij ilaçi në shpërqendrimin e mendjes sonë. Këtu shfaqet gjenialiteti i Gazalit, në analizimin e shpirtit, kur thotë: “Shkaku i vërshimit të mendimeve është ndonjë ngacmues i jashtëm ose i brendshëm. Ngacmuesit e jashtëm mund të vijnë nëpërmjet dëgjimit ose shikimit, gjë e cila e tërheq vëmendjen e që jepet pas ngacmimit fillestar. Kështu, mendimet ndjekin njëri-tjetrin në një zinxhir të gjatë. Shikimi bëhet shkak për të menduar dhe mendimet bëhen shkak të njëri-tjetrit. Ai që ka nijet të fortë dhe vullnet të palëkundur, nuk i ndjen ngacmuesit e jashtëm të shqisave. Por për një të dobët, sigurisht që këta ngacmues ia shpërqendrojnë vëmendjen.”
Në këtë analizë dhe përshkrim Gazali përcakton natyrën e faktorëve të brendshëm dhe konkretë, të cilët ndikojnë në vëmendjen e personit që po falet dhe që e largojnë nga përhumbja. Ai nuk mjaftohet me prezantimin e ngacmuesve të ndryshëm, por ofron edhe zgjidhjet.
“Zgjidhja për të mos rënë pre e këtyre ngacmuesve është ulja e shikimit, ose kryerja e ritualit të faljes në një vend të errët, duke eliminuar ngacmuesit vizualë. Mund të afrohet edhe pranë një muri, me qëllim që ta ngushtojë në maksimum hapësirën për shikim. Ai duhet të shmangë namazin në rrugë, apo në vendet ku rrethohet nga stoli e sixhade të bukura. Por, shkaqet dhe ngacmuesit e brendshëm mbeten më të fuqishëm. Për të triumfuar ndaj tyre, ai duhet të parapërgatitet para se të fillojë namazin, duhet t’ia rifreskojë vetes kujtimin e botës tjetër, nevojën që ka për Zotin, qëndrimin para Zotit në ahiret, faktin që Zoti e sheh dhe e ndjek në çdo lëvizje. Ai duhet ta boshatisë zemrën nga çdo mendim dhe angazhim tjetër para se të fillojë namazin, duke mos lejuar asgjë që t’ia tërheqë vëmendjen.”
Siç vihet re, ai propozon zgjidhje të cilat na ndihmojnë që të mos prekemi nga ngacmuesit e jashtëm, si dhe flet për çlirimin e shpirtit nga ngacmuesit e brendshëm, gjë e cila na ndihmon pastaj për ta mbajtur zemrën të lidhur me namazin. Në analizën e tij vihet re qartësisht perceptimi i drejtë lidhur me faktorët e ndryshëm të cilët ushtrojnë ndikimin e tyre në shpirtin e njeriut.
Imam Gazali dhe filozofë të tjerë myslimanë, si Ibnu Sina dhe të tjerë, e kishin parasysh rëndësinë e ekuilibrit në jetë. Imam Gazali thoshte: “Ruajtja e ekuilibrit në morale dhe virtyte është shëndet i shpirtit, kurse tendenca për ta prishur ekuilibrin, është sëmundje… Ashtu si trupi i cili nuk lind i plotë, por rritet dhe fuqizohet në mënyrë të përshkallëzuar falë kujdesit dhe ushqimit, ashtu dhe shpirti starton me mangësi dhe me prirje për t’u perfeksionuar falë edukimit, moraleve dhe dijeve.”
Imam Gazali thekson rëndësinë e parimit të ekuilibrit dhe balancës si në nivel fizik ashtu dhe në atë shpirtëror. Ashtu siç kërkon që të ruhet ekuilibri fizik, ai kërkon që të ruhet edhe ekuilibri shpirtëror mes forcave të shpirtit dhe kjo, duke e marrë arsyen si gjykatës. Njëkohësisht imam Gazali nuk beson në shtypjen dhe represionin e instinkteve dhe emocioneve, por i konsideron ato si një pjesë të domosdoshme të njeriut. Ai kërkon që ky aktivitet shpirtëror të disiplinohet.
“Nëse dikush gjendet përballë një instinkti dhe emocioni të papërballueshëm, siç është epshi apo nervozizmi, duhet ta luftojë dhe t’i rezistojë, por jo ta mbysë, pasi “mbretëria” nuk stabilizohet veçse me këto instinkte dhe emocione. Nëse arrin t’i frenosh, do të jetosh i lumtur dhe ke shlyer detyrimet ndaj mirësive dhe begative. Përndryshe, je i vuajtur.”
Ashtu siç është i rëndësishëm ekuilibri dhe ruajtja e një vije të mesme në arritjen e shërimit dhe konfrontimin me gjendje psikologjike si frika e tepërt, demoralizimi, humbja e shpresës dhe për rrjedhojë dhe depresioni. Gazali thotë se trajtimi bëhet sipas rastit. “Ai që është mbërthyer nga frika dhe ka hequr dorë totalisht nga çdo kënaqësi e kësaj bote, duke e mbingarkuar veten me jetesë të vështirë, i thyhet imazhi i krijuar i frikës duke i folur për shpresën, me qëllim që t’i kthehet ekuilibrit dhe të mesmes. E njëjta gjë vlen për atë që është zhytur në gjynahe, por që dëshiron të pendohet dhe që nuk është penduar vetëm për shkak të gjynaheve të mëdha dhe faktit se ndjehet i demoralizuar. Kështu atij i mundësohet dhe lehtësohet pendimi.”
Këtu duket qartazi metoda e terapisë së bazuar në udhëzimin, bindjen dhe rikthimin e besimit të personit që vuan, gjë e cila e ndihmon të rivendosë ekuilibrin e tij psikologjik dhe për rrjedhojë të shërohet. Është e njëjta metodë që përdoret sot në teoritë bashkëkohore.
Gazali thekson se emocionet dhe ndjenjat janë pjesë e jetës shpirtërore. Ato nuk mund të zhbëhen totalisht, por mund të vihen në kontroll dhe të maturohen. Ai thotë: “Disa hamendësojnë se nervozizmi mund të shuhet totalisht. Ata pretendojnë se përsosmëria synon pikërisht këtë gjë. Disa të tjerë mendojnë se ky emocion nuk mund të maturohet, me pretekstin se moralet janë si krijesat, mbi të cilat nuk mund të vihet dorë dhe të ndryshohen. Në fakt, të dy mendimet janë të gabuara dhe të pabaza. E vërteta është se, përderisa njeriu i do disa gjëra dhe i urren të tjerat, është e pamundur që ai të boshatiset nga emocioni i urrejtjes dhe mllefit. Përderisa pajtohet me diçka dhe bie ndesh me diçka tjetër, s’ka se si ta pëlqejë atë me të cilën pajtohet dhe ta urrejë atë me të cilën bie ndesh.”
Përderisa këto emocione janë pjesë e gjallë e njeriut, ai nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i mbajë nën kontroll dhe t’i kanalizojë në rrugën e drejtë, pasi zhbërja dhe fshirja e tyre totale është e pamundur. “Ushtrimi për të arritur përsosmërinë, – vijon Gazali, – nuk shërben për të shuar urrejtjen e zemrës, po për të rritur aftësinë për të mos iu bindur emocionit të nervozizmit dhe që ta përdorë si energji për diçka të pëlqyeshme nga feja dhe nga logjika. Kjo arrihet me rezistencë, përpjekje, duke ushtruar urtësinë dhe duke duruar, derisa maturia dhe urtësia të rrënjosen si virtyte. Sakaq, shuarja absolute e urrejtjes dhe pastrimi total i zemrës nga ky emocion, nuk përkon me natyrën e njeriut, është diçka e pamundur. Por është i mundur kufizimi, vënia fre dhe dobësimi i tij.”
“Gjithashtu, nervozizmi duhet të jetë nën pushtetin e arsyes. Nuk duhet bërë gjë veçse me miratimin e saj. Nëse arrin ta bëjë këtë, ka arritur shkallën e moralit të mirë, një nga tiparet e engjëjve dhe bërthama e lumturisë.”
Në dy mënyra optimale mund të realizohet edhe heqja dorë edhe përvetësimi, pra heqja dorë nga ligësitë dhe përvetësimi i virtyteve.
Terapia me heqjen dorë nga ligësitë, të cilat imam Gazali i quan “shkatërrueset – muhlikat”. Te këto ligësi ai rendit smirën, syfaqësinë, mendjemadhësinë etj…
Terapia me përvetësim të virtyteve përbën bazën e terapisë sipas Gazalit. Për virtytet ai ka shkruar kapituj të tërë në librin “Ringjallja e shkencave të fesë”, të cilët i quan si shpëtuese. Ato konsistojnë në manifestimin e durimit, dëlirësisë, të folurit drejt, amanetit etj…
Me të gjithë ai përdor metodën e këshillimit dhe orientimit për heqjen dorë nga ligësitë dhe përftimin e virtyteve, por kjo bëhet sipas gjendjes së personit, pra duke ekuilibruar mes frikës dhe shpresës.
“Ai që është mbërthyer nga frika dhe ka hequr dorë totalisht nga çdo kënaqësi e kësaj bote, duke e mbingarkuar veten me jetesë të vështirë, i thyhet imazhi i krijuar i frikës duke i folur për shpresën, me qëllim që t’i kthehet ekuilibrit dhe të mesmes. E njëjta gjë vlen për atë që është zhytur në gjynahe, por që dëshiron të pendohet dhe që nuk është penduar vetëm për shkak të gjynaheve të mëdha dhe faktit se ndjehet i demoralizuar. Kështu atij i mundësohet dhe i lehtësohet pendimi.”
Gazali përdor një term të rëndësishëm për të treguar arritjen e ekuilibrit psikologjik dhe përshtatjes personale me mjedisin, ky term është “të qenët i kënaqur – razillëku”, term që përdoret në psikologjinë moderne.
Te Gazali, të qenët i kënaqur është fryt i dashurisë, pra dashursië së robit karshi Zotit dhe Krijuesit të tij, është fryt i bindjes së robit ndaj Zotit. Të qenët i kënaqur, përfytyrohet nga dy aspekte:
I pari, largon ndjesinë e dhimbjes, duke mos u lënduar. Kështu, njeriu i pranon ngjarjet e jetës megjithëse janë lënduese dhe të dëmshme, duke e shtuar karburantin e durimit te vetja. Një shembull për ta ilustruar këtë, është personi që po lufton i mbërthyer nga nervozizmi dhe gjaknxehtësia. Në këto momente, ai nuk i ndjen plagët që merr dhe dhimbjet që i shkaktojnë ato.
E dyta, e ndjen dhimbjen dhe e percepton atë, por e pranon dhe është i kënaqur. Ai e pranon me mendje, edhe pse në natyrë e refuzon. Një shembull për ta ilustruar, është ai i një udhëtari në kërkim të rizkut. Ai e ndjen lodhjen e udhëtimit, por dashuria e tij për frytet e këtij udhëtimi, ia zbut lodhjen dhe e bën ta pranojë dhe të jetë i kënaqur me ato që heq.”
Të qenët i kënaqur, sipas Gazalit, është një gjendje ku arrihet triumfi ndaj instinkteve dhe pasioneve, sigurisht pas një konflikti mes stimujve të epshit dhe atyre të virtytit. Përvetësimi i durimit në këtë fazë dhe përkushtimi ndaj ushtrimeve për përsosjen e shpirtit për të hequr dorë nga ligësitë, i jep njeriut lirinë për të marrë në dorë veten dhe për ta udhëhequr atë. “Kur njeriu e kontrollon pasionin dhe zemëratën e tij, duke iu bindur stimujve të fesë… ai bëhet njeri i lirë.”
E nëse ndodh e kundërta dhe njeriu nuk ia del dot që ta kontrollojë veten dhe pushtohet nga instinktet “ai shndërrohet në një skllav i nënshtruar, si një kafshë, një rob që orientohet kollaj me kapistrën e epshit dhe që shkon nga ta urdhërojë instinkti.”
Që asokohe, imam Gazali e kuptonte metodën e terapisë së plotë, e cila bazohet te paralelizmi mes terapisë vetjake të cilën e bën vetë individi dhe terapisë objektive që bëhet nga jashtë, si një mësues dhe udhëzues. Ai thotë: “Njeriu gafil (i shkujdesur) i cili nuk e dallon dot të vërtetën nga e pavërteta dhe të bukurën nga e shëmtuara, i cili ka mbetur në natyrën e parë, krejt bosh nga besimet dhe bindjet… një i tillë e pranon shumë shpejt terapinë. Ai nuk ka nevojë tjetër përveçse për një mësues, orientues apo për një stimul të brendshëm, i cili e nxit për t’u përpjekur. Kështu, morali dhe virtyti i tij pësojnë përmirësim në kohë rekord.”
Përfundim
Pa frikën më të vogël mund të themi se, Imam Gazali është themelues i psikologjisë islame, se ai u ka paraprirë të tjerëve në themelimin e kësaj shkence në metodologji dhe subjekt. Këtë gjykim e mbështesim në bazë të fakteve që lartpërmendëm, të nxjerra nga burimet origjinale. Në fakt, nga gjithë ai masiv faktesh, kemi sjellë shumë pak të tilla, ato që na u dukën më të rëndësishme. Nga modelet e përmbledhura, duket që Gazali ka pasur një perceptim të drejtë mbi shumë probleme dhe patologji të shpirtit, të cilat i ka përshkruar në mënyrë objektive.
Ai ka qenë i ndërgjegjshëm edhe me rolin e aspektit shpirtëror në trajtimin dhe suksesin e terapisë psikologjike, duke mos i injoruar faktorët psikosocialë dhe psikosomatikë.
Nuk e teprojmë nëse themi se Gazali është një nga pionierët e parë të psikologjisë dhe edukimit. Ndoshta studimet shkencore dhe serioze të mëvonshme do të nxjerrin në dritë shumë nga xhevahiret e trashëgimisë sonë të lënë pas dore.[1]
Përktheu: Elmaz Fida
[1]. Artikull i marrë dhe përkthyer nga adresa: http://www.kalema.net/v1/?rpt=953&art
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...