Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Aug 24, 2016 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi 0
nga Prof. dr. Njazi Kazazi, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Gjuhësisë
1. Vështrim për mësimin e gjuhës shqipe para Rilindjes Kombëtare
Shqiptarët, ky popull i lashtë, kanë një nga historitë më të veçanta e më të larmishme, ndoshta ndër gjithë popujt e Evropës. Shekuj me radhë shqiptarët u gjendën nën trysninë e luftërave të ndryshme, po kjo nuk i pengoi të krijonin një traditë të pasur në të gjitha aspektet e jetës dhe, veçanërisht, në kulturë dhe arsim. Në periudha të caktuara kohore shqiptarët qenë të pushtuar politikisht, por shpirti i tyre nuk u pushtua kurrë; prej tij buruan këngët dhe vjershat më të bukura që i kushtoheshin atdheut e që andej rridhte dëshira e madhe e shqiptarëve për të mësuar gjuhën amtare dhe për të shkruar vepra të bukura në këtë gjuhë. Kështu përpjekjet për të realizuar këtë dëshirë nuk reshtën asnjëherë. Në të gjitha kohërat, në të gjitha stinët, në të gjitha skajet e Shqipërisë dhe me të gjitha mjetet, shqiptarët u përpoqën t’i jepnin gjuhës shqipe vendin e merituar.
Proceset e ndryshme historike që ndodhën në Mesjetë lanë gjurmë të thella në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Shqipëria ishte e pushtuar dhe kundrejt synimeve asimiluese të të huajve, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe u bë mjaft i vështirë. Në kushte të tilla, si gjuhë shkrimi në territoret shqiptare ishin latinishtja në veri dhe greqishtja në jug. Në shekullin XV gjuhë zyrtare u bë ajo turko-arabe, po krahas saj përdorej edhe gjuha latino-italiane. Megjithëse këto gjuhë depërtonin njëra pas tjetrës, ato nuk arritën të marrin statusin e gjuhës së folur nga populli, kështu që përdorimi i tyre u kufizua vetëm në administratën e pushtuesit, në shërbesat fetare dhe në shkollat e tyre. Në këtë kohë në vend njiheshin si institucione arsimore vetëm shkollat e huaja. Shqipja me sa duket filloi të mësohej më vonë, por përpjekjet për ta zhvilluar atë me alfabet origjinal mund të kenë filluar që në shekullin XVII.
* * *
Gjatë periudhës së Mesjetës, kur shkollat ishin të rralla dhe jo të gjithë fëmijët mund t’i ndiqnin ato, njerëzit krijuan vetë sisteme, rrugë dhe forma pune, mjete didaktike dhe edukative për të mësuar dhe edukuar të vegjlit e tyre. Gjëegjëzat, fjalët e urta, përrallat etj., që përfaqësojnë një sintezë të mendimit pedagogjik shqiptar të kohës, zgjeronin horizontin e njohurive, vinin në punë imagjinatën, përgatisnin breznitë e reja për jetën, kështu që, për rrjedhojë, këto mjete, veç të tjerave, merrnin funksionin edukativ shkollor.
Me shumë rëndësi në zhvillimin e kulturës shqiptare ishte zhvillimi i letërsisë didaktike-pedagogjike. Shkrimi i shqipes me alfabet të huaj është dokumetuar që në Mesjetë. Letërsia shqipe e kësaj kohe në plan të parë kishte përmbajtjen fetare, po në të nuk mungonin të dhëna për gjuhën, si dhe për virtytet morale të popullit. Në këtë letërsi mishëroheshin përpjekjet për t’i bërë ballë kulturës së pushtuesit që kërkonte t’u imponohej shqiptarëve. Me këtë synim krijuan një numër i madh autorësh duke filluar nga humanistët shqiptarë në shek. XV, duke vazhduar më tej në shek. XVI- XVII me Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin, si dhe mjaft autorë të tjerë në shek. XVIII. Kjo letërsi përshkohet gjithashtu edhe nga një frymë didaktike e pedagogjike.
Në këtë grup autorësh një vend nderi zë Gjon Buzuku me veprën e tij “Meshari”, e cila përmban edhe disa fragmente me karakter laik. Rëndësia e kësaj vepre qëndron në faktin se ajo përbën të parin dokument (libër të plotë) të shqipes së shkruar në Mesjetë. Mendohet që kjo vepër të jetë shtypur diku në trevën e Shkodrës. Këtë mendim shpreh edhe Norbert Jokli, duke përcaktuar si vendbotimin e tij Shqipërinë Veriore, veçanërisht Shkodrën, sepse një murg, Shtjefën Shkodrani, shkroi në serbisht një “Triod” të Pashkëve, një pjesë të të cilit e botoi së bashku me Kamilo Xanetin (Camillo Zanetti) në këtë qytet më 24 dhjetor 1563, ku ndoshta 8 vjet më parë doli edhe libri i Buzukut.[1]
Vepra e Lekë Matrangës “Mësimi i krishterë” ka rëndësi sepse “…është i pari dokument arsimor pedagogjik i një autori shqiptar, që është përpjekur për të organizuar mësimin fetar në gjuhën shqipe.” [2] Qëllimi kryesor i kësaj vepre ishte që edhe arbëreshët e Italisë të mësonin shqip dhe ta përdorin atë edhe në shërbesat fetare.
Të njëjtin qëllim me Matrangën kishin edhe Budi e Bogdani, më të cilët mendimi pedagogjik shqiptar shënon një shkallë më të lartë. Te “Doktrina e Krishterë” (1618), e cila është ndërtuar në formë dialogu, shprehet qartë dëshira e autorit për gjuhën shqipe. Në një fragment kur xhakoni i thotë latinisht lutjet, prifti i kthehet dhe e pyet: “Këto fjalë psi s’i thua mbë gjuhë tanë, ashtu si mun i ndigjojsh ma mirë…” [3]
Vepra e Bogdanit “Çeta e Profetëve” është përdorur edhe si tekst mësimor. Nga ana strukturore ajo është e ndarë në disa pjesë të tilla që mund të konsiderohen edhe si njësi mësimore të veçanta për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe.
Rilindësit tanë e kanë konsideruar si “abetare të parë” (kupto: tekstin e parë për mësimin e gjuhës shqipe të shkruar) veprën e Pjetër Budit, që u botua në Romë më 1621. Kalendari i Shoqërisë “Dija” në Vjenë, më 1908, f. 3-shkruan se “Më 1621, kur doli në dritë libri shqip “Speculum confessionis”, e të ndyerit Emz. Budi, u lind edhe i pari abetar shqip”.
Në shekullin XVIII, me përhapjen e Iluminizmit dhe të lëvizjeve të popujve për liri, erdhën edhe kërkesa të reja, mjaft të përparuara për kohën që lidheshin me shkrimin e shqipes dhe me zhvillimin e arsimit. Në këtë periudhë në Shqipëri ekzistonin disa shkolla të huaja si greke, latine etj., të cilat drejtoheshin nga kleri. Dëshmitë për shkolla edhe më të hershme i gjejmë në regjistat kadastralë, si p.sh.: në regjistrin e Vendedukut për Shkodrën (vitet 1416-1417), shkruhet se qyteti (Shkodra) kishte një shkollë dhe një tjetër gjendej në katundin e Podgorës.[4]
Ndërkohë u vunë re përpjekjet për arsim të disa elementëve atdhetarë me prirje iluministe. Kjo dukej sidomos në Shkollat e Voskopojës, Janinës etj., si dhe në veprimtarinë e pedagogëve të shquar si Grigor Voskopojari, Teodor Kavalioti, Kostë Beratasi, Teodor Haxhifilipi, të cilët lëvizjen arsimore e vunë mbi baza teorike. T. Kavalioti nga Voskopoja pati meritën e veçantë sepse ishte i pari që gjuhën shqipe e inkuadroi në praktikën shkollore dhe në tekstet e tij mësimore. “Vepra e tij “Protopiria” (“Mësimet e para”), botuar në Venedik, më 1770, është edhe manuali i parë shkollor fillestar i botuar, që njohim”. [5] Edhe në një dorëshkrim të Kostë Beratasit gjejmë të shkruar tekste në gjuhën shqipe, paralelisht me greqishten letrare dhe atë popullore, ndonëse kjo bëhej në dobi të greqishtes.
Ishin po këta autorë që shkruan me alfabet të huaj, ata që bënë përpjekje për shmangien e tij dhe për ta shkruar shqipen me alfabete të veçanta. Ata frymëzoheshin në këto përpjekje nga bindja se nuk mund të kishte një shkollë kombëtare në qoftë se nuk zhvillohej një kulturë shqiptare e shkruar mbi bazën e gjuhës amtare. Për të konkretizuar këtë bindje filluan të hartohen disa alfabete origjinale në shqip. I pari që e mori dhe e konkretizoi këtë nismë ishte Anonimi i Elbasanit (shek. XVII), i cili u pasua nga Teodor Haxhifilipi etj. Këto alfabete, për vetë kushtet në të cilat u hartuan morën një rëndësi të veçantë, sepse çdo germë shqipe, çdo fjalë shqipe ishte në emër të idealit të zhvillimit të shkollës kombëtare.
Që nga pushtimi osman e për një kohë të gjatë pothuajse në të gjitha shkollat mësimi bëhej në gjuhë të huaj, po gjithsesi nën ndikimin e faktorit shqiptar. Në Mesjetë arsimi dhe kultura ishin të lidhura në mënyrë të pandashme me fenë. Ndër shkollat greqishte më të zhvilluara që frekuentoheshin nga nxënësit shqiptarë kanë qenë shkollat e Janinës, të cilat kishin dhe arsimin e mesëm me tri klasë.
Në mesin e shek. XII, veç kulturës greke, në Shqipëri depërtoi edhe ajo latine si rrjedhojë e ndikimit të katolicizmit. Kjo kulturë preku fillimisht qytetet e bregdetit në të cilat flitej shqip dhe më pas krahinat e Shqipërisë së Veriut si dhe Ulqinin. Edhe në qytete e fshatra më të thella kishte shkolla në të cilat mësohej shkrim e këndim në latinisht. Këto vazhduan deri në shekullin XVII në Shkodër, Lezhë, Prizren dhe Shkup.
Më 1502, shqiptarët e shpërngulur në Venedik hapën një shkollë për fëmijët e tyre që u quajt “Scuola degli albanesi”, ku dhanë mësim edhe humanistë shqiptarë, si: Marin Biçikemi e Leonik Tomeu. Mësimi është zhvilluar në gjuhën shqipe, por janë mësuar edhe gjuha latine dhe greke. Shkolla ishte qendër e bashkatdhetarisë shqiptare, zbukuruar dhe pajisur me vepra arti me tema shqiptare nga piktori dhe skulptori shqiptar Viktor Kërpaçi (1455-1566) nga Korça.[6] Në shek. XVI zunë fill edhe përpjekjet e arbëreshëve të Italisë për mësimin e shkrimin e shqipes. Më 1734, hapi dyert e tij Kolegji i Palermos në Sicili, ndërsa në vitin 1782 Kolegji i Shën Benedeto Ulanos në Kalabri. Mëgjithëse këto ishin në fillimet e tyre, kolegje fetare, shumica e nxënësve ishin arbëreshë dhe tregonin një dashuri dhe kujdes të veçantë për gjuhën amtare.
Në shek. XVI, pas një rezistence të gjatë, turqit omanë vendosën sundimin e tyre në Shqipëri dhe si rrjedhin filloi dhe konvertimi i shqiptarëve në fenë islame. Në këto kushte nuk mund të mos fillonte përhapja e shkollave turke (mejtepeve). Në shek. XVIII numri i këtyre shkollave u rrit shumë dhe filluan të fillojnë të funksionojnë edhe medresetë, si insitucione të arsimit të mesëm. Ndër dëshmitë e para të historisë së arsimit në këto treva është libri i udhëtarit turk Evlia Çelebi (1611- 1684) që në vëllimet 6-8 të veprës së tij shumëvëllimëshe “Seyahatnamè” (përkthyer në shqip prej Salih Vuçiternit nën titullin “Shqipëria para dy shekujsh”, Tiranë, 1930) flet, veç të tjerave, edhe për gjendjen arsimore në Shqipëri. Ndër të tjera, ai shprehet se banorët e Shkodrës janë krejtësisht shqiptarë, komb tjetër s’ka… e flasin krejt shqip. Gjithashtu ai thekson se: “…ka dhjetë xhami dhe pranë çdo xhamie nga një medrese…”. Mendimi ynë është se nuk bëhet fjalë për medrese në kuptimin e plotë të kasaj fjale, si shkolla të mesme, por për shkolla të ulëta, fillore, ku përveç besimit mësohej shkrim e këndim dhe aritmetikë.
Në këtë periudhë ekzistonin tri grupe shkollash:
Në këto shkolla, ndonëse me programe turke, të gjithë nxënësit dhe pjesa më e madhe e mësuesve ishin shqiptarë dhe as nuk mund të mendohet se qëllimi kryesor dhe i vetëm i tyre ishte përhapja dhe mësimi i besimit.
Përpjekjet e feudalëve shqiptarë në Veri dhe në Jug për të krijuar shtete të centralizuara, jashtë varësisë turke, kërkonin edhe zhvillimin e arsimit mbi shkollën qytetëse, sepse vetëm kështu mund të përballonin drejtimin e shtetit në të gjitha fushat. Këtu zënë fill edhe përpjekjet e Mehmet Pashë Plakut, i cili themeloi të parën medrese në Lagjen Qafë. Kjo mendrese bënte pjesë në “Kompleksin arsimor-kulturor” të Bushatlinjve, që zuri fill rreth viteve 1770-1780, në të cilin bënin pjesë edhe biblioteka dhe konvikti (internati). Me ardhjen në fuqi të Karamahmud Pashës, u hap nga ai edhe një medrese tjetër në Pazar (Pazarin e Shkodrës). [8] Medresetë e hapura nga Bushatlinjtë, në kohën e lulëzimit të tyre, qenë vepra shqiptare se mësimi bëhej shqip, mbaheshin me fonde shqiptare, nxënësit dhe mësuesit ishin tërësisht shqiptarë. Në historinë e arsimit ky fakt nuk është i parëndësishëm.
* * *
Futja dhe përdorimi i gjuhës shqipe të shkruar u bë nevojë e domosdoshme për kohën. Populli nuk kuptonte as greqisht, as latinisht e as osmanisht. Kështu filluan të konkretizoheshin përpjekjet për arsimim në gjuhë amtare. Të qenësishëm këtë fakt e bëjnë gjurmët që ndeshen më 1632 në dy shkolla të Lezhës, më 1638 në shkollën e Pllanës, më 1639 në shkollën e Blinishtit, e cila mori përmasat e një gjimnazi, pasi që në fillim kishte 50 nxënës dhe më 1690 një shkollë tjetër funksiononte në Velë të Mirditës.[9] Alfabeti latin i përshtatej më së miri gjuhës shqipe (ndonëse nuk i plotësonte të gjitha kërkesat e përmbajtjes tingullore të shqipes) dhe kjo ishte një mundësi më shumë për zhvillimin e arsimit shqip në të gjitha qendrat, përfshirë edhe Shkodrën. Kështu më 1745 funksionoi një shkollë me 30 nxënës dhe mësues laikë, më 1775 në Sheldi u hap një shkollë tjetër nën drejtimin e një kleriku vendës. Edhe në qytetin e Shkodrës, më 1789, Filip Shkodrani hapi një shkollë fillore.
Mendojmë se duhet shënuar se zhvillimet e arsimit në gjuhën shqipe në trevën e Shkodrës bëheshin edhe me interesimin e drejtpërdrejtë të Perandorisë dualiste (Austro-Hungareze), e cila në marrëveshje me Portën e Lartë, nëpërmjet traktateve të Karloviçit (1699), të Pazaroviçit (1718) dhe të Beogradit (1739), kishte fituar të drejtën e “protektoratit të kultit” në Shqipëri. [10]
Edhe në Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit u bënë hapa të dukshëm në këtë aspekt. Që në shek. XVI në këtë trevë u aplikua mësimi dhe shkrimi i shqipes me alfabet latin. Në Janievë të Kosovës që në shek. XVII ekzistonte një shkollë ku mësohej shqip në shtëpinë e Andrea Bogdanit, madje informacionet flasin për një shkollë më të hershme në Lesnicë të Shkupit, më 1584 dhe një tjetër në Strumbull të Gjilanit, të cilat më shumë se sa shkolla ishin kolegje fetare.
Kjo punë vazhdoi deri në shek. XVIII. Në Gjakovë mësimi i shqipes vërtetohet që më 1782 dhe si tekst mësimor u përdor katekizmi që kishte bërë Gjon Nikollë Kazazi. Në këto shkolla përveç “Doktrinës së Krishterë” që kishte sjellë në shqip Budi, mund të përdoreshin edhe materialet e botuara nga Kuvendi i Arbërit (1703). “Në kolegjet përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët. Mësimet në këtë shkolla zhvilloheshin edhe në gjuhën e vendit (lingua vernacula). Për këto arsye këto i donte populli sepse veç të tjerave ai dëgjonte dhe shkruante aty gjuhën amtare”. [11]
Në kushtet e një përhapjeje të tillë të shkollave lindi nevoja e teksteve mësimore. Priftërinjtë-mësues shqiptarë bënë përçapje në këtë drejtim, duke bërë disa tekste në shqip të cilat gjithsesi ishin në nivelin e teksteve fetare. U përdorën si tekste mësimore nga nxënësit: vepra e Budit, “Çeta e profetëve” nga Bogdani, “Fjalor latinisht-shqip” i Bardhit, “Gramatika latinisht-shqip” e Andre Bogdanit”, “Gramatika e shqipes në italisht” (1914) e Da Leçes, si dhe mjaft tekste të tjera.
Edhe në Jug të vendit hapja e shkollave mori përmasa të mëdha, por këtu shqipja mësohej me alfabetin grek. Mësimi i shqipes këtu u bë më i nevojshëm për të lehtësuar mësimin e greqishtes. Më 1627, prifti Neofil Rodino hapi një shkollë në bregdetin e Himarës; më 1660 U. Kostandini rihapi shkollën e Dhërmiut; më 1663 një shkollë tjetër u hap në Plasë nga Jan Krisafida dhe më 1703 në Elbasan hapet një shkollë greke ku dha mësim Dhaskal Todri. Po shqiptarët nuk ishin të kënaqur me shkolla të këtij niveli. Kështu më 1737, Spiro Strati mori nismën për të hapur një shkollë në Delvinë të cilën e identifikoi me emrin “Institut diturie” për nxënës. Jo vetëm kaq, po më 1749 hapet një e ashtuquajtur “Akademi e Delvinës”, në të cilën mësohej greqisht e latinisht. “Bregdetasit i donin këto shkolla sepse nëpërmjet tyre populli gjente mënyrën që jo vetëm merrte dituri, por edhe bënte përpjekje për të ushtruar gjuhën e vet e për të përtërirë kulturën kombëtare”. [12]
Një ngjarje me rëndësi në historinë e arsimit shqiptar është hapja e një shkolle në gjysmën e dytë të shek. XVII, në Voskopojë. Më 1750 kjo shkollë mori emrin “Akademia e Re”, sepse programi i saj ishte në nivel akademik. Edhe këtu gjuha shqipe zuri vend me pretekstin për të lehtësuar mësimin e greqishtes, po poshtë kësaj vlonte dëshira e atdhetarëve që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën shqipe në shkolla.
Siç dihet, Rilindja Kombëtare qe një lëvizje e madhe atdhetare, mendore, kulturore, arsimore etj., që përshkoi të gjitha fushat e jetës shqiptare, qe një periudhë që karakterizohet nga rilindja e kombit dhe futja e tij në rrugën e përparimit si kombet e tjera të Evropës. Ajo përfshiu të gjitha sferat e jetës shpirtërore, morale, ushtarake, materiale etj., që gjeti edhe një pasqyrim të fuqishëm në fushën e arsimit kombëtar dhe të mësimit të gjuhës shqipe. Kombi shqiptar ende vuante pasojat e administrimit osman, i cili nuk lejonte hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu rilindësit, duke analizuar të gjitha rrugëzgjidhjet e kësaj situate, arritën në përfundimin se aspirata e tyre për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mund të bëhej realitet vetëm nëpërmjet dy rrugëve të cilat ishin në funksion të njëra-tjetrës:
Edhe pas dekretit të Gjylhanesë, i cili në fushën e arsimit parashikonte që sistemi arsimor të organizohej në shkolla shtetërore, trevat shqiptare nuk përfituan asgjë, madje as nga reformat e tjera të këtij dekreti. Si rrjedhojë, në atë kohë, mundësia për t’u arsimuar varej nga përkatësia fetare. Shkollat dhe mësimi i gjuhës shqipe ishin objekt i goditjeve të vazhdueshme nga ana e pushtuesit.
Me kalimin e kohës “… u rrit nevoja për një arsim laik, shqip nga gjuha, kombëtar nga fryma dhe praktik për jetën” [13]
Nga disa të dhëna rezulton se në gjysmën e parë të shek. XIX, në Shkodër kanë funksionuar disa qendra arsimore nën drejtimin e mësuesve vendës, si: Gegë Kodheli, Gjon Shkrumi, Zef Kamsi etj. Kodheli hapi më 1830 një shkollë të cilën e frekuentonin 50 nxënës. Këto qendra arsimore ishin të shpërndara në lagje të ndryshme të qytetit, mbaheshin me ndihma nga qytetarët, mësimet bëheshin në gjuhën shqipe dhe nuk kishin ndonjë sistem didaktik për t’u dalluar. Rreth mesit të këtij shekulli kleri katolik solli mësues të huaj, që kishin nivel më të lartë. Një ndër këto shkolla është edhe ajo e Gjergj Benusit, i cili mbajti një shkollë shqipe në shtëpinë e tij për 12 vjet. Punën e tij e vazhdoi edhe i biri, Gaspri, didakti i njohur i Rilindjes, autori i shumë teksteve shkollore dhe në veçanti i abetareve shqipe, ndër të vetmit shkodranë që bashkëpunoi me Shoqërinë e Bukureshtit. Edhe në treva të tjera të vendit gjenden dëshmi për mësimin e shkollën shqipe. Fakti që disa të moshuar, madje edhe femra, në fund të shek. XIX, dinin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën amtare, flet qartë për rolin e këtyre shkollave dhe kontributin që dhanë për të mbajtur gjallë gjuhën e shkruar shqipe. Për raste konkrete, me emra, është shkruar që herët në shtypin shkencor, madje që në fillimet e shek. XX. [14]
Ndonëse nën presionin e përndjekjeve dhe rrezikut për jetën, shqiptarët dhe gjuha shqipe tashmë ishin kthyer në një binom të pandashëm dhe falë kësaj nuk i trembeshin asgjëje. Rilindësit kishin bindjen se arsimi duhet të zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe dhe me një alfabet të përbashkët. Për këtë qëllim ata vetë hartuan tekste mësimore, veçanërisht abetare shqipe, duke i quajtur këto si të vetmet mjete për mësimin e gjuhës amtare të shkruar.
I pari që bëri udhë në këtë drejtim, ishte Naum Veqilharxhi, i cili krijoi një alfabet origjinal me 32 tinguj-shkronja, dhe më 1844 botoi tekstin e parë për mësimin e gjuhës së shkruar, me titull “Fort i shkurtër dhe i përdorçim Ëvetar shqip…”, prej 8 faqesh. Një vit më vonë e ribotoi atë, duke e plotësuar dhe shtuar vëllimin në 45 faqe, nën titullin “Farë i ri Ëvetar shqip për djelm nismëtorë…”. Autori i të parës abetare shqipe i njeh një rol të pazëvendësueshëm arsimimit dhe shkollës në luftë për një Shqipëri të pavarur dhe veç kësaj mendon se i vetmi mjet didaktiko-pedagogjik i kësaj shkolle është gjuha shqipe. Sipas tij, të mësuarit në gjuhë amtare është parësore dhe e domosdoshme, sepse “… edhe kur të arrijë në mësime të larta, përsëri në gjuhë të tij merr shpejt përpara, prandaj po të njohë gjuhën e tij mirë, shpejt dhe lehtë mëson çdo (gjuhë) të huaj”. [15]
Në mesin e shek. XIX në të gjitha trevat shqiptare, kishte filluar në njëfarë mënyre mësimi i gjuhës së shkruar në shkollat e kohës. Nga korespondenca e korçarëve me Veqilhaxhin (1845) mësohet se me tekstin e tij të abetares, mësimi i shqipes filloi të përhapej jo vetëm në Korçë, por edhe në Përmet, Berat e gjetkë. Në vitet ‘50-60 të shek. XIX, fqinjët e Shqipërisë shpejtuan të hapin mjaft shkolla që përbënin një rrezik për kulturën dhe arsimin shqiptar, por si kundërpërgjigje e kësaj, mjaft elementë intelektualë-atdhetarë, morën nisma për të hapur shkolla shqipe. Panajot Dhima më 1851 ngriti një shkollë për vajza në lagjen Varosh të Gjirokastrës; Anastas Byku më 1861 botoi edhe një libër për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe, titulluar “Gramë për shqiptarët”, në të cilin përdorej alfabeti grek për mësimin e shqipes. Ndërkohë që në trevën e Shkodrës në këtë periudhë pati një lulëzim të përhapjes së shkollave shqipe. Më 1859 u hap një shollë për vajza nga Kushe Mica, Tina Nika e Terezë Bërdica. Shkolla e Benusit, Gasprit, me një farë sistemi didaktik, vazhdonte prej vitesh. Më 1959 shënohet ditëlindja e Seminarit Papnuer me 20 nxënës. Më 1861 u hap shkolla Fretnore. Më 1877 filloi punën Kolegji saverian i Jezuitëve dhe më 1879 Motrat Stigmatine çelën një shkollë për vajza.
* * *
Në vitet ‘50 e më pas përpjekjet e shqiptarëve brenda atdheut u bashkuan me veprimtarinë e madhe e të gjithanshme të atdhetarëve në mërgim, të cilët tashmë po organizoheshin në shoqëri atdhetare, arsimore e kulturore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e mësimit shqip, për botimin e teksteve shkollore, krahas revistave, gazetave etj. etj. Bashkatdhetarët në mërgim u vunë në shërbim të luftës për liri, të gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar, me të gjitha mjetet e mundësitë e mbi të gjitha me dëshirën e tyre të zjarrtë.
Në fundin e viteve ‘60, Daut Boriçi, më vonë kryetar i degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shkodrën, botoi dy abetare me alfabet turko-arab dhe me 7 tinguj-shkronja që i krijoi vetë, për të plotësuar nevojat tingullore të shqipes. Pavarësisht nga alfabeti, ai futi në shkollat e kohës gjuhën shqipe dhe e konsideronte atë si pikënisje për arsimimin e breznive të reja, duke vënë turqishten në plan të dytë.[16]
Bashkëkohës me D. Boriçin, Konstandin Kristoforidhi, intelektual i përmasave evropiane, zë një vend të nderuar në radhën e gjatë të rilindësve që dhanë ndihmesën e tyre për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe. Kushtrimi i Kristoforidhit se “…po ndëmos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot mbë këtë ditë, nuk do të shkojnë shumë vjet, dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut, as nuk do të shënonetë më emri i Shqipërisë ndë hartat e botës, as nuk do të përmendet më bir shqiptari e bijë shqiptare pas kësaj jete…” [17] shprehte një rrezik konkret dhe ishte një program lufte e pune për gjithë rilindësit dhe shqiptarët në përgjithësi.
Kristoforidhi, krahas veprave të tij madhore si botimeve në shqip të Dhiatës së Vjetër e të Re, Gramatikës shqipe dhe Fjalorit shqip-greqisht, prozës së bukur “Gjahu i malësorëve” etj. “… në dhjetor 1867 kishte në shtyp abetarten gegërisht, ndërsa abetarja toskërisht ishte gati në fund të janarit 1868” [18] duke dhënë ndihmesë konkrete në këtë fushë.
Abetaret e Kristoforidhit dallohen në vargun e gjatë të abetareve shqipe për nivelin bashkëkohor të strukturës së tekstit dhe metodat e transmetimit dhe të formimit të aftësive dhe shprehive të lexim- shkrimit, për gjuhën e bukur dhe të zgjedhur në varësi të moshës së fëmijëve, për nivelin e lartë artistik të pjesëve dhe modelin e letërsisë didaskalike që dha.
Edhe arbëreshët e Italisë qenë shumë aktivë ndaj këtij problemi kaq të mprehtë e që lidhej me qenien e kombit shqiptar. Për këtë ata ngritën disa qendra mësimore, për të cilat këmi folur më sipër, por rëndësi të veçantë pati themelimi i Katedrës së gjuhës shqipe (1849), me kontributin e jashtëzakonshëm të Jeronim de Radës. Vetë ngritja e Katedrës në këtë kolegj, që sipas Dora D’Istrias, kishte premisa për të marrë statusin e një universiteti, dëshmon se për arbëreshët jo vetëm duhej të flitej shqipja, por duhej shkruar dhe studiuar në nivel të lartë.
Nuk do të kishte kuptim të flasim për problemet e arsimit në shqip në periudhën e Rilindjes Kombëtrare pa vënë në dukje programin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP) në këtë fushë. Idetë dhe platforma arsimore e kësaj periudhe u bënë pjesë e përbërëse e shumë veprave, artikujve dhe fjalimeve të ideologëve të shquar të Rilindjes Kombëtare. Një pikë kulmore në programin arsimor të LSHP përbën botimi dhe përhapja në mënyrë të rrufeshme e “Alfabetare e gluhësë shqip”, ose Alfabetarja e Stambollit, siç quhet shpesh në shtypin pedagogjik, nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit.
Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës që ishin shtruar për zgjidhje. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në përputhje me ngjarjet politike, arsimore, kulturore të LSHP dhe zbatohen në përmbajtjen e saj, në mënyrë të plotë, pikat e programit kombëtar për arsimimin e breznive të reja dhe mësimin e gjuhës shqipe të shkruar nga masat e popullit.
Në vargun e shumë problemeve të rëndësishme që shtroheshin për zgjidhje, çështja e një alfabeti të përbashkët [19] për të gjithë shqiptarët, mbajtja gjallë dhe lëvrimi i mëtejshëm i gjuhës shqipe të shkruar, ishin ndër më të mprehtit. Në aspektin e politikës gjuhësore, kulmin e veprimtarisë së saj, LSHP e arriti në qershor-tetor 1879, me diskutimet për alfabetin dhe krijimin e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”. Motoja e kësaj shoqërie u bë “Tempulli i shqiptarëve janë shkollat shqipe dhe gjuha e shenjtë për ta është vetëm gjuha shqipe”. Në nenin e parë të “Kononizmës…” sanksionohej se shkronjat (kupto: librat) që do të shtypë kjo shoqëri do të jenë “shkronja mësimi”.
Kërkesat për shkolla dhe arsim në gjuhë amtare, shtoheshin njëherësh, në një plan, me çlirimin nga pushtuesit e huaj dhe me “mëvehtësinë” e popullit shqiptar, sepse “Sot është dita, -shkruante Samiu, q’edhe Shqipëtarë të të zënë të shkruajën’ e të këndojënë gjuhën’ e tyre, që të mundinë të ruajënë kombinë”. [20]
Nuk është e rastit që bashkautorët e kësaj abetareje janë katër ndër përsonalitetet më përfaqësuese të lëvizjes mendore të Rilindjes: Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e Koto Hoxhi, që përfaqësohen me pjesë të ndryshme, duke krijuar kështu një vepër kolektive. Në kuadrin e gjithë përpjekjeve të Lidhjes dhe Komitetit të Stambollit për hapjen e shkollave shqipe, “Alfabetarja…” nga ana didaktike plotëson një nevojë të kohës për tekste shkollore për mësonjëtoret e para (kupto: shkollat fillore). Teskti në fjalë (që u botua në 20 000 kopje) nuk mund të quhet thjesht një libër leximi; ai është dokument didaktik arsimor që përfshin abetaren, gramatikën e gjuhës shqipe, aritmetikën, gjeografinë (dheshkronje), historinë e deri edhe edukimin moral, në përputhje me planin mësimor të arsimit fillor, të projektuar nga rilindësit.
Në “Alfabetare…” përfshihet, veç të tjerave, edhe një shkrim i Samiut “Gjuha shqip”, në të cilin, përveç jehonës që i bën mësimit në gjuhën shqipe, e quan atë kusht për qenien e një kombi dhe shpreh druajtjen e tij ndaj asimilimit. E gjithë esenca e konceptit rilindës për çështjen e gjuhës shqipe shprehet dhe merr formë në fjalët e Samiut “…çdo shqipëtar, i madh e i vogël, të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën e tij që ka mësuarë me qumështit të s’ëmës, në do të jetë për gjithë jetënë ajo që fëmijë e tij, bark pas barku, shqipëtar dhe në ka dëshirin që të rronj’ e të jetë Shqipëria e shqiptarija jetë pas jete e të ndritohet edhe kombi ynë me dituri, më pasje e me rrojtje të mirë.” [21] Ishin këto fjalë që u kthyen në sllogan për lëvizjen e Rilindjes së kombit, ato që u kujtonin rilindësve dhe mbarë kombit se asnjëherë nuk duhet menduar se kanë bërë mjaft për gjuhën shqipe. Jani Vreto e shpjegon në tekst me hollësi nga pozita e didaktit, rrugën e mësimit të gjuhës shqipe, përmbajtjen tingullore të saj etj.
“Alfabetarja…” qe një gur themeli në rrugën e gjatë e të pasur të teksteve shkollore shqipe, model dhe pikë referimi për autorët e mëvonshëm.
Për publikimin që i bëri alfabetit të Stambollit i cili i u përdor deri më 1908 dhe për ndihmesën që dha kjo abetare për mësimin e gjuhës shqipe, të shkruar nga dhjetëra brezni, Sami Frashëri do të shkruante me entuziazëm: “…më njëzet vjet shkronjat shqip lëshuan aq rrënjë të shëndosha e zunë aq themele të forta, sa s’mund të shkulen dhe të rrëzohen kurrë…Ky dru (kupto: “Alfabetaren…” shën. Im – Nj. K.) q’u vu njëzet vjet më parë, u lulëzua edhe dha pemë fort t’ambla e të bukura.” [22]
Gjatë vitit 1880, Porta e Lartë ndërmori një sërë goditjesh kundër Shoqërisë së shkronjave, duke mos lejuar më as botime librash, as ngritje shkollash shqipe. Vetëm dega e asaj me qendër në Bukuresht i shpëtoi këtyre ndjekjeve dhe më vonë kjo degë do të mbetej ndër shpresat e vetme për realizimin e programit arsimor të LSHP.
Problemi i gjuhës shqipe, tashmë, ishte bërë pjesë përbërëse themelore e programit politik e kulturor, çlirimtar dhe demokratik të Rilindjes. [23] Gjuha shqipe shihej si një ndër rrugët e bashkimit të popullit pa dallim feje a krahine dhe nëpërmjet tij mund të arrihej te çlirimi kombëtar. Pikërisht këtu konsistonte pjesa më e madhe e krijimeve të kësaj periudhe. Poezitë e P. Vasës, Gj. Fishtës, N. Frashërit, N. Mjedës e ngrinin në piedestal gjuhën shqipe.
Edhe pas LSHP përpjekjet për lëvrimin e gjuhës shqipe u thelluan dhe u çuan më tej. Në këtë periudhë në mënyrë të fshehtë funksiononin disa shkolla, si: në Korçë, Dibër, Krujë, Berat, Kolonjë, Gjirokastër, Çamëri etj. Gjithashtu edhe në vilajetin e Shkodrës mësimi i shqipes së shkruar kishte bërë hapa përpara. Ajo mësohej në Troshan – 1882, në Shkodër – 1887, në Blinisht – 1891, në Pllanë – 1898, ndërkohë që edhe në Milot, Rrëshen, Hajmel, Bushat, Lezhë, Rubik, Kallmet etj., ishin hapur shkolla shqipe. Gjuha amtare në këto shkolla mësohej në mënyrë të fshehtë edhe në shkolla të huaja nga mësues atdhetarë. Me gjithë këto përpjekje në të gjitha trevat shqiptare, kishte mjaft shkolla turke, greke dhe bullgare. Megjithëse në fushën e mësimit të shkrim-leximit të shqipes ishte hedhur një hap përpara, përsëri shkolla shqipe nuk mund të quhej shkollë kombëtare. Idetë e rilindësve për çështjen e arsimit në fillimin e viteve ’80 nuk ishin realizuar plotësisht. Librat dhe botimet në gjuhën shqipe nuk ishin të mjaftueshme, shkollat shqipe nuk lejoheshin, disa shkolla private kishin nivel të ulët pedagogjik. Në këto kushte u pa se nuk mund të realizohej asgjë në qoftë se nuk punohej në mënyrë shumë të organizuar dhe të gjithë së bashku për të krijuar shkollën kombëtare shqipe.
Korça u bë epiqendra në këtë kohë si zona më e favorshme për vënien në jetë në mënyrë të hapur planin për hapjen e shkollës shqipe. Me një kontribut të jashtëzakonshëm të mbarë shqiptarëve që nga qyteti i Korçës deri në Bukuresht e në Stamboll, me mbërritjen në Korçë të Pandeli Sotirit, më 7 mars 1887, çeli dyert e saj “Mësonjëtorja shqipe e Korçës”. Për të mësuar aty erdhën 35 nxënës. Ndonëse kjo mësonjëtore nuk ishte e para e këtij lloji, ajo mori karakter kombëtar dhe laik dhe pikërisht kjo justifikoi entuziazmin e madh që shkaktoi në popull hapja e saj. Ajo ishte në fillim katër klasëshe dhe me një klasë përgatitore. Në planin mësimor të kësaj shkolle lëndët kryesore ishin: shkrim-këndimi në shqip, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia dhe mësimi i natyrës. Në fillim u bë si gjuhë e huaj turqishtja, por më pas frëngjishtja dhe greqishtja. Numri i nxënësve të saj erdhi gjithnjë duke u rritur. Ajo shërbeu si model edhe për hapjen e shkollave kombëtare. Hapja e një numri shkollash bëri që të rritej edhe më tepër nevoja për tekste në gjuhën shqipe si dhe të bëhej më e fuqishme lëvizja arsimore në gjuhën amtare.
Një rol të rëndësishëm në hapjen e shkollave luajti edhe shtypi shqiptar në fund të shek. XIX. Në mjaft artikuj, në gazeta dhe revista të kohës, gjuha shqipe dhe mësimi i saj u bënë çështje e ditës.
Në maj të vitit 1889, në Prizren u hap një tjetër shkollë shqipe kombëtare. Në të punoi si mësues Mati Logoreci. Një veçori tjetër e kësaj shkolle është se këtu filluan të mësojnë shkrim e këndim në gjuhë amtare edhe prindërit e nxënësve. Kjo shkollë u mbyll më 1898, por u hap përsëri. Me gjithë përndjekjet e vazhdueshme në tërë trevën e Kosovës vazhduan të hapeshin shkolla, si: në Pejë, Gjakovë, Janievë, Shkup, Ferizaj etj. Krahas Mati Logorecit, Lazër Lumezit u radhit edhe Shtjefën Gjeçovi, që u shqua edhe për veprimtari të larmishme pedagogjike.
23 tetori i vitit 1891 shënon hapjen e një shkolle për vajza në Korçë nga Gjerasim Qiriazi dhe e motra, Sevasti. Gjuhë mësimi ishte gjuha shqipe dhe vajzat edukoheshin me frymë atdhetare. Një numër i madh shkollash u hapën në zonat e Korçës, Kolonjës, Pogradecit etj. Gjithashtu qyteti i Manastirit ishte bërë një pikë strategjike për botimin dhe shpërndarjen e abetareve dhe librave shqip të cilat i dërgonin kolonitë shqiptare.
Mungesa e mësuesve të gjuhës shqipe dhe niveli jo i lartë solli si nevojë të kohës përgatitjen e tyre. Për këtë, me inisiativën e shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, u arrit të hapej një shkollë pedagogjike në të cilën mësimi zhvillohej shqip dhe rumanisht. Edhe Shoqëria “Dëshirë” e Sofjes pati ndikim të madh në hapjen e mjaft shkollave shqipe në vise të ndryshme të Shqipërisë, veçanërisht për botimin e shumë teksteve shkollore dhe dërgimin e tyre në Shqipëri. Përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke dhe serbe, shtronte në mënyrë të ngutshme hapjen e shkollave në gjuhë amtare.
Komiteti i Kuvendit të Dibrës luftoi për hapjen e shkollave shqipe në të cilat mësimi duhej të zhvillohej në gjuhën amtare, ndërsa Haxhi Zeka do të thirrte një kuvend në të cilin do të flitej edhe për futjen e gjuhës shqipe, në mënyrë të përshkallëzuar, në të gjitha shkollat e vendit, po Lidhja e Pejës nuk arriti të realizonte programin e saj. Si rrjedhim gjuha shqipe mund të mësohej vetëm ilegalisht, nëpër shtëpi etj., kudo ku ishte e mundur. Në këto kushte ndihmesë shumë të madhe kanë dhënë edhe mësuesit shëtitës. Shkolla shqipe të tilla kanë vepruar në gjithë trevat shqiptare.
Më 1901 edhe në Borgo Erico dhe në Zarë u bënë përpjekje për të hapur shkolla shqipe. Këtu si mësues i parë në kurset e mësimit të shqipes ishte Pashko Bardhi. Gjithashtu këtu punuan si mësues edhe Sh. Gjeçovi, Gjergj Koleci etj.
Në fillimin e shek. XX kishte disa shkolla në të cilat mësohej shqipja. Një shkollë e tillë djemsh (1907- 1908) kishte 35 nxënës dhe dy mësues, Mati Logorecin dhe Ymer Sollakun. Por shqipja po mësohej gjithnjë e më shumë në qytete edhe fshatra. Ndërkohë që Shkodra ishte bërë një vatër mjaft frytdhënëse për përhapjen e librave të mësimit të shqipes. Gazeta “Drita” e Sofjes shkruante në janarin e vitit 1908 se “Ka disa vjet që shkrim-këndimi i gjuhës shqipe në Shkodër po përparon dhe zun të marrin vesh shkodranët dobinë e shkrimit e të këndimit në gjuhë të vet se nga italishtja nuk ia panë dhe nuk ia kanë fare hajrit”. [24]
Rol të rëndësishëm luajtën edhe shoqëritë, si: “Bashkimi” e “Agimi”; klubet, si: “Gjuha shqype” etj., që botuan libra shkollorë, abetare, tekste leximi për mosha dhe nivele të ndryshme dhe që dhanë kështu ndihmesë konkrete për mësimin e gjuhës së shkruar.
Shkolla Fretnore e Shkodrës, e themeluar më 1861, vazhdoi me katër klasë fillore deri më 1902. Me ardhjen Gjergj Fishtës si drejtor i saj, u vendos gjuha shqipe si gjuhë mësimi dhe mësimet janë dhënë “… përherë në themel të ndjenjave shqiptare.” [25] Ai bën disa ndryshime në planin mësimor, duke shtuar numrin e klasave në gjashtë, si më poshtë:
Nr. | Lëndët | Kl. I | Kl. II | Kl. III | Kl. IV | Kl. V | Kl.VI |
Besim | 2 | 2 | 2 | 2 | 2 | 2 | |
2. | Lexim e shkrim | 6 | 6 | 6 | 5 | 4 | 3 |
3. | Gjuhë mësimi | 6 | 7 | 5 | 5 | 6 | 5 |
4. | Aritmetikë e gjeom. | 5 | 4 | 4 | 4 | 4 | 4 |
5. | Histori natyre – fizikë | – | – | 1 | 2 | 2 | 3 |
6. | Gjeografi e histori | – | – | 1 | 2 | 2 | 2 |
Vizatim | 1 | 1 | 1 | 1 | 1 | 1 | |
8. | Këngë e gjimnastikë | 2/2 | 2/2 | 2/2 | 2/2 | 2/2 | 2/2 |
Shuma: | 22 | 22 | 23 | 24 | 24 | 24 [26] |
Siç shihet nga plani mësimor që kemi arritur të gjejmë në fondin e Muzeut Historik të Shkodrës, gjuha shqipe zinte një vend tepër të madh, që shkonte deri në 50 % të të gjithë orëve të mësimit në javë.
* * *
Pas revolucionit të turqve të rinj, lëvizja arsimore për mësimin e gjuhës shqipe shënoi një ngritje të madhe, sidomos në aspektin organizativ. Pothuajse në të gjitha qytetet lindën klube e shoqëri patriotike të cilat kishin përcaktuar statutet dhe programet e tyre. Në këto të fundit një vend të veçantë zë çështja e arsimimit në gjuhën shqipe.
Më 1908 një numër i madh shkollash u hapën njëra pas tjetrës: duke filluar që në gusht të atij viti, një shkollë fillore shqipe u hap në Elbasan; në Berat u hapën dy të tjera, gjithashtu edhe në Tiranë e Vlorë, edhe në Gjirokastër e Korçë në dispozicion të nxënësve u vunë dy shkolla, një për djem e një për vajza.
Mësimi i gjuhës shqipe nuk bëhej vetëm në qytete, por edhe në fshatra, falë shkollave që u hapën edhe në treva të ndryshme të vendit. Madje mësimi i gjuhës shqipe në këto vite nuk bëhej vetëm në shkolla fillore për fëmijët e kësaj moshe, por edhe në shkolla e kurse të mbrëmjes, që destinoheshin për të rriturit. Këto shkolla mbaheshin nga populli, atdhetarët shqiptarë si dhe me ndihmën e kolonive shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Kajros, të SHBA etj.
Shkollat shërbyen jo vetëm për qëllimin kryesor, mësimin e gjuhës shqipe të shkruar nga breznitë e reja dhe të rriturit, por ato u kthyen edhe në qendra në të cilat edukohej dashuria për Atdheun, si ideal i bashkimit të popullit, sepse aty mësonin fëmijë të besimeve fetare të ndryshme.
Hapja e vrullshme e shkollave sillte nevojën e vazhdueshme për botimin e teksteve shkollore. Sado që përpjekjet nuk mungonin, në këtë aspekt, përsëri intelektualët-didaktë shqiptarë nuk kishin arritur suksesin e duhur sepse u mungonte një alfabet i përbashkët. Një mungesë e tillë kishte pasoja në zhvillimin e arsimit, gjuhës, letërsisë e kulturës kombëtare. Për këtë arsye, me nismën e Klubit të Manastrit, u thirr një kongres, i njohur në historinë kombëtare me emrin Kongresi i Manastirit. Ky kongres i filloi punimet më 14 nëntor 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe jashtë saj. Vendimi që u mor për çështjen e alfabetit ishte i tillë: do të pranoheshin dy alfabete, ai i Stambollit që ishte në veprim, dhe alfabeti i hartuar nga komisioni i posaçëm për këtë problem. Kongresi i Manastirit shërbeu si nxitje për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në shumë krahina të vendit dhe luajti një rol me rëndësi për t’i prerë rrugën çdo ndikimi të huaj në këtë fushë. “Kongresi edhe pse nuk e zgjidhi përfundimisht këtë çështje, i hapi rrugën një alfabeti të vetëm që përmblidhte cilësitë më të mira të alfabeteve të mëparshme. Roli i tij qe i madh dhe populli shqiptar zgjodhi vetë si më të përshtatshëm për natyrën e gjuhës shqipe alfabetin që kemi sot, i lehtë në përdorim, i thjeshtë në të shkruar dhe praktik në botime.” [27]
Por Kongresi hartoi edhe një platformë prej 18 pikash, ku kërkohej njohja zyrtare e gjuhës shqipe, zgjerimi i arsimit kombëtar, në shkollat e kohës (turke dhe greke) si gjuhë mësimi të ishte shqipja, të themelohej një universitet shqiptar, si dhe mjaft kërkesa të tjera.
Duke qenë se lëvizja arsimore po ngjiste shkallë të rëndësishme në historinë e saj, u shtrua për zgjidhje problemi i përgatitjes së mësuesve për shkollat kombëtare shqipe. Pikërisht për këtë Kongresi i Elbasanit i vitit 1909 mori vendimin për hapjen e një shkolle të mesme pedagogjike (normale) në vjeshtën e atij viti. Synimi kryesor i saj ishte përgatitja e mësuesve për shkollat fillore shqipe. Programi me të cilin punoi kjo shkollë ishte i një niveli me shkollat evropiane të kohës të këtij profili. Kjo shënoi një arritje të madhe të lëvizjes arsimore shqiptare sepse prej saj dolën brezat e parë të mësuesve që morën në dorë arsimin shqiptar në vitet e Pavarësisë Kombëtare e më pas.
* * *
3. Mësimi i gjuhës shqipe në vitet e para të Pavarësisë Kombëtare
Në vazhdim të traditave të Rilindjes Kombëtare, atdhetarët-demokratë e pedagogët-didaktë i konsideruan arsimin dhe kulturën si faktorë të rëndësishëm për përparimin e kombit, por edhe si një mjet për bashkimin e tij e ruajtjen e unitetit kombëtar në luftë me përpjekjet e vazhdueshme të shovinistëve fqinjë për ta copëtuar.
Çlirimi nga Perandoria Osmane dhe krijimi i shtetit të pavarur shqiptar krijonin premisa politike për zhvillimin e arsimit kombëtar në kushte të tjera, larg ndjekjes dhe persekutimit të arsimimit në gjuhë amtare, larg mallkimit të gjuhës shqipe dhe abetareve në gjuhën amtare, për të cilat derdhën jo vetëm mendimin e djersën, por edhe gjakun e tyre shumë atdhetarë.
Qeveria e Vlorës, krahas vështirësive ekonomike, kishte edhe shumë probleme të mirëfillta pedagogjike dhe didaktike për të zgjidhur: duheshin hapur shumë shkolla, duheshin hartuar dokumentet e para shkollore (plane, programe dhe tekste shkollore etj.), të cilat si i përcaktonte ministri i arsimit të asaj qeverie, Luigj Gurakuqi, ishin “…gurët e themelit për të ngritur godinën e shkollës shtetërore shqiptare.” [28]
Është i njohur fakti se në programin arsimor të Qeverisë së Vlorës, veç problemeve të përgjithshme, si: hedhja e bazave të ligjshmërisë arsimore, përpjekjet për krijimin e sistemit arsimor kombëtar, përcaktimi i karakterit kombëtar-demokratik, përpjekjet për arsimin fillor të detyrueshëm, përgatitja e mësuesve në shkollat normale dhe dërgimi i studentëve jashtë shtetit etj., vend të rëndësishëm zunë edhe vendosja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në shtetin e pavarur shqiptar, përdorimi i saj i detyruar në administratë e mbi të gjitha në shkollë.
Qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi rëndësi të madhe zbatimit të detyrës për mësimin e shpejtë të gjuhës amtare të shkruar (të lexim-shkrimit), si një gjuhë zyrtare e gjithë shtetit shqiptar. Për këtë u hapën kurse për nëpunësit e administratës, u krijua një komision për përgatitjen e terminologjisë shqipe për sferat e ndryshme të jetës së vendit dhe u projektua krijimi i një qendre shkencore për çështje të gjuhës amtare, të programeve dhe teksteve shkollore.
Luigj Gurakuqi, si ministër i arsimit i kohës, duke planifikuar masat që do të merreshin nga Qeveria e që do të zbatoheshin në vitin arsimor 1913-14, synonte që të hapeshin shkolla fillore, të mëdha e të vogla, në qytete e fshatra, por edhe shkolla normale për përgatitjen e mësuesve. Në vazhdim të masave organizative, u ngritën 4 drejtori arsimore (në Vlorë, Berat, Elbasan dhe Durrës). Në vitin shkollor 1913-14 në juridiksionin e Qeverisë së Vlorës vepruan rreth 60 shkolla, pjesa më e madhe në fshatra. Në këto vite vepruan edhe shkolla të njohura në historinë e arsimit shqiptar, si: shkolla “Liria” në Gjirokastër, Shkolla e vashave në Korçë, Shkolla Popullore e Shkodrës (me drejtor Gaspër Mikelin), shkollat në Lis të Matit dhe Trebisht të Dibrës etj.
Vend të rëndësishëm në gjithë programin e asaj Qeverie, ashtu siç theksuam edhe më sipër, kishte gjuha shqipe, mësimi i saj në shkolla (madje edhe në shkollat e huaja), hartimi dhe miratimi i “skajeve teknike”, përdorimi i saj në administratë dhe në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Këto masa ndikuan në forcimin e arsimit kombëtar. Shkolla shtetërore shqiptare tani ishte një realitet i lindur në fillimet e Pavarësisë dhe e lidhur me kushtet e reja politike të kohës.
Mësimi i gjuhës shqipe në shkolla ishte shprehje e konceptit të drejtë dhe të saktë që kishin atdhetarët-didaktë për rolin e saj në shoqërinë shqiptare. “Gjuha është më e madhja fortesë e mburojë e kujtdo populli. Sikur të mos qe shkruar e punuar gjuha shqipe, do të humbisnim si sëpata pa bisht…, gjuha amtare është si bariu që ruan dhentë…” [29]
Në shtypin kombëtar të kohës (“Përlindja e Shqypnisë”, “Liri e Shqipërisë” dhe “Shqypnia e re”) u trajtua me forcë problemi i mësimit të saj në shkolla, niveli i mësuesve që do ta jepnin etj. probleme teknike. Shtypi në fjalë ka vazhdimisht korrespondenca, lajme dhe optimizëm për ecjen e kombit në rrugë të drejtë, drejt mësimit të gjuhës shqipe, si cilësi e dallueshme dhe kusht për qenien e popullit shqiptar, ashtu siç kishte qenë gjatë gjithë historisë. Në tekstet e kohës i kushtohej kujdes i veçantë ndërtimit të tyre me një gjuhë të pastër, të pasur e të bukur, me qëllim që duke zbuluar vlerat e saj, ajo të luante edhe rolin e vet edukativ për rritjen e dashurisë për gjuhën e mëmës dhe të atdheut në përgjithësi. Kështu, në një tekst leximi të kohës, lexojmë: “Sa i ëmbël dhe i dashur është emri i ATDHEUT! Po kujt i themi ATDHE? Të gjitha aty janë të bukura e të dashura… Aty ku dheu është i gatuar me gjakun e të parëve tanë, të prindërve tanë që ranë në fushën e nderit duke luftuar trimërisht kundër armiqëve, atij vendi i themi ATDHE. Ai është ATDHEU ynë që e nderojmë dhe e duam me gjithë shpirt”.
Me gjithë vështirësitë e kohës, të brendshme dhe të jashtme, optimizmi që shprehte ato ditë Ismail Qemali, se “shqiptarët nuk do të vonojnë për të marrë në dorë armën e mësimit kombëtar” u realizua dhe koha vërtetoi shpejt parashikimin e tij.
Qenë pedagogët dhe didaktët e arsimit kombëtar, si: Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Lef Nosi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi, Sali Gjuka, Kristo Floqi që së bashku me mësuesit e parë të emëruar nga ajo Qeveri, si: Avni Rustemi, Baba Dudë Karbunara, Jani Minga, Ahmet Gashi, Mati Logoreci, Kolë Zezaj, Abedin Çaushi, Kolë Kamsi, Ismail Anamali, Gaspër Mikeli, Adem Sharofi etj., që duke u ushqyer edhe nga dashuria e popullit për arsimin dhe gjuhën shqipe, hodhën themelet e një shkolle të re. Ajo, nga një anë ishte vazhdim i shkollës kombëtare të Rilindjes me frymë atdhetare, demokratike, laike dhe iluministe dhe, nga ana tjetër, në pikëpamje organizative, ishte shtetërore dhe e detyrueshme, kështuqë hapi një faqe të re në historinë e arsimit shqiptar.
Me formimin e Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Përtashme të Vlorës, siç thamë edhe më lart, u ngritën shumë shkolla fillore në të gjithë vendin. Nevoja qe e ndjeshme, veçanërisht për tekste mësimore që thuajse mungonin tërësisht. Gjatë këtyre viteve vazhduan veprimtarinë e tyre shtypshkronjat ekzistuese, si: “Mbrothësia” e Sofjes, “Zoja e Papërlyeme” e “Nikaj” të Shkodrës, “Dhori Kote” e Korçës, Shtypshkronjat e Vlorës etj., por u krijuan edhe disa të tjera. Ato dhanë një kontribut të madh në botimin e teksteve shkollore e, në veçanti, të abetareve.
Shumë autorë shqiptarë të fushës së didaktikës, si: N. Lako, G. Beltoja, M. Logoreci, J. Minga, P. Qiriazi, Th. Papapano, Dh. Paparisto, K. Kamsi, Sh. Daiu, J. Erebara etj. dhanë ndihmesën e tyre në këtë fushë gjatë kësaj periudhe.
Qenia e një shkolle normale siç qe ajo e Elbasanit dhe më vonë e asaj të Shkodrës, funksionimi pranë tyre i shkollave ushtrimore; qarkullimi i revistave pedagogjike, si: ”Kumtari Arsimuer”, “Shkolla e Re”, “Revista Pedagogjike”, “Mësuesi” e deri te “Shkolla Kombtare”, ndihmuan shumë në krijimin e një opinioni profesional arsimor me pretendime për ngritjen e nivelit të vazhdueshëm të teksteve mësimore, por edhe të teksteve ndihmëse që thuajse mungonin krejtësisht. Të kësaj periudhe janë edhe metodikat e para. Nga disa autorë pati përpjekje që tekstet e tyre t’i shoqëronin edhe me tekste ndihmëse ose me “Librin e Mësuesit” ose me udhëzime metodike për zbatimin dhe përdorimin e tyre.
Meqë pjesa më e madhe e shkollave në këtë periudhë ishin vetëm me klasa të para, iu kushtua vemendje e veçantë hartimit dhe botimit të abetareve shqipe, si teksi i parë për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe, prej nga fillon edhe kultura e arsimimi i kultivuar.
Paraqitur në mënyrë kronologjike, pasqyra e abetareve shqipe të botuara, sipas viteve, paraqitet si më poshtë:
– Më 1912 – 7 abetare. Nga të cilat përmendim: “Abetari i vogël shqyp”, Shtyp. “Nikaj”, Shkodër; Diogjen Harito, si botues publikon dy tekste për klasën e parë: “Abetari i gjuhës shqipe”, Mot i parë , Athinë, 62 f. me il. dhe “Shtimi i Abetarit shqip për çunat”, po në Athinë. (Studiuesit i kanë quajtur këto dy tekste si punime të Luigj Gurakuqit, ndërsa Harito është vetëm botuesi.)[30] “Abetari për fmit qi msojnë shqip-italisht”, Për mësimoret e Shqipërisë (Titulli edhe italisht), Shtypshkronja “Antonio Valardi”, Milano, 64 f. me ilustrime + një hartë; [31] një tjetër botim anonim, me editor Lef Nosin, “Abetare shqipe për djelmoshët gegë”, Shtypje e parë, Shtypshkronja Tregtare Ndërkombëtare, Manastir, 16 f. si dhe “Abeceja shqype e Kumanovës”, botim i Klubit shqiptar të Kumanovës, me autor anonim, (që mendohet se është e Jashar Erëbarës). Kjo abetare u botua si suplement i gazetës “Shkupi”, Shkup, l912.
-Më 1913 vijojnë dy tekste, një anonim titulluar “Përkryesimi i abetarit shqyp- italisht” (Il complemento del silabario albanese-italiano), Për mësimoret e Shqipërisë, botuar në Milano dhe Nikolla Lako boton “Këndim për radhën e parë”, Me shumë fytyra, Cop’ e tretë, Paris, 72 f. me il.
-Më 1914 – 15, gjithsej 5 tekste. Njëra është një abetare e Kolë Kamsit, botuar në Bari dhe dy janë anonime, me titull thuajse të njëjtë, me disa ndryshime në numrin e faqeve dhe në përmbajtjen e tyre. Jashar Agjahu boton “Abetarja shqipe” , Rreshtue prej…, Botue prej Ismail Zenel Mborjes, Shtypsh. “Korça”, 14 f. Është i rëndësishëm edhe një botim i tretë i “Abetare për shkollat e para” i P. D. Qirias në Worçester.
-Në vitin 1916 u botuan 2 abetare, njëra nga të cilat e autorit të abetareve dhe të teksteve shkollore, poetit të mirënjohur, Ndre Mjeda.
-Në vitet 1917-1919 mund të përmendim abetaret e autorëve: Marko La Piana (Marco La Piana), Viskë Pulës, Thoma Papa Panos, Dhimitër Paparistos me editor Lef Nosin, Shefqet Daiut.
-Në vitin 1920 u botuan shumë abetare, 7 tekste të tilla. Në këtë vit, që fillon edhe një fazë e re në hartimin e abetareve shqipe, sa i përket metodës së përdorur dhe fillimit të botimit të teksteve në ndihmë të mësuesit. Kjo lidhet me botimin nga Shtypshkronja e “Zojës së Papërlyeme” të tekstit anonim me titull “Abetare për shkollat fillestare të Shqypnis…” “Librin e mësuesit për përdorim të abetarit” të Mati Logorecit që mbyll serinë prej tre tekstesh që fillon me “Abetar” / hartue prej Mati Logorecit / vazhdon me “Plotsorine abetarit”.[32]
Si veçori themelore të botimeve të kësaj periudhe mendojmë se janë:
4. Planet, programet e tekstet për mësimin e gjuhës shqipe
4. 1. Programet
Programi mësimor është është një dokument (shtetëror ose privat) bazë, i cili përcakton përmbajtjen e një lënde si dhe metodën (a metodat) që do të ndiqet për përvetësimin e kërkesave të saj.
Në program përcaktohen qëllimet dhe detyrat mësimore, vëllimi i njohurive, shkathtësive dhe shprehive praktike që duhet të përvetësojnë nxënësit gjatë punës me këtë tekst mësimor, në një klasë të caktuar.
Programi ndryshon në bazë të hapave përpara që bën didaktika, risive që sjell në praktikën e përditshme mësimore si dhe arritjeve në fushën e teknikës së të mësuarit. Mbi këtë bazë përpunohen dhe ndryshojnë edhe metodat.
Nga një vëzhgim i përgjithshëm që u kemi bërë programeve dhe paralelisht me to edhe atyre teksteve mësimore të gjuhës shqipe, të botuara deri në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, kuptojmë se ato kanë ndryshuar herë pas here, gjithnjë me synimin që të përsosen, të bëhen më të zbatueshme dhe, mbi të gjitha, të realizojnë sa më mirë detyrat themelore për aftësimin e nxënësve për të folur dhe shkruar qartë gjuhën amtare. Kjo është e natyrshme, ndryshimet e programeve kanë pasqyruar kthesat e mëdha që ka shënuar didaktika, gjuhësia, pedagogjia, psikologjia, teknika etj. Madje ato shpesh nuk kanë arritur të pasqyrojnë hapat që ka bërë didaktika dhe përshtatjet që duhej t’i bëheshin teksteve në bazë të veçorive që ka gjuha jonë.
Deri me botimin e pragrameve të para, gjuha shqipe dhe tekstet për mësimin e saj, nuk janë ndërtuar mbi bazën e programeve të miratuara më parë. Kjo për arsye se në fillimet e tyre mësonjëtoret e para (shkollat me klasa të para) nuk kanë qenë institucione shtetërore kombëtare, por edhe më vonë, megjithëse ka pasur programe, atyre u kanë munguar programet analitike. Vetëm në periudhën e funksionimit normal të institucioneve arsimore, deri te Ministria e Arsimit, në shtetin e pavarur shqiptar, hartimi dhe zbatimi i teksteve të gjuhës shqipe iu nënshtrua programeve shtetërore.
Si program i parë, i botuar dhe i njohur deri tani, është ai i vitit l9l5 titulluar “Programma analitike e shkollës fillore e të shkollës së mesme”, miratuar nga Qeveria e Durrësit, botuar po në këtë qytet. Në një periudhë tepër të shkurtër, deri në fillimin e viteve ‘20 pas daljes së botimit të sipërshënuar, ka pasur një denduri programesh, të botuara nga zona, qarqe administrative e drejtori arsimore në të gjithë vendin, që kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e disiplinës shkencore në shkollat ku u zbatuan.
Një vit më pas, më l9l6, është zbatuar në zonën e Shkodrës një program shkollor sipas modelit të shkollave austro-hungareze e për të cilin nuk është folur.[33] Programi në fjalë përbëhet prej l0 faqesh të daktilografuara. Me një shkresë përcjellëse shoqëruese, në shqip dhe në gjermanisht, i dërgohej Kryekomandës së Trupave të Ushtrisë Austro-Hungareze, në Shkodër, më l8.l0.l9l6. Në këtë dokument shkollor, me të cilin mendojmë se kanë punuar shkollat e Shkodrës në vitin shkollor 19l6-l9l7, veç udhëzimeve në përgjithësi, jepet edhe plani mësimor i shkollës fillore me 5 rende si dhe programi analitik për çdo lëndë. Në bazë të këtyre të dhënave, gjuha e mësimit zinte përkatësisht nga l2, l0, 8, e 6 orë mësimore në javë, për çdo rend, duke filluar nga klasa e parë.
Sipas këtij programi, në këtë lëndë kryesore, në përfundim të 5 viteve, nxënësit duhet të jenë të aftë që “…të mund të kuptojnë kthjelltësisht diftimet e të tjerëve në gjuhë amtare, të këndojnë me shpejtim e me ndjesi të plotë çfarëdo shkrimi, si dore ashtu edhe shtypi, të fitojë zotnimin me diftue mendimet e veta, në nji mënyrë të bukur e të kthjelltë, si me gojë ashtu edhe me shkrim…” [34] po kështu jepen edhe synimet konkrete për secilën klasë.
Mendojmë që ky program u zbatua në zonat që vareshin nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me qendër në Shkodër, jo më tepër se 3 vjet, mbasi më l9l9 e në vazhdim u zbatuan programet e didaktit të njohur, G. Beltoja, i cili më l9l9, botoi “Programi i së I e së II klasë fillore, të pjestuemit e tij e disa tema të zhvillueme metodikisht” e që vazhdoi në vitin l920 edhe me botimet e Programeve të kl. III-IV dhe të kl. V të shkollës fillore.
Në fillimin e viteve ’20 të shek. XX e në vazhdim u botuan edhe shumë programe të tjera si:
– “Programi analitik i shkollave të Qarkut të Korçës” për vitin l918-l9l9, Korçë, l9l8 dhe ribotim i tij më l9l9 (përkatësisht me l2 dhe 7 faqe.)
– “Programi analitik për katër rendet e shkollave fillore të Krahinës së Gjirokastrës”, për vitin shkollor l9l9-l920.
– “Programi i zbërthyem i lëndës së mësueme në shkollat fillore të Qarkut të Vlorës”, për vitin l920 – l92l, Vlorë, l920, hartuar nga Jani Minga.
– “Programa synthetike-analitike e shkollave fillore”, Shkodër, l92l.
– “Programa synthetike-analytike e shkollave fillore”, Elbasan, l922 etj., programe për kategori të tjera shkollash që u botuan në shtetin e pavarur shqiptar, ku në secilin ka zënë vend të rëndësishëm gjuha amtare dhe në veçanti mësimi i lexim-shkrimit në klasën e parë, për vetë vështirësitë që paraqet ky proces, por edhe për ndikimet që ka në vitet e mëvonshme. Duke qenë se tekstet për mësimin e gjuhës shqipe të shkruar, duke filluar me Abetaren, kanë të bëjnë me formimin e fëmijëve në zanafillën e jetës së tyre, por edhe ndikojnë në ecurinë e mëtejshme të tij në gjithë kohën e shkollimit dhe më gjerë edhe në jetë, shoqëria investon që ai të pasqyrojë arritjet e fundit në fushën e vet. Jo më kot në historinë e arsimit botëror vetë titullarë të institucioneve qendrore arsimore ose pedagogë e shkencëtarë të njohur, kanë qenë dhe autorë të këtyre teksteve. Një dukuri e tillë vihet re edhe në historinë e tekstologjisë shqiptare që nga Sami Frashëri që botoi veç 5 abetareve edhe “Shkronjëtore e gjuhës shqip“ (1886), si një ndër gramatikat e para shkollore për mësonjëtoret shqipe, që së bashku me abetaret përbënin tekstet themelore për mësimin e gjuhës shqipe të shkruar[35]; Luigj Gurakuqi, ministër i parë i arsimit; Gaspër Beltoja, drejtor i arsimit të Shkodrës, e më vonë: Aleksandër Xhuvani, zv/ministër i arsimit; Pertef Pogoni, didakt i shquar; etj. etj., për shumë vite me radhë kanë qenë autorë të abetareve dhe të teksteve të gjuhës shqipe.
Me normalizimin e punës mësimore në shkollë, me përcaktimin e qartë të strukturës mësimore dhe të ndarjes së lëndëve veç e veç, (kujtojmë se në fillimet e tyre p.sh. abetaret shqipe, përveç synimit të tyre themelor: formimit të shprehive të lexim-shkrimit të nxënësit, shpesh kryenin edhe funksionin e tekstit të këndimit, madje jepnin edhe njohuri të thjeshta nga historia, dituria e natyrës, gjeografia etj.), tekstet e gjuhës shqipe “u profilizuan si të tilla “për dhënien e përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive të gjuhës amtare.
Siç e kemi theksuar edhe më parë, didakti Gasper Beltoja i siguroi vetes një vend të nderuar në historinë e arsimit shqiptar me botimin e programit për pesë klasë fillore, në vitet 1919-1920. Ndoshta vetëm pas kësaj autori do të ndjehej disi i lehtësuar dhe i kënaqur për detyrën që kishte kryer. Kjo kuptohet edhe nga fjalët e tij “Një meh mund të thohet se në gjuhë shqype ka një methodikë për pesë klasët fillore.”[37]
Ky program përbënte një ndihmesë të rëndësishme për sistemin arsimor që ishte në fazat e para të jetës së tij dhe ishte i destinuar për t’u zbatuar në shkollat fillore të Shkodrës dhe më gjerë.
Nga “Parafjala“ e programit, autori na lë të kuptojmë se kanë qenë qëllimet e tij arsimore bashkë me ato atdhetare që e shtynë për t’i hyrë këtij “shtegu”, ku nuk kishin kaluar shumë të tjerë. Koncepti i tij rreth rolit të mësuesit të gjuhës shqipe e kishte embrionin që në Rilindje dhe erdhi e u konsolidua në këto vite. Sipas Beltojës, zhvillimi i kulturës së një kombi dhe e ardhmja e tij varen nga “aftësimi i mësuesve”.
Synimi i autorit duket qartë që në “Parafjalën” e tij ku thotë: “…shpresoj se këto shembulla të zhvillueme methodikisht kanë për t’u vjeftun shumë mësuesve me mirasue të dhanunin e mësimit…”. Ai, duke njohur përvojën evropiane, shton se “… në lamë të metodikës…ka ndryshime ndërmjet kombesh, por dhe ndërmjet mësuesve të nji kombi, mbasi ajo asht e gjanë e len mjaft shesh m’u hallakatë…” e “për këtë shkak i shtyem prej deshirit të mirasuemit t’arsimit në Shqypni po u paraqes këto shembulla kolegve të mij me shpresa qi edhe ata, tue i pa t’arsyeshme, kanë për t’i shti në veprim.”[38]
Në “Vërejtje të përgjithshme” autori në mënyrë të qartë dhe koncize jep përcaktimet e tij për qëllimin e shkollës shqipe, të drejtat dhe detyrat e mësuesit, konceptin e programit si dhe arsyet pse është i nevojshëm programi.
Ai i njeh shkollës një rol të madh në formimin e personalitetit të njeriut, sepse shprehet: “Shkolla popullore ka për qëllim të rritunit e djelmënisë n’urti, e n’besim, e zhvillimin e fuqivet mendore të nxanësvet të njomë, tue u dhanë ato mësime e njohsi të cillat të shtueme, e të përmirësueme ma vonë do të munden të përbajnë prej sish burra të ndershëm e qytetas të vjefshëm”. [39]
Ndërsa për arritjen e këtij qëllimi mësuesi kishte për detyrë të përdorte të gjitha mënyrat e mjetet që i “urdhënonte ligji dhe ato që i këshillon pedagogjia”, sepse në të kundërt “në qoftë se mësimi do të lehej në dorë e në mendje të se të cillit mësues…” ky qëllim nuk do të realizohej. Në këtë mënyrë plani i tij arsimor do të ndihmonte në koordinimin e punës së të gjithë mësuesve.
Për hartimin e këtij plan-programi, autori është mbështetur në parime pedagogjike dhe shkencore, e kjo ndjehet që në konceptin e tij për programin shkollor. “Plani i arësimit, shkruan Beltoja, duhet të shënojë e të caktojë skajet e së të cillës landë mësimi mbas përlimit të shkollës fillore, duhet të dajë edhe se të cillën landë, klasë për klasë, ashtu si e kërkon të rritunit e mendjes së nxënësve.”[40]
Për të ndjekur zbatimin e programit ai ngarkon drejtorët e shkollave, ndërsa mësuesi duhej të shënonte çdo javë në regjistër, shkurt lëndën e zhvilluar.
Programet e hartuara nga G. Beltoja janë analitike dhe u drejtohen mësuesve të pesë klasave të fillores, të shkollave popullore shqiptare. Në të paraqiten planet mësimore të shkollës.
Për klasën e parë shënohen të detyrueshme këto lëndë:
Vërejtjet dhe synimet e përgjithshme jepen në fillim të programit, për çdo lëndë dhe për çdo klasë. Kështu për gjuhën shqipe shkruhet:
Gjuhë mësimi – “Mësimi i gjuhës ka për qëllim,qi, në krye të pesë vjetëve, nxanësit të mund të kuptojnë këthjelltësisht diftimet e të tjerëve në gjuhë amtare; të këndojnë me shpejtim e me ndisi të plotë çfarëdo shkrimi si dore ashtu edhe shtypi e të tregojnë zotnimin me diftue mendimet e veta me nji mënyrë të bukur e të kthjellët, si me gojë ashtu me shkrim”. [41]
Këndim-shkrim: –“Ushtime zanash e germash, në shkrim dore e shtypi; këndim i kadalshëm e me zâ; ligjërim mbi sende të këndueme. Ushtime të lehta përshkrimi prej librit të këndimit.Të përthanun e të xanun përmendsh copash të zgjedhuna, sidomos në vjershë”. [42]
Nga konsultimi i programit me synimin për të parë dhe evidentuar si duhet të jetë realizuar mësimi i lexim- shkrimit (këndim- shkrimit) rreth 80 vjet më parë, po vemë në dukje këto veçori:
– Gjuha e mësimit në klasën e parë zinte rreth 12 orë në javë, nga 21-22 gjithsej, gjë që përcaktohej nga sasia e orëve të besimit, me këtë nënndarje: a. këndim-shkrimi – 7 orë, b. mësim shikimi – 3 orë, c. përmendësh – 2 orë.
– Orët e mësimit, sipas orarit të dhënë, ishin të ndara në paradreke dhe pasdreke: 8-9 e 9-10, paradreke; 2-3 e 3-4 pasdreke. [43]
– Vend jo të vogël në program zë dhe përsëritja a sistemimi i lëndës, rimarrja herë pas here e njohurive të zhvilluara më parë. Në këtë program caktohen për këtë problem 2 javë gjatë vitit mësimor dhe 4 javë në fund të tij.
Lënda e abetares, pra mësimi i lexim- shkrimit, zhvillohej gjatë gjithë vitit. Viti kishte gjithsej 36 javë mësimore, nga tetori deri në fillim të qershorit, pra 9 muaj të plotë.
Me qenë se jemi tek programi i klasës së parë, është me vend të përmendim se në veprimtarinë botuese pedagogjike të Beltojës
Mbi bazën e kësaj përvoje të pasur që kishte grumbulluar, më 1921 Beltoja botoi “LIBËR I PARË apo Abetar për Shkolla Fillore të Shqypnis” / Përpiluem e mbledhë prej G. Beltojës, Drejtorit t’Arsimit të Shkodrës/. Teksti, prej 56 faqesh, është botim i shtypshkronjës “Nikaj” në Shkodër.
Në libër zbatohen parimet themelore të “Programit të së I dhe së II klasë fillore, të pjestuemit e tij e disa thema të zhvillueme methodikisht”, Shtypshkrojë e “ARËSIMIT”, Shkodër, 1919, të huazuara nga modelet austriake.
Po t’i hedhim një vështrim abetares së G. Beltojës, do të vemë re se më parë është mësuar shkrimi dhe pastaj leximi, proces që sot zhvillohet në të kundërt. Në abetaret e botuara deri në atë kohë nuk ka pasur një linjë të njëjtë dhe të pandryshueshme për këtë problem, kështu që herë është filluar nga shkronjat e shtypin dhe herë me shkronjat e dorës, por gjithnjë mësimi i leximit dhe i shkrimit janë kuptuar dhe zbatuar si një proces i ndërsjellë e për rrjedhojë janë zhvilluar paralelisht. Në këtë abetare pas mbarimit të shkronjave të vogla të dorës e të shtypit, jepen të mëdhatë, që zënë katër javë mësimore.
Ndryshe nga shumë abetare të tjera, këtu nuk ka asnjë pjesë leximi. Në fund të çdo mësimi vihen disa fjali të shkëputura që nuk përbëjnë tekste.
THEMË: LEXIM E SHKRIM
Njësi methodike: Të mësuemit e germës “u”.
Tingujt-shkronjat e gjuhës shqipe jepeshin në 12 javë, mesatarisht nga 3 në javë, por disa prej tyre përsëriteshin dhe rimerreshin pas disa orësh, më qëllim përforcimi dhe krijimin e shprehive në të lexuar.
Sa i përket metodës, ndiqej rruga e zakonshme e deriatëhershme, e zbatuar në dhjetëra abetare, për më se një shekull: fillohet me dy-tri zanore, vazhdohet me disa bashkëtingëllore e kështu me radhë në rrokje, fjalë dhe fjali të thjeshta. Abetarja në fjalë është ndërtuar sipas metodave sintetike: e tingujve dhe rrokjesore.
Si didakt me përvojë të gjatë, Beltoja “…tue pasë sprovue ndër sa vjet shërbimi sa mënyra methodike…” bën kujdes, duke rritur ngarkesën në mënyrë të natyrshme, nga tema në temë.
Në tekst gjejnë përdorim të gjerë zanoret hundore si dhe dukuri të tjera të gegërishtes veripërendimore.
Në bazë të përvojës botërore autori e ilustron abetaren e tij. Në fillim të faqes vendos një figurë, emri i së cilës fillon me shkronjën e re që mësohet.
Autori i kushton gjithashtu vend të rëndësishëm grupeve të bashkëtingëlloreve dhe përvetësimit të tyre, duke filluar me dy bashkëtingëllore të njëpasnjëshme, si: st, bl, mb, nd, ng e deri me tri-katër të tilla, si: zdr, zhdr, shtr, shkr, shndr etj. Nisur nga vështirësinë që paraqesin këto, autori u kushton disa javë mësimore në program.
Teksti zbaton parimet shkencore e didaktike të përcaktuara në “Programet shkollore…” të hartuara nga vetë Beltoja.
Edhe në programet në vazhdim, për kl. II-V, autori ka përcaktuar lëndët e detyrueshme për çdo klasë (të cilat variojnë nga 8 deri në 11), orët përkatëse në javë, qëllimin (objektivat) e secilës lëndë, strukturën javore të vitit shkollor… etj.
Në këtë kontekst fare lehtë mund të dallojmë se lënda, së cilës i është dhënë një përparësi e dukshme, gjithnjë ka qenë gjuha shqipe.
Në qoftë se studiojmë shpërndarjen e lëndëve mësimore sipas strukturës javore të vitit shkollor, në të gjitha klasat, rezulton se kjo është bërë duke pasur parasysh aftësitë dhe shprehitë që duhet të zotërojë nxënësi pasi të mbarojë klasën e pestë, aftësi dhe shprehi këto teoriko-praktike, si: “… të kuptojë… mendimet e të tjerëve në gjuhë amtare, të këndojë me shpejtim…” dhe “… të fitojë zotnimin me diftue mendimet e veta…”.
Kjo mund të shihet më qartë nga një model ore mësimi në gramatikë siç e sugjeron Beltoja:
Themë: Gramatikë[45]
Njësi methodike: Folja
Merendim (disposicjon)
Kush apo shka ? | Si asht ? | |
|
Shka ban ? | |
|
Shka pson ? |
Nga programi dhe zhvillimi i hollësishëm i kësaj teme nga gramatika theksojmë se:
Sa i përket metodës që ndiqet, duhet thënë se:
Autori i programit sugjeron gjithashtu se meqë ende nuk ishte caktuar një gjuhë shkrimi, mësuesit brenda mundësive të jepnin njohuri për të dy dialektet, pra: në qoftë se nxënësit janë toskë, të kenë njohuri edhe për dialektin gegë; e nëse janë gegë, të dinë diçka për dialektin toskë.
Për mendimin tonë, kulmin e të gjithë punës së tij për programet (flasim për gjuhën shqipe), Gasper Beltoja e ka arritur me dhënien e 8 rregullave që kanë të bëjnë me përgatitjen e mësuesit, të cilat po i sjellim duke menduar se paraqesin interes edhe për mësuesit dhe studentët. Në përgjithësi nuk është prekur struktura e tekstit, me përjashtim të ndonjë ndryshimi të vogël që nuk ka prishur përmbajtjen e tij. Ato janë:
Për të krijuar një ide më të plotë mbi çka rekomandon Beltoja, le të shohim edhe një orë gramatikë nga klasa e pestë:
Themë: Gramatikë
Njësi methodike: Folje të lidhuna
Merendim (dispozicjon)
* * *
Nga të gjitha këto që thamë mbi programet e G. Beltojës do të ishte me vend të evidentonim disa veçori të tyre dhe ndryshimin e situatës arsimore në Shqipëri, që solli si nevojë botimin e tyre.
Duke bërë krahasime, aq sa është e mundur, me programet e sotme, gjejmë disa pikëtakime, si: – lëndët për çdo klasë, -strukturën javore të vitit shkollor, -sasinë e orëve javore për çdo lëndë e për çdo klasë, -udhëzime për zbatimin e tij (të cilat në këtë rast përfaqësohen nga modele te orëve të mësimit), -temat për çdo javë (programet e sotme, kapitujt etj.).
Klasat |
Vitet
I
II
III
IV
Dokumentacioni i shfrytëzuar
1912
10
6
6
5Plani mësimor i Mësonjëtores Shqipe të Korçës, “Arsimi Popullor”, Nr. 2 / 1963, f. 83.1915
6
6
5
3Programma analitike e shkollës fillore e të shkollës së mesme, Durrës, 1915.
1916
12
10
8
8Programi i shkollave fillore të Shkodrës, f. 3.
1919
12
10
8
8Programi i G.Beltojës, për kl. I e II, III-IV dhe V fillore, Shkodër, 1919.
Në fillimet e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX pati përpjekje dhe arritje të mëdha për hapjen e shkollave. Sipas të dhënave të kohës, numri i shkollave në vitin mësimor 1916-1917, në zonën e pushtimit austriak arriti në 231, ndërsa i mësuesve në 294.[48] Kjo hapje e vrullshme e shkollave sillte si nevojë të domosdoshme hartimin dhe botimin e teksteve për shkollat kombëtare shqiptare.
Ishte koha kur për të hedhur themelet e arsimit popullor shqiptar, intelektualëve-atdhetarë-didaktë u duhet jo vetëm të hapnin shkolla, por edhe të organizonin përmbajtjen e shkollës, të hartonin kurrikulat e reja shkollore, në përputhje me synimet e afërta dhe të largëta kombëtare. Rol të dorës së parë në këtë drejtim të rëndësishëm, luajtën ata pedagogë me arsim të kryer në shkollat e Perëndimit.
Bibliografi:
Bibliografi. F. 41.
[1]. Kolë Ashta, “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, I. Shkodër, 1996, f. 129.
[2]. ISP, “Historia e arsimit shqiptar”, Tiranë, 1990, f. 31.
[3]. Artan Haxhi – Tefë Topalli, “Histori e gjuhës së shkruar shqipe”. Shkodër, 1999, f. 115.
[4]. Luigj Franja, “H-ja nistore në shkrime të vjetra”, “Hylli i Dritës”, Vjeti XXIII, 1994, Nr. 1-2, f. 125.
[5]. ISP, “Historia e arsimit shqiptar”. Tiranë, 1990, f. 34.
[6]. Kabineti pedagogjik: “Historiku i arsimit në Shkodër”, Vëllimi I, Shkodër, 1980, f. 4 (dorëshkrim) dhe “Historia e arsimit shqiptar”, Tiranë, 1990, f. 14.
[7]. Njazi Kazazi, “Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër (nga fillimimet e tij deri në vitet ’20 të shek. XX)”, Monografi, Universiteti i Shkodrës “L. Gurakuqi”, ISA. Shkodër, 2014, f. 32.
[8]. Shefik Osmani, “Kumpleksi arsimor-kulturor i Pashallëkut të Shkodrës”, në “Drita”, 3 tetor 1982.
[9]. Jup Kastrati, “Disa të dhëna mbi historikun e arsimit në Shkodër”, në “Arsimi popullor”, 1964, Nr. 2, f. 134.
[10]. Mikel Prennushi, art. i cit. f. 67.
[11]. ISP, “Historia e arsimit shqiptar”. Tiranë, 1990, f. 44.
[12]. Po aty, f. 46.
[13]. ISP, “Historia e arsimit shqiptar”, Tiranë, 1990, f. 63.
[14]. Shih për këtë revistën “Dituria”, janar 1928; J. Kastrati e L. Franja, art. i cituar. Autori i fundit ka dhënë edhe 7 letra të familjeve Suma e Muzhani të viteve 1829-1846, duke treguar se gjuha shqipe përdorej në letërkëmbimin tregtar dhe privat që në ato vite.
[15]. Instituti i Studimeve Pegagogjike, “Historia e arsimit shqiptar”. Tiranë, 1990, f. 66.
[16]. Shefik Osmani – Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”. Botim i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe Shtëpisë “Idromeno”. Tiranë, 2000, f. 85-92.
[17]. Po aty, “Tri abetaret e Kostandin Kristoforidhit, 1867-1872”. Tiranë, 2000, f. 71- 84.
[18]. Xhevat Lloshi, “Veprimtaria arsimore e K. Kristoforidhit”, në “Revista pedagogjike”, 1976, Nr. 1, f. 152.
[19]. Tomor Osmani, “Udha e shkronjave shqipe”, Tiranë, 1999, f. 172.
[20]. Sami Frashëri, “Gjuha Shqip”, në “Alfabetare e gluhëse shqip”, Ndë Konstantinupojë, 1879, f. 29.
[21]. Sami Frashëri, “Gjuha shqip”, në “Alfabetare…”, f. 32.
[22]. Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet ?”. ShBLSh , Tiranë, 1980, f. 78.
[23]. Gjovalin Shkurtaj, “Sociolinguistika”. Tiranë, 1999, f. 59.
[24]. ISP, “Historia e arsimit shqiptar”. Tiranë, 1990, f. 111.
[25]. Ilo Mitkë Qafëzezi, “Dhaskal Gjoka…”, Bibliotheka Shqipëtare “Qafëzezi”, Korçë, 1936, f. 144.
[26]. MPSH, Dosja 1 / 15, Dok. 742.
[27]. Tomor Osmani, “Udha e shkronjave shqipe”- Histori e alfabetit. Shkodër, 1999, f. 499.
[28]. Qazim Kashari, “Zhvillimi i arsimit kombëtar në fillimet e Pavarësisë”, -“Revista pedagogjike”, Nr. 3 / 1996, f. 108.
[29]. Gazeta “Liri e Shqipërisë”, 11. 06. 1913.
[30]. Një paraqitje të plotë të botimeve të Luigj Gurakuqit ka bërë Vehbi Hoti në librin, cituar në bibiografi, faqet 233-258. Kreu V (Tekstet mësimore të L. Gurakuqit…)
[31]. Lindita Kazazi – Nj. Kazazi, “Abetaret shqipe dhe Pavarësia Kombëtare, vështrim rreth abetareve dygjuhëshe shqip-italisht”, Botim i USH “L. Gurakuqi”, FSHSH, ISA, “Pavrësia e Shqipërisë dhe Albanologjia” Konferencë Shkencore Ndërkomëtare, Studime shqiptare – 21, Shkodër, 2015, f. 347-350.
[32]. Shefik Osmani – Njazi Kazazi, “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, Botim i MASH dhe Shtëpisë “Idromeno”. Tiranë, 2000, f. 135- 224.
[33]. AQSH, F. 295, D. 2, V. l9l7, Fl. l-l2.
[34]. Po aty, f. 4.
[35]. Shefik Osmani – Njazi Kazazi: “Abetaret shqipe…”, Botim i MASH dhe Shtëpisë “Idromeno”. Tiranë, 2000, f. 93-108 dhe 112-117.
[36]. Vehbi Hoti,“Gasper Beltoja dhe vepra e tij arsimore dhe pedagogjike” në BSH i USH, SSHD, Nr. 1 (49), 1997-2001, f. 119-125. Unë do të ndalem në analizën e gjuhës shqipe në këto programe.
[37]. Gasper Beltoja, “Programi…”, Shtypshkronja e “Arësimit”. Shkodër, 1919, f. 4.
[38]. Po aty, f. 1.
[39]. Po aty, f. 1.
[40]. Po aty, f. 2.
[41]. Gasper Beltoja, Programi për kl. I-II…, Shkodër, 1919, f. 2.
[42]. Po aty, f. 2.
[43]. Po aty, f. 5-6.
[44]. Shefik Osmani, “Dy linja paralele në botimet e didaktit Gaspër Beltoja”, – “Revista pedagogjike”, 1997 / 2, f. 105-112.
[45]. G. Beltoja, “Programi…”, Shtypshkronja e “Arësimit”, Shkodër, 1919, f. 43- 44.
[46]. Po aty, f. 17.
[47]. Po aty, f. 17- 18.
[48]. ISP, HISTORIA E ARSIMIT SHQIPTAR (Maket). Tiranë, 1990, f. 271.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 03, 2020 0
Oct 26, 2020 0
Jul 10, 2020 0
Nov 21, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...