Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jun 13, 2016 Zani i Nalte Editoriale 0
nga Dr. Hasan BELLO, Instituti i Historisë, QSA
Për të shkaktuar diversion në radhët e turqve, anglezët i dërguan ftesa për të marrë pjesë në Konferencën e Lozanës si qeverisë fitimtare të Ankarasë, në krye të së cilës qëndronte Mustafa Qemali, ashtu dhe qeverisë osmane të Stambollit, që drejtohej nga Teufik Pasha, por që zyrtarisht përfaqësonte sulltanin. Duke parë se një gjë e tillë i rrezikonte pushtetin, Mustafa Qemali, më 31 tetor 1922, deklaroi se e vetmja zgjidhje ishte që të shfuqizohej sulltanati dhe, në këtë mënyrë, të rrëzohej regjimi i Stambollit. Më 1 nëntor 1922, Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë dekretoi legjislacionin e ri që e ndante sulltanatin nga kalifati, duke i lënë këtij të fundit vetëm rol fetar.[1] Më 16 nëntor 1922, duke e ndjerë veten në rrezik, sulltani i fundit Vahidedini u largua me një anije angleze fillimisht në Maltë e më pas për në San Remo. Më 17 nëntor, Kuvendi i Madh Kombëtar e shkarkoi atë si kalif dhe në vend të tij zgjodhi Abdylmexhidin e II (1868-1944). Sapo u emërua në detyrën e re, kalifi lëshoi një deklaratë për të gjithë myslimanët e botës, duke u kërkuar atyre që të pranonin autoritetin e tij shpirtëror.[2]
Për të pasur një përfytyrim më të saktë mbi marrëdhëniet religjioze midis Shqipërisë dhe Kalifatit Osman e sidomos mbi procesin e autoqefalisë së xhamisë shqiptare, është e nevojshme që të hedhim një vështrim retrospektiv, sepse ky proces në të vërtetë ka nisur shumë më herët se sa dihet. De facto ai është kryer që më 28 nëntor 1912, atëherë kur Shqipëria u shkëput përfundimisht nga Perandoria Osmane. Kështu, krahas Shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të qeverisë së Ismail Qemalit, Kuvendi Kombëtar i Vlorës caktoi në krye të Senatit klerikun dhe patriotin Haxhi Vehbi Dibra, i cili do të mbante njëkohësisht edhe detyrën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman. Menjëherë pas marrjes së detyrës ai filloi një veprimtari intensive për organizimin dhe reformimin e institucioneve të bashkësisë islame, të institucioneve të kadilerëve e myftilerëve, të rolit e detyrave të tyre, të ngritjes e organizimit të sherive etj. Këto probleme ai arriti t’i bëjë objekt diskutimi e trajtese edhe në mbledhjet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.[3] Kjo vihet re dhe në vendimin e kësaj qeverie të datës 5 maj 1913, ku thuhet se Këshilli i Ministrave kishte vendosur bashkimin e çështjeve civile me ato penale; suprimimin e kadilerëve dhe shikimin e padive fetare nga ana e myftilerëve; emërimin e një myftiu në çdo nënprefekturë me rrogë 1200 grosh e ndër prefektura me nga 1800 grosh. Të gjithë myftinjtë do të merreshin në provim prej Hirësisë së tij Vehbi Efendiut, Shejh-ul-Islamit të Shqipërisë dhe funksioni i tyre do të deklarohej prej tij.[4]
Më 23 shtator 1913, gazeta “Dielli”, botoi nga Vlora një korrespondencë që bënte fjalë për ndryshimet në kabinetin qeveritar, sipas së cilës, Vehbi Dibra që kishte qenë kryetar i Senatit, tani ishte emëruar kryetar i myslimanëve dhe vendin e tij e kishte zënë Eqrem bej Vlora,[5] çka tregon se Haxhi Vehbi Dibra ishte liruar nga posti i mëparshëm për t’u emëruar Kryemyfti i Përgjithshëm i Shqipërisë.
Duhet theksuar se, për shkak të rrethanave politike që u krijuan në këtë periudhë, nuk pati ndonjë veprimtari konkrete për organizimin dhe strukturimin e bashkësisë islame. Në kohën e qeverisë së Princ Widit komuniteti mysliman në Shqipëri ishte po aq autoqefal sa edhe komuniteti mysliman në Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Rumani dhe Greqi. Në krye të klerit mysliman qëndronte kryemyftiu, i cili ishte njëkohësisht prijësi i të gjithë ulemave dhe i administratës së sheriatit.[6] Në vitet e Luftës së Parë Botërore, në zonën austro-hungareze të pushtimit, e cila përfshinte Shqipërinë e Mesme dhe atë Veriore, sipas një raporti të komisarit civil austro-hungarez, Kral, Shqipëria, si një shtet autonom, e jo si një vend i aneksuar prej Monarkisë Habsburge, mund të pretendonte të kishte të parin e saj të fesë islame. Një lidhje shpirtërore me Shejh-ul-Islamin në Stamboll edhe mund të lejohej, por jo midis asaj dhe parisë së fesë islame të vendeve të tjera ballkanike, me të cilët, përderisa nuk ekzistonte një varësi politike, kurrsesi nuk mund të ishin mbi të, por vetëm se të barabartë. Kral ishte në kundërshtim të plotë me propozimin e zv/shefit të shtabit të ushtrisë austro-hungareze me qendër në Shkodër, i cili i kishte kërkuar Vjenës që drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ta vinte në varësi të Reis-ul-Ulemasë të Sarajevës. Ai kishte menduar që këtë të fundit, ta ftonte në Shkodër dhe, pasi t’i dorëzonte “detyrën” e re, ta shëtiste nëpër Shqipëri së bashku me disa hoxhallarë boshnjakë, për t’i këshilluar myslimanët që të silleshin mirë kundrejt autoriteteve ushtarake austro-hungareze. Kral jo vetëm që e kundërshtonte një veprim të tillë, por i propozonte MPJ në Vjenë emërimin e një kryemyftiu vendas, duke marrë për këtë edhe një lloj miratimi nga Shejh-ul Islami në Stamboll.[7]
Vjena e miratoi qëndrimin refuzues të Kral-it, për mosvënien e Komunitetit Mysliman Shqiptar nën varësi të Reis-ul-Ulemasë të Sarajevës. Ndërsa marrjen e një lloj miratimi nga Shejh-ul Islami në Stamboll për emërimin e kryemyftiut të Shqipërisë, ajo e konsideroi si një veprim jo të përshtatshëm për arsye se: a) Emërimi i kryemyftiut nga korpskomanda austro-hungareze nuk ishte definitiv, ai kishte një karakter provizor, ashtu si të gjitha urdhëresat e administratës ushtarake në Shqipëri b) Marrja e një lloj miratimi nga Shejh-ul-Islami i Stambollit që ishte bërë për Reis-ul-Ulemanë e Sarajevës formonte një pjesë përbërëse integrale të atyre konditave, nën të cilat Perandoria Osmane në vitin 1909, aprovoi aneksimin e Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Në kundërshtim me këtë mënyrë veprimi, shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, u bë pa ndonjë rezervë të tillë. Prandaj, pozita e bashkësisë islame në Shqipëri nuk i ngjante asaj në Bosnje dhe Hercegovinë, por asaj të vendeve krejtësisht të pavarura nga Turqia. Modifikimi i kësaj pozite, sipas Vjenës, ishte i panevojshëm, si për interesat e Austro-Hungarisë, ashtu edhe për ato të Shqipërisë.[8]
Në tetor të vitit 1916, me urdhër të komandës ushtarake austro-hungareze, u krijua në Shkodër Gjyqi i Naltë i Sheriatit i përbërë nga Kryemyftiu Vehbi Dibra dhe dy anëtarë, kryesekretari dhe dy shkruesa.[9] Ndërsa në vitin 1917, komanda ushtarake austro-hungareze miratoi “Parashkresën e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri”,[10] e cila përbëhej nga 43 nene dhe deri në vitin 1923 luajti rolin e një statuti. Sipas “Parashkresës…”, në krye të bashkësisë myslimane dhe të organizimit të Sherisë në Shqipëri ishte Myftiu i Përgjithshëm. Nën kryesinë e tij, ishin të gjithë hoxhallarët dhe Gjyqtarët e Sherisë ashtu dhe të gjithë zyrtarët e tjerë. Myftiu i Përgjithshëm kishte drejtimin dhe kontrollin e epërt mbi të gjitha çështjet e myslimanëve, mbi institutet e bamirësisë dhe të arsimit. Bashkë me Myftiun e Përgjithshëm, pranë tij si ndihmës, qëndronin dhe dy ulema. Këta të dy, bashkë me Kryemyftiun përbënin Këshillin e Naltë ose Gjyqin e Naltë të Sheriatit. Ky këshill ishte shkalla më e lartë për çështjet e besimit dhe të gjyqësisë. Ai kishte të drejtë të zgjidhte gjyqtarët e Sherisë, imamët, hatibët, hoxhallarët, mësuesit e besimit dhe nëpunësit e tjerë. Në Parashkresë, përcaktoheshin edhe detyrat e Kryemyftiut e të Këshillit të Lartë të Sherisë, të Myfti-Kadive, Naibëve, Vaizëve etj. Sipas nenit 18 të “Parashkresës…”, ligjëratat në xhami duhet të mbaheshin në shqip dhe arabisht, t’u përgjigjeshin nevojave të kohës dhe urdhrave të qeverisë. Vendimeve gjyqësore duhej t’u bashkëngjitej përherë edhe një shkurtim në gjuhën shqipe.[11] Me interes të veçantë në këtë periudhë është dhe një qarkore që Myftiu i Përgjithshëm, Haxhi Vehbi Dibra, u dërgoi të gjitha sherive të qarqeve. Ai i urdhëroi ato që, meqë Shqipëria ishte një shtet i pavarur dhe nuk kishte ndonjë lidhje shtetërore me qeverinë turke, lutjet të mos bëheshin në turqisht, por në gjuhën shqipe dhe sulltani të mos përmendej më si mbret i Shqipërisë.[12]
Me propozimin e Gjygjit të Naltë të Sheriatit, i cili funksiononte si instanca më e lartë për çështjet e fesë islame, u bënë përpjekje edhe për riorganizimin e studimeve teologjike islame. Kështu, në vend të medreseve të vogla që gjendeshin me shumicë në të kaluarën, disa prej të cilave e vazhdonin akoma veprimtarinë e tyre me nga një mësues (myderriz), u projektua hapja e disa medreseve më të kompletuara në qytetet kryesore të Shqipërisë, si në Shkodër, Elbasan, Berat, Tiranë dhe Durrës. Këto medrese do të kishin strukturën e shkollave të mesme, sipas modelit evropian dhe, krahas lëndëve fetare, në to do të mësoheshin në gjuhën shqipe edhe lëndët laike. Për përgatitjen e mësuesve (myderrizëve) dhe gjykatësve të sheriatit ishte parashikuar hapja e një universiteti teologjie, në qendër të vendit, në Elbasan. Në këtë universitet do të studionin medresistët, të cilët aspironin për një përgatitje teologjike më të lartë. Pranë medreseve dhe universitetit do të ndërtoheshin konvikte për strehimin e nxënësve që vinin nga larg. Shpenzimet për financimin e studimeve teologjike islame si burim primar do të kishin të ardhurat e vakufeve, ndërsa burimet shtetërore do të ishin sekondare, në formë subvencionesh. Me organizimin e studimit autonom të teologjisë islame në Shqipëri do të bëhej e mundur përgatitja në vend e një brezi të ri klerikësh, gjykatësish të sheriatit dhe e dijetarëve të teologjisë. Kjo do ta rriste shkallën e pavarësisë dhe eventualisht do bënte të hiqej dorë nga thirrja e kandidatëve të huaj nga Turqia, Egjipti apo nga shtete të tjera myslimane.[13] Për plotësimin e nevojave që kishin mësuesit e lëndës së mësim-besimit, në shtypshkronjën shtetërore në Vjenë, u shtypën me tirazh të lartë edhe shumë kopje të bazave të fesë islame.[14]
Kur analizojmë rrugën që ka ndjekur procesi i realizimit të mëvetësisë së komunitetit mysliman shqiptar, duhet theksuar se pas vitit 1912 ai nuk ka pasur më asnjë kontakt zyrtar me Kalifatin Osman. Në fondin e Komunitetit Mysliman që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, të paktën deri tani, nuk është gjetur qoftë edhe një dokument që të dëshmojë lidhjet me Shejh-ul-Islamin në Stamboll.[15] Përkundrazi, kleri mysliman shqiptar, i ndërgjegjshëm për rrugën që duhej ndjekur, nënvizoi si prioritet përdorimin e gjuhës shqipe. Këtu në radhë të parë vlen të theksohet roli i Myftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, i cili, më 14 dhjetor 1920, u shpërndau një qarkore tjetër zyrave të sherieve në prefektura dhe nënprefektura ku i urdhëroi ato se në të gjitha zyrat e sheriatit, duhet të përdornin gjuhën kombëtare. “Prandaj, jeni të urdhëruem mos me përdorë gjuhën turqishte ndër akte zyrtare, sikurse e kemi përdorë gjer më sot. Nga ky shkak, sekretarët, ashtu dhe shkruesat e gjyqeve sheri, janë të detyruem me ditë gjuhën kombëtare mirë, si me shkrim ashtu edhe me këndim. Veç kësaj, ilameve (shpalljeve/vendimeve-H. B.) sheri, përherë do t’u ngjitet një shkurtim në gjuhën shqipe”.[16] Për të përmbushur këtë qëllim, ai njoftoi se, të gjithë nëpunësit do t`i nënshtroheshin një kontrolli nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit.
Realizimi i përdorimit të gjuhës shqipe në aktet e institucioneve fetare islame nuk ishte një proces i lehtë, prandaj kjo çështje u ndoq në vijimësi. Në dhjetor të vitit 1921, njoftoheshin të gjitha Gjyqet e Sheriatit nëpër prefektura se shumë nga lutjet dhe aktet që i paraqiteshin Gjyqit të Naltë ashtu dhe gjyqeve që vareshin prej tij, ishin të shkruara në gjuhën turke. Meqenëse populli që u drejtohej këtyre gjyqeve, ashtu edhe nëpunësit e tyre, ishin shtetas shqiptarë dhe flisnin të gjithë gjuhën shqipe; meqenëse gjykatat e sheriatit mbështesin qeverisjen e shtetit, i cili zyrtarisht përdorte gjuhën kombëtare, porositej rreptësisht ndalimi i akteve dhe lutjeve në gjuhën turke dhe urdhërohej që të mos pranoheshin fare. Gjithashtu ndaloheshin nëpunësit e sherive për përdorimin e gjuhës turke mbi çdo akt zyrtar.[17] Gazeta “Mbrojtja Kombëtare” e 12 majit 1921, e cila e botoi të plotë këtë qarkore, poshtë firmës së Haxhi Vehbi Dibrës ka vendosur shënimin e saj: “Zotit Myfti të Përgjithshëm i drejtojmë duartrokitjet tona”.[18] Nga dokumentacioni i kohës vihet re se, për zbatimin e këtyre urdhëresave u hodhën hapa konkrete. Kështu, në një korrespondencë me gjyqin e sheriatit të Tiranës, Haxhi Vehbi Dibra shkruante: “Ngjitun u kthehet shkresa nr. 37, 21 shkurt 1922, dërguar Gjyqit të Naltë të Sheriatit për shkak se është shkrue në turqisht. Meqenëse korrespondenca duhet ba në shqipen zyrtare, jeni të porositun për të dytën herë që të mos i dërgoni këtij gjyqi shkresa të shkrueme në gjuhën turke, se nuk do të kryhet asnjë formalitet mbi to”.[19] Një rëndësi e veçantë, në këtë periudhë, iu kushtua edhe përdorimit të simbolikës kombëtare. Në mars të vitit 1921, Haxhi Vehbi Dibra porosiste gjyqin e sherisë së Vlorës që në shkresat dhe aktet zyrtare të mos përdorte vulat turke, por të merrte sa më shpejt që të ishte e mundur një vulë me shqiponjë.[20]
Abdylmexhidi II pasi u emërua në postin e kalifit i bëri thirrje të gjithë myslimanëve të botës për t`iu bindur autoritetit të tij shpirtëror. Lidhur me qëndrimin dhe relacionet që mbajti në këtë rast kleri mysliman shqiptar, dëshmon dhe një telegram që mban datën 23 dhjetor 1922.[21] Telegrami mban emërtesën “Nji telegram i kalifes”[22] dhe nga teksti kuptohet se është një përgjigje ndaj një telegrami urimi që Haxhi Vehbi Dibra me cilësinë e Myftiut të Përgjithshëm të Shqipërisë i kishte dërguar Abdylmexhidit II, me rastin e emërimit të tij në postin e kalifit. Nga përgjigjja e Kalifit duket se telegrami i Kryemyftiut të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra, kishte qenë thjesht një telegram kortezie dhe nuk kishte prekur çështje delikate të mëvetësisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar. Këtë çështje krerët myslimanë e konsideronin dhe do ta trajtonin tërësisht si një çështje të brendshme të popullsisë myslimane shqiptare. Përgjigja e kalifit, ngjalli reagim dhe komente tek intelektualët e kohës. Gazeta “Elbasani” shkruante: “Tue i u fal nderit, Halifes së ri, për simpatin dhe bekimet që u ban myslymanëve shqiptar, gjejm rast t`i thomi se parimet kombëtare që banë të ndahet halifeti prej detyrash politike, nja`ato parime kanë ba edhe popullin shqiptar të mbështetet në bashkim vllaznuer e rracnuer pa i vu vesh aspak feve të ndryshme që e ndajnë vetëm në pikpamje të nevojave shpirtnore. Le ta dijë Halifja i ri se, deri sa ai të qëndrojë larg intrigës politike që kanë luejt disa autoritete fetare, myslimanët e Shqipërisë nuk do t`i kursejnë lutjet e veta të përzemërta për shkëlqimin e atij froni. Gjithashtu duhet t`a dijë hilafeti edhe se, ma e vogla intrigë e mbulueme me ngjyra fetare shkakton mënin e përjetshme të popullit shqiptar kundër kujdo froni fetar”.[23] Komentin e bërë nga gazeta “Elbasani” e ribotoi dhe gazeta “Shtypi”, duke i cilësuar ato si “Fjalë ari” dhe se ky shënim e nderonte shumë ndërgjegjen fetare dhe atdhetarizmin e shkrimtarëve të asaj fletoreje.[24]
Pavarësisht telegrameve të kortezisë të shkëmbyera mes Stambollit dhe Tiranës, duhet theksuar se marrëdhëniet ndërmjet kalifit të ri dhe drejtuesve kryesorë të klerit mysliman shqiptar, nuk vijuan më tej. Bile, nga gjysma e dytë e dhjetorit 1922, Haxhi Vehbi Dibra, i paraqiti qeverisë për miratim projektin e statutit të Xhematit Mysliman Shqiptar, për hartimin e të cilit kishte punuar, nën kryesinë e tij, një komision i posaçëm i përbërë nga intelektualët më në zë të klerit.[25]
Më 7 shkurt 1923, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, njoftoi të gjitha prefekturat se, me vendim të Këshillit të Ministrave, i jepej leja Gjyqit të Naltë të Sheriatit për të bërë më 20 shkurt 1923, mbledhjen e përgjithshme për formimin e Këshillit të Myslimanizmës (Xhemijeti Islamijes) të kërkuar shumë herë prej popullit mysliman.[26] Për zgjedhjen e delegatëve që do të mernin pjesë në këtë kongres u hartua një rregullore e veçantë, sipas së cilës, çdo prefekturë dhe nënprefekturë do të dërgonte nga një përfaqësues, i cili, ndër të tjera, duhet të dinte të shkruante dhe të lexonte mirë gjuhën shqipe.[27] Një eveniment i tillë u prit me entuziazëm të madh në shtypin e kohës.[28] Redaksia e gazetës “Mbrojtja Kombëtare”, pasi njoftonte mbi zgjedhjen e delegatit të Vlorës, Ibrahim Xhindi, uronte vëllezërit myslimanë që mbledhja për Xhaminë autoqefale të kishte sukses.[29] Ndërsa gazeta “Populli” përgëzonte iniciatorët e këtij kongresi duke qenë e sigurt se përfundimet dhe vendimet që do të merrte, do të ishin baza e përparimit dhe do t`i përgjigjeshin plotësisht interesave të shtetit dhe të kombit shqiptar.[30] Detyra e këtij kongresi, theksohej në një tjetër gazetë, do të ishte shkëputja e çdo lidhje me Shejh-ul-Islamin dhe të rregullonte Komunitetin Mysliman Shqiptar.[31]
Kongresi i filloi punimet në Tiranë, më 24 shkurt 1923, në sallën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, kryetar i së cilës ishte patrioti Dervish Hima.[32] Në Kongres merrnin pjesë 36 delegatë,[33] shtatë prej tyre ishin deputetë. Nga ana e qeverisë, ministri i Brendshëm Ahmet Zogu caktoi si përfaqësues në Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar, sekretarin e përgjithshëm të kësaj ministrie Beqir Çelon.[34]
Që në mbledhjen e parë të delegatëve, Haxhi Vehbi Dibra, u zgjodh Kryetar i Kongresit Mysliman dhe punimet u zhvilluan nën kryesinë e tij. Në fjalën e hapjes, ai theksoi karakterin liberal e demokratik të fesë islame, e cila i kishte të hapura lirisht portat për diskutimin e lirë të të gjitha problemeve që i interesonin botës myslimane,[35] sepse, siç u shpreh fjalë për fjalë ai, “me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet”.[36] Pas falënderimeve për kryeministrin Ahmet Zogu, i cili kishte ndihmuar në organizimin e këtij kuvendi, Hirësia e tij Vehbi Dibra theksoi përpara të gjithë delegatëve rëndësinë e vëllazërimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve. “Sikurse e dini zotëria e juaj, popullsia e Shtetit tonë përbahet prej tre elementësh d.m.th. Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, po në pikëpamje të Kombësisë në mes tonë kemi një vllazni të plotë e të patundëshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnji send që e tund atë vllaznie të plotë. Çështja e fesë asht një çështje e posaçme e sejcili është i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet. Ky organizim i fesë sonë asht vendosun qysh në Kongres të Dibrës fatzezë, po luftat ballkanike e ndaluen këtë qëllim”.[37]
Në seancën e dytë, Kongresi zgjodhi një komision që do të punonte për hartimin e statutit, i cili ishte dokumenti më i rëndësishëm i mbledhjes së myslimanëve shqiptarë. Komisioni që u ngarkua me përgatitjen e projekt-statutit i vazhdoi bisedimet dhe formuloi projektin e paraqitur,[38] ku ndër të tjera shkruhej: “Sikurse shihet në këtë projekt-statut, duke u marë parasysh qëllimet esenciale të organizimit, Statuti mer emrin Statuti i Trupit Mysliman Shqiptar, në të cilin jemi munduar të përmbledhim disa themele për sigurimin e mbarëvajtjen e organizimit të këtij trupi për sa i përket sigurimit të një morali të pastër e zhvillimit lëndor e ekonomik, duke u larguar kryekëput nga politika. Përbërja e trupit mysliman shqiptar për sigurimin e qëllimeve të sipërshënuara e forcimin vëllazëror ndërmjet shqiptarësh, i ngarkohet Këshillit të Naltë të Xhematit e ndihmës plot me vullnet të patundshëm të shqiptarëve myslimanë”.[39] Rëndësi të madhe kishte fakti se Statuti Mysliman përjashtonte dhe ndalonte çdo autoritet shpirtëror jashtë Shqipërisë, çka e shihte atë kundër idealit kombëtar.[40] Organi më i lartë mysliman në Shqipëri, po sipas këtij Statuti, ishte Kryesia e Këshillit të Naltë të Sheriatit. Ky drejtohej nga Myftiu i Përgjithshëm. Personi që do të vendosej në këtë detyrë duhet të kishte këto cilësi: së pari, të ishte nënshtetas shqiptar dhe të dinte gjuhën shqipe; së dyti, të gëzonte të drejtat civile e politike; së treti, të ishte prej racës shqiptare ose me origjinë shqiptare prej tre brezash. Këtë post nuk mund ta zinin ata persona të cilët, duke filluar nga data 28 nëntor 1912 kishin luftuar kundër çështjes kombëtare.[41]Sipas neneve gjashtë e shtatë të Statutit, Këshilli i Naltë i Sheriatit zgjidhej me shumicë votash dhe të gjithë anëtarët duhet të ishin me kombësi shqiptare. Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar i përfundoi punimet më 12 mars 1923. Me vendimet që mori ai shënon një ngjarje të rëndësishme historike, jo vetëm për besimtarët e fesë islame, por për mbarë popullin shqiptar. Në përfundim të punimeve, Kryetari i Kongresit Mysliman Shqiptar Haxhi Vehbi Dibra i drejtoi Këshillit të Ministrave një letër ku e vinte në dijeni se Kongresi i kishte mbyllur punimet me sukses të plotë, duke zgjedhur në bazë të neneve 6 dhe 7 të statutit edhe anëtarët e Këshillit të Naltë të Sheriatit.[42]
Në Statutin e vitit 1923, jo vetëm që nuk bëhej fjalë për ndonjë lidhje me kalifatin, por, konfirmoheshin de jure vendimet e vitit 1913, kur si Myfti i Përgjithshëm i Shqipërisë ishte zgjedhur Haxhi Vehbi Dibra. Ky ishte dhe Kongresi i shpalljes së autoqefalisë së xhamisë shqiptare, duke shkëputur kështu zyrtarisht çdo marrëdhënie shpirtërore me Turqinë.[43] Një akt i tillë u prit me entuziazëm dhe u komentua gjerësisht në faqet e shtypit të kohës. Në Gjirokastër dhe në Korçë lajmi për proklamimin e autoqefalisë së xhamisë shqiptare, u përshëndet me të shtëna artilerie, banda e qytetit luajti pjesë muzikore në oborrin e medresesë, ku priteshin vizita zyrtare.[44] Me këtë rast, gazeta “Zëri i popullit” përgëzonte vëllezërit myslimanë për këtë ditë të shënuar dhe u uronte atyre mbarëvajtje e përparim për interesin e përbashkët kombëtar, duke shkruar se një ndryshim të tillë, shqiptarët, duhet ta ndienin më shumë të nevojshme sesa turqit, se duhej marrë parasysh që ndodheshin në mes të Europës dhe nuk mund të qëndronin indiferentë përpara ndryshimeve sociale që po ndodhnin në mbarë botën.[45] Në Vlorë gazeta “Mbrojtja kombëtare” shkruante se, porsa kishte mbërritur lajmi, qyteti ishte zbukuruar me flamuj dhe në xhami ishin kënduar lutje. Më pas populli kishte vajtur në gjykatoren fetare ku ishin pritur urime.[46] Ndërsa gazeta “Shqipëria e re” që dilte në Rumani, duke bërë fjalë për ceremoninë e zhvilluar në Tiranë me rastin e përfundimit të Kongresit Mysliman, njoftonte: “Të premten e shkuar pas kongresit mysliman për autoqefalinë e fesë myslimane, u mbajt në xhami një lutje, ku për të parën herë, u këndua Kur`ani në gjuhën shqipe. Muar pjesë Këshilli i Naltë, Qeveria, Nënpunësit superiorë dhe një shumicë e madhe prej popullit. Në fjalën që mbajti i ndershmi Kryemyfti tha: Që këtej e tutje do të njohim kryesinë e fesë myslimane, Këshillin e Naltë dhe jo Shejh-ul Islamin e Stambollit”.[47]
Vendimeve të Kongresit Mysliman Shqiptar u bënë jehonë edhe gazetat e huaja. Përfaqësuesi i Shqipërisë në Romë, Teufik Mborja, njoftonte Ministrinë e Jashtme shkruante se gazetat e atjeshme kishin lajmëruar autoqefalinë e xhamisë shqiptare nga kalifati i Stambollit.[48] Gazeta greke “Fruros” e datës 10 prill 1923, hapej me artikullin “Shqiptarët u ndanë prej Kalifatit”, ku njoftonte se me iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Ahmet Zogu, në Tiranë ishte mbledhur Kongresi i Myslimanëve Shqiptarë. Ajo e vinte theksin në rëndësinë që do të kishin vendimet e këtij Kongresi, pasi kështu do të ndërpritej çdo lidhje midis shqiptarëve (myslimanë) dhe Kalifatit të Turqisë dhe do të fillonte një emancipim i Shqipërisë prej influencës turke.[49] Për t`u shënuar është edhe artikulli i botuar në gazetën egjiptiane “Al-Ahram”, më 11 prill 1923, të cilit do t`i kundërpërgjigjej Vehbi Dibra me një artikull të gjatë të shkruar në arabisht dhe të botuar po në këtë gazetë. Nga ky shkrim mësojmë se Myftiu i Përgjithshëm, protestonte kundër përmbajtjes së një artikulli të botuar në gazetën “Times” të Londrës, lidhur me komentet dhe interpretimet që bëheshin për Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar.[50]
Deri më sot nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë dokument mbi qëndrimin që mbajti Stambolli ndaj autoqefalisë së xhamisë shqiptare. Ndonëse kjo ngjarje nuk mund të ketë kaluar pa u vënë re nga qeveria turke, fakt është se ajo nuk ndërmori ndonjë veprim apo reagim publik, për vetë faktin se bashkësia myslimane e Shqipërisë de facto e kishte fituar mëvetësinë e saj që kur vendi ynë u shkëput nga Perandoria Osmane. Por, kjo mund të lidhet edhe me pozitën aspak komode të Abdylmexhidit të II në raport me regjimin turk. Pasi drithërimat e Lozanës morën fund, ai u kthye në një pikë qendrore për kundërshtarët e Mustafa Qemalit, që filluan të intrigojnë për të rikthyer sulltanatin dhe sulltanin.[51] Kur kalifi i shkroi Mustafa Qemalit për t`i kërkuar përparësi më të mëdha, për shkak të dëmeve që i kishte shkaktuar këtij institucioni pakësimi i buxhetit,[52] ai iu përgjigj: “Kalifi dhe mbarë bota le ta dinë se kalifi dhe kalifati, nuk kanë më asnjë kuptim dhe asnjë ekzistencë të vërtetë. Ne nuk mund ta vendosim Republikën e Turqisë përballë asnjë rreziku që cenon pavarësinë e saj. Vendi i kalifatit, për ne, nuk ka më asnjë rëndësi më shumë se sa kujtesa historike”.[53] Më 29 shkurt 1924, Abdylmexhidi mori pjesë në ceremoninë e së premtes, e cila qe dhe ceremonia e fundit e mbajtur zyrtarisht nga një anëtar i dinastisë osmane. Katër ditë më pas, më 3 mars 1924, Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë e shfuqizoi kalifatin, duke i dhënë fund dinastisë osmane. Të nesërmen e asaj dite, Abdylmexhidi u largua nga Stambolli.[54]
Shkatërrimi i Kalifatit Osman u shoqërua me komente të shumta në shtypin perëndimor.[55] Gazeta angleze “The Daily Telegraph” e quante një hap të nxituar veprimin e nacionalistëve turq. Ajo shkruante se prania e Kalifatit në Turqi e fuste atë në radhën e shteteve të fuqishme, ndërsa tani, ajo do të kthehej në një republikë të dorës së tretë.[56] Më 13 mars 1924 gazeta e Kajros “Al-Akbar” botoi artikullin “Bomba qemaliste mbërrin në zemër të islamit dhe të Turqisë”. Sipas kësaj gazete, tani Turqia e privuar nga kalifati, e kishte humbur vendin e saj midis perandorive të mëdha. Politikisht, tani ajo zinte një vend më të ulët nga ai i Bullgarisë. Ndikimi i saj mbi myslimanët e Azisë dhe të Afrikës ishte shkatërruar, dhe ajo ishte e reduktuar në një shtet prej 5 milionë banorësh. Kështu Republikës Turke si mbetej gjë tjetër veçse të mbrohej nëpërmjet militarizmit.[57]
Edhe shtypi shqiptar i ndiqte me vëmendje zhvillimet në Turqi, “Gazeta e Korçës” shkruante se në Parlamentin Turk ishte paraqitur një mocion për heqjen e kalifatit.[58] Ndërsa më 8 mars 1924, ajo jepte lajmin se Kuvendi i Madh Kombëtar i Turqisë kishte miratuar ligjin që e abrogonte kalifatin.[59] Për t`u nënvizuar është se shtypi shqiptar e përshëndeti dhe e komentoi pozitivisht këtë hap madhor në emancipimin e shoqërisë turke. Këto komente në vetvete dëshmonin edhe frymën moderne dhe përparimtare të shtypit dhe inteligjencës shqiptare të kohës, e cila ishte e vendosur të ecte në rrugën e qytetërimit perëndimor. Në një artikull të gazetës “Dielli” komentohej se ky hap kishte rëndësi të përbotshme, se turqit po tregonin një guxim shumë të madh, duke rrëzuar një institut të vjetër të themeluar që në vitin 1517, i cili kishte qenë burimi kryesor i fuqisë së tyre. Ky vendim, nuk kishte vetëm kuptimin e rrëzimit të kalifatit, por, sikundër shpjegohej nga burime të ndryshme, kishte dhe kuptimin që tani e tutje Kur`ani dhe ligjet e shenjta do të shuheshin dhe do të çrrënjoseshin krejtësisht nga gjykatat dhe shkollat publike, të cilat, kishin qenë nën influencën e fesë. Sipas gazetës, një kuptim tjetër ishte dhe se të gjitha gjërat e çmuara të institucioneve të shenjta, të cilat llogariteshin se kishin një vlerë prej 500.000.000 dollarë, do t`i ktheheshin shtetit. Kjo masë, sipas gazetës, i thoshte lamtumirë Orientit e ideve orientale dhe e vinte Republikën Turke në një bazë të shëndoshë perëndimore, e cila do ta shpëtonte dhe do ta vinte në udhë të mbarë kombin turk.[60] Në të njëjtën linjë ishte dhe një artikull i botuar në “Gazeta e Korçës” më 25 mars 1924. Sipas tij, Asambleja Turke, me reformat themelore të bëra njëra pas tjetrës, po habiste mbarë botën. Shpallja e Republikës dhe abrogimi i Kalifatit, të mos përzierit e çështjeve fetare me ato kombëtare dhe shumë reforma rrënjësore të këtij lloji, jo vetëm që siguronin dhe e forconin brenda shtetin turk, por, e shtynin edhe popullin në një rrugë përparimtare. Pas gjithë këtyre çudirave që po bënte Mustafa Qemali, s`kishte asnjë dyshim se, jo vetëm shteti, por dhe populli turk, shumë shpejt do të shijonin frytet e kësaj pune me të vërtetë patriotike. Artikulli bënte dhe një analogji mes lëvizjes së nacionalistëve turq për të shpëtuar Anadollin dhe nacionalistëve shqiptarë që kishin luftuar rreptësisht për të ndaluar copëtimin e Shqipërisë, e që më vonë “mbajtën Mbledhje Kombëtare në Lushnjë dhe shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi. Dhe mbledhjen e Lushnjes me të drejtë mund ta barazojmë me punët e Asamblesë së parë të Ankarasë”.[61] Në fund ai mbyllej me fjalët: “Ja dhe një nga regjimet teokratike të botës, nga më të fuqishmit dhe më të vjetrit, i rrëzuar prej mendimeve të reja që po zhvillohen sot. Kalifati i sulltanëve të Perandorisë Osmane u rrëzua sot prej një grusht njerëzish me patriotizmë të pakufizuar. Idoli i myslimanizmit dhe përmbajtësi moral i lidhjes myslimane u rrëzua prej një grusht patriotësh, të cilët ndofta vepruan kundër dëshirës së popullit mysliman”.[62]
[1]. A. Şeref Gözübüyük & Suna Kili, Türk Anayasa Metinleri Sened-iİttifaktan Günümüze, Ankara: Türkiye İş BankasıYayınları, 1985, s. 96-97; Düstür, 3. Tertip, C.3, s.152.
[2]. Seçil Akgün, Halifeliğin Kaldırılmasıve Lâiklik (1924-1928), Istanbul: Temel, 2006, s.3-4; Nutuk, C.III, s.1251-1252.
[3]. Qazim Xhelili, Vehbi Dibra-personalitet dhe veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, Tiranë: albin, 1998, f. 200.
[4]. AQSH, F. 145, V. 1913, D. 2, dok. nr. 8135. Vendimi Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës lidhur me organizimin gjyqësor në Shqipëri.
[5]. Dielli, nr. 247, 23 shtator 1913, f. 3.
[6]. HHSt.A.PA.A. në AIH, Vj. 26-1-172, Raport i komisarit civil austro-hungarez Kral mbi çështjet e fesë islame në Shqipëri, Shkodër, 25.7.1916.
[7]. HHSt.A.PA.A.nëAIH, Vj. 26-1-173, Raport i komisarit civil austro-hungarez Kral mbi çështjet e organizimit të fesë islame në Shqipëri, Shkodër, 11.8.1916.
[8]. HHSt.A.PA.A. në AIH, Vj. 26-1-174, Telegram i MPJ për komisarin civil austro-hungarez në Shkodër Kral, Vjenë, 22.8.1916.
[9]. AQSH, F. 882, V. 1917, D. 19, fl. 30. Urdhër i Komandës Ushtarake Austro-Hungareze.
[10]. HHSt.A.PA.A. në AIH, Vj. 27-63, Rregullore provizore e organizimit të çështjeve të sheriatit në Shqipëri, Shkodër, 25 qershor 1917. Kjo rregullore u botua edhe në formën e një broshure nën emërtesën Parashkresë e përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, Shkodër 1917.
[11]. HHSt.A.PA.A. në AIH, Vj. 28-70, Qarkore dërguar të gjithë qark-komandave mbi vendimin e Gjyqit të Naltë të Sheriatit, Shkodër, 14.6.1918.
[12]. AQSH, F. 882, V.1917, D. 39, fl. 1. Urdhër i Kryemyftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, dërguar sherive të vendit, 26.6.1917.
[13]. HHSt.A.PA.A. në AIH. Vj. 28-67, Raport i korpskomandës austro-hungareze mbi çështjet e sheriatit dhe vakufit në Shqipëri, Shkodër, 23.3.1918.
[14]. HHSt.A.PA.A. në AIH, Vj. 28-80, Raport i korpskomandës austro-hungareze mbi çështjet e arsimit në Shqipëri, Shkodër, janar, 1918.
[15]. Q. Xhelili, Vehbi Dibra-personalitet…, f. 204.
[16]. AQSH, F. 882, V. 1921, D. 9, fl. 1. Urdhër i Kryemyftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, për mësimin e gjuhës shqipe nga nënpunësit e sherive.
[17]. Mbrojtja Kombëtare, 12 maj 1921, f. 1.
[18]. Po aty.
[19]. AQSH, F. 882, V. 1922, D. 7, fl. 3. Urdhër i Kryemyftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, për gjyqin e sheriatit të Tiranës lidhur me mospërdorimin e turqishtes në shkresat zyrtare.
[20]. Po aty, V. 1921, D. 14, fl. 2. Urdhër i Kryemyftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, për gjyqin e sheriatit të Vlorës lidhur me mospërdorimin e vulave turqisht në shkresat zyrtare.
[21]. Fletore Zyrtare, nr. 1, 7 kallnduer 1923, f. 2; “Njoftim”, Shqipëri e re, nr. 115, 28.1.1923, f. 1.
[22]. Po aty. “z. Vehbi, Myfti i Përgjithshëm në Tiranë. Telegramin derimtari Z. s`Uej I dërguem n`Emën të Popullit Mysliman Shqiptar që i uronte të madhit Halife fronin e naltë të Hilafetit u këndua nga Naltmadhënia e Tij me nji gëzim të veçantë. N.M.T na urdhënoj t`i japim zbukurim gjuhës duke thanë se, Kombi Shqiptar, trim e shpirtmadh, meqenëse, në çdo gjendje e në çdo kohë ashtë nji gjymtyrë i vlefshëm për trupin e përgjithshëm Mysliman, ka me e naltësue fjalën e njitimit (teuhidit) dhe në dy jetë ka me ja mbërritun shkallës ma të naltë të nderit e të lumturisë. Naltmadhënia e Tij dëshiron dhe zotnis s`Uaj, që jeni mbrojtësi sheriatit në atë shtet, Zoti u faltë sukses për plotësimin e dëshirave edhe për mirëpunët e pritshme, duke rranjosun e duke forcuem vendimet e nalta të Sheriati-Ahmedijes në çdo anë të Shqipnies. Mbas urdhnit të N.M së Tij me gëzim po shpejtojt`ju jap sihariq për Selamin Shpëtimprues të Madhit Halife që i çon të gjith Popullit Shqiptar Mysliman.
Kryeadjutant Kajmekam
Sheqib d.v Stamboll 23.12.1922”.
[23]. “Fjalë ari”, Shtypi, nr. 2, 11.1.1923, f. 1.
[24]. Po aty.
[25]. AQSH, F. 882, V. 1922, D. 668, fl. 48. Parashtresë e Myftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave për formimin e Xhematit Mysliman Shqiptar, 16.12.1922.
[26]. Libri i Qarkoreve i Ministrisë së Punëve të Brendshme i vitit 1922-1923, Tiranë 1923, nr. 5, f. 222.
[27]. AQSH, F. 882, V. 1923, D. 4, fl. 6. Urdhëresë e Myftiut të Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, për kriteret që duhet të plotësonin delegatët e zgjedhur për Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar.
[28]. Populli, nr. 5, 16.2.1923; Elbasani, nr. 9, 19.2.1923; Mbrojtja Kombëtare, nr. 5, 21.2.1923; Shqipëri e re, nr. 120, 4.3.1923; Mbrojtja kombëtare, nr. 5, 21.2.1923; Politika, nr. 8, 19.2.1923; “Kongresi i muhamedanëve shqiptarë”, Shqipëri e re, nr. 121, 11.3.1923; “Mbi mbledhjen e një kongresi fetar muhamedan që do të mblidhet në kryeqytet”, “Mbi proklamimin e xhamisë shqiptare nga kongresi muhamedan”, Zëri i popullit, nr. 20, 17.2.1923, f. 2; Drita, nr. 129, 27.3.1921.
[29]. “Në kongresin e muhamedanëve do të mare pjesë deputeti nga Vlora, Ibrahim Xhindi”, Mbrojtja kombëtare, nr. 5, 21.2.1923.
[30]. Populli, nr. 5, 16.2.1923.
[31]. Zëri i popullit, nr. 20, 17.2.1923.
[32]. AQSH, F. 882, V. 1923, D. 4, fl.11. Disa ditë më pare Myftiu i Përgjithshëm Haxhi Vehbi Dibra, i dërgonte Dervish Himës një shkresë ku ndër të tjera e njoftonte se: “Gjyqi i Naltë i Sheriatit, ka pas shpallun për një mbledhje të përgjithshme këtu në kryeqytet prej përfaqësuesve të popullit mysliman, të dërguar nga çdo prefekturë e nënprefekturë. Kjo mbledhje, qe caktuar të hapet me 20 shkurt 1923, por tue mos muejt me mbritë në kohë disa prej delegatëve, u shty dhe u vendos që të hapet me 24 shkurt në orën nëntë, para dite, në ndërtesën e shoqërisë “Djelmnia Dibrane”, e cila kryesohet nga ana e z. suaj. Pra lutemi që ndërtesa në fjalë të stoliset e të rregullohet sikurse duhet, tue caktua posaçërisht vendet e delegatëve, të të ftuarve, të sekretarisë dhe të përfaqësuesit të qeverisë”.
[33]. Po aty, fl. 16-17. Lista e delegatëve të prefekturave dhe nënprefekturave për në Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar.
[34]. AQSH, F. 482, V. 1923, D. 4, fl. 41. Letër e ministrit të Punëve të Brendshme Ahmet Zogu, mbi caktimin si të deleguar në Kongresin Mysliman të sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie z. Beqir Çelo.
[35]. Gazment Shpuza, “Rëndësia dhe mesazhi i Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923”, Perla, Viti XI 2006 Nr. 2 (41), f. 107.
[36]. Shtypi, nr. 16, 28.2.1923; Populli nr. 120, 9.3.1923.
[37]. Po aty.
[38]. AQSH, F. 482, V. 1923, D. 4, fl. 195-197. Projekt statuti i Xhematit Mysliman Shqiptar.
[39]. Po aty.
[40]. AQSH, F. 882, V. 1923, D. 1, fl. 13. Statuti i Trupit Xhematit Mysliman Shqiptar.
[41]. Po aty, fl. 3.
[42]. AQSH, F. 482, V. 1923, D. 4, fl. 28. Letër e Kryetarit të Kongresit Mysliman Shqiptar Vehbi Dibra, dërguar Këshillit të Ministrave. Anëtarë të Këshillit u zgjodhën Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Vejsel Nailiu, Haxhi Adem Vata, Sheh Ibrahim Karbunara, Qamil Bala, Reshat Kokalari. Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, ndërsa Drejtor i Përgjithshëm i Vakëfeve nga Kongresi u zgjodh Sali Vuçiterni.
[43]. “Congresso di Musulmani in Albania: la questione del Califfato e le riforme in materia islamica”, Oriente Moderno, nr. 2, 1922-1923, p. 706; “Ancoraintorno al Congressodei Musulmani”, Oriente Moderno, nr. 3, 1923, p. 78; Teki Selenica, Shqipëria më 1927, f. 110.
[44]. “Mbi mbylljen e Kongresit Mysliman në Tiranë”, Drita, nr. 127, 14.3.1923, f. 1.
[45]. Zëri i popullit, nr. 28, 21.3.1923.
[46]. Mbrojtja kombëtare, 15.3.1923.
[47]. “Njoftim”, Shqipëria e re, nr. 126, 15.4.1923.
[48]. AMPJ, D. 334, V. 1923, fl. 1. Telegram i përfaqësuesit të Shqipërisë në Romë, Teufik Mborja, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, 16.3.1923.
[49]. Po aty, fl. 4. “Shqiptarët u ndanë prej Kalifatit”, artikull i gazetës greke “Fruros” e datës 10 prill 1923.
[50]. Alexander Popoviç, Islamizmi Ballkanik, Myslimanët e Europës Juglindore gjatë periudhës pasosmane, Tiranë: Dituria, 2006, f. 35.
[51]. Emile Marmorstein, “Religious Opposition to Nationalism in the Middle East”, International Affairs, July, 1952, p. 344-357.
[52]. Yusuf Sert, Halifeliğin kaldırılmasının Konya basını ve kamuoyunda kiyansıması, Selçuk Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü Atatürk İlkelerive İnkılâp Tarihi Anabilim Dalı,Yüksek Lisans Tezi, 1995, s. 51.
[53]. TürkiyeBüyük Millet Meclisi, ikincidevrec.VII, Ankara, 1985, s. 27.
[54]. Yusuf Sert, Halifeliğinkaldırılmasının…, s. 65.
[55]. “The End of the Caliphate”, The Times, 5 March 1924, p. 14; “The Future of Islam”, The Daily Telegraph, 4 March 1924, p. 11; “The Exiled Khalif”, 6 March 1924, p. 10-11; “The Caliphate”, 11 March 1924, p. 12; “The Abolition of the Caliph”, The Economist, 8 March 1924, p. 523-524; “Angora and the Caliphate”, Fortnightly Review, January-June 1924, V. 115, p. 495-505; “Turkey the Khalifate and Islam”, The Near East, 20 March 1924, p. 299.
[56]. “The Caliphate”, The Daily Telegraph, 11 March 1924, p. 12.
[57]. Oriente Moderno, 4.4.1924, p. 215-217.
[58]. “Turqit do të heqin Kalifatin”, Gazeta e Korçës, nr. 68, 1.3.1924, f. 4.
[59]. Gazeta e Korçës, nr. 69, 8.3.1924, f. 1.
[60]. Dielli, nr. 229, 8.3.1924, f. 1.
[61]. Gazeta e Korçës, nr. 71, 25.3.1924, f. 2.
[62]. Po aty, f. 3.
Ndërtesa e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Tiranë (Foto Marubi, 1938).
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...