Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jun 08, 2016 Zani i Nalte Editoriale 0
Këndvështrim specialistësh të komunikimit ndërkulturor dhe të dialogut ndërfetar
MSc. Qani Sulku
Gazetar
Abstrakt
Një deklaratë e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, për përfshirjen e një lënde mbi njohuritë fetare në kurrikulën e arsimit parauniversitar shkaktoi debat në mediat shqiptare online, audiovizive dhe të shkruara, si dhe sensacion në opinionin publik. Ajo që u vu re në këto diskutime ishte mungesa e specialistëve të komunikimit ndërkulturor dhe të dialogut ndërfetar, si njerëzit më kompetentë në këtë fushë, këndvështrimi dhe analiza e tyre është e rëndësishme dhe e nevojshme për tema të kësaj natyre. Si u prit dhe si u komentua deklarata e Kryeministrit? Përse deklarata të këtij lloji shkaktojnë reagime të shpejta në media, sipas mendimit të tyre? Sa qartë u kuptua deklarata e dhënë nga kreu i qeverisë, nga opinionistët, të cilët ishin pjesë e paneleve televizive apo të shkrimeve në shtypin e përditshëm? A nënkuptonte Kryeministri në deklaratën e tij një lëndë të mirëfilltë fetare, apo lëndë e cila konsiston në studimin e historisë së feve? Sa të njëjta dhe të ndryshme janë këto të dyja? Këto dhe të tjera pyetje do të mundohemi t’i japim përgjigje nëpërmjet një interviste të zhvilluar me eksperten e Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar, Prof. asoc. dr. Gentiana Skura, gjithashtu nëpërmjet një pyetësori të cilit i janë përgjigjur të diplomuar të profilit komunikim ndërkulturor gjatë vitit 2015, si dhe nëpërmjet një ankete të zhvilluar me nxënës të arsimit parauniversitar.
Hyrje
Deklarata e Kryeministrit Rama për futjen e një lënde fetare në kurrikulat e arsimit parauniversitar, e dhënë gjatë fjalës së rastit në programin kushtuar Profetit Muhamed, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, më 9 prill 2016, shkaktoi debate dhe diskutime të shumta të fokusuara kryesisht në rrjetet sociale dhe mediat online, duke u shtrirë më pas edhe në mediat audiovizive e të shkruara. Duke mos qenë plotësisht e qartë, fjala e z. Rama shtyu opinionistë, analistë dhe të tjerë ta interpretojnë sipas këndvështrimit dhe perceptimit të tyre personal. Çështje që lidhen me fetë shkaktojnë vazhdimisht reagime të shpejta, sensacion dhe ndjeshmëri të lartë në një shoqëri si kjo e jona, meqenëse popullsia është e përkatësive fetare të ndryshme, apo edhe që nuk i përket ndonjë feje të caktuar. Dikush e kuptoi deklaratën e z. Rama si implementimin e një lënde të mirëfilltë fetare në tekstet shkollore; një tjetër e kuptoi si përfshirjen e një lënde e cila mund të jetë historia e feve, filozofia e feve apo kultura fetare. Të gjitha këto, sado të ndryshme apo të njëjta qofshin, sado dallime apo të përbashkëta të kenë, në fund të fundit kanë të bëjnë me komunikim kulturash dhe qytetërimesh, pra me komunikim ndërkulturor apo edhe me dialog ndërfetar. Për këtë arsye le të sjellim shkurtimisht konceptin e këtyre dy termave të rëndësishme, që lidhen ngushtë me thelbin e këtij punimi.
Termi komunikim ndërkulturor për herë të parë është përdorur nga antropologu Hall, i cili me “teaching culture” nënkuptonte “studimin e kulturës” në kuptimin e plotë të fjalës. Sipas Hall, përderisa kultura është diçka që mësohet, do të thotë se ajo mund të jepet si lëndë në shkolla. Idetë e Hall u pranuan nga shkencat e komunikimit dhe u institucionalizuan si programe mësimore në SHBA në fillim të viteve ‘70. Komunikimi ndërkulturor mbështetet te termi i zgjeruar për kulturën, domethënë në studimin e kulturës si kompleks i sjelljeve subjektive (norma, vlera, etj.) dhe objektive (veprime, mënyra sjelljeje, gjuhë), etj.
Komunikimi ndërkulturor dhe ndërfetar është një fushë që synon studimin e mënyrës se si njerëz me origjinë të ndryshme kulturore përpiqen të komunikojnë. Ai është një kombinim i fushës së antropologjisë, studimeve kulturore, psikologjisë, sociologjisë dhe komunikimit. Komunikimi ndërkulturor dhe ndërfetar është një nga drejtimet kryesore të marrëdhënieve të shoqërive dhe kombeve të ndryshme. Respektimi dhe ndërtimi i një dialogu me tjetrin, në kuptimin e një individi apo grupi që i përmbahet besimeve dhe vlerave të tjera religjioze dhe kulturore, është mjeti kryesor për të mos u mbyllur brenda obsesioneve kulturore brendapërfshirëse.
Ajo që u vu re në diskutimet e shumta televizive mbi temën Feja në shkolla, si dhe në reagimet e ndryshme në median online e të shkruar, ishte mungesa e specialistëve të komunikimit ndërkulturor dhe dialogut ndërfetar, si njerëzit më kompetentë në këtë fushë, këndvështrimi dhe analiza e të cilëve është më se e nevojshme për tema të kësaj natyre. Si u prit dhe si u komentua deklarata e Kryeministrit? Si u prit dhe si u komentua deklarata e Kryeministrit? Përse deklarata të këtij lloji shkaktojnë reagime të shpejta në media, sipas mendimit të tyre? Sa qartë u kuptua deklarata e dhënë nga kreu i qeverisë, nga opinionistët, të cilët ishin pjesë e paneleve televizive apo të shkrimeve në shtypin e përditshëm? A nënkuptonte Kryeministri në deklaratën e tij një lëndë të mirëfilltë fetare, apo lëndë e cila konsiston në studimin e historisë së feve? Sa të njëjta dhe të ndryshme janë këto të dyja? Këto dhe të tjera pyetje do të mundohemi t’i japim përgjigje nëpërmjet një interviste të zhvilluar me eksperten e Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar, Prof. asoc. dr. Gentiana Skura, gjithashtu nëpërmjet një pyetësori të cilit i janë përgjigjur rreth 20 të diplomuar të profilit komunikim ndërkulturor gjatë vitit 2015, si dhe nëpërmjet një ankete të zhvilluar me nxënës të arsimit parauniversitar.
Këndvështrimi dhe analiza e specialistes së komunikimit ndërkulturor dhe dialogut ndërfetar
Në diskutimet e shumta televizive, si dhe në shkrimet e publikuara online apo në shtypin e shkruar, në lidhje me çështjen “Feja në shkolla”, hasëm rrallë, ose më saktë nuk dëgjuam opinionin e specialistëve dhe ekspertëve të komunikimit ndërkulturor dhe dialogut ndërfetar. Për këtë arsye u mor një intervistë me eksperten e kësaj fushe, pedagogen e lëndëve Komunikim Ndërkulturor dhe Dialog Ndërfetar në Universitetin e Tiranës, Prof. asoc. dr. Gentiana Skura, për të përcjellë këndvështrimin e saj në lidhje më këtë temë.
Si eksperte e komunikimit ndërkulturor dhe dialogut ndërfetar, si e pritët deklaratën e Kryeministrit për futjen e lëndës fetare në shkolla?
–Nuk është hera e parë që flitet për këtë çështje. Ndër vite, herë pas here, është cekur kjo temë, por gjithmonë është debatuar në media dhe ka mbetur me kaq. Për shembull: kujtoj se në prill të vitit 2012, është diskutuar në Komisionin Parlamentar të Arsimit dhe Medias bashkë me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ku këta të fundit kërkuan futjen në kurrikulën e arsimit parauniversitar të një lënde për të dhënë njohuri rreth feve, por që më vonë nuk pati ndonjë hap konkret në këtë drejtim.[1]
Pra propozimi për të implementuar në tekstet e arsimit parauniversitar një lëndë mbi njohuritë fetare nuk është diçka e re. Pikërisht përpara 4-viteve është hedhur e njëjta ide, por që mbeti në suazat dhe kuadrin e një propozimi pa shkuar më tutje në zbatim. E njëjta ide e para katër viteve nuk pati të njëjtin fokus mediatik krahasuar me atë të këtij viti, por pyetja që lind natyrshëm është:
Përse deklarata e shefit të qeverisë shqiptare shkaktoi debat në media nga personalitete të fushave të ndryshme, të cilët nuk nguruan të japin deklarata apo mendime pro dhe kundër implementimit të lëndës rreth fesë në shkolla?
-Gjithmonë kur flitet për çështje që kanë të bëjnë më fenë apo besimet fetare shoqëritë janë të ndjeshme. Kështu që nuk besoj se ne bëjmë përjashtim në këtë aspekt. Për sa i përket debatit, padyshim që e konsideroj konstruktiv. Është një arenë mendimesh, që pavarësisht se mund të jenë pro dhe kundër, patjetër që do të kontribuojnë në qartësimin dhe argumentimin e futjes ose jo të lëndës në fjalë në sistemin tonë arsimor publik”.[2]
Ajo që zgjeroi debatin mediatik ishte paqartësia e deklaratës së Kryeministrit, pasi nuk u bë e qartë nëse nënkuptonte implementimin e një lënde të mirëfilltë fetare apo kulturë fetare dhe histori të feve. Pikërisht këtu lind pyetja: Sa janë të njëjta dhe të ndryshme termat “lëndë fetare” dhe “histori e feve”?
-‘Lëndë fetare’ dhe ‘histori e feve’ duken sikur janë të njëjta, pasi të përbashkët kanë fjalën ‘fe’, por në realitet janë të ndryshme. E para ka të bëjë me teologjinë, ndërsa e dyta me historinë e zhvillimit të feve (monoteiste: judaizmin, krishterimin dhe islamin; por dhe budizmin, hinduizmin, konfuçizmin etj.) e komunikimin mes tyre. Thënë ndryshe, lënda mësimore e religjionit nënkupton mësim-besimin e një konfesioni fetar të caktuar, duke mos e përzier atë me fe të tjera. Kjo formë mendoj se është goxha komplekse për t`u realizuar në vendin tonë.[3]
Lënda e Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar, që zhvillohet në Universitet, ofron, veç të tjerash, edhe njohuri të përgjithshme mbi fetë, si: Islami, Krishterimi dhe Judaizmi, si dhe parime bazë të secilës prej tyre. Specialistja Skura shpjegon se kurrikula e lëndëve që ajo jep është e bazuar mbi kurrikulat bashkëkohore të universiteteve evropiane dhe amerikane. Ka kaq shumë modele të kësaj disipline e aq më tepër edhe botime bashkëkohore të studiuesve në Evropë e SHBA.
-Shumë studiues në veprat e tyre mbështeten si te Bibla, ashtu edhe te Kur’ani, duke u përpjekur t`i analizojnë në këndvështrimin shkencor e laik, si: France Farrago, Karen Armstrong, Bernard Lewis, etj., të cilët i analizojnë fetë monoteiste në këndvështrimin historik, komunikimin mes tyre, ngjashmëritë apo edhe dallimet.[4]
Përgjatë intervistës, pedagogia Skura nuk nguron të pohojë se nuk është e interesuar që të njihet me përmbajtjen e lëndës mbi fenë që do të implementohet si projekt pilot, pasi nuk e sheh si prioritare as për kohën dhe as për rrethanat shoqërore të vendit tonë.
Edhe pse projekti pilot që është propozuar nuk është vënë ende në zbatim, nxënësit kanë dëgjuar dhe lexuar rreth feve në tekstet e “Historisë”, Sociologjisë apo Filozofisë, madje në këto lëndë janë vënë re gabime të mëdha e trashanike, si për shembull: Në tekstin e Historisë të arsimit 9-vjeçar, ku thuhej se Muhamedi është i biri i Zotit (ndërkohë sipas fesë islame, Muhamedi është i Dërguari i Zotit). Ja se çfarë thotë profesoresha Skura: “Në fakt, nxënësit shqiptarë njihen me fetë, pasi në libra të tillë si Historia e qytetërimeve, Sociologjia, Filozofia, trajtohen tema të tilla. Nëse vendoset që të futet në kurrikul një lëndë e tillë, padyshim që sfidat janë të mëdha. E para, teksti do të detyrojë hartuesit që të rishihen edhe tekstet e lartpërmendura, të mos bien në përsëritje, por nga ana tjetër, del një problem i madh – mësuesit. Çfarë përgatitje duhet të kenë ata që të jenë të kualifikuar për një lëndë mbi fetë. Po ashtu, të mos harrojmë që, përveçse mësues, duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrën se si do t`i qasen tematikave të ndryshme, pasi nxënësit janë të përkatësive të ndryshme fetare; kush më shumë e kush më pak apo aspak, mund të vijë nga familje praktikante etj. Kështu që çështja e mësuesve duhet të trajtohet me kujdesin e duhur.”[5]
Pedagogia rrëfen edhe se si janë pritur nga studentët e saj të përkatësive të ndryshme fetare dy lëndët që ata kanë studiuar në drejtimin komunikim ndërkulturor: “Shoqëria jonë i përket besimeve të ndryshme fetare dhe kësisoj edhe studentët. Në fakt, dialogu ndërfetar është zhvillimi dhe komunikimi mes besimeve fetare dhe feve të ndryshme, ky i përqendruar më shumë në shekujt e fundit. Interesimi i studentëve sa vjen e shtohet, madje iu duket një fushë shumë interesante dhe dinamike për t`u studiuar. Po ashtu, ka pasur edhe studime më të thelluara në tema të kësaj fushe. Në lidhje me reagimet, mund të them që diskutimet e shumta mbi literaturën e po ashtu mbi çështje të rëndësishme që lidhen me komunikimin ndërkulturor e ndërfetar, i kanë bërë studentët të thellohen më shumë në këtë disiplinë e të reflektojnë mbi atë çka ndodh edhe në realitetin e sotëm në vend dhe botë”.[6]
Këndvështrime rreth temës nga të sapodiplomuar në komunikim ndërkulturor
Për të njëjtën çështje u organizua një pyetësor me përafërsisht 20 të diplomuar gjatë vitit 2015 në drejtimin Komunikim Ndërkulturor. Këtu po japim disa prej komenteve të përzgjedhura:
Aulon Kalaja – me profesion gazetar / drejtues i emisionit “Flakë për Flakë” në televizionin “Zjarr”: “Jam pro mësimit fetar në shkollë, por qeveria duhet të marrë masat që këtë lëndë ta japin profesionistët dhe të mos shërbejë si orë mbushëse, për të paguar mësuesit zëvendësues! Është më mirë të merret kulturë e përgjithshme mbi fenë në shkollë se sa fëmijët t’i atashohen sekteve të dyshimta që kanë kaluar deri në lavazh truri dhe vetëvrasje! Feja është gjë e mirë dhe nuk duhet stigmatizuar me lajme dhe komente denigruese për një fe të caktuar, sepse asnjëra nga fetë nuk ka si qëllim negativitetin, por rrugën e drejtë për njerëzimin. Kjo duhet kuptuar dhe duhet të përfshihet në mësimdhënie.”[7]
Arjola Breshanaj, e cila i përket fesë së krishterë, u shpreh: “Nuk kam asgjë kundër lëndës fetare në shkollë, por që të jetë alternative dhe jo e detyrueshme”.[8]
Eni Ferhati, gazetar në Top Channel, dha këtë koment: “Jam pro idesë për t’u përfshirë në kurrikulat e arsimit parauniversitar njohuri fetare, por jam kundër që të jetë një lëndë më vete. Them që të implementohet te ndonjë lëndë ekzistuese si p.sh.: Sociologji, Edukatë qytetare, etj., dhe informacioni të jetë sipërfaqësor dhe jo narrativ për praktikat e fesë, sepse në këtë mënyrë shmanget predikimi. Duhet gjetur balanca midis informacionit dhe predikimit”.[9]
Elira Kadriu, gazetare e ish-emisionit “Shqip”, u shpreh: “Jam absolutisht dakord, nëse ka të bëjë me rrafshin e historisë së fesë më tepër sesa njohjen e saj, pasi mendoj se çdo nxënës do të ishte mirë të kishte njohuri për lindjen e fesë, përhapjen dhe ndikimin e saj në kulturë dhe shoqëri. Kjo gjë është shumë e rëndësishme sidomos tani me konfliktet madhore që kanë lindur së fundmi”.[10]
Anketë me nxënës të arsimit parauniversitar
Për të bërë një punim të saktë, profesional dhe të plotë, nuk u mjaftuam vetëm me intervistën e specialistes së komunikimit ndërkulturor apo të diplomuarve në këtë drejtim, por zhvilluam gjithashtu edhe një anketë drejtuar më shumë se 150 nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, kryesisht të kryeqytetit, por edhe të rrethinave të tij, nxënës nga klasa e pestë e deri në klasë të njëmbëdhjetë, të cilëve iu shtrua pyetja: A jeni dakord që të ketë një lëndë mbi besimet fetare në shkolla? 100 % e nxënësve dhanë këtë përgjigje: Po, jemi dakord që të ketë një lëndë të tillë, ndërsa një përqindje më e vogël shtoi se kjo lëndë duhet të jetë me zgjedhje dhe jo e detyrueshme.
Lënda fetare në shkollat evropiane
Lënda e kulturës fetare zhvillohet në 40 shtete të Evropës. Në Austri mësimi fetar mbahet në të gjitha shkollat e vendit. Në Gjermani kushtetuta e garanton mësimin fetar në shkollat shtetërore si lëndë “normale”. Në Angli, mësimi fetar është pjesë e plan-programit mësimor. Në Spanjë, mësimi fetar, në rend të parë ai katolik, në shkollat shtetërore, është lëndë fakultative (lënda vlerësohet, mirëpo nota nuk merret për bazë në rastin e regjistrimit në shkolla). Në Belgjikë, po ashtu zyrtarisht, edukata fetare është e garantuar me ligj. Pjesë e kësaj edukate është edhe ajo islame.
Në Greqi, si anëtare e Unionit Evropian, ende është në fuqi ligji i vitit 1930, i cili favorizon fenë ortodokse, kurse në mënyrë flagrante shkelen të drejtat e pakicave fetare. Mësimi fetar është i obliguar për nxënësit që deklarohen si ortodoksë. Në Irlandë, kushtetuta garanton të drejtën e prindërve që fëmijët e tyre të marrin jo vetëm njohuri fetare, por edhe edukatë fetare. Mësimi fetar është i obliguar edhe në Finlandë e Danimarkë, të cilat kanë kishat e tyre shtetërore nacionale. Norvegjia e ka kishën shtetërore si dhe e ka të obligueshme mbajtjen e mësimit fetar. Nëpër shkolla ku ka numër të konsiderueshëm të pakicave fetare, mund të organizohet mbajtja e mësimit fetar. Shteti i pranon dhe i paguan mësimdhënësit e lëndës fetare. E njëjta situatë është edhe në shtetet e tjera skandinave. Në Hungari, mësimi fetar është lëndë fakultative dhe nuk është e përfshirë në plan-programet shkollore; mësimdhënësi fetar nuk është anëtar i këshillit mësimor, por nëpunës kishtar që e paguan shteti. Në Poloni mësim-besimi është i obliguar dhe është në kuadër të plan-programit shkollor. Më se 20.000 mësimdhënës fetarë kanë statusin e mësimdhënësve të rregullt që prej vitit 1997. Për rrogat e tyre vjetore shteti ndan afërsisht 85 milionë dollarë. Në Itali, prej vitit 1985, pas nënshkrimit të marrëveshjes (konkordatit) me Vatikanin, mësimi fetar është lëndë sipas dëshirës. Në Lituani, gjithashtu, mësimi fetar është lëndë sipas dëshirës.[11]
Përfundime dhe sugjerime
Në përfundim të këtij kërkimi dhe punimi shkencor po përcjellim edhe këndvështrimin tonë rreth projekt-idesë së propozuar nga qeveria aktuale për përfshirjen e fesë në shkolla. E mendojmë si një projekt të vonuar, pasi duhej implementuar në kurrikulat parauniversitare menjëherë pas rikthimit të sistemit demokratik në vend në vitin 1992 e këtej. Ndërsa sa i përket krahasimit, nëse duhet të jetë një lëndë e mirëfilltë fetare apo histori fetare dhe sa të ndryshme apo të njëjta janë; do të thoshim se kanë të përbashkëta, pasi edhe në historinë e filozofinë e feve jepen parimet bazë të secilës fe, profeti përfaqësues i fesë përkatëse, si dhe informacione të tjera rreth lindjes dhe përhapjes së feve në vende dhe territore të caktuara, por sigurisht që të gjitha këto nuk e kalojnë pragun e propagandës fetare. Jemi të mendimit që të jetë një lëndë që përfshin njohuri dhe informacione bazë për të gjitha besimet që do të përzgjidhen për të qenë pjesë e kurrikulës, ndërsa mësuesit duhen trajnuar me profesionalizëm pranë komuniteteve përkatëse, me qëllim që të jenë të paanshëm gjatë mësimdhënies. Hartimi i kësaj lënde duhet bërë me mbështetjen e specialistëve të akredituar nga komunitetet fetare në vend. Kjo lëndë duhet të jetë e detyrueshme për të gjithë nxënësit e përkatësive të ndryshme fetare dhe afetare, pasi vetëm kështu ata mund të njihen me kulturën dhe njohuritë bazë të feve, por edhe mbi fenë dhe kulturën e tjetrit, çka do të ndihmojë në njohjen më mirë të tjetrit, në eliminimin e keqkuptimeve dhe perceptimeve të gabuara, si dhe në zgjerimin e shkëmbimit të kulturave dhe subkulturave. Besojmë se një lëndë e tillë do të jetë shumë herë më me vlerë se sa disa lëndë që janë përfshirë vitet e fundit në kurrikulën e arsimit parauniversitar, pasi impakti dhe efekti i kësaj lënde do të jetë shumë pozitiv në rrafshin individual, kolektiv dhe kombëtar.
Për sa i përket diskutimeve në media rreth kësaj çështjeje, por dhe çështjeve të tjera, mendojmë se nuk kanë qenë produktive, pasi nuk kanë dalë në konkluzione apo përfundime konkrete për t’u marrë në konsideratë. Autorët e programeve, nëpërmjet këtyre debateve, mesa duket kanë synuar rritjen e audiencës dhe konkurrencën televizive sesa janë fokusuar te çështja që trajtohet, për të dalë më pas me dy-tre pika kyçe që mund t’i drejtohen institucioneve kompetente dhe përgjegjëse për t’i shqyrtuar.
Literatura e konsultuar:
[1]. Intervista me Prof. asoc. dr. Genta Skura https://youtu.be/xFqkcBbMwzI
[2]. Po aty.
[3]. Intervista me Prof. Asoc. Dr. Genta Skura https://youtu.be/xFqkcBbMwzI
[4]. Po aty.
[5]. Po aty.
[6]. Intervista me Prof. asoc. dr. Genta Skura https://youtu.be/xFqkcBbMwzI
[7]. Komente rreth temës nga të sapodiplomuar në Komunikim ndërkultur https://youtu.be/aM-HAWRJMV8
[8]. Po aty.
[9]. Po aty.
[10]. Komente rreth temës nga të sapodiplomuar në Komunikim ndërkultur https://youtu.be/aM-HAWRJMV8
[11] http://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=2842
Feb 08, 2019 0
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...