Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 23, 2016 Zani i Nalte Histori 0
Dr. Mois Kamberi, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
Abstrakt
Ngjarjet, lëvizjet politike e zhvillimet diplomatike që çuan në shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit dhe qeverisë së parë shqiptare nuk mund të kuptohen pa kontributin e klerikëve, që ishin shtresa më intelektuale shqiptare. Në ngjarje shumë të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kongreset e Manastirit, Dibrës, Elbasanit dhe në kryengritjet e mëdha shqiptare të viteve 1910-1912, këta prijës qenë dhe udhëheqësit e tyre. Ky kontribut patriotik, me mendimet dhe idealet kombëtare, rriti rolin e tyre në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe zgjedhjen e tyre si përfaqësues në kongrese e kuvende me shumë peshë për fatet e Shqipërisë. Për këto merita ata janë zgjedhur dhe në organet drejtuese të tyre. Haxhi Ymer Prizreni – Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Lidhjes Shqiptare, Haxhi Zeka – kryetar i Lidhjes së Pejës, Haxhi Vehbi Dibra – Kryetar i Kongresit të Dibrës etj. Këta emra do të jenë të pranishëm me kontributin e tyre në sukseset që arritën kryengritjet e mëdha të shqiptarëve kundër politikave të monarkive ballkanike e Fuqive të Mëdha, kryengritje që çuan në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimit e Qeverisë së parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali. Kontributi patriotik i klerikëve u pa qartë dhe në zgjedhjen e tyre si drejtues në postet më të larta të qeverisë së parë shqiptare si: Haxhi Vehbi Dibra (Agolli), kryetar i Pleqësisë Shqiptare dhe Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ata janë të parët që hodhën idenë e formimit të një qeverie mbarë shqiptare.
Shekulli XIX shënoi një epokë të re për popullin shqiptar, atë të Rilindjes. Ai hyri në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe revolucioneve kombëtare, që çuan në çlirimin nga pushtimi osman dhe formimin e shteteve të pavarura. Për një varg rrethanash të brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare. Gjatë Rilindjes Kombëtare lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb.[1]
Në kundërshtim me politikat e sulltanëve osmanë, që vinin shenjën e barazimit midis fesë dhe kombësisë dhe e trajtonin popullin shqiptar, me tri besime, të ndarë në tri kombësi të ndryshme, ku jeta shpirtërore e besimtarëve shqiptarë sundohej nga tri institucione fetare, tri shkolla dhe tri kultura të huaja, klerikët shqiptarë ngritën idenë e një shteti kombëtar shqiptar.[2]
Lëvizja Kombëtare Shqiptare për pavarësi dhe krijimi i shtetit shqiptar të pavarur, përbën një shembull mjaft domethënës të bashkëpunimit të sinqertë dhe pa asnjë paragjykim të intelektualëve dhe aktivistëve patriotë, të cilët pavarësisht nga përkatësia e ndryshme fetare, dhanë një kontribut vendimtar për afirmimin politik e kulturor të kombit shqiptar. Të dhënat e përftuara nga burime të ndryshme historike vërtetojnë qartësisht ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e luftërave të ndryshme në mbrojtje të trojeve shqiptare, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohërave, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke u vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, falë kjo e prijësve të shquar fetarë. Shumë kuvende e kryengritje lokale, krahinore, ndërkrahinore dhe mbarë kombëtare, u udhëhoqën dhe u drejtuan nga klerikë të shquar shqiptarë. Një realitet ky i cili herë pas here vlerësohet edhe nga opinioni ndërkombëtar.
Kur udhëton nëpër analet e historisë shqiptare dhe flet për lëvizjet dhe përpjekjet mbarëkombëtare, kupton se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin drejtues fetarë, që nga imamë e myderrizë, myfti, kryemyfti, kadi dhe kryetarë komuniteti e deri në klerikë katolikë e ortodoksë, ku në kushte dhe rrethana të ndryshme dhe shpesh herë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan për forcimin dhe konsolidimin e këtij shteti, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë.
Duke i bërë një vështrim retrospektiv veprimtarisë së klerikëve shqiptarë, si organizatorë të rezistencës antiosmane, kuvendeve e kongreseve të mbajtura në gjithë krahinat shqiptare, aktiviteti i tyre patriotik rriti popullaritetin e tyre në krahinat shqiptare.[3]
“Na shqiptarët, prej çdo feje qofshim, jemi të tanë vllazën gjaku dhe vllazën (vatani) atdheu. Do të shkojmë mbarë e mirë shoq me shoq si jemi tue shkue, do të punojmë së bashku për lulëzimin e atdheut tonë dhe do ta mbrojmë atë me gjakun tonë.”
Është e qartë që kleri mysliman ka dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e popullit dhe të kombit shqiptar. Në përpjekjet dhe në luftën e gjatë për ruajtjen e identitetit kombëtar, ai ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme. Mjafton të hedhim një sy me kujdes, në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik dhe do vëmë re se prania e klerikëve myslimanë është kudo e pashmangshme. Që nga kryengritjet kundër Tanzimatit me sheh Mustafën e sheh Fezën, e deri te përfaqësimi në organizma, si Komiteti i Stambollit, me Hoxhë Hasan Tahsinin e madh, erudit që me botimet shkencore, letrare apo publicistike u përpoq të vinte në dukje trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar dhe domosdoshmërinë e njohjes prej shtetit osman të së drejtës legjitime për t’u arsimuar në gjuhën e vet amtare, duke vazhduar me Daut Efendi Boriçin, në Lidhjen e Prizrenit, me Hafiz Ibrahim Shkupin, në Kongresin e Manastirit, me Myfti Vehbi Dibrën, me Hafiz Ali Korçën dhe Ismail Efendi Ndroqin në Kongresin e Dibrës, me Myfti Vehbi Dibrën e Sheh Ahmet Pazarin në shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe ngritjen e flamurit, etj.
Pra, në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve, pa dyshim, gjen edhe ata, klerikët e nderuar të besimit mysliman, krah për krah e dorë për dore me të gjithë klerikët e besimeve të tjera në Shqipëri. Edhe ata kanë pjesën e vet të historisë, janë edhe ata pjesë e lavdisë shqiptare, kanë hyrë edhe ata në vargjet e lahutës. Kujtojmë këtu vargjet e Fishtës të “Lahuta e Malsisë”:
“Shtrinë të ngratin hafiz Myslimin, dhe në dru e rrahën trimin
Sado që ishte një “ hafiz” “Jam shqiptar me gjuhë e fis”
Jam Shqiptar përgjigjet Hafizi deri qe ashti i kambës i krisi”.[4]
Ngjarje të rëndësishme mbarëkombëtare janë të lidhura me zhvillimin e tyre pranë institucioneve fetare gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si p.sh.: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u ndez në Medresenë e Xhamisë Bajrakli. Kryetari i saj pas Iljaz pashë Dibrës, u zgjodh kleriku Haxhi Ymer Prizreni, që ishte dhe kryeministri i parë shqiptar në Qeverinë e përkohshme të Lidhjes. Kleri mysliman, me përkushtimin e tij mahnitës, i shërbeu shqipes me përkthimet e ndryshme. Ishin klerikët ata që kontribuuan së bashku me personalitete të shquara të vendit, për hapjen e mësonjëtoreve të para në gjuhën shqipe dhe për t’u mësuar fëmijëve shkrimin e këndimin e shqipes, si Hoxha Tahsini, Said Najdeni, Vehbi Dibra (Agolli), Hafiz Ali Korça etj.
Gjatë viteve 1900-1912, klerikët i gjejmë të pranishëm në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të jetës politike, social-arsimore të vendit tonë, në kuvende dhe kongrese mbarë kombëtare si, Kuvendi i Pejës i drejtuar nga kleriku Haxhi Zeka, kongreset arsimore të Manastirit e Elbasanit, në Kongresin e Dibrës të 23 korrikut 1909 të drejtuar nga Vehbi Dibra, në kuvendin e madh të Vlorës etj. Me mendimin dhe qëndrimin e mbajtur, klerikët shqiptarë luajtën rol të rëndësishëm në orientimin kombëtar të tërë jetës së vendit tonë. Në gjirin e kësaj lëvizje të gjerë politike, arsimore dhe ushtarake, ata bashkëvepruan dhe me figura të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare, si Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj.
Në kuvendin e Pejës dhe të Dibrës të vitit 1899, Haxhi Zeka, Selim Rusi, Vehbi Dibra, Myfti Saliu, Myderriz Ismaili, Myderriz Abdullahu etj., luajtën një rol të rëndësishëm, duke dhënë një shembull se si duhej të zgjidhej çështja kombëtare. Klerikët, jo vetëm ishin përfaqësues të krahinave të ndryshme shqiptare në këto kuvende, por dhe figura me shumë reputacion ndër delegatët e tjerë pjesëmarrës të këtij kuvendi. Fjala e tyre zinte vend sa herë që shprehej. Ndikim të madh pati H. Vehbiu dhe në vendimet që mori kuvendi i Dibrës i shkurtit 1899.
Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe zhvillimi i kulturës kombëtare, shtruan nevojën e caktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Për këtë u organizua Kongresi i Manastirit, 14 nëntor 1908. Delegatët e kongresit ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë si: Vehbi Dibra, Haziz Ibrahim efendiu etj., të cilët shtruan domosdoshmërinë e caktimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe.[5] Në këtë kongres klerikët mbështetën idenë për përdorimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe me germa latine dhe për mësimin e shqipes në shkollat e Shqipërisë.[6]
Në Kongresin e Dibrës të 23 korrikut 1909, Vehbi efendi Dibra, Hafiz Ali Korça, Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu, Hafiz Sherif Lëngu, etj., do të krijonin klube shqiptare e do të viheshin në krye të luftës kundër xhonturqve, që përpiqeshin të pengonin zhvillimin e kombit shqiptar, bashkimin e tij. Në Kongresin e Dibrës të 23 korrikut 1909, Vehbi Dibra për aktivitetin e tij fetar dhe politik do të zgjidhej kryetar i Kongresit. Ky kongres i kalonte caqet kombëtare, që tregohet nga pjesëmarrja e delegatëve laikë e klerikë, jo vetëm nga vilajetet e Selanikut, Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës, por dhe e përfaqësuesve serbë, grekë, bullgarë e vllehë. Ky ishte i pari kongres ku më tepër se 300 delegatë toskë, gegë, myslimanë, ortodoksë, katolikë, priftërinj, hoxhallarë e shehlerë u bashkuan në një pikë, shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe arritjen e pavarësisë kombëtare.
Atdhetarët Hafiz Ali Korça, Abdyl Ypi, Kenan Manastirli, Vehbi Agolli, Haxhi Ali Elbasani, etj., e bënë Kongresin e Dibrës arenë të luftës e shpalosjes së mendimit e kërkesave të mirëfillta të shqiptarëve, kërkesa që ishin nga më të avancuarat të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si rezultat i kësaj lufte kongresi punimet e tij i nisi dhe i përfundoi si një kongres shqiptar, si një kongres që trajtoi edhe shumë probleme të rëndësishme kombëtare që dilnin dhe jashtë kompetencave të rendit të ditës së tij. Në të u ngritën probleme me kërkesa të mirëfillta shqiptare ku u shfaqën hapur:
– kërkesat me karakter të theksuar politik kombëtar, që çonin drejt realizimit të autonomisë së Shqipërisë,
– kërkesat për hapjen e shkollave shqipe të mbrojtura nga shteti,
– futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore,
– çështjen e alfabetit, etj.[7]
Punimet e Kongresit, lufta e ashpër politike që u zhvillua aty, provuan plotësisht se kërkesat e delegatëve patriotë ishin një përpjekje e hapur për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Kërkesa të tilla si ajo që nëpunësit e administratës vendase të dinin gjuhën dhe zakonet e vendit, futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak në vend, përdorimi dy gjuhësh në dokumentet përfundimtare të tij, janë arritjet më të mëdha të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, suksese që nuk ishin arritur në Kongreset e tjera kombëtare.[8]
Në Kongresin e Elbasanit të 2 shtatorit 1909, klerikët myslimanë Hafiz Ibrahim Dalliu, Josi Haxhi Mima, Emin Haxhi Ademi dhe Hoxhë Muglica bënë gjithçka për të hapur Normalen e Elbasanit, përkrah Luigj Gurakuqit, Hamdi Ohrit, Dervish bej Biçakut, Mithat Frashërit dhe të tjerëve, ata bënë gjithçka për të ndriçuar dhe ushqyer shpirtin kombëtar.
Elita fetare e vendit ka meritat më të para nga të gjitha elitat e tjera. Në rast se vështrojmë kombet dhe historitë e tjera do të gjejmë kombe të cilat kanë tradita mijëravjeçare shkrimi, alfabetesh, biblioteka librash dhe qytetërimi, por kombi ynë ka një specifikë që s’e ka asnjë komb tjetër dhe është diamant i qytetërimit të kombeve dhe kjo është toleranca fetare. S’ka dhe s’mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi sesa toleranca fetare.
Shqipëria përgjatë historisë së saj ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin. Një mori dijetarësh shqiptarë të profilit fetar mysliman, katolik apo ortodoks kanë dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fazat zhvillimore dhe format organizative të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Është pikërisht kontributi i klerikëve fetarë, që ne nuk njohim përgjatë historisë sonë, konflikte të bazuara në besimet fetare. Pa asnjë dallim, klerikët myslimanë, duke ruajtur tolerancën fetare, janë përpjekur në të gjitha mënyrat vetëm për një shoqëri me parime patriotike, për një shoqëri bashkëkohore, për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, dashurisë për gjuhën dhe traditat shqiptare, dashurisë për atdheun e dashurisë për njëri-tjetrin, janë përpjekur për krenarinë tonë kombëtare. Më në veçanti kjo vepër bën ekzaminimin e përpjekjeve madhore të klerit dhe dijetarëve myslimanë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri në pavarësinë e Shqipërisë, jo vetëm për çlirim kombëtar, jo vetëm për arsimin e shkollat shqip, por edhe për krijimin e shtetit shqiptar. Me firmën jo vetëm të patriotëve shqiptarë, por dhe të klerikëve myslimanë si: Hafiz Ismet Dibrës, Vehbi Dibrës, Hafiz Sherif Lëngut, etj., Shqipëria do të shpallej e pavarur.[9]
Pavarësia e Shqipërisë ishte aspiratë dhe punë atdhetare e një kombi të tërë, nga gjiri i të cilit lindën shumë heronj. Midis tyre historiografia jonë duhet të nënvizojë fort emrat e klerikëve myslimanë, njerëz me shumë reputacion në mbarë Shqipërinë, të aftë, largpamës, me nuhatje e drejtpeshim politik.[10]
Kulmin e ngritjes së tyre jo vetëm si klerikë, por dhe si luftëtarë të çështjes kombëtare, ata do ta arrijnë me pjesëmarrjen në Kuvendin e Vlorës dhe zgjedhjen e tyre në organet më të larta të Qeverisë së Përkohshme.
Në situatën e krijuar, kur forcat Ballkanike po pushtonin Shqipërinë dhe trevat shqiptare rrezikoheshin nga një copëtim i ri, rrethet atdhetare shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, arritën në përfundimin se e vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë ishte shpallja e Pavarësisë. Për këtë qëllim do të organizonin një kuvend mbarë kombëtar ku do të merrnin pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha krahinat shqiptare.
Telegrame të shumta të dërguara nga Vlora për prefekturën e Elbasanit tregonin interesin e veçantë që kishin organizatorët e kuvendit për arritjen në Kuvendin e Madh të përfaqësuesve të klerikëve myslimanë si, Vehbi Agollit (Dibrës) dhe Hafiz Sherif Lëngut, [11] personalitete me kontribut fetar e politik të gjithanshëm për çështjen kombëtare, mandate që ua ngarkonte mbarë popullsia e Dibrës dhe e krahinave përreth për të dërguar fjalën e tyre në Kuvendin Kombëtar në Vlorë. Vehbi Agolli u ngarkua të kryesonte delegacionin e Dibrës, përgjegjësi të cilën atij ia ngarkonte popullsia e Dibrës.[12]
Për të plotësuar këtë detyrë të vështirë, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, më 21 nëntor 1912, Ismail Qemali arriti në Durrës. Plaku Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e atdhetarë të tjerë të shoqëruar nga Nikoll Kaçorri u nisën për në Vlorë.
Më 21 nëntor 1912 Isa Boletini, Ajdin bej Draga, Mehmet pashë Dërralla dhe delegatët e zgjedhur të Dibrës, Vehbi Agolli dhe Hafiz Sherif Lëngu, u nisën nga Dibra për në Elbasan[13] ku i prisnin delegatët e kësaj treve për të shkuar së bashku drejt Vlorës.[14]
Ndërsa delegatë nga të gjitha krahinat e tjera shqiptare grupoheshin dhe së bashku niseshin për në Vlorë, disa qyteteve shqiptare, që rrezikoheshin nga pushtimi i shteteve fqinje, iu kërkua nga rrethet patriotike, që të ngrihej flamuri kombëtar me qëllim që pushtuesi i ri t’i gjente të pavarura. Midis 37 delegatëve[15] dalloheshin klerikët Vehbi Agolli, Hafiz Sherif Lëngu dhe Dom Nikoll Kaçorri.
Përballë kërcënimit të ri të pushtimit nga ushtritë ballkanike dhe situatës së re të krijuar për trevat shqiptare, plaku Ismail Qemali dhe atdhetarë të tjerë të mbledhur në Vlorë, hapën më 28 nëntor 1912, ora 14.oo, punimet e Kuvendit Kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, pa pritur ende të gjithë delegatët e krahinave shqiptare për shkak të vështirësive të mëdha që ekzistonin. Mendimi i klerikëve për Pavarësinë e Shqipërisë, u mbështet nga të gjithë delegatët me në krye plakun Ismail Qemali, të cilët e shpallën Shqipërinë shtet të pavarur: “Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.[16]
Pas shpalljes së pavarësisë, përpara kuvendit kombëtar shtroheshin detyra të reja historike: të ngrihej shteti i pavarur shqiptar me administratën dhe forcat e tij të armatosura, të sigurohej njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e kufijve politikë shtetërorë, që të përfshiheshin të gjitha trojet etnike shqiptare, të shtrihej pushteti shtetëror në këto troje dhe të organizohej mëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i vendit.
Ismail Qemali i paraqiti Kuvendit dhe ia besoi atij zgjedhjen e anëtarëve të qeverisë. Rrjedhimisht anëtarët e saj duhet të ishin të njohur brenda dhe jashtë vendit. Më 4 dhjetor 1912 u zgjodh Qeveria e Përkohshme[17]. Spikasin në përbërjen e këtij kabineti qeveritar krahas figurave të tjera atdhetare Myfit bej Libohova, Abdi bej Toptani, Mehmet pashë Dërralla, Petro Poga, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Pandeli Cale, Lef Nosi dhe figurat e dy klerikëve Dom Nikoll Kaçori dhe Vehbi Agolli (Dibra).
Me propozim të Ismail Qemalit, në Kuvend u zgjodhën edhe organet më të larta të përfaqësimit të qeverisë Shqiptare. Në mbledhjen e dytë që u hap më 30 nëntor 1912, me propozim të Luigj Gurakuqit, Vehbi Agolli u propozua të zgjidhej kryetari i Pleqësisë shqiptare (senatit). Më 4 dhjetor 1912, Kuvendi i Vlorës zgjodhi jo vetëm Qeverinë e Përkohshme, por dhe Pleqësinë prej 18 anëtarësh. Kryetar i pleqësisë u zgjodh Vehbi Dibra.[18] Në Kuvendin e Vlorës, Vehbi Agolli bëri dhe betimin e flamurit dhe dha Fet’fanë për shpalljen e pavarësisë. Kjo qe zgjedhja e dytë e një atdhetari klerikal në postet më të larta të qeverisjes pas zgjedhjes së Dom Nikoll Kaçorrit si nënkryetar të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ndërkohë që Ismail Qemali merrej me zgjidhjet diplomatike të shtetit shqiptar jashtë atdheut, aktivitetin brenda tij e ushtronte Vehbi Dibra, mjaft i suksesshëm në shtrirjen e autoritetit të shtetit të parë shqiptar në të gjitha trevat shqiptare.
Bibliografia
A.Q.SH.-Fondi 32, D. 26.
A.Q.SH.-Fondi 71, dok. 723/1, viti 1912.
A.Q.SH.-Fondi 71, D. 1, dok 10307, përkthim nga turqishtja.
A.Q.SH.-Fondi – 245, D. 2, f. 6, viti 1912.
Gazmend Shpuza, “Kongresi kombëtar i Dibrës 1909”, Dibër, 2005.
Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”.
Histori e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Tiranë: Toena, 2002.
Mois Kamberi, “Dibra në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Maluka, Tiranë 2012.
Kenan Manastirli, “ Kongresi i Dibrës “, Stamboll 1912.
M.H.D. Fondi Dosje Patriotësh, Vehbi Dibra, dosja, nr. 598.
M.H.D, Fondi kujtime, Kujtime të mbledhura nga Ivzi Shehu
Prof. Dr. Qazim Xhelili, Monografi, “ Vehbi Dibra “, Tiranë: Albin, 1998.
Valentina Duka-“Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë: Shblu, 2007.
Bajram Xhafa, “Historia e Shqipërisë, periudha e pavarësisë”, Shkodër, 2006.
Zani i Naltë, viti 1937.
[1]. ASHSH, “Histori e Popullit Shqiptar”, Vëll. II, Toena, Tiranë, 2002, f. 27.
[2]. ASHSH, “Histori e Popullit Shqiptar”, Vëll. II, Toena, Tiranë, 2002, f. 27.
[3]. M.H.D, Fondi kujtime. Kujtime të mbledhura nga Ivzi Shehu.
[4]. Fishta, Gj., “Lahuta e Malësisë”.
[5]. ASHSH, “Histori e Popullit Shqiptar, Vëll. II, Toena, Tiranë, 2002, f. 392.
[6]. Prof. Dr. Qazim Xhelili, Monografi, “ Vehbi Dibra “, Tiranë: Albin, 1998, f. 27.
[7]. Gazmend Shpuza, “Kongresi kombëtar i Dibrës 1909”, Dibër, 2005, f. 32.
[8]. Kenan Manastirli, “ Kongresi I Dibrës “, Stamboll, 1912, f. 7.
[9]. Mois Kamberi, “Dibra në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, Maluka, Tiranë, 2012, f. 176.
[10]. M.H.D. Fondi Dosje Patriotësh, Vehbi Dibra, dosja nr. 598.
[11]. A.Q.SH.-Fondi 71, D. 1,Përkthim nga turqishtja.
[12]. Zani i Naltë, viti 1937.
[13]. A.Q.SH.-Fondi – 245, D. 2, f. 6, viti 1912.
[14]. A.Q.SH.-Fondi 32, D. 26, f. 133.
[15]. Valentina Duka-“Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë: Shblu, 2007, f. 19.
[16]. Histori e Popullit Shqiptar,Vëll. II, Tiranë: Toena, 2002, f. 511.
[17]. Bajram Xhafa, “Historia e Shqipërisë, periudha e pavarësisë”, Shkodër, 2006, f. 16.
[18]. Valentina Duka-“Histori e Shqipërisë 1912-2000”, Tiranë: Shblu, 2007, f. 24.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...