Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 11, 2016 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Elton Karaj*
Rasti i Imam Shafiiut, padyshim që është një nga shembujt më të goditur në lidhje me mendimin ndryshe/multimedhhebizmin dhe nëse ai ka ndryshuar thuajse tërësisht mendimin e tij juridik pasi u zhvendos në Egjipt, atëherë do të thotë që faktorët, që e shtynë të bëjë këtë ndryshim, kanë qenë shumë të forta.
Një ngjarje të tillë, ne mund ta lexojmë nëpër libra si një informacion të radhës. Në fakt për Imam Shafiiun dhe për ndjekësit e tij ishte një “revolucion”. Ai kishte studiuar në Mekë pranë Sufjan b. Ujejnes, në Medinë pranë Imam Malikut dhe në Bagdad pranë Imam Muhamed Shejbaniut, nxënësit të Ebu Hanifes. Pavarësisht se në Bagdad kishte mbrojtur vazhdimisht medhhebin e Imam Malikut, në Egjipt u kthye në kritikuesin më të fortë të tij. Dhe kështu, lindi një mendim i ri juridik, i cili sot mbizotëron në shumë vende të botës dhe ka një trajtesë të gjerë në nivel akademik në universitete të ndryshme, ndër të cilët universiteti historik i el-Ez’her-it.
Me sa duket, formula “Feja një, Profeti një, Libri një, atëherë edhe mendimi duhet të jetë një”, nuk ka rezultuar e vlefshme për çdo çështje të fesë. Nuk mund të ishte kështu, sepse siç do të dallojmë në vijim, faktorët që të shpien në “mendimin ndryshe” janë shumë. Këtu vlen për t’u theksuar fakti që në shumicën dërrmuese të çështjeve fetare, myslimanët janë të unifikuar. Sa për mendimin juridik, vetë Kur’ani dhe Tradita Profetike kanë lënë hapësira ku mendimi mund të lëvrohet dhe ky është një bekim i mrekullueshëm. Sepse, sipas disa transmetimeve, kur Imam Shafiiu shkoi në Egjipt, dalloi që praktikat e medhhebit Hanefi dhe të atij Maliki, ia vështirësonin jetesën besimtarëve në disa këndvështrime, ndërkohë që tekstet (Kur’ani dhe Suneti), të lejonin të sillje interpretime të ndryshme. Interpretimet e ndryshme, të cilat ishin strukturuar mirë në një mendim solid dhe me prejardhje nga burimet themelore të fesë, me kalimin e kohës, u shndërruan në atë që ne sot e quajmë Shkollë Juridike, Mendim Sistematik Juridik, Medhheb.
“Mendim solid” do të thotë që i përmbahen një metodologjie të caktuar, kurse “burimet themelore” janë Libri dhe Tradita Profetike. Por themelimi, formimi dhe struktura e medhhebeve janë temë më vete.
Tani le të fokusohemi tek faktorët kryesore, që kanë luajtur rol të rëndësishëm në fenomenin multimedhhebizëm.
1 – Struktura e teksteve ose transmetimet e ndryshme prej teksteve bazë: Kur’ani dhe Suneti. Bëhet fjalë për më tepër se 6000 versete dhe 40.000 hadithe. Këta të fundit në grada të ndryshme, element, i cili është një faktor më vete. Shpeshherë janë quajtur “transmetime kontradiktore, por nisur nga fakti që raste të tilla janë më të rralla, i quajtëm “të ndryshme”. Kjo dukuri, ka bërë që shkencës së hadithit t’i shtohej një fushë tjetër studimi e quajtur Muhtelifu’l-Hadîth.
2 – Diversiteti në transmetimet prej sahabëve. Një tjetër burim për ne është interpretimi i sahabëve. Shpeshherë ne përballemi me praktika dhe interpretime të ndryshme mes vetë sahabëve. Ndonjëherë dëshmojnë se kështu kanë parë ose dëgjuar nga Profeti (a.s), herë tjetër nuk shprehen në lidhje me këtë çështje, e herë tjetër është një interpretim individual. Në shumë raste i mbetet vetë juristit të japë vlerësimin final.
3 – Aspekti gjuhësor. Një jurist i formuar është një njohës i përsosur i gjuhës arabe. Kjo dallohet qartë në veprat e metodologjisë së Jurisprudencës Islame, ku në kapitullin “Elfâdh” (fjalët), trajtohen deri në detaje përdorimet e ndryshme të fjalëve në përgjithësi, përdorimi i lidhëzave dhe ndryshimet kuptimore që shkaktojë, tiparet gjuhësore të fjalëve në gjuhën arabe etj. P.sh., në ajetin e abdesit thuhet: “…lajini parakrahët ‘deri në’ bërryla…”. Këtu shtrohet pyetja: “Deri në” nënkupton kufi apo përfshirje? Domethënë, a duhet përfshirë edhe bërryli në larje apo jo?
4 – Logjika e argumentimit dhe kriteret e vlerësimit të transmetimeve dhe transmetuesve. P.sh., medhhebi Hanefi, në çështjet juridike i jep prioritet sahabëve që kanë një nocion të theksuar juridik si Abdullah b. Mes’udi apo Ali b. Ebu Talibi (r.anhuma).
5 – Metodologjia e argumentimit. Pas katër argumenteve parësorë që janë Kur’ani, Suneti, Ixhmaja (konsensusi) dhe Kijasi (analogjia), vijnë argumentet dytësorë si Istihsani, Mesalih Mursele, Istishab, Vepra e banorëve të Medinës, etj. Mes medhhebeve ka diskutime të mëdha në lidhje me vlefshmërinë dhe përdorimin kryesisht të argumenteve dytësorë.
6 – Nevojat e ndryshme të njerëzve. Është e pamohueshme që shoqëri e popuj të ndryshëm, kanë kultura e zakone të ndryshme, si rezultat, edhe nevojat e tyre janë të ndryshme. Ligje e rregulla, të cilat nuk janë në shërbim të njerëzve nuk luajnë rolin e tyre. Këtu bëhet fjalë kryesisht për çështjet e marrëdhënieve civile.
7 – Interpretimi i dijetarëve në hapësirat që të lejojnë tekstet bazë.
Të gjitha këto janë tema që duhen trajtuar e sqaruar veças.
Pavarësisht se herë herë mund të përballemi me interpretime, të cilat me këmbëngulje mundohen të nxjerrin të drejtë njërin medhheb, është i pamohueshëm fakti se asnjë nga faktorët e sipërpërmendur nuk është i sforcuar. Asnjë prej tyre nuk mund të mohohet.
Atëherë, ekzistenca e mendimit ndryshe është e natyrshme, kurse sistematizimi i këtyre mendimeve nxjerr në dritë medhhebin, i cili detyrimisht do të jetë më tepër se një dhe, të gjithë së bashku, përbëjnë traditën juridike islame.
*Elton Karaj, doktorant në Shkencat Islame, anëtar i Këshillit të Teologëve.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...