Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 06, 2016 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Strategjia e Islamit për vendosjen e paqes në botë
Prof. Dr. Muhamed Sherkavi
Arabi Saudite
Abstrakt
Mësimet islame e vënë theksin tek e drejta e njeriut për të zgjedhur besimin dhe fenë. Këtë parim Kur’ani e thekson në shumë pasazhe, si: “S’ka detyrim në fe” (Bekare, 256); “Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë” (Kehf, 29); “dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (Gashije, 22); “Detyra jote është vetëm që të kumtosh.” (Shura, 48).
Islami njeh të drejtën e lirisë, të mendimit dhe shprehjes
Çfarëdo përpjekje për zhbërjen e parimit të pluralizmit dhe lirisë, si dhe çfarëdo manipulimi që mund t’i bëhet, duhet ditur se nuk ka të bëjë me Islamin dhe nuk shpreh parimet e vërteta islame, edhe nëse vjen nga persona dhe organizma që identifikohen me fenë islame. Praktika të tilla janë katërçipërisht larg Islamit të vërtetë dhe objektivave madhore të mesazhit të tij.
2. Ai është Kur’an i Famshëm (një ajet dhe refleksione mbi një fakt)
Blerim Lazimi
Mësues i Fizikës në gjimnazin “Said Najdeni”
Peshkopi
Abstrakt
Njerëzit, në çdo kohë, janë përpjekur të gjejnë argumente, mbi të cilat kanë arsyetuar për lëvizshmërinë apo palëvizshmërinë e Tokës, e më tej, për vendin e saj në gjithësi (si i vetmi planet i privilegjuar nga jeta) … Në pjesën e parë të ajetit pasqyrohet shumë qartë mendimi dhe pikëpamja që sundoi për shekuj të tërë në botëkuptimin shkencor dhe filozofik, madje edhe përtej epokës kuranore, deri në vitet 1500-1600. “E, i sheh kodrat e mendon se ato janë të palëvizshme…”. Domethënë, në këtë pjesë të shkurtër të ajetit tregohet në mënyrë të sintetizuar se njeriu vazhdimisht historikisht i ka parë dhe studiuar malet e tokën. Dhe, më tej, ka menduar se ato e, edhe toka, janë të palëvizshme. Pra ka formuluar përshtypjen e pavërtetë se toka nuk lëviz, pikërisht pikëpamjen e sistemit gjeocentrik.
3. Ibnu Maxheh dhe Suneni i tij
Dr. Sedat Islami
Abstrakt
Një nga dijetarët që ka zënë vend në historinë e shkencave islame është edhe Ibnu Maxheh. Kontributi i tij, megjithëse i shtrirë në disa fusha fetare, ka lënë gjurmë të thella në hadith. Ibnu Maxheh është autor i Sunenit, njërit prej gjashtë librave bazë të thënieve profetike apo haditheve siç njihen në terminologjinë përkatëse. Ky punim mëton të hedhë dritë mbi biografinë e autorit, në njërën anë, dhe përshkrimin studimor të veprës së tij, në anën tjetër. Rëndësia e tij qëndron në faktin se lexuesin shqiptar e njeh ndoshta për herë të parë në këtë format me këtë kolos dije dhe këtë vepër madhështore.
4. Homazh i vonuar njeriut-gurqemer të urës shqiptare – Lumo SKËNDOJA te Zani i Naltë
Rahim Ombashi
Universiteti Bedër, Tiranë
Abstrakt
Revista e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë doli në një periudhë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, por që shfaqet shumë e trazuar, kur bota shpirtërore shqiptare vihet në kërkim të kohës së humbur dhe me pak ngjarje. Pas rebelimeve, revoltave dhe grushteve të shtetit që ndiqnin njëri-tjetrin, revista shfaqet në qiellin tonë shpirtëror si një dritë e ngrohtë që do të ndihmonte jo vetëm në informimin e lexuesit, por do të nxiste komunikimin që kishte kolorit lokal dhe kohor.
Revista dëshmon ndërlidhjen e traditës mediatike me bashkëkohoren, siç ka vënë në dukje T. S. Elioti në esenë e vet Tradita dhe talenti individual (1919), se, edhe pjesët më individuale dhe më të mira të veprës së autorit përkatës, janë ato me të cilat krijuesit paraardhës kanë verifikuar fuqimisht pavdekësinë e tyre.
5. “ZANI I NALTË” – Revistë e mendimit dhe emancipimit fetar e kombëtar
Resul Rexhepi, Bashkësia Islame e Kosovës
Abstrakt
“Zani i Naltë” është një ndërmarrje e projektuar nga njerëz të mëdhenj, nga atdhetarë e ulema vizionarë e largpamës, të cilët me punën e tyre dhanë kontribut të çmuar në shpjegimin e mësimeve të fesë islame drejtë dhe saktë dhe ndihmuan në bërjen e shtetit dhe në formësimin e kombit. Është ky brezi i artë i prijësve të shquar myslimanë që lanë gjurmë të pashlyera në historinë tonë fetare dhe kombëtare, si Haxhi Vehbi Dibra – Hoxha që dha fetvanë për aktin e shpalljes së Pavarësisë, e më vonë edhe themelues dhe kryetar i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ulematë e dëshmuar: Hafiz Ali Korça, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Kraja, Ismail Maçi, Jonuz Bulej, Haki Sharofi, Ferit Vokopola, Qazim Hoxha, Shevqet Dajiu, Shefqet Muka, Nebil Çika, Sali Butka, Hamid Gjylbegu e shumë të tjerë, pa lënë anash këtu edhe personalitetet e tjera të mendimit politik, kulturor e letrar, siç ishte Mit’hat Frashëri dhe bashkëmendimtarë të tjerë. Kjo ka bërë që edhe 90 vjet pas, shkrimet që janë botuar në “Zanin e Naltë”, të mbesin prore aktuale dhe të tingëllojnë si të jenë thënë sot.
6. Myslimanët dhe koha, myslimanët në kohë
Ilir Akshija, M.D., M.Sc. Qendra Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, Departamenti i Statistikës
Abstrakt
Myslimanët përbëjnë 24% të popullsisë së botës dhe numri i tyre në vitin 2020 pritet të jetë rreth 2 miliardë ose 26% e popullsisë së përgjithshme. Një popullatë e tillë, me një shtrirje në të gjithë kontinentet, sjell me vete edhe kulturën e veçantë të besimit të tyre, ku koncepti i kohës, matja dhe menaxhimi i saj merr ngjyrimet islame. Zbatimi i urdhëresave transhendentale të Kur’anit janë të mirëpërcaktuara për ymetin e Muhamedit a.s., duke qenë të urdhëruar gjithashtu të bashkëjetojnë me të tjerët pa iu imponuar me dhunë besimin e tyre. Ekzistenca e shoqërisë islame në një balancë të tillë nuk bën përjashtim për nocionin e kohës, të përmendur gjerësisht nga Kur’ani dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në praktikimin e detyrimeve fetare. Njohja dhe studimi i saj kthehet minimalisht në detyrë së pari për përditshmërinë dhe gjithashtu për organizimin e raporteve me të tjerët. Parimi mbetet i njëllojtë për të gjithë myslimanët, ndërsa projektimi në realitet merr vlera të ndryshme që varen nga gjeografia, periudha historike dhe deri te marrëdhëniet sociale. Në Mekë mund të llogaritet që koha që duhet marrë nga një vit hënor për agjërim është mesatarisht 4.7% dhe në Tiranë 4.9% e gjithë kohës së vitit. Nga ana tjetër mund të shohim ndryshimin e detyruar gjatë historisë kur myslimanët, matjes së tyre standard të kohës nëpërmjet kalendarit hënor dhe kohëve të faljes, i kanë shtuar kombinimin me kalendarin diellor, ose me komponentë të tillë si ndryshimi periodik i orës dy herë në vit. Ky ndryshim i përhershëm kërkon studim të vazhdueshëm të fenomenit dhe përshtatje të herëpashershme.
7. Mësimi i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e deri në fillimin e viteve ‘20 të shekullit të kaluar
Prof. dr. Njazi Kazazi, Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt
Proceset e ndryshme historike që ndodhën në Mesjetë lanë gjurmë të thella në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Shqipëria ishte e pushtuar dhe kundrejt synimeve asimiluese të të huajve, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe u bë mjaft i vështirë. Në kushte të tilla, si gjuhë shkrimi në territoret shqiptare ishin latinishtja në veri dhe greqishtja në jug. Në shekullin XV gjuhë zyrtare u bë ajo turko-arabe, po krahas saj përdorej edhe gjuha latino-italiane. Megjithëse këto gjuhë depërtonin njëra pas tjetrës, ato nuk arritën të marrin statusin e gjuhës së folur nga populli, kështu që përdorimi i tyre u kufizua vetëm në administratën e pushtuesit, në shërbesat fetare dhe në shkollat e tyre. Në këtë kohë në vend njiheshin si institucione arsimore vetëm shkollat e huaja. Shqipja me sa duket filloi të mësohej më vonë, por përpjekjet për ta zhvilluar atë me alfabet origjinal mund të kenë filluar që në shekullin XVII.
8. Shkëputja e Shqipërisë nga Kalifati Osman dhe përpjekjet për pavarësinë e xhamisë shqiptare
Dr. Hasan Bello
Instituti i Historisë, QSA
Abstrakt
Me propozimin e Gjygjit të Naltë të Sheriatit, i cili funksiononte si instanca më e lartë për çështjet e fesë islame, u bënë përpjekje edhe për riorganizimin e studimeve teologjike islame. Kështu, në vend të medreseve të vogla që gjendeshin me shumicë në të kaluarën, disa prej të cilave e vazhdonin akoma veprimtarinë e tyre me nga një mësues (myderriz), u projektua hapja e disa medreseve më të kompletuara në qytetet kryesore të Shqipërisë, si në Shkodër, Elbasan, Berat, Tiranë dhe Durrës. Këto medrese do të kishin strukturën e shkollave të mesme, sipas modelit evropian dhe, krahas lëndëve fetare, në to do të mësoheshin në gjuhën shqipe edhe lëndët laike. Për përgatitjen e mësuesve (myderrizëve) dhe gjykatësve të sheriatit ishte parashikuar hapja e një universiteti teologjie, në qendër të vendit, në Elbasan. Në këtë universitet do të studionin medresistët, të cilët aspironin për një përgatitje teologjike më të lartë.
10. Feja në shkolla, këndvështrim specialistësh të komunikimit ndërkulturor dhe të dialogut ndërfetar
MSc. Qani Sulku
Abstrakt
Një deklaratë e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, për përfshirjen e një lënde mbi njohuritë fetare në kurrikulën e arsimit parauniversitar shkaktoi debat në mediat shqiptare online, audiovizive dhe të shkruara, si dhe sensacion në opinionin publik. Ajo që u vu re në këto diskutime ishte mungesa e specialistëve të komunikimit ndërkulturor dhe të dialogut ndërfetar, si njerëzit më kompetentë në këtë fushë, këndvështrimi dhe analiza e tyre është e rëndësishme dhe e nevojshme për tema të kësaj natyre. Si u prit dhe si u komentua deklarata e Kryeministrit? Përse deklarata të këtij lloji shkaktojnë reagime të shpejta në media, sipas mendimit të tyre? Sa qartë u kuptua deklarata e dhënë nga kreu i qeverisë, nga opinionistët, të cilët ishin pjesë e paneleve televizive apo të shkrimeve në shtypin e përditshëm? A nënkuptonte Kryeministri në deklaratën e tij një lëndë të mirëfilltë fetare, apo lëndë e cila konsiston në studimin e historisë së feve? Sa të njëjta dhe të ndryshme janë këto të dyja? Këto dhe të tjera pyetje do të mundohemi t’i japim përgjigje nëpërmjet një interviste të zhvilluar me eksperten e Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar, Prof. asoc. dr. Gentiana Skura, gjithashtu nëpërmjet një pyetësori të cilit i janë përgjigjur të diplomuar të profilit komunikim ndërkulturor gjatë vitit 2015, si dhe nëpërmjet një ankete të zhvilluar me nxënës të arsimit parauniversitar.
11. Një personalitet madhor shqiptar i mesjetës – Iljas Bej Mirahori (1410-1512)
Hysen Kobellari, Ph.D.
Abstrakt
Nga thellësitë e shekujve na vijnë shenja, të dhëna, fakte e dokumenta interesante për një personalitet të shquar e të rëndësishëm shqiptar dhe jo vetёm shqiptar, të periudhës së mesjetës – Iljas bej Mirahorin. Kjo figurë madhore, pak e ndriçuar nga historiografia jonë, por i përjetёsuar në memorien e popullit, i kalon caqet e historisë së një vendi, për nga ndikimi dhe veprimtaria e gjerё, e gjatë dhe e shumanshme në kohë dhe hapësira. S. Frashëri, N. Naçi, Ilo Mitkë Qafëzezi, P. Pepo, S. Pulaha, S. Ramo, etj., kanë dhënë informata me rёndёsi e të vlefshme për të ndriçuar sadopak këtë figurё sa shumëplanëshe, aq madhështore e tërheqëse. Janë me mijëra faqe dokumentash e shkresash që dergjen nëpër arkivat e Turqisë; në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në fondin me emrin e tij, gjenden katër dekrete (fermanë) të Sulltanit, që u përkasin viteve 1484, 1496, 1497 dhe 1503; tregime, këngë e legjenda gjallojnë akoma në popull për jetën dhe veprat e tij; toponime, kufij, emra vendesh dhe objektesh e përkujtojnë edhe sot e kësaj dite, pas pluhurit qё lё pas harresa e shekujve. Pasuria e lënë prej Mirahorit ndodhet në disa vende të Ballkanit, ndoshta në dy kontinente; veprimtaria bamirëse dhe qytetёruese iluminuese e Iljas Beut është ndër të parat dhe ndër më të rrallat në kontinent; pasardhës të tij jetojnë ende në Korçë e gjetiu nën mbiemrin Myteveli, vëllezërit Frashëri kanë qenë nga nëna e tyre, stërnipër me famё, dijetarё e mёmёdhetarё tё dobishёm e tё njohur; një monument madhështor kulture dhe historie u ka rezistuar kohërave, Xhamia “Iljas bej Mirahori”, ndër më të vjetrat dhe më të bukurat në rajon; e mbi të gjitha një qytet i tërë, Korça, sa i lashtë, po aq edhe i ri, i bukur e bashkëkohor mban emrin e tij…
12. Duhet përkrahur feja
Rrapo Rustemi
Student i Medresesë së Përgjithshme
Abstrakt
Njeriu e ka në natyrë mirë-njoftjen dhe nderimin ndaj nji shoku, prej të cilit ka pasë nji mirësi qoftë edhe të vogël. Njeriu e veshtron me sy te mirë pasurin e tij, në qoftë se, prej sajë, ka korrë frytin e dobishem; aj gjithë një mundohet t’ i bajë sherbimin e nevojshëm pronës së tij, mbasi prej sajë siguron ushqimet fizike, të cilat i ndihmojnë jetës së tij të perkohëshme.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...