Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jan 25, 2016 Zani i Nalte Studime 0
nga Blerim Lazimi, Mësues i Fizikës në gjimnazin “Said Najdeni”, Peshkopi
“Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës. Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tre palë dhe katër palë krahë, ndërmjetësues (në mes Tij dhe pejgamberëve)…” [1]
“Mandej, Ai e formëson atë (në barkun e nënës) dhe nga ana e Vet i jep shpirt atij dhe Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit e me zemër, e pak send është ajo që ju falënderoni.” [2]
“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.” [3]
“Thuaj: “Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, ua merr shpirtërat, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.” [4]
Këto janë disa ajete kuranore, ku Zoti shfaq disa të vërteta, në të cilat njeriu vetëm mund të besojë, për shkak të aftësive të kufizuara që ka për t’i perceptuar. Falë shqisave dhe aftësive me të cilat është pajisur, njeriu percepton objekte e dukuri si në Tokë edhe përtej saj. Me shtimin e njohurive ai kërkon të njohë sa më shumë nga universi, me të dukshmen dhe të padukshmen e tij. “Meqë për njeriun, gjërat që i di ia hapin derën për të ditur shumë gjëra që s’i di, atëherë ne jemi të detyruar t’i kërkojmë ato”- thotë një dijetar islam bashkëkohor. Toka është pjesëz e universit. Ndërkohë që planeti ynë vazhdon të përjetojë gjallërinë e vet, mund edhe të pyesim: po kjo gjithësi madhështore a mundet të ketë banorët e saj? Ashtu si Toka, universi është i përgatitur për jetën dhe për t’u banuar nga qenie të vetëdijshme. “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shpërndarja e gjallesave në të dyjat…” [5] Në një tjetër ajet kuranor Zoti betohet: “Pra, Unë betohem në atë që e shihni! Edhe në atë që nuk e shihni!” [6] Komentuesit e Kur’anit theksojnë që në ajetin e sipërpërmendur aludohet, ndër të tjera, edhe për krijesa si engjëjt, xhindet etj. Në pjesë të tjera të Kur’anit termat janë më të qartë, konkretë dhe të drejtpërdrejtë. “Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës. Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tre palë dhe katër palë krahë, ndërmjetësues (në mes Tij dhe pejgamberëve) …” [7] “E sa engjëj ka që janë në qiej, e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë.” [8] Nga Kur’ani informohemi edhe për engjëj të veçantë si Xhibrili (engjëlli komunikues me pejgamberët), Mikaili, tetë engjëjt bartës së Arshit, engjëjt shkrues, engjëlli i vdekjes, engjëjt e Luftës së Bedrit etj. Në një kapitull (sure “Xhin”) tregohet për xhindet dhe jepen disa nga cilësitë e tyre. Sigurisht, çfarë ka shpallur Zoti në Librin e Qartë dhe çfarë kanë transmetuar pejgamberi Muhamed, sa e sa pejgamberë dhe njerëz të urtë, duhen besuar pa asnjë rezervë. (Koha për të provuar të kundërtën ka qenë më se e mjaftueshme…) Dëshmimi në ekzistencën e engjëjve është një nga gjashtë kushtet e besimit islam.
Matematika zë një vend të veçantë ndërmjet fushave të ndryshme të dijes. Ajo zbatohet në shkenca të ndryshme, qofshin këto natyrore apo jo. Madje, shpesh, ajo orienton në gjetjen e shpjegimeve bindëse të fenomeneve që studiohen, në zgjidhjen e problemeve të larmishme teorike dhe praktike. Për vetë natyrën e veçantë që ka, matematika jep koncepte e pohime të formuluara në trajtën e tyre të përgjithshme, të ngritura në shkallën më të lartë të abstraksionit. Kjo veçori e bën të nevojshme dhe të mjaftueshme që ajo të përdoret edhe në formulimin e dijes mbi “Hapësirën”.
Njeriu, i shtyrë nga kureshtja, që buron tej natyrës fizike të tij, është akoma në kërkim të së vërtetës hapësinore të Universit dhe të popullimit të tij. Vrojtimet astronomike, në sajë të një teknologjie gjithnjë e më të përparuar, depërtojnë në gjithësinë fizike, duke zbuluar trupa të rinj qiellorë, yje, yjësi, galaktika etj. “Hapësira” është kuptuar dhe kuptohet si “mjedis”. Është e qartë se hapësira e gjithësishme nuk mund të “preket” tërësisht. Vërtetë njeriu, për shkak të natyrës lëndore me të cilën është krijuar, nuk mund ta perceptojë drejtpërdrejtë këtë hapësirë, por ai, me mendimin dhe intuitën e tij, mund ta përshkojë atë. Pjesë e kësaj është edhe mendimi matematik. Kanti e ka quajtur gjeometrinë “shkenca e të gjitha llojeve të hapësirës”. [9] “Hapësira”, në tërë shtrirjet e saj, mund të kuptohet vetëm në rast se mendimi i shmanget pengesave që ngre tradita e të menduarit njerëzor.
Hapësira matematike është hapësirë shumëpërmasore. Matematika studion hapësirat “zeropërmasore”, “njëpërmasore”, “dypërmasore”, “trepërmasore”, “katërpërmasore” e kështu me radhë (të gjitha këto plotësisht të pranueshme matematikisht).
1) Hapësira “zeropërmasore” është hapësira e përfshirë brenda një pike, një hapësirë pa lëvizje, një “botë” e ngrirë, e vdekur. Vetë pika, që përbën tërë hapësirën, është pa përmasa.
2) Hapësira “njëpërmasore” është hapësirë që mund të mendohet e të studiohet vetëm me anë të fantazisë. Asnjë send në botën që na rrethon nuk është e nuk mund të jetë njëpërmasor. Hapësirat njëpërmasore janë “botë” të menduara të shtrira tërësisht në një drejtëz, apo segment drejtvizor. Një “botë” e tillë (imagjinare) do të “banohej” vetëm prej “qeniesh pikësore” ose “qeniesh segmente vijëdrejtë”, vetëm me gjatësi, pa gjerësi dhe pa lartësi (trashësi). Ato do të mund të endeshin vetëm nëpër drejtëz. Një “qenie” njëdimensionale, e “burgosur” ndërmjet dy skajeve të një segmenti të zgjedhur mbi një drejtëz, do të mund të dilte nga “burgu” vetëm në rast se do të kishte vetinë të lëvizte sipas një përmase të dytë, domethënë të ishte një “qenie jashtëhapësinore” për hapësirën njëpërmasore ku gjendet. “Banorët” e hapësirës njëpërmasore do ta kishin të vështirë, ndoshta të pamundur, ta imagjinonin hapësirën me dy apo tre përmasa. Për ta është e paperceptueshme një hapësirë me më tepër se një përmasë, është e pamundur ekzistenca e hapësirave të tilla, është jashtë realitetit të tyre. Sipas tyre, gjithçka që do të jetonte në një hapësirë me dy, tre apo katër përmasa, do të ishte një sajesë, diçka fantastike.
3) Hapësira “dypërmasore” përfshin një botë imagjinare pikash, segmentesh apo figurash plane. Elementët që do të jetonin në të do të ishin dypërmasorë, domethënë do të kishin gjatësi e gjerësi, por kurrsesi lartësi (trashësi). “Banorët” e kësaj bote dydimensionale do të jenë pa vëllim dhe do të mund të zhvendosen vetëm duke rrëshqitur mbi sipërfaqen plan, që përbën “gjithësinë” për ta, pa u shkëputur dot prej saj. Sipas tyre, hapësira me tre përmasa do të ishte jashtë realitetit, nuk do të perceptohej dot kurrë, pra, për ta nuk do të ekzistonte. Një “qenie” dypërmasore, e “burgosur” brenda një vije të mbyllur, do të çlirohej nga “burgu” dydimensional në rast se do të ishte e aftë të lëvizte sipas një përmase të tretë, domethënë në rast se do të ishte një “qenie” jashtëpërmasore për botën dypërmasore ku jeton.
4) Nga përvoja e tij mijëra vjeçare, njeriu është i bindur se hapësira ku jeton është tredimensionale. Këtë pohim e pranon tërësisht mendimi tradicional. Bota jonë reale, hapësira e vërtetë e menduar në tërë shtrirjen e saj është trepërmasore. Objektet që na rrethojnë, gjithçka shohim e prekim ka gjatësi, gjerësi dhe lartësi, pra ka vëllim. Sipas mendimit matematik tradicional, tre përmasat mjaftojnë për të kuptuar, përshkruar dhe njehsuar kënaqshëm çdo vendndodhje në hapësirën rrethuese. Çdo shkuarje më tej për të është absurde. Ai ngul këmbë për të mos lejuar që numri i përmasave të tejkalojë treshin. Njeriu e ka të vështirë të imagjinojë një përmasë të katërt. Pranimi i saj të shpie jashtë hapësirës me të cilën jemi mësuar, jashtë hapësirës që përbën “gjithësinë” e përfytyruar nga ne. Kalimi në hapësirën katërpërmasore çon në veti që në hapësirën trepërmasore nuk gëzohen, madje konsiderohen fantastike.
5) Në të vërtetë, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme e të nënkuptuar, njeriu e ka përdorur edhe një përmasë tjetër, me natyrë të veçantë nga përmasat e tjera. Kjo përmasë është “Koha”.
Si përmasë e katërt hapësinore, matematikisht mund të merret një përmasë e çfarëdoshme, që për njeriun do të jetë gjithmonë përmasë imagjinare. Mendimi i mbështetur fort në eksperiencën nuk mund ta pranojë atë. Njeriu do ta ketë të vështirë, ndoshta të pamundur, ta perceptojë këtë përmasë në përballjet e drejtpërdrejta me botën ku jeton. Megjithatë, për mendimin matematik, përmasa e katërt është plotësisht e pranueshme. Njeriu nuk mund të shohë më gjerë, për aq kohë sa nuk çrrënjos paragjykimin e ngulitur fort në ndërgjegjen e tij nga përvoja mbi hapësirën, përderisa fantazia njerëzore ushqehet nga kontakti i drejtpërdrejtë me realitetin tokësor tredimensional me të cilin është familjarizuar. “Koha bëhet hapësirë” [10], theksojnë në studimet e tyre Hartl dhe Hawkins, duke nënkuptuar që, “Koha” është pranuar si përmasë e katërt e hapësirës përkrah tre përmasave të mirëfillta të mendimit tradicional.
6) Natyrshëm pranohet që hapësira njëpërmasore është e futur në hapësirën dypërmasore. Po ashtu, pranohet që hapësira dypërmasore është e futur në hapësirën me tre përmasa. Përkundër vështirësive, logjika matematikore pranon që hapësira trepërmasore është e futur në një hapësirë me katër përmasa. E kështu me radhë…
7) Pika, drejtëza, plani (e në përgjithësi figurat plane) janë elementë edhe të hapësirës me tre përmasa. Ato nuk ndryshojnë aspak kur kalohet nga hapësira dypërmasore në atë trepërmasore. Vetitë e tyre vetëm mund të shtohen, të pasurohen me të tjera.
8) Gjeometria euklidiane dhe arkimediane është gjeometria me të cilën jemi familjarizuar, është gjeometria që kemi mësuar në shkollë dhe kemi përdorur në praktikë. Kjo gjeometri, me ndërtimin e saj të përpiktë aksiomatik, me elegancën e saj, me përgjithësimin dhe abstraksionin e saj të shtrirë kudo brenda horizonteve tokësore apo të arritshme nga njeriu, ka gjetur aplikime të shumta e të dobishme.
Megjithëkëtë, ajo nuk arrin të përfshijë tërë larminë e strukturave hapësinore të mundshme, tërë vërtetësinë në Gjithësi. Prandaj sot zbatohen edhe gjeometri të tjera: ajo e Rimanit (hapësira eliptike), apo e Lobaçevskit (hapësira hiperbolike). Hapësira të tilla janë të lakuara. Të shkruajmë pak fjalë për këto hapësira. Lakimi i vijës (hapësirës njëpërmasore) ndiqet nga pikat brenda saj, por nuk mund të kuptohet prej “banorëve” të kësaj “bote”. Kjo “botë” është drejtvizore për ta, sepse ashtu e perceptojnë në sajë të “verbërisë” së tyre. Vetë vija, lakimi i saj, shihet qartë dhe studiohet në hapësirën me dy apo tre përmasa. Edhe hapësira dypërmasore mund të pësojë përkulje (lakime) sipas përmasës së tretë. Ajo mund të ketë valëzime: “gropa” dhe “kreshta”. “Qeniet” dypërmasore (“banorët” e hapësirës me dy përmasa) nuk do ta kuptojnë që hapësira e tyre fizike është e përkulur. Për ta Gjithësia do të ishte me dy përmasa. Ata “jetojnë” në “botën” e tyre (ku përmasa e tretë është e huaj), rrëshqasin gjithmonë sipas sipërfaqes, shikimi i tyre nuk del dot jashtë sipërfaqes ku enden. Ndërsa ne, si qenie trepërmasore, e vërejmë menjëherë përkuljen, valëzimin e hapësirës dypërmasore sipas përmasës së tretë. Krejt ngjashëm, njeriu (qenie tredimensionale) e ka të pamundur të perceptojë një përkulje të çfarëdoshme të botës sonë, të Gjithësisë, të hapësirës trepërmasore sipas një përmase të katërt. Shikimi i tij nuk del dot jashtë hapësirës ku jeton. Mirëpo, matematika i jep mundësi të “shikojë” përtej aftësive perceptuese natyrore. Duke shfrytëzuar mendimin matematik, duke u bazuar në ligjet e njohura, astrofizika ka propozuar modele matematike të Universit tonë. Në këto modele flitet për një përkulje të hapësirës sipas një përmase të katërt.
Ajnshtajni në studimet e tij mori si hapësirë studimi gjithë hapësirën e perceptueshme nga njeriu: trupat qiellorë, grumbullimet yjore, galaktikat, mjegullnajat e çfarë ndodh në to. Ai e pa këtë ndërtim madhështor si një të tërë, si një hapësirë katërpërmasore (3 përmasat fizike + përmasa kohë). Kështu, ai hodhi bazamentin për të parë qartë shtrirjen e vërtetë të hapësirës, në mënyrë që të shpjegonte gjithçka ndodh në të, pa kufizimet e ndjekura nga përvoja e ngushtë tokësore. Ajnshtajni ishte i detyruar të pranonte plotësisht të qenësishme si përmasë me të gjitha të drejtat edhe “Kohën”. Pa këtë përmasë të katërt nuk do të mund të formulohej matematikisht Teoria e Relativitetit. Meqë fizika relativiste përshkruan saktë e në mënyrë plotësisht bindëse dukuritë fizike që zhvillohen në Gjithësi, veprimet e fushave gravitacionale, dukuritë lidhur me lëvizjet afër shpejtësisë së dritës, do të ishte pa bazë të dyshohej në qenësinë e “hapësirës relativiste”, të hapësirës katërpërmasore që ajo përfaqëson. Pa përmasën shtesë (Kohën) nuk mund të shpjegohen dukuritë fizike relativiste: “… shumë autorë, në mënyrë të veçantë filozofë e fizikanë, kanë përqafuar pikëpamjen se vetëm ngjarjet në hapësirën me katër përmasa janë reale dhe se një paraqitje në hapësirën me tre përmasa është vetëm një përshkrim subjektiv i realitetit…” [11] Vrojtimet tregojnë se trupat qiellorë, me masa relativisht të mëdha, përkulin rrethanimin e tyre hapësinor, bëjnë që edhe drita, kur kalon në afërsi të tyre, detyrohet të ndjekë përkuljen hapësinore përkatëse. Hapësira jonë është e lakuar sipas shpërndarjes së masës dhe energjisë në pika të ndryshme të saj. Dukuritë gravitacionale nuk mund të “shihen” në këtë “botë të rrafshët”. Njeriu është i detyruar që, për hir të së vërtetës, të pranojë si krejt të qenësishme një hapësirë katërpërmasore, madje të pranojë se në këtë hapësirë zhvillohen dukuritë fizike relativiste dhe në mes të saj jeton edhe ai vetë. [12]
Çështjet e parashtruara më sipër, të trajtuara nga matematika dhe fizika, na bëjnë të mendojmë dhe reflektojmë ndryshe ndaj realitetit që na rrethon. Ato na detyrojnë të pranojmë që bota e njohur nga ne është pjesë e hapësirës katërpërmasore. Kjo hapësirë katërpërmasore (ndoshta edhe pesë apo më shumë përmasore), në të cilën përfshihet edhe vetë njeriu dhe bota ku jeton, duhet të ketë dukuritë dhe qeniet që i përjetojnë ato, në përshtatje me cilësitë e kësaj hapësire. Sigurisht që këto banorë kanë cilësi të ndryshme dhe më të shumta se njeriu fizikisht. Ato qenie e njohin Universin dhe marrin pjesë në jetën e tij. Në një kumtesë (të përgatitur për librin kushtuar Lui de Brojit me rastin e 60-vjetorit të lindjes) Ajnshtajni shpreh një qëndrim të qartë shkencor dhe filozofik, duke pohuar ekzistencën e një realiteti jashtë nesh, jashtë gjithçkaje që dimë dhe gjithçkaje që jemi. Ai deklaron: “Ka diçka si një gjendje reale të një sistemi fizik që ekziston objektivsht, pavarësisht nga çdo vrojtim apo matje dhe që parimisht mund të përshkruhet nëpërmjet mjeteve shprehëse të fizikës.” [13] Përjetuesit e realiteteve të tilla në Gjithësi janë pikërisht ato krijesa të padukshme (për shqisat tona): engjëjt, shpirtërat, xhinnët. Në ekzistencën e tyre vetëm mund të besohet. Nisur nga arsyetimi matematik, ne (si qenie trepërmasore) e kemi të vështirë, thuajse të pamundur, t’i perceptojmë drejtpërdrejtë qenie të tilla të dimensioneve më të larta. Përkundër kësaj, ashtu si ne njohim, studiojmë, kuptojmë dhe analizojmë gjithçka mbi hapësirat dypërmasore, ashtu edhe engjëjt apo xhindet njohin, kuptojnë dhe dinë për qeniet njerëzore dhe realitetin tredimensional.
Këto qenie (të hapësirave katër apo më shumë përmasore) nuk janë si ne. Matematikisht (siç është trajtuar më lart në pikën 7) theksohet që elementët e hapësirës trepërmasore gëzojnë më shumë veti nga ato të hapësirës me dy apo një përmasë. Po ashtu, është plotësisht e logjikshme të pranojmë që shpirti, engjëlli apo xhindi (si qenie me më shumë se tre përmasa) të kenë cilësi më të shumta nga ato që ka qenia njerëzore fizikisht. Madje edhe ligjet kanë formë tjetër nga tonat. Domethënë, në atë raport dimensional (për rrjedhojë edhe cilësish) që është njeriu ndaj hijes së tij, në atë raport qëndron engjëlli, xhindi apo shpirti ndaj njeriut. Hija nuk mund të njohë e perceptojë njeriun, po ashtu edhe njeriu nuk mund të dijë shumë për shpirtin, engjëjt dhe xhindet. “Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije.” [14] Kjo “pak dije” që mund të ketë njeriu për “shpirtin” vjen për shkak të pranisë së elementit shpirtëror në natyrën e dyfishtë, me të cilën Zoti e ka krijuar atë.
Më 1980, Dewdney, profesor në Universitetin e Ontarios, specialist në informatikë, në veprën e tij “Planivers” ndërton një “një botë të gjallë” imagjinare dypërmasore. “Gjithësia” e tij është fantastike. Në të e gjithë e vërteta e perceptueshme nga njeriu në botën tokësore gjen shëmbëllimin e vet. Me fantazinë e tij, ai i bën “qeniet e sheshta” – dypërmasore të zhvendosen lirisht në botën e tyre, të punojnë, të ndërtojnë, të bëjnë shpikje, të prodhojnë ingranazhe e mjete të ndryshme. Natyrisht, me gjithë analogjinë, shumë tipare, që janë karakteristike vetëm për këtë botë dypërmasore të ekranit kompjuterik, janë të ndryshme nga ato të botës sonë me tre përmasa.[15] Ngjashëm me këtë shembull, engjëjt, xhindet dhe shpirti gjenden në të njëjtin raport me njerëzit. A mundet vallë që “qeniet e sheshta e zvarranike” të ekraneve të ordinatorëve apo të televizorëve të mohojnë ekzistencën e qenies njerëzore apo të trupave përreth nesh, për shkakun se nuk mund të na perceptojnë ne dhe botën ku jetojmë?! A mundet vallë që ato të mohojnë cilësitë tona dhe ligjet që veprojnë te ne?! Duke nënkuptuar përgjigjen mohuese “Jo!” për dy pyetjet e mësipërme, po e zgjerojmë arsyetimin më tej, në marrëdhëniet ndërmjet qenieve trepërmasore dhe atyre katërpërmasore. Edhe njeriu nuk mund të mohojë ekzistencën e engjëjve dhe xhindeve, pse nuk mundet t’i shikojë a perceptojë ato. “Shpirti, engjëlli, xhindi dhe djalli nuk janë të dimensioneve tona, që të mund t’i shohim. Me organet tona, ne mund t’i shohim dhe ndjejmë vetëm ata që hyjnë në dimensionet tona…” – shkruan, plot ma’rifet dhe irfan (intuitë dhe kulturë shpirtërore), F. Gylen në librin “Nën hijen e besimit”[16]. Pra, të besosh në ekzistencën e engjëjve, xhindeve dhe shpirtit, si qenie të dimensioneve më të larta, është plotësisht korrekte sipas koncepteve të matematikës dhe fizikës, të paktën teorikisht.
Shprehur thjeshtë, njeriu përbëhet nga shpirti dhe trupi. Trupi ka të gjitha cilësitë e materies: i dukshëm, ka peshë, ka vëllim (zë hapësirë), i nënshtrohet ndikimit kohor, tërheqjes gravitacionale, ndryshon nga një gjendje në një tjetër etj. Domethënë, fizikisht njeriu prezantohet si pjesë e hapësirës tredimensionale. Po të analizohet eksperienca e gjatë njerëzore, në të do të gjejmë plot argumente që të shtyjnë të besosh në ekzistencën e shpirtit. Dëshmitë e sa e sa njerëzve besnikë e të urtë (në fe), që përjetojnë përvoja të veçanta në botën shpirtërore; dëshirat (antivdekje) të çdo njeriu për përjetësi e kënaqësi të përgjithmonshme, reflektimet e çdonjërit kundrejt të bukurës dhe të shëmtuarës, të drejtës e të padrejtës, të mirës e të keqes etj., të gjitha dëshmojnë për shpirtin.
Madje, mendoj se edhe vetë lindja dhe zhvillimi i shkencës së matematikës dëshmon bindshëm për shpirtin. Disa veçori të shpirtit janë pandryshueshmëria, pakufizueshmëria në kohë dhe hapësirë dhe përhershmëria. Pra, matematikisht mund të themi se shpirti është qenie përtej dimensioneve tona fizike.
“Shpirti është horizonti nga i cili vështrojmë rrjedhën e kohës dhe kuptojmë lëvizjet e saj. Nga ai e shohim edhe kalueshmërinë e kësaj bote.” [17] Sipas fizikës, lidhur me relativitetin e lëvizjes, dihet se është e pamundur të kuptosh lëvizjen (gjendjen), për aq kohë sa vëzhguesi ndodhet në trupin që studion. Për shembull nuk do ta ndiejmë lëvizjen e ashensorit për deri sa jemi në të dhe s’mund të shohim ndonjë objekt jashtë tij. Lëvizjen e tij e hetojmë vetëm nëse mund të shikojmë nëpërmjet një dritareje ndonjë objekt jashtë, ose nëse gjendemi jashtë ashensorit. E njëjta ligjshmëri na mëson se rrjedhën e kohës e kuptojmë ngaqë te ne ekziston elementi i pavarur me kohën. “Shpirti e vështron kohën nga pika e palëvizshme kohore, e njeh atë dhe në rrjedhën e saj nuk merr pjesë. Për këtë, ky element i njeriut nuk zhduket. Atë ditë kur trupi shndërrohet në dhé, shpirti ruan veçoritë e tij, mbetet gjallë…” [18] Ajeti kuranor “Secili njeri (nefs) do ta shijojë vdekjen” [19], tregon që vetëm elementi fiziko-vegjetativ i njeriut (nefs) është i vdekshëm. Thënë ndryshe, vdekja është një proces që (në terma matematikorë) paraqet kalimin e njeriut nga “burgu trepërmasor” në hapësira të dimensioneve më të larta, në shoqërinë e engjëjve përkatës. Në këtë proces merr pjesë pikërisht elementi “jashtë tredimensional”, shpirti. Mjaft bukur e kanë shprehur këtë aspekt të parët tanë të sinqertë në besim: shpirti-zog çlirohet nga trupi-kafaz.
“E më pas, kur zërin e Shpirtradhënësit të dëgjoj,
do ta braktis diku këtë kafaz e do të shkoj…” [20]
Me sa duket, vetë matematika (bashkë me të edhe fizika) dëshmon ekzistencën e shpirtit te njeriu. Që nga lindja e saj si shkencë, ajo vazhdon të zhvillohet e pasurohet me një shkallë të lartë abstraksioni, gjë që nuk është cilësi e materies (sendeve, apo e trupit të njeriut). Kjo shkallë e lartë e të menduarit, intuitës dhe abstraksionit, shpjegohet dhe e ka shtysën te prania e elementit shpirtëror në natyrën e qenies njerëzore. Çdo pemë ka frytet e saj. Matematika është një prej fryteve të shpirtit. E më tej: “Gjeometria është shkencë. E vërteta e saj, duke arritur emrat Adl (I Drejtë) dhe Mukaddir (Përcaktues i Përsosur) të Zotit, reflekton në tërë shkëlqimin e vet në pasqyrën gjeometrike shfaqjet urtësiplote të emrit Allah.” – siç shprehet Bediuzzaman Said Nursi.
“Në gjithësi ka bilbila që u këndojnë bukurive të universit. Si bilbilat e kopshteve tona, këto bilbila cicërojnë me falënderime në yjet që janë lulet e kopshtit qiellor. Ata janë adhurues të përjetshëm të Zotit të botëve. Ata janë engjëjt.”[21] Edhe ti, o njeri, bashkohu me ta! Kjo është rruga e harmonisë.
“Ti je pa të meta. Ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti.
Vërtet, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti.”
[1]. Kur’an (35/1), f. 496, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Sherif Ahmeti, 1992.
[2]. Kur’an (32/9), f. 475, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Sherif Ahmeti, 1992.
[9]. “Endje nëpër hapësirat me “N” përmasa”, Arion Hysenbegas, Tiranë, 1985, f. 13.
[10]. “Endje nëpër hapësirat me “N” përmasa”, Arion Hysenbegas, Tiranë, 1985, f. 87.
[11]. “Albert Ajnshtajni”, Filip Frank, Tiranë, 1989, f. 138.
[12]. “Endje nëpër hapësirat me “N” përmasa”, Arion Hysenbegas, Tiranë, 1985, f. 151.
[13]. “Albert Ajnshtajni”, Filip Frank, Tiranë, 1989, f. 232.
[14]. Kur’an (17/ 85), f. 335, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Sherif Ahmeti, 1992.
[15]. “Endje nëpër hapësirat me “N” përmasa”, Arion Hysenbegas, Tiranë, 1985, f. 47.
[16]. “Nën hijen e besimit”, F. Gylen, PRIZMI, Tiranë, 2004, f. 81.
[17]. “Prej dyshimit në besim”, Mustafa Mahmud, Shkup, 1994, f. 37.
[18]. “Prej dyshimit në besim”, Mustafa Mahmud, Shkup, 1994, f. 35.
[19]. Kur’an (3/ 185; 21/ 35; 29/ 57), f. 105; 373; 460, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Sherif Ahmeti, 1992.
[20]. “Nga Penza e Thyer dhe Dritat e Rrugës”, F. Gylen, Izmir, 1997, f. 214.
[21]. “Nën hijen e besimit”, F. Gylen, PRIZMI, Tiranë 2004, f. 88.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...