Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 16, 2015 Zani i Nalte Psikologji, Studime 0
nga Prof. dr. Musa Kraja
Kryetar i Akademisë së Shkencave të Edukimit
Abstrakt
Psikologjia ka një parahistori shumë të gjatë dhe një histori si shkencë e mirëfilltë, shumë të shkurtër. Vërehet se në shumë shkrime, madje edhe në tekste psikologjie, autorë shqiptarë, jo të paktë, injorojnë traditën shqiptare, përfshirë edhe islamen, në mendimin psikologjik shqiptar. Kjo përbën një varfëri intelektuale. Artikulli synon të evidentojë disa të dhëna themelore të pasurimit të kësaj shkence shumë të rëndësishme në fushen e edukimit.
Vepra e mirëfilltë psikologjike e Prof. dr. Hasan Tahsinit “Psikologji”, është e para në Historine e Mendimit Psikologjik Shqiptar dhe në të gjithë vendet që përfshinte Perandoria Osmane. Parathënien e librit “Psikologjia” e bëri dijetari turk Nadiri Fevzi, i cili e konsideron Hasan Tahsinin si mësuesin e tij të vërtetë dhe të nderuar, duke e paraqitur para publikut si një “figurë e lartë e të shquar, për virtytet e tija, jovetëm në mes dijetarëve të Stambollit, por si një dijetar të njohur, fama e lavdia e të cilit ishin përhapur edhe në mbarë Evropen”. Hasan Tahsini paraqitet si njohës i Iluminizmit Islam dhe i Iluminizmit Perëndimor, i cili thekson disa koncepte themelore të kësaj shkence. Këtu jepet edhe ndihmesa e çmuar e prof. Aleksandër Xhuvanit në fushën e mendimit psikologjik, i mendimtarëve të tjerë, para tij dhe të mëvonshëm. Në veprën madhore të akademikut Pajazit Nushi, bëhet një analizë e thelluar në fushën e mendimit psikologjik të kohës, botimi dy vëllimësh, me rreth 1200 faqe të formatit të madh të “Leksione Psikologji I-II”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2014, duke u ndalur në disa aspekte themelore të saj, përmes së cilës evidentohen edhe studiues të tjerë të psikologjisë shqiptare.
1
Psikologjia si shkencë është relativisht e re. Si të gjitha shkencat shoqerore, ajo e ka zanafillën e vet nga filozofia. Psikologjia ka një parahistori shumë të gjatë dhe një histori, si shkencë e mirëfilltë, shumë të shkurtër. Shkëputja e saj, diferencimi nga filozofia u bë në çerekun e fundit të shekullit XIX. Pra, fillesat e saj janë në thellësi të shekujve.
Ky botim përmbante:
-Objektin e Psikologjisë dhe raportin e saj me filozofinë, logjikën, mbi kuptimin, mbi shpirtin.
-Trajtohen bazat material-fiziologjike të disa dukurive dhe proceseve psikike.
-Njohuri mbi gjuhën, mbi raportin ndërmjet gjuhës, të folurit dhe të menduarit, etj.
Njëri ndër njohësit e thelluar të Hasan Tahsinit ka qenë edhe profesori filozof dr. Riza Tevliku, me origjinë shqiptare nga Dibra e Madhe. Ai ka bërë edhe nje studim mbi veprën e Hasan Tahsinit, të cilin e ka shkruar në turqisht dhe e ka botuar në buletinin “Musavver Arnaud” Shqiptari i Ilustruar, viti I, Stamboll, 1911, me disa shënime të Dervish Himës, përkthyer nga Vexhi Buharaja. Lidhur me librin “Psikologjia” të Hasan Tahsinit dhe mendimin filozofik të tij dr. R.Tevliku, ndër të tjera është shprehur se i ndjeri profesor ka ecur në gjurmët e filozofëve të rij” 1) Ai nuk njihte vetëm kulturën e Lindjes, dhe filozofinë arabe, nga e cila natyrisht duhet të jetë influencuar. Por ai njihte edhe dijetarë të mëdhenj evropiane, si Dekardi, Spinoza, Rusoi, etj. Madje, këta i njihnin edhe nxenesit e Hasan Tahsinit, rilindësit tanë. P.sh, Sami Frashëri, duke analizuar veprën e Zhan Zhak Rusoit, bën vlerësimin e duhur, por nuk ngurron të nënvizojë edhe njëanëshmërinë e faktorëve që ndikojnë në formimin e njeriut, siç ishte faktori gjenetik.
Dijetari turk Nadiri Fevzi e konsideron Hasan Tahsinin si mësuesin e tij, ai shkruante për Hasan Tahsinin se “fama e lavdia e të cilit ishin dëgjuar e përhapur në të gjithë Europën, 2)
Edhe arbëreshi Gabriele Bukola (1854-1885), botoi “Doktrina e trashëgimisë dhe fenomenet psikologjike”. Duke hedhur bazat e psikologjisë eksperimentale, në vatrën e përgatitjes së mësuesve, në Normalen e Elbasanit, themeluar nga Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Simon Shuteriqi, u zhvilluan lëndë të pedagogjisë, psikologjisë, etj, një pjesë e të cilave ishin përkthime, adaptime, përfshirë edhe tekste origjinale 3). Gustav Le Bon përktheu në gjuhën shqipe psikologjinë e edukimit, në vitin 1922. Isuf Agjah Korça, botoi dy vite më vonë, 1924, një fashikull “Psikologjia” me 32 faqe dhe në vitet e mëvonshme do të botojë edhe dy fashikuj të tjerë “Psikologi”, duke trajtuar probleme të bazave të filozofise dhe të psikologjisë idealiste, duke bërë përpjekje në trajtimin e çështjeve si ndjenjat, instinktet e të menduaarit, kujtesën dhe të mbajturit mend, sugjestioni, hipnoza, etj. 4). Ndërsa libri “Pedagogjia theoritike” e Gasper Beltojës, si nje adaptim, për herë të parë i një teksti pedagogjie, në vitin 1920, trajton edhe probleme të psikologjisë së përgjithshme, të psikologjisë pedagogjike, të logjikes, etj. Në vitet 1920-30 filluan të botohen artikuj dhe botime të disa disiplinave psikologjike, si psikologjia e personalitetit, psikologjia sociale, etnopsikologjia, etj. Disiplinat psikologjike filluan të botohen në dekadën e parë, sidomos të dytë e të tretë e në vazhdim të Universitetit të Tiranës, si dhe Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, të Elbasanit, Gjirokastrës, etj., duke u krijuar edhe katedra të veçanta të pedagogji-psikologjisë, sidomos me krijimin e kursit njëvjeçar pasuniversitar pranë UT, e më pas me kualifikimet pasuniversitare. Akademiku Pajazit Nushi është themeluesi i organizmave shkencore psikologjike në Kosovë e më gjerë. Doktoratura e tij “Zhvillimi i terminologjisë psikologjike dhe baza semantike e përcaktimit të saj në gjuhën shqipe”.
Më vonë, studiuesi e përkthyesi i shquar Vexhi Buharaja (Hasan Tahsini “Mësues i Popullit” dhe tani “Nderi i Kombit”, Vexhiu, “Nderi i Kombit”) e solli në gjuhën shqipe. Prof. Dr. Nuri Abdiu e studioi dhe bëri analizën shkencore të kësaj vepre me rëndësi në nivel evropian, duke evidentuar se konceptet themelore mbi ndijimet, njohjen, perceptimin, arsyetimin, gjykimin, etj., si dhe mbi kujtesën, imagjinatën, ëndrrat, etj., i kishte qartësuar me kohë.
Hasan Tahsini, personalitet që, edhe pse janë botuar tre vëllime të tija nga studiuesi Laurant Bica, një botim më parë nga Ibrahim Hoxha, tani së fundi botimi i dy veprave të tjera të tija nga stërmbesa e tij , znj. Manushaqe, aq këmbëngulëse në punën e saj hulumtuese, ka ende thesare mendimi të papërkthyer në gjuhen shqipe. Ai ishte njohës shumë i thellë i mendimit iluminist islam dhe i Mendimit Iluminist Perëndimor, punimi i të cilit ka një vlerë e rëndësi të veçante në Historine e Mendimit Psikologjik Shqiptar e më gjerë. Pra, ka një vend krejt të veçantë në kurrikulën e Psikologjisë Shqiptare.
Profesori shumë i njohur dhe i nderuar, akademiku Pajazit Nushi, me veprën e tij madhore, doli para studiuesve të psikologjisë e pedagogjisë, sociologëve, mësuesve e pedagogëve dhe gjithë të interesuarve në fushën e edukimit në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë, në botën akademike, me veprën në fjalë, duke e pasuruar kurrikulën e psikologjisë shqiptare të ç’indoktrinuar me vërtetësi shkencore.
Kjo vepër është vazhdë e një thellimi të pandërprerë të veprimtarisë mësimore dhe kërkimore shkencore e botuese, në fushën psikologjike e pedagogjike, të paraprirë nga vepra në vite si: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore”, 1964, “Fjalor i Psikologjisë” , “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipes”, 1987, “Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre”, 1997, “Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit”, 2004, “Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore”. 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike empirike)”, 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe…”, 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar”, 2006, dhe “Fjalor shpjegues i psikoanalizës”, 2010, tekstet universitare: “Psikologjia e përgjithshne – kaptina të zgjedhura”, 1995, “Psikologjia e Përgjithshme I”, 2002, “Psikologji e Përgjithshme, II- Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999, si dhe ka botuar tekstin “Psikologjia”, për gjimnaz, për të cilin është nderuar me çmimin e parë “Naim Frasheri”, si libri shkollor më i mirë për vitin shkollor në Kosovë,1996. Profesor Pajaziti është marrë edhe me përkthime për nevojat e shkollave të Kosovës, si “Logjika”, 1967, “Të mësuemit dhe kujtesa”, 1964, si dhe shumë artikuj e studime të tjera, produkte dhe rezultate të punës studimore me vlera të mëdha psiklogjike dhe pedagogjike e sociale.
Këto e të tjera studime e çuan autorin Profesor Nushi, akademik, në një udhëtim të gjate funksion të gjerë të fushës së edukimit, me një aparat shkencor model, shembullor, me aparat pedagogjik të nivelit të lartë, me burime shume të vlerta referimesh, me kulturë rigoroze shkencore, metodologji kërkimi e studimi bashkëkohore, me një gjuhë të qartë e të pastër shqipe, duke begatuar jovetëm pedagogët e studentët e tre cikleve universitare të psikologjisë, madje edhe të pedagogjisë, në degë të veçanta e në fakultete me këtë emërtim psikologjie, si dhe me një teknikë e teknologji botimi të lartë e krahasuar me dinjitet me botimet shkencore të sotme të huaja, aq të vlertë edhe për studentët e psikologjisë të Kosovës, por jo më pak edhe të disa universiteteve të viseve shqiptare, duke filluar nga Universiteti Shtetëror dhe Universiteti Europian i Tiranës, dy kështjella të fuqishme shkencore, psikologjike e pedagogjike me shkollat e tyre doktorale në këto fusha, universitetet e tjera në Shqiperi , Kosovë, Tetovë e më gjerë.
Vepra në fjalë, përveç leksioneve të mirëfillta shkencore psikologjike, në linjat më themelore të disiplinave psikologjike, pasqyron burime alternative, të afërta dhe me specifikat e tyre dalluese, në funksion të zgjerimit të horizontit shkencor të pedagogeve e studentëve, përmes varianteve e interpretimeve të shumta, shoqëruar me burime shkencore të gjera, në gjuhën amtare apo edhe në gjuhë të huaj. Aty nuk mungojnë edhe personalitete të shquara në fushën e psikologjisë, drejtëpërdrejtë, por në mjaft raste edhe autorë dhe problematika, që vihen në funksion të studiuesve dhe shërbejnë njëkohësisht edhe në fushën e pedagogjisë,siç jane: Herbarti, Marija Montesori, Aleksandër Xhuvani e mjaft të tjerë, por duke i paraqitur me specifikat e tyre psikologjike, si dhe në funksione pedagogjike, sociale, etj.
Si të gjitha fushat shoqërore, që e kanë të nevojshme, të evidentojnë së pari, zhvillimin historik të koncepteve e të shkencës së tyre të veçante, edhe në psikologji në përgjithësi, në “Leksione Psikologjie” jepen të paraqitur natyrshëm edhe mjaft material e personalitete me ndihmesa të çmuara në nivel botëror dhe kombëtar, në zhvillimin historik të mendimit psikologjik, kur kjo shkencë nuk ishte evidentuar, shtrihej në trungun e filozofisë, që me Krotonias Alkmeoni( rreth 520 vjet p.e r.), me Hipokratin, që të dy mjekë, duke vazhduar me Demokritin, Platonin, Aristotelin, e më pas në Mesjetë e në Kohën e Re, me Thoma Akuinin, Dekardin, Xhon Lok, etj. 5) Kur ekzistonin idetë psikologjike dhe pedagogjike, por, siç e nënvizuam më sipër, jo si shkenca më vete, bashkë me shkenca të tjera shoqërore, edhe më vonë, si shkencë e re, me përfaqësuesit e saj më kryesorë të nivelit botëror dhe kombëtar. Këtu autori gjen vend e vlerëson punën kërkimore e botuese në fushën e traditës së disa personaliteteve shqiptare, sidomos të Profesor Aleksandër Xhuvanit me botimin e mirëfilltë në këtë fushë.Vlerëson dhe i referohet veprës së Historisë së Mendimit Psikologjik Shqiptar të Prof. dr. Nuri Abdiut, si autori i parë i veprës së kësaj fushe.
Profesor Nushi i paraqet konceptet pa retushim, me vërtetësi tashmë të qartë, si bie fjala “Zot”: term i psikologjisë idealiste, i marrë nga terminologjia religjioze, te ne për herë të parë në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, koncept që emërton qenien absolute, Krijuesin e Gjithësisë, rrjedhimisht Krijuesin e jetës shpirtërore dhe Sunduesin e saj. Duke vazhduar me autorë psikologë të nivelit botëror, vazhdon: “Themeluesi i psikanalizës Sigmund Frojdi (1856-1938), ka besuar në Zot. Sipas tij, Zoti në jetën shpirtërore të njeriut ka disa funksione, nga të cilat dallohen: ta pajtojë njeriun me fatin e tij, ta largojë atë nga frika prej pafuqisë së tij, t’ia kompensojë vuajtjet e kësaj jete, etj. Psikoterapistët kanë konstatuar se frika nga Zoti është frikë e natyrshme për ata që besojnë në Zot.” 6)
Kjo vepër madhore, kryevepër e Profesor Pajazitit dhe një nga kryeveprat shumë dinjitoze të fushës psikologjike e pedagogjike shqiptare e më gjerë, i vjen në ndihmë, në mënyrë të thelluar, edhe kësaj të fundit, duke mbështetur e zgjeruar edhe njohuri të “kushëririt” të psikologjisë, ato të pedagogjisë, si konsolidim të tyre, por edhe në trajtime të reja, si variante të afërta e si nocione në ndihmë aq të domosdoshme për disa shkenca pedagogjike. Në mënyrë të veçantë, kjo vepër madhore psikologjike, i vjen në ndihmë sidomos psiko-pedagogjisë, pedagogjisë speciale, veçanërisht tifllopedagogjisë, surdopedagogjisë, psikomotricitetit, por edhe dokimoogjisë, didaktikës, etj. Por, i vjen në ndihmë njëkohësisht edhe për konsolidimin e shumë problemeve e fushave të disiplinave pedagogjike. Bie fjala, “eksperimenti”, si metodë e kërkimit shkencor aplikohet dendur në pedagogji, në sociologji, përveçse edhe në psikologji, me shumë koncepte, metodë kërkimi e studimi të cilën, duke e trajtuar teorikisht e praktikisht, autori e paraqet në 13 variante, si në etimologjinë e fjalës, në evoluimin e konceptit, dhe në “eksperimentin ash”, në “eksperimentin funksional”, “eksperimentin introspektiv”, “eksperimentin kontrollues”, “eksperimentin laboratorik”, “Eksperimenti me ndryshim faktorësh”, “eksperimenti në kushte natyrore”, etj.
Në fushën e mësimdhënies, edhe pse te ne ështe botuar “Psikologjia e motivacionit”, një punim i mirë i profesor Zenel Orhanasit, ashtu si edhe “Psikologjia e stresit” e profesor dr. Theodhori Karaj, si dhe punime të tjera dinjitoze në fushën e psikologjisë, nga Prof. dr. Adem Tamo, Prof. dr. Ylli Pango, Prof. dr. Nikoleta Mita, Prof. Dr. Edmond Dragodi, Prof. dr. Petraq Simo, Prof. dr. Milika Dhamo, etj, etj. 7) Autori paraqet rreth 12 variante aq të vlerta lidhur me njohjen dhe trajtimin e tyre në drejtimet pozitive të edukimit.
Dihet që “Të mësuarit” është një nga problemet themelore të pedagogjisë, veçanërisht të didaktikës, por, pa e dubluar trajtimin pedagogjik të kësaj fushe, përkundrazi, autori e trajton në këndvështrime psikologjike, sidomos të psikologjisë shkollore, aq të domosdoshme, tashmë jo si në pedagogji, si proces i përfitimit të dijeve, shkathtësive e shprehive, por, siç shkruan autori: “Thelbin e të mësuarit, e përbëjnë ndryshimet e qëndrueshme të aktivitetit të njeriut; repertori i këtyre ndryshimeve është i madh, sepse njeriu mëson dije teorike dhe praktike, shfaq emocione dhe reagime emocionale, motive, qëndrime, shkathtësi e shprehi ( si t’i plotësojë nevojat e motivet), njeriu mëson si të mësojë, mëson vlera sociale, tipare të sjelljeve, etj”, vazhdon autori. Në këtë kuadër trajton të “Të mësuarit aktiv”, “Të mësuarit asociativ”, “Të mësuarit mekanik”, “Të mësuarit diskriminues”, “Të mësuarit instrumental” ( të mësuarit që shpërblehet, në të cilin zhvillohen dhe formohen ato lëvizje e veprime që shpërblehen dhe bëhen të qëndrueshme) “Të mësuarit motorik”, që realizohet me anë të përvetësimit të shprehive e shkathtësive, si ngarja e automobilit,, biçikletës, etj, duke reduktuar energjinë psikike në minimumin e saj dhe aspekte të tjera të mësuarit racional, receptiv, operant, verbal, etj.
Në mes shumë çështjeve themelore, pasi shpjegon në mënyrë të sintetizuar biheviorizmin, si drejtim psikologjik i rëndësishëm dhe i referohet themeluesit të këtij drejtimi, psikologut amerikan Xhon B. Uotson (John B, Ëatson, 1878-1958), me studimin e sjelljeve, me metodë studimi të vrejturit objektiv dhe të matjes së sjelljeve dhe vazhdon më tej me studimet e mëtejshme amerikane, ruse, etj, autori trajton si çështje të veçantë edhe “Biheviorizmi te shqiptaret”. Këtu paraqet në mënyrë përmbledhëse dhe të argumentuar trajtimin e kësaj fushe, fillimisht në vështrim historik, por duke mbajtur qëndrim kritik ndaj trajtimit të sistemit konceptual, që jovetëm nuk u studiua në tri dekada e gjysmë në Shqipëri, por u konsiderua si një nga rrymat më të përhapura në psikologjinë borgjeze “…qëndronte në pozita antishkencore dhe i kundërvihej teorisë materialiste dialektike mbi psikikën njerëzore.” Me përkthimin e teksteve nga anglishtja, në fund të shekullit të njëzetë, sidomos filloi një kthesë e menjëherëshme nga psikologjia refleksologjike në një sistem konceptesh të qëndrueshme sipas psikologjisë së vendeve anglo-saksone. Këtu autori thekson shtjellimin gjerësisht të biheviorzmit me 42 faqe, nga studiuesi shqiptar, prof. dr. Edmond Rrapti.
Të gjitha problemet që trajtohen në këtë vepër kanë rëndësinë e vet dhe lind domosdoshmëria e njohjes së tyre. Le të marrim, konceptin “Gabim”, që ndeshet te mësuesi me nxënësin, te pedagogu me studentin, tek inspektori në raport me drejtuesin, te vlerësuesi në maturën shtetërore apo në provimet e të gjitha niveleve universitare. Sa gabime e shpërdorime bëhen me dashje e pa dashje, jo pak edhe nga niveli i ulët i vlerësuesit, kontrolluesit, nga shkalla e formimit të tyre. Pra, gabimi fillon te fëmija, studenti, pedagogu, profesori, prindi apo gjykatësi, tek zgjedhësi për atë që do ta drejtojë nesër në pushtet, te lloj-lloj kontrollorësh e vlerësuesish, etj. Autori e trajton “gabimin” në disa aspekte: Jepet “gabim” në pasaktësinë e matjeve, në llogaritje, në vrojtim “gabim absolut”, “gabim eksperimental”, “gabim i përfaqësimit”, “gabim i rastësishëm”, “gabim i vrojtimit”, “gabimi standard”, “gabimi standard i koeficentit të korelacionit”, “gabimi standard i ndryshimit të vlerave”, etj.
Një problem i mprehtë, i trajtuar gjerësisht në optikën e psikologut, është “çrregullimi” i analizuar në vizion të gjerë, në fushën e edukimit, duke filluar nga koncepti “çrregulim” në “çrregullime të autizmit”, “çrregullimet e gënjeshtra”, “çrregulimet e humorit”, të kujtesës, çrregullimet e panikut të “vetëdijes”, “çrregullimet funksionale” ato “psikike bipolar”, “somatike”, “çrregullimi antisocial i personalitetit”, “ çrregullimi ankthor”, etj.
Sigurisht, nëe problemet kryesore që trajtohen në këtë vepër të gjerë e të thellë psikologjike, dhe jo vetëm, zë vend patjeter edhe kujtesa, për të cilën janë të interesuar të gjithë, e në mënyrë të veçantë mësuesit e pedagogët, pse jo edhe teologët, jo vetëm për ta njohur, si proces psikik, që ka të bëjë me të mbajturit mend të përvojës, njohuri të mësuara, të ngjarjeve, figurave, etj, pas ndërprerjes së ndikimit të ngacmuesve në shqisat e njeriut dhe në trurin e tij, me rinjohjen e asaj që është përjetuar apo mësuar, informacione që njeriu i ruan dhe i riprodhon në një kohë e situatë të duhur. Duke e parë në optikën e pedagogut, kjo përbën një vlerë sidomos për mësuesit e pedagogët, në ruajtjen dhe zhvillimin e kujtesës, në “gjimnastikën” që i bëhet asaj për ruajtjen e njohurive, të koncepteve themelore në fusha të caktuara, në kujtesën e tyre afatgjatë, në luftën kundër harresës, që vepron njëkohësisht në mënyrë objektive.
Në punën e përditshme mësimore edukative jemi ndeshur shumë herë me testet, si teknika të domosdoshme të matjes së njohurive në lëndë, në kapituj të veçantë, në aspekte të veçanta, madje edhe të mbështetur në botime serioze, siç është punimi i kahershëm i Prof. dr. Adem Tamos, në rrafshin teorik dhe aplikativ, e të tjera. Kam parë në bibliotekën e të ndjerit Prof. Nexhip Alpan, në Ankara, vite më parë, rreth njëzet variante librash, që trajtonin testet, siç janë me dhjetëra botime me këtë tematikë në gjuhën angleze, etj, por trajtimi i bërë nga profesor Pajaziti, tashmë në optikën e psikologut, është një tjetër ndihmesë shumë e çmuar teorike dhe aplikative, duke kaluar në këtë temë edhe në fusha të prodhimit e të jetës në vizion më të gjerë.”…testi është prova me të cilën vërtetohet, matet e vlerësohet funksioni i një strukture, shkalla e zhvillimit dhe cilësia e saj. Këeshtu në ndërtimtari me anë të testit matet dhe vlerësohet struktura dhe cilësia e një lënde ndërtuese, e një objekti. Kështu testohet ura, domethënë ura e perfunduar, provohet a është në gjendje ta mbajë peshën në të cilën është projektuar dhe është ndërtuar. Në këtë vështrim autori ndalet në 43 aspekte, disa prej të cilave janë teste didaktike, si testet me detyra analogjike, me fjali të mangëta, me alternativë, etj, të njohura nga mësuesit me përvojë në praktikat shkollore, por ka edhe të tjera që meritojnë vëmendje shumë më të veçante se sa deri më sot, si lloje të testeve me vlera aplikative si: “teste emocionale”, “teste me detyra analogjike”, “testet antonimike”, “testet alfa e beta”, “testi asociues”, “testi benet i aftësive mekanike”, etj, të trajtuara në këndvështrime psikologjike.
Akademiku Pajazit Nushi me këtë vepër-kryeveper, ka pasuruar më tej kurrikulën e Psikologjisë sonë e më tej, përmes një punë shumë voluminoze, një shëmbëlltyrë e seriozitetit dhe kompetencës së lartë në punën kërkimore shkencore, me një produkt aq shumë të vlertë, për fushat shoqërore, sidomos psikologjike e pedagogjike. Siç shkruan vetë Ai, duke u nisur “Nga fjala në fjalor dhe nga fjalori në “Leksioni i Psikologjisë”…, i cili në ndryshim nga fjalorët psikologjike, përmban informacione bashkëkohore shkencore për konceptet a nocionet e psikologjisë dhe emrat e personaliteteve të njohur nga rezultatet e gjurmimeve të rëndësishme të tyre. Për këtë arsye u desh një punë sistematike, një punë relativisht e gjatë kohore në hartimin e këtij leksioni; -siç shprehet autori në parathënie, – u desh një gjysmë shekulli punë me ritme kohore të ndryshme për mbledhjen e fjalëve nga literatura popullore e gjuhës shqipe dhe ajo profesionale e shkencore e karakterit terminologjik për proceset shpirtërore, psikike dhe për sjelljet e njeriut…”
Synimin gjithëpërfshirës të termave të psikologjisë për trajtimin semantik dhe gjuhësor e bashkëkohor të tyre, që autori paraqet para lexuesve me këtë vepër voluminoze , të titulluar “Leksion i Psikologjisë”, shumë më lart shkencërisht dhe profesionalisht se “Fjalor i Psikologjisë”, botuar nga i njëjti autor vite më parë, përbën një plotësim shumë të ndjeshëm të bibliotekës psikologjike e pedagogjike shqiptare e më gjerë, falë vullnetit të hekurt, pasionit në punë dhe pjekurisë së thellë shkencore e profesionale, që meriton nderimin më të lartë.
Profesor Pajaziti është një model për pedagogët e psikologët e rinj, për përkushtimin në punë, ndërgjegjen e lartë qytetare dhe profesionale, për etikën social-pedagogjike, vullnetin e hekurt në harmonizimin e punës mësimore edukative me kërkimin shkencor në funksion të tyre.
Literatura:
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...