Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Dec 07, 2015 Zani i Nalte Personalitete 0
Hafiz Musa Dërguti (1888-1961)
I dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, 1995
Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhimbjet, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame dhe kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje.
Të vjetrit e kanë njohur mirë Hafiz Musa Dërgutin, atë hoxhë të nderuar prej të gjithëve, i shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve.
Në kujtimet e veta z. Tom Lec Marku, një bashkëvuajtës i Hafiz Dërgutit në burgjet e diktaturës komuniste, shkruan: “Ishte fetar e jo fanatik, për të çdo njeri, si katolik, si mysliman ishte kreaturë e Zotit. Fort i ndershëm, guximtar ku s’ka ma, dai (dorëdhanës) për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte. Atdhetar i shquem, bashkëpunëtor i opozitës, antikomunist i vendosun. Kështu e kam njoftë Hafiz Musa Dërgutin”.[1]
Musa Dërguti u lind në Shkodër, më 3.3.1888, në një familje të vjetër qytetare. Musai mësimet fillestare i mori në gjirin e familjes së vet, por edhe në mejtepin e lagjes “Ndocej”, një mejtep që edhe shkolla më e vjetër do të përulej me nderim para tij, sepse këtu mësuan bijtë e nderuar të shumë familjeve të shquara të Shkodrës. Këtu fitoi shtysat për të vazhduar studimet e mëtejshme në fushat e ndryshme të diturisë islame. Vazhdoi studimet në Medresenë e Pazarit, ku punuan e studiuan shumë personalitete të kulturës islame. Duke parë zellin e tij në mësime, nisur edhe nga tradita shkodrane, që nxënësit më të mirë t’i dërgonte për studime në Stamboll, që ishte jo vetëm kryeqyteti i Perandorisë Osmane, por edhe kryeqyteti i kulturës e i diturisë, Musain e dërguan të vazhdonte shkollën, falë edhe mundësive ekonomike.
Në Stamboll u njoh me kulturën e diturinë e gjerë islame, fitoi përgatitjen serioze fetare, u njoh me jetën e një qendre të madhe politike, ekonomike e shkencore. Natyrisht, asgjë e bukur dhe madhështore që përjetoi në Stamboll nuk e habiti studentin shqiptar. Ai, si shumë të tjerë para tij, mendjen e kishte te vendlindja e largët. E hoxha i ri, me plot përkushtim e vendosmëri u kthye në atdhe, pranë familjes e miqve.
Detyrën fetare e filloi në xhaminë e Shaban Efendisë. Kjo ka qenë një xhami shumë e vjetër në qytet, e cila u pat shembur e në truallin e saj është ndërtuar më vonë punishtja e zhugës. Derisa e arrestuan, këtu u fal, këtu u priu banorëve si imam, këtu predikoi çdo ditë të xhuma, këtu banorët e lagjes dëgjuan fjalën e urtë e shpresëdhënëse të Hafiz Musait. Shumë e dashur u bë kjo xhami disi në skajin jugperëndimor të qytetit, sidomos për gratë e të gjitha lagjeve përreth. Në ligjëratat e Hafiz Dërgutit për familjen, për rolin e nënës në edukatë, për marrëdhëniet bashkëshortore, për marrëdhëniet e detyrat e prindërve ndaj fëmijëve e të fëmijëve ndaj prindërve, për marrëdhëniet me fqinjët, me farefisin e me gjithë të tjerët në shoqëri, krijoi e ngjalli shumë interes në gratë e Shkodrës saqë xhamia ishte e mbushur plot gjithnjë e fjala e Hafiz Dërgutit ngjallte shpresë, mirësi, paqe, harmoni familjare, mirëkuptim e dashuri mes njerëzve.
Hafiz Dërguti nuk ishte i specializuar në sociologji, por duke jetuar mes njerëzve, që i donte aq shumë, në gëzimet e hidhërimet e tyre kërkonte që me burimin e mësimeve të besimit islam, të zbuste sadopak zemrat e njerëzve, t’ua lehtësonte dhimbjet, t’i drejtonte e t’u ndriçonte rrugën drejt së mirës, së vërtetës, drejtësisë e mirëkuptimit, drejt rrugës që predikon feja islame dhe kjo e bëri atë shumë të dashur për çdo familje.
Vitet 1920-1924 janë plot tensione politike dhe ngjarje të shënuara në të cilat Hafiz Musai merr pjesë aktive dhe përkrah forcat e opozitës. Pas përmbysjes së regjimit të Fan Nolit, afërsisht pas 3-4 javësh, ai arrestohet dhe mbahet në gjendje arresti për afro 2 muaj.
Me të kanë qenë të burgosur Hafiz Ibrahim Repishti, Dom Pjetër Tusha nga Shiroka etj.[2] Me ndërhyrjen e klerit të lartë mysliman lirohet nga burgu.
Kur në vendin tonë fillojnë të përhapen idetë komuniste, Hafiz Musai kupton rrezikun e tyre dhe bëhet një luftëtar i vendosur kundër kësaj ideologjie me aq pasoja për vendin tonë.
Duke qenë një nga kundërshtarët më të vendosur, Hafiz Musai ishte bërë një figurë mjaft e rrezikshme për grupin komunist të Shkodrës, i cili e dënoi atë me vdekje…[3] Por nga frika e një konfrontimi popullor, kjo masë dënimi nuk u zbatua. Vendosmëria e tij si klerik antikomunist buronte nga fakti se ideologjia komuniste mohonte Zotin. Ai thoshte: “Komunistët janë të pafe, ai që nuk beson në Zotin, s’ka moral, s’ka frikë nga çdo veprim edhe i mbrapshtë po të jetë”.
Sapo nisi në qytetin e Shkodrës veprimtaria e organizuar komuniste, Musa Dërguti filloi në çdo moment, në xhami, në rrugë e kudo ta denonconte farën e keqe të komunizmit. Mbahen mend veçanërisht replikat e forta që bënte në vitet 1936-1937 me të rinj komunistë. Në këto diskutime të gjata ai shquhet për forcën e argumentimit fetar dhe paralajmëronte rrezikun e madh të komunizmit dhe pasojat e tij për vendin tonë. Forcat komuniste që në atë kohë e konsideronin Hafizin pengesë dhe njeri të rrezikshëm, sepse gjatë viteve 1941-1944, kur lëvizja komuniste në Shqipëri u fuqizua, ai me këmbëngulje vazhdonte ta demaskonte hapur atë. Në vitin 1944 iu fut një letër anonime në shtëpi; me të cilën ai kërcënohej me vdekje si klerik antikomunist.[4]
Pas luftës filluan menjëherë goditjet ndaj figurës së tij. Kështu gjatë vitit 1945 u arrestua tri herë, duke e mbajtur nën mbikëqyrje nga 4-5 ditë. Gjatë këtyre ditëve i bënin presione të ndryshme, i thurnin shpifje nga më të ulëtat, por ai i përballoi me vendosmëri. Në pamundësi për ta përkulur apo për ta korruptuar, u detyruan ta lironin për mungesë provash.
Më 11.09.1946 u arrestua me pretekstin e “Lëvizjes së Postribës”. Për shumë muaj rresht u torturua në birucat e sigurimit, po ai qëndroi me trimëri, duke ruajtur dinjitetin e tij si besimtar i devotshëm.
Sipas regjistrit të Gjendjes Gjyqësore të Ministrisë së Drejtësisë, në numrin e Protokollit 7596 theksohet se: “Për të quajturin Musa Dërguti, i biri i Et’hemit dhe i Meleqes, lindur në Shkodër, me vendimin nr. 463, dt. 27.11.1947, nga Gjykata Ushtarake Shkodër është deklaruar fajtor për krimin si armik i popullit, neni 2 dhe 3 të ligjit 372, dënuar me 10 (dhjetë) vjet privim lirie dhe heqjen e së drejtës civile”.[5]
Ai i ka vuajtur të gjitha vitet e dënimit pa përfituar asnjë amnisti, madje ka bërë 2 muaj burg më shumë se dhjetë vitet e dënimit, e të gjitha këto, në burgun famëkeq të Burrelit. Kur u arrestua Hafiz Musa Dërguti ishte në moshën 56 vjeçare dhe doli nga burgu mbi 66 vjeç, i plakur dhe i lodhur.
Prej ushqimeve që i dërgonte familja mbante për vete vetëm ullinjtë, me të cilët ushqehej, e të gjitha të tjerat ua shpërndante nevojtarëve, të cilët nuk kishin ndihma nga familjarët.
Hafiz Dërguti ishte një hoxhë i ditur, që për problemet e fesë islame dhe të sheriatit nuk bënte lëshime, por me gjithë këtë ishte tolerant, predikonte paqe e mirëkuptim mes njerëzve, mes besimtarëve të feve të ndryshme. At Zef Pllumi mes tjerave shkruan:
“…hoxha jo vetëm ishte shumë tolerant, por edhe shumë mirdashës… ai na respektonte (kur në dhomën e burgut jetonte me klerikët katolikë) e për këtë kishte stimën e dashuninë e ne të gjithve. Ishte një plak i hijshëm e shumë i sinqertë, na thoshte se gjithë jetën kishte treguar simpati për Klerin Katolik…”[6]
Hafiz Dërguti ka qenë sa i dashur dhe i dhembshur, aq edhe krenar, trim e burrëror… Nga jeta e burgut tregojnë një rast kur ai duke e ndjerë veten të fyer nga sjellja e një polici, pa iu trembur syri fare për pasojat, kapi paguren e ujit dhe i ra kokës me sa fuqi pat. Këtë ngjarje e përshkruan edhe rapsodi popullor Dedë Shyti në disa vargje të tij.[7]
Më 5 prill të vitit 1949 arrestohet e gjithë familja e tij dhe vendoset në burgun e Shkodrës dhe më pas internohet në Berat, Tepelenë, Luzhan të Korçës dhe pastaj izolohen në Kalanë e Portopalermos. Më vonë dënohen në Tepelenë, Skrapar dhe Lushnjë. Dhe pas katër vjetësh, më në fund lirohet e shoqja, ndërsa djali i vogël, Sabriu, lirohet pas tetë vjetësh. Dy djemtë e mëdhenj, Fejziu dhe Hamiti, arratisen që në ditët e para, ndërsa djali i tretë, Eqeremi, mbahet në burg edhe katër vjet.
Kë të qante plaku i gjorë më parë, hallet e tij në tortura e në mjerimet e burgjeve, apo gruan e fëmijët që vuanin sa në një vend në tjetrin. E me gjithë këtë, Hafiz Musa Dërguti dhe familja e tij mbijetoi. Nderi, dinjiteti, krenaria nuk u mposhtën.
Lirimi nga burgu më 8.11.1956 qe një ngjarje e gëzueshme për vetë Hafizin, familjen dhe të gjithë dashamirësit.
Hafiz Dërguti ndërroi jetë më 15 mars 1961. Përcjellja e xhenazes qe një sfidë për diktaturën komuniste. Qytetarët shkodranë, klerikët e të dy besimeve, fshatarët nga zonat përreth e shumë miq e shokë të burgjeve e shoqëruan me lot në sy. Ata kështu shprehnin dhimbjen e thellë dhe respektin e veçantë për këtë bir të denjë të Shqipërisë, për këtë Hoxhë të nderuar.
Më 20.3.1995, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha i dha Hafiz Musa Ethem Dërgutit medaljen “Pishtar i Demokracisë”.[8]*
* Botuar në librin “100 personalitete shqiptare të kulturës Islame”, botim i KMSH-së, botimi i tretë, 2015: 158-161; ribotuar në revistën “Zani i Naltë”, korrik, gusht, shtator 2015, nr. 12 (165), fq. 113-117.
[1]. Tom Lec Marku, i burgosur për Lëvizjen e Postribës, arrestuar më 1946, bashkëvuajtës me H. M. Dërgutin në burgun e Fretënve, dhoma 47. Kujtime, dorëshkrime, Shkodër, datë 26.5.1996.
[2]. M. Q., Gazeta “Balli i Kombit”, 12.10.1995: 6.
[3]. Po aty.
[4]. Dërguti, Eqerem, “Hafiz Musa Dërguti”, gazeta “Drita Islame”, nr. 12,11.6.1992: 3.
[5]. Dëshmi e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, Regjistri i Gjendjes Gjyqësore, nr. i prot. 7596, Tiranë, 27.5.1993.
[6]. Pllumi, At Zef, “Rrno vetëm për me tregue”, (Libri i kujtimeve) Pjesa e parë, 1944-1951, botues “Hylli i Dritës”, 1995: 226.
[7]. “Policët me pengue banë përpjekje, Të mos i shërbente Hafizi fesë…/Ia prishen t’falunit qentë e pabesë/Policin e qëlloi tenxhere kresë.” – Shyti, Dedë, “Kronikë rapsodike”, vjersha, Shkodër, 1996: 30.
[8]. Për më tepër shih: Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 153-174; gazeta “Drita Islame”, nr. 12.
Nov 19, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...